Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon dokumentet sekrete të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, ku hidhet dritë mbi përpjekjet e qeverisë komuniste shqiptare në vitet 1952-’53, për të bërë të mundur ekstradimin e Abaz Kupit nga Franca. Letra e plotë e Tiranës zyrtare e nënshkruar nga zv/ministri i Jashtëm i asaj kohe, Mihal Prifti dhe akuzat e hedhura ndaj ish-kreut të Legalistëve shqiptarë, i cili në atë kohe jetonte si azilant politik në Francë. Si dhe raporti për Behar Shtyllën lidhur me avokatin e famshëm francez, Zhuvenel dhe dy dëshmitarët që duhet të dërgoheshin nga Tirana për të dëshmuar kundër kreut të Legalistëve shqiptarë në mërgim…
Me anë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Drejtësisë, të bëjmë të gjitha përpjekjet tona dhe demarshet e duhura pranë qeverisë franceze, në mënyrë që ajo të na dorëzojë sa më parë kriminelin e luftës, Abaz Kupin”. Kështu u shpreh në mes të tjerash, në fund të fjalës së tij në një prej mbledhjeve të Byrosë Politike të Janarit të vitit 1952, kryeministri i qeverisë shqiptare dhe njëkohësisht Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha, i cili atë porosi të prerë e dha menjëherë porsa zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Mihal Prifti, përfundoi raportin “Mbi veprimtarinë e emigracionit reaksionar shqiptar në vende të ndryshme të botës”, që ishte dhe pika kryesore e rendit të ditës të asaj mbledhjeje. Cilat ishin hapat që ndërmori qeveria shqiptare e asaj kohe, për ekstradimin e Abaz Kupit nga Franca në Shqipëri dhe çfarë lëvizjesh diplomatike bëri ajo për të zbatuar atë vendim të Byrosë Politike? Për të gjitha këto bëhet fjalë në një numër të madh dokumentesh arkivore që mbajnë siglën “Tepër sekret”, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1952-1953, kohë në të cilën filluan përpjekjet e para të qeverisë shqiptare për të bërë të mundur ekstradimin e kreut të Lëvizjes së Legalitetit, Abaz Kupi, nga Franca në Shqipëri. Këto dokumente, një pjesë prej të cilave po i publikojmë në këtë shkrim, për gati gjysmë shekulli janë ruajtur në fondet sekrete të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit Shqiptar.
Kërkesën e parë, për ekstradimin e kundërshtarëve të saj politikë ose të atyre që u quajtën “Kriminelë të luftës”, qeveria komuniste e Enver Hoxhës e kishte bërë që me mbarimin e luftës, në fundin e vitit 1944 kur ajo kishte ardhur në pushtet. Në fillim të listës së gjatë prej më shumë se 300 emrash, që Tirana zyrtare ua dërgonte në atë kohë disa shteteve Perëndimore ku ishin strehuar emigrantët politikë shqiptarë, të arratisur nga vendi, figuronte emri i mbretit Ahmet Zogu dhe pas tij, i dyti në listë, vinte Abaz Kupi. Ndonëse qeveritë e vendeve të ndryshme Perëndimore nuk iu përgjigjën asnjëherë pozitivisht qeverisë së Tiranës, dhe nuk ekstraduan asnjë nga personat që figuronin në atë listë të gjatë, ajo kërkesë vazhdoi të qëndronte në fuqi për vite me radhë. Nisur nga përgjigjet negative që i vinin për atë problem, dhe duke e parë të pamundur kërkesën e saj për sjelljen në Shqipëri të të gjithë personave që figuronin në atë listë, në fillimin e viteve ’50-të, qeveria komuniste e Tiranës ndryshoi taktikë dhe mendoi që ta kërkonte me nota proteste vetëm për disa persona të veçantë, duke e filluar atë me Abaz Kupin.
