Nga Visar Zhiti
Pjesa e pestë
Pllaka të kujtesës dhe thasë…!
NË LUFTË DHE PASLUFTËS
Kartela e gazetarit, Nebil Çika
(1983-1944)
Memorie.al / Publicisti i njohur dhe mendimtari Nebil Çika, rrjedh nga një familje me tradita patriotike dhe kulturëdashëse nga Borshi i Sarandës. Në ishullin përballë, në Korfuz, kreu Kolegjenin Francez dhe më pas atë amerikan në Stamboll, Robert College. Në gazetat dhe revistat më të njohura turke nisi të botojë artikuj dhe është ndër të parët atje që do të përkthente në gjuhën turke filozofin e shquar gjerman Fridrih Niçe.
Kthehet në atdhe bashkë me pavarësinë, në 1912. Forcat greke e burgosin si kundërshtar të planeve të tyre shoviniste për copétimin e Jugut epirot shqiptar…! Me t’u shpallur Tirana kryeqytet, më 1920, vendoset atje. Bëhet një nga themeluesit e gazetarisë modern shqiptare. Krijon revistën “Minerva”, e para me ngjyra në Shqipëri. Me ngjyra të kohës dhe të dëshirave, thoshin. Do të jetë dhe korrespondent i “New York Times” dhe “Reuters” nga Tirana, detyrë që e ushtroi deri në fund të jetës së vetë. Bashkë me Branko Merxhanin, Ismet Toton, Vangjel Koçën, etj, janë themelues të lëvizjes “Neoshqipatrizma”, e cila synonte lartësimin kulturor e politik, shpirtëror së pari, të kombit shqiptar…!
Artikujt e tij që nga vjeshta e vitit 1942 deri në marsin e vitit 1943, të botuara nën dy qeveri, atë të Mustafa Krujës dhe të Maliq Bushatit, i nxjerr në librin “Njimendësia shqiptare” me nëntitull “Studim politik dhe psykologjik”, i cili pati jehonë dhe debate ndër intelektualë. Nebil Çika “ndënë fashizm as bëri pallate, as u bë Ministër, as përfitoi nga lejat e importimit. Rrojti si gazetar, jetën e hidhur të nëpunësit” – shkruan shkrimtari Mitrush Kuteli. Dhe fitimtarët komunistë e rrëmbejnë në shtëpinë e tij… terror i kuq….Atje në hotel “Bristol”. Në bodrumet e tij…Kufoma njëra mbi tjetrën, kostume të zinj me vrima plumbash nga rridhnin rrëkera gjaku… vazhdojnë në kujtesë…! Masakra u krye më 16 nëntor 1944. Të nesërmen çlirohej kryeqyteti. E ç’çlirim ishte ky?!
Arbëreshja Elsa Çika, zonja e Nebil Çikës, të porsa pushkatuar, do të shpallej kriminele lufte dhe armike e popullit dhe do të ikte në Itali në vitin 1946 ashtu siç kishin ikur të parët e saj në bregun tjetër që t’i shpëtonin pushtimit otoman, asaj hordhie shtypjesh dhe zjarri…!
NË BURGUN E ATDHEUT
Me krijimin e togave të pushkatimit, institucioni i parë që u ngrit, ishte burgu. Në kujtimet e një bashkëvuajtësi, Petrit Velaj, që e kaloi jetën burgjeve dhe internimeve, tregohet për arrestimet që bënin partizanët, kur nuk kishin marrë pushtet. Mbi një qerre krijuan qelinë e parë ambulante. Përfytyroj ecjen e zvargur të asaj qerreje, gjithnjë duke u zmadhuar, duke u bërë makina e diktaturës, që do të përkryhej si një gijotinë e hatashme. Është Hark Triumfi thoshte Partia dhe poetët e saj do të nguteshin kush e kush t’i kushtonte poemën më të bukur, duke e krahasuar presën e gijotinës, që binte “pa ia da” mbi kokët e njerëzve, me vezullimet e vetëtimave të lirisë.
