Intervistoi: Marçel Hila
Pjesa e dytë
Memorie.al / I zhdukur: Galip Hatibi. Vuajtës të dënimeve: I ati, Rasim Hatibi, i internuar për sa kohë ishte gjallë. Bashkëshortja e tij, Asamble Hatibi, dënuar me burg dhe internuar. I biri, Durim Hatibi, i përndjekur si person me biografi të keqe Galip Hatibi, i ditëlindjes 1920, me origjinë nga Shkupi. Ka punuar si sekretar në Ministrinë e Brendshme, por u largua duke dhënë dorëheqjen për të kaluar në fushën e sporteve, si organizator i aktiviteteve sportive kombëtare dhe ndërkombëtare. Njihte disa gjuhë të huaja: serbo-kroatisht, italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht. Më 25 shtator 1946, në moshën 26-vjeçare, u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në mesnatë, pasi doli nga një mbledhje e gjatë me drejtues të sporteve.
Zonja Hatibi, në cilin vit është marrë kjo dëshmi?
Kjo është e ’92-it. Është edhe një nga avokat Koço Dilo vetë, në ’92-in. Ai thotë se në ’47-ën, në shtator, kur u arrestua nga autoritetet e Sigurimit të Shtetit, u mbajt për disa muaj i burgosur, në godinën e Sigurimit të Shtetit, (Shtëpia me gjethe) e ndodhur në rrugën “4 Shkurti”. Atje ka pasur fatin të takonte Galip Hatibin, i cili mbahej i izoluar në një nga bodrumet e pasme të godinës, në gjendje të mjerueshme. Kishte marrë vesh, më vonë, se u ekzekutua dhe u dogj në vitin ’48.
Informacionin e fundit mbi Galipin, e morët në ’92-in? Që nga viti 1948 deri në vitin 1992, s’keni marrë vesh asnjë lajm tjetër?
Fare, fare. Dhe vetë, shpesh kam menduar, nga vjehrra ime nuk e kam dëgjuar, por kam menduar që ajo kushedi se sa vite ka shpresuar…?!
Ka ndodhur edhe me raste të tjera, kur njerëzit kanë shpresuar se mbase një ditë do t’i gjenin gjallë të afërmit e tyre. Në një rast, i ati u ishte pushkatuar që në ‘62-in, ndërsa familja deri në ’90-ën, shpresonte se një ditë do të kthehej. Pas ’90-ës, gjetën vendimin e dënimit dhe pushkatimit.
Megjithëse thashë, që ajo nuk e pranonte që ai të kishte lënë vendin, të ishte arratisur, por prapë, thellë-thellë në zemër, ka jetuar me shpresën që mund të ishte gjallë diku, në ndonjë vend.
Kanë ngritur legjenda për këtë njeri që mund të ishte arratisur, por janë dy informacione të tjera që tregojnë të kundërtën. Kam një pyetje që nuk ju referohet juve, por përvojës së familjes suaj: Sikur t’i kishin takuar rastësisht vrasësit, ata që ua zhdukën dhe ua vranë njeriun e afërt, çfarë do të kishin provuar, si do të kishin vepruar?
Për fat të keq, unë kam humbur edhe tim shoq, domethënë djalin që u lindi atyre. I takonte atij ndoshta, po të ishte gjallë. Nuk mendoj që vjehrra ime do të kishte marrë hak fizikisht, absolutisht jo. Thjesht, ajo do të kishte mundur të shkruante shumë gjëra, por ajo doli nga burgu e sëmurë, me neurozë, kishte frikë të dilte jashtë, dhe nuk doli asnjëherë nga shtëpia
Që ditën që doli nga burgu, kishte frikë mos e arrestonin prapë? Kushedi ç’ka parë ajo, tmerre…!
Ajo nuk doli asnjëherë nga shtëpia, përveçse dy-tri herë te njerëzit e vet, me polici.
E ka vazhduar burgun edhe në shtëpi?
Po, ajo e vazhdoi burgun në shtëpi.
Kur është ndarë nga jeta vjehrra?
Në ’99-ën.
