Nga Ilda Lumani
Pjesa e dytë
Znj. Belishova, po pse Enver Hoxha doli kundra këtij Kongresi dhe e quajti Hrushovin, Partinë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe gjithë partitë e tjera se, tradhtuan marksizëm-leninizmin?
Të gjitha ato që thoshte ishin demagogji. Qëllimi ishte të mbronte kolltukun e tij diktatorial, sepse mendonte që kjo rrugë anti-staliniste, reformatore, disi liberale e demokratike, e bashkekzistencës paqësore me Perëndimin dhe evitimit të luftës atomike që kërcënonte njerëzimin, rrezikonte diktaturën e tij komuniste. Ç’e keqe i vinte botës, e aq më tepër popullit shqiptar?
Atëherë filloi tragjedia ime. Më dukeshin shumë të drejta, por mendoja si është e mundur që nuk e kuptojnë Enver Hoxha dhe shokët e tjerë. Mos e kam gabim? Por, kryesorja ishte si të ruhesha, si mos më shpëtonte ndonjë fjalë, etj. Sepse, këtu nuk ishte çështja që do ta pësoja vetëm unë. Njerëzit e mi më të dashur, burri im i dytë, të katër fëmijët, të pestë vëllezërit e mi e familjet e tyre, të afërmit e tim shoqi, do t’i hidhja me duart e mia në ferr. Unë pyes a ka grua, a ka nënë që mund ta bëjë këtë? Unë nuk guxova. Unë mendoja se Enveri më në fund do ta pranonte këtë vijë. Unë nuk isha kundër socializmit, mendoja që vetëm duhet të bëheshin korrigjimet e drejta.
Dënimi im ishte absurd. Në fakt, unë isha kundra, por nuk dhashë asnjë fakt që të më akuzonin për këtë gjë. Më dënuan, pse i the atasheut sovjetik në Pekin, kritikat që udhëheqësit e Partisë Komuniste Kineze u bënin “revizionistëve tradhtarë hrushovianë”. E para, në takim nuk isha vetëm unë, por edhe Gogo Nushi dhe anëtarët e tjerë të delegacionit. Qëllimi ishte që t’u propozonim sovjetikëve që, të bindnin kinezët për të vajtur në mbledhjen e Partive Komuniste në Bukuresht, ose të shtyhej mbledhja (nuk kishim kohë të pyesnim Qendrën, sepse ambasada jonë në Pekin lidhej me Tiranën nëpërmjet ambasadës në Moskë).
Ky ishte “gabimi im fatal”, që u bë ortek i madh. Kurse pas 22 vjetësh, në Librin “Titistët”, Enver Hoxha shkruan edhe një faqe për mua, ku thotë se; Liri Belishova u dënua si agjente e Hrushovit. Ku bazohej? Harroi që isha dënuar për gabime politike? Për t’i dhënë ngjyrë agjenturore, edhe takimin me atasheun sovjetik, e paraqet sikur paskam qenë vetëm unë dhe e paskam bërë jo në Ambasadën Shqiptare, por duke vajtur në Ambasadën Sovjetike.
Po si nuk pati një njeri nga ish-shokët e mi që t’i thoshte; more Enver, po në Plenum kemi thënë ndryshe?! Natyrisht, u inatosa për këtë “moral” të “udhëheqësit të lavdishëm”, por nuk u shqetësova aspak. Sepse, po e them edhe këtu me përgjegjësinë më të plotë, që jo vetëm as që diskutohet kam qenë apo jo agjente e sovjetikëve, por nuk kam bërë sikur një bisedim pa urdhrin ose dijeninë e tij.
Kur e mendoj jetën time, shoh se gjithmonë kam qenë e dominuar nga dashuria për Shqipërinë dhe për popullin e saj. Brezi im u rrit me traditat e rilindësve, patriotike e demokratike, që atëherë ishin shumë të gjalla dhe të freskëta. U edukova kështu në familjen time; babai im ishte delegat i Mallakastrës në Kongresin e Lushnjës dhe komandant çete në Luftën e Vlorës, kurse nëna ime, kishte mësuar shqipen nga xhaxhai i saj patriot, fshehurazi, në tavan, në Stamboll dhe deri sa vdiq i dinte këngët patriotike të Rilindjes dhe vjersha të Naimit.
