Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon historinë e panjohur dhe të bujshme të ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, ku bënin pjesë: Sabaudin Haznedari, Xhevdet Mustafa dhe Halit Bajrami, të cilët në mesnatën e 26 shtatorit të vitit 1982, me anë të një motoskafi të vogël që ishte nisur nga brigjet italiane, zbarkuan në bregdetin e Divjakës, ku pasi vranë një oficer policie dhe një fshatar të zonës, nën forcën e armëve, mbajtën peng një polic tjetër, i cili do t’u tregonte rrugën, për të përparuar në brendësi të territorit shqiptar, deri sa ata arritën në qytezën e vogël të Rrogozhinës, ku u zbuluan nga njerëzit e Sigurimit të Shtetit dhe pas një përpjekje me armë, ‘kapo’ i saj Sabaudin Haznedari, mbeti i vrarë në një qendër zjarri, dhe po ashtu të njëjtin “fat” do të kishte edhe Xhevdet Mustafa, që mbeti i vrarë pas disa orësh, në një shtëpi të fshatit Zhamë të Lushnjes, pasi më parë kishte vrarë të zotin e shtëpisë dhe një nënoficer policie që po e ndiqte me motoçikletë. Dëshmia e rrallë e Gafurr Haznedarit nga qyteti i Durrësit, vëllait të ‘kapos’ së asaj bande, që rrëfen për herë të parë gjithë historinë e së ashtuquajturës “banda Xhevdet Mustafa”, e cila sipas versionit të Enver Hoxhës, “ishte dërguar nga UDB-ja në bashkëpunim me Leka Zogun, me qëllim për të vrarë sekretarin e parë të Komitetit Qendror të PPSH-së”. Ngjarja e panjohur, vjen nëpërmjet vëllait të ‘kapobandës’, Haznedari, duke filluar nga historia e tyre familjare për të cilën aktori dhe dramaturgu i njohur, Sulejman Pitarka, do t’i kushtonte dramën “Familja e peshkatari”, si dhe të gjithë kombinacionet e Sigurimit të Shtetit, që nga arratisja e tyre dhe deri në ngjarjen e 26 shtatorit 1982, ku Sabaudini dhe Xhevdeti mbetën të vrarë, në përpjekje me forcat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kurse Halit Bajrami, pasi u mbajt disa kohë në “Hetuesi” dhe te Hotel “Tirana”, u përcoll nga Zbulimi Shqiptar në Zelandën e Re, ku jetoi i qetë edhe pas viteve ’90-të, duke mos pranuar të shkelte më në Shqipëri!
40-vjet më parë, në paraditen e së dielës së 26 shtatorit të vitit 1982, një ngjarje aspak e zakontë dhe tepër e bujshme e ndodhur në një qytezë të vogël të Shqipërisë së Mesme. Shprishi heshtjen e monotoninë mbytëse që mbizotëronte prej vitesh në Shqipërinë komuniste të asaj kohe, duke shkaktuar pështjellim e panik të madh edhe në radhët e hierarkisë së lartë të udhëheqjes komuniste të kryesuar prej Enver Hoxhës. Po atë pasdite, lajmi mbi atë ngjarje, që ishte përhapur me një shpejtësi po të pazakontë pothuaj në të gjithë vendin, duke u rrëfyer në forma nga më të ndryshmet. U bë i ditur edhe nga Radio-Televizioni Shqiptar, me anë të një njoftim zyrtar të dhënë nëpërmjet një komunikate zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili u transmetua në emisionin e lajmeve të orës 20.00. Ajo komunikatë zyrtare në mes të tjerash, bënte të ditur se: ‘një bandë e armatosur e financuar dhe e stërvitur nga shërbimet sekrete të disa vendeve fqinje, në bashkëpunim dhe me armiqtë e popullit shqiptar, kishte zbarkuar disa km. në thellësi të territorit shqiptar në bregdetin e Divjakës, ku dhe ishte asgjësuar plotësisht nga forcat e Ministrisë së Brendshme’.
Dëshmia e Gafurr Haznedarit, vëllait të “kapos’ së “Bandës Xhevdet Mustafa”
“Vëllai im Sabaudin Haznedari, ishte kryetari i ‘bandës’, që së bashku me Xhevdet Mustafën dhe Halit Bajramin, zbarkuan në bregdetin e Divjakës, në mesnatën e 26 shtatorit të vitit 1982. Bashkë me ata të tre, në bazat e stërvitjes ishte përgatitur edhe një person tjetër, (F. K.)i cili pak çaste para se banda të imbarkohej në motoskafin që do të lundronte, drejt bregdetit shqiptar, u bë i sëmurë dhe u nis gjoja për të blerë ilaçe. Pas ikjes së dyshimtë të atij personi që pas viteve ’90-të ka ardhur disa herë në Tiranë, vëllai im Sabaudini, e ndërroi itinerarin e lundrimit dhe zbarkoi në një vend tjetër, për t’ju shmangur kurtheve të Sigurimit”. Kështu shprehej në mes të tjerash, lidhur me të ashtuquajturën “Banda Xhevdet Mustafa”, Gafurr Haznedari, nga qyteti i Durrësit, i cili na rrëfente gjithë historinë e asaj bande, ku vëllai i tij, Sabaudin Haznedari, ishte ‘kapo’ i saj.
