Nga Prof. Asoc. Dr. Thanas L. Gjika
Pjesa e dytë
(Portret-biografi kushtuar veprimtarit të shquar, Profesor Sami Repishtit)
Memorie.al / Sami Repishti është një nga ata të përvojtur, të cilët pasi duruan torturat në hetuesi, vuajtjet e burgut, rrezikun e arratisjes dhe punën këmbëngulëse për t’u kualifikuar e shërbyer atdheut si kundër-komunistë, meritojnë të quhen që më të gjallë, heronj të botës shqiptare. Ai bashkë me Arshi Pipën e Martin Camajn, përbëjnë një treshe elitare shkodranësh, të cilët me jetën dhe veprën e tyre e shpunë më tej misionin atdhetar dhe intelektual të Rilindjes Kombëtare dhe të atdhetarëve të Luftës së Dytë Botërore dhe të pas saj. Profesor Repishti ka më shumë se gjysmë shekulli që me punën e tij të shumanshme në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo ku jetojnë, me memorandumet, artikujt politikë, analizat, esetë, krijimet letrare, fjalimet nëpër konferenca, intervistat në Radio “Zëri i Amerikës” (VOA), me punën si bashkëthemelues i disa organizatave e shoqatave atdhetare, si dhe me veprimet konkrete në atdhe dhe në Kosovë, për të ndihmuar nga afër proceset e demokratizimit dhe të krijimit të shtetit ligjor, meriton të quhet Institucion i mëvetësishëm.
Pasi Prof. Sami Repishti mori frymë disi thellë, tha, duke parë nga John-i: “Para se me folë për babën tuej, të ndjerin Milto Lito, due me ju tregue nji episod të nji heroi, ndihmën e sakrificën e të cilit nuk mund ta harroj sa të jem gjallë. Mbas 10 vjet burgimi, kur po më afrohej koha e lirimit, bashkëvuajtësi Muho Seit Toshi, prej Vithgare të Anës së Malit, më tha në intimitet: ‘Edhe unë shumë shpejt kam me u lirue. Po deshe me kalue kufinin për me shkue jashtë, eja më tako çdo ditë pazari te pazari i Shkodrës’.
Unë nuk e mora seriozisht propozimin e tij, mbasi midis nesh nuk kishim shumë miqësi. Mirëpo mbasi dola nga burgu në korrik 1956, gjendja e familjes sime ishte e mjerueshme. Nana dhe motra punojshin në punë të randa krahu. Edhe mue m’u dha punë me hap kanale, me ba llaç, e punë tjera pak të pagueme. Nji ditë erdhi për vizitë te shtëpia jonë nji kushrini ynë e më tha: ‘Dëgjova se Sigurimi, ata që dalin prej burgut dhe nuk martohen menjëherë, do t’i arrestojë përsëri, sepse dyshon se ata duen të arratisen, ose të bajnë punë sabotuese’. Këto fjalë më sollën në mendje propozimin e Muho Toshit. U lidha me të dhe me ndihmën e tij munda të realizoja arratisjen time.
Mirëpo në këtë histori ka dy momente shumë prekëse që nuk mund t’i harroj, dhe sa herë i kujtoj më shtohet respekti për atë burrë trim e të besës, por edhe për popullin tonë që ka nxjerrë nga gjiri i vet të tillë heronj. Kur shkuem te vendi afër lumit Buna, Muhua më sqaroi se si do të takoheshim ditën e nesërme për të realizue arratisjen. Unë e pyeta a kishte dhe ai një revolver si unë. Kur më tha se kishte dhe ai, i thashë se ato që kisha heqë në hetuesi e në burg nuk doja t’i jetoja dhe nji herë, prandaj isha i vendosë mos me ra gjallë në duert e rojeve tanë. Në rast se rojet na diktojnë unë do të vras veten, por në qoftë se revolveri im nuk më mbaron punë, ti duhet të më vrasësh pa tjetër. Betomu!
Muhua u mendue pak dhe me kokën e ulun tha solemnisht: ‘As unë, as ti nuk do të dorëzohemi gjallë’. Dhe tue më shtri dorën, shtoi: ‘Të jap besën!’ E shtrëngova atë dorë që pranonte me më vra për të më shpëtue nga torturat që mund të pësoja në hetuesi e burg… Ky solidaritet i njerëzve të shtypun më bani të ndjehesha i çliruem. Ky solidaritet m’u duk si vula e fisnikërisë së kombit tonë…! Momenti i dytë ndodhi të nesërmen pasi e kaluem gardhin e kufinit. Muhua më tha: ‘Shko tani e dorëzohu te posta jugosllave, kurse unë po kthehem, sepse më duhet të rregulloj prindërit dhe disa punë. Edhe unë do të vij në Amerikë, por mbas dy vjetësh.