Si mendoni se do të reagonte ajo, apo nuk do të reagonte? E ka pranuar atë fat!
Ajo e ka pranuar! Thjesht, ajo do të fliste shumë, do të nxirrte mllefin, mendoj, në mënyrë paqësore.
A kanë pasur sende personale të Galip Hatibit, gjëra përmes të cilave, ju e kujtoni atë njeri?
Unë kam letra që Galipi i ka sjellë së shoqes ose familjes, se e shoqja ishte vetëm mikeshë në atë kohë. Nga burgu i Barit, i drejtohej familjes me shumë dashuri, me shumë përkushtim. Problemi, siç e thotë edhe vetë në ato letra, ishte që nuk kishte letër për t’i shkruar shpesh dhe ka shkruar në letra aq të vogla. Ja, këto janë letrat. Ka edhe më të vogla akoma. Mendoj që vjehrra ime duhet t’i kish lënë diku, ndoshta te ndonjë njeriu i vet, sepse unë nuk i kam parë këto në shtëpi në kohën që vjehrra ime ishte në burg, ndryshe…!
Qartë, përndryshe do t’ia kishin marrë, do të ishin zhdukur…! Ndoshta jua kanë sjellë kur erdhi demokracia?
Po, kështu mendoj, se nuk i kam parë. Këto kanë dalë më mbrapa. Unë jam futur në shtëpinë e tyre, kur vjehrra ishte në burg. Ajo më ka njohur kur e kemi pasur vajzën 9-muajshe dhe kemi shkuar për herë të parë në kampin e grave, në Kosovë të Lushnjës, që të njiheshim. Ishte emocion i jashtëzakonshëm. Atë ditë….(përlotet) ne shkuam me taksi, sepse vajza ishte 9-muajshe. Ishte shumë luks për ne taksia, por s’kishim si të shkonim ndryshe. Im shoq shkonte me tren dhe me biçikletë pastaj, një herë në tre-katër muaj, që i çonte ushqime, përveç atyre që i çonte me postë, ushqime të thata që mund t’ia çonim. Vjehrra e pinte edhe cigaren dhe atë e kishte ushqimin kryesor, ashtu thoshte. Unë i çoja një letër në dy ose tri javë.
….E kam para syve: ishte një rrugë e gjatë, përveç derës së hekurt ku ishte dhoma e rojës dhe e takimit. Po kampet, ndërtesat ishin larg rreth 400-500 m. më tutje, nuk e di me saktësi, por di që ajo që më ka bërë jashtëzakonisht përshtypje, ishin gjithë gratë e tjera që më shikonin nga larg. Ishte jashtëzakonisht prekëse.
Kishit shkuar si nuse me foshnjën tuaj, pra me mbesën e saj 9-muajshe, që e shihte për herë të pare…?
Ajo mua, dhe unë atë. Nuk e kisha njohur kurrë! Unë nuk kam bërë martesë, kam ikur nga shtëpia që të mos rëndoja dhe familjen time, mbasi ajo u arrestua. Njihesha që përpara me tim shoq dhe e bëmë lidhjen. Në ato kushte, njerëzit, duke e ditur lidhjen time, më thoshin “Lëre, lëre, se njerëzit e kanë lënë të martuar me fëmijë, ti vetëm shok e ke”!, por unë nuk e lashë dhe kështu…!
Duke qenë të etiketuar me “biografi të keqe”, si janë sjellë njerëzit ndaj jush?
Ne na çuan larg, në periferi të Tiranës, me gjithë tim shoq. Për fat, atje ku na çuan ne, kishte shumë njerëz që ishin si të dënuar dhe i çonin atje për të punuar. Ata na rrinin më afër e silleshin mirë. Në përgjithësi janë sjellë mirë, në kuptimin e afrimit me ne, por ata ishin populli, jo njerëzit në drejtim, domethënë shefat. Shefat, jo! Gjithmonë të persekutuar ishim! Nuk na jepnin kategorinë se ishim punëtorë, sepse kur merrje kategori, merrje rrogë më të madhe.
Me çfarë mënyrash jua kanë bërë përjashtimin, largimin, veçimin?
