Nga Bashkim Trenova
Pjesa e dhjetë
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie. al
“Armiqtë e popullit”
NE RADIO TIRANA
Në verën e vitit 1966, siç më shkruante Haxhiu në kartolinën e tij, unë kisha nisur punë. Isha emëruar si redaktor në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës ose, siç thërritej ndryshe, në Radion e Jashtme. Kjo Drejtori merrej me hartimin, përkthimin dhe transmetimin e emisioneve të Radio Tiranës për Botën e Jashtme.
Në Radio më priti Dhori Nini, një burrë rreth të dyzetave, i thatë kockë e lëkurë, sikur porsa kishte ardhur nga Mathauzeni.
Më pas do të mësoja se ai ishte shefi i Redaksisë së Informacionit në Radion e Jashtme. Dhori më serviri disa informacione të nxjerra nga Buletini i Lajmeve i Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe më tha të shkruaja një artikull. Pasi e lexoi atë, ai më kërkoi të shkruaj edhe dy artikuj të tjerë. Në fund më tha se unë kisha “stof” për t’u bërë gazetar.
Në takimin tonë të parë Dhori Nini më shoqëroi në një zyrë të vogël ku ishin vendosur dy tavolina pune. Ndërsa unë fillova të lexoj Buletinin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare të Lajmeve, vjen e ulet në tavolinën e lirë përballë meje, Jani Xhahini. Emrin e tij e mësova më pas. Ne të dy u ndodhëm për disa minuta dëshmitarë të një skene jo të këndshme. Unë me Janin nuk patëm kohë as të prezantoheshim, kur në zyrën e shefit, që komunikonte me zyrën ku ishim ne të dy, hyn rrëmbyeshëm një burrë zeshkan. Ai lëshoi një mori fjalësh e frazash, që shprehnin zemërim, pakënaqësi dhe fyerje. Pasi u zbraz plotësisht, ai u largua. “Është Hysen Pojani”, më tha Jani, që pasi qeshi idhët, shtoi: “Oh, sa do të shikosh ti këtu!” Ai kishte të drejtë në “profecinë” e tij.
Do të shikoja shumë në Radio, por para se të flas për këtë, dua të tregoj se ç’ka pashë në Zall Mner, në Malësinë e Tiranës, pothuajse fill pasi kisha filluar punën në Radio. Në atë kohë, nën shembullin e të ashtuquajturit Revolucion i Madh Kulturor Proletar kinez, midis të tjerave, Partia e Punës kishte vendosur që intelektualët dhe e gjithë administrata shqiptare, të punonin një muaj në vit në një qendër prodhimi në qytet ose në ndonjë kooperativë bujqësore në fshat e në malësi. Ky vendim ishte motivuar me domosdoshmërinë e njohjes së realitetit socialist nga shtresat shoqërore, që konsideroheshin si tepër të ndjeshme ndaj ndikimit prej ideologjisë borgjeze.
Me kolegun Timoleo Mërtiri, në punë fizike në fshatin Zall-Herr
Mua dhe Timoleo Mërtirit, së bashku me Aleksandër Papën, të dy këta gazetarë të gazetës “Bashkimi”, na u bë e ditur nga institucionet tona përkatëse, se duhet të shkonim në malësinë e Zall Mnerit, për të bërë punën fizike për atë vit. Do të punonim tokën me lopatë së bashku me kooperativistët. U takuam të tre në ditën e caktuar dhe u nisëm për në Zall Mner, pa e ditur mirë rrugën që duhej të ndiqnim. Asnjë nga ne nuk kishte qenë më parë atje. Kjo qendër e vogël banimi nuk lidhej me asnjë rrugë automobilistike, biçikletash apo edhe qerresh me pjesën tjetër të vendit. Zall Mneri ishte krejtësisht i izoluar nga bota. Për të arritur atje, ne na u deshën disa orë udhëtimi në këmbë dhe ngjitja e zbritja e nja dy maleve të lartë nëpër shtigje dhishë. Më në fund arritëm. Sikurse ishim instruktuar, ne kërkuam sekretarin e Partisë së fshatit. Ai do të na tregonte se ku do të flinim, ku do të punonim, si e ku do të ushqeheshim.
