Nga Veli Haklaj
Pjesa e dytë
PERSEKUTIMI I KLERIT KATOLIK – PYETJET NGA SIGURIMI I SHTETIT, NË VITIN 1946
Memorie.al / Në historinë e kombit shqiptar, Kisha Katolike ka luajtur një rol të rëndësishëm dhe shpeshherë shumë të çmuar. Fatkeqësisht, raporti që ndërtoi pushteti komunist në Shqipëri, me besimin në tërësi, solli si pasojë një valë represioni të paparë ndaj klerikëve të të gjitha besimeve në vendin tonë, veçanërisht ndaj udhëheqësve shpirtërorë të besimtarëve katolikë. Sipas përcaktimit që bën Imzot Rrok Mirdita: “Pavarësisht nga forca vigane, me të cilën kisha ka bartur peshën e kulturës kombëtare, pavarësisht nga drita e papërballueshme që ajo ka hedhur mbi hijet e historisë sonë të vjetër e të re, pavarësisht nga shpirti i flijimit që e ka shoqëruar orë e çast jetën e saj në vendin tonë, madje pikërisht për këto arsye, kundër Kishës Katolike në Shqipëri, janë lëshuar shumë rrebeshe, e njëri ndër më të tmerrshmit, ka qenë ai komunist, që bashkë me procesin e zhdukjes fizike të katolikëve më në zë, vuri në skenë edhe procesin e shtrembërimit të historisë, mbi marrëdhëniet e Kishës Katolike me Shqipërinë”.
PYETJA E DOM MARK HASIT
Në vijim të procesit të hetuesisë, për problemet e pohuara nga Padër Mark Harapi, kapiten i parë Nesti Kopali, mori në pyetje Dom Mark Hasin, i cili deponoi:
– Atë mëngjes që u bë ngjarja e Postribës, duke kthyer prej kishe, gjeta në qelë duke pirë kafe, Padër Mark Harapin dhe e pyeta: – Si ngjau kjo? Ai mu përgjigj: – Paçin faqen e zezë Shkodra, etj., që e tradhtuan Postribën. Pastaj shtoj Padër Mark Harapi: – Unë e kam ditë prej dy ditësh që do të bëhej. Në lidhje me çfarë deklaronte Dom Mark Hasi, Padër Mark Harapi do depononte:
– Nuk më bie ndërmend nëse e kam takuar në mëngjesin e ngjarjes Dom Mark Hasin, ndërsa për sa deklaron ai, se gjoja e kam thënë; “që e kam ditë qysh prej ditësh”, “paçin faqen e zezë”, etj., kjo s’është e vërtetë.
Proces-verbali i pyetjes së Padër AGOSTIN ASHIKUT
Më 28 nëntor 1947, në Zyrën e Seksionit të Sigurimit të Shtetit në Shkodër, para hetuesit të sigurimit Pjerin Kçirës, u muar në pyetje Padër Agostin Ashiku, i biri i Zefit dhe i Çis, 42 vjeç, nga Shkodra, shtresë e ulët qytetare, i pamartuar, i padënuar më parë, meshtar i urdhrit Françeskan të Shkodrës, i cili deklaroi:
Në vitin 1942, kam hyrë në shkollën e parë të Jezuitëve, ku kam bërë edhe të dytën. Tri të fundit, i kam kryer në shkollën fillore të Françeskanëve. Në klasën e parë gjimnaz, që e fillova në Liceun e Fretërve, u shkrova xhakua dhe nga kjo kohë kam vazhduar në këtë urdhër, deri në vitin 1948, ku kreva gjimnazin.
Në vitin 1928, nga Kuvendi i Françeskanëve u dërgova në Itali për studimet e meshtarisë në Milano e, më vonë në Sargjeno (Arleo). Në vitin 1932, jam kthyer në Shqipëri si meshtar. Me mbarimin e këtij viti, përsëri kam shkuar në Itali, ku jam regjistruar në Kuvendin Françeskan të Firences, mbi studimet e literaturës klasike. Këtu kam ndenjtë deri në vitin 1936 dhe përsëri jam kthyer në Shqipëri, si profesor në Gjimnazin Françeskan.
Ardhjen e fashizmit në Shqipëri, nuk e kam pritë mirë, sepse e kam konsideruar si okupacion. Nuk di të jetë subvencionuar ndonjëherë Kuvendi Françeskan, nga Italia fashiste. Por di se kemi pasë përkrahje, në çdo pikëpamje, ushqim, etj.