Nekromania ideologjike shfaqej me masakër. Por së pari duhej vrarë At Gjergj Fishta, sipas fitimtarëve, kundërshtar i komunistëve, s’ka gjë se ishte Poeti Kombëtar, i quajtur homerik, e fundmja lahutë e botës, ndërkohë dhe satiristi më i madh në Ballkan, sipas kritikëve, akademik në Itali, pra te fashistët, i propozuar dhe për çmimin “Nobel”, nga kush, nga SHBA, vend kapitalist, Fishta ishte dhe studiues, polemist, kritik, arkitekt, piktor, politikan, etj, etj. Mos ishte gjë kundër sllavëve, jo, kundër pushtimimeve sllave dhe komunizmit që po vinte prej andej, njëlloj ishte për fitimtarët, ai, Poeti Kombëtar pas Naimit, u kishte hapur pengesa, pengesa armiqve të kombit tonë, që donin t’ia copëtonin edhe më trojet..!
Ah, Fishta kishte vdekur që gjatë luftës. Atëherë të vritej i vdekur, pavdekësia e tij. Fitimtarët ia thyen varrin në Kishë e Françeskanëve të Shkodrës, që do ta shndërronin më vonë në kinema e Kishën e Madhe në pallat sporti, dhe eshtrat – u dha urdhri – të hidheshin në lumin Drin. Dhe ashtu u bë. Por ka zëra tani që thonë se nuk u zbatua ai urdhër i kobshëm. Dhe pranë hendekëve të pushkatimit u vunë shkrimtarë të tjerë, të shkollës Veriore të Klerit Katolik, u rrafshua akademia e tyre e kulturës dhe e atdhetarisë. Do të pushkatoheshin ministra të qeverive të mëparshme, dhjetëra. Dhe, kur të mbaronin ata, do të kalohej te ministrat e mëpastajmë, tek të tyret. Por do t’i kujtojmë më pas.
Duhej filluar nga e para, duke mohuar mijëvjeçarët. Të mbylleshin burgjeve mbartësit e së kaluarës, të nacionalizmit, të kujdo që “s’ësht:ë me ne”, të asaj kulture që do të shndërrohej në qëndresë që pengonte. Qëllimi ynë është të tregojmë, se duke e pësuar kultura dhe ajo letërsi e deri atëhershme, do të dënoheshin dhe prodhuesit e tyre.
Do të dënoheshin artistë, së pari nga mjeshtërit e penës. Do të arrihej deri dhe te shkrimtari i romanit të parë shqiptar, dhe te shkrimtarja e parë grua, dhe te autori i librit të parë me kritika, dhe… dhe…të gjithë të parët ishin të kërcënuar.
Themelet e ndërtimeve në vend, e veprave më të rëndësishme, pothuajse të të gjithave: tharje kënetash, fabrika e uzina, pallate banimi, aeroporte, stadiume, miniera, brezare, kudo e kudo, janë hapur me të burgosur, madje dhe vetë burgjet, me punën e tyre të papaguar kurrë, duke mbetur kështu një mashtrim parimi themelor i socializmit: shpërblimi sipas punës. Në fakt ka ndodhur dënimi sipas punës, asaj pune që i shërbente ardhmërisë.
Aradhë shkrimtarësh dhe artistësh, vit pas viti, do t’í vinin në rresht, me pranga, për në burgje, në minierat e vdekjes. Dhe do të pushkatonin herë pas here, edhe do të varnin. Në ndihmë të diktaturës, si aleatë të saj vijnë dhe epidemitë, tërmetet, përmbytjet, ciklonet, etj.
Viti 1945, bashkë me fitimtarët i vijnë Shqipërisë dhe dy epidemi. Ndërkohë avionët e luftës ishin ulur nëpër Europë dhe si tallje e tyre, karikaturë e shpifur, përshfaqen karkalecët, pafund, gjithandej, një lloj bombardimi biologjik, i munguar, që e goditi vendin seriozisht. Me çfarë t’i luftoje, kur mungonin dizifektantët, paisjet e duhura? Karakalecë gjithandej, edhe sytë t’i sulmonin…
Im atë, autori i poemës elegjiake “Përqafimi i dy kundërshtareve”, më tregonte se ishin përdorur çarçafët, sa më shumë çarçafë, hapeshin fushave dhe karkalecët mbeteshin nën ta a dyndeshin mbi çarçafët, ngecnin si me magji pas të bardhës, çarçafë sa më shumë, shteti mblidhte çarçafë, kontrolle, konfiskime, çarçafë dhe ashtu plot me karkaleçë, u vihej flaka. Im atë kishte shkruar dhe një poezi satirike për karkalecët, që kujtohej deri vonë nga miqtë. Ata çarçafë të bardhë plot me karkalecë, që digjeshin, jepnin dhe imazhin e fletëve të librave mbi flakë. Pandemia e komunizmit kishte pllakosur vendin.
