Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzet e nëtë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë, për në Turqi dhe si rezultat, u emërua si mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Shefqet Metaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Ylli”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
Marrë nga P.O. Shefqet Metaj Sekret
Dhënë nga B.p. “Ylli”
Më 10.6.1977
R A P O R T
Burimi njofton se para disa ditësh ka takuar Myrteza Bajraktarin tek shtëpia e tij. Ai, e pyeti sesi ka shkuar puna për largimin tënd nga Shqipëria. Myrtezai më tha që; nga dita kur kemi diskutuar e deri më sot, nuk është bërë gjë. Por nga Jugosllavia, këto ditë mora një letër nga im vëlla, ish- Kundëradmiral që tani punon si turkolog dhe që ka shkuar në Poloni.
Ai ndodhet në Krakov dhe më qorton mua për qëllimin tim lidhur me shpërnguljen, që ta bëjë nga ana e Jugosllavisë. Vëllai gjithashtu shante burrin e motrës, dhe thoshte se që kur ka hyrë në burg, është vënë në shërbim të UDB-së.
Tani burri i motrës me vëllain, janë në kundërshtim pasi, ai don që unë të shpërngulem nëpërmjet Turqisë. Madje më shkruante se ishte turpëruar me “mjekun” pasi, i kishte përgatitur ilaçet pa recetë. Me këtë ai donte të thoshte se, shpërngulja nga Turqia është mjaft e lehtë dhe “mjeku”, është shoku i tij dhe ka pozitë në Turqi.
Ndërsa burri i motrës, do që unë të shpërngulem nga Jugosllavia pasi ai, është i UDB-së dhe me këtë rast fiton pikë para opinionit atje. Po këtë gjë ma ka thënë dhe motra. Në letër vëllai, më ka dërguar dhe dy fotografi. Në njërën shkruante “varri i motrës nga afër”, ndërsa në tjetrën në turqisht më shkruante “kujdes nga pakot”. Ndërsa në foton tjetër: “varret e prindërve” dhe po në turqisht: “kujdes nga ilaçet turke”.
Në të parën donte të thoshte se; ruaju nga incidentet që mund të të kurdisin, ndërsa tek e dyta, tregohu i matur për veprimet dhe shiko rrugët nga Turqia. E pyeta Myrtezain për dajën e tij në Lushnje dhe më tha që daja i tij është neglizhent dhe frikacak. Madje ai, dërgon dhe njerëz të tjerë që t’i tërheqin lejen në Degën e Brendshme.
Kam frikë, më tha ai, se mos atij i kurdisin ndonjë incident ordiner dhe e fusin në burg për të penguar ikjen e tij jashtë. E pyeta se me çfarë merret daja?! Më tha që ai, merret me shitjen e kavanozave dhe matrapazllëqe të tjera prandaj, kam frikë mos e fusin në burg.
Myrtezai më tha që, do iki për ca ditë në Golem të Durrësit, për të pushuar pasi, këta të Sigurimit me njerëzit që duan të lënë shtetësinë, nuk kanë qejf t’i përzien me persona të tjerë. Kështu para disa ditësh Myrtezai, ishte te shtëpia e burimit në Vorë, ku burimi e mirëpriti. I dha për të pirë raki dhe gjithashtu i dhuroi dhe 50 lekë.
Gjatë rrugës, lindën kontradikta pasi burimi i tha Myrtezait, se ti tregohesh i rezervuar ndaj meje dhe nuk ke besim tek unë, kështu që dhe unë dyshoj tek ty. Myrtezai më tha se; unë mund të dyshoj tek çdo njeri por, tek ty jo, pasi ti ke tjetër ngritje kulturore, pikëpamje të tjera politike, dhe një njeri i tillë, nuk mund të bëhet kurrë i Sigurimit. Unë me ty bisedoj drejtë dhe pa fshehur asgjë.