Gjatë atyne dy vjetëve, Muho Toshi ndihmoi dhe nandë shkodranë të tjerë me kalue kufinin, por kur tentoi me kalue vetë më 1961, rojet e diktuan dhe e vranë. Këtë hero të heshtun që rrezikoi jetën e vet për mue dhe nandë shkodranë të tjerë, nuk mund ta harroj kurrë. Ai la gruan dhe dy jetimë…! Me shaminë e bardhë i fshiu lotët dhe pasi kreu një frymëmarrje të thellë, disi i çliruar, filloi të fliste për bashkëvuajtësin Milto Lito.
Tha se me Milton nuk ishte njohur gjatë kohës së hetuesisë, sepse atë periudhë e kishin kaluar në kohë të ndryshme. Kishin qenë bashkë në kampin e Maliqit, ku punonin për tharjen e kënetës. Theksoi se Miltua ishte një burrë i urtë. Shihte punën e vet dhe nuk afrohej me njerëzit, nuk hapte kurrë muhabet. As ndihmë nuk kërkonte, gjithçka e zgjidhte vetë. Për shkak të karakterit të tij të tërhequr, Samiu tha se nuk kishte pasur rast të miqësohej me të.
Këtë mënyrë jete, Miltua e kishte zgjedhur për arsye se nuk donte të binte viktimë e informatorëve, të cilët ato që dëgjonin i raportonin në komandë, e komanda ua shtonte të dënuarve vitet e burgut. Për ta maskuar shkakun e vërtetë, Miltua thoshte se rrinte larg njerëzve sepse ishte miop i theksuar dhe u tregonte syzet me numër të madh, duke thënë: ‘Po m’u thyen këto, nuk punoj dot. Njerëzit bëjnë lodra të ndryshme dhe syzet e mia janë prej qelqi e mund të thyhen’.
Pastaj, Profesori, tregoi sesi mbas daljes nga burgu, u njoh me vëllain e Miltos, me doktor Spiro Liton, specialistin pneumatolog, të cilin e kërkoi për të vizituar kunatin, burrin e motrës së madhe, që vuante nga tuberkulozi, sëmundje shumë e përhapur në atë kohë për shkak të ushqimit të pakët. Pasi doktori më la orën e vizitës, – shtoi Samiu, – i thashë në vend të lamtumirës: ‘Miltua asht mirë’. Ai hapi sytë dhe më pyeti: Ku e dini ju? E unë iu përgjigja: Këto ditë kam dalë prej asaj shtëpie. Mos keni merak se vllau juej asht shumë i kujdesshëm dhe nuk ka me pësue ndonji ri-dënim, ka me ardhë shpejt në shtëpi.
Pasi e vizitoi kunatin dhe na dha këshilla si me e trajtue, më tha se donte të pinte kafe me mue dhe më porositi se kur ta shifsha te ‘Kafe e Madhe’, të shkojsha e të ulesha te tavolina e tij, pa ça kokën se kush do t’ ishte me te. Mirëpo pas nja dy ditësh, kur po kaloja para Kafes së Madhe, pashë Dr. Liton me shefin e Degës së Punëve të Brendshme, gjeneral Hilmi Seitin, tue pi kafe. Ula kokën dhe u largova. Të nesërmen, Doktori ishte me do miq tjerë e un u futa brenda. Sa më pa ma bani me dorë e un shkova u ula te tavolina e tij. Më pyeti për kunatin a kishte ndonjë përmirësim dhe pastaj sqaroi se shefi i Degës së Punëve të Brendshme dhe sigurimsa të tjerë e qerasshin me kafe, sepse ia kishin nevojën për me ua kurue njerëzit e fisit të tyne. Mesa dukej më kishte pa ditën e mëparshme kur kalova para kafes e, nuk hyna brenda…”!