Na kanë edukuar mësuesit tanë patriotë dhe të mrekullueshëm, në shkollën fillore dhe në Institutin “Nana Mbretneshë”. Këto na lidhën me komunizmin, duke menduar gabimisht se kjo ishte rruga më e drejtë për lirinë e Shqipërisë dhe përparimin e saj. Por, po këto më ndihmuan që të mbaj qëndrime të drejta, në momente të rëndësishme.
Dhe, që më vonë të ndahem nga komunizmi. Nuk është e mundur, po ta duash me të vërtetë atdheun dhe popullin tënd, të kesh atë minimum ndjenjash humaniste dhe demokratike që janë instiktive te çdo njeri normal, dhe të vazhdosh të mbrosh diktaturën komuniste dhe Enverin, ose t’i zbutësh krimet dhe përgjegjësitë etj.
Çfarë konsideroj se kam bërë mirë për popullin tim:
- Kam luftuar me përkushtim dhe vetëmohim të jashtëzakonshëm kundër okupatorëve fashistë, pa kursyer as jetën, pale të dëshpërohesha për humbjen e syrit. Fakti që unë, në një moshë shumë të re u bëra anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste të Tiranës, anëtare e Komitetit provizor që u ngarkua të drejtonte organizatat e partisë dhe gjithë organizatat e tjera gjatë terrorit të dimrit ‘43-’44, që pastaj më bënë sekretare politike të Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste, të Tiranës dhe anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, pastaj anëtare e Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste Shqiptare dhe e Sekretariatit të Rinisë Antifashiste, anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Gruas Antifashiste, kandidate të Komitetit Qendror të Partisë, tregon sesa u vlerësua lufta ime.
- Unë mbajta një qëndrim shumë të drejtë për mbrojtjen e pavarësisë dhe interesave të Shqipërisë nga shovinistët jugosllavë. Natyrisht, merita kryesore i takon Nako Spiros. Por, sa e rëndë ishte atëherë situata, mjafton të përmendim se vetëm 15 ditë pas vrasjes së Nakos, Byroja Politike vendosi të bënte de facto, “bashkimin” (gëlltitjen) e Shqipërisë me Jugosllavinë, në të gjitha fushat, por shpallja të bëhej kur të ishin konjukturat ndërkombëtare më të përshtatshme. Jo, këto dhe plenumi i VIII-të nuk janë gabime. Janë tradhti kombëtare.
- Unë mbajta një qëndrim shumë të drejtë më 1960 ndaj konfliktit në lëvizjen komuniste ndërkombëtare midis dy rrugëve: asaj staliniste dhe asaj anti-staliniste e reformatore. Enver Hoxha, atëherë me demagogji të shfrenuar e paraqiti çështjen sikur, po mbronte pavarësinë e Shqipërisë. Shqipëria kishte qenë shumë më e varur nga Bashkimi Sovjetik në kohën e Stalinit, sesa në kohën e Hrushovit, që bëri diçka edhe për të përmirësuar lidhjet e Bashkimit Sovjetik me vendet e tjera socialiste.
Enver Hoxha, siç e thashë edhe më lart, kishte frikë se rruga anti-staliniste e reformatore kërkonte zbutjen e represioneve, kurse ai e donte sa më të egër diktaturën e tij, siç edhe u vërtetua. Në fakt, ai nuk e mbrojti aspak pavarësinë e Shqipërisë, por e rrezikoi shumë duke u armiqësuar me të gjithë botën (në fillim me imperializmin, me atë amerikan në krye, pastaj me revizionizmin, me në krye Bashkimin Sovjetik, pastaj edhe me Kinën tradhtare).
Le të kujtojmë këtu propagandën e shfrenuar, provokacionet në OKB, etj. Dhe kështu, për t’u mbrojtur nga të gjithë këta armiq, kreditë e Kinës dhe akumulimi nga puna e madhe që bënte populli, pjesa më e konsiderueshme, nuk përdorej për të përmirësuar jetën, por për të hapur tunele në kushedi sa male, bunkerë në katër anët e Shqipërisë, armë e fishekë që do t’i mjaftonin mbase gjithë Evropës.
