Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me siglën ”Sekret” ku zv/ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Mihal Prifti, në vitin 1951, i dërgon një relacion të qeverisë shqiptare Kryetarit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Padilla Nervo, ku midis të tjerash citon disa nga dëshmitë e dhënë para gjyqit të diversantëve që u përgatitën nga Zbulimet Perëndimore në kampet e Gjermanisë Perëndimore, si Selim Daci, Muhamet Hoxha, etj., nën kujdesin e Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe personalisht, Abaz Kupit, Abaz Ermenjit, Gaqo Gogos, etj.
Raporti i zëvendësministrit të Jashtëm, Mihal Prifti, për Presidentin e OKB-së
“Përpjekjet e reaksionarëve për t’u financuar nga kolonia e SHBA-së”
Në fillimin e relacionit të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Mihal Prifti, për Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Padilla Nervo, jepet një përmbledhje e hollësishme mbi përqendrimin dhe organizimin e forcave dhe grupeve të ndryshme të shqiptarëve antikomunistë në vendet Perëndimore. Lidhur me këtë, midis të tjerash, aty shkruhet: “Përqendrimi më i madh i gjithë forcave reaksionare shqiptare që mundën të shpëtojnë nga drejtësia e popullit, është kryesisht në Itali, Greqi dhe më vonë në Jugosllavi, dhe në radhë të dytë në Turqi, Egjipt, Francë, Amerikë etj. Deri në vitin 1946, forcat e tyre nuk ishin akoma të organizuara, megjithëse në pjesën më të madhe të grumbulluara në kampe, në fillim të U.N.RR.A.-s dhe më vonë në ato të I.R.O.S. Në këtë kohë gjendja e emigracionit shqiptar ishte shumë e vështirë. Në radhët e tyre ekzistonte frika e dorëzimit si mbas vetë deklaratave të kryetarëve të shteteve të mëdhenj t’Amerikës, t’Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik. Me qëllim që t’i nënshtronin dhe t’i bënin vegla për interesat e tyre, vetë anglo-amerikanët përhapnin fjalë n’emigracion se gjoja të gjithë ata që kishin bërë krime gjatë luftës do të dorëzoheshin shteteve përkatëse si kriminelë lufte. Krahas kësaj, drejtorët e kampeve që ishin amerikanë dhe anglezë, nëpërmjet krerëve të emigracionit filluan një propagandë të shfrenuar kundër Pushtetit Popullor, duke e paraqitur gjendjen në Shqipëri shumë të pasigurt, ku populli vuante nga uria, nga terrori dhe ku njerëzit zhdukeshin për të vetmin faj të tyre se nuk ishin komunistë. Nga ana tjetër, për të prerë çdo shfaqe pendimi mbi të kaluarën, e cila filloi të zgjohej në këtë kohë në shumë emigrantë të thjeshtë të gënjyer nga krerët e tyre dhe që shfaqnin dëshirën për t’u kthyer në atdhe, drejtorët e kampeve dhe krerët e kriminelëve, përhapnin lajme të rreme mbi Shqipërinë, për vrasje të përditshme dhe të tmerrshme, si p.sh. paraqitnin sikur njerëzve ju pritet koka, veshët, duart, u nxirren sytë. Kur shihnin që edhe kjo mënyrë propagande nuk zinte vend, ata arrestonin dhe zhduknin persona të ndryshëm, duke përhapur lajme se ishin dorëzuar Qeverisë Shqiptare. Me gjithë këto forma anglo-amerikanët arritën që të terrorizojnë të gjithë emigracioni dhe e detyruan atë që t’i bindej diktatit të tyre. Kështu kriminelët shqiptarë nga kjo gjendje, qysh nga ajo kohë ishin vënë në dispozicion të shërbimit imperialist anglo-amerikan. Emigracioni shqiptar i përqendruar në kampet i I.R.O.S. ishte në gjendje të vajtueshme, si nga gjendja ekonomike ashtu dhe përsa i takon shpresës së rikthimit në Shqipëri. Moralisht këta ishin shumë t’ulët dhe nuk mund t’u kërkohej as aktivitet. Financimi deri në këtë kohë nga ana e anglo-amerikanëve ishte i pakët dhe këtyre u mungonin edhe fondet e nevojshme për një aktivitet të madh propagandistik kundër vendit t’onë. Kjo gjendje i detyronte të kërkonin burime të tjera dhe të tilla ishin për ta burimet shqiptare n’Amerikë, Australi e gjetkë. Në këtë drejtim ata kanë bërë përpjekje të mëdha, sidomos në atë të Amerikës. Atje dërguan njerëz me rëndësi si p.sh. Hasan Dostin e Stavro Skëndin e tjerë, me qëllim që të propagandonin kundër R.P.SH. dhe ta bënin për vete koloninë për ta patur jo vetëm si mbështetje financiare, por njëkohësisht edhe morale”.