Më tej Johni e pyeti për familjen e fëmijët dhe Profesori sqaroi se familja e tij ka dy fëmijë, djalin Daren Repishti, mjek të specializuar në radiologji, sot shef pavijoni në spitalin Norton Louisville KY dhe vajzën Ava Safir, ish-avokate pranë administratës së Major Giuliani-t, sot e kualifikuar si “nutritionist’ punon për të ndihmuar pacientët në dietat ushqimore. Të dy kanë fëmijë të rritur, studentë e disa në marrëdhënie pune.
Daren ka tre fëmijë: djalin Bryan, i cili ka mbauar Central College KY dhe punon si bankier, vajzën Julia që ka mbaruar Kentucky University për pedagoge e gjuhës angleze, dhe vajzën e dytë Nicole studente e vitit të tretë në Ohio State University ku studion për histori e marrëdhënie ndërkombëtare. Kurse vajza Ava, ka dy fëmijë: vajzën Audrey, nxënëse në gjimnazin Laurenceville pranë Princeton University dhe djalin Alexander, student i vitit të tretë në Ridgefield Academy.
“Ndjehemi plotësisht të bekuem, – tha në fund profesori dhe shtoi, – këtë apartament ku banojmë prej dhjetë vjetësh pranë vajzës, na e ka ba dhuratë djali”. Më tej u foli shkurt për pasionin dhe veprimtarinë e tij lidhur me mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për krijimin dhe veprimtarinë e tij si anëtar i shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë (RShKBL); si bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv (1986 – 1992) i shoqërisë American Albanian Civic League (AACL / Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane) me drejtues politikanin Dio Guardi; si bashkë-krijues dhe kryetar i parë (1996 – 1998) i shoqërisë lobiste Natcional Albanian American Council (NAAK), etj., veprimtari për të cilat ai më dha dhe disa materiale të shkruar. Kur biseda po i afrohej fundit, zonja e shtëpisë, pa bërë zhurmë e pa rënë në sy, kishte shtruar te diningroom-i tavolinën me kekë, fruta e pije freskuese e na ftoi të kalonim atje. Unë shfrytëzova rastin për të bërë disa foto, si kujtim. Në ora 4:00 PM u ndamë me dëshirën për t’u takuar sërish gjatë pranverës së ardhshme…!
Në Kongresin Amerikan, kërkohet mbrojtja e shqiptarëve të Kosovës
Më 1948, mbasi J. B. Titua, udhëheqësi i Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë, u grind me J. V. Stalinin, udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik, SHBA-të e mbështetën Jugosllavinë si një aleat të preferuar. Përmes ndihmave amerikane e të vendeve të tjera perëndimore në këtë shtet multietnik u përmirësua shumë gjendja ekonomike e vendit. Po ashtu u përmirësuan dhe marrëdhëniet midis popujve sllavë që jetonin aty.
Mirëpo politika liberale e “Bashkim-vëllazërimit” që zbatohej midis popujve sllavë të kësaj federate, u zbatua në një nivel shumë të ulët ndaj shqiptarëve që u ishin dhënë padrejtësisht shtetit serb e atij malazez, që më 1913-ën. Populli shqiptar tashmë, brenda kësaj federate, jetonte i ndarë administrativisht si minoritet në Republikën e Serbisë, në atë të Malit të Zi dhe në atë të Maqedonisë.
Ishte krijuar dhe një krahinë e quajtur Krahina Autonome e Kosovës dhe e Metohisë, e cila përbënte një njësi administrative të varur drejtpërdrejt nga Republika e Serbisë. Në këtë krahinë shqiptarët, duke përbërë shumicën dërmuese, gëzonin disa të drejta më shumë se shqiptarët që jetonin si minoritet në Serbi, Mal të Zi e Maqedoni. Me pak fjalë populli shqiptar në Jugosllavi shihej e trajtohej si popull i dorës së dytë, me të drejta më të pakta se popujt e tjerë të federatës edhe pse ai ishte banor autokton në trojet e veta që nga koha e Dardanisë antike. Ai quhej dhe trajtohej si popull i ardhur prej Shqipërisë, me prapamendimin djallëzor që një ditë të dëbohej e të kthehej te vendi i origjinës…!