Kush ishte Sabaudin Haznedari, cila është e kaluara e tij dhe në çfarë funksioni u caktua ai, pas mbarimit të Luftës? Cila ishte përplasja e tij me krerët e lartë të Partisë Komuniste Shqiptare, në qytetin e tij vitin 1945 dhe përse ai u përjashtua nga radhët e partisë etj?
Kush ishte Halit Bajrami, që kur njihej ai me Sabaudinin dhe si u arratisën ata nga Shqipëria? Arratisja e Halit Bajramit, a ishte për qëllime politike, për arsye se ai ishte pakënaqur nga regjimi komunist, apo ajo ishte një truk i Sigurimit të Shtetit, i ideuar nga shefi i tij, Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu? Si e mësoi familja Haznedari, lajmin e arratisjes së Sabaudinit dhe çfarë i thanë babait të tij, Mahmudit, kur atë e thirrën në Ministrinë e Punëve të Brendshme? Ku u vendosën ata të dy pasi ikën nga Shqipëria dhe përse Halit Bajrami ngulte këmbë që ta merrte me vete Sabaudinin në Zelandën e Re?
Ku jetuan Sabaudini dhe Haliti nga viti 1950 e deri në 1982-in kur erdhën në Shqipëri dhe a i mbajtën ata lidhjet e miqësinë e vjetër? Çfarë ndodhi me familjet e tyre pas arratisjes dhe përse nuk u ngacmuan ato nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, siç ndodhte zakonisht me familjet dhe të afërmit e atyre që arratiseshin nga Shqipëria e aq më shumë kur ata kishin “aktivitet armiqësor”, kundër Shqipërisë komuniste? Si mundi Sabaudini të lidhej me familjen e tij dhe kush ishte gruaja, që në 1962-in ai e nisi nga Italia dhe u takua me bashkëshorten, djalin dhe gjithë njerëzit e shtëpisë së tij, në qytetin e Durrësit?
Si u zbuluan tre pjesëtarët e “bandës” në Rrogozhinë dhe si është e vërteta e vrasjes së Sabaudin Haznedarit në bunkerin (qendrën e zjarrit), ku ishte futur? Çfarë ndodhi me familjet Haznedari, Mustafa dhe Bajrami, në 27 shtatorin e vitit 1982?
Çfarë u shkruajt në letrën që iu dërgua Halit Bajramit në vitin 1993, në Zelandën e Re dhe përse ai nuk pranoi të kthehej asnjëherë në Shqipëri? Lidhur me këto mistere e fakte të tjera nga historia e asaj që njihet si “Banda Xhevdet Mustafa”, na njeh për herë të parë me dëshmitë e tij ekskluzive Gafurr Haznedari nga qyteti i Durrësit.
Zoti Gafurr, pas mbarimit të Luftës, me çfarë pune u mor vëllai juaj Sabaudini?
Vëllai im i madh, Sabaudini, i cili kishte qenë në radhët partizane dhe nga Lufta doli oficer me gradën e togerit, menjëherë që në dhjetorin e vitit 1944, u caktua me funksionin e Kryetarit të Këshillit Nacionalçlirimtar për Lagjen “Varosh” i poshtëm, që në atë kohë përmblidhte gjysmën e qytetit të Durrësit.
Sa kohë u mor Sabaudini me atë punë në Durrës?
Në atë detyrë Sabaudini nuk shërbeu për shumë kohë, sepse në vitin 1945, atë e hoqën që andej dhe e përjashtuan nga radhët e partisë.
Për çfarë arsyesh ndodhi përjashtimi i tij nga partia?
Atë vit, në qytetin e Durrësit u zhvilluan zgjedhjet për në forumet drejtuese të pushtetit vendor dhe një pjesë e madhe komunistëve kryesorë, që ishin shumë të njohur, që nga koha e Luftës, si: Skënder Çela, Drita Malile, Hysen Ballhysa, Mark Toçi etj., kundërshtuan kandidaturat që kishte dërguar Komiteti Qendror i Partisë Komuniste, nga Tirana.