Në Zall Mner, si në të gjitha fshatrat e Shqipërisë, nuk kishte hotel dhe as ndonjë restorant. Atje nuk kishte as ndonjë njësi tregtare ku do të mund të blinim diçka për tu ushqyer. Fshati kishte vetëm një klub të vogël ku nuk tregtohej asgjë tjetër, përpos një gote raki, llokumeve dhe biskotave të thata. U befasova me këtë realitet. Në të vërtetë, rreth një vit më parë, ndërsa ende vazhdoja studimet, rastësisht isha takuar me një të ri nga fshatrat e Lezhës, një qytezë e vogël në veri të Shqipërisë. Unë atëherë shkoja për të studiuar në Bibliotekën Kombëtare. Një mbrëmje kur po dilja prej saj ai më ndaloi, donte të më pyeste për diçka. Biseda me të, siç duket më ka lënë mbresa, sepse edhe e kam hedhur me besnikëri në ditarin tim:
“E martë 30-XI-1965. Sonte duke dalë nga Biblioteka, rastësisht takova një fshatar nga Lezha. Ai më pyeti ku është Dega e Brendshme. I kishin vjedhur 570 lekë. Ai më tha se nesër do të shkonte në Komitetin Qendror të Partisë, për të takuar ndonjë të madh. Fshatari lezhjan do t’i kërkonte atij që t’i bënte pasaportizimin në Tiranë ose ta shtinte në burg. Ai ankohej nga jeta në fshat; gjithnjë puno, s’njeh asnjë ditë pushimi e asnjë dëfrim, e ç’merr? Tetë lekë në ditë! Kjo është shumë! Po, përse nuk shkon në Shkodër, i thashë unë? -Oh, jo! O në Tiranë, o në burg, më tha ai. Ai ishte një djalë i ri, mundet 24-25 vjeçar, simpatik”. Fshatari lezhjan më kishte bërë kështu një tablo të gjallë të jetës në fshat. Ai ishte i gatshëm të zëvendësonte jetën e fshatit me jetën në burg! Sidoqoftë, Zall Mneri ishte befasia ime e parë me realitetin “e lumtur” të fshatit tonë socialist, sikurse na bombardonte çdo ditë dhe çdo mbrëmje propaganda e Partisë. Ajo nuk do të ishte e vetme. Një sërë befasish të tjera do të ndiqnin atë.
Ne arritëm në fshat në një kohë të papërshtatshme. Partia kishte vendosur që të përgjysmohej kopshti, i cili rrethonte çdo shtëpi fshatare dhe që punohej prej vendasve për të përballuar jetesën e përditshme tejet të vështirë. Ajo kishte vendosur që gjysma e tij të kalonte në pronën e përbashkët kooperativiste dhe vetëm pjesa tjetër t’i mbetej fshatarit për nevojat e tij. Partia mendonte se kështu do ta lidhte më shumë fshatarin me pronën kooperativiste, gjë që në realitet ishte një utopi, e cila e rrënoi përfundimisht fshatin dhe fshatarin shqiptar. Nga ana tjetër, tregu qytetar, që e kishte fshatin si furnizues frutash, mishi, qumështi, vezësh e zarzavatesh, u boshatis.
Në rrethanat në të cilat ne arritëm në Zall Mner, fshatarët na pandehën për instruktorë të Partisë, prandaj edhe nuk donin as të na përshëndesnin, e jo më të na pranonin në shtëpitë e tyre. Ata kishin braktisur fushat dhe arrat në shenjë pakënaqësie apo revolte.
