Nga Dr. Pjetër Pepa
Memorie.al / Kujtojmë përvjetorin e pushkatimit të dy priftërinjve katolikë: Dom Zef Bicit e Dom Mark Dushit. Si sot, në mesnatën e 2 majit 1968, (disa të tjerë thonë me datën 10 maj 1968), në një fushë të shkretë të fshatit Dobraç, në rrethinat e Shkodrës, ku shkreheshin batare mitralozi. Rrëzoheshin prej plumbave të tyre, në gropën që ishin detyruar ta hapnin vetë, dy barinj të Kishës Katolike të Shqipërisë, dy priftërinj të njohur, nga e gjithë bashkësia për zellin e tyre meshtarak e ungjillor dhe atë patriotik.
Siç shkruan në librin e vet At Zef Pllumi, Dom Zef Bici, u ekzekutua me 10 maj të vitit 1968. Eshtrat e klerikut, bashkë me ato të Dom Mark Dushit, mikut të tij që në vitet e rinisë kur shërbenin si ndihmës-famullitarë në Tiranë e, deri në orën kur dëgjuan vendimin e dënimit me pushkatim, u gjetën 25 vjet më vonë, më 12 shtator të vitit 1993, në një fushë të Dobraçit.
Ne prill të vitit 1968, u zhvillua procesi gjyqësor që u mbajt për katër ditë me radhë në Kishën e Motrave Sigmatine, në qytetin e Shkodrës, që asokohe, ishte kthyer në Klub Rinie, në ngarkim të pesë klerikëve katolikë; At Gegë Luma, Dom Frano Ilia, Dom Mark Dushi, Dom Zef Bici, Dom Mark Hasi dhe dy besimtarëve; Alfons Radovani dhe Kol Marlacaj, të cilët ishin marrë si të pandehur, “për veprimtari armiqësore dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.
Gjyqi ndaj tyre, që u zhvillua me bujë të madhe (gjyq publik demaskues dhe me dyer të hapura e altoparlantë) “në kuadrin e luftës kundër besimeve fetare dhe zakoneve prapanike”, që kishte ndërmarrë regjimi komunist i Enver Hoxhës, që në vitin 1966, (kohë kur filloi edhe prishja e objekteve të kultit, si kisha, xhamia, manastire, teqe, manastire etj.)
Dom Zef Bici e dom Mark Dushi, këta dy priftë, pushkatoheshin pas një gjyqi farsë, me akuzën: “armiq të popullit”; “spiunë të Vatikanit”. Kishte kaluar vetëm një vit nga 1967-ta famëkeqe, kur diktatura komuniste, mbylli dyert e institucioneve dhe të tempujve fetarë, e bindur se ia kishte dalë mbanë, ta mundte e ta zhdukte Zotin nga trojet shqiptare e, besimin nga besimtarët shqiptarë. Koha e tregoi të vërtetën.
Filloi kështu vala e re e pushkatimeve të klerikëve të fundit, që kishin shpëtuar nga valët e mëparshme. Të dy meshtarët e përmendur, së bashku me disa rregulltarë, qenë arrestuar pak pas mbylljes së Kishave e, qenë nxjerrë para gjyqit, të vetëquajtur “i popullit”, që u zhvillua në Kishën e Murgeshave Stigmatine në Shkodër, kthyer në Klub-Rinie.
Gjykata e Qarkut të Shkodrës, që kryesohej nga Nuri Resmja, dha vendimin, me datën 25 prill 1968, duke dënuar me vdekje, me pushkatim, Dom Zef Bicin dhe Dom Mark Dushin, me akuzën: “Tradhti të lartë ndaj atdheut” dhe “agjentë të Vatikanit”, ndërsa me nga 25 vjet burg, Dom Frano Ilian, Dom Mark Hasin, At Gegë Lumën, etj.
