Nga Prof. Dr. Kolonel, Memush Habilaj
Pjesa e parë
Memorie.al / Epoka e Armëve Bërthamore për njerizimin, u hap më 6 gusht 1945, datë në të cilën SHBA-ës, hodhën në Hiroshima të Japonisë, bombën e parë bërthamore, me emërtimin konvencional: “Little Boy”, (“Djali i Vogël”) me uranium – 235 dhe të pasuar me goditjen e dytë mbi Nagasaki, më 9 gusht 1945, me bombën me emërtim; “Fat Man”, (“Trashaluqi”) me Plutonium – 239. Ky sulm bërthamor shkaktoi vetëm në Hiroshima, deri në 140.000 viktima në njerëz, shkatërroi 50 mijë ndërtesa, si dhe dëmtime të tjera të pallogaritshme e, u shoqërua me pasoja afatgjata në njerëz dhe në mjedis. Qysh nga shpërthimi i parë bërthamor provë, më 16 korrik 1945 e, deri më sot, fuqitë bërthamore kanë kryer 2000 testime bërthamore në tokë, ajër, nën tokë, nën ujë, duke sjellë pasoja në mjedis, shëndetin e njerizimit dhe degjenerime në klimën e planetit. Armët bërthamore janë armë të dëmtimit në masë, efektet e tyre dëmtuese janë të pakufizuara në hapësirë dhe në kohë.
Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, 1945-1990, nga fuqitë bërthamore u ndoq politika afatgjatë e ekuilibrit bërthamor, ruajtja e stabilitetit ndërkombëtar dhe e mospërhapjes së armëve bërthamore (A.B.),duke përqendruar potencialin bërthamor në pak vende, me sasi të përcaktuara përafërsisht të këtyre armëve. Gjatë kësaj periudhe, vetëm SHBA-ës kanë shpenzuar për armët bërthamore, rreth 11.3 trilionë dollarë, (me kursin e viteve 1990), pothuajse këtë shifër ka konsumuar edhe ish-Bashkimi Sovjetik (Rusia sot), pa llogaritur të tjerët, vlera të nxjerra nga taksapaguesit e këtyre vendeve.
Për krahasim, po sjellim koston e bombës së parë që u hodh në Hiroshima, me vlerë 23 miliard USD (të konvertuar me kursin e vitit 1990). Për vitin 2022, nëntë vende që disponojnë A.B., shpenzuan 82.9 miliard USD, ose 157.000 USD/minutë, për AB. Në vitet 1945-1990, fuqitë bërthamore dispononin 70.300 A.B., të 30 llojeve, nga të cilat deri në 33.000 copë, ishin në inventarin e ish – Bashkimit Sovjetik (Rusia sot) dhe 32.000 copë në SHBA-ës.
Pas viteve 1990-të, filloi politika kufizimit të prodhimit të A.B., çmontimi i AB të vjetra, kryesisht prodhimet e viteve 1945-1970, duke ulur numrin e A.B., por pa lëvizur fuqinë e tyre. Sot në total, bota ka në dispozicion rreth 15.000 A.B., të llojeve e fuqive të ndryshme, duke i marrë këto të dhëna me rezerve, se shumë shtete nuk publikojnë shifra të sakta, duke ruajtur sekrete për A.B. që disponojnë, sot fuqi bërthamore janë 10 vende: Rusia, SHBA-ja, Kina, Anglia, Franca, India, Pakistani, Afrika e Jugut, Izraeli, Koreja e Veriut, në pritje për t’u shtuar në këtë listë’ Irani dhe Brazili, ndërsa 6 vende kanë pranuar të kenë A.B. në territorin e tyre: Gjermania, Italia, Turqia, Bjellorusia, Belgjika, Hollanda, disa vende kërkojnë të kenë në të ardhmen A.B. të dislokuara në territoret e tyre, si; Ukraina, Polonia etj., duke shkuar në mbi 20 numri i shteteve që disponojnë faktikisht A.B., ose që mund t’i kenë në një moment të caktuar.