Natën e parë ne fjetëm në shtëpinë e sekretarit të Partisë së fshatit. Disa netë të tjera në vazhdim i kaluam po nëpër shtëpitë e komunistëve. Njëherë kemi fjetur me dhinë e të zotit të shtëpisë. Vetëm një “mur” i vogël thuprash na ndante. Shumicën e netëve i kaluam në infermierinë e fshatit dhe mbi tavolinat e shkollës së fshatit. Në infermieri na dha strehë infermieri i fshatit, Kliton Qazimi, një djalë gjithnjë i qeshur e mikpritës nga Tirana. Në shkollë na strehoi Xhevat Lahi, drejtori i shkollës. Me Xhevatin njihesha. Të dy kishim qenë ish nxënës të gjimnazit “Çajupi”. Shtëpitë tona në Tiranë nuk ishin larg njëra-tjetrës. Pa Xhevatin, ndoshta, do të kishim mbetur në qiell të hapur në Zall-Mner.
Fjalimi im para fshatarëve të Zall-Mnerit, për “jetën e lumtur” që na kishte sjellë Partia!
Gjatë ditës Timo, Sandri dhe unë punonim me lopatë një parcelë toke. Aty na sillnin edhe për të ngrënë drekën, presh të përzier me miell misri dhe uthull me pak sheqer brenda. Në takimet dhe bisedat e rastit që bëmë me fshatarët, madje edhe me komunistët, të gjithë shfaqnin hapur kundërshtimin e tyre ndaj vendimit të Partisë lidhur me kopshtin familjar apo, thënë ndryshe, oborrin kooperativist. U bë edhe një mbledhje e fshatit për këtë problem. Aty, për herë të parë, kam dëgjuar të flitet me zemërim kundër Partisë. Një grua u ngrit dhe kërkoi që Partia të merrte kallashnikovin dhe t’i vriste të gjithë, se atyre atje në fshat nuk u kishte mbetur asgjë përveç shpirtit! Fola edhe unë duke u kërkuar të kenë besim tek Partia, se ajo gjithçka e bën për të mirën e tyre. U thashë se punoja në Radio Tirana, në transmetimet për botën e jashtme dhe se në Radio vinin me qindra e mijëra letra nga e gjithë bota, se në këto letra shprehej dashuria dhe respekti i madh për Partinë e Punës të Shqipërisë dhe shokun Enver Hoxha. Ky tubim nuk dha asnjë rezultat. Timoleo më tha më pas: “Ato fjalët e tua, ata as i kuptojnë dhe as u hyjnë në vesh”. Timoleo ose Timo, kishte qenë fare i ri, pothuaj fëmijë, partizan. Që nga ajo kohë ai kishte ruajtur një pistoletë, që e kishte marrë me vete edhe në Zall Mner. Në të vërtetë ky fshat njihej si zonë ku, siç thuhej, reaksioni kishte tepër influencë. Pistoleta, siç duket, i jepte siguri.
Mbas disa ditësh, për të «normalizuar» gjendjen erdhi në Zall Mner, vetë sekretari i Partisë i Rajonit Nr. 4, d.m.th., i fshatrave dhe malësisë së Tiranës, Jovan Bardhi. Jovani do të takohej me fshatarët, por fillimisht ai thërriti dhe bisedoi kokë më kokë me ata që njiheshin si krerë të reaksionit. Ai i kërcënoi ata me burg, nëse do të flisnin kundër përgjysmimit të oborrit kooperativist. Më pas ai thërriti komunistët e fshatit dhe u tha që, në takimin e ardhshëm me fshatarët, ata duhet të miratonin përgjysmimin e oborrit kooperativist, ndryshe përjashtoheshin nga Partia. Përjashtimi nga Partia konsiderohej atëhere si pushkatim politik. Pasojat ishin të tmerrshme. Pas këtyre parapërgatitjeve, në takimin e Jovan Bardhit me fshatarët, komunistët u treguan «solidarë» me Partinë, «reaksioni» heshti. Jovani pyeti a e do kush fjalën? Askush nuk guxoi të flasë. Jovani tha: “Meqë askush nuk e do fjalën dhe meqë askush nuk u shpreh kundër shkurtimit të oborrit kooperativist, kjo do të thotë se të gjithë jeni dakord. Kështu mbledhjen e quaj të mbyllur”!