Në vitin 1940, unë jam caktuar drejtor i Shoqërisë “Antoniane”. Në këtë kohë arrita të grumbulloj rininë katolike, meqë ishin shkatërruar që me ikjen e Padër Lek Lulit. Unë në fillim, mblodha nja 45 veta, ndër të cilët ishin; Injac Toni, Luigj Toni, Lec Fishta, etj. Kemi zhvilluar aktivitete fetare si dhe argëtime për të rinjtë antonian. Nuk di që të jenë zhvilluar aktivitete politike, nga anëtarët e rinisë antoniane.
Di veç se, dy muaj mbasi unë kam dorëzuar funksionin tim, si drejtor i Shoqërisë “Antoniane”, Padër Gjon Shllaku pat nxjerrë jashtë të gjitha anëtarët e shoqërisë, mbasi aty kishte lindë organizata e “Ballit Kombëtar”, me Injac Tonin, Luigj Tonin, Lec Fishten, Ndue Shllakun e, të tjerë si këta, që më vonë ishin nxjerrë në qarkoren e “Ballit” për rininë.
Padër Gjoni ishte antifashist dhe në fakt ai me organizimin e Shoqërisë “Antoniane”, mblodhi edhe një herë ata të rinj që ishin me “Ballin”, e tash janë shumë mirë të njohur si… Gjekën, Lec Fishtën, etj. Di që më vonë, Padër Gjoni mblodhi edhe të rinjtë e Shoqërisë “Rozafat” dhe bashkoi të gjithë elementet jo në moshën rinore. Është e vërtetë se në krye të këtyre, ishte Luigj Mjeda.
Qëllimi kryesor për grumbullimin e rinisë dhe të mbledhjeve në Shoqërinë “Antoniane”, ose edhe në shoqëritë e tjera, është bâ me qëllim që të mos bâjshin pjesë në politikë, por të këqyrshin mâ tepër nevojat dhe detyrat fetare, që i takon një shekullari. Është e vërtetë se në këtë mënyrë, i është sjellë dâm dhe humbje Luftës Nacionalçlirimtare, për mosmarrjen pjesë të një seri qytetarësh katolikë, në revolucionin popullor.
Nga ana tjetër, agjitacioni i Klerit në përgjithësi, ishte në dâmin e kauzës së çlirimit të Shqipërisë dhe një anshmërie që mbajtën shumë qytetarë shkodranë, në këtë vepër. Po nga këto shoqëri fetare, dolën elementë për organizatat e “Ballit” dhe veçanërisht nga ajo e “Veprimit Katolik”.
Unë kam qenë edhe drejtor i Gjimnazit “Françeskan” nga gjysma e vitit 1941, deri në qershor 1944. Është e vërtetë se për rininë studenteske të Gjimnazit “Françeskan”, kemi pasë urdhërue me bâ disa tekste të edukatës morale, ku u kemi mësue edukatën fashiste, në bazë të tekstit. Unë në të vërtetë këtë e kam pasë sabotue, se nuk më pëlqente.
Rinia është edukuar në klasat e tjera, prej Padër Gjon Shllakut me frymën fashiste. Shkaku ishte se neve financoheshim nga Italia fashiste. E di se na kanë paguar për një vit, dy mijë e pesëqind franga ari. Unë kam pasë formuar edhe një shoqëri që quhej “Enkeristike”, anëtarët e së cilës mund të ishin prej 8 – 12 vjeç, me një qëllim vetëm fetar.
Unë kam qenë nga viti 1944, deri në ditën që më arrestuan, si këshilltar i ngushtë i Kuvendit Françeskan. Këshilli kishte detyrë nevojat e jashtme dhe të brendshme të Kuvendit, të ekonomisë, etj. Unë si këshilltar, nuk kam pasë dijeni mbi armët e fshehura në Kuvend, por kur janë gjetë unë, i kam parë dhe jam çuditë.
Nuk është e vërtetë se unë kam pasë lidhje me Gjovalin Zezën e, të tjerë anëtarë të “Bashkimit Shqiptar”. Nuk jam takuar me ata dhe as që kam pasë dijeni, për një të tillë organizatë.