Enveri, të gjithë këtë “luftë të madhe”, e bënte gjoja për të mbrojtur marksizëm-leninizmin, se “të gjithë e kishin tradhtuar”! Çdo udhëheqës normal i një vendi të vogël do të mendohej për problemet që po lindnin nga socializmi real dhe masat që duheshin marrë, do të mendonte që gjithë këta udhëheqës të partive të tjera, pse mendojnë dhe vendosin kështu.
Kurse ai e shpalli Shqipërinë qendrën e revolucionit proletar botëror, pra edhe veten udhëheqësin e këtij revolucioni! Absurde, qesharake, sikur të mos ishte tragjike. Sepse për 30 vjet, ndërsa në vendet e tjera socialiste u lehtësua disi jeta, në Shqipëri ndodhi e kundërta. Enveri, në ekstremizmat e tij ja kaloi edhe Stalinit.
- Kam mbajtur, bashkë dhe me miq të tjerë të Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës, qëndrim të drejtë ndaj proceseve demokratike. Kemi kontribuar me aq sa kemi pasur fuqi. I kemi dënuar haptas krimet e diktaturës enveriste. Kemi kërkuar dhe falje. Këto të katërta i quaj merita të mia.
Përgjegjës para popullit shqiptar, për gjithçka pësoi nga PKSH–ja e PPSH-ja, janë të gjithë anëtarët e saj, dhe aq më tepër ata që kanë qenë në udhëheqje, veçanërisht ata që kanë përgjegjësi personale për krimet.
Megjithëse unë personalisht nuk jam përgjegjëse për krime, megjithëse vetë dhe gjithë familjarët e mi vuajtën për 30 vjet, kam kërkuar falje dhe përfitoj nga rasti të kërkoj përsëri ndjesë. Ju kërkoj falje viktimave të diktaturës dhe familjarëve të tyre për gjithçka kanë vuajtur. I kërkoj falje gjithë popullit që nuk i realizuam ato që premtuam gjatë luftës, që e shmangëm për 50 vjet nga rruga e drejtë e zhvillimit, për varfërinë dhe sakrificat e tij, për represionet e shkeljen e të gjitha të drejta.
Dhe, ju kërkoj ndjesë njerëzve të mi të dashur që vuajtën shumë për shkakun tim, megjithëse unë isha fajtore pa faj. I kërkoj në radhë të parë ndjesë Dritës sime, që e linda po që nuk munda t’i siguroj sikur një ditë jetë normale, pale lumturi.
Sot pas kaq vjetësh në demokraci, a ndjeheni e shpërblyer për vuajtjet tuaja?
Shpërblimi më i madh është që, diktatura enveriste u përmbys dhe Shqipëria është vënë në rrugë të mbarë, që Kosova martire u çlirua dhe që shqiptarët e tjerë në Ballkan gëzojnë sot më shumë liri sa asnjëherë tjetër gjatë historisë.
Materialisht, si e përndjekur, unë personalisht nuk kam marrë asgjë. Por, i ndjeri burri im dhe dy vëllezërit, Bardhyl dhe Agron Belishova, që kanë qenë në burg, janë dëmshpërblyer edhe sipas Ligjit të parë dhe sidomos po dëmshpërblehen me Ligjin e fundit, që është shumë i drejtë. Unë marr pension shumë të mirë si invalide e Luftës Nacionalçlirimtare, djalin e kam gjykatës, kemi përfituar edhe nga pronat që na ka lënë babai. Jetoj shumë mirë, më mirë se kur isha anëtare e Byrosë Politike.
Po kryesorja, fitova lirinë, unë dhe të gjithë. Tani takohem me të gjithë të afërmit dhe miqtë e mi. Po a mund të përfytyroni çdo të thotë të jetosh për 30 vjet e izoluar sikur të kishe kolerën?! Të duroje gjithë atë propagandë, “armike e popullit, armike e partisë” (i numëronin që nga Anastas Lulua e deri tek Liri Belishova), të dëgjoje tezën e institutit të Marksizëm-Leninizmit se; Titistët përdorën Koçi Xoxen kundër Shqipërisë, kurse hrushovianët Liri Belishovën. Po ç’bëri Liri Belishova more zot, ç’fjalë ose veprim i saj ishte kundër Shqipërisë, more edhe kundër PPSH-së?