Ka të dhëna, se në disa vende bëhen studime të fshehta për mundësinë e prodhimit të A.B., por të pavërtetuara ende, qysh në vitet 1980, kanë filluar studimet në këtë fushë Suedia, Argjentina, Tajvani, Iraku dhe Brazili. Pavarësisht politikave të çarmatimit, studimet për përsosjen e A.B., ekzistuese dhe gjetjen e metodave të reja për ndërtimin e A.B., vazhdojnë në të gjitha vendet që kanë potencialet bërthamore, bërthamore. Studime të tilla fshijnë çdo propagandë politike e deklarative, mbi gjoja çarmatimin bërthamor, ku angazhohen fuqitë bërthamore dhe aleatët e tyre.
ARMËT BËRTHAMORE
Parimet bazë të ndërtimit dhe funksionimit të armëve bërthamore:
Armët Bërthamore (A.B.) bazohen mbi shfrytëzimin e energjisë bërthamore që çlirohet nga dy lloje reaksionesh bërthamore: 1. reaksioni zinxhir i pa kontrolluar i ndarjes së bërthamave të elementeve të rëndë URANIUM (Izotopi 235 U), PLUTONIUM (239 Pu), (si edhe të disa elementëve artificialë, sintetikë, Neptun-237, Amerikum etj., pa rëndësi praktike)- ndarja bërthamore (nuclear fission), ose BOMBA- A, 2. reaksioni zinxhir i sintezës bërthamore të bërthamave të lehta të izotopëve të hidrogjenit (deuter, tritium) dhe litiumit – reaksioni termobërthamor (nuclear fusion) ose BOMBA-H. Reaksioni i ndarjes së kontrolluar shfrytëzohet në reaktorët bërthamorë, për të fituar energji.
Uraniumi gjendet në natyrë, por izotopi përkatës 235 U, ndodhet në sasi të vogël (rreth 0,72 %) dhe pasurohet me vështirësi dhe kosto të lartë, për ta çuar në vlerat që duhet për një AB (mbi 80%), ndërsa për reaktorët bërthamorë mjafton pasurimi deri në 10-15 %. Plutoniumi fitohet në reaktorët bërthamorë me kosto relativisht më të ulët.
Materiali i ndarjes bërthamore, në konstruksionin e bombës A, ruhet në pjesë të veçanta, më të vogla se e ashtuquajtura; “Masa Kritike”, dhe në momentin e shpërthimit bërthamor, bashkohen me shpejtësi duke krijuar “ “masën mbi-kritike”, që krijon mundësinë e një reaksioni bërthamor zinxhir të pakontrolluar, të ndarjes së bërthamave. Në reaksionin e sintezës termobërthamore-bomba H, nuk ka masë kritike dhe lëndët pjesëmarrëse në reaksion, mund të futen në çfarëdo sasie, duke krijuar shpërthim termobërthamor, me fuqi të pakufizuar.
Si nistorja i një reaksioni termobërthamor, i cili kërkon temperature shumë të larta për tu zhvilluar (disa miliona grade) shërben reaksioni i ndarjes së bërthamave të rënda (Bomba- A). Bomba termobërthamore, Bomba- H, shënoi brezin e dytë të krijimit të A.B. Duke vazhduar kërkimet për perfeksionimin e A.B., u ideua ndërtimi i një “Bombe të pastër termobërthamore” pa bombën – A, si iniciator i reaksionit termobërthamor, por duke iniciuar reaksionin me anë të izotopit të elementit Hafnium, 178 m 2 Hf, ose të Tantalit, duke nisur gjeneratën e tretë të A.B.
Duke filluar nga vitet 1960 e, deri më sot, janë kryer studime edhe për një tip tjetër reaksioni që çliron energjinë nga thellësitë e materies, ky është Asgjësimi i Materies, anihilimi materie-antimaterie. N.q.s., në reaksionet termobërthamore çlirohet rreth 0,4-1 % e energjisë që disponon materia, nga asgjësimi materie-antimaterie do të çlirohet 100 % e kësaj energjie, llogaritjet tregojnë që 0,5 gram antimaterie, çliron energji sa 21.5 Kilo-Ton tritol, d.m.th., pak më tepër se bomba që asgjësoi Hiroshimën.
Kostua e fitimit të antimateries është përtej çdo imagjinate, amerikanët publikuan më 1999, se kostoja e një fraksioni grami anti-hidrogjen, mund të jetë mbi 100 miliard USD, (në korrik 2024) llogaritjet më të përafërta për koston e anti-protonit (anti-hidrogjenit) të dhëna nga CERN-i dhe Projekti Icarus, tregojnë se 1 mg. anti-proton, arrin në 100 miliard USD, 100 nanogram, deri 6 miliard USD.
Kjo kosto e frikshme e armës antimaterie, do ta vonojë për një kohë të pacaktuar shfaqjen e gjeneratës së katërt të armëve bërthamore. Këmbëngulja e institucioneve kërkimore-shkencore, për të fituar antimaterien është e fortë, investimet në këtë drejtim janë të mëdha dhe patjetër do vijë një ditë, që shkenca do ta zotërojë këtë mister, ndofta duke venë në pikëpyetje edhe ekzistencën e njerizimit.
Efektet dëmtuese të Armëve Bërthamore:
A.B., karakterizohen nga këto efekte dëmtuese:
* Rrezatimi ndriçues: gjatë një shpërthimi bërthamor, çlirohet një energji e madhe termike, e cila shfaqet në formën e një sfere të zjarrtë, me temperaturë deri 30-40 milionë gradë dhe shkëlqim shumë herë më të fuqishëm se ai diellor, e cila lëshon impulse drite në distance, duke djegur çdo material të djegshëm përfshi edhe gjallesat e çdo lloji. Rrezatimi ndriçues mbart mesatarisht një të tretën e energjisë të çdo shpërthimi bërthamor dhe shkakton një furtunë zjarri, që djeg e shkrumbon çdo gjë në distanca të mëdha, duke e kthyer në shkretëtirë zonën e goditur.
* Vala goditëse: çlirimi i një sasie të madhe energjie, në një interval shumë të shkurtër kohe dhe volum të kufizuar mjedisi, krijon një presion të paimagjinueshëm në zonën e shpërthimit, që vlerësohet deri 20-30 miliard atmosferë, presion i cili ushtrohet në mjedis (tokë, ujë,ajër, objekte) në formën e një vale goditëse, që përhapet me shpejtësi marramendëse prej disa km për sekondë dhe që shkatërron çdo objekt në sipërfaqen e tokës, në distance të mëdha. Vala goditëse mbart rreth 50 % të energjisë, të një A.B.
* Rrezatimi përshkues: gjatë zhvillimit të reaksionit të ndarjes së bërthamave të rënda ose, sintezës së bërthamave të lehta, në zonën shpërthimit çlirohen një sasi e madhe grimcash radioaktive; alfa, beta, rrezesh gama, neutrone, neutrino, duke filluar nga momenti i reaksionit e, deri në 20-30 sekonda pas shuarjes së sferës së zjarrtë, efekti kryesor dëmtues këtij rrezatimi, krijohet nga rrezatimi gama dhe neutronik që përhapet me shpejtësinë e dritës dhe asgjëson çdo gjallesë e bimësi në distanca të mëdha, menjëherë ose me vonesë, nëpërmjet sëmundjes së rrezes që mund të transferohet gjenetikisht në breza, me komunikacione të shumta. Ky rrezatim përfshin mesatarisht 5 % të energjisë, të një shpërthimi bërthamor .
* Rëniet (reshjet) radioaktive: nga shpërthimi bërthamor krijohen deri 200 izotope radioaktivë, të 34 elementeve të cilët përfshihen në brendësi të masës që formon renë radioaktive, e cila përhapet në lartësi dhe gjerësi të atmosferës e deri në stratosferë. E shtyrë nga rrymat ajrore reja radioaktive, përhap radioizotopet duke mbuluar të gjithë globin tokësor. Pjesa kryesore e këtyre ndotjeve radioaktive, precipitojnë gradualisht nën veprimin e dukurive fizike dhe meteorologjike, ndërsa një pjesë lëvizin në shtresat e larta të stratosferës, për dhjetëra vite. Nga studimet e kryera për reshjet radioaktive të përhapura nga testet bërthamore të viteve 1945-1980, rezulton se 2.4 milionë njerëz në botë, kanë vdekur nga sëmundjet e rrezes.
Rëniet radioaktive shkaktojnë ndotjen e mjedisit (tokë, ujë, ajër, bimësi, ushqime etj.), dhe përhapjen e sëmundje të rrezes, degjenerime gjenetike në breza dhe pasoja të shumta afatgjata te qeniet e gjalla. Rehabilitimi i mjedisit ka kosto shumë të lartë dhe kthimi i tij në kushte normale, kërkon dhjetëra vjeçar. Në rëniet radioaktive gjendet 10 % e energjisë, që çlirohet nga një Armë Bërthamore. Për të rritur shkallën e ndotjeve radioaktive, në vitet 1960-1970, u ndërtuan bomba bërthamore, në konstruksionin e të cilave u futën elemente që aktivizoheshin me lehtësi, si; kobalt, zink, mbetje radioaktive nga reaktorët bërthamorë etj., këto u quajtën; “Bomba të pista”.
* Impulsi elektromanjetik: shpërthimi bërthamor ndër të tjera çliron një impuls të fuqishëm elektromagnetik, i cili nxjerr jashtë funksionit sistemet, pajisjet dhe aparaturat elektronike të llojeve të shumta, që përdor shoqëria njerëzore në veprimtarinë e saj (mjete ndërlidhje, radarë, kompjuterë, pajisje elektro-shtëpiake, si dhe çdo pajisje analoge që përdoret në institucione dhe industri). Veprimi i përbashkët i këtyre faktorëve dëmtues, të cilët janë specifikë vetëm për A.B., shkaktojnë një shkatërrim të rëndë të vendit ku përdoren, me pasoja të paimagjinueshme të menjëhershme dhe afatgjata mbi njerëzit dhe çdo gjallesë tjetër dhe mjedisin në tërësi edhe në distanca shumë të mëdha, nga vendet ku përdoren.
Nga studimet e kryera rreth pasojave të përdorimit të A.B. mbi Hiroshima e Nagasaki, në gusht 1945, në mënyrë të përmbledhur janë vërtetuar këto humbje njerëzore: Në Hiroshima, brenda orës së parë, vdiqën 75.000 njerëz, kurse deri në dhjetor 1945, nga veprimi i faktorëve dëmtues afatgjatë, numri vdekjeve arriti në 140.000, ndërsa deri në dhjetor 1950, kjo shifër u ngrit në 200. 000 viktima dhe shumë njerëz do të vuanin në breza sëmundje kanceroze e, degjenerime gjenetike; në Nagasaki, në orën e parë vdiqën 40.000 njerëz, kurse deri në dhjetor 1945,numri i vdekjeve arriti në 75.000, ndërsa në dhjetor 1950, shifra e viktimave arriti në 140.000 njerëz, pra në total u evidentuan të asgjësuar 340.000 njerëz.