Dëshmia e diversantit Selim Daci
Në pjesën më të madhe të relacionit të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Mihal Prifti, për Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Padilla Nervo, jepen dëshmitë e disa prej diversantëve shqiptarë, që, sipas raportit të qeverisë shqiptare, i kishin dhënë ato dëshmi para gjyqeve të popullit (Arkivi i MPJ. Dosja 260. Viti 1951). Lidhur me këtë, në relacionin e qeverisë shqiptare të firmosur nga Mihal Prifti midis të tjerash shkruhet: “Kohë mbas kohe kriminelët shqiptarë për t’u futur në shërbim të amerikanëve, të cilët do t’i përdornin për t’i dërguar në grupe diversantët kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Krerët e kriminelëve shqiptarë me qëllim që t’ju ngrinin moralin dhe t’i bindnin për fitoren e sigurt dhe të shpejtë, shkonin nëpër kampet dhe kurset ku instruktoheshin kriminelët shqiptarë dhe u mbanin fjalime të ndryshme. Në këtë mënyrë del e qartë qëllimi dhe shërbimi i këtyre njerëzve të shitur, të cilët vetëm për interesat personale të tyre gënjenin masën e emigrantëve që të hidheshin në Shqipëri për qëllimet e imperialistëve të Amerikanëve. Ashtu siç do të vërtetohet edhe më poshtë krerët kriminelë si Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Gaqo Gogo, Vasil Andoni, Seit Kryeziu etj nuk bëjnë gjë tjetër veçse zgjedhin, grumbullojnë, seleksionojnë kriminelët shqiptarë dhe i detyrojnë ata me anë kërcënimesh që të vihen pa rezerva në shërbim të spiunazheve imperialiste. Në lidhje me sa sipër krimineli diversant i kapur në tokën Shqiptare, Selim Daci deponon në procesin e tij sa më poshtë: “Mbas një muaj stërvitje dhe pikërisht në muajin gusht 1950 prej Munihut na shpunë në një qytezë 18 km në jug të tij, që quhet Welterhof. Këtu gjendeshin rreth 150 depo të amerikanëve, të cilat ishin me bomba avioni të çdo kalibri, me raketa me municion mitralozi për avionë. Këto i morëm në dorëzim nga gjermanët, të cilët bënin rojën më përpara. Në orët e lira neve amerikanët na mësonin të shkruanim, të lexonim, të mësonim gramatikë, aritmetikë, gjeografi etj. disa herë na mbaheshin konferenca, ku flitej shumë keq për pushtetin e sotëm në Shqipëri na e paraqesin shumë të vuajtshme jetesën e popullit tonë, na flitnin shumë mirë për demokracinë amerikane dhe shanin Bashkimin Sovjetik dhe Demokracitë Popullore. Në Wekterhov na ka ardhur Abaz Kupi, i cili mblodhi gjithë kompaninë tonë dhe na përgëzoi për sjelljet tona të mira ndaj amerikanëve dhe se gjoja kompania e jonë ishte më e mira në të gjithë Munihun. Pastaj ai na tha këto fjalë: “Mos u mërzitni se miqtë tanë amerikanë dhe anglezë na kanë dhënë fjalën që Shqipërinë do ta çlirojmë që sivjet”. Abazi u largua nga kompania jonë mbas 5 ditësh dhe gjatë kësaj kohe ai qëndronte vazhdimisht me oficerë amerikanë dhe anglezë të kampit. 20 ditë mbas ikjes së Abaz Kupit na erdhi në kamp edhe Abaz Ermenji, i cili na përgëzoi për vullnetin dhe sjelljet tona të mira me shokët dhe na tha se juve këtu nuk jini vetëm 200, do të shikoni se do të vijnë së shpejti me mijëra shokë të tjerë, populli shqiptar ju është mirënjohur amerikanëve për ndihmat që na jep neve. Mbas disa ditësh të largimit të Abaz Ermenjit erdhi në kamp edhe Seit Kryeziu, i cili në një fjalim të shkurtër që na mbajti, midis të tjerave, na tha se sipas fjalës të amerikanëve do ta çlirojmë Shqipërinë që sivjet dhe se dëshironte që kur neve të hidheshim në Shqipëri të punonim dhe të sakrifikojmë deri në vdekje për çlirimin e Shqipërisë”.
