Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente të panjohura të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe fondi personal, Enver Hoxha), ku ndodhet ditari politik i ish-udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, që i përket një periudhe kohore katër vjeçare, (dhjetor 1979 – dhjetor 1983), ku ai ka mbajtur shënime dhe ka analizuar ngjarjet kryesore të ndodhura në Afganistan, që nga data 27 dhjetor e vitit 1979-të, kur ai u pushtua ushtarakisht nga ana e Bashkimi Sovjetik, të cilët zbarkuan aty rreth 50 mijë trupa, pasi ishte kryer më parë një grusht shteti kundër kryeministrit Hafizullah Amin, që njihej si pro sovjetik. Ditari i plotë i ish-diktatorit komunist të Shqipërisë me shënime, komente dhe analiza rreth pushtimit të Afganistanit dhe ngjarjeve të ndodhura në Iran, ku reagimi i parë në arenën ndërkombëtare erdhi nga ana e amerikanëve, pasi presidenti Carter, në shenjë presioni ndaj atij agresioni ushtarak, anulloi kontratën prej 17 milion tonë grurë që SHBA-ve do t’i shiste Bashkimit Sovjetik. Si e përshkruante Enver Hoxha në ditarin e tij luftën guerile të afganëve, ku midis të tjerash shkruante: “Shpesh kur lexoj raporte ose kur shikoj kronikat televizive të luftimeve dhe aksioneve të guximshme që luftëtarët guerilas afganë, kryejnë kundër formacioneve të fuqishme ose kolonave të motorizuara të ushtrisë pushtuese sovjetike, duke kërcyer nga shkëmbi në shkëmb, mes dëborës dhe akullit, shiut dhe vështirësive, të panumërta të tjera, dhe vetëm të armatosur me pushkë, mendja ime kthehet tek lavdia jonë Lufta Nacionalçlirimtare, ndaj heroizmit dhe sakrificat e popullit tonë trim, patriot, dhe revolucionar”.
E ENJTE 27 DHJETOR 1979
Shënime për Afganistanin dhe Iranin
Mbrëmë Departamenti i Shtetit Amerikan dhe agjencitë e huaja të lajmeve njoftuan se sovjetikët kanë zbarkuar rreth 50 mijë trupa si dhe një numër tankesh në Afganistan dhe kryen një grusht shteti kundër kryeministrit Hafizullah Amin, i cili hiqej si pro sovjetik dhe, siç dihet, erdhi në fuqi po me grusht shteti, pasi rrëzoi dhe vrau Tarakin, që edhe ky ishte pro sovjetik. Si duket këtu luhet një lodër e dyfishtë, pra edhe nga ana e sovjetikëve, edhe nga ana e amerikanëve.
E HENE 31 DHJETOR 1979
Viti 1979 në arenën ndërkombëtare po mbyllet me situata revolucionare, që janë rezultat i kryengritjeve popullore kundër zgjedhës së imperializmit dhe të kapitalizmit botëror. Veçanërisht javën e fundit një ngjarje me rëndësi ndodhi në një vend të Azisë, në Afganistan, ku u krye një grusht shteti që rrëzoi regjimin pro sovjetik të Aminit, i cili kishte zëvendësuar po me grusht shteti ish-regjimin përsëri pro sovjetik të Nur Tarakit.
Tash pro sovjetiku Amin u zëvendësua me pro sovjetikun Karmel. Të tria qeveritë kanë qenë e janë agjentura të sovjetikëve e njëkohësisht edhe agjentura të fshehta të amerikanëve. Fakt është se sovjetikët, duke ndërhyrë ushtarakisht, vranë të parin, vranë të dytin dhe sollën tjetrin, të tretin, nga Çekosllovakia, ku ishte ambasador, duke e vënë në krye të pushtetit.
Flitet se dy-tri divizione sovjetike, me tanke e me avionë, kanë ndërhyrë në Afganistan ashtu siç ndërhynë edhe në Çekosllovaki më 1968. Tani ata bëjnë ligjin në këtë vend nën pretekstin se Amini ishte tradhtar dhe agjent i imperializmit amerikan, gjë që edhe mund të ketë qenë kështu, gjithashtu thonë se ata kanë ndërhyrë në bazë të traktatit të bashkëpunimit e të miqësisë që kanë nënshkruar me Afganistanin.