Sami Repishti mbas ardhjes në SHBA-ës, prill 1962, filloi të merrej me përvetësimin e anglishtes dhe shkollimin e tij në universitet. Ende pa u bërë qytetar amerikan (American Citizen), ai filloi të interesohej për gjendjen e komunitetit shqiptar, u bë anëtar i Federatës “Vatra” dhe filloi të mendojë si të ndihmojë përmirësimin e gjendjes së popullit shqiptar që jetonte nën zgjedhën komuniste në Shqipëri dhe pjesës tjetër të tij që trajtohej si popull i dorës së dytë në Jugosllavi. Në prill të vitit 1965, Kongresi Amerikan organizoi një seancë dëgjimore (Hearings) mbi gjendjen e popujve në botën komuniste. Administrata e Kongresit Amerikan i dërgoi një ftesë Komitetit “Shqipëria e Lirë”, për të dërguar një person që të jepte dëshmi për gjendjen e popullit shqiptar.
Prof. Nexhar Peshkëpia, personalitet politik i përgatitur dhe njeri serioz, propozoi që për këtë problem të dërgohej Sami Repishti, edhe pse nuk ishte anëtar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”, por e njihte më mirë se të tjerët situatën e popullit shqiptar ku ai kishte vuajtur burg para pak vitesh. Samiu pranoi dhe foli jo vetëm për gjendjen e rëndë të popullit shqiptar nën zgjedhën komuniste, por edhe për gjendjen e popullit shqiptar në Jugosllavi, ku ai trajtohej si popull i dorës së dytë dhe i mohoheshin shumë të drejta.
Ndaj folësit u krijua një atmosferë armiqësore, sepse ai guxoi të kritikonte politikën e brendshme të Jugosllavisë, një shteti aleat. Kryetari i Komisionit, kongresisti Lee Hamilton, si ka sqaruar vetë Samiu në një artikull, iu drejtua: “Zoti Repishti, Shqipëria na sulmon 7 ditë në javë me radio dhe shtyp. Ashtë nji fat për të, që ne nuk dimë shqip me lexue e kuptue këto shamje të përditshme. Presidenti Tito asht mik i yni. Ju vini këtu e kërkoni që ne të marrim qëndrim kundër Titos, nji mik, e të përkrahim kërkesat e Shqipërisë. Nuk mund ta bëjmë këtë”. (Gazeta Dielli, N.Y, December 2018, fq. 32)
I prekur në sedër, Samiu iu përgjigj se ai nuk donte të bënte politikë, por si aktivist i të drejtave të njeriut, kërkoi ndihmën e Kongresit Amerikan që shtypja e popullit shqiptar në Shqipëri dhe Kosovë të pushonte. Për këtë, tha ai me guxim, unë ngul këmbë. Ky fjalim i Sami Repishtit ishte artikulimi i parë në Kongresin Amerikan për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës, por atmosfera e miqësisë midis SHBA-ve dhe Federatës Jugosllave, nuk lejonte të merrej seriozisht problemi i gjendjes së popullit shqiptar në Jugosllavi.
Kjo situatë filloi të përmirësohej nga fillimi i viteve 1970-të, kur u forcua puna propagandistike e shoqërisë “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë” (RShKBL), dhe sidomos pasi u firmos Akti Final i Helsinki-t më 1975, për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, dhe pasi u krijua American-Albanian Civic League (AACL / Lidhja Qytetare Amerikano-Shqiptare) më 1986 prej politikanit me origjinë arbëreshe, ish-kongresistit Jozeph Dio Guardi.
Kjo organizatë e ngriti disa herë këtë problem në Kongresin Amerikan me anë të kongresistëve Tom Lantosh, Eliot Engel dhe senatorit Robert (Bob) Dole – kandidat për Presidentdhe senatorit. Sami Repishti shërbeu si drejtor ekzekutiv i kësaj organizate politike. Në vitin 1996, ky veprimtar themeloi shoqërinë National Albanian American Council (NAAC / Këshilli Kombëtar Shqiptaro Amerikan (KKShA) si shoqëri lobiste në Washington DC, kryesisht për të mbrojtur të drejtat e popullit shqiptar të Kosovës nga shtypja e Slobodan Milosheviçit.
Truri i shoqërisë Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë
Nacionalisti shqiptar, Tahir Curran Kernaja, i cili para se të vinte në SHBA-të (1962), kishte përjetuar burg dhe internim në Shqipëri dhe tortura çnjerëzore në Jugosllavi, në vitet 1963-1964, filloi të fliste poshtë e lart midis emigrantëve shqiptarë të New Yorku-t, për shtypjen e popullit shqiptar në Jugosllavi e sidomos në Kosovë.
