Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, e cila në kongresin e jashtëzakonshëm të saj të mbajtur në shkurtin e vitit 1950-të, me ndërhyrjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, u detyrua që të ndryshonte statutin e saj të vitit 1928, të miratuar nga qeveria e Monarkisë së Mbretit Zog, ku thuhej e përcaktohej qartë shtetësia e drejtuesve të lartë të asaj kishe (Për Cilësitë e Peshkopëve. fq. 9 Art. 16), ku: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodhit, si dhe ndihmësit e Zëvendësit Klerikë të Kryepeshkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare”. Me statusin e ri të miratuar nga ai kongres në thirrjet “për Stalinin e madh dhe Rroftë Enver Hoxha”, u vendos që kreu i Kishës Ortodokse Shqiptare dhe ata në organet e tjera drejtuese të saj, duhet të kishin shtetësinë shqiptare, gjë e cila bëhej që në krye të Ortodoksisë Shqiptare, mund të vihej fare lehtë një klerik rus që do t’i jepej shtetësia shqiptare.
Ndërhyrja e komunistëve te Kisha Ortodokse
Pasi kishte burgosur dhe eliminuar Visarion Xhuvanin dhe Kristofor Kisin, dy kryepeshkopët që kishin udhëhequr Kishën Ortodokse të Shqipërisë që në vitet ’30-të, qeveria komuniste e Enver Hoxhës, arriti që të vinte në krye të saj, At Paisi Vodicën (babai i Prokurorit të Përgjithshëm të asaj kohe, Josif Pashko), i cili nuk kishte asnjë lloj arsimimi fetar. Pas kësaj, ajo e pati më të lehtë për të nënshtruar Kishën Ortodokse të Shqipërisë, gjë e cila filloi në shkurtin e vitit 1950-të, kur në Tiranë u organizua dhe u mbajt Kongresi III-të i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i cili ndryshoi statutin e saj të vitit 1928-të dhe miratoi statutin e ri. Në këtë kongres, i cili u mbajt tërësisht nën kontrollin e Patrikanës së Moskës, Kisha Ortodokse e Shqipërisë, e hoqi nga statuti i saj i vitit 1928-të, nenin ku sanksionohej se: shtetësia e drejtuesve të lartë të asaj kishe (Për Cilësitë e Peshkopëve. fq. 9 Art. 16) ku thuhej: “Kryepeshkopi, Peshkopët, Zëvendësit e tyre lokalë, Ikonomi i Madh Mitrofor, Sekretar i Përgjithshëm i Sinodhit, si dhe ndihmësit e Zavendësit Klerikë të Kryepeshkopit dhe të Peshkopëve, duhet të jenë prej gjaku e gjuhe Shqiptarë, si edhe të kenë nënshtetësinë Shqiptare”. Në statutin e ri që u miratua nga ai kongres, ai artikull u ndryshua plotësisht dhe në të thuhej: “Krahas me zhvillimin e ndjenjave fetare, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, do të zhvillojë në besimtarët dhe ndjenjat e besnikërisë ndaj Pushtetit të popullit dhe të Republikës Popullore të Shqipërisë, si edhe ndjenjën e Atdhe-dashurisë dhe të përforcimit të bashkimit Kombëtar. Prandaj gjithë funksionarët dhe personeli i saj, duhet të jenë shtetas shqiptar, të ndershëm, besnikë të popullit dhe t’Atdheut dhe të gëzojnë të gjitha të drejtat civile”. Ajo që ishte sanksionuar me statutin e vitit 1928, ku përcaktohej qartë se personeli dhe krerët e Kishës Ortodokse Shqiptare, duhet të ishin “prej gjuhe e gjaku, shqiptar”, në Kongresin e 1950-ës, ndryshohej dhe thuhej se ata duhet të ishin “me shtetësi shqiptare”. Me anë të këtij ndryshimi, qeveria komuniste e Tiranës, realizonte synimet e qëllimin e Moskës dhe Patrikanës Ruse, e cila do ta kishte fare të lehtë që në krye të Kishës Ortodokse në Shqipëri, të caktonte një njeri të saj,(jo shqiptar), shtetësinë e së cilit (si shqiptar) ajo nuk do ta kishte të vështirë për t’ia dhënë. Por nga si u zhvilluan ngjarjet, nuk ishte e nevojshme që në krye të Kishës Ortodokse Shqiptare të vihej një i huaj, pasi shqiptarët që u vunë në krye të saj, i kryen më së miri detyrat që u ngarkonte qeveria komuniste e Tiranës?!. Me kapjen e kreut të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, Patrikana Ruse do të arrinte atë që arriti në të gjitha vendet e tjera të Evropës Lindore të besimit ortodoks, të cilat u vunë në shërbim të saj. Po si u arrit të ndryshohej statuti i vitit 1928-të dhe cilët ishin klerikët ortodoksë që u vunë në shërbim të qeverisë komuniste të Tiranës me dhunë apo me dëshirë?