“Ylli”
Vlerësim: Raporti ka vlerë operative pasi, tregon se Myrtezai ka marrë letër nga i vëllai, ku ka shenja me nënkuptime. Kjo tregon se ai i ka ditur më parë këto shenja dhe me shumë mundësi është agjent.
Detyrë: Vazhdo të bisedosh me Myrtezain dhe pyete nëse t’u kthye përgjigja e kërkesës. I thuaj se çfarë janë këto fjalë me nënkuptime. Pyete se çfarë interesi ke për të ikur në Turqi dhe i thuaj se ke pasur rast që në Rinas, të shohësh njërës të ambasadës turke, po jo se ke biseduar me to.
Masa Operative: Raporti do të shtypet në dy kopje, një të vendoset në dosjen 2/A të Myrtezait, ndërsa tjetra, t’i shkojë Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjes, për dajën e tij.
Puntori Operativ
(Shefqet Metaj)
Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Ali Selfo, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çakalli”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit, nëpërmjet bazës “Apollonia”!
Marrë nga P.Op. Ali Selfo
Dhënë nga B.p. “Çakalli”
Takimi u bë në bazën “Apollonia”
Fier më 6.6.1977
R A P O R T
Ai ka vënë re se shpesh në shtëpinë e Rexhep Llazanës, vjen Halil Caca dhe luajnë shah e bëjnë fjalë për lojën. Rreth datës 1 qershor ai, u ndodh në shtëpinë e Rexhepit në orën 19.00, ku dhe Rexhepi i tha: “Një shok i imi, i quajtur Myrteza, nga Gostivari dhe me banim në Tiranë, ka bërë një kërkesë për t’u riatdhesuar në Jugosllavi.
Për arsye se atë së bashku me të shoqen, i kishin lënë pa punë e pa shtëpi dhe s’kishin me ca të jetonin. Ai e pyeti, sesi u katandis në këtë gjendje Myrtezai?! Rexhepi i tha shkurtimisht se; Myrtezai ishte shok i Kapllan Resulit të cilin, e kam pasur shok dhe unë. Kur mbaroi studimet e larta, Myrtezain e caktuan për në Berat dhe të shoqen e kishte aktore tek Estrada e Tiranës.
Ai, nuk pranoi që të shkonte në Berat dhe për këtë i shkruajti letër qeverisë ku, i ankohej për keqtrajtimin që ju bëhej kosovarëve në Shqipëri. Atëherë punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme e arrestuan. Myrtezai nuk nxori gjë për Kapllanin (tani Kapllani ndodhet në burg). Pas burgimit ai u ndodh pa punë dhe për ca kohë ja hoqën edhe gruan nga puna. Myrtezait këtë punë, ja kanë bërë dy shokë të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Për këtë Myrtezai, u ankua tek Ministri i Brendshëm, nëpërmjet një letre drejtuar nga sekretari i tij i cili, sipas Rexhepit, nuk shkonte mirë me një punonjës të po kësaj ministrie, që merrej me emigracionin.
Sipas kësaj, shton Rexhepi, duket se po ky person i Ministrisë së Brendshme, i kishte thënë që kur të shkosh në Jugosllavi, të flasësh mirë për ne dhe për udhëheqësin e Partisë.
Myrtezai i kishte thënë se; kur të iki andej për Partinë dhe udhëheqësin e saj, do flas mirë, kurse për ju, jo. Rexhepi shprehej sesi ka mundësi, që edhe t’ja japin vizën, po edhe ta plasin në burg përsëri. Po kështu e shoqja e tij u shpreh se; të shpresojmë t’i plotësohet dëshira, se ai vuajti shumë.
“Çakalli”
Detyrë: Bashkëpunëtori është i ri dhe ju dha si detyrë të forcojë miqësinë me Rexhepin dhe të njoh lidhjet e tij. Po kështu ta pyes Rexhepin se, në çfarë shtetesh ka qenë, se ai ka qejf të tregojë. Duke përfituar nga rasti, ta pyes për politikën që ndjekin këto shtete dhe sidomos në lidhje me jugosllavët. Këtë gjë, ta bëjë me takt dhe në mënyrë graduale.
