Nga Taisa Pisha (Batkina)
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të ruses Taisa Batkina (Pisha), me origjinë nga Tula e Rusisë, fëmija e tretë e një familje të varfër fshatare, e cila mbeti jetim që në moshë të vogël, pasi i ati humbi jetën gjatë punës, në një nga galeritë e qymyrgurit që ndodheshin në rrethinat e Tulas, ku ai punonte si minator. Diplomimi i Taisës në fakultetin e Kimisë, pranë Universitetit ‘Lomonosov’ të Moskës, ku ajo u njoh dhe u martua me studentin shqiptar, Gaqo Pisha, me origjinë nga qyteti i Korçës, i cili asokohe studionte në fakultetin e Filozofisë së Moskës dhe të dy së bashku në vitin 1957, u kthyen në Shqipëri, bashkë me djalin e vogël të porsalindur, Sasha, ku filluan jetën në Tiranës, Taisa u emërua si pedagoge e Kimisë në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ndërsa Gaqo, në katedrën e marksizëm-leninizmit, ku ata punuan deri në vitin 1976, kur Sigurimi i Shtetit me akuza të montuara, e arrestoi Taisa Batkin, duke e akuzuar si “agjente të KGB-së sovjetike” dhe e dënoi me dhjetë vite burg politik, të cilat ajo i vuajti në “Burgun e grave” në Qytetin “Stalin”, nga ku u lirua në vitin 1986, ndërkohë që bashkëshorti, Gaqo Pisha, kishte ndërruar jetë në vitin 1983, nga një sëmundje e rëndë. Historia tragjike e Taisa Batkina (Pisha), nëpër kampet dhe burgjet çnjerëzore të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ajo kaloi një dekadë të jetës së saj, së bashku me shumë bashkatdhetarë nga ish-Bashkimi Sovjetik, apo vende të tjera të Evropës Lindore, vjen nëpërmjet kujtimeve të saja, të botuara në një libër me titull “Shpresuam dhe mbijetuam”.
Shpresuam dhe mbijetuam
I’a kushtoj kujtimit të ndritshëm të bashkëshortit tim, GAQO PISHA
Ky është libër kujtimesh. Në të dua të rrëfej për jetën time dhe të shoqeve të mia, grave sovjetike, që provuan burgun për disa vite vetëm sepse morën guximin dhe u martuan e lidhën fatin e tyre me atë te studentëve shqiptarë. Burgu ishte pjesë e GULAG-ut të madh në vendin e vogël ballkanik, Shqipëri, ku për shumë vite sundoi regjimi gjakësor komunist i Enver Hoxhës, që ishte nxënës besnik i Stalinit dhe vazhdues i kauzës së tij.
Nëpërmjet këtij libri do të doja që çdokush të mësonte për provat çnjerëzore që përjetuam ne dhe për vitet e tmerrshme qe kaluam në burgjet shqiptare, vetëm sepse… dashuruam! Dhe që askush dhe kurrë të mos harrojë, ç’është totalitarizmi, despotizmi dhe ç’pasoja sjell me vete ky sistem.
Nuk na lejonin në klubin ku mblidheshin punonjësit e ambasadës dhe specialistët sovjetikë që punonin në Shqipëri, madje as për të parë filmat ruse. Më kujtohet kur vajta për të parë atje filmin amerikan “Lufta dhe Paqja”. Hyra në sallë, pasi kishte nisur filmi dhe u largova shpejt në errësirë, para se ai të mbaronte. Specialistët kishin urdhër të prerë që të mos shoqëroheshin me ne, megjithëse më shumë prej tyre punonim bashkë dhe banonim pranë. Kush e shkelte këtë urdhër, merrte paralajmërim të rreptë. Që fëmijët tanë të mësonin në shkollën fillore sovjetike në Tiranë, as që bëhej fjalë. Ne ishin renegatë, në mos tradhtarë të vërtetë, gjithsesi… emigrantë, diçka e ngjashme me emigrimin e bardhë. Ne kërkonim që ambasada ta ndryshonte qëndrimin ndaj nesh dhe të mos na quante tradhtarë. Kur më 1959-n në Shqipëri erdhi Hrushovi, ne vendosëm t’i dërgonim një letër me ankesat tona, në adresë të ambasadës, ku t’i kërkonim ndihmë që ambasada të na lejonte të frekuentonim klubin, të na jepnin filma për t’i parë, etj. Pas njëfarë kohe, nisën të na e linin klubin, një ditë në javë për të zhvilluar veprimtaritë tona. Gjithsesi, nuk na lejuan të përziheshim me nënshtetas të tjerë sovjetikë, që jetonin dhe punonin në Shqipëri.
