Dashnor Kaloçi
Memorie.al /Sjell historinë e panjohur të familjes së vjetër intelektuale shkodrane, Saraçi, ku pinjollët e saj, si djemtë e Zef e Roza Loro Gurakuqit, që ishin diplomuar në universitetet e Vjenës, pas vitit 1944 përfunduan në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke kaluar një kalvar të vërtetë deri në vitin 1990-të. Rrëfimi i Fatbardha Mulleti Saraçit, bashkëshortes së Kolindo Saraçit, për vuajtjet dhe peripecitë e asaj familje…
Një nga ato familje të njohura intelektuale shkodrane e cila u godit rëndë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që me ardhjen e tyre në pushtet në dhjetorin e vitit 1944, ka qenë edhe familja Saraçi, e cila ka banuar në rrugën me të njëjtin emër, karshi hotel “Sokrati”, ngjitur me Prefekturën, e cila që para viteve ’90-të, është e njohur me emrin: Rruga “Jorgji Karamitri”. Lidhur me historinë e kësaj familje, na njeh dëshmia e zonjës Fatbardha Saraçi (Mulleti) bashkëshortja e Kolindo Saraçit, vëllait të Angjelinit, më të njohurit të asaj familje, që tashmë nga ana mashkullore i kanë mbetur vetëm dy djem fare të rinj, të cilët për vetë moshën e tyre nuk e njohin mirë të kaluarën e asaj familje.
Vëllezërit Saraçi, diplomohen në Vjenë
Origjina e hershme e familjes Saraçi, është nga qyteti i Shkodrës dhe të parët e saj mendohet që janë vendosur aty, në atë lagje ku ndodhen edhe sot shtëpitë e tyre, diku nga viti 1650. Ashtu si disa nga familjet e vjetra shkodrane, me tradita të hershme edhe familja Saraçi e ka ruajtur të plotë pemën gjenealogjike të saj, e cila e ka zanafillën që në mesin e shekullit të XVI-të, ku i pari i tyre përmendet Ndrek Saraçi, i lindur në vitin 1650. Pas Ndrekës, që konsiderohet si i pari i asaj familje, kanë qenë të njohur edhe Nok e Gjok Saraçi, të cilët u lindën përkatësisht në vitin 1680 dhe 1710. Që prej asaj periudhe nga ajo familje e njohur shkodrane, kanë dalë disa breza. Një nga më të fundmit e tyre, ka qenë Zef Saraçi, i cili me bashkëshorten e tij, Roza Loro Gurakuqin, kanë pasur katër djem: Pjetrin e Gasprin (binjakë) dhe Angjelinin e Loron. Lidhur me të kaluarën e kësaj familje, Fatbardha Saraçi (Mulleti) dëshmon: “Familja Saraçi ka qenë një familje ku të parët e tyre, prej shumë vitesh kanë jetuar në një gjendje ekonomike mjaft të mirë, si rezultat i pasurisë që kishin trashëguar. Nisur nga ky fakt, Zef Saraçi, u kujdes për shkollimin e të gjithë fëmijëve të tij, në shkollat më të njohura si brenda ashtu dhe jashtë vendit. Kështu dy djemtë binjakë, Pjetrin me Gasprin, Zef Saraçi i dërgoi në kolegjin e fretërve të qytetit të Shkodrës. Pas mbarimit të atij kolegji, dy vëllezërit binjakë, shkuan me studime në Vjenë të Austrisë, ku u regjistruan në fakultetin Ekonomik. Në vitin 1930-të, pasi Pjetri me Gaspri mbrojtën diplomat, u kthyen në Shqipëri dhe iu përkushtuan punës private, duke mos pranuar që të shërbenin në administratën shtetërore. Kështu, Pjetër Saraçi, që ishte dhe më i madhi nga vëllezërit, filloi të punonte si komisioner për të gjithë tregtarët e Veriut të Shqipërisë, duke i lidhur ata në marrëdhëniet e ndërsjellat tregtare me Gjermaninë, Austrinë, Francën etj. Atë punë e cila i sillte fitime të mëdha, Pjetër Saraçi, e ushtroi gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut e gjithashtu edhe gjatë viteve të pushtimit nazi-fashist të vendit. Atë profesion së bashku me punën e përkthyesit, Pjetër Saraçi e ushtroi deri në vitin 1944, kur komunistët erdhën në pushtet dhe gjatë gjithë asaj kohe, ai nuk ishte përzierë asnjëherë në punët e politikës. Ndërsa Pjetëri u mor me atë punë, që ia rregulloi ndjeshëm gjendjen ekonomike, vëllai tjetër binjak me të, Gaspëri, që pas kthimit nga Vjena në vitin 1930, u vendos në qytetin e Tiranës, ku mor me riparim radiosh dhe po ashtu, ai ka qenë mjaft i njohur në të gjithë qytetin e Shkodrës edhe si filatelist”.
