Dashnor Kaloçi
Pjesa e tetë
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), që janë shkëputur nga një dosje voluminoze me siglën “Tepër sekret” e cila i përket viteve 1980-1982 dhe bën fjalë për ngjarjen e bujshme të çarjes së gomave të disa prej automjeteve të trupit të huaj diplomatik të akredituara në Tiranë, e cila shqetësoi deri udhëheqësin kryesor të Partisë, Enver Hoxhën, që i telefonoi menjëherë ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, ku, në kulmin e zemërimit, “Komandanti” i tha: “Nëse për 24 orë nuk e gjeni se kush dhe përse i ka dëmtuar automjetet e ambasadave të huaja në Tiranë, gjej vrimë dhe futu”! Alarmi i ministrit të Brendshëm Feçor Shehu, i cili thirri në një mbledhje urgjente, të gjithë drejtorët kryesorë të dikasterit që drejtonte dhe pasi iu bëri të qartë shqetësimin e madh të “Komandantit”, se mos ajo ngjarje do krijonte incident diplomatik me disa shtete, organet e Sigurimit të Shtetit dhe struktura të tjera të Ministrisë së Punëve të Brendshme, brenda 24 orësh, arritën të zbulonin autoren e “krimit”, Prendushme Deda, punëtore e Ndërmarrjes Komunale të kryeqytetit, që punonte në pastrimin e rrugëve, e cila u kap në flagrancë përpara Hotel “Dajtit” teksa çante gomat e disa prej automjeteve, të trupit diplomatik në Tiranë. Dëshmia e rrallë e ish-Drejtorit të Laboratorit Qendror Kriminalistik të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Neshat Tozaj, të dhënë pak kohë para se ai të ndahej nga jeta, lidhur me debatet e ashpra e përplasjen e tij, më ministrin Feçor Shehu, pasi ai, si titullar i laboratorit që drejtonte, nuk pranoi të firmoste akt-ekspertimin, për të konsideruar “armë të ftohtë” mjetin prerës, me të cilën punëtorja e pastrimit, kishte çarë gomat e disa prej automjeteve me targa “CD”! Kërcënimi i Feçor Shehut, për vartësin e tij që e shkarkoi menjëherë nga detyra, duke e dërguar si skenarist në Kinostudion “Shqipëria e Re” dhe odiseja e gjatë e Tozajt, për të vënë në vend nderin dhe dinjitetin e tij, duke i dërguar letra ankesash kryeministrit Mehmet Shehu dhe më pas Enver Hoxhës, gjë e cila u bë shkak e solli dhe ftohjen e përplasjen e parë midis dy krerëve më të lartë të Shqipërisë komuniste, të asaj kohe! Akuzat e Enverit ndaj Mehmet Shehut, se: përse ai e kishte mbajtur të fshehtë ngjarjen e bujshme, që tronditi Tiranën zyrtare, (nga frika e ndonjë incidenti diplomatik me disa shtete), ku pas vdekjes së tij dhe arrestimit të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut, ajo ngjarje ridoli “në skenë” dhe si rezultat, u liruan nga burgu e internimi të gjithë pjesëtarët e “grupit armiqësor”, që ishin akuzuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja (me përjashtim të Prendushe Dedës, që u lirua me amnistinë e vitit 1986), e kthimin në vendin e punës së Neshat Tozajt, (si Drejtor i Laboratorit Qendror Kriminalistik pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme) i cili disa vite më pas, shkroi romanin “Thikat”, që asokohe do të bënte një bujë të madhe, duke u ribotuar disa herë!
Dokumenti sekret me relacionin e hartuar nga Rexhep Kolli, funksionar i lartë në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së për organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tij, lidhur me problemin e “Grupit kriminal armiqësor”, që ishin arrestuar e dënuar për dëmtimin e automjeteve të ambasadave të huaja në Tiranë!
16.3.1982 Sekret
NJOFTIM
PËR SQARIMIN E ÇËSHTJES TË NGRITURA NGA ANËTARI I PARTISË NESHAT TOZAJ NË LETRËN DREJTUAR SHOKUT ENVER HOXHA
Në këto mbledhje, i’u bë një analizë e thellë shkaqeve që çuan në shkeljet flagrante të ligjshmërisë, duke u marrë edhe masat e nevojshme.
Për shokun Elham Gjika, u tha se me që ka një kohë të gjatë në Drejtorinë e Hetuesisë, duke gjykuar se “ka drejtuar dhe zhvilluar procese penale të mëdha, për nga rëndësia e karakteri”, u bë edhe drejtor e mbahej nga shoku Feçor Shehu dhe Bato Karafili, ka ushqyer mendimin se “unë jam më i afti”, “unë i di mirë ligjet e normat juridike”, se “ligjet e normat, janë për të tjerët dhe jo për mua”!
