Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror I Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një process-verbal i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të zhvilluar më 25 maj të vitit 1978, me temë: “Mbi një gjendjen dhe mbi disa problem që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku asistonin edhe Ramiz Alia, sekretar i Komitetit Qendror që mbulonte propagandën, artin e kulturën, Pilo Peristeri, kandidat I Byrosë Politike dhe Drejtor i Kombinatit të Autotraktorëve, “Enver Hoxha”, zv/ministri i Arsim-Kulturës, Anastas Kondo dhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Dritëro Agolli. Proces-verbali i plotë i asaj mbledhje të drejtuar nga Enver Hoxha, ku ishin të ftuar dhe merrnin pjesë edhe aktori dhe regjisori i famshëm i teatrit dhe kinematografisë shqiptare, Pirro Manit, aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.
“Teatri ynë ka një eksperiencë shumë të madhe në bashkëpunim me aktorë – dramaturgë. Gjithmonë kur kjo punë është bërë mirë, ka pasur një harmoni në mes të autorit dhe të regjisorit të teatrit, gjithmonë rezultatet kanë qenë positive. Nga ky bashkëpunim i ngrohtë, konkret dhe jo në përgjithësi, neve na kanë mbetur ose do të na mbeten shumë vepra dinjitoze në fondin e saj të artë të skenës sonë, duke filluar që nga veprat e para si “Toka jonë”, “Familja e peshkatarit”, “Cuca e maleve”, etj. Përmenda disa nga këto vepra të cilat janë mjaft serioze. Ky bashkëpunim, sidomos kohët e fundit ka ardhur duke u bërë akoma më i fortë, më konkret. Në teatrin tonë ne kemi mjaft kuadro që nuk punojnë në teatër, po që merren me shkrime dhe janë shkrimtarë. Ata jo vetëm që na ndihmojnë me veprat e tyre, por ata vijnë edhe në teatër, njihej dhe me procesin e vënies në skenë, njihen me ligjet e skenës, gjë e cila është më se e domosdoshme për autorin. Të rinjve tanë ne u kemi besuar me guxim, u kemi ndenjur shumë afër i gjithë kolektivi, organizata, ne regjisorët e vjetër dhe me të vërtetë ka pasur rezultate. Për shëmbull, Dhimitër Pecani, jo vetëm që deputoi me sukses në skenën tonë, po ai shkoi edhe në Fier ku dha një shfaqje të bukur për teatrin e Fierit. Përveç kësaj janë një numër i madh regjisorësh të televizionit, si Albert Minga që ka dalë nga gjiri i televizionit, i Teatrit Popullor, po kështu dhe Vladimir Prifti dhe Agim Qirjaqi. Pra duhet t’u besojmë “shkopin e dirigjentit” të rregjisorit, djemve të rinj që të çajnë përpara dhe të dalin talente, se populli ynë është shumë i talentuar”.
Kështu u shpreh në mes të tjerash në diskutimin e tij regjisori i njohur i teatrit Pirro Mani, në një nga mbledhjet e Sekretariatit të Komitetin Qendror të PPSH-së e mbajtur më 25 maj të vitit 1978 e cila drejtohej nga Enver Hoxha, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alia, Pilo Peristeri, Anastas Kondo e Dritëro Agolli. Në atë mbledhje me temë: “Mbi një gjëndje dhe mbi disa problem që dalin për rritjen e nivelit ideo-artistik të krijimtarisë së teatrit dhe estradave profesioniste”, përveç Pirro Manit, merrnin pjesë edhe aktorja e njohur e Teatrit Popullor, Violeta Manushi, aktori i estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, Tano Banushi, etj.
Për më shumë se çfarë është folur dhe diskutuar në atë mbledhje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Anastas Kondo e Dritëro Agolli, si dhe nga të ftuarit: Pirro Mani, Violeta Manushi dhe Tano Banushi, na njeh dokumenti arkivor në fjalë me process-verbalin e asaj mbledhje të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, që Memorie.al e publikon për herë të parë dhe të plotë në disa numra të rubrikës dossier.
Proces-verbali i mbledhjes së Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, 25 maj 1978
“MBI GJENDJEN DHE MBI DISA PROBLEME QE DALIN PËR RRITJEN E NIVELIT IDEOARTISTIK TË KRIJIMTARISË SË TEATRIT DHE ESTRADAVE PROFESIONISTE”
SHOQJA VIOLETA MANUSHI: Po, shoku Enver, është bërë si një jetë e dytë. Ja të marrim si shembull pjesën teatrale “Doktori pacient”, të Ruzhdi Pulahës. Në këtë pjesë ngrihet një problem i jetës, siç e pamë drama flet për spitalet. Meqenëse në të bëhet fjalë për një operacion, ne kemi shkuar në spital, kemi biseduar me mjekët për përvojën e mirë, për shqetësimet që kanë ata përpara operacionit. E bëmë këtë pikërisht për të sjellë në skenë atmosferën e spitalit. Me një fjalë mundohemi që jetën ta sjellim në skenë, ta ngremë në art, me ato mundësitë tona artistike.
Një ndihmë e mirë është gjithashtu edhe ndihma që u japim ne grupeve amatore, po në të njëjtën kohë edhe ata na ndihmojnë neve. Neve vemi dhe i mësojmë ata, por edhe ne mësojmë prej tyre, nëpërmjet tipave që ndeshemi dhe mundohemi t’i bëjmë artistë: ne mësojmë, për ne kjo është një shkollë e madhe se kemi në trurin tonë shumë tipa për t’i paraqitur në skenë.
Teatri ynë e ka bërë të traditës edhe ndihmon lëvizjen amatore, por mua më duket se kjo lëvizje ndihmohet vetëm me fushata, atëhere kur vjen konkurimi. Unë them se çdo aktor duhet të ketë metodë pune e të mos veje për t’i ndihmuar vetëm dy javët e fundit para konkurimit. Po të veprohet kështu, atëhere ndihma do të jetë e përciptë dhe lodhja do të jetë e madhe. Pra, ndihma duhet të jetë e vazhdueshme, mirpo dalin pengesa se ndërmarrjet nuk e vlersojnë të tëra njësoj këtë problem. Ka raste qe edhe tani kur vemi, nuk i përgjigjen kësaj fushate kaq të madhe. Kështu që duhet një bashkëpunim më i mirë, një punë më bindëse nga të gjithë bashkë që të jemi në gjendje të sjellim në skenë më shumë vepra dhe talente dhe më të mirë se janë studiuar për një kohë të gjatë dhe nuk do të ndodhë siç ka ndodhur ndonjëherë që kemi gabuar duke mos sjellë atë duhet.
SHOKU ENVER HOXHA: Mirë, shoqja Violeta, shumë mendime të mira dhe të nevojshme the. Edhe në skenë gjëra të mira na jep, por edhe këtu na dhe shumë mendime të arsyeshme dhe shtrove kërkesa të drejta që teatri ynë të përparojë. Këtu ne duhet t’I bëjmë të njohura Partisë , se janë çështje bazë për të gjitha trupat e teatrit e të estradës sonë. Këtu është fjala për çështje parimore për të pasur një teatër, një estradë dhe një degë tjetër të artit në një nivel më të lartë, të përsosur ideoartistik lidhur me situatën aktuale. Shumë mirë, tani do të na flasë ndonjë tjetër.
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Në dramë vihet re se është bërë një punë shumë e madhe. Përpara vitit 1973, ishte problem se nuk kishte repertor, ose më saktë kishim pak. Sigurisht në këtë drejtim ka luajtur rol negative puna anti Parti e Fadil Paçramit që fliste gjithnjë ashtu siç mendonte ai “vezën e madhe”, që do të thoshte: mbeti teatri me një pjesë. Tani me gjithë këto punë të mëdha që ka bërë Partia, është bërë një transformim i madh, veçanërisht që kur e ka marrë Partia në dorë këtë punë. Teatri është akumulim, prandaj mendoj se do të kemi një hop cilësor shumë të mirë në teatër. Ai akumulon vazhdimisht dhe kjo gjini e artit do të ecë përpara se bëjnë presion edhe artet e tjera, përshembull muzika, romani, poezia, artet figurative. Të gjitha këto janë më përpara në krahasim me teatrin. Një presion i tillë do ta shtyjë edhe teatrin, do ta ngjisë atë me doemos. Është si ai presioni që ushtron rritjen e rendimentit të grurit dhe të misrit. Sukseset e degëve të tjera të artit do ta ngrenë teatrin në një shkallë të lartë.
Ndofta nuk e kam të saktë mendimin, po unë them se roli udhëheqës i Partisë mbi teatrin duhet konceptuar pak më gjerë se ka qenë deri tani. Këtë rol, ne shpesh herë e reduktojmë vetëm për sigurimin e repertorit dhe në përmbajtjen e dramës, nëse ka apo nuk ka të meta. Në të vërtetë ky rol është shumë i gjerë, që nga kuadri drejtues e deri në shkollat, që nga përgatitja e dramaturgëve të rinj, e deri te lëvizja amatore. Kështu që duhet menduar më mirë për këtë çështje, sidomso çështja e kuadrit se në teatër dhe në estradë ndonjëherë nuk është parë si duhet, megjithëse kohët e fundit kjo punë është përmirësuar. Kjo ndodh sepse këtu vihen njerëz jo shumë të pasionuar për teatrin. Ata mund të jenë nënpunës të zakonshëm, njerëz të ndershëm, por punën me teatrin nuk e kanë me passion.
SHOKU ENVER HOXHA: Administratorët?
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Po, shoku Enver. Edhe administratorët të jenë njerëz me pasion të madh që të grumbullojnë rreth tyre krijues, njerëz me fantazi. Teatrot duhet të kthehen në qendra krijuesish, në qendra kulture, ku të kenë pasionin. Këtë do ta bëjë edhe administratori. Komitetet e Partisë duhet ta shohin këtë çështje jo vetëm kur shikojnë pjesën nëse ka gabime, apo nuk ka, por një çikë më gjerë, ta shikojnë punën në perspektivë. Përshembull, në vitin 1980, ne do të kemi 20 filma të Kinostudios dhe 15 të Televizionit. Sikur nga pesë aktorë të aktivizohen, do të duheshin 175 aktorë në vit, atëherë si do të zgjidhet kjo çështje? Kjo ka të bëjë edhe me dramaturgët edhe me regjisorët. Me katër ose pesë dramaturgë, ne nuk do të zgjidhim këtë punë. Pra, duhet nxitja dhe edukimi i dramaturgëve të rinj. Kjo ç’ështje, mendoj unë, duhet parë edhe në pranimin në universitetet dhe në institutet e larta, si p.sh., ne sot kemi një mesatare për pranimin në shkollat e larta, mbi notën “8”, por sigurisht më i preferuar është “9”-ta ose “10”-ta. Tani ka talente që tregon se mund të bëhen dramaturg, po ky nuk i bën dot konkurencë “9”-ës dhe “10”-ës, se vërtetë është i pasionuar pas letërsisë, por nuk vete mirë në matematikë ose në gjimnastikë. Mirpo, këto nota i ulin mesataren. Unë mendoj se Komiteti i Partisë duhet ta bëjë një lëshim për këtë talent, madje unë them, se po të ishte parë aq strikt mesatarja, as unë dhe as Ismail Kadareja, nuk do të mund të konkuronim dot me notën “10” në matematikë. Ne ishim nxënës të mirë, por jo në të gjitha lëndët, d.m.th., nuk do të kishim arsim të lartë po të ishte parë aq strikt, nota mesatare, kështu është dhe për disa që janë talente, por që mund të mbeten pa arsimin e lartë, prandaj mendoj se kjo duhet parë.
Më kujtohet shoku Enver, kur ju patë një tabllo të vogël të Sali Shijakut, që dhjetë vite më përpara. Ju që atëhere, thatë se ky djalë ka talent, por duhet t’i japim arsim. Ai u dërgua të studiojë dhe është një nga piktorët më të mirë. Kështu mendoj se duhet të punojë Partia në rreth, kur ka të bëjë me njerëz të talentuar. Në këtë pikpamje, them unë që duhet të bëjmë parashikime siç bëjmë në urbanistikë, në industri etj. P.sh., në Kombinatin Metalurgjik, do të ketë 14.000 punëtorë dhe bashkë me gratë bëjnë 28 mijë. Po sikur, nga dy fëmijë të kenë këta, atëherë këta do të bëhen 56 mijë. Duke pasur parasysh këto llogari, mendohet se shkolla do të ketë dhe këtë e planifikon Ministria e Arsimit dhe Kulturës, sa klube do të ketë, sa shtëpi kulture, etj. Po kështu duhet punuar edhe me problemet e teatrit, se p.sh., në vitin 1980, do të kemi ta zëmë një numër të caktuar aktorësh, po në vitin 1990? Pra ky problem duhet parë në këtë prizëm edhe nga neve vetë. Ne, nga ana e Lidhje së Shkrimtarëve dhe Artistëve, kemi përgjegjësinë tonë, sepse duhet t’i diskutojmë më shumë këto probleme. Edhe deri tani e kemi diskutuar, kemi bërë shumë seminare e konsulta edhe me Ministrinë e Arsimit e Kulturës, po kultura e këtyre seminiareve duhet që të ngrihet më shumë, sepse kjo ngritje ndikon edhe në kulturën e dramaturgëve. P.sh., kulturën e të shkruarit të dramave, megjithë rezultatet shumë të mira që kemi, prap e kemi pak të ulët nivelin. Ne bëjmë gjëra të standartit ndërkombëtar, si Hidrocentarli i Fierzës, Kombinati Metalurgjik, etj., atëhere ky standart ndërkombëtar duhet të bëjë edhe pak presion në kulturën e të shkruarit të dramës, në nivelin artistik, sepse shpesh herë ka shumë frazeologji, aktori nuk flet me gjuhën normale të njeriut tonë. Mua më ka bërë përshtypje shumë të madhe që fjalën tuaj shoku Enver në Ksamil, kur ju flisnit për furxhinë, si piqet buka, si bëhet ajo. Kjo nuk ka të bëje vetëm me bukëpjekësin, por ka të bëjë me kulturën e jetës praktike, me kujdesin dhe me traditën. Çfarë dua të them me traditën: p.sh., ky furrtar nuk është furrtar norvegjez, apo rus, ai është shqiptar. Aktori që e ka këtë rol, duhet të jetë tamam furrëtar, të flasë me gjuhën e tij dhe jo ta kthejë në gjuhën agjitative e t’ja prishë bukurinë, p.sh., të thotë: “Duhet të realizojmë planin në drejtim të pjekjes së bukës”. (të qeshura). Kështu humbet aty gjuha njerëzore. Shpesh herë ne aty e kemi të metën tonë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Domethënë e teknizove?
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Kështu teknizohet dhe ndrydhet gjuha. Kështu mendoj unë, vuajnë shumë dramat tona. Ato vuajnë se dramaturgu vetë duhet të ketë mendime, të ketë kulturë të madhe, sepse heroi i dramës është vetë dramaturgu, ai sa mënd ka, aq do t’i japë edhe heroit pozitiv, se heroi pozitiv ku vepron? Ai vepron në disa sfera: Në ekonomi, në bujqësi dhe në kulturë. Në qoftëse se shkrimtari që i shkruan këto nuk ka dijeni në këto sfera, atëhere as heroi pozitiv nuk flet për ato. P.sh., gratë i nxjerrin në drama të zbehta në role që ato kanë, ashtu siç tha edhe Violeta. Gratë nuk dalin mirë në dramat tona, dalin tepër agjitative dhe thërresin, grinden. Ato kontraditat i keqkuptojnë dhe në vend që gruaja e vendit tonë të paraqitet e bukur dhe dinjitoze, ashtu siç janë gratë tona, dramaturgu na e parqet të tilla, që të mos martohesh dot me të. (Të qeshura).