Tirana zyrtare pajton avokatin Zhuvenel
Pas porosisë së prerë të Enver Hoxhës dhe vendimit të Byrosë Politike të janarit të vitit 1952, që qeveria shqiptare të bënte të gjitha përpjekjet e duhura për të bërë të mundur ekstradimin e Abaz Kupit nga Franca në Shqipëri, Ministria e Punëve të Jashtme nisi dhe procedurat e para për zbatimin e atij vendimi. Siç shihet dhe nga dokumentet arkivore, përpara se Ministria e Jashtme në Tiranë të niste procedurat e saj për ekstradimin e Abaz Kupit nga Franca në Shqipëri, ajo fillimisht i testoi pulsin qeverisë franceze, duke parë sesi do reagonte ajo për atë problem. Kështu, me anë të njerëzve të shërbimeve sekrete të Zbulimit Shqiptar (Sigurimi i Shtetit), që vepronin të kamufluar nën petkun e diplomatëve në përfaqësitë tona të akredituara kryesisht në Romë e Paris, Ministria e Jashtme e Shqipërisë, u lidh me avokatin francez Zhuvenel, i cili botoi në gazetën “Humanite” (organ i Partisë Komuniste Franceze) një numër artikujsh kundër eksponentëve kryesorë të mërgatës politike shqiptare në Perëndim, duke i cilësuar ata si kriminelë lufte. Por pas këtyre artikujve që shënuan dhe hapin e parë të përpjekjeve të Tiranës zyrtare mbi çështjen e ekstradimit të Abaz Kupit, ngjarjet nuk rrodhën ashtu sikurse i kishte menduar qeveria shqiptare, pasi dolën të tjera probleme.
Pas artikujve të avokatit francez Zhuvenel, kreu i legalistëve shqiptarë në Perëndim, Abaz Kupi, i cili ishte dhe një nga personat më të anatemuar në shkrimet e gazetës “Humanite”, u indinjua pa masë. Ndaj akuzave të bëra në adresë të tij, ai nuk qëndroi duarkryq, por pajtoi një avokat tjetër francez dhe paditi për shpifje Zhuvenelin, duke e hedhur atë në gjyq. Pas kësaj, Ministria e Jashtme në Tiranë, nëpërmjet zëvendësministrit Mihal Prifti (në atë kohë ministër i Jashtëm ishte vetë Enver Hoxha), me anë të disa telegrameve i kërkonte legatës shqiptare në Paris, që ajo ta mbante në korrent vazhdimisht për problemin që kishte dalë dhe ta njoftonte për kohën kur do të fillonte gjyqi ndaj avokatit francez Zhuvenel. Po kështu, në ato telegrame Mihal Prifti i bënte me dije ambasadorit Behar Shtylla, se qeveria shqiptare kishte vendosur të dërgonte në Paris dy dëshmitarë, Riza Sulon e Xhavit Qesen (Xhavit Qesja, funksionar i lartë i KQ të PPSH-së në atë kohë, kishte dhe lidhje krushqie me Kupin), për të dëshmuar kundër Abaz Kupit dhe për të mbrojtur avokatin francez Zhuvenel.
Kjo konfirmohet edhe në një nga telegramet e ambasadorit shqiptar të asaj kohe të akredituar në Paris, Behar Shtylla (në atë kohë quhej Ministër fuqiplotë), të dërguar në adresë të Ministrisë së Jashtme në Tiranë. Në atë telegram, që mban datën 14 janar 1952, midis të tjerash thuhet: “Bisedova me Normandinë. Gjyqi do filloj me 4 shkurt, veç në rast se kundërshtarët kërkojnë atë ditë, gjyqi mund të vendosë të shtyjë. Si mbas tij, amerikanëve nuk iu intereson të bëhet ky gjyq, edhe ne nuk kemi fitim të bëhet. Mendoj se Xhavit Qesja mjafton, por edhe të dy po të vijnë, mirë është. Vendet miqtë dërgojnë shahitë. Unë mendoj të vijë Xhaviti vetë. Ndërhymë për vizat në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Çështja e Arif Sulos ka ditë, legata frënge aty është, ka njoftuar të jap vizën”. Behari.