Pushkatimi i parë pas luftës
Don Lazër Shantoja (1892 – 1945)
Ja, kartela e tij. Më ngjan me gjurmë dore, e vënë në kryqin që mbartte mbi shpinë, për ta ndihur sado pak…as tre muaj s’ishin bërë nga dita e çlirimit të vendit, në një pasmesnatë shkurti të vitit 1945, diku afër Tiranës, ndanë një grope të egër, shkrehën armët me qetësi mbi kokën e një njeriu… ra ai… aty e mbuluan me dhé dhe ikën të festonin…!
Lindi në Shkodër në 1892 dhe u shkollua në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me pedagog Ndre Mjedën e etër të tjerë jezuitë. Përvetësoi latinishten, greqishten e vjetër dhe italishten dhe do të ishte shqiptari i parë që do të njihte shkëlqyeshëm gjuhën esperanto. Kreu studimet e larta teologjike në Universitetin e Insbrukut, shërbeu si famullitar në Veri të atdheut. Botimet e para i bëri te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Nxori “Për natë kazanash”, një përmbledhje me lojra, kashë-e-lasha e proverba. Do të shkëlqente si orator.
E burgosin si organizator në Revolucionin e Qershorit të 1924. Mbas disa muajve u fal nga qeveria e Zogut dhe u largua për në Jugosllavi e Austri nga ku vazhdonte të dërgonte shkrime. Në veprën e tij gjenden tendencat letrare të fillimit të shekullit XX si ajo franceze e gjermane, ndërsa në poezi është leopardian. Kishte etje për fjalën shqipe, ndërkohë dhe përkthente Wilhelm Telin e Faustin dhe çonte pjesë të tyre në shtypin shqiptar.
Pasi Shqipëria pushtohet nga Italia, ashtu si shumë mërgimtarë të tjerë edhe Lazër Shantoja kthehet në atdhe. Në vendlindje iu bë një pritje tepër e ngrohtë.
Bëhet drejtor i shoqërisë Letrare “Dante Alighieri”. Më 1941 bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Korçën, (që do të dënoheshin më pas të gjithë nga regjimi që do të vinte), themelojnë në Tiranë Institutin e Studimeve Shqiptare. I tronditur nga lufta vëllavrasëse që kishte filluar, Don Lazri ikën ndër malet e Sheldisë, më mirë andej, me kafshët e pyllit…! Në janar të vitit 1945 e arrestojnë forcat partizane, e zbresin të lidhur. Fillojnë torturat. Dinte dhe atë, gjuhën Esperanto, e cila bënte bashkimin gjuhësor të botës, jo, me kapitalizmin nuk do bashkohemi kurrë, jemi kundër… meriton plumbin! Mes mes rënkimeve u tha me zë të mekur:…e kam dijtë me kohë se komunistët janë veç trathtarë!… Vazhduan torturat më mizore, i rropën lëkurën, i thyen këmbë e krahë, aq sa kur e ëma e pa ashtu, nuk duroi dot dhe klithi: …mëshirë, mos e lini kështu, mbarojeni…!
Ashtu të sakatosur copa-copa e çuan për ta pushkatuar. Por s’kishte pse të binte, i rënë ishte tashmë. Për vrasjen e tij interesohej drejtpërsëdrejti djalli, diktatori Enver Hoxha “si e një rëndësie të veçantë”. Në 2 shkurt Gjykata e Lartë Ushtarake dhe vendimin me pushkatim. Gjeneral Spiro Moisiu e lajmëron me telegram se vrasja u krye në 5 mars. Dheu i krimit mbuloi gjithçka, por shpirti i Don Lazër Shantojës mori udhën drejt Qiellit, në shenjtërim…!
Mrekullia do të ndodhte pas treçerek shekulli, pas përmbysjeve dhe ndryshimeve të mëdha. Selia e Shenjtë e Vatikanit do të shpallte “të lumtur” 39 martirë të Kishës Katolike Shqiptare, me firmën e Papa Françeskut. Mes tyre dhe Dom Lazër Shantoja. Mesha e shenjtë u mbajt në qytetin e tij të lindjes, në Katedralen e madhe të Shkodrës. Isha dhe unë aty. Rashë më gjunjë dhe bëra kryq…!