SHOKU ENVER HOXHA: Në shtëpi, kam nënën e Nexhmijes. Sa herë që shikon shfaqjet që jep televizioni, e ku ka ndonjë pjesë të tillë që bërtasin, siç thua ti Dritëro, thotë: “Po pse bërtasin, more Enver, ç’kanë që bërtasin xhanëm”? Nuk kanë gjë, i them unë, mos e ka fajin mikrofoni (Të qeshura).
SHOKU DRITËRO AGOLLI: Unë them që gjithë ky akumulim i madh dhe gjithë kjo punë që është bërë do ta çoj përpara dramaturgjinë. Më bëri përshtypje kur i tha Anastas Kondos një kosovar që ishte në ‘Dekadën e Majit’: “Me këtë që bëtë ju me koncertet e Majit, për dhjetë vjet mund ta bëjmë, d.m.th., një të dhjetën mund të bëjmë ne”. Ky respekt i madh i spektatorit, neve si shkrimtarë duhet të në vejë përpara përgjegjësisë. Ne do të bëjmë edhe një plenum të Lidhjes, e kemi përgatitur dhe do ta bënim në prill, mirpo me që do të vinim në sekretariat, thamë që këto mendime dhe porositë tuaja t’ja trasmetojmë plenumit.
SHOKU ANASTAS KONDO: Unë po flas pak për atë që tha Dritëroi tani, për dashurinë e spektatorit ndaj dramave. Është një fakt shumë interesant se si ka ecur rritja e numrit të spektatorëve nga viti në vit. Më 1974-ën, ishin 759 mijë, në 1975-ën, ishin 862 mijë, në 1976-ën, ishin 970 mijë, në 1977-ën, ishin 1.020.000 spektatorë. Është interesantë se edhe në fshat është rritur interesimi, nëqoftëse në 1974-ën, patëm rreth 154 të çfaqjeve në fshat, tani kemi 326.
Të gëzon edhe fakti që kur vete ne teatër, sheh tek pjesa më e madhe, 80% janë të rinj dhe të reja. Kjo mendoj unë ndikon mirë në edukimin dhe në angazhimin e kohës së lirë të këtyre njerëzve. Këta po marrin kulturë, po marrin dashurinë për traditën, për teatrin, afrohen me njëri-tjetrin dhe reagojnë në atë mënyrë që e bën tetarin tonë të afërt. Këtu më duket mua, është një ndër borxhet kryesore të teatrit. Kërkesat janë shumë të mëdha, aq sa janë dhe në një gjini për të cilën ne jemi realist dhe jemi të ndërgjegjshëm që kemi më të ulët se Teatri, siç është Estrada, megjithatë, sallat janë plot. Por këtu ne nuk duhet të abuzojmë, ne duhet ta ngasim më mirë këtë problem.
Kemi një kontraditë, që e tha edhe Dritëroi edhe Violeta, problemin sa mund të ushqejmë në teatrot me drama. Këtë duhet ta kapërcejmë shpejt. Vetëm një fakt është kuptim plot, gjendja nuk është më siç ishte më përpara, se ishin vetëm tre katër dramaturgë të mirë. Sot ne kemi rreth 25 dramaturgë të mirfilltë që ngasin dramën. Tani ka të tillë dramaturgë siç është Ruzhdi Pulaha, dramat e të cilit po ngjallin interes. Ky është një dramaturg i mirë dhe mendoj se një nga burimet e sukseseve të tij, është fakti që ai vajti në Pogradec, sepse vajti pranë teatrit, më afër njerëzve dhe u lidh më mirë me Teatrin e Korçës. Vëmë re se ai autor lidhet mirë me teatrin dhe e zgjedh mirë problemin. Konkretisht pot ë shohim dramën e Misto Markos që po vë në skenë kohët e fundit Teatri Popullor, me ndihmën e madhe të regjisorëve, të aktorëve, ne shpresojmë të dalë një dramë e mirë. Dramat e Ruzhdi Pulahës, të Teodor Laços dhe të autorëve të tjerë po ashtu, janë drama të mira dhe pëlqehen nga publiku./Memorie.al
Vijon në numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016