Dënimi i vëllezërve Saraçi në 1945
Ashtu si shumë familje të vjetra shkodrane me tradita intelektuale, edhe familja Saraçi, menjëherë pas mbarimit të Luftës dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, u godit pa mëshirë prej tyre, duke u konsideruar familje borgjeze dhe reaksionare. E gjitha kjo goditje erdhi për të vetmin fakt, se ishte familje e pasur dhe pinjollët e saj, ishin shkolluar në universitetet e Perëndimit. Lidhur me goditjen që pësoi familja Saraçi dhe vuajtjet e shumta të saj në burgje e internime, Fatbardha Mulleti tregon: “Që me ardhjen e komunistëve në pushtet nga familja Saraçi, u arrestuan dy vëllezërit, Pjetri me Angjelinin. Pjetëri, pasi u mbajt disa kohë në hetuesi, doli në gjyq dhe u dënua, me katër vite burg, të cilat ai i vuajti në kampet e tmerrshme të Maliqit, Orman-Pojanit, Bedenit të Kavajës etj. Pas vuajtjes së dënimit të plotë nëpër këto kampe, Pjetër Saraçi, u lirua nga burgu në vitin 1950 dhe deri në vitin 1973, që ai ndërroi jetë, vuajti nga lufta e egër e klasave, duke u konsideruar si një ish i dënuar politik. Ndërsa vëllai tij binjak, Gaspëri, ndërroi jetë në 12 dhjetorin e vitit 1971, duke qenë vazhdimisht i përgjuar nga Sigurimi i Shtetit, për shkak të biografisë së tij familjare. Ndryshe nga vëllezërit e tij, rrodhi jeta e Angjelinit, i cili kishte mbaruar kolegjin e fretërve në qytetin e Shkodrës dhe ishte diplomuar për Histori-Gjeografi, në Vjenë.
Letra e Saraçit, dërguar Komandës së Qarkut në Shkodër
Komandës së Qarkut të Shkodrës
Unë ish profesor Angjelin Saraçi, në lëndën mësimi histori e gjeografi në liceun e këtushëm shtetnuer e banues përpara në rrugën 28 Nanduer (përballë hotelit të Sokratos), mbasi u mbajta në burg (Burgu i Ri) për më shumë se gjysmë viti e u lirova pa gjyq, kërkoj prej komandës së lartpërmendur, që të më lirohet shtëpia e se edhe tash e pushtueme gjithnjë prej njerëzve të forcave partizane, të më shpërblehet ndeja me ta, të më paguhet dëmi i saj, që asht bë në të, krahasoni edhe kërkesat e mia Nr.1 faqe 4 e shtëpisë së vjetër, që asht ngjitë me të, i ushqimit, i sakamit e i bibliotekës time, që janë marrë prej shtëpisë teme. Në rast se këto të fundit nuk gjinden, të më shpërblehen kryekëput, në rast të kundërt, të më kthehen por duke u marrë gjithnjë në shikim shpërblimi, dëmet, që mund të jenë shkaktue atyre prej marrësve. Ndërkaq lajmoj se pjesa më e madhe e bibliotekës teme, gjendet në shpinë e Rinis, e më është vu në dorëzimin tim të plotë, prej s’asaj shtëpie, jam duke rregullue vetë, ka disa dit për me e heqë. Shënjoj se flota e regjistrimit të materialit tim, prej anës zyrtare që po e qes bashkangjitur këtu, me dy fletë të kërkimeve të mija, jo vetëm që nuk flet as për ushqim, as për bibliotekë, as për pjesën më të madhe të Sakamit.