Qëndrimi i ambasadës sonë ndaj nesh ndryshoi mbasi u vërejtën të çara në marrëdhëniet sovjeto-shqiptare. Papritur ne u bëmë të mira, konsulli Fadejev, filloi të na ftonte në zyrë, të merrte pjesë në hartimin e planeve të punës, të na ofronte filma. Shqiptarët po bëheshin armiq, kurse ne… miq! Por edhe shqiptarët nisën të sillen ndryshe me ne. Kësisoj, pa e kuptuar as vetë se si e tek, që ditën që u martuam, u bëmë pjesë e politikës. Duket për të qeshur, por ja që ne thjesht bashkëshorte dhe nëna, u ndodhëm papritur në orbitën e politikës së Enver Hoxhës. Por atëherë nuk i dinim të gjitha këto. Gjithçka doli në sipërfaqe shumë më vonë, kur na arrestuan dhe mësuam se “dosja” jonë qe hapur, që gjatë prishjes së marrëdhënieve diplomatike. Dalë nga dalë, filluam të kuptonim se, qeveria sovjetike as donte të dinte për ne, për problemet tona. Këto u provuan veçanërisht pasi ne ramë në burg. Asgjë, absolutisht asnjë hap nuk ndërmori qeveria sovjetike, për të na ndihmuar, për të na liruar nga burgu, për të na e lehtësuar sadopak jetën. Ne ishim të gjitha nënshtetase të BRSS-së, megjithatë letrat e të afërmve tanë drejtuar qeverisë sovjetike, ranë në vesh të shurdhër. Sikur ne të mos ekzistonim!
Por le t’u kthehemi viteve 1960-’61. Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik po prisheshin në sytë tanë, teksa ne bënim si struci, fshihnim kokën në rërë. Veçanërisht e vështirë u bë jeta në vitin 1961. Ndryshoi qëndrimi ndaj specialistëve sovjetikë, shumëkush u largua, shumë projekte u prenë në mes, avionët fluturonin gati bosh. Në verën e vitit 1961, u dëbua Roza Koçi, e shpallur “persona non grata”. Ajo ishte gruaja e Mandi Koçit (do të shkruaj më vonë për të), filologe, përkthyese, njohëse e mirë e gjuhës shqipe, autore e fjalorit të parë Shqip-Rusisht. Roza shkonte shpesh në ambasadën sovjetike, përkthente filma, jepte mësime të gjuhës shqipe. Për këtë dhe e dëbuan në fillim të vitit ‘60.
Ndërkohë gjendja u rëndua tej mase, nisi ajo atmosferë frike të cilën unë nuk e largoj dot nga mendja edhe sot e kësaj dite. Ngjarjet rrokulliseshin si ortek dëbore. Grupet e fundit të specialistëve, megjithëse ishin nënshkruar kontrata afatgjata, u thirrën në atdhe. Nga Moska ktheheshin studentë, kursantë ushtarakë. Nisën të largohen edhe “gra sovjetike”. Nga jashtë gjithçka dukej mirë e bukur. Asgjëkund, as në shtyp, as në radio nuk qe thënë një fjalë kundër Bashkimit Sovjetik. Në Shqipëri zhvillohej procesi gjyqësor, kundër admiralit Teme Sejko, i akuzuar për spiunazh, në shërbim të Greqisë. Sigurimi sovjetik e dinte që çështja ishte e sajuar. Hrushovi propozoi që kjo çështje, të shqyrtohej nga anëtarët e Paktit të Varshavës, por Enver Hoxha e hodhi poshtë këtë propozim. Procesi u zhvillua i hapur dhe kjo e acaroi më keq gjendjen.
Më duket se është vendi të hedh dritë për gjendjen politike të asaj kohe. Në fund të viteve ’50, lidhjet midis vendeve të kampit socialist, morën zhvillim të ri; u krijua Bashkimi i Ndihmës Ekonomike të Ndërsjellë, u nënshkrua Pakti i Varshavës. Në kuadrin e këtyre marrëveshjeve, në Shqipëri filloi ndërtimi i shumë objekteve. U forcuan lidhjet edhe në fushën e mbrojtjes.
