Nga Uran Kalakulla
Pjesa e dyzeteshtatë
Nazizmi dhe komunizmi
Memorie.al / Nazizmi zgjati 12 vjet, ndërsa stalinizmi 2 herë më shumë. Krahas shumë karakteristikave të përbashkëta, në mes tyre ka shumë ndryshime. Hipokrizia dhe demagogjia e stalinizmit, ishte e një natyre më të stërhollë, e cila nuk mbështetej në një program që ishte sheshit barbar, si ai i Hitlerit, por mbi një ideologji socialiste, përparimtare, shkencore e popullore, në sy e punonjësve; një ideologji që ishte si një perde e volitshme dhe komode për të gënjyer klasën punëtore, për të përgjumur mprehtësinë e intelektualëve dhe të rivalëve në luftën për pushtet.
Një nga pasojat e kësaj veçantie të stalinizmit, është ajo që mbarë populli sovjetik, përfaqësuesit e tij më të mirë, të aftë, punëtorë e të ndershëm, pësuan goditjen më të tmerrshme. Së paku 10-15 milionë sovjetikë, humbën jetën në dhomat e torturave të KQB-së, të martirizuar apo të ekzekutuar, si dhe në kampet e gulakëve e të të tjerëve si ata, kampe ku ishte e ndaluar të korrespondoje (në fakt ato ishin prototipe të kampeve naziste të vdekjes); në minierat nëpër akujt e Norilskut dhe të Vorkutes, ku njerëzit vdisnin nga e ftohta, nga uria, nga puna dërrmuese nëpër kantieret e panumërt, në shfrytëzimin e pyjeve, në hapjen e kanaleve dhe gjatë transportimit nëpër vagonë të plumbosur, apo në hambarët e përmbytur të anijeve të vdekjes.
Në hetuesinë që i bënë në Degën e Burrelit, veç të tjerash, e kishin pyetur edhe për mua. Por Dulla (dhe për këtë jam i sigurtë), më kishte mbrojtur me vendosmëri, duke u thënë atyre kalecave, se unë rrija urtë dhe merresha vetëm me studime dhe nuk flisja kurrë politikisht. Për më tepër, as që e kisha ndopak mendjen në asi punësh, por vetëm te gruaja dhe te djali i vogël, që i adhuroja si Perëndinë e, madje edhe më fort. Pjesa e dytë e mbrojtjes së Dullës, sigurisht, qëndronte. Por edhe e para më leverdiste, se mos doja “fletë-lavdërimi”, nga kalecët e Degës? Ato “fletë”, ishin një dhjetëshe shtesë, e viteve të burgut.
Megjithatë, kujdesi im vazhdonte si gjithmonë, pavarësisht nga mbrojtja e “avokatit” Dullë. Se sigurimsat pyesnin shtatë a tetë e, bënin si dinin vete. Ja pikërisht kësaj mundohesha unë t’i ruhesha fort, me aq sa mundesha. Dhe megjithatë, më gjeti që më gjeti belaja. Sipas llogarive të mia të sakta, dita ime e lirimit, ishte 30 janari i 1982-shit, mbasi kisha bërë tashmë afër 21 vite burg, nga të cilët 14, në burgun e Burrelit, pra shumicën. Dhe unë kisha nisur t’i numëroja ditët, si i thonë, me kokrra groshe. Por siç u duk, “bathët e priftit” lajmëronin kohë të keqe .
Ishte dhjetëditëshi i parë i dhjetorit i vitit 1981. Ndodhesha atëherë në dhomën nr. 4 të pjesës nr. l të burgut. Ishte paradite kur u hap dera dhe roja e brendshme më thirri me emër që ta ndiqja pas. Bëra si më tha. Nuk e dija pse po më kërkonte. Por ai, pa më folur fare, më përcolli deri te dera e hekurt e hyrjes së burgut. Te sporteli pashë komisarin e burgut, Andon Minxhën. Të gjithë e kishim mjaft inat këtë njeri, se ai luante në burg rolin e operativit. Trupshkurtër, i shkonte mjaft për shtat mbiemri që kishte. Dhe ai më foli:
– “Gjatë kontrollit, roja e brendshme ka gjetur te shtrati yt, një palë letra bixhozi. Për këtë dënohesh me tridhjetë ditë birucë”!