Pas demonstratave që shpërthyen nëpër komuna të ndryshme të Kosovës gjatë muajit nëntor 1968, të cilat arritën kulmin me demonstratën e 27 nëntorit të studentëve në Prishtinë, Besianë, Ferizaj dhe Gjilan, Tahir Kerrnaja u takua me ish-bashkëvuajtësin e tij të burgut të Shkodrës, Sami Repishtin, vëllezërit Sergio e John Bitici dhe Prof. Rexhep Krasniqin, për të krijuar një bërthamë atdhetarësh me të cilët të fillohej lufta e organizuar propagandistike në New York, për të popullarizuar shtypjen e rëndë që i bëhej popullit shqiptar në Kosovë dhe për të kërkuar mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Që në fillim, me propozim të Rexhep Krasniqit, grupit iu dha emri “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë” (RShKBL). Shpejt u zgjerua edhe me pjesëmarrjen e Prof. Peter Priftit dhe Dr. Safete Juka, e më vonë u bashkua dhe Maliq Arifaj, i cili u zgjodh sekretar ekzekutiv. Punën organizative, atë të botimit dhe të shpërndarjes së materialeve (artikuj, pamflete, memorandume, lajme, etj), e kryenin Tahir Curran Kernaja, Maliq Arifaj, Kujtim Zherka, Merxhan Hyseni, vëllezërit Sergio e John Bitici, etj.
Adresa e banimit të Tahirit përdorej si adresë e shoqërisë. Kurse Maliq Arifaj firmoste shumicën e shkrimeve, ndërsa autorët e vërtetë nuk e shënonin emrin e tyre në fund të shkrimeve. Vëllezërit Sergio dhe John Bitici krahas punës organizative mbulonin dhe shpenzimet e botimit të shkrimeve trakte, si dhe shpenzimet e shpërndarjes me postë të tyre nëpër zyra, ambasada të ndryshme dhe miq nëpër botë.
Tahir Kernaja me dy nipat e tij, bashkë me vajzën e madhe të Sergios, i shpërndanin traktet te dera e godinës së OKB-së duke ua dhënë në dorë atyre që hynin e delnin aty, politikanë e zyrtarë të ndryshëm, si dhe nëpër vende ku kishte grumbullim njerëzish. Profesor Sami Repishti midis grupit intelektual të përbërë prej tij, Prof. Peter Priftit, Dr. Safete Jukës dhe Prof. Rexhep Krasniqit, ishte personi që hartoi gati 90 % të të gjithë shkrimeve, qofshin artikuj, memorandume, komente, etj. Pikërisht për faktin se ai ishte prodhimtari më i madh dhe më cilësor i shkrimeve, guxojmë ta quajmë Truri i shoqërisë RShKBL.
Duke i dhënë këtij veprimtari këtë epitet, nuk nënvlerësojmë punën e bashkëpunëtorëve të tjerë të kësaj shoqërie, sepse truri në një organizëm, vërtet është organi më i rëndësishëm, por ai nuk mund të funksionojë pa ndihmën që merr prej organeve të tjera si zemra, veshkat, mushkëritë, stomaku, etj. Edhe shprehja jonë popullore Trimi i mirë me shokë shumë, tregon se veprimtari / luftëtari i arrin rezultatet jo I vetëm, por duke bashkëpunuar e luftuar me shumë shokë.
Duke parë ecurinë e rritjes së përpjekjeve kundër shtypjes së të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës në politikën amerikane që nga puna e gjatë dhe e pandërprerë e hartimit, botimit e shpërndarjes së trakteve të shoqërisë RSHKBL, te krijimi dhe veprimtaria e organizatave lobiste Lidhja Qytetare Shqiptaro Amerikane (1986) dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996), nuk ka pse të mos shohim se ka një lidhje në këtë proces, ku ndikimi i punës së kësaj shoqërie si nismëtare nuk mund të anashkalohet.
Pra shoqërisë RSHKBL, edhe pse nuk u regjistrua si organizatë zyrtare, sepse ashtu mbrohej nga Zbulimi jugosllav, e ai shqiptar që ishin prezent në New York, i duhet njohur merita e nismëtares së kësaj lufte dhe i duhet dhënë vlerësimi i merituar. Efektivitetin e aktivitetit të kësaj shoqërie ndaj politikës jugosllave e ka njohur dhe e ka vënë në dukje Sinan Hasani gjatë viteve 1984 – 1989 kur ishte zgjedhur kryetar i Presidencës Jugosllavisë me rrotacion. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm














