Nga Marçel Hila
Pjesa e dytë
Memorie.al/ Unë e mbaj mend si u mbyll Kisha e Zojës Rruzare këtu në Shkodër. Ishte e fundta e mbetur në shërbim, që kur nisi mbyllja e tyre, pas fjalimit famëkeq të Enver Hoxhës, të datës 6 shkurt 1967. Në ato ditë e në vazhdim, filloi cunami. Vunë kyçet të gjitha, një e nga një. Asokohe isha fëmijë pesëvjeçar. Kjo mynxyrë, që nuk kishte ndodhur kurrë më parë, krijoj tronditje të madhe. Të moshuarit, miq e të njohur, vajtonin e skandalizoheshin. I ishte shpallur luftë Zotit. “Deri këtu i shkon kuraja këtij përbindëshi”? – pyesnin nën za njerëzit të tmerruar!
Ky duket se është një veprim i koklavitur i Zotit, por që është i thjeshtë. Si i fshehur, nuk shfaqet; e si i durueshëm u lë kohë horrave të bëjnë hatanë. E përbindëshat krijojnë në vetvete idenë se janë të pamposhtur e se asgjë nuk i gjen; por gabojnë. Kërkojnë të marrin në zotërim vende, njerëz, shtete, shoqëri, e duket sikur asgjë nuk i pengon. Por kur kujtojnë se kanë çdo pushtet në dorë, kur kanë bërë çfarë kanë dashur, atëherë, Ai i padukshmi ngre krye e i përmbys, Ai, i durueshmi del, e me zemërim të tmerrshëm, i fundos e i fshin nga faqja e dheut.
Gjithë sa lëshoi, e merr përsëri në dorë, por edhe shumë më tepër. Një pyetje lind natyrshëm: a ia dolën me çrrënjosjen e ndjenjës fetare të shoqërisë? Jo! Regjistrimet e fundit të Institutit të Statistikave, treguan se pas kaq e kaq viteve të gjata të ateizmit zyrtar e të dhunshëm e me program, 90 % e popullsisë shqiptare, u deklarua se besonte në Zot. Ishim kampionët e rinj në Evropë. Çfarë humbjeje për ata që harxhuan kohë e shuma të mëdha në para për të gënjyer, për të ngulur në zemrat e njerëzve idenë se Hyji i madh nuk ekziston.
Por po dua të përmend edhe një tjetër mënyrë të veprimit të Zotit. Në fakt, rrugët e tij, siç e thotë përsëri ky profeti Izaia, janë të pafundme; ja për shembull, stigmatizimi. Çfarë është kjo? Janë plagë që i shfaqen në trup të përzgjedhurve të tij. Shën Francesku i Asizit, i mbajti në trup për dy vjet e vuajti shumë nga dhimbjet që provoi, Katerina Emmerich, për vite e vite të gjata, me dhimbje të jashtëzakonshme në kokë, me gjakun që i rridhte pa pushim nga plagët e duarve e të këmbëve, e që i lidhte me fasha; po kështu Tereza Nojman, që mbushej me gjak që i kullonte nga plagët e kurorës së ferrave e, që ky gjak i rridhte nga sytë, deri poshtë faqeve, nga duart e këmbët. Por e dimë edhe rastin e të famshmit Shën Pio nga Petralcina, që i mbajti plagët plot dhimbje për pesëdhjetë vite. Pse po e përmend këtë mënyrë të veprimit të Jezusit me besimtarët e tij? Sepse është një nga format me të cilat Ai tregon përngjasimin e tij më dikë, duke ua vulosur në trup shenjat e vuajtjes që pësoi.
Dhe natyrshëm lind pyetja: A mund të veprojë Ai kështu, duke lënë përngjasimin e tij edhe me një qytet? Them se po. Meqë rrugët e tij të veprimit janë të panumërta. Mendoj se këtë e ka treguar me Shkodrën, qytetin tonë. Në vitin 2018, isha për vizitë në Izrael, edhe në Jerusalem. Aty gjendet oborri i Pilatit, ku Jezusi u rrah; Lisostrosi, vendi ku Pilati e gjykoi Krishtin dhe e dënoi me vdekje; Golgota, vendi ku Ai u kryqëza si dhe krejt pranë, varri ku u varros. E më erdhi ndërmend Shkodra, ku Dega e Punëve të Brendshme ishte vendi i torturave, si Oborri i Pilatit; Gjykata e Shkodrës, vendi ku jepeshin dënimet me vdekje dhe muri i varrezës, vendi i pushkatimeve dhe zona afër, vendi i varrimeve. Deri këtu krahasimi del i qartë e bindës.
Por ka më shumë se kaq; Shkodra nuk është e vetmja që i përngjet Jerusalemit për vendin e torturës, të dënimeve me vdekje e të varrimit. Duhet të ketë pasur edhe vende të tjera ku varrezat shërbenin për ekzekutimet. Shikoni pikturën “Pushkatimi” të Francisko Gojës. Aty shihet se po vriten njerëz pranë murit të një varreze. Por ku është e veçanta në lidhje me Shkodrën? Në çfarë i përngjet ajo Jerusalemit, sipas një mënyre të vepruarit të Hyjit? Ja: në Jerusalem, tri ditë pasi Krishit qe varrosur, u ringjall, doli nga varri, i iku vdekjes. Në Shkodër, nga një varrezë, aty ku u vranë padrejtësisht njerëz, ku u pushkatuan shërbëtorët e Krishtit, aty ku vdiqën martirët, me datën 4 nëntor 1990, ndodhi mrekullia shqiptare: ndodhi ringjallja, doli Kisha dhe shoqëria e vrarë nga varri.
Nuk ka në botë një rast të dytë ku nga një varrezë të ketë ardhur ringjallja fetare dhe shoqërore e një kombi. Vetëm Jerusalemi dhe Shkodra e kanë këtë. Këtij qyteti, Jezusi i vuri vulën e përngjasimit, në këtë datë, duke nxjerrë besimin dhe jetën shoqërore nga varri. Kjo është kjo mënyra e veçantë e veprimit të këtij Zotit të fshehtë e të durueshëm, e këtij Zotit që lë vulë plagët e tij si shenjë vërtetësie, e Zotit që lë gjurmë ringjalljen ku do Ai e si do. Ai doli nga një varrezë atëherë, atje, edhe Shqipëria doli në liri nga një varrezë këtu.
Data 4 nëntor përbën vijën ndarëse mes vdekjes e jetës, është Pashka e parë pas territ, rrezja e parë, agimi i realitetit të ri që jetojmë edhe sot, kalimi i detit të Kuq nga skllavëria e faraonit drejt tokës së lirisë.
Ai mobilizimi gjigant, vrasja e frikës, entuziazmi i pashembullt ia përgatitën rrugën pluralizmit politik dhe lëvizjes demokratike, nxitën entuziazmin popullor, mbarsën situatën kudo në vend. E mori vesh Shqipëria e bota mbarë. Thuhej: “Atje ka ndodhur një diçka e madhe, ka shpërthyer, po del dielli”! Duhet të mos kemi iluzione: Demokracia nuk erdhi si një veprim i përllogaritur politik, si një vendim i peshuar e i konsultuar udhëheqësish. Nuk qe faktori politik, komunistët as që e donin këtë, që mundësoi hapjen demokratike, por e kundërta: ishte mesha e ringjalljes që mundësoi edhe veprimin politik me pasojë demokracinë. Ishte shpërthimi i kësaj bombe, vala e të cilës tronditi gjithçka, goditi regjimin e shembi diktaturën. Nuk ka ndodhur kund që nga një meshë në varreza të shpërthente liria. Kush nuk e ka kuptuar efektin e Pashkëve, ka rastin ta mësojë.
Por të kthejmë tek muri i gjakut, apo siç thuhej, muri i Vorreve t’Rrmajit. Kush janë ata që kanë përfunduar të copëtuar nga plumbat? Të masakruar, të vrarë e të futur në gropa të cekëta, të mbuluar shkel e shko e ku ujërat e shirave të parë i marrin me vete? Aty kishte përfunduar e gjithë shoqëria shqiptare, aty kalbej e gjithë Shqipëria.
Kush i gjuajti, kush i vrau?
Ata i vrau urrejtja e komunizmit. Me radhë: aty, e para është Kisha Katolike, aty janë edhe njerëz të thjeshtë të besimeve të tjera, njerëz me vlera e virtyte, që për besimin në Zotin, besimin në idetë e tyre lë lirisë e të përparimit, janë armiqtë e regjimit të ri që i vret; aty është klasa e vjetër politike, aty është rinia që nuk e pranon krimin komunist. Aty është dija, kultura, pronarët, aristokracia. Është e gjithë Shqipëria që vlen, shtylla kurrizore e kombit. Thamë se i vrau urrejtja e komunizmit.
Po prej ku vjen kjo urrejtje? A është e krijuar aty për aty në pak vite e që, si ortek i zhurmshëm, precipiton sikur të vinte nga malet e bie mbi të pafajshmit apo është një prodhim i gjatë në kohë? Komunizmi është gatim plot helm, i formuar ngadalë, për shekuj. Fillon si urrejtje e përfundon i tillë. Filofozi brazilian, Plinio Correa de Olivea, tregon fazat e lindjes së asaj që ai e quan revolucion. Ai flet për katër faza. Komunizmi ishte e treta. E katërta është ende në veprim. Po marrim në analizë tri të parat.
E para: Ishte urrejtja protestante ndaj Kishës Katolike. Shkëputja nga Roma, refuzimi i njohjes së dogmave, mohimi i sakramenteve, injorimi i shenjtërve, mohimi i Eukaristisë dhe i Marisë, mosnjohja e Papatit, krijuan skizmën e madhe. Evropa u nda më dysh. Veç një urrejtje e madhe mund ta bënte atë që ndodhi. Thuhet se prej atij çasti, protestantët njohin vetëm Krishtin, por jo Kishën.
Faza e dytë: Nis me iluminizmin e me revolucionin francez. Iluminizmi solli besimin në arsyen e jo më në fenë, propozoi një agnosticizëm. Besimi i iluministit përmblidhet në postulatin: mund të ekzistojë një Qenie e lartë. Pasoja: Krishti jo, por Qenia Po. Në lëmin politik përsëri urrejtje ndaj Kishës Katolike, e akuzuar si parazite, si ajo që mban në këmbë mashtrimin e shfrytëzimin. Ajo duhet zhdukur nga faqja e dheut. Ka bërë kryqëzatat, ka vrarë ka…! Këtë radhë, urrejtja bëhet program. Revolucioni vendos zhdukjen e rendit të vjetër, edhe të aristokracisë. Fillon këputjen e kokave. Nis punë gijotina. Është hera e parë në histori që kemi të bëjmë me luftë civile. Pse duheshin eliminuar këta? Sepse janë kundër revolucionit. E revolucionin e bën populli, masat e mëdha e mjerë kush ngrihet kundër vullnetit të popullit.
Ja tani në fazën e tretë: Në revolucionin komunist. Urrejtja për Kishën Katolike kap kulmin. Agnosticizmi i iluminizmit shndërrohet në ateizëm. Tani nuk ka më një qenie të Lartë për të besuar, por asnjë të tillë. Qielli është bosh. Vetëm materializmi historik është shkencë e vërtetë. Pra, luftë çdo besimi. Ateizmi kthehet në program politike. Vetëm njeriu është zot i tokës. Kush mbron besimin, është një armik i mendjes njerëzore, e cila duhet çliruar me çdo kush nga opiumi. Dhe urrejtja më e madhe drejtohet përsëri kundër Kishës Katolike, si qendër obskurantizmi dhe reaksioni, si fanatike dhe e prapambetur. Duhet shkulur nga faqja e dheut. Shteti e merr përsipër këtë detyrë. Është hera e parë në histori. Vazhdon edhe më e egër urrejtja kundër rendit të vjetër, siç e ka përcjellë revolucioni francez. Në Rusi, e gjithë klasa aristokratike u asgjësua. Familja mbretërore u vra e u dogj me benzinë, fisnikët dhe rendet u asgjësuan nga skuadrat e pushkatimit e u dergjen burgjeve.
