Nga Ali Buzra
Pjesa e tridhjete tre
– JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE –
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Një fakt tjetër i jetuar, dhe që dihet në Dragostunjë, është ai i dimrit të vitit 1944. Aty nga fundi i muajit janar, apo mundet fillimi i shkurtit 1944, shtatë partizanë të lodhur, të pangrënë e të ngrirë nga të ftohtit, kalojnë nëpër Dragostunjë. Ata gjenden mbas dite vonë, në rrugë, nga një banor i fshatit Dragostunjë, në gjendje krejt të rraskapitur. Atë natë i merr Sali Balliu në shtëpinë e tij, i cili u shërben me sa mundi. Për gjendjen e tyre u njoftua Dauti, i cili të nesërmen dërgon vëllanë e tij Shabanin, që t’i marrë ata. Partizanët qëndruan në shtëpinë e Gurrës, për 11 ditë, duke u shërbyer deri sa shëndeti i tyre u përmirësua.
Që të mos bien në duar të gjermanëve, djali i Dautit, Ahmeti, së bashku me një tjetër, i shoqëron ata deri në Hotolisht, ku i dorëzojnë te Sehit Alliu, i cili ishte kryetar i Këshillit Nacional-Çlirimtar të fshatit. Ky i fundit, i përcjell për në Bërzeshtë. Partizanët ishin nga Opari i Korçës. Pas çlirimit të vendit, pesë prej tyre vijnë në gjyqin e Dautit, duke dëshmuar se ai u ka shpëtuar jetën. Pavarësisht pozicionimit të tij, jo me Frontin, por me Ballin Kombëtar, për arsyet që i trajtuam më lart, aktiviteti dhe veprimtaria e Daut Gurrës, ishte në interes dhe në favor të fshatit Dragostunjë e, të fshatrave të tjerë fqinjë.
Shembujt e mësipërm, si edhe shumë të tjerë që nuk mundëm t’i përmendim në këtë libër, por që shpresoj të përfshihen më vonë në një monografi për të, japin panoramën e saktë, mbi figurën e Daut Gurrës, si një atdhetar e nacionalist patriot. Gjatë gjithë veprimtarisë së tij, që nga koha e sundimit turk, para e pas Shpalljes së Pavarësisë, gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe në vitet e Luftës së Dytë Botërore, Dauti, ka punuar, luftuar e kontribuar, në interes të çështjes kombëtare. Qëndrimi i tij anti-sllav e antikomunist, gjatë periudhës së luftës së fundit, dhe mosangazhimi në luftë kundër gjermanëve, nuk mund të zbehin aspak, figurën e tij prej luftëtari dhe aspiruesi të interesave të kombit.
10.3 Pas disa muaj arratisje, vëllezërit Gurra vendosin të dorëzohen
Në fund të vitit 1944, me fitoren e Partisë Komuniste në Shqipëri, Daut Gurra, fillimisht nuk dorëzohet. Partizanët vijnë në fshat dhe djegin shtëpinë e Dautit e të vëllait të tij Selimit, duke i nxjerrë familjarët jashtë në mes të dimrit. Dauti largohet, duke u vendosur në një çadër në mal të Dragostunjës. Ishte vetë i nëntë. Dauti me pesë djemtë e vet dhe Selimi me dy djemtë e tij. Familjarët e tij në fshat, të mbetur jashtë, u strehuan te familjet e fisit Bici, në Dragostunjë. Zeq Bici, strehoi familjen e Dautit, ndërsa Mahmut Bici, strehoi atë të Selimit. Pas djegies së shtëpive, një presion i fortë bëhet në fshat, për të mësuar për vendndodhjen e të arratisurve. Nën tortura u vu Mahmut Çela, që kishte stan në mal dhe që mendohej se kishte dijeni për vend-ndodhjen e Gurrajve.