Mbajtja e Kongresit III-të të Klerit Ortodoks në Shqipëri
Kongresi III-të i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i zhvilloi punimet në Tiranë nga data 1 deri në 5 shkurt të vitit 1950-të. Seancën e parë të këtij kongresi, e hapi me një fjalë të shkurtër, Mitropoliti i Tiranës dhe Durrësit, e Kryepeshkopi i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Paisi Vodica, i cili përshëndeti delegatët dhe falënderoi përfaqësinë e qeverisë, gjeneral-kolonel Enver Hoxhën dhe autoritetet e tjera që merrnin pjesë në kongres. Pastaj, kryetari i mbledhjes, ia dha fjalën Adil Çarçanit, Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, i cili në emër të qeverisë të RPSH-së, përshëndeti kongresin dhe i uroi suksese në punën e tij. Në fjalën e tij, Adil Çarçani, përcaktoi në vija të përgjithshme të drejtat dhe detyrat e Komitetit Ortodoks të Shqipërisë, të cilat duhet të ndiqeshin në kuadrin e kursit të ri të regjimit komunist që ishte vendosur në Shqipëri dhe që udhëhiqej nga Enver Hoxha. Më pas, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse të Shqipërisë, z. Niko Cane, i paraqiti kongresit një relacion mbi ndryshimin e projekt-statutit, ku në mes të tjerash thuhej: “Në emër të Sinodhit të Shenjtë, po i parashtroj këtij Kongresi për shqyrtim dhe aprovim, projekt-statutin më të ri të Kishës s’onë, të përgatitur prej vetë Sinodhit në bashkëpunim me specialistët e tjerë mbi çështjet kanonike dhe dogmatike. Në përpilimin e këtij projekt-statuti, shokë, kanë marrë parasysh këta faktorë kryesorë:
- Fitorja historike që korri populli ynë nëpërmjet luftës famëmadhe Nacional-çlirimtare, i udhëhequr nga Partia jonë e Punës, me në krye shokun Enver…
- Situata e re që u krijua në gjirin dhe në udhëheqjen e Kishës me marrjen e frerit kishtar nga ana e popullit dhe me rrëzimin e sistemeve totalitare dhe eksploratonjës të krijuar nga hierarkë të degjeneruar dhe renegatë të interesave të Kishës së popullit tonë, siç ishin Kristoforët dhe Visarionët me shokë, të cilët në kundërshtim të hapët me parimet demokratike të ortodoksisë, e kishte monopolizuar Kishën në duart e një klike të privilegjuar, së cilës i shërbenin verbërisht.
Kisha jonë duhet të frymëzohet nga ndjenja të zjarrta atdhe dashunije dhe respekti të pakufishëm për Pushtetin e Popullit dhe për udhëheqësit e tij, ndjenja këto që dihet t’i nxisi dhe t’i ngrejë lart dhe në radhët e masave, duke u nisur gjithmonë nga parimi se pa atdhe dhe popull të lirë, nuk mund të ketë kurrë kishë të lirë.