Një nga mënyrat ishte kjo: degdisja. Na çonin të punonim atje ku duhej një orë e një çerek që të vinim në shtëpi, me tri turne. Bashkë me burrin kam punuar.
Në cilin vend keni punuar?
Tek impianti i pasurimit të graniteve. Së fundmi, atje kemi punuar, pastaj tim shoq e çuan tek Uzina e Traktorëve, derisa erdhi demokracia, pastaj u vlerësua ndryshe. Atje punonte me tri turne, unë isha po prapë me tri turne dhe, meqë u bëmë me fëmijë, ai bënte edhe turnin tim të tretë që unë të mos dilja me tri turne. Ju thashë që nuk na fusnin në kategori, kur mbushnim kohën për të kërkuar kategori më lart, sepse do të na jepnin rrogë më të madhe. Neve na duhej ajo rrogë për të jetuar dhe për të mbajtur vjehrrën në burg, sepse atje, me lëng groshe, nuk e mbante dot shpirtin ajo, plus që ishte edhe pensioniste, se ajo 3 muaj para se të dilte në pension, u arrestua dhe nuk kishte mundësi të punonte si punonin gratë e tjera, që i detyronin të punonin në bujqësi andej. Ato që punonin, merrnin një herë në muaj mish më duket, nuk e di çfarë lloj mishi ishte, por vjehrra ime thoshte që, merrnin ushqim, diçka tjetër.
A është ushtruar dhunë fizike apo psikologjike ndaj jush apo familjes suaj, fëmijëve, burrit, duke pasur parasysh edhe vjehrrën?
Fizike nuk di, por psikologjike po! Që në fillim, kur jam martuar unë, kur shkova në shtëpi, im shoq nuk më lejonte të flisja në shtëpi, se e dinim që kishim përgjues. Ne kishim një shtëpi private me oborr rreth e rrotull dhe natën, në errësirë, mund edhe të na vinin te dritarja. I shkruanim njëri-tjetrit kur kishim ndonjë gjë për t’i thënë dhe pastaj e zhduknim letrën. Pastaj, kur dilnim bashkë, sidomos kur dilnim bashkë, unë e dija, im shoq kthente shpesh kokën, edhe pse nuk donte ta bënte para meje këtë, por e dinte që kishim dikë që na shoqëronte.
Ju ndiqnin, survejonin?
Po! Edhe kur punonim bashkë në fillim, para se të lindte fëmija, në atë fabrikën që ju thashë, ishte në kodër ajo fabrikë, dhe personi që na shoqëronte në punë, rrinte poshtë pemëve në hije, derisa ne të mbaronim turnin, ditën kur dukej, pastaj natën, kur vinte im shoq e unë isha në shtëpi – ai vinte nga turni i dytë dhe unë mezi e prisja që të vinte, ishte ora 12.00, se në 11.00, e linte punën, në 12 e 30 arrinte në shtëpi, edhe që t’i gjente gjërat e ngrohta, prisja që të zhvishej e të vinte të hante, – shpesh vonohej në dhomë. Kur shkoja, e shikoja që vështronte nga perdja me dritë fikur, a kishte ikur apo s’kishte ikur ai personi. Kjo është dhunë psikologjike. E kemi jetuar atë periudhë me këtë, pastaj të tjerat e të tjerat…!
A e ndienit jetën juaj si një mallkim, si rënie në greminë?
Atëherë, që t’i përgjigjem vetëm me dy rreshta kësaj, do të citoj një shkrim të shokëve të Durimit, një shprehje që ai e përdorte shpesh dhe që i përgjigjet pyetjes suaj: “Qesh, se nuk mundem të qaj!” Kështu thoshte shpesh Duri, Durimi, dhe kjo ishte, ndoshta, emblema rrëfyese e mënyrës sesi jetoi e u mbijetoi ditëve të kësaj bote.