Kështu u kultivua dhe lulëzoi tek ky shok mendjemadhësia, mbivlerësimi i vetes dhe nënvlerësimi i shokëve, tendenca e vetëkënaqësisë dhe euforisë, shfaqjet e punës për t’u dukur, prepotenca dhe arroganca. Këto koncepte, shfaqje dhe qëndrime të huaja, u argumentuan me fakte dhe raste konkrete.
Në diskutimin e tij, duke pranuar të gjitha kritikat që i’u bënë shokut Elham, ndër të tjera ai tha: “Sot mësova se çdo të thotë të bësh një mbledhje organizate, sipas normave të Partisë. Unë kam ndikuar keq në organizatën bazë dhe në drejtimin e punës së Drejtorisë…, mendjemadhësia më çoi në eufori, në mendimin se unë jam më i afti dhe kështu cënova kolegjialitetin, ja hipa kalit për së prapthi…!
Nisur nga mendimi se do të zbuloja një gjë të madhe, ngula këmbë të arrestohet ajo vajzë…, koncepti i punës për bujë, më shtyu të mos ndalesha më vonë për t’i korrigjuar gabimet në këtë proces, aq më tepër kur morra vesh personalitetin e të pandehurave dhe sinjalizimet e Prokurorisë…!
Në të metat e mija ka ndikuar edhe shoqëria me shokët Feçor Shehu dhe Bato Karafili, të cilët duhet të kenë vënë re te unë shenjat e mendjemadhësisë, por nuk më kanë kritikuar…, u bë mirë që më shkundi organizata bazë, se kisha rënë në eufori. Për sa i përket masës, mendoj se kam nevojë për riedukim. Pra të më jepet masa më e rëndë”.
Organizata bazë e Partisë, i dha vërejtje të rëndë me shënim në kartën e regjistrimit dhe propozoi që të shkarkohet si drejtor, e të shkojë në bazë në sektorin e Hetuesisë. Tre komunistë, midis tyre edhe vetë shoku Elham, ishin për kthimin në kandidat partie dhe dërgimin në bazë, jashtë sektorit të Hetuesisë. Komiteti i Partisë, qe i mendimit që të mbetej vetëm me masat vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit. Dy anëtarët e Komitetit të Partisë ishin për masë më të rëndë.
Për shokun Feçor Shehu, u theksua se; mban përgjegjësi për mungesë kontrolli ndaj Drejtorisë së Hetuesisë, që e ka në varësi direkte, ai nuk duhej që të lejonte që sekretari i tij, Farudin Poçari, të bënte akt-ekspertimin, për më tepër të ishte njohur me konkluzionet e Laboratorit Qendror të Kriminalistikës.
Ai nuk duhej të mjaftohej vetëm me dhënien e porosisë “të analizohet shkelja e ligjshmërisë”, por analizën ta organizonte e ta drejtonte vetë. Veç kësaj, ai nuk kërkoi llogari, ç’u bë me porosinë e dhënë dhe mbi bazën e familjaritetit të sëmurë, e firmosi një përgjithësim formal. Kritika ju bë shokut Feçor edhe për atë që e ka mbajtur afër dhe e ka përkëdhelur shokun Elham Gjika.
Shokun Bato Karafili, e kritikuan sepse ndonëse i mësoi këto shkelje, që në prill të vitit 1981, nuk u ndal e nuk kërkoi që të analizohen thellë në Parti, por u mjaftua me informimin e përciptë dhe formal që bë në kolegjium, në Komitetin e Partisë të Ministrisë dhe në organizatën bazë.
Ky shok, u kritikua gjithashtu për shoqëri të tepruar me shokun Elham Gjika, i cili edhe pse kishte humbur teserën e Partisë, për çka ishte ndëshkuar e më vonë kishte bërë shkelje të rënda të ligjshmërisë, me rekomandimin e shokut Bato, u zgjodh delegat për në Kongresin e 8-të të Partisë.
- Në lidhje me këtë proces, të meta kanë pasur edhe organet e Prokurorisë e të Gjykatës. Prokuroria e Përgjithshme, deri sa pa që Prokuroria e rrethit nuk bindej, nuk duhej të jepte urdhër për sanksionimin e arrestit pa e parë e studiuar thellë çështjen.
Nga ana tjetër, kur ajo u vu në dijeni të shkeljes, nuk duhej të mjaftohej vetëm me një ndërhyrje, por të kërkonte që të viheshin përpara ligjit, shkelësit. Kur u zbulua heqja e akteve nga dosja hetimore, Gjykata në vend që t’i jepte pafajësinë Lindita Bekës, morri një vendim oportunist, duke thënë: “Të kthehet çështja për ri hetim”.
Nga verifikimet dhe analizat që u bënë për këto shkelje të ligjshmërisë, doli gjithashtu se; është ende e mefshtë jeta e brendshme e organizatave bazë dhe e Komitetit të Partisë së Ministrisë. Ka munguar kritika dhe kërkesa e fortë e llogarisë, në disa raste ka sunduar frymë e komandimit, e familjaritetit të sëmurë dhe euforia.