Haznedarët në qytetin e Durrësit, fqinjë të aktorit dhe dramaturgut të njohur, Sulejman Pitarka, i cili u kushtoi atyre dramën, “Familja e peshkatarit”
Origjina e hershme e familjes së njohur durrsake, Haznedari, prej nga rrjedhin edhe Sabaudin e Gafurr Haznedari, është nga Dibra e Madhe, më saktë nga fshati Prilep i Manastirit. Gjyshi i Sabaudinit, është quajtur Vesaf Haznedari dhe është njohur në të gjithë Prefekturën e Dibrës së Madhe, si stërnip i Sulltan Hamitit. Djali i Vesafit, Mahmudi, që njëkohësisht është edhe babai i Sabaudinit dhe Gafurrit, ka lindur më 15 shtator të vitit 1887, në Prilep të Manastirit, ku dhe është shkolluar fillimisht në një ‘Mejtep’ e më pas në ‘Medrese’.
Aty nga viti 1927, Mahmud Haznedari me gjithë familjen e tij u shpërngul nga qyteti i Manastirit dhe erdhi e u vendos në Tiranë, për shkak të dënimit me vdekje, që i ishte dhënë në mungesë nga një gjykatë sllave, i cilësuar si irredentist. Pasi qëndroi për dy vite në Tiranë, Mahmud Haznedari me familjen e tij u zhvendos dhe shkoi në qytetin e Durrësit, ku për disa kohë jetoi si qiraxhi, në një banesë afër Torrës së Kalasë. Më pas ai bleu një copë tokë në bregdet, në vendin që edhe sot durrsakët e njohin si “Tokat e batallëkut”. Në atë tokë, që i’a bleu Zija Kodrës, Mahmudi, ngriti një kasolle në bregdet.
Më pas ajo barangë e ngritur në bregdet, të cilën Mahmudi, e mbushi me dhe rreth e rreth, u njoh dhe u quajt nga durrsakët si “Kasollja e peshkatarit”. Në ato toka të “batallëkut” ngjitur me familjen Haznedari, asokohe banonte dhe familja e Sulejman Pitarkës, (shkrimtarit dhe aktorit të madh), që disa vjet më pas, mori shkas dhe shkroi dramën e njohur “Familja e peshkatarit”, (e cila u dedikohet tërësisht Haznedarëve) që më pas u ekranizua nga Kinostudio “Shqipëria e Re”, me filmin “Oshëtimë në bregdet” .
Plaku i asaj familje, Mahmudi, me bashkëshorten e tij. Lutfijen, (Strazimiri) asokohe u bënë me gjashtë fëmijë dhe më i madhi i tyre ishte Sabaudini, që kishte lindur në vitin 1922. Pas tij vinin: Emini, Naimi, Abdurrahimi, Gafurri dhe Qerimi, të cilët kishin diferencë moshe nga tre katër vite me njëri-tjetrin.
Po kështu edhe më pas, gjatë viteve të Luftës, ajo “kasolle e peshkatarit”, u bë një nga bazat e Lëvizjes Antifashiste, ku u strehuan dhe bënin mbledhje shumë nga eksponentët kryesorë të Qarkorit komunist të Durrësit, pasi, përveç plakut të shtëpisë, Mahmudit, edhe tre djemtë e tij më të rritur, Sabaudini, Emini dhe Naimi, ishin angazhuar me Lëvizjen Antifashiste, duke hyrë edhe në radhët e Partisë Komuniste. Në vitin 1943, familja Haznedari u shpërngul nga Durrësi dhe erdhi në Tiranë, duke u vendosur në një banesë me qera në “Rrugën e Kavajës”, tek furi i Lym Sharrës. Edhe kjo shtëpi ku u vendosën Haznedarët në Tiranë, u kthye në një nga bazat e Luftës, pasi tre djemtë e saj, Sabaudini, Emini dhe Naimi 14-vjeçar, kishin dalë partizanë.
Emini, që në atë kohë ishte partizan në çetën e Pezës, vinte në shtëpi i veshur si fshatar dhe me gomarin e tij që sillte dru gjoja për furrën, merrte municion që i ati i tij, Mahmudi, e blinte për partizanët. Më 16 nëntor të vitit 1944, një ditë para se gjermanët të largoheshin nga Tirana, ata dogjën shtëpinë e Haznedarëve, pasi gjatë kontrollit që bënë, në bodrumet e saj, gjetën trakte dhe komunikata të komunistëve. Të mbetur në mes të rrugës, tetë ditë më vonë (më 24 nëntor 1944), familja Haznedari u shpërngul përsëri për në qytetin e Durrësit dhe u vendos në ish-kasollen e saj në bregdet, e cila tashmë ishte rrënuar plotësisht./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016