Siç dihet, në Afganistan ka lëvizje të shumta kryengritjeje, të udhëhequra nga patriotë që nuk e dëshirojnë as zgjedhën sovjetike, as zgjedhën e agjentëve të saj, por ata cilësohen si myslimanë dhe lëvizja e tyre patriotike anti-imperialiste, cilësohet si lëvizje islamike. Kjo është një parullë e përbashkët që përdor kapitalizmi botëror për të ringjallur mëritë dhe luftën fetare, për t’u dhënë lëvizjeve çlirimtare kuptimin mesjetar të luftërave të tilla. Nuk ka dyshim se luftëtarët çlirimtarë afganë, të ngritur kundër zgjedhës së imperializmit, social imperializmit e monarkisë, janë elementë që besojnë.
Afganistani është një nga ato vende ku feja është akoma e gjallë dhe vepruese. Por nuk është vetëm feja ajo që i bën këta popuj të ngrihen me armë në dorë kundër pushtuesve të atdheut të tyre. Natyrisht, marksistë ata nuk janë, por janë patriotë që duan çlirimin e atdheut të tyre, janë përfaqësues të borgjezisë demokrate. Ata nuk dëshirojnë të rrojnë nën zgjedhën e të huajve, pavarësisht se pikëpamjet e tyre janë akoma larg atyre pikëpamjeve demokratiko-borgjeze revolucionare që të shprehen në reforma të thella në interes të popujve të tyre.
Por lufta që ata po zhvillojnë ka një rëndësi të madhe jo vetëm për Afganistanin, por edhe për popujt e tjerë. Është e qartë se Bashkimi Sovjetik, me ndërhyrjen e tij në Afganistan, realizon planet strategjike imperialiste për të pasur pozita kyçe luftarake në këto vende, veçanërisht për të zgjeruar sundimin e tij imperialist në zemër të Azisë dhe të Lindjes së Mesme. Dihet se Afganistani është vend kufitar me Kinën dhe me Pakistanin, pra Bashkimi Sovjetik dëshiron të forcojë pozitat e tij luftarako-strategjike përballë Kinës dhe Pakistanit pro amerikan ose pro anglez.
Nga ana tjetër, dihet se Afganistani është në kufi me Iranin, bile kryengritësit afganë hiqen si miq, dashamirës e bashkëluftëtarë të Khomeinit. Pra është e favorshme për Khomeinin, në rast se kryengritësit afganë fitojnë mbi sovjetikët dhe mbi veglat e tyre. Kjo, natyrisht, nuk është një punë e lehtë, as një punë që mund të kryhet me sot, me nesër, por sidoqoftë populli i Afganistanit, që është vëlla në fe me shiitët iranianë, u sjell kokëçarje imperialistëve e sociali-mperialistëve.
Sovjetikët, me ndërhyrjen e tyre ushtarake në Afganistan, po e rrethojnë Iranin nga jugu e nga veriu dhe, në rast se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të ndërhyjnë me forca të armatosura në Iran, atëherë edhe Bashkimi Sovjetik, do të fillojë veprimet e tij në këtë drejtim, natyrisht për të kapur një pjesë të Iranit, por ende jo, mendoj unë, për t’u ballafaquar në një luftë të armatosur me imperializmin amerikan.
Sovjetikët, pra, përgatiten për një luftë eventuale që mund të zhvillohet në pellgun e madh të naftës në Lindjen e Mesme. Siria, ku influenca sovjetike është më e dukshme, nuk e ka dënuar ende ndërhyrjen sovjetike në Afganistan, por vendet e tjera arabe, duke përfshirë edhe Arabinë Saudite dhe Egjiptin, e dënuan këtë agresion. Pra, të gjitha këto vende u shprehën kundër sovjetikëve për veprimet barbare dhe qëllimet sunduese mbi Afganistanin.
Prandaj në këto situata vendet arabe s’ka se si të pranojnë një ndërhyrje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës me forca të armatosura në Iran. Kështu gjithë opinioni botëror është ngritur kundër veprimeve sovjetike dhe, sikurse njoftojnë agjencitë e huaja të lajmeve, Moska është detyruar të deklarojë se do t’i tërheqë trupat e saj menjëherë nga Afganistani, pasi të stabilizohet situata. Ky është një avaz i njohur që e përdorin vazhdimisht imperialistët, pasi ndërhyjnë ushtarakisht, duke pushtuar vende dhe popuj.
Por reagimi i opinionit botëror kundër ndërhyrjes sovjetike e bën më të pamundur ose më të zorshme ndërhyrjen e amerikanëve në Iran. Me fjalë të tjera, bota po e shikon se imperialistët dhe social-imperialistët janë agresorë, janë shtypës të popujve dhe shfrytëzues të pasurive të tyre.