MERREN NË PYETJE AT FRANO KIRI DHE AT ÇIRIL CANI
Proces-verbali i pyetjes së Padër Frano Kirit
Më 30 nëntor 1947, në zyrën e seksionit të Sigurimit të Shtetit, në Shkodër, nga oficeri i këtij seksioni, aspirant Ali Xhunga, u muar në pyetje i pandehuri Padër Frano Kiri, i biri i të ndjerit Tom dhe i Gjystes, 47 vjeç, lindur në lagjen “Rus” dhe banues në Kuvendin “Françeskan” (Arra e Madhe) Shkodër, me kombësi dhe nënshtetësi shqiptare, i pamartuar, i padënuar ndonjëherë, i cili deklaroi sa vijon:
Në vitin 1912, kam mbaruar pesë klasë shkollë fillore, në vitin 1920, kam mbaruar Gjimnazin “Françeskan” Shkodër, në vitin 1924, kam krye edhe shkollën e lartë, për Mitologji e Filozofi në Romë dhe jam kthye në Shqipëri, me detyrë meshtar, ku kam shërbye si profesor matematike në Gjimnazin “Françeskan” deri më 1941. Gjatë vitit 1938, deri më 1941, kam qenë edhe si profesor i Normales Sigmatinë. Nga viti 1941, deri më 1944, kam shkue famullitar në Kir.
Më 1945, kam qenë i sëmurë në Tiranë, pa detyrë. Nga 1945-a, deri në ditën e arrestimit (14 dhjetor 1946), kam qëndrue në Kuvendin “Françeskan” të Arrës së Madhe, në Shkodër, pa detyrë. Kur kam qenë nxënës në Gjimnazin “Françeskan”, kam pasë profesor Padër Ambros Marlaskaj, i cili në mësime e sipër, na ka rrënjos dashurin për Gjermaninë dhe anglezët, e cila simpathi ka ekzistue deri më fund.
Kur u ktheva nga Italia, Padër Marlaskajn e gjeta drejtor të gjimnazit, e këtu bisedojsha edhe mâ hapët, nga kur isha nxënës, i cili më fliste ngaherë për gjermanët, tuj i paraqitë si popull të zot nga shpirti, mendimi, etj. Kështu që mua m’u rrënjos dashurija për ta. Këtë simpathi për gjermanët, jam mundue ta fus edhe ndër nxënës, kur kam qenë profesor.
Me politikë jam marrë qysh më 1924-ën, ku kam simpathizue opozitën, për të cilën edhe kam punue, duke bâ shokë që të votojshin në favor të saj, në marrëveshje me Luigj Gurakuqin, Bajram Currin, etj. Mbasi opozita humbi dhe fitoi Zogu, Kleri po të thuash në përgjithësi, ka qenë kundra tij e, sidomos kur Zogu mbylli shkollat, të cilat u mbyllën për tri vjet (1933 – 1936). Mbas një kërkese që u bë në Lidhjen e Kombeve, e cila ndërhyni pranë qeverisë, shkollat u çelën përsëri, me gjithë se një pjesë e Klerit, qëndronte kundra Zogut.
Kleri Katolik, para 1918-ës, ka simpathizue Austro- Hungarezët, mbasi këtej mvareshin financiarisht dhe merrshin drejtime prej andej, si politike, etj. Mbas vitit 1918 e këndej, kanë simpathizue Italinë, mbasi këtu mësojshin në shkolla, na jepej ndihmë në të holla e shumë të tjera, të cilën e bânte me të vetmin qëllim politik, për të ngallur simpathinë e saj në Shqipëri, ashtu sikundër është bâ që pjesa ma e madhe e Klerit, t’a simpathizojnë dhe t’a ndihmojnë, në veprimet e saja në Shqipëri.
Veprimi im fillon që në vitin 1933, në të cilën kohë, me mbylljen e shkollave, kam themelue Shoqërinë “Antoniane”, me urdhër të Arqipeshkvit të Shkodrës, Imzot Mjedës, e cila u formue me të vetmin qëllim, për t’u dhânë rinisë nji edukatë fetare. Në këtë kohë, në mos u gabofsha, është formuar edhe Shoqëria “Don Bosko” me iniciativën e Padër Pjetër Meshkallës. Të dyja këto shoqëri, kanë pasë për qëllim me e rritë rininë me një edukatë fetare, për të qenë më afër Klerit dhe t’i përdorte për nevojat e tij.
Më kujtohet se në vitin 1936, me urdhër të Papës, u formue “Veprimi Katolik” nëpërmjet delegatit apostolik dhe ky në marrëveshje me Arqipeshkvin Thaçi, formoj veprimin në të gjithë Shqipërinë. Qysh në fillim u ngrit Rrethi i Zojës Dhimbshme (vajzat) dhe Rrethi i “Veprimit Katolik” (djemtë), etj.