Qëndrimi i të burgosurve, të internuarve dhe i familjarëve të tyre ka qenë me të vërtetë fisnik. Jo vetëm asnjë vrasje për hakmarrje, por asnjë pëllëmbë, asnjë fyerje, pas gjithë atyre mizorive që pësuan. Mendoj se kjo ka shumë rëndësi, sidomos po të kujtojmë sesa mizorë u treguan pa të drejtë komunistët kur morën pushtetin.
E quaj shumë fisnik qëndrimin e të persekutuarve që s’kanë qenë komunistë, ndaj neve të persekutuarve që kemi qenë komunistë. Ditën të bëjnë dallimin, të vlerësojnë qëndrimin tonë dhe mos na përziejnë me përgjegjësit e vërtetë, të çmojnë vuajtjet tona të përbashkëta. Kam shumë miq, duke filluar nga i ndjeri Pjetër Arbnori, etj.
E çmoj shumë të rëndësishëm qëndrimin e Partisë Demokratike ndaj nesh. Ata dënuan Enver Hoxhën dhe përgjegjësit e vërtetë, por vlerësuan ata komunistë patriotë që luftuan për çlirimin e atdheut nga okupatorët, që punuan me nder për të mirën e popullit, që megjithëse patën iluzione komuniste nuk janë përgjegjës për krime, përkundrazi vuajtën edhe vetë nga diktatura, i përkrahën proceset demokratike dhe i dënuan e i dënojnë krimet dhe mbrapshtitë e diktaturës enveriste.
Nuk besoj se do të keqkuptohem. Ka mjaft socialistë, madje edhe udhëheqës të kësaj partie, që mbajnë qëndrim të drejtë ndaj nesh. Po pa hyrë në hollësira, e quaj të nevojshme të them se i përkiste kësaj partie që, të bënte analizën e thellë të diktaturës dhe të Enver Hoxhës, dhe jo të mjaftohej me “distancohemi nga diktatura”.
I takonte kësaj partie që të dënonte krimet dhe dënimet e padrejta, duke filluar që nga ato që u bënë gjatë Luftës: Anastas Lulos, Mustafa Gjinishit, Ymer Dëshnicës, Sejfulla Malshovës, Nako Spiros, etj, të të gjithëve ne, ish- komunistë dhe ish-udhëheqës të asaj partie. Edhe një gjë: tetë vjet sa qe Partia Socialiste në pushtet nuk u bë asgjë për të përndjekurit politikë, edhe vetë projekt-ligji u bllokua.
Zonja Belishova, janë bërë shumë diskutime: a duhet të hapen dosjet e Sigurimit dhe përse janë vonuar?
Jemi shumë të vonuar. Dosjet në vendet e tjera ish-socialiste janë hapur që në fillim të viteve ’90-të, menjëherë posa u përmbysën diktaturat komuniste. Unë mendoj në radhë të parë, që të gjithë të burgosurit dhe të internuarit, duhet me ligj të kenë të drejtë të shikojnë dosjet që ka pasur Sigurimi për ta. Kjo është e drejta e tyre e pamohueshme. Dhe, këtë e kanë bërë vendet e tjera.
Hapja e dosjeve të atyre që kanë qenë agjentë të Sigurimit, do të krijojë probleme serioze, sepse Sigurimi e kishte përhapur jashtëzakonisht rrjetin e tij. Por, është një operacion i domosdoshëm dhe duhet bërë. Pse ne duhet të bëjmë ndryshe nga vendet e tjera? Mendoj se ka njerëz që janë rekrutuar me presione dhe kërcënime të jashtëzakonshme, dhe hapja e dosjeve është një dënim i rëndë për ta. Por, le të krijohen me ligj mundësitë që të shpjegohen dhe të mbrohen.
