Nga Ylli Tabaku
Pjesa e gjashtë
Memorie.al publikon kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, me origjinë nga Tirana, pinjoll i një prej familjeve të pasura të kryeqytetit, ku babai i tij, Ramazan Tabaku, pasi kishte dhënë ndihma dhe shuma të mëdha financiare për çetën e Pezës gjatë periudhës së Luftës Nacionalçlirimtare, pas mbarimit të Luftës, për kontributin e dhënë, u emërua si Kryetar i Entit të Grumbullimeve dhe në 1947-ën, u dënua me burg të përjetshëm në gjyqin e “Grupit të Deputetëve”, gjë e cila kishte ardhur pas një debati që ai kishte bërë me Enver Hoxhën te Hotel “Dajti”, ku i kishte kërkuar atij të mos sekuestronte pasuritë e atyre që kishin ndihmuar Luftën. Kalvari i gjatë i Ramazan Tabakut në burgjet komuniste dhe persekutimi i egër i të gjithë familjes së tij, ku duke filluar nga bashkëshortja dhe pothuaj të gjithë djemtë e vajzat e asaj familje, që përfunduan burgjeve e kampeve të internimit, deri në shembjen e atij regjimi, apo dhe mundën të arratiseshin nga Shqipëria. Të gjitha këto përshkruhen në kujtimet e Ylli Tabakut, (të publikuara në librin e tij “Arratisja”, botim i Institutit për Studimin e Pasojat e Krimeve të Komunizmit, me parathënie të studiuesit dhe historianit Kastriot Dervishi), i cili vuajti plot 26 vjet, e 8 muaj e 24 ditë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe mundi që të largohej nga Shqipëria në vitin 1990, (me ngjarjet e 2 korrikut të ambasadave), duke jetuar në Gjermani, deri në vitin 2021, që u nda papritur nga jeta, pa e parë të botuar librin e tij!
Kujtimet e ish-të burgosurit dhe internuarit politik, Ylli Tabaku, që vuajti 26 vjet e 8 muaj e 24 ditë, në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës
Në Burgun e Tiranës, ‘Reparti 313’
Nga eksperienca, – i thashë unë.
-Mirë, na trego se çfarë është kjo eksperiencë? – shtoi ai.
-Po të tregova, ti ma mbyll atë dritare nga shikoj unë e do të mbetem në errësirë, dhe nuk do të di, se ku do të hyjë e ku do të dal, dhe çfarë më rrethon, – i thashë unë.
-Ne kemi porosi nga mjekët e spitalit, për sëmundjen që ke, që në asnjë rast nuk duhet të të lëmë vetëm në qeli, se për ty është e rrezikshme, – vijoi hetuesi dhe kjo qe e gjitha.
Më pas, më kthyen përsëri në birucë, ashtu siç isha gjysmë lakuriq. Fillova të mërdhij shumë dhe kisha si ethe. Nuk vonoi shumë dhe pasi u ktheva në qeli, erdhi ushqimi dhe fillova të ha, por ishte e pamundur, se luga, në vend ta fusja në gojë, më shkonte te veshi, aq shumë dridhesha. Epo mirë, – thashë me vete, – edhe sikur të bëj edhe dhjetë vite burg, do dal prej këtej 50 vjeç, këta përsëri në burg do më fusin dhe vendosa t’i jap fund jetës. Do refuzoj insulinën, – thashë me vete, – duke mos bërë insulinën, vdekja është e sigurt, – mendova.
Të nesërmen erdhi infermieri, si zakonisht për të më bërë insulinën.
-Hajde të bëj insulinën.
-Çfarë insuline, – i thashë unë, – nuk kam diabet, kam bërë vetë se jam i sëmurë, nuk kam asgjë.
-Ore Yll, a je në vete? Çfarë janë këto që thua? Hajde, bëhu gati, të bëj insulinën, mos bëj numra, se më këto nuk bëhet shaka.