Mua më befasoi jo vetëm refuzimi dhe zemërimi i fshatarëve të Zall Mnerit, por edhe mënyra se si Partia u jepte “zgjidhje” problemeve. Pas kthimit nga Zall Mneri, bisedova për shqetësimet e mia me sekretarin e Partisë së Radios, Klimi Misja, një burrë i urtë, fisnik, pa komplekse autoriteti dhe që gëzonte respekt midis punonjësve të Radio Tiranës.
Fundi tragjik i kolegut tim, që guxoi dhe shkroi për Gjirokastrën!
Për të përfunduar me Zall Mnerin, dua të tregoj edhe se Timo, që u fliste me zjarr fshatarëve se sa e lumtur do të bëhej jeta e tyre, se ç’projekte madhështore kishte Partia për fshatin socialist, do të bashkohej edhe ai, pa dashje, me ata që ishin me “njollë në biografi”. Timo botoi një ditë në “Bashkimi” artikullin me titull “Ku Qafa e pazarit dhe ku Dunavati”. Artikulli shtronte probleme mbi rrjetin e varfër tregtar në Gjirokastër, qyteti i origjinës së diktatorit. Ky, pasi e kishte lexuar artikullin, kishte thënë: “Plakat e Gjirokastrës, u venë teneqenë gazetarëve të tillë, si Timoleo Mërtiri”. Timoleon e larguan nga gazeta, e larguan nga Tirana dhe e çuan në Sarandë, qytetin me jugor të Shqipërisë. Aty, i vetëm, priti vdekjen.
Në Radio-Tirana, në redaksinë e Radios së Jashtme
Unë fillova punë më 4 gusht 1966 në Radion e Jashtme, në Redaksinë e Perëndimit, së bashku me Dervish Dumin dhe Albert Shalën. Kjo Redaksi përgatiste dhe transmetonte emisione për Anglinë, Francën, Italinë, Gjermaninë dhe Greqinë. Të tre u vendosëm në një zyrë. Dervishin dhe Albertin i njihja në një far mënyre si studentë. Ne, edhe duke qenë të fakulteteve të ndryshme, disa leksione, siç ishin ato të materializmit dialektik apo të materializmit historik, i kishim bërë së bashku. Si shef redaksie kishim Findia Veizin, një burrë rreth të dyzetave, i thinjur, i qetë dhe tepër dashamirës me ne të rinjtë. Ai na ndihmoi me mjaft bujari në hapat tona të para në gazetari.
Shumë shpejt mësuam se Findia kishte edhe ai një “njollë” në biografi. Njëlloj si ish drejtori im i shkollës, Sofokli Afezolli, dhe të tjerë komunistë të Radio Tiranës, edhe Findia kishte marrë një goditje si mbështetës i Konferencës së Partisë së Tiranës të vitit 1956. Ai ishte i trembur edhe dhjetë vjet pas saj, kur ne filluam punë në Radio Tirana. Më duket se frika nuk i’u nda Findias, gjatë tërë jetës. E kam takuar një herë në rrugë pranë shtëpisë së tij, pasi kishte dalë në pension, në kohën kur kishte filluar Lëvizja Demokratike dhe isha angazhuar me artikujt të shumtë kundër diktaturës, të botuar në “Rilindja Demokratike”. Unë isha atëhere baba me dy fëmijë, por Findia, pasi më përqafoi, si një baba i mirë, më këshilloi: “Ki kujdes, ki kujdes”! Tepër i vëmendshëm tregohej ai ndaj ne të rinjve gjatë të gjithë kohës që punuam me të. Në një far mënyre, ne qemë me fat që patëm Findian si shef redaksie.