Pas vdekjes së Stalinit, siç dihet, Hrushovi i zëvendësoi të gjithë liderët e vendeve të kampit socialist, përveç Enver Hoxhës. Pas kongresit XX të Partisë Komuniste të BS-së dhe publikimit të letrës së famshme të Hrushovit, në të cilën goditej kulti i individit të Stalinit, nisi fushata e luftës kundër kultit të individit edhe në vendet e tjera socialiste. Moska i kërkoi Enver Hoxhës, të mbështeste vendimet e Kongresit XX, veçanërisht lidhur me kultin e individit. Por si mund të kritikonte veten Enveri?! Ai ishte tiran i egër, dinak, hipokrit, intrigant; e nuhaste rrezikun që i kanosej para se ai të shfaqej dukshëm. Rruga e ardhjes së tij në pushtet dhe periudha e qëndrimit në pushtet, kanë qenë të mbuluara me gjak. (Tani në Shqipëri, janë botuar shumë materiale që zbulojnë bëmat e përgjakura të komunistëve shqiptarë, me në krye Enver Hoxhën). Enveri e kuptonte mirë se Hrushovi do të bënte gjithçka për ta hequr nga pushteti dhe për ta zëvendësuar, me njeriun besnik të vetin. Kuptohet, mosmarrëveshjet e lindura midis dy partive, nuk ishin për veshin e opinionit të gjerë, ne as i merrnim dot me mend ato. Atëkohë unë ende nuk isha mësuar të lexoja midis radhëve. Tani thjesht shkruaj për ngjarjet që më kujtohen, pa i analizuar ato. Kjo është punë e politikaneve, historianëve, që mund të mbledhin dokumente, fakte.
Në prill të 1959-s Hrushovi erdhi për vizitë në Shqipëri. Këtu i bënë pritje solemne. Edhe unë isha midis turmës që e priti. Në fjalën e vet të shkurtër në aeroport, Hrushovi tha një frazë të tillë: “Ne, si një amvisë e mirë, duhet të heqim pluhurin çdo ditë, që të mos na grumbullohet shumë”. Atëherë sikur nuk na bëri përshtypje kjo frazë e cila, siç kuptuam më vonë, mbante fshehur një kuptim të thellë. Qëndrimi i Hrushovit në Shqipëri kaloi me shumë bujë. Si rezultat, ai u hoqi vizë të gjitha borxheve që Shqipëria i kishte Bashkimit Sovjetik, i dhuroi Pallatin e Kulturës, që do të ndërtohej në qendër të Tiranës dhe shumë të tjera, por Enveri u tregua më dinak se ai. Kur Shqipëria nuk i kishte më borxhe Bashkimit Sovjetik, Enver Hoxha, duke shfrytëzuar mosmarrëveshjet midis BRSS-së dhe Kinës, nisi të afrohej me këtë fundit. Për në Kinë u nis një delegacion me në krye Liri Belishovën, sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së. Por gjatë kthimit për në atdhe, Lirija, u prit nga Hrushovi. Sapo u kthye në Shqipëri, e shpallen armike të popullit dhe e internuan. Në këtë kohë nisi trysnia e vërtetë ekonomike, politike dhe diplomatike e Moskës mbi Shqipërinë. Gjithmonë na ka habitur qëndrimi i Bashkimit Sovjetik ndaj Shqipërisë. Në Shqipëri kishte shumë këshilltarë sovjetikë, të cilët punonin në çdo fushë, nga maja e pushtetit deri poshtë. A thua nuk e kuptonin dhe nuk njoftonin dot ata, ç’është Shqipëria dhe shqiptarët, kush ishte mentaliteti shqiptar mbas 500 vjet, sundim otoman, me një maxhorancë të popullsisë myslimane, marrëdhëniet feudale deri vonë, lufta qindravjeçare me pushtuesit, lufta për krijimin e shtetit… të gjitha këto, kishin lënë gjurmë te njerëzit. Politika e ‘llokumit dhe e kërbaçit’ këtu s’pinte ujë. Duke punuar në Shqipëri, ata kurrë nuk duhej të harronin se kishin të bënin me mendësi orientale. Kurse Hrushovi sillej i krekosur. Në shumë gjëra, në marrëdhëniet me Shqipërinë, nxirrte krye fodullëku perandorak.