Sqarim: Myrtezai nga Gostivari, duhet të jetë Myrteza Fahri Bajraktari, që ka qenë në Seman bashkë me Rexhepin. Është e vërtetë se Myrtezain e çuan në fillim në Berat por, ai nuk pranoi dhe më pas filloi veprimtarinë armiqësore, prej nga u dënua. Rexhep Llazana, është në 2/A si agjent i mundshëm i Zbulimit Jugosllav. Halil Caca, është me qëndrim të mirë.
Vlerësim: Informata ka vlerë operative pasi, bën fjalë për lidhjet e reja të Rexhep Llazanës, që nga ana jonë nuk njiheshin.
Masa Operative: Informata të shtypet në dy kopje dhe njëra t’i dërgohet Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës, ndërsa tjetra, t’i vendoset Rexhepit në dosje. Së bashku me Shefin e Seksionit, të thirret Halil Caca, ku të organizohet një bisedë dhe të pyetet Halili, se ç’di për veprimtarinë armiqësore të Rexhep Llazanës.
Punëtori Operativ
Ali Selfo
Dokumenti sekret me shënimin operativ i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Shefqet Metaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Çakalli”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Myrteza Bajraktarit
S e k r e t
Tiranë, më 27.9.1977
SHËNIM OPERATIV
Më datën 26.9.1977, u takova me B.p. “Ylli”, dhe në pamundësi të merrja raport se, baza ishte e zënë, ai më raportoi si më poshtë:
Para disa ditësh kishte shkuar në shtëpinë e Myrteza Bajraktarit ku, mbasi u përshëndetën me njëri tjetrin, ai e kishte pyetur në se u rregullove me punë apo jo. Myrtezai i kishte thënë; akoma nuk jam rregulluar, Komiteti Ekzekutiv ja ka kaluar çështjen time Rajonit të katër, për furnitor në kooperativë bujqësore, por edhe ata nuk po më marrin, jam ankuar për këtë përsëri në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, por ata më thanë përsëri se, do të përpiqemi, por nuk po bëhet asgjë, në Presidiumin e Kuvendit Popullor, u interesova se çfarë u bë për kërkesën time dhe ata, më pyetën; ti si e ke bërë kërkesën, me shkrim, apo me gojë, i thashë se e kam bërë me shkrim, ata më thane; të presim se ajo do të vijë me shkrim.
Për gruan Myrtezaj tha se ja kanë rregulluar si mësuese me disa orë në javë që nuk mundet t’i plotësojë dot as rrogën e saj. Në vazhdim Myrtezai, tha se; kam shpresë nga tetori mos më vjen vëllai, me Teatrin e Prishtinës dhe mandej të shikojmë se si do të venë punët, se kështu nuk u bë gjë. Ai i tha: Po ç’ke ndërmend të bësh, unë them se mos rregullohet deri atëherë. Myrtezai tha se; atë dua dhe unë që të rregullohem, nuk u kërkoj gjë tjetër këtyre, vetëm të stabilizohem.
Ai i tha: Po atij dajës tënd nga Lushnja, i doli apo jo, për të shkuar në Turqi. Myrtezaj i tha: Nuk po di fare se çfarë u bë me të, dij vetëm se dokumentet i ka dërguar, por ai s’ka ardhur asnjëherë nga Lushnja, për t’u interesuar. Mandej biseda kaloi mbi situatën dhe konkretisht mbi vizitën e Titos në Kinë, Myrtezai tha: Çuditem me disa kosovarë që nuk marrin vesh nga politika, por flasin se çfarë dëgjojnë dhe si t’ju vijë për mbarë! Kina nuk e ka mirë dhe unë jam plotësisht dakord me artikullin e këtyre: “Teoria dhe praktika e revolucionit”, këta janë të vendosur në rrugën e tyre dhe zbatojnë atë linjë që kanë nisur që në fillim.