Revolucioni francez nuk ka burgje, por vetëm gijotinë, ndërsa revolucioni komunist, krijon burgje të shumta, gulakët, sikurse tha Solzhenicin, Arqipelagë gjigantë, në stepa, në Siberi, në akujt, në Kolima, me dënimet me shumë e shumë vite, me Kod Penal të tmerrshëm. Komunizmi krijoi burgun politik. Ai është shpikësi dhe zbatuesi i tij, që bota nuk i kishte parë ndonjëherë. Komunizmi e shtoi dozën e urrejtjes dhe, përveç klerikëve, kategoritë e armiqve të rrezikshëm janë edhe artistët, intelektualët, pronarët, mendimtarë, çifligarë, kulakë, industrialistë, ish-revolucionarë, idealistë, ëndërrimtarë, liberalë, aristokratë, të pasur, por edhe muzhikë, të akuzuar si sabotatorë të reformave, pengues të formimit të kolkozeve, të shtetëzimeve. Të gjithë këta ose dolën para skuadrave të pushkatimit, ose u bënë banorët e atyre kapanoneve të frikshme e të stërmëdha. Revolucioni komunist shpronësoi njerëzit. Grabiti me ligj e program pronat popullit të vet. Kjo vepër e urrejtjes nuk ishte parë kurrë në histori.
Komunizmi ishte një urrejtje me program, që erdhi në Shqipëri nga stepat ruse. Urrejtje e importuar. Urrejtja e cilësisë së fundit, e updejtuar, do të thoshim sot. Të kthejmë edhe njëherë te muri i pasmë i Varrezës së Rrmajit. Kush u vra në atë vend? Ata që komunizmi i urreu. E para, Kisha Katolike. Komunizmi e vret në njerëzit e saj. E si në Rusi, edhe njerëzit e regjimit të vjetër, e po si në Rusi, intelektualët, por edhe politikanët e rinj, që nuk ia mbështesin komunizmit programin, por shpresojnë e punojnë për një Shqipëri të lirë e demokratike. U vra edhe aristokracia dritëpakë e këtij vendi, edhe familjet e mëdha, edhe kryetarët e fiseve, edhe patriotë që nuk janë internacionalistë. Më thoni cila urrejtje historike nuk qe bartur nga shekujt, nuk kaloi në shtratin komunizmit rus, nuk importua këtu e nuk u vu në veprim! Plumba morën dhe fshatarët, edhe njerëz të varfër, edhe të ditur që ndriçojnë mendjen me idetë e ndezin zemrat me flakën e idealit.
Aty u vra klasa e pasur, më parë e shpronësuar, aty vritet çdo bartës i ëndrrës për liri, ai është vendi i ekzekutimit të poetëve e i shkrimtarëve, i filozofëve dhe i ushtarakëve, aty u mbyt çdo evropian në shpirt e në mendje. Çfarë do të thotë evropian? T’i përgjigjemi më parë pyetjes: çfarë është Evropa? Evropa është tërësi traditash, institucionesh, ligjesh dhe kulture, të ndërtuara e të formuara për të zbatuar urdhrin e Ungjillit: duaje njeriun se vlen shumë, sepse Zoti u bë njeri e vdiq për të! Evropa është kujdesi dhe dashuria për njeriun në institucione dhe kulturë, shkencë dhe arte. Evropa prandaj është ideal, sepse është shprehja e dashurisë për njeriun. Evropiani është bartësi i këtij ideali. Ai idealist vritej aty, aty jepte shpirt. E vriste urrejtja. Vrisnin Evropën, pasi më parë e kishin shpallur armike. Pse? Sepse Evropa qe krijim i dashurisë, jo i urrejtjes, fryt i Ungjillit. Urrejtjes së revolucionit, Evropa shqiptare nuk mund t’i shpëtonte.
Ja pra se urrejtja komuniste e gatuar në Gjermaninë Luterane, kaloi në Francën masone, zuri vend në Rusinë muzhike e mbërriti nga stepat e ftohta edhe tek ne. Këtu u ngatërrua me veset e kësaj toke, i pari e më kryesori: injoranca e thellë, haxhi-qamilizmin i pandashëm e i pashërueshëm. Të kthejmë tek datat e ndritura 4 dhe 11 nëntor, të shkojmë te Varrezat e Rrmajit. Prej varreve dolën të gjithë në këto ditë të ringjalljes. Doli Kisha Katolike, por doli edhe mbrojtësit e të drejtës së besimit, dolën poetët e shkrimtarët e vrarë e me eshtra të humbura, edhe patriotët, edhe klasa e pasur, edhe ushtarakët, edhe politikanë kurajozë, dolën të gjithë. Doli krejt shoqëria shqiptare e masakruar.