Duhet mbajtur parasysh se A.B. që ndodhen sot në arsenalet e fuqive bërthamore, janë dhjetëra e qindra herë më të fuqishme se ato që u hodhën në Japoni, kështu që edhe efektet dëmtuese do të jenë të paimagjinueshme. Pas përdorimit të A.B., rehabilitimi i jetës dhe mjedisit është i ngadaltë dhe me kosto të rëndë ekonomike. Bimësia dëmtohet rëndë dhe prodhimi bujqësor ulet shumë ose, ndërpritet fare, duke shkaktuar katastrofë ushqimore, zinxhiri ushqimor është i ngarkuar me lëndë radioaktive dhe përhap vdekje ose sëmundje të pashërueshme në breza. Pra do të ndodhte apokalipsi bërthamor, do të vijë dimri atomik, që do të asgjësonte jetën në tokë.
Fuqia e armëve bërthamore:
* A.B., karakterizohen nga një fuqi shumë herë më të madhe se çdo lloj tjetër arme të ndërtuar nga njeriu. Për të vlerësuar fuqinë e tyre, është future koncepti i Njëvlerësit të tritolit, i cili lejon të bëhet krahasimi i fuqisë së një A.B., me një sasi të caktuar lënde eksplozive konvencionale të zakonshme, siç është tritoli. Bomba bërthamore e hedhur nga amerikanët në Hiroshima më 6 gusht 1945, u llogarit të kishte një fuqi të barabartë me 20.000 ton tritol (20 Kiloton, KT.), kjo shifër më vonë do të shërbente si vlerë krahasuese dhe do ta përcaktonte si “Bombë nominale” dhe do të vendoste një kufi ndarës: “bomba taktike”, me fuqi deri 20 KT. dhe “bomba strategjike” me fuqi mbi 20 KT.
Bombat bërthamore (Bombat A) në dispozicion të fuqive bërthamore, janë të fuqive prej disa ton TNT (bomba portative, bomba-valixhe, me peshë 20-30 kg.) e deri në 500 KT., ndërsa bombat termobërthamore (Bombat H) kanë praktikisht fuqi të pakufizuar, por sot pranohen në armatim bomba me fuqi deri në 10 milionë ton (10 megaton, MT.), por që secila fuqi bërthamore në kohën e duhur, mund të ndërtojë Bomba-H, me fuqi të shumëfishuar. Ka patur projekt-ide për të ndërtuar Bomba-H, me fuqi 100-200 MT., e më shumë, që mund të shkatërronin globin tokësor. Çmenduria e disa shkencëtarëve amerikanë në vitet 1950 -1960, arriti deri atje sa të planifikonin dy shpërthime të super fuqishme termobërthamore, të emërtuara “Gnomon”, me fuqi 1 gigaton (GT) dhe “Sundial”, me fuqi 10 GT., të cilat mund të asgjësonin globin tokësor.
Kur llogaritjet treguan se nga këto shpërthime toka mund të kthehej në një re pluhuri kozmik, hoqën dorë nga këto aventura. Shpërthimi termobërthamor më i fuqishëm i realizuar nga njeriu deri më sot, është kryer nga sovjetikët më 30 tetor 1961, në ishullin Novaja Zemlja, me fuqi 58-60 megaton tritol dhe energji të çliruar prej 210-240 PJ (Pikoxhaul). Ideja fillestare ishte që të kryhej një shpërthim me fuqi deri 100 megaton, për të shantazhuar fuqitë e tjera bërthamore, por llogaritjet treguan se do të lëvizte boshti i tokës, duke shkaktuar një katastrofë kozmike.
Ky shpërthim u emërtua “Bomba Car” (“Tsar bomb”) në paralelizëm me objektet “Kambana Car”, “Topi Car”, etj., relike që ndodhen në Rusi. “Bomba Car”, peshonte 27 ton dhe u shpërthye në lartësinë 4000 metra mbi tokë, sfera e zjarrtë pati diametrin 8 km. dhe u duk deri në Alaskë (1000 km. larg). Kërpudha e shpërthimit u ngrit deri 95 km. me bazën me diametër 40 km. U krijua një valë sizmike që i erdhi tri herë rrotull globit tokësor, deri sa u shua. Vala goditëse theu xhamat e objekteve, 1000 km. larg.
Llojet e armëve bërthamore:
Përmendëm më lartë që A.B., në bazë të reaksioneve bërthamore mbi të cilët realizohen, janë; BOMBA-A dhe BOMBA-H. Gjatë garës së armatimit bërthamor, u studiuan dhe u prodhuan lloje e nën lloje të ndryshme të këtyre armëve, praktikisht në vitet 1990, në armatimet e fuqive bërthamore ndodheshin 30 lloje A.B. Për secilin lloj, ishte parashikuar një destinacion i caktuar luftarak. Llojet kryesore të AB grupohen:
* A.B. klasike, me bazë izotopet e uraniumit dhe Plutonit, të llojeve e fuqive të ndryshme, taktike e strategjike.
* Armët termobërthamore me bazë izotopet e hidrogjenit dhe litiumit, kryesisht si A.B. strategjike, të fuqive të mëdha .
* A.B. të pista (“salted bomb”), me shtesa të elementëve kobalt, zink, ar, mbetje radioaktive, të cilat shkaktojnë ndotje të madhe radioaktive të mjedisit në sipërfaqe të mëdha dhe për një kohë të pakufizuar.
* Bomba neutronike, një variant i bombës-H, që lëshon një fluks të fuqishëm neutronesh dhe që asgjëson ekuipazhet brenda mjeteve të blinduara e strehimeve.
* A.B. speciale (A.B. dore, A.B. xhepi), të përmasave të vogla, mbi bazën e izotopeve artificialë të neptunit-237, amerikumit, kyriumit, që mund të shfrytëzohen nga grupet diversioniste e terroriste, rusët kanë deklaruar se kanë testuar plumba bërthamorë, për automatikun kallashnikov.
* A.B. depërtuese, të cilat depërtojnë në thellësi të mëdha të tokës, për të asgjësuar objektet që ndodhen aty.
Armë të pastërta termobërthamore, që nuk shkaktojnë ndotje problematike radioaktive në terren, nuk përdorin si inisjator reaksionin e ndarjes bërthamore, por izotop nuklear ose lazer specific, për këto procese.
* A.B., bazuar mbi antimaterien, tani për tani mbeten hipotetike.
Të gjitha A.B., të llojeve e fuqive të ndryshme, për qëllime luftarake, përfshihen në të ashtuquajturën: Triada bërthamore, me këtë organizim:
- A.B. taktike, 2. A.B. strategjike, 3. A.B. raketo-bërthamore:
Mjetet e përdorimit të A.B., përfshijnë llojet e ndryshme të artilerisë, aviacionin bombardues taktik dhe strategjik, raketat e llojeve të ndryshme, me rreze të ndryshme veprimi, që mund të bazohen në tokë, në mjete luftarake detare, në kozmos.
- 5. Lista e shteteve që disponojnë arsenal bërthamor:
Sot janë 10 shtete të deklaruar si fuqi bërthamore, arsenali i tyre bërthamor, ka patur këtë dinamikë të zhvillimit në kohë:
- Gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, 1945-1990, arsenali bërthamor botëror arriti kulmin në vitin 1986, duke kapur shifrën prej 70.300 A.B., të 30 llojeve të ndryshme, 90 % e të cilave, ndodheshin në dispozicion të dy superfuqive, SHBA-ës dhe Bashkimit Sovjetik (Rusia sot). Rusia kishte një arsenal prej 33.000 A.B. dhe lëndë të para të gatshme, për ta çuar këtë shifër në 46.000 A.B., në rast se do t’i duhej, ndërsa SHBA-ës dispononte 32.000 A.B., me rezervë lëndësh të para për të përgatitur edhe 5-7.000 A.B. të tjera, për një kohë të shkurtër.