Gjyqi, përfundoi me disa dënime me vdekje e burgime të rënda. Pak rëndësi kishte, nëse meshtarët vërtetuan pafajësinë e tyre para gjykatës, se nuk kishte asnjë provë të vërtetë, kundër tyre, se veprimtaria e fetare e atdhetare që kishin kryer, meritonte shpërblim, jo pushkatim. Vendimi për jetën e vdekjen e tyre, ishte marrë që para se të fillonte gjyqi, me gjykatës kukulla, me të dënuar që përfaqësonin ç’i kishte mbetur e mirë dhe e madhe popullit, të masakruar shqiptar.
Martirët e revolucionit kulturor që drejtoi Ramiz Alija
10 Maj 1968 – Pushkatohen Dom Zef Bici dhe Dom Mark Dushi; Me burgim të rëndë; Dom Frano Ilia dhe Dom Mark Hasi, Patër Gegë Luma etj. Dom Zef Bici, ka lindur në katundin Gurëz të Bregut të Matës, më 19 maj 1919, prej prindërve; Dedë Ujk Bici dhe Dile Preçja. U pagëzua në katundin Gurëz, në Kishën e Shën Mëhillit prej Dom Ndue Lleshit, me 22 qershor 1919. Shkollën fillore e kryen në katundin Gurëz, në vitet 1927-1932. Në vitin 1934, hyn në Seminarin Papnor, ku vazhdon për katër vite edhe Teologji.
Më 1939-ën, me vdekjen e Imz. Pjetër Gjurës – Argjipeshkvi i Durrësit dhe administrimin e Arkidioqezit, e muer Imzot Gaspër Thaçi, për arsye shëndetësore, largohet përkohësisht prej Seminarit dhe rin pranë Imzot Thaçit. Në Argjipeshkvinë e Shkodrës rin edhe mbasi u zgjodh Imzot Vinçenc Prennushi, Arqipeshkev i Durrësit. Pra qëndronte pranë Imzot Thaçit, duke qenë gjithnjë, seminarist i Arkidioqezit të Durrësit, i cili mbante një seminarist të Shkodrës, në vend të tij.
Në vitin 1944, merr pjesë në dramën “Kështjella e Alkaxarit”, pjesë që demaskonte krimet komuniste në Spanjë, venë në skenë nga Dom Pjetër Gruda, asokohe ende pa u bërë meshtar edhe ai. Me 2 shkurt 1946, shugurohet meshtar në Katedralen e Shkodrës, prej Imzot Gaspër Thaçit dhe të nesërmen, thotë Meshën e tij të parë po aty, tue pasë gjithnjë kumbarë, Imzot Thaçin.
Me 21 prill 1946, thotë Meshën e tij të parë në Tiranë dhe të nesërmen në Durrës. Me 26 prill 1946, thotë Meshën e parë në Gurëz dhe mbas dy ditësh, me 28 prill edhe në vendlindjen e tij, Bregun e Matës. Me 10 maj 1946, është në Durrës, pranë Dom Anton Zogajt, si ndihmës famullitar, ndonëse ende pa dekret emërimi, vetëm dërguar verbalisht, nga Imzot Prennushi. Me 6 nëntor 1946, është në Tiranë, edhe këtu pa dekret emërimi, vetëm me transferim verbal, nga Imzot Prennushi, ku shërben si ndihmës Famullitar deri ne vitin 1952, së bashku me Dom Mark Dushin. Në marsin e vitit 1952, shkon në Shkodër, pranë Kryesisë së Kishës Katolike, duke u emëruar, si shef administrate, shef personeli e shef kulture.
Gjatë kësaj periudhe, është edhe Rektor i Kishës së Rusit, Rektor i Kishës së Zojës, Rektor i Kishës së Shën Jozefit e zv/ Famullitar i Shirokës. Ndërkohë, thuajse drejton mbledhjet e përpjekjet për pranimin e Statutit nga ana e qeverisë komuniste. Në vitin 1955, shkarkohet nga detyrat pranë Kryesisë së Kishës dhe që nga 1 janari i vitit 1956, është në dispozicion, duke shërbyer për pak kohë, si ndihmës Famullitar në Shirokë. I propozohet të qëndrojë në Arkidioqezën e Shkodrës, por nuk pranon dhe vihet në dispozicion të Ordinarit të Arkidioqezit Dom Luigj Gashitv – Vikar Kap. i Arkidioqezit, që i propozon të shkojë në Durrës, apo Zhejë.