-Ik ore, – i thashë, mos ngul këmbë kot, nuk kam ndërmend të bëj gjilpërën. Aty ishin nja katër policë dhe, ai, u’a shpjegoi rëndësinë e asaj gjilpëre, bile ju tha të drejtën.
-Ky, po nuk e bëri gjilpërën, do vdesë. Atëhere ata m’u sulën mua me lloj lloj sharjesh e kërcënime, për të më imponuar që të vazhdoja mjekimin, bile, njëri syresh më tha: – Mos e bëj, se këtu do të vdesësh.
Uau, – reagova unë, – po ti do të vdesësh në hënë, se je polic, edhe ti këtu do të vdesësh. Njëri syresh i tha që mos të kruhej, se mirë ta bëri. Ky që foli, shumë herë, kur më mbyllte derën e birucës, kur kthehesha nga nevojat personale, më thoshte të mos mërzitesha, se një dry më shumë se ai kisha.
Më morën në hetuesi. Hetuesi m’u paraqit i veshur dhe i ngjeshur me pallto të madhe, me shall dhe doreza, siç vishet njeriu në dimër, dhe më tha: -Pse nuk e bën gjilpërën? – Nuk më pëlqen ta jetoj më këtë jetë, ta kam lënë ty, se ti i ke mundësitë ta përballosh këtë dimër të acartë, me këtë temperaturë 8 deri 10 gradë minus, ndërsa unë me një këmishë të hollë, me mëngë të shkurtra, pa kanotiere dhe pa çorape, nuk e përballoj dot.
Prandaj po të them, në qoftë se brenda orës, nuk më sjell këtu tre batanije të rregullta, të cilat jo vetëm që më takojnë, por edhe për gjendjen time shëndetësore dhe këto rrecka që kam të m’i ndërroni; gjithashtu të më sillni të gjitha rrobat e mija dimërore që kam në shtëpi; vendimi im nuk kthehet mbrapsht, dhe ju e njihni mirë karakterin tim. Hetuesi plotësoj gjithçka kërkova dhe unë vazhdova të jetoj.
Në gjyq, më 9.3.1981
Erdhi dita e gjykimit. Dola në gjyq. Mbrojtje nuk kisha, se në atë kohë nuk lejohej. U ngrit kryetari i trupit gjykues, Bashkim Xhafa. Lexoi akt-akuzën, me të cilën sigurisht që nuk isha dakord. I thashë që nuk e pranoja. Pranoja vetëm që quhesha Ylli Tabaku dhe asgjë nga të tjerat. Vazhdoi me thirrjen e dëshmitarëve. Ata ishin dy vëllezër nga fshati, një ish – i dënuar dhe një ish – i burgosur, që vazhdonte kryerjen e dënimit në Ballsh.
Për këtë të fundit, gjykatësi deklaroi se: është sëmurë me regjim shtrati. Unë e dija se ma kishte thënë hetuesi: “Aq armik je ti, saqë edhe njerëzit tanë, nuk pranojnë që të dalin dëshmitarë”.
Në fakt, deklaratën kundër meje, e kishte bërë tjetër njeri, të cilin ata nuk donin ta diskreditonin, se e mbanin ‘sekret’. Në vend të tij, përdorën një personazh që i kishte dalë boja, por në fakt ai, në rastin tim, nuk pranoi t’i dalë dëshmitar “babës së burgut”, se do të fitonte urrejtjen e gjithë kampit. Madje, atij i kishin premtuar se; do ta lironin me “kusht”, por ai preferoj më mirë t’i vuaj, edhe ato tre vjet burg, që i kishin ngelur, se sa, të dilte dëshmitar kundër meje.
Gjykatësi vazhdoi thirri dëshmitarin e radhës, ish – të burgosurin. Ai foli disa budallallëqe, saqë unë, me atë eksperiencë që kisha, nuk mund të flisja me djalin e një koloneli në shërbim, kurrsesi nuk mund të flisja.