– “Letra bixhozi në shtratin tim? Unë nuk merrem fare me një punë te tillë, zoti komisar. Dhe kam bindjen, se ju e dini fare mirë atë që po ju them”.
– “Shko, shko dhe pa fjalë. Merre! – iu drejtua oficerit të rojës që ishte i pranishëm”. Kështu përfundova në birucë, pa asnjë faj. Ishte ftohtë, nga dritaret shiheshin të varur hejet e akullit, si stalaktitet e shpellave. Ndërkohë erdhi edhe nata e vitit të ri 1982 dhe unë po e kaloja në birucë. Më shkoi mendja larg në vite. Kishte ardhur viti i njëzetenjëtë i burgimit tim, njëzet e një vjet jetë të humbur kot, pa asnjë faj moral, pa i pasë bërë keq kurrkujt, vetëm pse kisha bindje politike, kulturore, filozofike, etike të kundërta me ideologjinë zyrtare.
Ajo për ditë e më shumë po e tregonte veten, se ishte një katastrofë e përlyer keqas me gjak, me krim ndaj njerëzve të pafajshëm, njerëzish liridashës, dinjitozë, atdhedashës, për të cilët, Zot, prind, fëmijë, ishte e mira e mbarë popullit, e gjithë kombit shqiptar, këndej dhe andej kufijve. Duke e kthyer kokën nga e kaluara e viteve të mia të burgut, m’u kujtua se vitin e ri, po e prisja në birucë, pikërisht siç e kisha pritur atë ditë të shënuar në vitin tashëm të largët 1961-1962.
Viti i ri 1962, kishte qenë shumë i ashpër me mua. Kishte qenë viti i gjyqit famëkeq, viti i dënimit me vdekje, viti i “dhomës së vdekjes”. Po ky vit i ri 1982, çdo më sillte, vallë? Mbarësi apo përsëri mbrapshti, si ai i njëzet viteve më parë? Mos vallë prapë ndonjë gjyq të ri, një dënim te ri, ndonjë ri dënim me vdekje e, këtë herë pa falje jete? Por edhe sikur të ndodhte përsëri kjo falje jete, ç’do të më duhej vallë? Një vdekje pa plumb vërtetë, por e gjatë, e gjatë, e përditshme, mjerane, torturuese, deri në moshë të thyer fare, duke u tërhequr tashmë zvarrë nëpër çimentot e burgut! Dhe atëhere zemra më gufonte nga indinjata e madhe, nga revolta e shpirtit për padrejtësinë ndaj jetës, për krimin që e kishte emrin e shëmtuar Parti e Punës, Sigurim i Shtetit, komunizëm, Enver Hoxha.
Kur dola, më në fund, nga biruca, shokët e dhomës më pritën jo vetëm me dashamirësi, por edhe me entuziazëm. E meqë më afër, qoftë edhe me shtrat, kisha Dullën, ai që nuk e priste fjala fjalën, si gjithmonë më tha: “Uran, kur të futën në birucë, sigurisht pa faj fare, të gjithë thamë, se kishte marrë fund edhe puna jote, do të të ri-dënonin. Dhe sigurisht, jo vetëm që na erdhi shumë keq, por edhe ta qamë hallin. Por tashti që të kthyen në dhomë, duket se kanë hequr dorë nga ajo punë e poshtër dhe u gëzuam shumë. Kështu, mbaroji edhe këto ditë që të kanë mbetur dhe kthehu në familje, pranë nënës, gruas dhe djalit tënd dhe paç jetë e fat të mbarë, tashti e tutje”!
– “Faleminderit, Dullë”! – ia ktheva unë i përdëllyer në shpirt, për më tepër që një urim të tillë, ma bënte një shok që i kishin mbetur edhe shumë vite për të bërë burg, i ri-dënuar për së dyti, i shkreti, ashtu si dhe disa të tjerë. Vërtetë, ç’të kishte ngjarë më mua? Pse nuk më proceduan për ri-dënim? Si kam thënë, unë isha ruajtur shumë nga dhënia e shkakut, po ku pyesnin sigurimsat, për fakte të vërteta? Ata “faktet” i sajonin vetë, në zyrat e tyre të errëta, si shpella e shtrigave magjistare të së keqes, të vdekjes, të ndihmuar edhe nga shërbëtorët e tyre, spiunët e burgut, këta “dëshmitarë” gjithnjë të gatshëm, edhe pse gjithnjë të rremë. Këta “rezilë e jallan shahitë”, siç thoshte turku dikur.
