Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon ekskluzivisht dokumente të panjohura të Sigurimit të Shtetit, Sektorit të Jashtëm të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Komitetit të Partisë së Durrësit dhe Shkodrës të vitit 1970-të, ku ata kritikojnë ALBTURIZM-in për punën e dobët që po bënte me turistët e huaj që vinin në Shqipëri, pasi sipas vëzhgimeve të tyre, grupeve të huaja turistike, ku një pjesë kryesore zinin grupet marksiste-leniniste, nuk u krijoheshin kushtet më minimale të akomodimit dhe jetesës këtu për aq kohë sa qëndronin.
Në informacionin e Sigurimit të Shtetit, të shkruar nga Drejtori i Sigurimit dhe njëkohësisht, zv/ministri i Punëve të Brendshme, Feçorr Shehu, në adresë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Behar Shtylla dhe sekretarit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ramiz Alisë, bie në sy preokupimi i madh i organeve tona kompetente, që ndjeheshin keq për stilin e kërcimeve, që bënin turistët e huaj të pista e Hotel “Adriatikut”- në Durrës, ku mblidheshin shumë njerëz të cilët shihnin me admirim. Po kështu, një nga problemet kryesore të shtetit shqiptar të asaj kohe, ishte dhe fakti se sapo turistët e huaj dilnin nga autobuzët, ata ndiqeshin nga turma fëmijësh kureshtarë, në një rast në Pogradec, shoqëruesit ishin detyruar që t’i fusnin turistët në një lokal dhe t’i nxirrnin vetëm pasi kishte ardhur policia dhe kishte larguar fëmijët. Për këto dhe të tjera fakte e ngjarje nga Shqipëria turistike e para viteve ’90-të, na njohin dokumentet arkivore që Memorie. al i sjell në këtë shkrim ekskluzivisht për lexuesit e saj.
Raporti i Sigurimit më 1970: Turistët e huaj kërcejnë keq te “Adriatiku”
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE SEKRET
MINISTRIA E PUNËVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DREJTORIA E PARE Tirane, më 21. 7. 1970
Nr. Prot 3271
LENDA: Mbi disa probleme të turizmit
KOMITETIT QENDROR TE PPSH SHOKUT BEHAR SHTYLLA TIRANE
Ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit ka filluar të bëhet preokuponte problemi i fëmijëve, të cilët duke u grumbulluar pas turistëve, janë bërë shkas për fotografime dhe gjëra të tjera të papëlqyera, kjo ndodh pothuaj në të gjithë qytetet, por më e theksuar është në qytetin dhe plazhin e Durrësit.
Në mbrëmjen e datës 3.7.1970, me qindra gra, burra, të rinj dhe të reja, u grumbulluan në pistën e hotel “Adriatikut” duke parë turistët çekë, që pinë dhe kërcejnë. Masat e marra nga Komiteti Ekzekutiv i qytetit të Durrësit në këtë drejtim nuk kanë dhënë asnjë rezultat dhe gjendja çdo ditë po bëhet më preokuponte.
Në ekskursionin që u organizua me turistët danezë në Pogradec, shoqëruesi ynë u detyrua që të ndërpresë shëtitjen e turistëve në bulevard dhe t’i fusë ata në turizëm, vetëm sepse me dhjetëra fëmijë u shkonin pas turistëve.
Ekskursionet që organizohen me turistët ne Fermën e Sukthit, janë të papërshtatshme, përgjegjësit atje nuk tregohen të mobilizuar, stalla e lopëve të kooperativës së Shijakut është bosh, nuk ka lopë, ato mendohet të vinë në Shtator. Kjo nuk pasqyron realitetin tonë socialist.
Shumë turistë kanë kërkuar të bëjnë shëtitje me barka, disa prej tyre, duke shfrytëzuar momentin se hotelet turistike kanë mungesë barkash, kanë shkuar individualisht në barkat e hotel “Hekurudhës” dhe kanë lundruar së bashku me shtetasit tanë.
Është konstatuar në të njëjtën kohë, se në dyqanin ku është caktuar që turistët të blejnë pije alkoolike dhe sende të ndryshme, ka mungesë, për këtë turistët janë detyruar që të shkojnë në dyqane të tjera në plazh, aty ku shkojnë dhe shtetasit tanë.
ZV / MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME
FEÇOR SHEHU
………………………………………………………………………………………………………………………
Informacioni për Ramiz Alinë nga Sektori i Jashtëm në K. Q. të PPSH-së
Shoku Ramiz
Ky është një informacion mbi disa probleme të punës me turistët i përgatitur nga sektori, me qëllim që të merren disa masa për përmirësimin e punës në të ardhmen.
Për këto çështje jemi konsultuar me shokët e Albturizmit, të Komitetit të Partisë dhe Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Durrësit dhe me shokë, që merren me këto probleme në Kryeministri. Në sektor zhvilluam gjithashtu një diskutim mbi këtë informacion. Ky material iu dërgua shokut Vasil Kati, për të marrë edhe mendimin e tyre mbi problemet që ngrihen. Vërejtjet e tij konsistojnë si vijon:
- Punën propagandistike me turistët, për t’i bërë ata që të simpatizojnë vendin dhe popullin tonë, duhet në radhë të parë, ta bëjnë organet e propagandës, komitetet e Partisë dhe pastaj Albturizmi.
- Po ashtu dhe punën politike me grupet që dërgohen nga Partitë marksiste-leniniste, nuk ka shumë mundësi ta bëjë Albturizmi, por sektori i jashtëm I KMKMBJ, Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, Shkolla e Partisë, dhe Universiteti Shtetëror i Tiranës.