Këto janë parimet themeltare që dallojnë rrënjësisht statutin e ri nga ay i vjetër, i cili nuk ishte gjë tjetër veçse një statut personal i Zogut dhe Visarionit që ekzaltonte e mbronte dy Tiranë, njërin në shtet, dhe tjetrin në Kishë dhe që mbështeste dhe përforconte pozitat e një klike të privilegjuar në gjirin e udhëheqjen e Kishës t’onë, Statuti, ay që u përdor pastaj si një simbol i shenjtë edhe prej Kristoforit, i cili e shpinte ujin në të njëjtin mulli dhe interesat e parimet e të gjithë tiranëve, bile me tendenca më të theksuara e më djallëzore prej këtij nxënësi të denjë të frymës së errët të fanarit.
Sikur të zbrisnim pak më poshtë e të qasemi në Athinën monarko-fashiste të tjera bekime dhe këtu nga ana e udhëheqjes së Kishës greke, që nxiti monarko-fashizmin të masakrojë popullin grek dhe të vrasi shqiptarë apo bullgarët për të rrëmbyer tokat e tyre.
Por le të mos zgjatem më tepër në këtë drejtim, pse këtë punë e bënte dhe Kristofori me shokë dhe le të themi me përgjegjësi se shumica dërmonjëse e Kishave ku pushteti nuk ndodhet në duart e popullit, ku edhe kishat sundohen e udhëhiqen nga renegatët e popullit dhe pseudo-fetarë”.
Mbyllja e Kongresit me thirrjet: Rroftë Enver Hoxha
Pas relacionit të Sekretarit të Përgjithshëm, Niko Cane, u miratua projekt-rezolucioni i Kongresit III-të të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku midis të tjerash thuhej: “Kongresi u mbajt në një kohë kur populli i Shqipërisë, i çliruar qysh prej 6 vjetësh, në saj të fitores së shkëlqyer t’Ushtrisë Sovjetike të lavdishme të prirë nga Gjeniali Stalin, dhe në sajë të luftës së tij heroike Nacionalçlirimtare, të prirë nga Komandanti ynë i dashur gjeneral-Armate Enver Hoxha, ka përmbysur regjimet antipopullore të tiranisë, të shtypjes dhe të shfrytëzimit, duke marrë Pushtetin në duart e veta dhe ka dërrmuar me vendosmëri shembullore gjithë tentativat e tradhtarëve dhe t’armiqve të tij të brendshëm dhe të jashtëm, që synojnë në mënyrë sistematike dhe djallëzore t’i rrëmbejnë këtë fitore të lavdishme, të korrur me aq sakrificë dhe privacione dhe me mijëra dëshmorë e heronj.
U mbajt në një kohë kur vendi ynë, i prirë nga qeveria jonë demokratike, nga Partia jonë e Punës dhe shoku Enver, dhe me ndihmën e paçmuar të Bashkimit Sovjetik e të Madhit Stalin, dhe me ndihmën e Demokracive Popullore, ka arritur suksese të mëdha në zhvillimin e gjithanshëm.
U mbajt në një kohë kur Atdheu dhe Populli ynë, nën udhëheqjen e Partisë dhe të shokut Enver, janë radhitur vendosmërisht në Kampin e pathyeshëm Demokratik dhe anti-imperialist, të prirë nga Bashkimi i Lavdishëm Sovjetik dhe Madhi Stalin, Kamp i cili rritet e forcohet dita-ditës, ndërsa kampi antidemokratik e imperialist, që përfshin forcat e errësirës dhe të skllavërisë, me në krye imperializmin amerikano-anglez, po gërryhet dhe dërmohet nga dita në ditë.
U mbajt së fundi, në një kohë kur mbarë njerëzimi përparimtar, është radhitur nën Kampin unik të paqes, të dashurisë dhe të vëllazërisë, ku e ka vendin dhe kisha jonë e rilindur e ku bëjnë pjesë Kishat përparimtare të Botës, me në krye Kishën e Madhe Ortodokse Ruse.