Porositë për Behar Shtyllën
Pas njoftimeve të legatës shqiptare të Parisit, për fillimin e gjyqit ndaj avokatit francez Zhuvenel, Tirana zyrtare nuk u mjaftua vetëm me idenë e dërgimit në Paris të Xhavit Qeses, i cili do dëshmonte në gjyq kundër Abaz Kupit. Por, për t’i ardhur sadopak në ndihmë avokatit francez, qeveria shqiptare mendoi që atë gjyq ta shfrytëzonte dhe për të deklaruar publikisht vendimin e saj për të kërkuar ekstradimin e Kupit nga Franca. Kjo shihet më së miri dhe konfirmohet edhe nga një telegram i zëvendësministrit Prifti, dërguar ambasadorit Behar Shtylla në Paris. Në atë telegram, ku në fillim të tij thuhet “Tepër Sekret. Të shkruhet vetëm me dorë dhe me shkrim të pastër”, titullari i Ministrisë së Jashtme ka shkruar: “Këshillohuni me avokatët e Zhuvenelit dhe me miqtë e tij dhe na njoftoni urgjentisht nëse ata e shikojnë oportune që të kërkojmë që tani nga Qeveria Franceze, dorëzimin e Abaz Kupit si kriminel lufte, me qenë se ka deklaruar qëndrimin në Francë. Si mbas informatave që ka kjo Ministri, ai qëndron më të shumtën e kohës, në Itali ku zhvillon aktivitetin e tij. Na njoftoni nëse tani me rastin e afrimit të hapjes së gjyqit, ndodhet në Francë apo gjetkë. Stop. Mihal”.(firma)
Pas kërkesës së Ministrisë së Jashtme në Tiranë, e cila i kërkonte ambasadorit të saj në Paris, Behar Shtylla, që të bisedohej me avokatët e Zhuvenelit, nëse qeveria shqiptare mund të kërkonte pranë qeverisë franceze ekstradimin e Kupit, ambasadori Shtylla i përgjigjet menjëherë shefave të tij në Tiranë, duke u dhënë shpjegime të hollësishme për ato që i kërkoheshin. Në telegramin e tij, që mban datën 19 janar 1952, në mes të tjerash shkruhet: “Dje kisha për çaj avokat “Zhuvelin” dhe Manjenin. Biseduam për procesin. Dje, “Normanin” e kish njoftuar avokati i Abaz Kupit, se Abaz Kupi nuk do paraqitet në gjyq, gjoja se nuk e ditkan ku ndodhet tani. Tërheqja e Abaz Kupit ose është manovër ose pse e dinë që është elementi më i kompromentuar e më i dobët i akuzës. Më parë është hequr një rumun. Ne menduam kështu: Të vazhdojmë përgatitjet sikur ai do të paraqitej, po të mos paraqitet materiali dhe dokumentet që kemi kundër tij të përdoren për të goditur të tjerët, e treta avokatët të gjejnë bazën juridike që Zhuveneli ta hedhë në gjyq Abaz Kupin për akuzë shpifarake duke tentuar kështu që ditën e parë ta kthejmë gjyqin në kundër akuzë. Mendojmë të vijë sidoqoftë një shahit (dëshmitar). Për vizën edhe sot ndërhymë por s’kanë dhënë përgjigje të saktë. Që sot filloi fushata në “Humanite”. Më 21 gjer më 24 Janar, mblidhen në Londër krerët e kriminelëve të luftës të Europës Lindore. Aty do të marrin pjesë dhe disa socialistë të së djathtës, Spaak R. Ramadjer etj, Paul Rainot etj. Duket atje do të caktohet ndër të tjera dhe qëndrimi dhe shahitët e akuzojnë procesin e Juvenelit. Ka pak ditë që gazeta “Le’ Mond” shkroi tre artikuj të gjatë mbi emigracionin e Europës Lindore në Perëndim, për shqiptarët shkroi vetëm tri radhë. Këta artikuj filluan fushatën e reaksionit për procesin. Njoftoni Romën të na dërgojë relacionin mbi Abaz Kupin. Për gjithë çka të re do ju njoftojmë”.