Në këtë kohë Arqipeshkvi Thaçi, bani një mbledhje ku thirri të gjithë drejtuesat e shoqërive të ndryshme, si p.sh.; Dom Mikelin, Bumçin, Vinçens Prendushin, delegatin e Papës, Nigris, etj. Mbas kësaj mbledhjeje, të gjitha shoqëritë u futen në “Veprimin Katolik”, simbas urdhrit të Papës, vetëm se nuk u shkrinë në të, por qëndronin në këmbë si shoqëri dhe punonin si mbas nji direktive të “Veprimit Katolik”.
Di se Dom Mikel Koliqi, ka qenë drejtor i “Veprimit Katolik”, për qarkun e Shkodrës e, kshtu çdo Ipeshkvi në Shqipëri, ka pasë një të ngarkuar si drejtor të “Veprimit Katolik”, si p.sh.; Durrësi, Lezha, Dukagjini, Mirdita, Zadrima, por që nuk di të përcaktoj emrat e tyre, se kush ka qenë drejtor. Për të gjitha këto, ka qenë Arqipeshkvi Thaçi, nga i cili mvareshin të gjithë. Drejtuesat e shoqërive bënin mbledhje të ndryshme, ku bisedonin mbi mbarëvajtjen e “Veprimit Katolik”, merrshin udhëzime që të luftonin komunizmin dhe raportonin çdo të metë.
“Veprimi Katolik”, figurën e jashtme e paraqiste shoqëri fetare, por në të vërtetë ka qenë një organizatë politike, që është formuar më të vetmin qëllim, për të luftuar komunizmin në Shqipëri, si dhe çdo rrymë që ishte në kundërshtim me doktrinën katolike, mandej kishte për qëllim grumbullimin e të gjithë katolikve, që të nxirrshin delegatët e tyre në parlament, për të kërkuar të drejtat e tyre (katolike), nga çdo regjim që do të vinte në Shqipëri.
Kleri ka simpathizue fashizmin qysh mâ parë, ku në një mënyrë ose tjetër, e kanë ngjallur këtë simpathi edhe në popull, e mandej qe përgatitë terreni në mënyrë indirekte, për ardhjen e fashizmit. Kjo vinte mâ tepër nga “Veprimi Katolik” që bënte një punë në këtë drejtim, mandej qeveria italiane na ka ndihmuar me të holla, si p.sh.; ndihma me të holla për shkollat klerike, profesorët italian, librat që tërhiqeshin me anën e konsullatës, etj., të cilat kanë influencuar në vendin tonë.
Marrëdhënie me konsullatën italiane, kan pasur At Gjergj Fishta (vdekur), Padër Pal Doda (burg), Padër Bernardin Palaj, Padër Çiprian Nika, Padër Anton Harapi, etj., por se çfarë marrëdhënie e se si i kanë mbajtur këto, nuk di ta shpjegoj. “Veprimi Katolik”, vrullin mâ të madhë e mori në vitin 1937 dhe 1938, ku në atë kohë pranojshin të merrshin pjesë të gjithë populli pa përjashtim, mbasi në këtë kohë, janë ngritur edhe shoqëri të tjera, si “Zonja e Dhimbshme” etj., që vareshin nga “Veprimi Katolik”.
Ardhjen e fashizmit në Shqipëri, e kam pritë me keqardhje, mbasi unë edhe mâ parë nuk e kam simpathizue, si shokët e tjerë klerikë. Mbas ardhjes së fashizmit, Kleri ka pasë një miqësi edhe mâ të ngushtë, për të cilën ka ndihmuar me shtyp ku ngrenin në qiell fashizmin dhe ulnin poshtë komunizmin.
Me daljen në shesh të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, Kleri Katolik ka mbajtë një qëndrim armiqësor kundra saj dhe është mundue me çdo mënyrë, të ndaloj përhapjen e saj, mbasi dihej se në të bënte pjesë edhe Partia Komuniste, të cilën e kishte luftuar qysh mâ parë, për arsye se e quajshin antife dhe në kundërshtim me doktrinën katolike. Në këtë kohë, kam qenë famullitarë në Kir, Dukagjin, të cilën (Luftën Nacional-Çlirimtare) e kam luftuar si të pafe, etj., por si luftëtar kundra të huajit, i kam admirue.
Me daljen në skenë të “Ballit Kombëtar”, Legalitetit, Nacional Indipendentëve, Kleri Katolik i ka furnizuar dhe ka punuar me to, si p.sh.; Dom Zef Shestani me “Ballin Kombëtar”, Padër Lek Luli me Legalitetin, e shumë të tjerë që kanë dalë publikisht. Në këtë kohë “Veprimi Katolik”, ka punuar edhe mâ tepër dhe shumë anëtarë të saj, kanë marrë pjesë në tri partitë e sipërme, duke luftuar edhe mâ mirë Luftën Nacional-Çlirimtare, me pjesëmarrjen në këto parti.