Për të gjitha këto, ne dhamë porosi e u murrën masa për t’u vënë në vend drejtësia:
- Dega e Hetuesisë e Drejtorisë së Punëve të Brendshme të Tiranës dha llogari në Uzinën “Dinamo”, për marrjen të pandehur e dënimin me të padrejtë të Lindita Bekës. Asaj ju dha paga për kohën e qëndrimit në burg, ju sigurua edhe strehimi.
- Ju paraqit një relacion Komisionit Qendror të Internim-Dëbimeve, dhe ai më 12.1.1982, vendosi e ua hoqi si të pabazuar masën e internimit, Kudrete Dobit, Natsha Egro, Dedë Laskut dhe Ndoc Laskut.
- Për ta, ju rekomandua Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, që t’u ri jap të drejtën e banimit dhe të strehimit.
- Veç këtyre, kemi mendimin që të merren edhe këto masa:
-Shoku Elham Gjika, për të metat dhe shkeljet e bëra, të qarkulloj.
– Shoku Feçor Shehu, të bëj autokritikë në organizatën bazë për para efektivit të Drejtorisë së Parë e të Drejtorisë së Hetuesisë.
-Shoku Neshat Tozaj, të rikthehet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, si njeriu që ka luftuar për të mbrojtur ligjin dhe normat e Partisë.
-Për sa i përket gabimeve dhe shkeljeve të bëra nga shokët Farudin Poçari, Kadri Gojashi, Sokol Koleka, etj., t’u shtrohet çështja në organizatat bazë ku të japin llogari e të mbahet qëndrim sipas shkallës së fajësisë.
22.1.1982 Rexhep Kolli
Raport-informacioni i grupit të instruktorëve pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së për organet e Punëve të Brendshme, dërguar eprorëve të tyre lidhur me ngjarjen e çarjes së gomave të automjeteve të disa ambasadave të huaja të akredituara në Tiranë
KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË
Sekret
I N F O R M A C I O N
Natën më 20 dhe 22 tetor 1980, në qytetin e Tiranës u janë çarë me thikë gomat dhjetë automjeteve të përfaqësive të huaja diplomatike. Ndër to, 4 i përkasin ambasadës bullgare, 3 asaj greke, dhe 1 ambasadave çeke, polake dhe daneze. Këto akte janë kryer përpara Hotel “Dajti”-t në qendrën e banimit të diplomatëve, në Rrugën “Pjetër Budi”, dhe para ambasadës greke në Rrugën “Rreshit Çollaku”.
Deri tani autorët nuk janë zbuluar e nuk dihen konkretisht, përveç ndonjë dyshimi që është krijuar për persona të veçantë.
Drejtoria e Punëve të Brendshme në Tiranë dhe Ministria, i kanë vlerësuar këto si një akt i rëndë armiqësor me karakter politik të organizuar dhe kanë përcaktuar masat përkatëse e të drejta, për zbatimin e të cilave po punohet intensivisht.
Komiteti i Partisë i rrethit të Tiranës, me të marrë dijeni, bëri një mbledhje operative me aparatin e tij, me pjesëmarrje edhe të sekretarëve të Komitetit të Partisë së Rajoneve, ku shtroi detyrën që organet dhe organizatat bazë të partisë, të vihen në krye të udhëheqjes për forcimin e vigjilencës revolucionare, për të marrë masa të gjithanshme për ngritjen e opinionit shoqëror kundër këtyre akteve të shëmtuara dhe për të zbukuruar e demaskuar me çdo kusht autorët e tyre.
Duke marrë dijeni mbi këto ngjarje, shkuam në Drejtorinë e Tiranës dhe pamë e ndihmuam për masat e mëtejshme që duhet të merren nga Komiteti dhe organizatat bazë të Partisë së Drejtorisë. Theksin e vumë në domosdoshmërinë e punës së organizuar që do bërë për të rrënjosur te çdo komunist e kuadër, bindjen se ky është një akt i mprehtë politik dhe jo diçka ordinere.
Të luftohet ashpër ndonjë mëndim jo i drejtë e de mobilizues se ngjarjet kanë ndodhur në objekte që mbulohen nga sektorët përkatës të aparatit qendror të Ministrisë e jo nga Drejtoria, të sigurohet tendosja e gjithanshme e tërë efektivit dhe të forcohet kontrolli e kërkesa e llogarisë për të zbatuar me disiplinë të rreptë të gjitha detyrat e masat e përcaktuara për këtë çështje.
Në përfundim do të analizohet e do të nxirren konkluzionet e nevojshme mbi ngjarjen e mbi çështjet që kanë të bëjnë me përmirësimin e punës për sigurimin fizik të përfaqësive të huaja diplomatike të akredituara në vendin tonë.
GRUPI I INSPEKTORËVE PËR ORGANET E PUNËVE TË BRENDSHME
23.10.1980
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016