Çështja që ka ngjallur kundërshtimin e Partisë Socialiste dhe të disa të tjerëve është pastrimi i aparatit shtetëror, sepse thonë që preket Kushtetuta, etj. Të them të drejtën, nuk e kuptoj këtë gjë. Vendet e tjera, që janë anëtare të BE-së, e kanë zgjidhur dhe mund të merret shumë mirë eksperienca e tyre. Por, është e domosdoshme që aparati shtetëror të pastrohet nga ata që janë përgjegjës për krime. Nuk mund të durohet që deri në Gjykatën Kushtetuese, të ketë njerëz që kanë dhënë vendime me vdekje për politikë, etj. Jemi shumë vonë.
Le të kthehemi prapë tek ju, keni qenë anëtare e Byrosë Politike dhe më pas përfunduat në internim. E kishit menduar ndonjëherë këtë persekutim që do t’ju bëhej?
Tashmë dihet nga të gjithë se një komunist mund të dënohej, madje edhe të pushkatohej për asgjë. Por, ju e kuptoni se çfarë mund të mendoja unë, sidomos pas vrasjes tragjike të Nako Spiros. Sidoqoftë, siç thashë më lart, periudha më e vështirë, ishte ajo pas Kongresit të XX-të, ku jam ruajtur me të gjitha fuqitë për të mos dhënë rast ndëshkimi.
Kur u ktheva në Tiranë takova një ditë në rrugë Nefo Myftiun, e cila më tha: “Ç’të të them unë moj Liri ty, që vuajte 30 vjet. Por ta dish, edhe neve nuk e kemi vënë kokën mbi jastëk, por si mbi tel me gjemba. M’u duk sikur më pa me inat Enveri, m’u duk sikur Nexhmija, tha këtë fjalë me nënkuptim, etj”.
Zonjë Belishova, a mund të na thoni mendimin tuaj, si po shkon Shqipëria jonë?
Po të thosha që nuk mendoj për këto probleme, nuk do të thosha të vërtetën, sepse siç e thashë më lart, gjithë jeta ime është dominuar nga dashuria dhe prokupacioni për atdheun dhe popullin tim. Por, e kam shumë të vështirë të shprehem…! Sepse, kam parasysh përgjegjësinë time morale, e cila dhe më ka bërë që kur u ktheva në Tiranë, të vendos edhe me miq të tjerë të mos marr pjesë aktive në jetën politike.
Sidoqoftë, unë jam dakord me Ismail Kadarenë: me gjithë problemet, gabimet, etj., e rëndësishme është që Shqipëria është futur në rrugën e drejtë të zhvillimit demokratik, të integrimit euroatlantik. Për herë të parë Shqipëria, duke qenë anëtare e NATOS-s, ka garantuar lirinë e pavarësinë e saj, kurse gjatë gjithë historisë, ne kemi qenë pre e agresioneve të ndryshme, kemi vuajtur nga okupacionet, sepse kemi qenë një popull i vogël. Gjithashtu, futja e Shqipërisë në Bashkimin Europian, krijon shumë favore për zhvillimin e saj demokratik, ekonomik, etj.
Sot ka shumë probleme, shumë të meta, vjedhje, korrupsion, etj. Por, këto në asnjë mënyrë nuk duhet të ngjallin dëshpërim e pesimizëm që paralizojnë forcat. Jo vetëm mësojmë nga filozofët, nga historia, por edhe nga eksperienca jonë në botë; nuk ka asgjë perfekte dhe zhvillimi është lufta e të kundërtave. Problemet nuk mbarojnë kurrë; sa zgjidhet një pjesë, lindin të tjera. Rëndësi ka si luftohet për t’i zgjidhur në radhë të parë nga truri i kombit, por edhe nga të gjithë qytetarët.
Mendoj se me shumë rëndësi për Shqipërinë, është dekomunistizimi dhe kultura demokratike. Shkollat dhe universitetet ku edukohen qytetarët e ardhshëm, për mua kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Gjithë këto universitete janë dhe qendra shumë të rëndësishme ku mund të studiohen problemet, të bëhen propozime etj. Atyre u takon të jenë këshilltarët kolektivë të shtetit, të shoqërisë.
Diktatura është një qeverisje e kollajshme, si sahati me rërë. Kurse demokracia është e komplikuar si sahati zviceran, gjithë rrotka dhe vegla, ku çdo gjë duhet të punojë mirë dhe në harmoni. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016