Sakam i shënuem prej saj, asht krejt i pakët e i papërdorur, e që në këto mungesa, ishte dashtë unë me pasë ndej në shtëpi qyqe vetëm, pa hangër e pa shtroje e mbuloje fjetje, ku kam ndejë e fjet me vite, e kam hëngër për ditë? Por edhe për ç’ka ka tregue i ka kallzue si mangësi, a për neglizhencë a për ndonjë send tjetër të Malo (Ismajl) Tafilit, regjistruesit të pasurisë time të tundshme e të patundshme, si e tregon edhe regjistrimi i shtëpisë së re, se lart ka 1 (një) odë e 1 (një) çardak, ma tepër e poshtë 2 (dy) oda, kah oborri, njëra ndër këto është kuzhinë, kuzhina poshtë, që janë lanë pa shënue. Këtu shihet pra, se si është regjistrue e kur është shkrue, kjo shtëpi e mangut, ku janë dashtë e s’ka pasë tjetër veç odat, mos me i njohë. Për bibliotekën teme e cila është lypë prej shtëpisë së Rinisë, seksionit të III, si e tregon me gojë Malo Tafili, janë lanë krejt pa regjistrue. Po të qenunit e këtyne gjanave, në kohën e sekuestrimit e të bartjes prej shtëpie, është dëshmi pas dëshmisë zyrtare, në sektorin e VII të kërkesës së pjesshme të pasunis teme, se librat të mi, prej këtij sektori prej anës së Shtëpisë së Rinisë e pas pohimit me gojë të kërkesës e të regjistrimit, kësaj kërkese në librin regjistrues, prej anës së Malo Tafilit vetë edhe një pjesë e madhe e Shkodrës, duke pa filmin me sytë e vet, ose gojë pas goje për këtë, si gazetë e pashkrueme u përkojnë. Këtë mungese regjistrimi edhe vetë Malo Tafili, si dhe u tregue që aksh zyrtar ka të mbetura, mue vetë me gojë me këto fjalë regjistrimi i pasurisë s‘uej asht neglizhue, ma ka diftue. Prandaj dëshmia zyrtare e lëshueme mbi pasunin teme, që edhe kjo ka të mbetura, nuk duhet të merret si gurë zyrtare e vetme, por do ti shtohen edhe kërkesat e mija si kësaj, mbi të cilat pjesërisht të ligjueme (legalizueme) e këtu asht biblioteka për tu shënjue, se kërkue marrë zyrtarisht e shënjue në protokoll zyrtar, edhe vetë M. Tafili, shënuesi i pasunis e Sadik Reçi, ekonom në Këshillin e II të lagjes “8 Nanduer”, krahasoni poshtë këshillit pjesërisht së qenurit e tyre, gojarisht e kanë tregue. Mbi të qenurit e plotë e të kërkuemit e drejtë të pasurisë së shkrueme lënë prej meje, sa lamë në njërën anë drejtësinë e ndërgjegjes teme, ndër të cilën mund të përulet e le të përulet ose të përulen komanda partizane ose tjetër kush, kush ka ra brenda ma parë në shtëpi, kur kjo asht zbërthyer në mungese teme, ku ka qenë gjithçka e paprekur, ashtu kush ka dhanë urdhra me u çilë me forcë shpija edhe kush asht kenë, pranë nder zyrtarë shteti civila, kryeplak a tjetërkush që kanë pasë urdhnue me e pri, me kenë pranë në zbërthim e në kontrollim të shtëpisë e ndoshta në të marunit e sakamit përnjëherë a pjesë mbas pjese, e ata kanë me tregue e vërtetue. Kryeplaku i sundimit së përpanshëm, Halil Teli, i cili është marrë për shërbime krye plagosje prej këshillit të parë të lagjes 1, asaj kohe të qeveris së sotshme, si ai vetë më ka tregue, më ka thanë edhe vetë se e din vetë, se katër herë kanë shkue me marrë ma senjal në shpi teme e se ai veç nuk ka qenë pranë në këtë veprim. Prandaj asht e nevojshme që të merren në pyetje pa gjurmim kryeplaku në fjalë e njerëz të këshillit të parë të lagjes e në rast nevoje edhe asish të këshillit të dytë, të cilët po i shkruaj këtu poshtë, është pyetur ata që kanë bamë në shpinë teme, partizanë e civilë, qysh prej fillimit deri sa është zhduk krejt materiali. Marko Dede, njeri i Korp. Armat. së III, si e tregon letra zyrtare e lartpërmendur në fjalë, mbi regjistrimin e pasurisë teme edhe sado njoftime të pjesshme, ka me ditë jo ma pak me tregue. Sa për përvetësim materiali tim, gjë që mund të ketë ndodhë nga ana civile e për gjetjen e tij, komanda e lartpërmendur ka me ditë sesi fajtorët me i gjetë, materiale e në qoftë dëmshpërblimin me ia marrë e si veprues të paligjshëm me i dënue e ka me ditë, jo pak me veprue, mbasi në dorë të saj si mall i saj, së pafont përkohësisht, kjo punë në rast se asht bë, asht shkaktue.
Këshilli i Dhimitër Bojaxhiu Kryetar, tash kryetar bashkie, Taip Hilmija Nënkryetar, Shuajb Bilali (sekretar, ndoshta edhe Ndoc Prendushi e Maksut Bilali. Këshill i II: Taif Hilmija Kryetar, Rustem Sykja sekretar, Sadik Reçi ekonomist, Ndoc Prendushi, Maksut Bilali. Kujtoj se shpija e jeme asht zhbërthye si ma para shpi në Shkodër e prandaj shërbimi kundra materialit, si i aratisun e kështu reakcionar, që më kanë pagëzua, asht kenë ma i madh, të hupunit ma i plotë e regjistrimi i si i lamun (neglizhuem) edhe për arsye se ma në fillim regullimi zyrtar, ka pas çalue. Tue shpresue se kërkesat e të drejtat e mija, kanë me u marrë parasysh, për të cilat edhe Zotni kryetar i komandës së naltdëftueme, shfaqin besim përkrahje, e kanë me u ndjekë pa masë, po nën shkruejme. /Memorie.al
Shkodër më 9.X.1945.
Angjelin Saraçi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016