Në Kongresin e XXII, në tetor 1961, Hrushovi doli hapur kundër udhëheqjes shqiptare. Shqiptarët reaguan prerë. Fjalët u pasuan nga veprat, trysnia e Moskës vazhdoi. Në fillim të nëntorit u njoftua për thirrjen e ambasadorit sovjetik nga Tirana, kurse një javë më vonë edhe për ndërprerjen e plotë të marrëdhënieve diplomatike. Më kujtohet shqetësimi ynë, frika në periudhën tetor-dhjetor 1961. Çdo ditë, sa vinim në punë, pyesnim njëri-tjetrin, për të rejat. Unë punoja me një pedagog, gruaja dhe djali i të cilit, kishin mbetur në Moskë, shumëkush kishte shokët apo miqtë, që mbronin aspiranturën ose që kishin vajtur për specializim, apo thjesht ndiqnin plane të ndryshme shkencore. Gjithçka po shembej. Kurse ne të gjithë shpresonim se sherri do të mbetej vetëm në nivel partiak dhe kur u dëgjuan fjalë që Hrushovi kërkonte të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike, nuk e besuam. Por ja që kishte qenë e vërtetë, një e vërtetë shumë e hidhur për mua.
Periudha 1961-1966
Që nga koha për të cilën po shkruaj, kanë kaluar shumë vite. Shumë hollësira janë harruar, por ndjesia, gjendja shpirtërore nuk harrohen. Ne erdhëm në Shqipëri dhe krijuam familje këtu; këtu ishte burri, djali, shtëpia ime. Të ikja, të flakja tej gjithçka, burrin, fëmijët pa baba, babanë pa fëmijë (djalin e kisha pesë vjeç dhe prisja fëmijën e dytë). “Si të bëj, si të veproj?” Kjo pyetje ma shponte trurin ditë e natë, si me turjelë. Vendimi që do të merrja ishte fat bartës. Në fillim njerëzit e mi më dërguan telegram: “Eja menjëherë”! Pastaj të dytin: “Vendosni vetë, mendohuni mirë, mos nxitoni”! Në shtëpi kisha vazhdimisht përballë sytë e përlotur të burrit tim, i cili përqafonte dhe ledhatonte Sashën. Vjehrra qante. Ne të gjitha nxituam për në ambasadë. Atje na dhanë viza daljeje për disa muaj dhe na thanë, që mund të veprojmë si të na dukej më mirë. Por ambasada edhe këtë radhë nxori në pah “politizimin” e saj, nëse mund ta quaj kështu. Disave prej nesh, burrat e të cilave mbanin poste me rëndësi dhe kishin bërë deklarata, ku dënonin veprimet e autoriteteve sovjetike, nuk u dhanë vizë. Të tjerave nuk u dhanë vize me sebepin se s’kishin dalë publikisht të dënonin veprimet e shqiptarëve. Edhe sot nuk arrij ta kuptoj se çfarë prisnin nga ne, gra të thjeshta? Ku të flisnim? (Por, pasi i torturuan gratë për dy javë, ua dhanë vizat.)
Mbaj mend, që edhe unë pata frikë se mos nuk më jepnin vizë, por jo… gjithçka shkoi mbarë dhe unë e mora vizën. Porosita biletën e avionit, përgatita valixhet, por kur përfytyrova çastin e tmerrshëm, të ndarjes me Gaqon, të ndarjes së tij me fëmijën, guximi dhe vendosmëria, më tradhtuan. Dhe unë sërish nuk po dija si të bëja. Shumë vite pas këtyre ngjarjeve, midis letrave që nëna ime i ruante me shumë kujdes, gjeta një letër që e kisha dërguar me një shoqe, që qe kthyer në atdhe. (Kishim shumë frikë të merrnim e jepnim letra të tilla; në doganë bënin edhe kontroll vetjak dhe mund ta grisnin vizën). Ishte letër dëshpërimi. Po sjell këtu disa radhë të asaj letre pa datë, megjithëse e mbaj mend, se e nisa në dhjetor 1961. “…Ambasada po largohet (këtë e dini nga gazetat), neve na dhanë viza për të hyrë në BRSS, deri më 8 shkurt. Me një fjalë, kemi ende një muaj e gjysmë për t’u menduar. Pas këtij afati nuk do të vij dot më, derisa ambasada të kthehet. Një Zot e di kur mund të ndodhë kjo. Kur ikim prej këtej, pala shqiptare shkruan në pasaportë, që po largohemi përgjithmonë. E kupton? Mundësia për t’u kthyer është fare e vogël… Po ika tani, nuk dihet për sa kohë do të ndahem me Gaqon, do të prish familjen. (Ndoshta përgjithmonë?) Fëmijë pa baba! Gjë e mirë është kjo? Nga ana tjetër, po qëndrova, nuk dihet për sa kohë nuk, do t’ju shoh… Kam frikë, se pala shqiptare do të na shtrëngojë… Tani për tani, me ne sillen shumë mirë… Natyrisht, duhen lexuar gazetat, por të gjitha nuk duhen besuar… Unë, natyrisht, më shumë jam për të ikur. Ata, që vendosën, janë të lumtur. Shumica nuk po vendosin dot… Po Gaqoja?… O Zot, sa keq më vjen për të! Por që të heq dorë nga atdheu im… Për këtë nuk vendos dot”!