Këtu, në këtë redaksi, pa kaluar shumë kohë, do të vërtetohej edhe “profecia” e Jani Xhahinit. Ishte koha e Revolucionit të Madh Kulturor Proletar kinez. Udhëheqësi i Partisë Komuniste Kineze, Mao Ce Dun, kishte hedhur parullën “të shpartallojmë shtabet e borgjezisë dhe të kundërrevolucionit”! Në krye të këtyre shtabeve ai kishte shpallur, midis të tjerëve, edhe Liu Shao Çinë, numëri dy i regjimit komunist në Kinë. Liu Shao Çi, ishte deklaruar nga Mao Ce Duni, si Hrushovi kinez. Për të rinjtë e sotëm, emra si Mao Ce Dun apo Hrushov, tingëllojnë tepër larg ose mund të jenë krejtësisht të padëgjuar. Në rininë tonë, të edukuar me mësimet e Partisë, Mao Ce Duni ishte marksist-leninisti më i madh i kohës, ndërsa Hrushovi ishte armiku numër një i marksizëm-leninizmit, pra edhe i Partisë Komuniste Kineze dhe i Partisë së Punës të Shqipërisë. Ai ishte një renegat, një revizionist, aleat i imperializmit amerikan, madje edhe më keq, agjent i tij, i shitur për 30 aspra.
Gabimi fatal i kolegut të zyrës, që krahasoi Mehmet Shehun me Hrushovin?
Revolucioni i Madh Kulturor Proletar kinez, pati jehonën e tij jo të vogël edhe në vendin tonë, në jetën politike, sociale dhe kulturore. Një ditë, ndërsa ne të tre, Dervishi, Alberti dhe unë, ishim duke folur për këtë “revolucion”, në zyrën tonë hyn Hysen Pojani. Ai dëgjon Dervishin duke bërë njëlloj krahasimi midis Kinës dhe Shqipërisë. Dervishi, që gjithnjë ndjente njëlloj sigurie absolute në mendimin e tij, po thoshte se “edhe ne në Shqipëri, mund të kemi Hrushovin tonë”. Sigurisht, ai mendoi se po fliste midis kolegëve me të cilët mund të ndante mendimet për probleme të ndryshme që na shqetësonin. Ne të tre ishim të rinj dhe, pse jo, edhe entuziastë që në postin që kishim, do të gjykonim ngjarje dhe personalitete botërore, luftëra të drejta e të padrejta, revolucionet dhe pseudo revolucionet. Kishim edhe njëlloj vetëkënaqësie që, nëpërmjet Radio Tiranës, mendimi ynë do të dëgjohej kudo në botë. Kështu, së paku, mendonim në atë kohë. Dervishi as që e kishte fare në mend të bënte ndonjë lloj krahasimi midis numrit dy të Kinës, Liu Shao Çisë dhe numrit dy në Shqipëri, kryeministrit Mehmet Shehu. Atë që nuk e mendoi Dervishi dhe ne të tjerët që e dëgjuam, atë e mendoi ndërkaq Hysen Pojani.