Njeriu mund t’ia atribuojë ndodhitë e jetës fatit të keq, sidomos ato të këqijat, sepse, me ndërgjegje, me bindje dhe edukatë të traditës, beson shumë në predestinatën, paracaktimin e fatit të njeriut, të shkruar diku në një libër në duart e Zotit. Edhe unë e kam pranuar deri diku fatin, ndoshta edhe nga fakti që njeriut i mbetën në ndërgjegje thellë, nga edukata që ka marrë në familje e në shoqëri, bindja mbi predestinatën. Por ndryshe nga shumë të tjerë, si qenie kryesisht racionale që kam qenë, qysh kur nisa të gjej mëndtë e mia, kërkoja gjithmonë të gjej shkaqet e rrethanat e çdo ndodhie dhe sa përgjegjës kam qenë unë vetë, me veprimet e mija të matura e të pamatura, në krijimin e këtyre shkaqeve, në mos jo edhe të rrethanave.
Dhe pikërisht mbi këtë bazë nisa të arsyetoj. Natyrisht që nuk jam aspak 100 për qind i sigurtë që e kam gjetur të vërtetën e plotë, dhe në ndërgjegje ende më kanë mbetur jo një, por disa pikëpyetje. Pra, si shpëtova unë nga ri-dënimi? Para se të më fusin në birucë, nga altoparlanti i varur në mur, mbi kokën time, e gjithë dhoma, i gjithë burgu, mësoi për “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut, numri dy i regjimit. Kam folur më parë për këtë fakt, në faqet e shkuara. Por ndërkohë, pasi u ktheva në dhomë, si dola nga biruca, mësova nga shokët, se pas vrasjes së kryeministrit të kuq e mizor, ishin arrestuar edhe plot të tjerë, bashkëpunëtorë, familjarë e bishta të tij. Pra nga gjiri i Partisë kishin pas dalë “armiq të rinj”, por të rrezikshëm.
Hej dreq, kjo dreq kuçedra parti, e paska patur barkun plot me gjarpërinj gjithmonë?! Kështu, mendova unë, dhe po i këtij mendimi ishte edhe Abdullai, se komunistet kishin një telash të madh tashmë mes tyre, dhe mua, o Zot, nuk duhej të ma kishin varur fare. Ndaj dhe shpëtova pa u ri-dënuar. A ishte rastësi kjo, apo ishte fat? Këtu e pranoj unë fatin! Dhe me takon të them, me këtë rast, me gjithë bindjen: “Shyqyr dhe faleminderit, o Zot”!
Dita e lirimit
Më në fund erdhi dita e lirimit, 30 janari i vitit 1982! Natën, para asaj dite, gjumi nuk më zuri me orë të tëra, dhe vetëm afër mëngjesit, nuk di a fjeta një a dy orë. Ku nuk më bridhte mëndja, brenda mureve të burgut e jashtë tij, në të ashtuquajturën “jetë e lirë”. Por, domosdo, kryesisht mëndja më rrinte më shumë te familja. Kisha afër një vit pa i parë të mitë: gruan dhe djalin. Gruaja kishte nisur disi të tregonte në fytyrë qartas, shenjat e lodhjes, të vuajtjeve. Po djali? Ai nuk ishte më ai fëmija i vogël katërvjeçar, i njomë, bukurosh, hundëçip, flokë-flori e qumështor, me atë zëthin e ëmbël si cicërime zogu, fjalëshumë, që fliste pa reshtur në takimet e para, pas faljes së jetës.
Ai fëmijë, që në ato fjalë më shprehte gati vajtueshëm mallin e tij fëminor, nuk e dinte se për të, unë e jepja pa ngurrimin më të vogël jetën. Nuk ishte më ai zogu që, duke cicëruar fort, mundohej, mes hekurave të zymtë të burgut, apo telave me gjemba të kamp-burgut, sa i frikësuar, sa i habitur aq edhe i kuriozuar, të më fliste, të më tregonte punët e tij, të familjes, të së ëmës, të gjyshes e me radhë, apo të më fliste për lodrat e veta që kishte nisur t’i bëjë vetë, me doçkat e veta të njoma, foshnjërake. As nuk ishte më ai gjimnazisti i ri, në sytë e të cilit, tek rrinte me kokën varur pas hekurave të sportelit të derës së hekurt të burgut, shikoja një trishtim të thellë, një dhimbje të madhe, të cilën me zor mundohej ta fshihte me fjalë.