I erdhi radha katundarit të parë. Mbaj mënd që tha se: kisha folur për vëllezërit e mi në Amerikë, që paguheshin shumë dhe jo si ne, që na paguanin vetëm 10 lekë në ditë. Në fakt, ne paguheshim vetëm 10 lekë të reja në ditë. Kjo ishte një e vërtetë dhe ca gënjeshtra të tjera që nuk i mbaj mënd.
I erdhi radha fshatarit të dytë: “Unë e kam rrugën për në punë së bashku me të pandehurin”, – tha dëshmitari. Uaa, – thashë unë me vete, edhe për katundarin qenkam i pandehur. Ai, vazhdoi të tregonte, si të thëna nga unë, shprehje të tilla, si: “na trajtonin si kafshë, na jepnin bukë misri, kurse ata në qytet hanin bukë gruri, që e prodhonim ne”. Në fakt, të gjitha këto ishin të vërteta, ishin një realitet, por, që unë, t’ia kisha thënë atij, nuk bënte vaki, se nuk më kishte lënë akoma mendja.
-Kur ka ndodhur kjo, – vazhdoi të pyesë gjykatësi.
-Tashti në dimër, – u përgjigj qyqari.
-A ke ndonjë pyetje për dëshmitarin?
-Jo, – thashë unë, – por kërkoj nga trupi gjykues, të më paraqesë një deklaratë nga hetuesia e Tiranës, ku të shprehen se kur më kanë nxjerrë nga biruca, nga 15 tetori i vitit 1980, deri tani në muajin mars të vitit 1981 dhe kam takuar këtë njeri e i kam thënë këto fjalë.
-Dil jashtë, – tha gjykatësi.
Njerëzit e mi që ishin të pranishëm, motra ime shumë e dashur e sakrificës, së bashku me dy fëmijët e saj, si yje, Anxhelina, që ishte 14 vjeç dhe Fatjoni, 8 vjeç, ishin të shqetësuar dhe sidomos Anit, i vinte keq që po më dënonin përsëri. Ajo vazhdonte të qante pa pushim. Ani ishte një vajzë shumë e zgjuar, vetëm nota 10-ta dinte të merrte, madje kishte fituar konkursin e Matematikës në rrethin e Tiranës, por ishte shumë sensibël, dhe më donte shumë mua. Ndërsa Fatjoni, me ato sytë e zinj të ndritshëm, shumë të bukur, ishte një fëmijë shumë i zgjuar dhe i dashur, por ishte shumë lojcak, librat dhe shkollën nuk i kishte qejf fare.
Gjykatësi që e nxori jashtë dëshmitarin e tretë, mendova më kot se do të më jepte ndonjë farë të drejte, dhe drejtësia të ishte, 10 vite burg, si “armik i popullit dhe i pushtetit popullor”. M’u kujtua, se gjatë kohës që isha në internim në Baldushk, kisha marrë një qen, që e quanin Lordi, ishte shumë i zgjuar dhe kishte një intuitë të jashtëzakonshme.
Kur vinte ndonjëherë ndonjë komshi, por rrallë, për vizitë tek shtëpia ime, ose gruaja e tij, apo fëmijët, Lordi donte të këpuste zinxhirin dhe t’i hante, aq shumë i’u lehte atyre. Ndërsa kur vinte Drita, ai e shikonte që një kilometër larg dhe lehte për të më lajmëruar mua, se nuk ishim lart dhe ai shikonte të gjitha lëvizjet poshtë kodrës, kërkonte që ta zgjidhja dhe t’i dilte përpara. Ashtu bëja, Ai shkëputej me vrap, dhe i hidhej asaj duke e përkëdhelur, sa nuk e linte të ecte. Për ne, ajo ishte një ditë feste, se e mbushnim barkun, pasi që kishim dy ditë pa ngrenë, siç kam treguar edhe më parë, Drita na sillte gjithmonë ushqime.