Hyseni shkoi me nxitim tek sekretari i Partisë së Radio-Televizionit Shqiptar , Klimi Misja, dhe i tregoi se ç’kishte thënë Dervishi në prani edhe të Albertit dhe timen. Rezultonte se Dervishi, duke folur për një Hrushov të mundshëm edhe në Shqipëri, kishte vënë në dyshim kryeministrin e Shqipërisë edhe pse as që e kishte zënë në gojë atë. Ne të tre, Dervishi, Alberti dhe unë, folëm në një mbledhje kolektivi që u organizua për këtë qëllim, me kërkesën e organizatës së Partisë. Unë dhe Alberti, me sa më kujtohet, pranuam se biseda ishte bërë, duke shtuar se, gjithsesi, Dervishi në asnjë mënyrë nuk kishte patur për qëllim që me fjalët e tij, t’i adresohej konkretisht shokut Mehmet Shehu. Ne thamë se Dervishi ishte besnik i Partisë, etj., etj. Në mbledhje folën edhe të tjerë, por jo Hysen Pojani. Ai as që ishte i pranishëm. Një koleg i ynë, Thimi Çollaku, i cili kishte vite që punonte në Radio, na tha se kështu e kishte zakon Hyseni, «hidhte gurin dhe fshihte dorën». Dervishi vetë ndjehej i revoltuar. Me njëlloj patetizmi, ai tha se nëse mendohej që ai ishte kundër Partisë, le t’ia merrnin zemrën, t’ia hidhnin në rrugë dhe t’ia shkelnin me këmbë! Zemra ime, tha ai, me sinqeritet, është zemra e Partisë. Pasi tha këto fjalë, ai e braktisi mbledhjen e kolektivit, u largua nga salla.
Kjo histori u mbyll fatmirësisht pa pasoja. Ne vazhduam të punojmë të tre edhe disa vite të tjera në Radio Tirana. Dervishi eci mirë si gazetar dhe artikujt e tij u vlerësuan edhe tej mureve të institucionit tonë. Ai u largua nga Radio për të punuar në Ministrinë e Jashtme. Më pas së bashku me Arshin Ruçajn, një tjetër gazetar i Radios së Jashtme, pasi u bë anëtar Partie, kaloi në një grup pune në Komitetin Qendror të Partisë. Drejtues i këtij grupi ishte Sofokli Lazri, eminenca gri i propagandës së Partisë së Punës të Shqipërisë. Në shumë raste, për vite të tëra, ai ka qenë pena e zezë e diktatorit dhe e diktaturës.
Dënimi i kolegut Duma, pasi foli për Kosovën në Komitetin Qendror të PPSH-së
Dervishi si karakter nuk mund të shkonte me Sofo Lazrin. Ai nuk ishte servil, nuk lëpihej, kërkonte që t’i dëgjohej mendimi. Sofo ishte cinik dhe mospërfillës ndaj të tjerëve. Në një mbledhje të organizatës bazë të Partisë në Komitetin Qendror, Dervishi foli për Kosovën, duke dhënë mendimin e tij krejtësisht origjinal. Ai harroi se në Komitetin Qendror, ishte thërritur jo për të dhënë mendim, por për të ekzekutuar mendimin e Partisë. Dervishin e larguan nga Komiteti Qendror dhe e dërguan në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri”. Pastaj atë e larguan edhe prej andej, duke e lënë disa kohë krejtësisht të papunë. E kam takuar në ato ditë të vështira dhe më tha se nuk kishte lekë as për të blerë një copë bukë, për të ushqyer fëmijët. Më në fund atij i gjetën një vend pune si korrektor në Kombinatin Poligrafik. Aty e zunë edhe ngjarjet e vrullshme, që çuan në fundin e komunizmit. Dervishi u angazhua duke hartuar statutin e të parës organizatë sindikaliste të pavarur të Shqipërisë. Ai shkruajti disa artikuj kundër diktaturës në gazetën “Sindikalisti”, të kësaj organizate si edhe në “Rilindja Demokratike”, organ i Partisë Demokratike, që do të udhëhiqte lëvizjen popullore për përmbysjen e diktaturës.
Në vitet e demokracisë Dervishi punoi në Ministrinë e Punëve të Jashtme si Drejtor i Drejtorisë për Marrëdhëniet Shumëpalëshe. Më rastisi të punoj këtu për pak kohë sërish me të në vitin 1994 kur u emërova si zëdhënës i kësaj Ministrie dhe si Drejtor për Shtypin dhe Informacionin. Ministër i Jashtëm ishte Alfred Sereqi. Rrebel në gjak, Dervishi edhe me Sereqin nuk e kaloi në paqe. I fola një herë dhe i thashë se po të vazhdonte siç e kishte nisur do ta largonin nga Ministria. “Le të më largojnë, do të dal të shes banane”, më tha. I thashë se unë, po, mund të dilja të shisja banane, por atë nuk do ta linte sqima prej aristokrati. Dervishi pasi i tha Sereqit në një mbledhje të zakonshme të Kolegjumit të Ministrisë se aty vinte era m…, pasi kërkoi në një mbledhje tjetër t’i shpjegonte atij se përse duhej mbledhur dhe kur duhej mbledhur Kolegjumi, u largua fillimisht si punonjës i thjeshtë ambasade në Vienë, prej nga u kthye në Shqipëri pas afro një viti për të dalë në pension.