Tashti ai ishte bërë burrë, mbi njëzetvjeçar, punëtor. Madje ishte dhe mbrojtja e vetme mashkullore në familjen e cunguar fort në numër, prej tij, se ëmës dhe gjyshes së tij plakë, të dergjur në shtrat. Nuk ka qenë aspak kujdesi dhe frika për veten gjatë njëzet vitesh burgim, sa ka qenë shqetësimi për ta, për gruan dhe djalin. Shpeshherë më mundonte frika se mund ta arrestonin edhe atë, si kishte ndodhur me shume bij të të burgosurve të tjerë. E dija që më parë se ime shoqe s’mund të vinte për të më pritur në derën e burgut e të ktheheshim bashkë në shtëpi.
Ajo nuk kishte leje të largohej nga qyteti i Shkodrës pa autorizimin e Degës së Brendshme. Dhe nuk doja që të shkonte prapë në atë dreq vendi e të lutej. Për më tepër, nuk do të mund të më ndihmonte në bartjen e teshave të fjetjes, që ishin të renda e që tashmë edhe unë vete nuk kisha aspak fuqi t’i ngrija në krahë, pas 14 vjet ngujimi në burg. Pa kisha dhe trastën me veshmbathjet si dhe atë të librave, që peshonin shumë. E pos kësaj, duhej që ajo të vinte një ditë më parë e të flinte në ndonjë hotel të Burrelit, që nuk e dija si mund të ishte. Një copë grua e vetme, e lodhur, e sfilitur nga vuajtjet, që nuk ishte më e re. Ndaj kërkova, me letër, që te vinte djali, tashmë burrë, 24 vjeç.
I kisha shkruar të më sillte edhe pak kafe, ca karamele dhe ca paketa cigaresh, për të qerasur shokët e dhomës në mbrëmjet e vigjiljes së ditës së lirimit, duke respektuar kështu besnikërisht një lloj tradite që ishte krijuar prej vitesh në burg, në raste lirimi. Dhe vërtete, një ditë më parë djali mbërriti te dera e burgut ku dhe bëmë takimin. Folëm pak, sa për t’u mallur. Dhe pastaj polici nisi të kontrollojë trastën me sendet e porositura, sipas rregullit. Po ndërkohë djali, i shtyrë nga kërshëria për të parë brenda se ç’bëhej, desh të zgjasë kokën te sporteli i asaj dere të hekurt. Polici e pa dhe iu turr si i tërbuar e plot kërcënim.
Djali i shkretë u tremb dhe u tërhoq, tamam siç i ndodh njeriut kur i turret me të lehura një qen roje, me dhembët e kërveshur gati për ta shqyer. M’u dhimb në shpirt im bir dhe atëhere iu ktheva policit me inat:
– “Çfarë ke që i turresh atij? Mos ka ndonjë sekret të madh këtu? Lëre të qetë, se e ka marrë malli për babën e vet, nëse kupton dhe je njeri a prind edhe ti”! Polici, që nuk e priste ndërhyrjen time, u step, mbylli sportelin dhe vazhdoi punën e vet të kontrollit, pa folur më asnjë fjalë. Sigurisht ai do ta dinte se unë duhej të lirohesha të nesërmen. Kështu do të ishte e kotë të më kthehej mua, të më godiste a të më fuste në birucë. Ndoshta bënë punën e tyre edhe fjalët e mia e, kështu gjendja u qetësua.