Si përfundim, me vendimin nr. 92, datë 9,3.1981, Gjykata e rrethit të Tiranës, më deklaroi fajtor, në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe më dënoi me 10 vjet burgim dhe me 5 vjet internim, pas masës së dënimit.
Në Repartin nr. 309, Ballsh, vitet 1981-1982
Më dërguan në Burgun e Vjetër te 313-ta, te dhoma e bujtësve. Prej aty, përsëri në Ballsh, ku vura re se aty ishin ndërtuar edhe katër kapanone të rinj, me nga 100 të dënuar. Nuk kaloi shumë kohë dhe marr vesh se, direktiva e fundit kishte qenë se: “kush ka korrespodencë me njerëz jashtë shtetit, është agjent”. Për rrjedhojë, kishte filluar një fushatë dhe, brenda një viti, ata, kishin arrestuar dhe dënuar 400 njerëz të pafajshëm, plus pasojat e familjeve të tyre. Pra, krijuan një kamp papunësie dhe të sëmurësh. Reparti nr. 309 u shkri më 8.3.1983. Të burgosurit u çuan në Repartin 302, Zejmen të Lezhës (të sëmurët, pleqtë dhe të papunët) dhe në Repartin 303 në Spaç.
Në Repartin nr. 305, Përparim Sarandë, vitet 1981-1982
Mbas një kohe më dërguan në Repartin 305, Përparim të Sarandës, fshat që më parë quhej Shën Vasi. Policia nuk ishte provokuese, as ofenduese, por këtu, ndodhte ajo që nuk kishte ndodhur në asnjë kamp tjetër. Oficerët ishin të tmerrshëm, se zakonisht oficerët ishin njerëz të shkolluar dhe silleshin me një farë edukate, jo si policët të cilët ishin injorantë.
Po e paraqes sjelljen e tyre me një ngjarje që nuk më hiqet nga mëndja. Një ditë, katër pleq, 75-80 vjeçarë, ishin ulur në fushën e vogël e me bar në oborrin kampit dhe po luanin domino. Për fatin e zi të tyre, aty kaloi Operativi i Kampit. Ata nuk e panë. Rregull ishte se po të futej ndonjë oficer i komandës, përfshi dhe Operativin, i burgosuri, kudo që të ishte, duhet të ngrihej në këmbë.
Këta katër fatkeq, për shkak të moshës së tyre, nuk e kishin pasur mendjen por po vazhdonin lojën e tyre. Operativi si një egërsirë e vërtetë, me t’i parë ashtu, u nxeh dhe bërtiti fort: “Po ju pse nuk ngriheni në këmbë, more të poshtër”?!
I goditi me forcë me shkelma turinjve, pa pyetur e vënë re se ku i qëllonte. I gjakosi dhe i sakatoi për vdekje. Me erdhi keq për njërin prej tyre, atë që quhej Nikollë, se e kishte një këmbë të paralizuar dhe mezi e lëvizte. E mbyti fare në dru.
Në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, viti 1983
Një pjesë tjetër të dënuarish, ata më të rinjtë, ku bëja pjesë edhe unë, na çuan në Durrës, për ndërtimin e Konvaleshencën së Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në këtë kamp kishte një polici shumë të pashpirt dhe kriminele. Ata të mos gjenin sebep, se të fusnin menjëherë në birucë. Si p.sh., pse lëvize nga rreshti, ose kur merrnim gjellën, apo kur bëhej apeli, të fusnin në birucë, të lidhnin e të rrihnin në mënyrë çnjerëzore. Nuk po zgjatem, por kush ka qenë atje, e di mirë se çfarë kemi hequr.
Në Tiranë, lirimi nga burgu
Në vitin 1989, më dërguan në Tiranë, ku ndërtoheshin disa pallate te Stadiumi “Dinamo”. Më 15 maj të atij viti, plotësova dënimin dhe u lirova.
Pra, hyra në burg më 10 dhjetor 1960 dhe u lirova nga burgu përfundimisht, më 15 maj, 1989, me plotësim dënimi, një kohë shumë e gjatë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016