Pranga për themeltarin tjetër
Mitrush Kuteli (1907 – 1967)
Duaje atdheun dhe kur të vret, do të thoshte Dhimitër Pasko, ekonomist dhe ekspert ekonomie, përkthyes, kritik letrar, poet, tregimtar, madje themelues i prozës moderne shqiptare me emrin letrar Mitrush Kuteli. Përçues jo vetëm i fjalës, por edhe i zërit të Jugut, plot frymë. Ai ka dashuri të thellë për njeriun e përhershëm, tokësorin, shqiptarin, për hapat, për tokën që shkel, që në fakt nuk e shkel, por bëhet lidhja, marrëveshja, në shpirt ka truall dhe në truall ka shpirt.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, në Pogradec, ku i ati i tij kishte hapur dhe librarinë e parë, në 1908, i përndjekur nga xhonturqit. Vazhdoi studimet në Selanik dhe ato të lartat në Bukuresht, në Akademinë e Shkencave Ekonomike, ku u bë dhe kryetar i shoqatës së studentëve shqiptarë të Rumanisë.
Ndiqte jetën letrare dhe nis botimet e tij të para, por dhe të miqve duke u bërë dhe autori i librit të parë me kritika.
Kur punonte në Bankën Kombëtare të Rumanisë. Lufta II Botërore e zë aty, e dërgojnë në front, drejt Stalingradit, ndërsa ai i shmanget. Mblidhte rrugës këngë popullore vendase.
Kthehet në Shqipërinë e pushtuar, vazhdon botimet. Ai di të tregojë si askush, shqip: “Vjeshta e Xheladin beut”, “Hanet e karvanet”, “Si u takua Ndoni me Zallorët”, “Gjonomadhë e Gjatollinj”, “Kujtimet e kujtimeve”, “Natë muaji Shembiteri”, “Qetësi para fërtyne”, etj., që vërtet janë mrekullira letrare.
Punon në Bankë, konfliktohet me gjermanët se nuk pranoi emetimin e monedhës së re të luftës, për të financuar ushtrinë e tyre, përndiqet nga Gestapo, kalon në zonat që kontrolloheshin nga partizanët.
Pas çlirimit është një ndër themeluesit e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe drejtues në Bankën Qendrore. Prapë probleme me monedhën. Kuteli kundërshton kursin e këmbimit mes lekut dhe dinarit jugosllav në dëm të ekonomisë së vendit, si me pushtuesit gjermanë dhe jep dorëheqjen. Në vitin 1947 e arrestojnë si “armik të popullit” dhe e çojnë në një kamp të rëndë pune, në tharjen e kënetës së Vloçishtit me të burgosur të tjerë.
Dëshmohet se komandanti i burgut urdhëroi ta groposnin të gjallë “shkrimtarin”, në një gropë balte, por bashkëvuajtësit e nxorën dhe e ngjallën…! Lirohet pas dy vjetësh. Internime, përndjekje, me së fundi e emërojnë përkthyes, kalon në shtëpinë botuese, herë pas here i kthehej dhe e drejta e botimit, sipas zbutjes apo ashpërsimit të luftës së klasave. Kuteli bëhet përtëritësi i miteve ilirike. Hyjnitë, gjysmë perënditë, ashtu si në letërsitë e tjera të mëdha të botës, futen dhe te vepra e tij, “Në një cep të Ilirisë së poshtme”, “Nga Dyrrakiona në Bardhonë”.
Ndërron jetë në vitin 1967, shkak zemra…! “E madhe është gjëma e mëkatit” është vepër postume e tij, një realizëm magjik ballkanik. E cilit mëkat, Mjeshtër? Deshën t’ia mbytnin zërin… me politikë burgjesh, llum kënetash, zili e pabesi shkrimtarësh të tjerë, me heshtje e qëllimtë, pastaj me vjedhje veprash… me vdekjen e parakohshme, me të gjitha bashkë, jo, s’e lanë të na madhonte edhe më.
60 vjeç iku, në kulmin e burrërisë si shkrimtar, nuk donte as funeral, as nekrologji. Me të po vdiste dhe letërsia e kohës së tij apo nuk po vdiste më? Bashkë me Ernest Koliqin dhe me Lasgush Poradecin, mikun e tyre qiellor, të cilin Kuteli e botoi së pari, përbëjnë trininë nismëtare të letërsisë moderne shqiptare, të vonuar, ata e sollën të parët shekullin XX artistikisht në truallin tonë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016