Pas kontrollit të trastës, polici hapi prapë sportelin dhe atëhere u takova me tim bir. Ishte takimi i fundit me të në atë vend të zymtë e të mallkuar. Nuk e di se i sati takim qe ai. Nuk i kisha numëruar ndonjëherë. Takimi i parë në burg me djalin dhe time shoqe, e kisha bërë afër dy dhjetëvjeçarë më parë, ndërsa ndodhesha në birucat e Koçit. Po, në ato çaste, kur po flisja me tim bir, ai takim i parë dhe fort i dhimbshëm, se si m’u kujtua aq qartë, gati në të gjitha hollësitë, sikur ta kisha bërë dje, me të vetmin ndryshim, se atëherë im bir ishte një foshnje katërvjeçare e, tashti ishte bërë burrë. Gati një jetë e tërë e humbur kot, me vuajtje e tortura shpirtërore për të dy palët. E pse?
Në mbrëmjen e asaj dite, pas apelit të zakonshëm, shokët e dhomës erdhën radhë pas radhe të shtrati im, siç ishte zakoni, duke më uruar për lirimin tim. E unë i qerasja me ato që kisha. Dhe kur ra sinjali i të fjeturit, domosdo që rashë dhe unë të fle, por gjumi im kishte marrë arratinë. Çfarë nuk mendova atë natë të stërgjatë! Si në një film, më vinin njëri pas tjetrit imazhet në sytë e mendjes, që nga çastet e arrestimit, të hetuesisë së parë, të dytë e të gjithë birucave ku isha dergjur, gjyqi, dhoma e vdekjes, burgu i vjetër i Tiranës, kamp-burgu i parë, i dytë, i tretë, i katërt, i pestë…!
Dhe vajtja ime në burgun e Burrelit, hyrja në të, përshtypja e parë ngjethëse, ulërimat e kapterëve, fishkëllima prej gjarpri e operativit, dhoma e parë nr.1, e dyta, e treta, e katërta, e pesta, birucat e hequra, takimi i parë atje me gruan dhe djalin ende fëmije, me nënën plakë të regjur, që i kishte sytë të tejmbushur nga lotët, e kështu me radhë, e kështu me radhë…! Një film i trishtuar, ngjethës, torturues. E dikur, nga lodhja, më zuri gjumi. Por mbaj mend mirë, që ishte një gjumë i trazuar. Dhe me dukej, kur u zgjova nga bilbili i rojës që lajmëronte se kishte ardhur orari i zgjimit, se sikur nuk po ndieja gëzimin e lirimit, gëzimin e natyrshëm që do t’i ktheja tashmë krahët atij varri të të gjallëve, ku kisha shkrirë fare së koti vitet më me vlerë të jetës sime, rininë e një pjesë të madhe të burrërisë tashmë.
Kisha hyrë në burg ende i ri, që të mos them fare djalë, me flokë, me dhembë, me lëkurë ende të freskët, me fuqi fizike normale. E tashti po dilja i plakur, pa flokë, pa dhembë, me fizikun e lodhur, të drobitur, pa i pasë askujt, as gjithë popullit, asnjë faj, pa i pasë bërë kurrkujt keq! Dhe fare me priste tash e tutje? Asnjë siguri, asnjë garanci se nuk do të vija përsëri, si shumë të tjerë, në atë burg të mallkuar. Por edhe sikur të mos kthehesha prapë aty, ç’tjetër bela më priste vallë? Ndonjë internim? E dija mirëfilli se nuk do të isha më kurrë si kisha qenë para burgut, jo më me moshë, pamje, fuqi etj., por as si gjendje civile, qytetare.
Kisha qenë qytetar i radhës së dytë, të tretë e ndoshta të katërt, në “shoqërinë socialiste”, gjoja pa klasa, por tashti do të isha në kategorinë e fundit, atë të rajave, pre e çdo diskriminimi, padrejtësie, përbuzjeje, gjurmimi, dhune. E dija se sa të zorshme do ta kisha të gjeja punë, qoftë edhe pune krahu. E dija mirë se çfarë pune do të më jepnin, edhe sikur të më jepnin. Dhe do të jetoja detyrimisht (po të më linin edhe aty), në një qytet fare të huaj për mua, siç ishte Shkodra atëhere, pa shokë, pa të afërm, veç familjes, pa miq, pa përkrahje, në varfëri të skajshme, gjithnjë me frikë në zemër, se mund të më arrestonin prapë, kur t’u tekej pushtetarëve, kur të kriste ndonjë fushatë e re arrestimesh, dukuri e zakonshme, kjo në diktaturën e Hoxhës, si në atë të Stalinit, ustait të tij…!