Pranon të shkojë në Zhejë, në vitin 1956, duke thënë meshën e parë atje, me 25 marsin e vitit 1956, duke e paraqitur para popullit Dom Frano Ilia, Sekretar i Krujës. Me propozimin e Ordinarit, Dom Luigj Gashi, kthen serish në Tiranë, duke zëvendësuar Dom Mark Dushin, që kishte kërkuar të largohej prej Tirane. Më 28 prill 1957, është famullitar i Tiranës, duke e marrë në dorëzim atë, nga Dom Mark Dushi, që shkonte famullitar në Zhejë-Mamurras. Është njëkohësisht edhe administrator, për famullitë e Vlorës dhe Elbasanit.
Me 12.9.1957, zgjidhet Vikar Kapitullar, i Arkidoqezit të Durrësit, nga këshilltaret Dioqeziane, me vdekjen e Dom Luigj Gashit. Me shkresën N.1 /12 dt. 18.11.1957, njoftohet i aprovuar nga Kryesia e Kishës e nga Këshilli i Ministrave, si mbas Dekret-Ligjit, mbi Komunitet Fetare, Neni 13, që me emërimin e tij si Vikar, administrimin e Famullisë së Vlorës, ja lëshon Dom Mark Dushit.
Qëndron në Famullinë e Tiranës, deri në nëntorin e vitit 1964, që arrestohet e dënohet për moskallëzim krimi, duke u zëvendësuar nga Dom Ndoc Sahatçija. Lirohet pas një viti, por pa të drejtën e qëndrimit në Tirane, dhe emërohet në Dioqezën e Lezhës, si Famullitar i Merçijes dhe Rraboshtës, ku qëndron deri në marsin e vitit 1967. Mbas kësaj date, kalon pranë familjes së tij, për të rënë viktimë e Revolucionit Kulturor, kur arrestohet më 4 korrik 1967.
Gjykohet në Kishën e Motrave Stigmatine – Shkodër, kthyer në Klub-Rinije dhe dënohet me vdekje-pushkatim, me 25 prill 1968, për tradhti të lartë ndaj atdheut; dhe agjent i Vatikanit.
Pushkatohet në 10 (2)maj 1968. Eshtrat e tij, si edhe të Dom Mark Dushit, do të gjendeshin 25 vjet më vonë, në një fushë të Dobraçit, me 12.9.1993 dhe kthehen në një pllakë përkujtimore, pranë Kishës së Zemrës Krishtit të Tiranë. Dekorohet si “Martire i Demokracisë”, së bashku me Dom Mark Dushin, si dhe Dom Shtjefen Kurtin, me eshtra ende të pagjetura…!
Dom Mark Dushi, ka lindur në Gjakovë të Rrafshit të Dukagjinit, me 19 nëntor 1920, nga prindërit Pjetër e, Tereze Balto Geci, prej Shkupit. Pagëzohet në Gjakovë, në Kishën e Apostujve; Pjetër e Pal, nga Patër Marjan Glasinoviç dhe në moshën gjashtë muajsh, largohet me familje e, vjen në Shkodër, ku kryen klasën e parë, në shkollën Françeskane Shkodër e, pas një viti e vazhdon në Tiranë në, konviktin “Naim Frashëri”, në vitin 1929. Ne vitin 1934, i dërguar nga Imzot Pjetër Gjura, është konviktor në Jetimoren e “Zemrës së Krishtit”, duke mos pas vend në Seminar.
Kryen vitin e parë se bashku me studentet e Seminarit Papnor dhe të Kolegjes Saveriane. Në vitin 1935 është student ne Seminarin Papnor Shqiptar me Arkidioqezë të Durrësit. Në periudhën 1935-1942 kryen edhe tri vjet Filozofi po ne Shkoder dhe kater vjet Teologji. Merr pjesë në dramën e shfaqur në vitin 1944, “Kështjella e Alkaxarit”, kundër luftës komuniste spanjolle.