Behari
Nota e protestës e qeverisë shqiptare për ekstradimin e Abaz Kupit nga Franca
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë me urdhër të Qeverisë së saj, ka nderin t’i njoftojë Legatës së Francës në Tiranë me lutje që t’ja transmetojë Qeverisë së saj, sa më poshtë vijon: Nga informatat që ka Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë rezulton se krimineli i luftës dhe armiku i popullit shqiptar Abaz Kupi, ndodhet në Francë dhe banon në Paris në adresën 11, Rue Massaset XVI. Krimineli i luftës dhe armiku i popullit shqiptar, Abaz Kupi, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i okupatorit gjerman dhe i Qeverive kuislingë që ekzistonin në Shqipëri në okupacionin fashist dhe nazist. Ai ka qenë iniciatori dhe organizatori kryesor i organizatës tradhtarë Legaliteti. Në bashkëpunim me ushtrinë e okupatorit gjerman dhe të qeverive kuislinge, si dhe në bashkëpunim me forcat mercenare të organizatës tradhtare “Balli Kombëtar”, Abaz Kupi ka luftuar aktivisht kundër Ushtrisë Nacional- Çlirimtare dhe popullit shqiptar. Ai veçanërisht është përgjegjës për të gjitha shkatërrimet dhe grabitjet, për vrasjet e patriotëve dhe të popullsisë në krahinat e Shqipërisë së mesme si në Krujë, Mat, Peshkopi, në rrethet e Tiranës, në Prezë, Tujan, Shëngjergj, Selbë, Shën-Pal e gjetiu. Abaz Kupi ka qenë inspiruesi i masakrave të trishtueshme dhe të pashembullta të 4 Shkurtit 1944 në Tiranë. Veprimtaria kriminale dhe anti-popullore e këtij krimineli lufte dhe armiku të popullit shqiptar, bashkëpunimi i tij me okupatorët fashist dhe qeveritë kuislinge si dhe gjithë akuzat që rëndojnë mbi të janë të njohura publikisht dhe të faktuara në mënyrë të plotë dhe të padiskutueshme. Për t’i shpëtuar ndëshkimit të drejtë të popullit shqiptar për krimet e rënda që ka kryer gjatë okupacionit kundër tij, në pragun e çlirimit të Shqipërisë, Abaz Kupi me ndihmën e anglo-amerikanëve, kaloi në Itali e së andejmi në Francë ku sot ka vendbanimin e tij dhe nga ku vazhdon aktivitetin e tij armiqësor, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe popullit Shqiptar. Komisioni Qendror i Shqipërisë për krimet e luftës si dhe Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë, duke u mbështetur në deklaratën e Moskës të të tre fuqive të mëdha të botuar në tetor të vitit 1943 si dhe mbi vendimet e mëpastajme të marra nga fuqitë aleate mbi dorëzimin e kriminelëve të luftës kanë kërkuar pranë Komisionit Qendror për krimet e luftës në Londër, si dhe nga Qeveritë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Britanisë së Madhe dhe të Italisë, dorëzimin e kriminelëve me kombësi shqiptare ose të huaj që gjatë luftës kanë kryer krime dhe kanë bashkëpunuar me agresorët fashistë dhe nazistë në kurriz të popullit shqiptar. Në të gjitha këto kërkesa, emri i kriminelit të luftës dhe armikut të popullit shqiptar, Abaz Kupi, figuron në krye të listës së kriminelëve të kërkuar për t’u dorëzuar. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë duke i bërë të ditur sa më sipër, Qeverisë Franceze për aktivitetin armiqësor dhe kriminal të Abaz Kupit, duke u mbështetur në deklaratën e Moskës të vitit 1943 të të tre fuqive të mëdha mbi dorëzimin e kriminelëve të luftës si dhe në vendimet e mëvonshme të fuqive aleate mbi këtë çështje, e bindur se vepron me frymën e kartës të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe me interesin e përbashkët të popujve dhe të paqes dhe duke marrë parasysh se aktualisht Abaz Kupi, ndodhet me banim në Francë nga ku vazhdon aktivitetin e tij armiqësor kundër Republikës Popullore të Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Kërkon nga Qeveria Franceze të procedojë sa më parë në dorëzimin e këtij krimineli lufte dhe armikut të popullit shqiptar, Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë dëshiron nga Qeveria Franceze, që të ketë sa më shpjet që të jetë e mundur një përgjigje mbi sa kërkohet në këtë notë. Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës Popullore të Shqipërisë me këta rast i shpreh Legatës së Francës në Tiranë, sigurimet e konsideratës së saj më të lartë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016