- Me përfundimin teorikisht të Luftës së Ftohtë, pas viteve 1990, filloi të ndiqej politika e kufizimit të prodhimit të A.B. dhe e çmontimit të një pjese të tyre, duke i bërë shumë jehonë sidomos çmontimit të tyre. Në fakt, iu nënshtruan çmontimit prodhimet e vjetra të viteve 1945-1970 dhe me lëndët e para të tyre, u ndërtuan armë të reja të perfeksionuara dhe me fuqi më të madhe, një pjesë e izotopeve të uraniumit dhe plutoniumit të hequr nga armët e vjetra, u projektua për reaktorët bërthamorë, ku u bënë spekulime të shumta me materialet dhe teknologjinë bërthamore, ku u përfshinë edhe organizatat mafioze e terroriste dhe u krijua e ashtuquajtura “Mafia bërthamore”.
Në vitin 2014 midis SHBA-ës dhe Rusisë, u arrit marrëveshja e paritetit bërthamor, ku u përcaktua sasia, llojet e A.B. dhe mjetet e përdorimit, që do kishte secili shtet. Nga të dhënat e vitit 2019, sipas kësaj marrëveshje Rusia do të kishte 6.500 – 7.000 copë A.B., të 9 llojeve, nga të cilat 2414 A.B. strategjike (prej tyre 1.735 në gatishmëri operative) dhe 3-4. 000 A.B. taktike, me rezervë lëndësh të para, për ta çuar këtë shifër në 16.000 AB në rast kërkese, ndërsa SHBA do të mbajë 6.185 A.B., nga të cilat 2100 A.B. strategjike dhe rezervë materiale, për ta rritur këtë arsenal në 10-12 000 A.B.
Në total, së bashku me vendet e tjera, bota disponon sot deri 15.000 A.B. të llojeve e fuqive të ndryshme, nga të cilat rreth një e treta janë A.B. strategjike, arsenal i aftë ta kthejë globin tokësor në shkretëtirë, në rast të një lufte totale bërthamore. Për vitin 2024, gjendja e armatimit bërthamor botëror në 10 shtete ishte:
- Rusia——5.889,
- SHBA ——5.244,
- Kina———500,
- Franca——-290,
- Anglia——-225,
- Pakistani—-172,
- India —–164,
- Izraeli ——90,
- Afrika e Jugut-130,
- Koreja e Veriut-30.
Pakti i NATO-s në vitin 2024, ka në armatim 4.223 A.B., nga të cilat 3.708 A.B. janë të SHBA-ës, pjesa tjetër e Anglisë dhe Francës. Këto shifra mund të mos jenë plotësisht të sakta e të besueshme, mund të jenë më të mëdha, se fuqitë bërthamore ruajnë sekretet e tyre për arsenalin bërthamor. Në këtë listë pritet të shtohen Irani, Brazili dhe ndofta edhe Argjentina.
Përveç këtyre vendeve disponues të A.B., janë edhe gjashtë shtete në Evropë, që kanë pranuar të mbajnë në territorin e tyre A.B. nga aleatët, këta janë: Italia 35 A.B., Turqia 20 A.B., Gjermania 15 A.B., Belgjika 15, Hollanda 15, Bjellorusia 20 copë A.B. Disa vende si; Ukraina, Polonia, Tajvani etj., kërkojnë të huazojnë A.B. nga partnerët bërthamorë. Kështu që janë pothuajse 20 shtete të armatosur me A.B. të vetat ose, të furnizuar nga aleatët që mund të marrin pjesë në një luftë të mundshme bërthamore. Përveç këtyre 28 shtete, përfshi edhe Shqipërinë, kanë pranuar t’u krijojnë lehtësira fuqive bërthamore, duke vënë në dispozicion territoret e tyre, në një periudhë kërcënuese. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016