Ne kujtonim se rrezikonim vetëm heqjen e shtetësisë sovjetike, mirëpo përpara na prisnin të tilla sprova, që po ta dinim se ç’do të na sillte fati, nuk do të mendonim asnjë minutë. Përgjigjja nga shtëpia ishte: “Vendosni vetë, ne miratojmë çdo dëshirë tuajën”. Dhe ne vendosëm. Ndërkohë burrin tim, si shumë të tjerë, e thirrën në organet e larta dhe i rekomanduan, që unë të mos ikja, të mos e prishnim familjen. “Ne premë marrëdhëniet me Hrushovin, jo me popullin sovjetik”. Koha tregoi që kjo kishte qenë thjesht demagogji. Kujtoj ndjesinë që provova në rrugë, kur më kaloi pranë kortezhi i makinave të zeza të ambasadës, që shkonin në aeroport. Pata frikë, m’u bë sikur po më linin në mëshirë të fatit dhe që duhej t’ia mbathja një orë e më parë që aty. Por e mposhta këtë ndjenjë, për të mos e prishur familjen, për të mos i lënë fëmijët pa baba. Këtu dua të kthehem pak prapa në kohë. Pas luftës, me ardhjen e komunistëve në pushtet, në Shqipëri nisi ndërtimi i jetës së re. Duheshin kuadro dhe shumë të rinj i dërguan në Bashkimin Sovjetik apo në vendet e demokracisë popullore, për të studiuar. Shumë nga këta djem u njohën atje me vajza, të cilat i deshën dhe kërkuan të lidhnin jetën me to.
Mirëpo në vitin 1948, në Bashkimin Sovjetik u shpall një dekret, sipas të cilit, ndalohej martesa e shtetasve sovjetikë me të huajt dhe jo vetëm me shtetas të vendeve kapitaliste, por edhe me ato të kampit socialist. Dashurinë e vërtetë e provon koha. Shumë shoqe të mia e pritën lejen e martesës 2, 3, 4 vjet, madje edhe më shumë. Më 1954-ën, një vit pas vdekjes së Stalinit, ky dekret u shfuqizua. Atë vit dhe vitet e tjera më pas, në Shqipëri erdhën shumë vajza tek të fejuarit dhe gra te bashkëshortët e tyre. Kjo punë vazhdoi dhe në prag të vitit 1961, vitit të prishjes së marrëdhënieve diplomatike me Bashkimin Sovjetik, numri i “grave sovjetike” arrinte 300-400. Deri para vitit 1961, ne jetonim këtu normalisht, me ne silleshin mirë, na strehonin, na ndihmonin për të gjetur punë. Shumica e grave ishin me arsim të lartë, disa vazhdonin studimet në Universitetin e Tiranës, punonin mirë, ishin të nderuara në punë, por edhe midis të njohurve. Pas ikjes së ambasadës, nisi “zbatica”. Shumë të qeta ikën ato, që nuk kishin mundur të krijonin marrëdhënie të mira në familje, nuk shkonin me njerëzit e burrit, nuk u mësuan dot, me mënyrën e re të jetesës. Kurse atyre që kishin familje të mbara, u dhembte në shpirt të shkatërronin jetën e tyre për së gjalli, të humbisnin gjithçka, prandaj marrja e vendimit për fatin e mëtejshëm për to, ishte problem vërtet mjaft i vështirë. Këto ethe vazhduan gati gjashtë muaj. Pastaj qe e pamundur të iknim. Duhej të kishim mbetur rreth 100 gra. Qeveria shqiptare edhe në kohërat më të mira, nuk i lejonte burrat tanë të jetonin në Bashkimin Sovjetik, kështu që ne s’patëm mundësi ta zgjidhnim vendbanimin, duhej të jetonim vetëm në Shqipëri. Dhe, kuptohet, pas prishjes së marrëdhënieve, burrat tanë nuk shkonin dot jashtë shtetit, me familjet e tyre. /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016