Natyrisht, për ndarjen e zonave të influencës midis tyre, të dyja superfuqitë bëjnë marrëveshje të fshehta, por kjo ndarje zonash krijon edhe kundërshtime të mëdha, një reaksion të ashpër luftarak e revolucionar nga ana e masave të popujve, mbi kurrizin e të cilëve bien pasojat e këtyre marrëveshjeve; kjo gjendje i nxit popujt e tjerë të ngrenë krye kundër shtypjes së jashtme e të brendshme të kapitalizmit vendas dhe të atij botëror.
E ENJTE 3 JANAR 1980
MBESHTETIM LUFTEN E POPULLIT TE AFGANISTANIT KUNDER PUSHTUESVE SOVJETIKE
Ta dënojmë e ta demaskojmë agresionin ushtarak të Bashkimit Sovjetik kundër popullit të Afganistanit. Për këtë ne duhet të botojmë një artikull, ku të theksojmë se social-imperialistët sovjetikë dhe agjentura e tyre në Afganistan, shfrytëzuan rrëzimin, në fillim, të mbretit Muhamed Zaher Shah, përmbysjen e princit Daud, si dhe dëshirën për çlirim të popullit afgan, i cili e ndiente shtypjen e monarkisë absolute dhe të miqve të saj të huaj, në radhë të parë të sovjetikëve që e financonin dhe e mbanin atë në fuqi.
Në këtë artikull të flasim mirë e ta vlerësojmë pozitivisht lëvizjen e rezistencës që po përhapet në Afganistan kundër pushtuesve sovjetikë. Lufta e popullit afgan në këtë drejtim është e drejtë dhe ajo nuk mund të shtypet. Populli i këtij vendi ka tradita të lashta në luftën kundër pushtuesve të huaj. Dikur ai u ka dhënë një mësim, që ta mbajnë mend mirë, edhe ushtrive të pushtuesve imperialistë anglezë.
Me këtë rast të shprehim edhe solidaritetin e popullit tonë me popullin afgan që lufton në male e në qytete kundër pushtuesve revizionistë, social-imperialistëve sovjetikë e veglave të tyre. Artikulli ynë do të ndihmojë për të sqaruar edhe popujt, për t’i bërë këta të ndërgjegjshëm për agresionin ushtarak të Bashkimit revizionist Sovjetik kundër Afganistanit, për qëllimet e social-imperialistëve sovjetikë në këtë rajon të botës, si dhe për luftën e drejtë të popullit afgan kundër pushtuesve të huaj.
E ENJTE 3 JANAR 1980
JASHTE AGRESORET NGA AFGANISTANI!
Pas takimit me shokët sekretarë të Komitetit Qendror, që pata sot në mëngjes, i dhashë dorën e fundit artikullit “Jashtë agresorët nga Afganistani”! Artikullin e plotësova me disa konsideracione të tjera politike. Tezat e zgjeruara të këtij artikulli i pata biseduar me shokun Ramiz më përpara. Qëndrimet tona rreth ngjarjeve në botë ndiqen jashtë me vëmendje. Për to flasin agjencitë e ndryshme të lajmeve dhe shkruajnë edhe gazetat e huaja.
E SHTUNE 5 JANAR 1980
AGRESIONI USHTARAK SOVJETIK NË AFGANISTAN DHE IMPERIALIZMI AMERIKAN
Në takimin e sotëm ditor me shokët sekretarë të Komitetit Qendror, analizova situatën në Afganistan, në Iran e në disa vende të tjera të botës. Sot presidenti amerikan, Karter, njoftoi se: në shenjë mos aprovimi për pushtimin ushtarak të Afganistanit, Shtetet e Bashkuara nuk do të përmbushin kontratën për shitjen e 17 milionë tonëve grurë Bashkimit Sovjetik, pra ai shpalli se e pezullon këtë kontratë.
Karteri njoftoi, gjithashtu, se shtyn aprovimin e marrëveshjes ‘SALT-2’ nga ana e senatit dhe se do t’i furnizojë armë Pakistanit etj. Me këto veprime Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpiqen të ngrenë moralin e vet dhe atë të aleatëve të tyre. Do të shohim çfarë kundërmasash do të marrë Bashkimi Sovjetik, por me siguri ai i ka bërë llogaritë. Grurë sovjetikëve u japin edhe Kanadaja dhe Australia.