E kërkova Dervishin në shtatorin e vitit 2010 gjatë një qëndrimi njëjavor që bëra në Tiranë. Kishte ndërruar adresë kështu që e pata të vështirë ta takoja. Më ndihmoi një cigane, quhej Flutura. Atë e takova rastësisht. Më mbante mend që nga koha kur ajo punonte si postier në lagjen tonë. Si ish postier, ajo i kishte të regjistruara në mendjen e saj adresat e banorëve të lagjes, pra edhe të Dervishit. Flutura gjeti mënyrën se si të njoftonte Dervishin, për të cilin kalimthi më tha se ishte i pafat.
Nuk vonoi dhe Dervishi erdhi në barin ku po e prisja. Ishte i dërmuar, i sëmurë. Pensioni nuk i dilte as për të blerë ilaçet që i duheshin për shëndetin e tij në rënie të dukshme. Ai e ka patur ëndërr një shtëpi të vogël me kopsht në hyrje. Në një rrugë të pandriçuar në periferi të Tiranës, ai kishte ndërtuar vetëm katin përdhes, duke punuar edhe vetë si punëtor ndërtimi. Unë e shoqërova deri në hyrjen e shtëpisë. Dervishi më tha: “Bashkim, nuk të ftoj të hysh brenda, se do të shohësh jo shtëpi, por një depo rrëmujë. Këtu jetoj unë”. Kur hapi derën e oborrit, u vërsul drejt tij një qen i vogël duke lehur. Ai i bërtiti për ta larguar, por qeni kishte qëlluar kokëfortë, si i zoti. Për t’u ndarë me humor nga Dervishi, i thashë: “He more Dervish, as qeni yt nuk të njeh si padron”! Me vete mendoja tjetër gjë, sa qenër e kafshuan, duke i’a gjakosur jetën Dervishit, shokut tim plot ambicie dhe ëndrra, me njohuri për t’u lakmuar dhe devotshmëri të rrallë në punë.
Goditja ndaj kolegut tjetër, Arshi Ruçaj, që bëri stazhin në Fierzë!
Goditjeve të diktaturës nuk do t’u shmangej as Arshin Ruçaj. Më parë se të emërohej në grupin e punës në Komitetin Qendror të Partisë, ai punoi tri vjet si punëtor i pakualifikuar në ndërtimin e Hidrocentralit të Fierzës, në malësinë e thellë të Veriut të Shqipërisë. Këtu ai ishte dërguar që të provonte nëse e meritonte të bëhej anëtar i Partisë së Punës apo jo. Nga Fierza, më dërgon një ditë një letër dhe një artikull të shkruar prej tij, duke më kërkuar që t’a kaloja në sektorin përkatës të gazetës “Zëri i popullit”, ku punoja në atë kohë dhe të interesohesha për botimin e tij. Botimi i këtij artikulli në organin qendror të Partisë, në prag të përurimit të Hidrocentralit të Fierzës, sigurisht që do të tërhiqte vëmendjen dhe vlerësimin e atyre që do të vendosnin për pranimin ose mospranimin e Arshinit si anëtar të Partisë së Punës. Arshini e dinte këtë gjë, prandaj në letrën e tij më shkruante: “Ashtu siç më ke ndihmuar në të kaluarën, më ndihmo edhe tani”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016