Ai i tha: Me ty Myrteza nuk merrem dot vesh asnjëherë, ti më duket, se ke filluar ta dredhësh dhe s’të merret vesh, kur flet kështu dhe kur tjetër, të kujtohet kur më ke folur disa herë për punën e Turqisë, arrite deri atje sa të më thoje se të bashkëpunonim me ta, tani më thua se këta e paskan drejt, unë jam dakord, në rast se është kështu, por ama, ta diskutojmë se edhe të më bindësh për bindjet e tua politike.
Myrtezaj i tha: Unë me këta, jam i armiqësuar shumë, për shumë gjëra, unë erdha në Shqipëri si një person që isha përgjegjës në Jugosllavi, për një grup personash, për t’i bindur ata dhe për t’u hedhur me Shqipërinë, ndërsa këta, më futën brenda dhe tani nuk duan të më japin pafajësinë, tani më kanë lënë kaq vite pa punë dhe këtë ma ka bërë Haki Keta, ai nuk më donte.
Ai i tha se; në rast se ti i ngatërron çështjet, nga ato personalet që mund të kesh ti me Hakinë, në çështje të përgjithshme, kjo është gabim, mandej si do ta jepnin ty pafajësinë, kur ti vetë më ke thënë mua për Kapllan Resulin, se ai kishte gabuar dhe nuk ishte në pozita, mandej, tani më ke folur me simpati për Turqinë dhe dojë të ikje për andej.
Myrtezaj i tha: Dëgjo burim, unë të kam folur dhe të flas përsëri dhe nuk e dredh, siç më thua ti, po kam besim tek ti, ndodh që njeriu flet ndonjëherë nga halli, flet nga barkologjia, se po bëjë shumë koha që po vuaj dhe ndofta kjo më shtyn që edhe të flas, mandej, që s’më japin këta pafajësinë, këta nuk e dinë se çfarë kam thënë unë dhe mendimet e mija, unë kam thënë se në Jugoillavi, nuk kam për të shkuar, atje unë nuk kam vend, unë kam bërë kërkesë për t’u larguar, por të shkoj në Turqi, megjithatë, po të rregullohem këtu, nuk kam për t’u ndjerë më. Ndonjë bisedë tjetër me rëndësi nuk u bë.
Vlersimi i raportit: Raporti ka vlerë, tregon për reagimet e Myrtezait, i cili në disa momente, reagon mirë, duke thënë se; këta e kanë mirë dhe mbajnë atë vijë që kanë nisur në fillim, unë thotë ai, edhe mund të kem folur, por këtë e kam bërë nga halli. Ndofta është larguar nga mendimet e mëparshme, ose B.p., nuk i beson shumë dhe është tërhequr.
Detyrë: Pyete Myrtezain për vëllain e tij, nëse ka marrë ndonjë letër prej tij dhe i ka thënë ai që do të vijë me Teatrin e Prishtinës, mandej çfarë shpreson ai që do t’i rregulloj vëllai po të vijë? Hapi përsëri muhabetet lidhur me artikujt e gazetës tone, në kundërvënien për vijën revizioniste, duke bërë debate për këto probleme, me qëllim, për të parë reagimet e tij të plota, kush janë kosovarët që kanë mendime të kundërta me këto.
Masat Operative:
- Të ndërhyhet në Rajon të katërt, në bazë të urdhrit që ata kanë marrë.
- Të shikohet gjatë kohës që mund të vijë Teatri i Prishtinës, kush mund të vijë për t’u takuar me Myrtezain, të mundin që të bëjmë ndonjë përplasje dhe t’i dëgjojmë me T.O.
- Po kështu tek i vëllai, të futim B.p. “Ylli”, nëpërmjet Myrtezait. /Memorie.al
Punëtori Operativ
Shefqet Metaj
27.9.1977
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016