Ja kështu, gëzimi i lirimit fashitej. Atij i merrej fryma nga asfiksia që shkaktonte frika, dhuna, terrori i asaj shoqërie a jete të dhunuar prej shumë dekadash. I vetmi ngushëllim ishin familja, ime shoge, im bir. Ndoshta edhe mundësia që hera-herës të mund të takoja e të rrija pa polic pranë, edhe më nënën, vëllanë, motrat, nipat e mi. I vetmi ngushëllim se tashti e tutje do të thithja ajrin e pastër pranë familjes, se do të haja bukën e djersës sime dhe jo atë të djersës së time shoqeje e të djalit, që më dhimbseshin njëmijë herë më fort se vetja ime, se nuk do të haja më bukën e hidhur të burgut, se do të rrija kokë më kokë me familjarët e mi të dashur, shumë të dashur, se nuk do të kisha në çdo hap, mu në hunde, policët, operativin, komandantët, komisarët, uniformat ushtarake, të cilat i kisha patur zët qysh në moshën e fëmijërisë.
Kur kaluan edhe orët e para të mëngjesit, unë u bëra gati. Lidha dengun e teshave të fjetjes, ndava ç’kishte mbetur nga karamelet e kafja, enët e mia te burgut, tasat, tenxheret, lugët, paguret, cigaret, do tesha trupi, një gozhup, poturet prej shajaku, kasketën e burgut, ndonjë libër a fjalor, duke i bërë, me sa munda, ca shokë, “pronarë” të ish- pasurisë sime të mjerueshme prej burgaxhiu të vjetër. Dhe prisja. Dikur, andej nga ora dhjetë e paradites, dera e dhomës u hap dhe doli në shesh figura e kapterit që ishte roja e radhës në atë orar. Ishte po ai polic që gjoja më kishte gjetur letra bixhozi në shtrat, e gjoja ishte bërë shkak për dënimin tim një muaj birucë, para lirimit.
Nuk e shikoja me inat, nuk kisha më ndaj tij mëri. E dija mirëfilli që ai s’kishte qenë, veçse një vegël e zakonshme e dikujt tjetër, ndoshta në komandë, ndoshta në Degë, apo ndoshta edhe në ministri. Më një punë të tille, madje shumë më të keqe se ajo, qe mund t’i merrte jetën me mundime një të burgosuri, ai polic, tashizë edhe i thyer në moshë, mbante familjen, duke ushqyer dhe rritur fëmijët e tij me gjakun, vuajtjet dhe jetën tonë, e duke pandehur se fitimi i bukës për familjen e tij, ishte tashmë e ndershme, njerëzore.
Meqë dengun s’e ngrija dot vetë, më ndihmuan shokët gjersa e nxora në daljen e korridorit që nxirrte në oborr. Sigurisht pasi u përqafova me gjithë shokët me lot në sy. Se vallë, a do të mund të shiheshim prapë, tashmë jashtë burgut? A do të vinte një ditë e tillë? Në oborr e tërhoqa zvarrë dengun e pas tij edhe dy thasët, të librave e të ndërresave. Dhe përfundova te dhoma e takimeve, domethënë te dera e madhe e hekurt e hyrje-daljes së burgut. Më në fund kjo derë e mallkuar u hap edhe për mua për së dyti.
Ajo derë ishte e hapur për të më gëlltitur brenda saj me aq rrapëllime ogurzezë, ajo derë që kishte patur dikur të ngarkuar emërtimin mizor “burgu i armiqve të popullit” dhe pranë saj parullën ogurzezë: “Këtu i thonë Burrel, kush hyn nuk del”, tashti po më linte të dilja pra jashtë saj, pa mundur të më marrë shpirtin si dëshironte, sepse unë kisha ditur e mundur të qëndroj, të duroj dhe të dal si kisha hyrë aty, kokëlartë. Në derë, sa u hap, u dha djali. Pas përqafimit të përmallshëm, me lot në sy, ai rrëmbeu dengun dhe u nis të shkojë. E pas tij morra rrugën edhe unë, drejt folesë familjare. Çfarë ndodhi më pas, është një histori më vete, e cila pret të shkruhet, nuk e di ende se kur, po të më ketë mbetur ende kohë për të jetuar?! / Memorie.al