Kjo u krye nga protagonisti kryesor i saj, Dom Simon Jubani, heroi i vërtetë, perla e gatuar ngadalë, në heshtje, në guaskën e izolimit, larg syve të njerëzve, në burgun e Burrelit. Ai, i dënuar me njëzet e gjashtë vite, mbante brenda vetes heroin. Jetoi e shpëtoi për mrekulli tamam për këtë ditë, pa e ditur as ai sesi. Shpirti dhe mendja e tij rrinin në pritje të kësaj ngjarjeje. Ishte profeti i kësaj dite. Ai nuk e dinte se qe i caktuar për këtë detyrë. Po pse u vu në krye? Krejt e thjeshtë: ia urdhëronte natyra prej heroi që kishte. Ishte i përzgjedhuri i madh, Moisiu i asaj dite, çliruesi.
Në të jetonte heroi, jo filozofi. Kush është heroi? Ai që tregon kurajë dhe vetëmohim, ai që sakrifikohet me vullnet të lirë për të realizuar një ideal, ai që e merr parasysh vdekjen nga ky veprim, ai që udhëton pa kthim drejt rreziqeve të mëdha, pa pendesë e pa e kthyer kokën pas, kur edhe mund t’i evitojë ata. Heroi është ai që shkon vetë trimërisht, pa frikë, edhe kur gjithçka ka kundër, e sfidon e sulmon të keqen. Kur të gjithë dridhen nga frika, kur asgjë nuk pipëtin, kur shumë janë ata që do të donin, por nuk ia mban, kur si, thotë Jezusi, shpirti është i gatshëm, por mishi është i dobët, tamam atëherë heroi sulmon i vetëm. Pa hezitim, pa dyshim. Ky ishte Dom Simoni. Kjo meritë nuk do t’i mohohet asnjëherë e për asnjë arsye. Ai qe, sikurse tha Gëtja: “Njeriu i duhur, në kohën e duhur”. Vinte nga vuajtja e madhe, që t’i tregonte njerëzve se e vërteta nuk vdes, nuk mposhtet. Këtë deshi ta bënte me sakrificën e jetës së tij. Dom Simoni është hero.
Edhe kjo nuk ishte rastësi. Dom Simoni, po ta shohim ashtu si u fol në fillim, ishte pjesë e planeve të Zotit. Krishtit, me anë të tij, do të tregonte se ekziston, edhe pse kishte qëndruar i fshehur kur ndodhi tragjedia, Zoti, me anë të dom Simonit, e braktisi durimin, doli në fushë të betejës dhe fitoi. Zoti, përmes dom Simonit, dhe djemve që e mbrojtën dhe e shoqëruan, tregoi se po i jepte gjurmën e përngjasimit Shkodrës, Zoti, me anë të dom Simonit, po ringjallte nga varrezat një komb. Përmes tij, Jezusi po ringjallej në këtë truall. Djemtë dhe burrat trima që e mbrojtën, e ruajtën dhe e ndihmuan, ishin të gjithë pjesë e planeve të Zotit.
Po kush janë këta? Pa frikë e me gojën plot po e them: ishin apostujt. Krishti u tha nxënësve të tij se ju do të bëni gjëra më të mëdha se bëra unë. Çfarë bënë më të madhe këta? Po e them pa frikë: ata nuk ikën, nuk e braktisën Dom Simonin. Qëndruan tek varret, të vetëm, të paarmatosur, të pambrojtur, kur mund të vriteshin, kur mund të gjenin edhe ata vdekjen nga bisha e plagosur, që vrau pesë muaj më vonë katër të rinj dhe plagosi 96 të tjerë. Ata nuk e lëshuan nga frika Dom Simonin, misionarin e madh. Apostujt e Jezusit, të gjithë, e braktisën atë natë, në Gjetsemani, kur ushtarët erdhën ta arrestonin. Ndërsa këto burra, që i kemi këtu, u treguan më të vendosur se apostujt. Kur Shën Pjetri ia garantoi Jezusit se, ai do të qëndronte me të, edhe nëse do të t’i duhej të vdiste, Jezusi u kthye e i tha: “Kur të ketë kënduar gjeli dy herë, ti do të më kesh mohuar tri herë dhe të gjithë ju do të më braktisni”!