Kongresi, pasi dëgjoi Referatin e Kryetarit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë mbi gjendjen e saj qysh prej kohërave të lashta e deri sot dhe programin e ri të kishës së rilindur, si dhe diskutimet e delegatëve të Kongresit, dënon me një zë të gjithë veprimtarinë armiqësore t’ushtruar prej udhëheqësve të deridjeshëm në dëm të saj, të popullit dhe Atdheut tonë, aprovon unanimisht rrugën dhe vijën ndërtimtare që ka caktuar udhëheqja e saj e sotme, si dhe Statutin e ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke caktuar njëkohësisht këto detyra:
- Të aktivizohet në një mënyrë t’atillë, që Kisha të orientohet e të drejtohet në rrugën që shpie drejt kampit unik të paqes, në dashurinë dhe vëllazërimin ndërmjet popujve, në krye të cilit qëndron Bashkimi i Lavdishëm Sovjetik dhe i Madhi Stalin dhe ku bëjnë pjesë vendosmërisht të gjithë popujt përparimtarë e paqedashës dhe gjithë kishat përparimtare, me në krye Kishën e Madhe Ortodokse Ruse…
- Gjithë funksionarët e Kishës, klerikë dhe laikë, gjithë priftërinjtë e gjithë personeli kishtar, si dhe gjithë anëtarët e këshillave kishtare të qyteteve dhe katundeve, të jenë njerëz me ndjenja të larta patriotike, të jenë njerëz të ndershëm, të ushqejnë dashuri të pakufishme për Republikën tonë Popullore, për Qeverinë Demokratike, për Partinë t’onë të Punës dhe udhëheqësin e saj të ndritur shokun Enver…
- Kongresi falënderon nga zemra Qeverinë t’onë Demokratike, Partinë tonë të Punës dhe shokun Enver dhe u shpreh ndjenjat e mirënjohjes së thellë për përkrahjen e ndihmën e madhe morale dhe materiale, që i kanë dhënë dhe po i japin vazhdimisht Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, në përmbushjen e detyrave të saj karshi popullit dhe atdheut”.
Kongresi III i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë
(firmat e nënshkrimet e delegatëve)
Klerikët që firmosën projekt-statutin e hartuar nga komunistët
Disa ditë para mbajtjes së Kongresit III-të të Ortodoksisë Shqiptare, më 1 shkurt 1950-të, u mblodh Komisioni për Hartimin e Statutit të Kishës, nën kryesinë e Kryepeshkopit Imzot Paisi Vodoica (Pashko), i cili hartoi një proces-verbal ku thuhej:
Vdekje fashizmit
Liri e popullit
Sot dit’ e Mërkurë, më 1 Shkurt 1950, ora 18.30, u mblodh Komisioni për hartimin e projekt-statutit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, i përbërë prej Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë Imzot Paisi, në cilësinë e Kryetarit, prej anëtarëve të Sinodhit, të Përndershmit Arhimandrit Dhimitër Kokoneshit dhe Ikonom At Aristotel Stratos, prej Hirësisë së tij Episkopit Irene Banushi, nën cilësinë e specialistit për çështjet kanonike dhe dogmatike, prej Z. Foni Qirko dhe Ilia Kota, nën cilësinë e juristëve dhe prej Z. Niko Cane, nën cilësinë e specialistit për çështjet kanonike dhe dogmatike.
Komisioni në fjalë, pasi shqyrtoi për të fundit herë, nën për nen dhe në tërësi projekt-statutin e përgatitur prej tij, vendosi unanimisht t’i parashtrohet Kongresit për shqyrtim dhe aprovim projekt-statuti që i bashkëngjitet këtij vendimi dhe që përmban të gjitha faqet e tij të daktilografuara nënshkrimet e Kryetarit dhe të Anëtarëve të Komisionit të përbërë si më sipër.
Kryetari
Paisi Vodica
Ky proces-verbal, iu paraqit për miratim Kongresit III-të, i cili i zhvilloi punimet disa ditë më vonë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016