Me gjithë torturat nga më të rënda ai nuk hapi gojë për ta. Midis tyre thërritet edhe egjiptiani i fshatit, i cili e kishte shtëpinë afër tyre. Me gjithë presionin e ushtruar ndaj tij, edhe ky nuk u vu në shërbim të forcave të Sigurimit të Shtetit. Në kushtet e një dimri të acartë të vitit 1945, të vështirësive për furnizim me ushqime, si dhe të ndjekjeve të vazhdueshme nga forcat e Ushtrisë, grupi i të arratisurve ndahet në dy pjesë. Në grupin e parë me Dautin, qëndruan: djemtë e tij, Xhemali me Hamdiun, si edhe djali i Selimit, Ganiu. Në grupin e dytë me Selimin, ishin: Sehiti, djali i Selimit, si edhe Estrefi, Ethemi, e Ahmeti, që ishin djemtë e Dautit. Për hir të së vërtetës, duhet thënë se, me gjithë vështirësitë që ishin krijuar nga shteti për ndjekjen e tyre, gjatë muajve të arratisë ata u furnizuan me ushqime nga të afërmit dhe miqtë e tyre, nga Dragostunja e Librashd- Katundi.
Dauti i jep porosi vëllait të tij Selimit, që në asnjë rrethanë të mos dorëzohej, sepse këtë do ta bënin mbasi të vendosej sistemi i rregullt gjyqësor. Ai nuk ndihej i sigurt për t’u dorëzuar, në rrethanat kur gjendja në vend ishte kaotike. Dhe në të vërtetë, në fund të vitit 1944 e, në fillimet e vitit 1945, nga komandat e ushtrisë partizane, janë pushkatuar shumë persona pa gjyq. Nga ana tjetër, duke qenë të ndërgjegjshëm për faktin, se nuk qenë përzier në akte kriminale, shpresonte që gjykata nuk mund të dënonte atë dhe familjarët e tij. Në pranverën e vitit 1945, arrestohet vëllai i Dautit, Shabani, i cili nuk ndodhej në arrati, si edhe e shoqja e Dautit. Që të dy i torturojnë keqas, duke i rrahur gjatë gjithë natës. Shabanin e kalojnë në një birucë, ku i lëshojnë ujin. Për këtë ai dëshmon se, në birucën e larë në gjak, ka gjetur brezin dhe vargun e sahatit të Latif Mustës nga Borova.
Torturat ndaj personave të arrestuar, që mendohej se kishin dijeni për vend-ndodhjen e të arratisurve ishin nga me çnjerëzoret. Në këto rrethana, kur i vëllai dhe e shoqja ndodheshin në burg, Dauti vendos të dorëzohet bashkë me Selimin. Ata dorëzohen në besë te Miftar Hoxha në Mirakë, të cilin Dauti e kishte mik. Në dëshmitë e tyre, thuhet se ata i merr në dorëzim një komandant partizan, i quajtur Nas Vithkuqi, një burrë serioz dhe i besës. Në kontaktin e parë me Dautin, ai krijon përshtypje pozitive dhe i pëlqen karakteri i tij dinjitoz e burrëror. Në prani të të zotit të shtëpisë, ai i drejtohet Dautit me këto fjalë: “Në qoftë se keni vrarë, po ju lëshoj. Për 24 orë nuk ju ndjek. Pas 24 orësh, po të kapa do të vras”. – “Jo, – i përgjigjet Dauti, – ne, as kemi vrarë, e as kemi asistuar në ndonjë vrasje”. Dautin dhe Selimin, i mbajnë nëntë muaj në hetuesi, duke i shtrënguar të pranojnë fajësinë, si dhe të japin informacion për grupe të tjera të të arratisurish. Më pas i nxjerrin në gjyq.
Në gjyqin e organizuar, të pranishmet befasohen me përgjigjet e tij prej oratori të vërtetë. Kryetari i trupit gjykues, nuk e jep veten, por ndihet inferior ndaj personalitetit të tij. Në gjyq, me interesimin e familjarëve të tij, vijnë të dëshmojnë të pesë partizanët nga Opari, të cilët deklaruan se Daut Gurra u ka shpëtuar jetën. Këtë e dëshmoi edhe Sehit Alliu nga Hotolishti. Ky i fundit u kërcënua nga prokurori, se po flet në favor të të pandehurit. Thuhet, se në favor të Dautit, dëshmon edhe Xhelo Leka, në atë kohë drejtues i Nënprefekturës Librazhd. Megjithatë gjykata e dënon Dautin me 5 vjet burg, ndërsa Selimin me 3 vjet. Mbasi u dorëzuan të dy grupet, dy djemtë e Dautit, Ahmetin dhe Estrefin, si dhe dy djemtë e Selimit, Ganiun e Sehitin, i mobilizuan ushtarë. Atje, Ganiun e zhdukën pa nam e pa nishan.