Por kjo nuk ndodhi me heronjtë tanë që fatmirësisht i kemi të gjithë këtu. Edhe këta janë heronj. Edhe këta e sfiduan të keqen, e morën parasysh rrezikun e jetës, edhe këta nuk kishin asgjë, por vetëm jetën dhe vendosën ta sakrifikonin atë. Jo vetëm qyteti me breza, por Shqipëria mbarë duhet t’i jetë mirënjohës këtyre, për gjithmonë. Lind natyrshëm pyetja? Kush i thirri? Dom Simoni? Jo! Ishin këta që shkuan e thirrën Dom Simonin. Ishin këta që vunë një botë në lëvizje. Ishin këta që nuk i shtyu askush, po e ndjenë se kishte ardhur koha.
Cila kohë? Koha e triumfit të Zotit. Prandaj ishin apostujt e asaj dite, ishin armët e Jezu Krishti, kalorësit e fitores së tij. Nuk ishte interesi, larg qoftë, as paraja, që nuk e kishte askush, e as pushteti, cili pushtet? As premtimet… nga kush, por qe një thirrje e madhe, e thellë, që i vinte nga zemra, ishte thirrja e Zotit, thirrja e Jezu Krishtit, thirrja e jetës, thirrja për në mision. Ishin Nikodemi dhe Jozefi i Arimatesë, të thirrurit e veçantë të ditës së ringjalljes së Shqipërisë së vrarë, ringjalljes së Shqipërisë së masakruar.
Ajo goditje pati forcën e një arme atomike. Vala e saj e parë u përhap në qytet e në rrethina, kaloi në qytete të tjera, mbërriti në kryeqytet. Menjëherë, në ditët pas, u hapë në Shkodër xhamia. Efekti u ndje. Filloi përgatitja për ringjalljen politike. Kjo këtu, lindi atë atje. Vala e ringjalljes e varrezës së Rrmajit, lindi Lëvizjen Studentore. Shqipëria po bëhej gati të dilte e gjitha nga mjerimi e vuajtja, nga shtypja e skllavëria.
E nuk mund të vinin ditët e bardha, ditët që e stigmatizuara gjermane, Tereza Nojman, ia tha Vincenc Prendushit, kur ai shkoi për vizitë tek ajo në vitin 1932 e, i profetizoi vuajtje të pafund për tokën tonë. “Do të jetoni një kalvar të tmerrshëm, por, pasi të kalojnë të gjitha këto mynxyra, ditë të bardha do të vijnë edhe për vendin tënd”. Këta janë heronjtë e këtyre ditëve, e agimit, e rrezeve të para të diellit të fitores.
Këtë djem e burra na kujtuan se Shqipëria ka trima e heronj, se kjo tokë vazhdon të lindë të tillë e për këtë duhet t’i jemi mirënjohës Zotit, që i nxjerr në kohëra të vështira, për të na thënë se kur duket se është fshehur, Ai vepron me anë të tyre, e kur duket se është i durueshëm, i vë kufi durimit të tij hyjnor duke i futur këta në fushë të betejës për fitoren.
Dhe ja fjala e fundit: ka thënë Katerina e Madhe e Rusisë, se vetëm kur të kenë vdekur protagonistët e ngjarjeve, kur të jenë ftohur gjakrat, kur të jenë shuar emocionet, kur mendja shikon me qartësi dhe nxjerr saktë përfundimin, kur koha të ketë dhënë verdiktin e vet, që është i pagabueshëm, atëherë, për heronjtë duhet ngritur monumenti. Edhe unë mendoj kështu. Dom Simon Jubani, djemtë dhe burrat që e thirrën dhe e shoqëruan, e mbrojtën, e ruajtën dhe e përcollën, meritojnë një monument në mes të Shkodrës, më të madhin. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016