20.X.1970 Sektori i Jashtëm
DISA PROBLEME TE PUNËS SE TURISTEVE QE VIJNË NE VENDIN TONE
Vitet e fundit është rritur mjaft interesi i të huajve për të vizituar vendin tonë si turistë.
Tani, ndërmarrja “Albturist”, ka lidhje pune me 16 agjenci turistike në Evropë; (Angli 2, Francë 3, Gjermani 3, Austri 3, Itali 2, vendet Skandinave 2 dhe Holandë 1), të cilët kanë vendosur shërbim të rregullt dhe dërgojnë çdo vit grupe turistësh. Tendenca e përgjithshme është rritja e numrit të turistëve, nga të gjitha vendet. Gjatë kësaj vere, numri i qëndrueshëm ditor i tyre në Durrës, arriti në 500 vetë, gjë që në krahasim me të kaluarën është në rritje të konsiderueshme.
Konkretisht këtë vit deri tani kanë ardhur 75 grupe turistësh me gjithsej 2725 vetë. Nga përbërja, grupet ndahen në:
- Turistë të thjeshtë 58 grupe me 267 vetë.
- Turistë nga organizata marksiste-leniniste me të cilat mbajmë lidhje 8 grupe me 310 vetë.
- Turistë nga organizata marksiste-leniniste me të cilat nuk mbajmë lidhje, 252 vetë.
Zhvillimi i turizmit me këto ritme (në të ardhmen mund të jenë edhe më të mëdha), shtron një sërë problemesh për punën ideo-politike e propagandistike, si dhe probleme tekniko-organizative që duhen zgjidhur, me qëllim që të përmirësojmë sa më shumë punën tonë.
I. Disa çështje të propagandës me turistët
Propaganda që bëhet tani me turistët, nuk i përgjigjet as kërkesave që kanë të huajt për Shqipërinë dhe as mundësive që kemi ne. Ajo është e kufizuar, e varfër në përmbajtje, shpesh e rëndomtë dhe nuk paraqet si duhet realitetin e vendit tonë. Në përgjithësi, bëhet kjo punë:
- Me anën e ekskursioneve nëpër Shqipëri. Me turistët e thjeshtë të cilët përfaqësojnë rreth 75 përqind të numrit të përgjithshëm, bëhen ekskursione sipas dëshirave të tyre, por në ato përfshihen kryesisht objekte historike, arkeologjike etj, dhe mungon pothuaj fare elementi politik aktual. Vetëm në programet e grupeve të dërguara nga partitë dhe grupet marksiste – leniniste u fut ky element. Me ta u zhvilluan biseda ideopolitike nga kuadro të përgatitura, u organizuan vizita në objekte social-ekonomike dhe kontakte me njerëzit tanë. Me gjithë të metat e vërtetuara, kjo punë dha rezultate mjaft të mira, gjë që u shpreh nga vetë turistët në shumë raste.
- Për herë të parë këtë vit, Albturizmi ngriti qendrën e zërit me altoparlantë rreth hoteleve në Durrës. Me anë të saj, transmetoheshin në gjuhë të huaj, biseda të incizuara mbi probleme nga më të ndryshmet nga vendi ynë si dhe emisione të Radio-Tiranës.
- Dy herë në javë organizohen shfaqje filmash dhe këtë vit për herë të parë u dhanë edhe disa koncerte nga grupe folklorike të dërguara nga Tirana.
- Shpërndahen disa materiale propagandistike si prospekte, guida turistike, kartolina dhe materiale ideo-politike.
- Aktivitetet propagandistike zhvillojnë edhe shoqëruesit e grupeve, gjatë ekskursioneve nëpër Shqipëri. Kjo është pothuaj se e gjithë puna propagandistike që zhvillohet tani me turistët e huaj. Pra, siç shihet, mbetet shumë për të bërë në këtë drejtim si në sasi ashtu dhe në përmbajtje
Nuk është i vërtetë mendimi që ekziston në disa shokë, se turistët që vijnë në Shqipëri synojnë vetëm të sigurojnë një pushim të këndshëm, të vizitojnë qendra historike, arkeologjike dhe të shijojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë. Natyrisht pjesa dërrmuese e tyre këto gjëra i vë në plan të parë dhe për këtë vjen dhe bën shpenzime, por duhet pranuar gjithashtu se nuk janë të pakët ata që shtyhen edhe nga motive të tjera, nga kurioziteti dhe dëshira që verifikojnë dhe të shohin me sy të gjithë atë çka flitet sot në botë për vendin tonë. Në këtë kuadër propagandës sonë i mbetet shumë për të bërë në mënyrë që turistët e huaj të largohen nga Shqipëria, jo vetëm të kënaqur nga pushimet, por edhe me mbresa të mira në drejtime të tjera, nga realizimet e mëdha në të gjitha frontet dhe nga mikpritja e popullit tonë. Objektivi i tërë punës sonë propagandistike me turistët duhet të jetë ai që pjesën dërrmuese të tyre, ta bëjmë simpatizuese të vendit dhe popullit tonë. Këtë punë natyrisht duhet ta bëjë Albturizmi, si institucion i ngarkuar me këtë detyrë, i cili nuk duhet të shikojë vetëm anën tregtare të turizmit, por nga ana tjetër nevojitet që të shikohen edhe faktorë të tjerë./ Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016