Nga dëshmitë e shokëve të tij të ushtrisë, është thënë se Ganiu ishte në darkë kur u bë apeli, ndërsa në mëngjes, jo. U përhap lajmi se ka vdekur. Me të marrë njoftimin, mbas dy javësh, atje shkon Shabani, për të marrë trupin, por nuk ia japin. Gjithsesi, zhdukja e tij e mistershme nga shteti komunist, mbetet enigmë. Në vitin 1950, familjet e Dautit, Selimit dhe Shabanit u shpallën kulakë. Shteti komunist, që në fillimet e tij, përpiqej për t’i vënë të ashtuquajturit të deklasuar kundër njëri- tjetrit. Shabanit, iu kërkua të ndahej me Selimin, si dhe të ndërpriste marrëdhëniet me dy vëllezërit, që t’i hiqej titulli kulak, por ai nuk pranoi.
Dauti, bëri 3 vjet burg dhe u lirua. Burri i dëgjuar, i matur dhe i mençur i familjes fisnike të Gurrës, pothuaj nuk del më nga shtëpia. Nuk donte “të bezdiste” miqtë dhe të afërmit. Ai nuk shkonte më as te vajzat e veta. Në shtëpi, i vinin edhe provokatorë të dërguar nga Sigurimi i Shtetit, njerëz të rëndomtë e servilë, që përpiqeshin ta ngatërronin. Nuk e kuptonin të mjerët, se te cili drejtoheshin për ta provokuar. Sot, familjarët e tij rrëfejnë, se si “ua mbathte patkonjtë” ai, sapo ata nisnin bisedën, duke u larguar si qeni me bisht ndër shalë.
Kështu edhe pas daljes nga burgu, regjimi i kohës, u përpoq të denigronte figurën e tij, por nuk mundi. Janë të shumtë edhe sot, banorë të Dragostunjës, jo vetëm të moshuar, por edhe të rinj në moshë, që flasin me respekt e konsideratë të lartë për figurën e tij. Në një takim të rastësishëm, me mësuesin e nderuar të matematikës nga Dragostunja, Reshit Bajramin, e pyes: – “Ç’mund të më thuash për Daut Gurrën”? – “Dauti, – u përgjigj ai, e ka mbajtur dhe e ka mbrojtur fshatin. Ai ishte burrë i ditur, besnik dhe patriot”. Së fundmi, në këndvështrimin historik të ngjarjeve, Daut Gurra, është e do të mbetet simbol, jo vetëm për Dragostunjën, por edhe më gjerë. Ai ndërroi jetë në vitin 1966. Meritonte të varrosej me nderim e respekt, nga e gjithë zona ku banonte, por fatkeqësisht, në kushtet e survejimit e të përndjekjeve, varrimi bëhet kryesisht, vetëm me të afërmit.
Mbas ngritjes së kooperativës së parë, në vitin 1947, në Krutje të Lushnjes, vazhdon ky proces në shkallë vendi, kryesisht në zonat fushore. Taksat e vëna ndaj fshatarësisë, në fillimet e regjimit komunist, në përgjithësi ishin të larta. Kjo, me synimin, që të pranonin futjen në kooperativë. Ndërsa, ndaj familjeve kulake, vinte fletë tatimore e veçantë. Tatimi për këto familje ishte i papërballueshëm, duke i kaluar disa herë të ardhurat, që mund të siguronin me tokën e bagëtitë që ata dispononin. Kjo, nuk bëhej me synimin për t’i futur në kooperativë, sepse ata hë për hë, gjoja nuk e kishin këtë të drejtë. Synimi ishte që t’i shtrëngonin ekonomikisht për t’i shkatërruar, e për t’i detyruar të reagojnë, me qëllim burgosjen e internimin e tyre.