JANAR 1980
NGJARJET QE PO ZHVILLOHEN NE VENDET MYSLIMANE DUHET TË SHIKOHEN NË DRITËN E MATERIALIZMIT DIALEKTIK E HISTORIK
Aktualisht gjendja ndërkombëtare paraqitet mjaft e nderë. Në shumë rajone të botës, e kryesisht në pellgun e madh të vendeve të naftës, sidomos të Azisë, lufta midis dy superfuqive imperialiste, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, pa përjashtuar Kinën imperialistë dhe fuqitë e tjera kapitaliste, për ndarjen e rindarjen e tregjeve e të zonave të influencës, për t’i futur bërrylat njëri-tjetrit, ashtu siç është parashikuar me të drejtë prej kohësh nga Partia jonë, ka arritur përmasa të reja e të mëdha.
Presionet e komplotet e tyre shoqërohen me përpjekjet dhe me zhurmën diplomatike e propagandistike për “ujdira e kompromise” gjoja për të ruajtur paqen dhe ekuilibrin e forcave. Në fakt, siç po tregojnë ngjarjet e kohëve të fundit, pavarësisht nga acarimi i madh i rivalitetit, ne shohim se ujdia dhe kompromisi janë ende parimi bazë i politikës së tyre ndaj njëri-tjetrit. Por një ditë rivaliteti midis tyre mund të arrijë në një pikë, të cilën nuk do të mund ta zgjidhin e ta kapërcejnë dot më, veçse me konfrontim luftarak.
Pasojat e një konfrontimi të tillë, sikurse ka ndodhur edhe në luftërat e mëparshme imperialiste, do të bien mbi popujt. Rezultati më i freskët i këtij rivaliteti është agresioni ushtarak i social-imperialistëve sovjetikë kundër Afganistanit, është pushtimi me forcën e armëve i këtij vendi nga njëra prej superfuqive imperialiste. Është fakt se ajo çka u bë tash në mënyrë të hapët e me forca të armatosura nga sovjetikët kundër sovranitetit të popullit afgan, është gatuar prej kohësh nga politikanët e nga ushtarakët shovinistë social-imperialistë sovjetikë dhe nga agjentët e tyre afganë.
Si të parët, ashtu edhe të dytët, për të arritur aty ku arritën sot, shfrytëzuan rrëzimin, në fillim të Mbretit Muhamed Zaher Shah në vitin 1973 dhe, më vonë, më 1978, përmbysjen e princit Daud. Për qëllimet e tyre të këqija, ata shfrytëzuan edhe dëshirën për çlirim shoqëror të popullit afgan, i cili e ndiente shtypjen e monarkisë absolute dhe të miqve të saj të huaj, në radhë të parë të sovjetikëve, që e financonin dhe e mbanin atë në fuqi.
Pra, social-imperialistët sovjetikë, me gjithë “aleancën” që kishin me mbretin e Afganistanit, punuan dhe vepruan për rrëzimin e tij. Për të maskuar qëllimet e veta imperialiste, në fillim sollën në fuqi njerëz gjoja me ndjenja më përparimtare. Pastaj edhe këta i ndërruan njëri pas tjetrit me veprime gjakderdhëse, me puçe e me tanke, u çuan në satër, siç ndodhi me Nur Muhamed Tarakin dhe me Hafizullah Aminin.
Por asnjë pushtues i huaj, sado i fuqishëm e i armatosur të jetë, nuk mund ta mposhtë përgjithmonë popullin ndaj të cilit ka bërë agresion. Pushtuesit e huaj, përveç klikave agjenturore, antikombëtare e antipopullore, kudo që janë futur janë pritur e priten nga popujt me urrejtje e rezistencë në fillim sporadike, pastaj me revolta më të organizuara që dal nga dalë kthehen në kryengritje popullore, në luftëra çlirimtare.
Këtë ne po e shohim të vërtetohet edhe në Afganistan, populli i të cilit është ngritur në këmbë e po lufton me ashpërsi në qytete, në fshatra e në male kundër ushtrive pushtuese sovjetike. Kjo luftë e popullit afgan gëzon përkrahjen dhe simpatinë e popujve liridashës e të forcave revolucionare të mbarë botës. Atë e mbështet me të gjitha forcat edhe populli ynë. Lufta e popullit afgan kundër social-imperialistëve sovjetikë është një luftë e drejtë, prandaj ajo do të triumfojë. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016