Ai ka qenë sportist me Tiranën, ka luajtur deri në ’71-shin, pastaj hoqi dorë, sepse për shumë arsye, megjithëse ishte talent i jashtëzakonshëm, nuk i jepnin mundësi. Dikush e ndihmoi që të bënte një shkollë… i ka mbaruar shkëlqyeshëm të gjitha, edhe ai me 7 gjuhë të huaja, të mësuara të gjitha në mënyrë autodidakte.
Nuk e ka njohur babën Duri. E ëma e ka rritur dhe ishte shumë i heshtur. Unë mendoj që ai e ka kërkuar, pavarësisht se nuk e ka ndier pranë babain, e ka kërkuar me atë shpirtin e vet dhe me gjithë çfarë ai ka bërë për të mbijetuar edhe për veten e vet, edhe për nënën e vet, edhe për mënyrën sesi zgjodhi ta jetojë jetën në ato kushte.
A ka pasur momente që ai e ka shprehur se i mungonte i ati, si p.sh., në martesë ose për lindjen e fëmijëve, apo edhe në momente të tjera?
Duri ishte natyrë shumë e heshtur, sepse, siç e mendoj unë, – dhe kjo është logjikë e jetës së tij, – ai është rritur në ato kushte që i vogël nga e ëma, e ka ditur realitetin, kështu që është frenuar për shumë gjëra, por ka qenë vërtet shumë inteligjent. Të arrish të mësosh në mënyrë autodidakte gjuhët, në ato kushte kur punonim atje me gurë, se me gurë ishte fabrika…! Edhe në qoftë se do ta shikoje Durin atje ku punonte me lopatë dhe gurë, në momentin kur zgjidhnin ta caktonin në një vend ku merrte lopatën dhe mbushte ashensorin me gurë që shkonin për t’u bluar në mulli, ai kishte një libër të fshehur aty, poshtë leckave e thasëve prej lecke, që e lexonte gjithë kohës.
Si e keni pritur ju, familjarisht, rënien e komunizmit?
Unë u frikësova shumë, përveç gëzimit dhe entuziazmit, sepse nuk po e gjeja dot Durin. Dola dhe e kërkoja. Kisha frikë se, nga gjithë ai entuziazëm i njerëzve, nuk përmbahej, Duri nuk përmbahej. Ishte vërtet një ditë me shumë emocione dita që ra shtatorja.
Bëhet fjalë për një epokë, më shumë se për një ditë. Kur erdhi demokracia, a i jeni drejtuar dikujt zyrtarisht për trupin dhe fatin e vjehrrit tuaj, zotit Galip?
Duri vetë e ka bërë, ka kërkuar në Ministri të Brendshme dosjen dhe i kanë thënë që nuk e gjejnë, nuk ka dosje.
A keni shpresa se mund të gjenden eshtrat e të afërmit tuaj?
Unë do të doja, po shpresë nuk kam, duke ditur shumë gjëra dhe që ai është djegur. Vjehrra ime e la amanet para se të vdiste që, në varrin e saj të vihej edhe fotografia e Galipit dhe te varri i vjehrrës sime, në qoftë se do të shikoni, janë të dyja fotografitë, edhe emri i Galipit, sikur ata janë të dy bashkë, por, në fakt, në varr është vetëm vjehrra ime. Të paktën të ketë një varr që t’i mbetet emri.
Këtë s’e kam dëgjuar ndonjëherë në jetë, hera e parë! Kur mendoni se mbyllet kjo histori?
Nuk e di, në qoftë se do të gjendet trupi, po me këto që janë dëgjuar mbrapa, nuk shpresoj më që të gjendet…!
Pra, jeni në kufirin e shpresës që po vdes?
Po, po!
Zonjë, faleminderit shumë për intervistën!
Faleminderit juve që më dhatë mundësinë të them! Kjo është një pjesë shumë e vogël, në fakt.
Ju keni bërë një rrëfim prej burimeve tuaja familjare, por keni sjellë të dhëna për një kohë të përbindshme, sesi digjeshin njerëzit, sesi shkatërroheshin. Është një arkeologji e krimit që del pak nga pak. Ju e ndihmoni shumë shoqërinë, kështu që jemi ne që ju falënderojmë sërish!
Faleminderit.
Faleminderit ju. Memorie.al