Dëshmia e diversantit Muhamet Hoxha
Pas asaj pjese të relacionit ku jepen dëshmitë e diversantit Selim Daci, lidhur me aktivitetin e grupeve të shqiptarëve antikomunistë në kampet e Gjermanisë, jepet edhe dëshmia e diversantit tjetër Muhamet Hoxha. Lidhur me këtë, aty shkruhet: “Kriminelët shqiptarë në kampet amerikane të Gjermanisë mbasi qëndronin për një kohë dhe merreshin me stërvitje ushtarake, më pas ndaheshin nëpër grupe të vogla dhe dërgoheshin nëpër vende të izoluara ku instruktoheshin për të përvetësuar mirë profesionin e spiunazhit dhe të diversionit. Në lidhje me këtë, diversanti Muhamet Hoxha deklaron në procesin e tij sa më poshtë: “Mbasi udhëtuam të mbyllur në një kamion ushtarak për një orë rresht mbërritëm në një vilë buzë një liqeni. Këtu u pritëm nga drejtori i kursit, nga një amerikan me emrin Enrik. Ditën e nesërme drejtori i kursit na mblodhi në një sallë dhe na porositi që të mos bisedojmë me personelin e vilës dhe për çdo nevojë që do të kishim t’i drejtoheshim atij. Pastaj mbasi na prezantoi profesorët e kursit na tha: “Juve jini të ndarë në dy grupe, 14 veta do të mësoni për radio transmetuese dhe të tjerët do të ndahen në katër grupe të ndryshme”. Pastaj drejtori na tha se neve ishim dërguar nga komiteti “Shqipëria e Lirë” në këto kurse për t’u specializuar për t’u bërë sa më të aftë në çlirimin e Shqipërisë dhe se amerikanët janë në bashkëpunim të ngushtë me komitetin dhe punojnë për të njëjtin qëllim. Kursi zhvillohej me këtë program: çdo ditë bënim një orë gjimnastikë, dy orë mësim për radio-telefon, një orë instruksion mbi përdorimin e thikës, mundje, boks dhe mbi armët parabël dhe automatik gjerman, dy orë mbas dite na shfaqeshin filma mbi lëndën e shpjeguar dhe dy orë bënim mësim mbi përdorimin e parashutave. Mbas dy jave, mësimi mbi parashutën u la dhe në vend të saj na u vunë dy orë instruktazh spiunazhi, një orë gjeografi dhe topografi. Për spiunazhin na jepte mësim drejtori Enrik, ndërsa më pas profesori Fellers Amerikan, i gjimnastikës, pasi drejtori më vonë u zëvendësua me një profesor tjetër amerikan me origjinë greke emrin e të cilit nuk e di. Gjatë kohës që ishim në këtë kurs, në vilën Breshter Graden dhe pikërisht tre javë mbas fillimit të kursit, drejtori i shkollës, Enrik, na lajmëroi se do të kishim vizitën e disa krerëve të komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ dhe pak më vonë mbërriti në vilë Abaz Kupi, Abaz Ermenji dhe Gaqo Gogo. Të nesërmen në mëngjes na mblodhën të gjithëve dhe mbledhjen e çeli drejtori Enrik. Mbasi na përgëzoi për sjelljet e mira që kishim treguar përpara kryetarëve tanë i dha fjalën Abaz Kupit, i cili na tha se neve në Shqipëri shkonim për të luftuar dhe jo për të ruajtur kokën, se duhet të harronim grindjet që kishim midis grupeve të ndryshme por të shihni vetëm interesin e përbashkët të atdheut. Pas tij e mori fjalën Abaz Ermenji, i cili përsëriti fjalët e Abaz Kupit dhe shtoi se në Shqipëri përveç neve do të vinin edhe shumë shokë të tjerë, por neve duhet të qëndronim të fshehur që të mos diktoheshim dhe do të ndiqnim të njëjtën taktikë që bënin partizanët komunistë, sepse ishim njerëz të ngarkuar me misione sekrete. Në rast se do të shikonim keq duhet të zhduknim menjëherë dokumentet dhe në asnjë mënyrë të mos binim të gjallë në duart e komunistëve. Në qoftë se do të diktoheshim nga forcat e qeverisë të kalonim menjëherë në tokën greke dhe tu jepnim autoriteteve të kufirit parullën ylli special. Të njëjtën gjë mund ta bënim edhe për në tokën Jugosllave dhe që atje do të vinin menjëherë të na merrnin”.
Stërvitja në kampet e Greqisë
Pas dëshmive të diversantit Muhamet Hoxha, në relacionin e zëvendësministrit Mihal Prifti jepet edhe një përmbledhje lidhur me aktivitetin e emigracionit politik shqiptar në disa kampe të Greqisë. Lidhur me këtë, aty shkruhet: “Në mbarim të kurseve të spiunazhit grupet e kriminelëve shqiptarë niseshin me aeroplan nga Gjermania, fluturonin mbi tokën italiane dhe zbritnin në një aeroport jashtë Athinës. Mbasi qëndronin për një kohë në Greqi i pajisjen me vesh-mbathje civile me thika dhe armë të ndryshme, me radio transmetonte, me blloqe shifre dhe me dybli dhe mbasi ju merren me anën e një aparati zëri i diversantëve ju bënin dokumentet e komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, ju jepnin nga një automatik, revolver, fishekë dhe nga dy bomba dore i nisnin me aeroplan për t’i hedhur me parashutë në malet e Shqipërisë. Ja çfarë deponon diversanti Iljaz Toptani mbi përgatitjet para se të hidheshin në tokën shqiptare: ‘Para se të niseshim për në Shqipëri, profesori i bazës në Greqi na pyeti edhe njëherë në se i mbanim mënd pseudonimet e grupit që na ishte caktuar dhe shtoj se në qoftë se ndonjë nga nacionalistët do të ndiqet prej qeverisë, juve do t’i thoni të kalojë kufirin nga ana e Prespës, ku me të rënë në duart e autoriteteve greke, ai do të merret në dorëzim nga ana jonë”./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016