Shugurohet meshtar nga Imzot Vinçenc Prennushi, Arqipeshkev i Durrësit, në Kishën Famullitare të Tiranës, me 2 shkurt 1946 dhe po aty, thotë të parën Meshë, tue pasë si kumbarë, në mungesë të Patër Pjetër Palladinit, i cili në ato ditë, u riatdhesua, Patër Pjetër Meshkallën, Rektor i Kishës së Zemrës së Krishtit dhe Drejtor i “Veprimit Katolik” në Tiranë. Që në vitin 1945, është mësues Besimi, në 16 shkolla fillore të Tiranës, deri në gjysmën e vitit 1946. Emërohet kooperator, në Famullinë e Tiranës, me Famullitar, Dom Shtjefën Kurtin.
Me 30 tetor 1946, mbas arrestimit të Dom Shtjefën Kurtit, është Vikar i Përgjithshëm i Arkidioqezës së Durrësit dhe Famullitar i Tiranës, emëruar verbalisht prej Imzot Prennushit. Qëndron në këtë detyrë, deri në vitin 1950, kur emërohet Dom Pjetër Dema, atëhere, Famullitar i Milotit, Vikar e Kapitullar, i Arkidioqezit të Durrësit. Gjatë viteve 1946-1954, shërben në Kishën Famullitare, por edhe në atë të Zemrës së Krishtit, si Rektor i saj. Është Kapelan i dy spitaleve shtetërore, Civil e Ushtarak, të Tiranës, në vitet 1946-1947, si edhe rrëfyes i Motrave Ancelle, të këtyre spitaleve.
Në vitin 1950, merr pjesë në një Konferencë Paqe, mbajtur në Tiranë, me përfaqësues të tjerë të besimeve fetare, shkrimtarë dhe artistë, etj., kundra armëve atomike e, në favor te paqes, dhe për fjalimin e mbajtur, falenderohet e përgëzohet nga Frederic – Joliot; Curi, President i Komitetit te Kongresit te Partizanëve të Paqes. Me 13 tetor 1950, është pjesëtar i Komisionit për përpilimin e Statutit e të Rregullores së Kishës Katolike të Shqipërisë dhe ndermjetës i Kryesisë së Kishës, në lidhjet me Shtetin.
Ka grumbulluar të dhëna historike për Famullinë e Tiranës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Prevezës, Janinës, Zhejës, Bushneshit, Delbënishtit etj., si dhe një; Status animarum; të Famullisë së Tiranës. Gjatë viteve 1946-1954, është Administrator i Kishës Katolike Unite, në Elbasan si edhe Administrator i Kishës Famullitar Vlorë, për periudhën 1946-1966. Me 13 dhjetor 1952, është Këshilltar Dioqezjan, që e kryen deri në 12 shkurt 1967. Me 14 nëntor 1961, emërohet Zv/ Famullitar i Delbënishtit, ndërsa me 12 tetor 1966, kalon në Famulline e re, të Gurëzit.
Me mbylljen e institucioneve fetare, kthehet pranë familjes së tij. Arrestohet me 23 shtator 1967, mbas atij “Fjalimi Programatik”, të diktatorit Enver Hoxha, që do të fillonte fushatën e mbylljes së Kishave dhe dhunimit të objekteve të kulteve fetare. Akuzohet se; kur ka shkue në Vlonë, me thanë meshën, ka mbledhë informata ushtarake, për Pashalimanin, Grykën e Koçiut, Sazani etj.
Është ne grupin e tij, me Dom Zef Bicin, Dom Mark Hasin, Dom Frano Illine dhe te tjerë, në gjyqin publik që i bëhet në kishën e ‘Motrave Stigmatike’ Shkodër, kthyer në Klub të Rinisë. Me 25 prill 1968, dënohet me vdekje – pushkatim, për; tradhti të lartë ndaj atdheut; dhe agjent i Vatikanit. Pushkatohet në 10 (2?) maj 1968. Memorie.al