Djali i Dautit, Et’hemi, tregonte, se tatimet në prodhime bujqësore dhe blegtorale, ishin aq të larta, sa ata ishin të detyruar t’i blinin ato, për t’i dorëzuar në shtet, ndërsa në shtëpi s’kishin bukë për të ngrënë. Përndjekja dhe keqtrajtimi ndaj familjes Gurra, do të vazhdojë gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist. Në vitin 1959, arrestohen dy djemtë e Dautit, Ahmeti me Estrefin, me pretendimin absurd, se; “kishin planifikuar të vritnin Hrushovin”. Në gjyqin e inskenuar dhe me dyer të mbyllura, dënohen me nga 4 vjet secili. Ata apeluan, por fillimisht nuk u mor parasysh. Megjithatë, në vitin 1961, Estrefi mori pafajësinë dhe u lirua.
E lirojnë edhe Ahmetin, i cili vjen deri në Librazhd, por e arrestojnë pa mbërritur në shtëpi, duke e konsideruar si person me rrezikshmëri të lartë. Thuhet, se spiunoi një bashkëfshatar i tij, që ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. E nxjerrin përsëri në gjyq. Akuzohej se do të arratisej së bashku me Veli Biçakun dhe Ferit Doskun. Për të zhvillohen tri seanca gjyqësore, por për mungesë faktesh, nuk dënohet. Megjithatë, nuk e lënë të shkojë pranë familjes, por e internojnë në Rrëshen. Për afro një vit, nuk dihej se ku ndodhet. Pyetnin të afërmit në Degën e Punëve të Brendshme, por nuk jepej asnjë adresë.
10.4 Vazhdojnë arrestimet dhe persekutimi ndaj familjarëve të Gurrës
Kalvari i vuajtjeve dhe i arrestimeve për këtë familje nuk ka mbaruar. Po në vitin 1961, arrestojnë vëllanë e Dautit, Selimin, në një kohë me Mefail Biçakun nga Qarrishta, ish strehuesi i hebrenjve në vitet e luftës. Selimi e kishte krushk Mefailin. Ai kishte marrë vajzën e Mefailit, për djalin e tij, Sehitin. Ndërkohë, pas disa ditësh arrestohet përsëri Ahmeti, i cili qe internuar në Rrëshen. Mbas disa muajve në hetuesi nën tortura, xhaxha e nip nxirren në gjyq. Akuzohen për tentativë arratisje. Me dëshmitarë të rremë e pa fakte, dënohen; Selimi me 15 vjet burg, Ahmeti me 14 vjet, ndërsa Mefaili Biçaku lirohet, duke u kthyer i sëmurë në shtëpi. Selimi, që tashmë ishte i moshuar, gjatë viteve të burgut, qëndron shumë kohë në sanatoriume.
Familja dhe të afërmit, veçanërisht i vëllai, Shabani, bëjnë shumë kujdes për të. Ky i fundit, shkon disa herë në Burrel, ku vuante dënimin i vëllai. Pasi bëri 14 vite burg, Selimi kthehet në shtëpi, i sëmurë rëndë, e pas një viti ndërroi jetë. Ahmeti, ndërroi jetë në burgun e Tiranës, në rrethana misterioze. Trupin e tij nuk ia dhanë familjes. Pas vitit 1990, me interesimin e familjarëve, u bë e mundur të gjenin e t’i merrnin kockat, duke i bërë rivarrimin me nderimin e respektin që meritonte. Me gjithë vështirësitë dhe peripecitë që kalonin, vëllezërit Gurra, sa ishin gjallë, u përpoqën dhe sistemuan në familje djemtë dhe vajzat e tyre. Kështu Dauti, mori për Xhemalin një vajzë në familjen Blloshmi, për Et’hemin, të bijën e Qamil Balliut, për Hamdiun, te Çela, për Ahmetin, te Bici, ndërsa Estrefi, nuk u martua.
Selimi, për Sehitin, mori të bijën e Mefail Biçakut, për Ruzhdiun, te fisi Dervishi në Martanesh (familje kulake), për Selaudinin, të bijën e Jakup Cekanit, kulak nga Gurshpata, për Feritin në Martanesh, që ishte kushërira e parë e të shoqes së Selaudinit, ndërsa Ganiu nuk qe i martuar. Nën presion të vazhdueshëm, të diferencuar, e me ngarkesa të larta tatimore, kulakët vazhdonin të qëndronin individë në kushte të vështira ekonomike. Në kooperativë i pranuan në vitin 1966, një vit para përfundimit të kolektivizimit të bujqësisë në shkallë vendi. Fillimisht u krijua një brigadë vetëm me kulakët. Disa muaj më vonë, i bashkuan në brigadë me fshatin. Edhe në kooperativë, diferencimi për kulakët ishte i dukshëm.
Për këtë, djali i Ethemit, Bexheti, shprehet: “Vdekje për së gjalli ishte, kur bëhej mbledhja e popullit, ndërsa ne na lexonin emrat që të largoheshim”. Ky i fundit jep një detaj të dëgjuar nga të afërmit e tij, nga mbledhja e popullit në Polis-Vilan. Një i deleguar i Partisë nga rrethi, shkon në Vilan, ku shumica ishin kulakë. Aty në brigadë, u thotë të pranishmëve, se nuk po ecin mirë punët, mbasi aty kishte shumë kulakë. Një vajzë e fisit Muzhaqi, pa iu trembur syri, i drejtohet të deleguarit të partisë duke i thënë: “Desha t’ju pyes, çfarë do të thotë fjala, kulak”? – “Familje e pasur.., me hyzmeqar…, shfrytëzues…”, – i përgjigjet ai me ashpërsi. – “Ahaa! Unë kujtova se do të thotë jevg”, – ia kthen ajo me qetësi. Kështu largohet nga Vilani, i deleguari i partisë, i inatosur nga sfida që i bën vajza e Muzhaqëve.
Siç e kemi thënë edhe më lart, martesat, shumica e familjeve kulake, i bënin duke marrë te njëri-tjetri, në fshatra të ndryshme, por ka ndodhur që të rinjtë dashuroheshin edhe me djem e vajza jo kulake. Ky ishte një problem i madh në atë kohë. Mund të jenë të shumtë ata që e kanë ndrydhur dashurinë e tyre, mbasi martesa bëhej e pamundur në kushtet e një presioni të jashtëzakonshëm shtetëror e shoqëror. Një rast i tillë, ndodh edhe në Dragostunjë. Xhevit Gurra, nipi i Dautit, dashurohet dhe merr për grua vajzën e Veli Bajramit. Menjëherë mblidhet organizata e rinisë në fshat dhe i bëjnë presion vajzës, që të prishë martesën. Çështja shkon deri në Komitetin e Partisë e, në prokurorinë e rrethit. I bëhet presion edhe djalit, por dy të rinjtë nuk pranojnë që të ndahen.
Mentaliteti komunist ishte evident, por edhe absurd. Në fshat, vjen një përfaqësues nga Komiteti i Partisë, si edhe prokurori i rrethit. Zhvillohet përsëri mbledhja e organizatës së rinisë në fshat. Mbeten në kujtesën e të rinjve, fjalët e prokurorit, përfaqësuesit të ligjit, i cili i drejtohet djalit të Gurrës me fjalët: “More djalosh, pse u bini më qafë të tjerëve, merrni nga dora juaj”! Përfaqësuesi i ligjit, nuk kishte ndryshim nga përfaqësuesi i Partisë. Ai e trajtonte problemin me ideologjinë e kohës, megjithëse në ligj, nuk thuhej që të mos bëheshin martesa nga familje me përbërje klasore të ndryshme. Duke e përmendur rastin në fjalë, nuk mund të fajësohet asnjëra nga familjet e mësipërme, përkundrazi ato janë për t’u falënderuar, mbasi kjo martesë nuk u prish, si rezultat i vendosmërisë së dy të rinjve, pavarësisht presionit të ushtruar ndaj tyre nga partia-shtet në kohën e diktaturës.
Diferencimi shoqëror i pakuptimtë i shoqëronte familjet kulake në çdo kohë, në gëzime e në hidhërime. Në raste vdekjesh varrimi kryhej vetëm me të afërmit e familjes. Kishte mjaft banorë të fshatit që dëshironin të merrnin pjesë në varrim, por në këto raste viheshin në lëvizje informatorët e fshehtë të Sigurimit të Shtetit, të cilët informonin për çdo detaj duke krijuar probleme për të pranishmit. Kur ndërroi jetë Selimi, merr pjesë në varrim Isuf Bardhoshi, që ishte dhëndër i Shabanit. Çështja u bë e madhe. I vihet “Fletë-rrufe”, në stendat e emulacionit të sektorit, si dhe e kërcënojnë se do ta cilësojnë edhe atë kulak./ Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