Në vitin 1941, kam marrë pjesë në mbledhjen e Ipeshkëve, ku merrshin pjesë; delegati apostolik Nigris, Monsinjor Thaçi, Imzot Volaj, Dom Mikeli, dy jezuitë italian, Dom Tom Laca e, ndonjë tjetër që s’më kujtohet. Këtu u shtrue çështja e presidentave të shoqërive të ndryshme që banin pjesë në “Veprimin Katolik”, se cilës shoqëri i takon parija në funksion fetar. Di se fashizmi, që në ditët e para që erdhi në Shqipëri, i ka dhânë shuma të mëdha në të holla klerit katolik, të cilat i jepte nëpërmjet delegatit Nigris. Këto të holla, pasi i merrte në dorëzim, ipeshkvi ua shpërndante famullitarëve.
Fashizmi edhe para se të vinte në Shqipëri i ka dhënë ndihma në të holla klerit, përveç atyre që ishin të përvitshme. Këto të holla ua jepte konsullata disa priftërinjve për kishat si p.sh. Padër Bernardin Palajt, Padër Gjergj Fishtës etj. Fashizmi, qysh para ardhjes, kishte çelur spitale, shkolla industriale, instruktora etj., të cilat ngriheshin në Çelë nga Veprimi Katolik; prandaj këta shtrojshin që fashizmi në qarkun tonë të mos luftohej, si me ardhjen e tij, ashtu edhe më vonë kur luftohej në të gjithë Shqipërinë, ngaqë ishte bâ në masë mendimi për t’u koordinue se ishin katolikë duke mos mendue se ishte një okupacion.
Në pranverën e vitit 1943, në Dukagjin ka ardhur Pjetër Daragjati, i cili ka mbledhë bajraktarët e Shalës dhe të Shoshit për të mbledhë vullnetarë në ato bajraqe. Ai regjistroi një numër prej tre – katërqind vetash, tuj u caktue edhe rrogë, armatim etj., dhe i shpërndau nëpër shtëpijat e tyre dhe kur të shihej nevoja, me anën e bajraktarëve të tyre, të mblidheshin menjëherë. Pjetër Daragjati në këtë kohë nuk u ka folur për asnjë parti, përveç se u thoshte se duhet të organizohemi për qetësin e vendit dhe për kurrë kundra komunizmit. Në këtë kohë, bajraktarët vendosën që në të gjithë Dukagjinin, të mos qaset brenda asnjë parti, për të mos hy grindja në mes njëri-tjetrit.
Në shtator të vitit 1943, jam ulë në Shkodër e këtu jam takue me Padër Anton Harapin, i cili më tha se duhet të interesohesh me bajraktarët që t’u çelet rruga ballistave në Dukagjin. Kështu që kur u ktheva u mora vesh me to, por në këtë kohë ka ardhur edhe i biri i Sulço Begut me disa ballista në Cukal, i cili ka bisedue vetë me Lulash Gjeloshin. Pas bisedës u kthye i biri i Sulços, e mbas pak kohe Dukagjini filloj të shkruaj ballista në Shkodër. Kështu që u prish vendimi që kishte marrë Dukagjini për mos të qasur [forca] me përjashtim të partive që vazhdoj të mos i qasi deri në fund që erdhi me luftë.
Në korrik të vitit 1944, kam qenë në Tiranë e këtu kanë ardhur dy vetë prej Dukagjinit, Vat Gjoni e Mark Sadiku, të cilët m’u lutën për t’u nxjerrë municion nga gjermanët. Atëherë unë u mora vesh me Padër Anton Harapin, i cili më dha nji letër për komandën gjermane për të tërhequr njëzet arka me fishekë, nga të cilat nëntë do t’i merrte Lik Marashi dhe një e mora unë të cilën ua shpërndava fshatarëve të Kirit.
Unë kam punuar kundra Lëvizjes Nacional-Çlirimtare si individ, por punë të organizueme nuk kam bâ kurrë dhe nuk është e vërtetë se në Dukagjin jam dërgue me mision nga Kleri, për të organizue popullin kundra Lëvizjes Nacional-Çlirimtare. Çlirimin e Shqipërisë kombëtarisht e kam pritë mirë, por si regjim e kam pritë keq, mbasi dihej se ishte një parti komuniste brenda. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm