Nga Ali Buzra
Pjesa e dhjetë
JETË NËN TRYSNI DHE VUAJTJE
(VLERËSIME, KOMENTE, RRËFIME)
Memorie.al / Me kërkesën dhe dëshirën e autorit, Ali Buzra, si redaktuesi e lexuesi i parë i tij, do të ndaj shkurtimisht me ju ato çfarë përjetova në këtë takim me këtë libër, i cili është i dyti për të (pas librit “Gizaveshi në vite”) e që natyrshëm po përvijon stilin e tij të të shkruarit. Sinqeriteti dhe çiltërsia e rrëfimit, gjuha e thjeshtë e pa modifikime, saktësia dhe precizioni i episodeve apo mungesa e një fantazie përpunuese, të qëllimshme të mëpastajme ose mosshfrytëzimi i saj, mendoj se i kanë shërbyer pozitivisht autorit, i cili i vjen te lexuesi në formën e tij origjinale, duke na ftuar që së paku të njohim fate e dhimbje njerëzore të panjohura, në mënyrë të rastësishme apo jo, duke na lënë ne të reflektojmë si një fillesë ndërgjegjësimi drejt një katarsisi aq të nevojshëm për ndërgjegjen e shqiptarëve.
Bedri Kaza
Rrethanat që çuan në pozicionimin e Azis Biçakut me ‘Ballin Kombëtar’
Aty nga fillimi vitit 1943 (nuk dihet me saktësi data e muaji) organizohet një mbledhje në fshatin Borovë të krahinës së Gollobordës, nga Mit’hat Frashëri. Këtu merrnin pjesë të gjithë krerët e fshatrave të zonës. Në këtë mbledhje u thirr edhe Azis Biçaku. Ai njihej si personalitet me autoritet në zonë, ndërkohë kishte miq e të afërm në krahinën e Dibrës. Në familjen e Murat Kaloshit e të Halil Alise, kishte kushërinjtë e parë, mbasi atje qenë martuar hallat e tij.
Në këtë kuvend i kërkohet të jetë drejtues i ‘Ballit Kombëtar’ në zonën e tij. Duke ditur shumë peripeci, që kish kaluar familja e tij, fillimisht, ai nuk pranon. Me këmbënguljen e Mit’hat Frashërit e të Latif Mustës, drejtues i ‘Ballit’ nga Borova, ai pranon të jetë pjesëmarrës, por kundërshton të jetë kryesues për zonën.
Gjyshi, babai, vëllezërit dhe ai vetë ishin përplasur disa herë me forcat sllave. Ai, tashmë i mbetur djalë i vetëm i familjes së Rushit Agës, ndiente përgjegjësi për familjen në ditët e trazuara të luftës. Më në fund ai pranon, duke thënë se në zonë do të luftojmë të mbrohemi nga kushdo që na sulmon, por të mos bëjmë gjak mes njëri-tjetrit. Në fshat, krijohet çeta e ‘Ballit’ e kryesuar prej tij me rreth 50- 60 vetë, të cilët mblidheshin sa herë që ky jepte sinjalin për vetëmbrojtje.
Natyrisht, krerët e ‘Ballit’ si dhe krerët e tjerë nacionalistë, njiheshin në mënyrë të vazhdueshme me ngjarjet brenda e jashtë vendit, si dhe me qëndrimin e Partisë Komuniste Shqiptare, ndaj organizatave jo komuniste në Shqipëri. Nga ana e PKSh-së, ngarkohet Sami Baholli të marrë takim me Azis Biçakun, për ta tërhequr në anën e Frontit Demokratik. Thuhet se janë bërë dy takime. Në rastin e parë, Azisi i shpjegon me qetësi arsyet pse nuk mund të bashkëpunojë me komunistët, dhe ndahen me një farë mirëkuptimi.
Në takimin e dytë, sipas dëshmitarëve që kanë qenë prezent, por, që sot nuk jetojnë, Samiu i thotë: – “Ne do të fitojmë luftën, se jemi lidh me Rusinë e Serbinë”. Azisi i revoltuar dhe i vendosur, i përgjigjet: – “Unë të takova si mik, por t’i i pafsh hajrin rusëve, serbëve dhe komunistëve. Me ata unë nuk bashkohem”. Në të vërtetë, vetë Samiu, pas çlirimit mbajti detyra të larta shtetërore, ndërsa, pasuritë dhe pronat e familjes Baholli, u konfiskuan nga shteti komunist. Familjarët provuan ndjekjet dhe persekutimin në 45 vite të regjimit.
Sami Baholli, nuk la fshat pa vajtur e derë pa trokitur, duke shfrytëzuar miqtë e shumtë të familjes, për të strehuar Enver Hoxhën, ndërsa babai e tij, pas çlirimit u dërgua për disa muaj të vuajë në kënetën e Maliqit. Në një intervistë dhënë nga Ikbal Baholli (më 3 tetor 2006 gazetës “Metropol”) mes të tjerash thuhet: “Në fakt, familja jonë ishte e para që ndihmoi Lëvizjen Nacional-Çlirimtare. Ne përkrahëm lëvizjen, madje babai (Shefqeti) më tregonte se Enver Hoxha qëndronte në shtëpinë tonë në Labinot dhe flinte pikërisht në dyshekun e tij.
Madje, që të vegjël ne fëmijët jemi angazhuar në lëvizje. Ndihma e familjes Baholli ka qenë e madhe dhe kjo përkrahje, në fakt, duhet të vlerësohej. Por për çudi sapo përfundoi lufta, ne ishim të parët që u burgosëm, na u morën pronat dhe përfunduam në burgje, të persekutuar dhe të mbytur nga varfëria. Edhe biblioteka nuk kish se si t’i shpëtonte përndjekjes. Asaj iu hoq emri Qemal Baholli dhe u bë shtetërore. Asgjë e Bahollëve nuk mbeti në këtë objekt që u ndërtua për nder të Qemalit dhe që iu fal qytetit nga gjyshi im, Nazif Baholli, që brezat të lexojnë dhe ta kujtojnë djalin e tij të vogël, që vdiq fare i ri. Përndjekja vazhdoi gjatë gjithë kohës.
Përndjekja ishte e tmerrshme dhe brejtëse. Babai im, Shefqeti, u dënua me burgim të përjetshëm si zogistë. Më pas iu ul dënimi për shkak të moshës dhe doli pasi vuajti 13 vjet. Xhaxhai im, Nazmiu, u dënua me 3 vjet burg. Plaçkitja ishte deri në palcë. Madje, Nazmiut i morën edhe librat që i kishte aq për zemër. Tri herë na bastisën, aq sa më ka qëlluar që kolltuqet që kishim pasur t’i shikoja në Komitetin e Partisë, kur endesha për punë”.
U shkëputëm paksa nga rrjedha e ngjarjeve, për të treguar se dhuna dhe persekutimi nuk pati fund e se analogjitë gjenden të përsëritura në të njëjtën mendësi por me të tjerë emra. Azis Biçaku, si nacionalist patriot, anti-sllav e antikomunist i vendosur, u pozicionua me organizatën e ‘Ballit Kombëtar’, e cila në programin e saj përmbante luftën për çlirimin e vendit, si dhe një Shqipëri të lirë etnike dhe demokratike.
Emri i Azis Biçakut, është lakuar edhe në shkrime, me ose pa argumente, sipas këndvështrimit të gjithsecilit. Në mjaft raste, është etiketuar edhe si “armik, bashibozuk, tradhtar” etj. Nuk kam ndërmend të paragjykoj askënd, por jam i detyruar të mos hesht përballë thënieve të tilla, të cilat nuk janë reale. Etiketimet si “armiq e tradhtarë”, të figurave të tilla të spikatura të historisë së zonës, janë vazhdim i historiografisë së socializmit, që ka perënduar. Vërtet, ende duket e vështirë shkëputja prej saj.
Natyrisht, kjo ka arsyet e veta. Indoktrinimi, jo vetëm i popullsisë shqiptare, por edhe i inteligjencës së atyre viteve, ka qenë masiv. Nuk do të zgjatem, për të përshkruar veprimtarinë dhe aktivitetin e Azis Biçakut gjatë luftës, mbasi kjo do të përbënte një tematikë të veçantë. Nga ana tjetër, nuk është ky qëllimi i këtij libri, por do të përmend disa momente të periudhës së luftës, që tregojnë se Azis Biçaku, ishte atdhetar e patriot, ashtu si dhe shumë nacionalistë të tjerë.
Qenia e tij me bindje anti-sllave e antikomuniste, nuk mund të përdoret si argument për ta akuzuar si antikombëtar. Në lidhje me personalitetin e tij kam marrë informacion, nga shumë persona në Letëm dhe në fshatra të tjerë, që e kanë njohur nga afër atë. Dhe kjo jo vetëm në vitet e fundit, por edhe para 20-30 vitesh. Ndër vite kam marrë të dhëna nga të moshuarit Halit Shuli, 92 vjeç, Haki Kullafi 86 vjeç, Destan Lala 87 vjeç, Fez Bardhi 92 vjeç, etj. Nga të dhënat e marra prej tyre dhe shumë të tjerëve, për periudhën e luftës rezulton se:
Së pari, Azis Biçaku ka mbrojtur fshatin e tij nga mundësitë e reprezaljeve gjatë luftës, qëllim të cilin ia kish vënë që në fillim vetes. Gjatë sulmit të Brigadës së Dytë Sulmuese, për të asgjësuar forcat nacionaliste në Funarës, Zgosht e Letëm, ai u pozicionua në fillim te vendi i quajtur “Guri i Prasit”, duke penguar depërtimin e tyre në fshatin Letëm. Në përpjekjen mes forcave nacionaliste e atyre partizane në Qafë Drizë, këta të fundit u shpartalluan duke lënë të vrarë e shumë robër.
Ishin Isak Alla dhe Azis Biçaku, që vendosën për robërit, t’i lënë të lirë, pasi i çarmatosën. Nuk dua të zgjatem, mbasi e kam trajtuar më lart, por tashmë dihet, që komandat partizane kanë vrarë në mënyrë të pamëshirshme, jo vetëm robërit italianë, por edhe ata ballistë, të kapur mbas beteje. Kjo ka ndodhur në shumë raste, duke e ditur se ky veprim është në kundërshtim me ligjet e luftës. Dhe kjo ka ndodhur në mënyrë çnjerëzore jo vetëm me robërit e huaj, por edhe me vetë shqiptarët.
Së dyti, në vitin 1943, Azizi, është mbajtur për disa kohë nën arrest nga italianët, si person që u ka sjellë shqetësime forcave të tyre. Kjo provohet edhe me një detaj tjetër, mbasi kur Azisi mbahej nën arrest, nusja e djalit të tij, Isufit, lindi një djalë, të cilit emrin ia vuri Azisi, duke e quajtur “Lirim”. Ky është emri i vërtetë i Ilir Biçakut, i cili që tre vjeç, provoi kampet makabre të diktaturës komuniste.
Së treti, në bashkëpunim me krerët e tjerë nacionalistë të fshatrave fqinjë; Daut Gurra, Shahin Dosku, Zeq Hunçi e Isak Alla, jo vetëm lejuan, por mundësuan kalimin e Brigadës së Parë Sulmuese të Mehmet Shehut nëpër territorin malor edhe të fshatit Letëm. Në librin tim të parë, “Gizaveshi në vite”, kam shkruar për dëshminë e dhënë nga i moshuari Rexhep Beti, nga Gizaveshi, në vitin 2009, ku ky i fundit deklaron se ka qenë prezent, kur Azis Biçaku u jep besë në shtëpinë e tij, dy partizanëve të dërguar nga Mehmet Shehu, që të kalojnë nëpër territoret e fshatit të vet.
Për këtë, kam kërkuar të dhëna të tjera kohët e fundit dhe rezulton plotësisht e vërtetë. Në shtëpinë e Azisit vijnë tre gjermanë nga Babja, ku forcat gjermane ishin të dislokuara. Qëllimi ishte të detyronin atë, të sulmonte forcat partizane të Brigadës së Parë. Familjarët i shohin duke ardhur dhe njoftojnë atë. Azisi nuk merr kontakt me ta, por kalon në shtëpinë e Tahirit, djalit të nipit të tij, në hyrjen tjetër. Ndërkohë udhëzon të shoqen si duhet të veprojë. Kjo e fundit u thotë se Azisi ndodhet në Qarrishtë. Po në këtë ditë, ai pret në shtëpinë e tij partizanët e dërguar nga Mehmet Shehu, të cilëve u jep besë, që nuk do të goditen.
Ndërkohë dërgon djalin e tij, Isufin, së bashku me Tahirin, që t’i përcjellin ata, duke i siguruar gjatë rrugës, për te brigada. Deri para arrestimit Tahir Biçaku, e ka ruajtur një letër të dhënë nga Mehmet Shehu, si dëshmi e besës së dhënë nga Azis Biçaku. Lind pyetja, se përse erdhën gjermanët te Azis Biçaku? Këtë e kam trajtuar në kapitullin e parë, dhe nuk është nevoja të zgjatem. Megjithatë duhet thënë se kjo ka ndodhur kudo në Shqipëri. Gjermanët ishin të interesuar të merrnin kontakt me forcat antikomuniste, bile edhe të nxitnin ata kundër partizanëve.
Realisht Lufta civile në Shqipëri, tashmë kish filluar. Sot, ka edhe historianë e analistë që e mohojnë këtë, por nuk janë të paktë edhe ata që e vërtetojnë atë. Mirëpo fakti është se, mes forcave të Frontit dhe atyre nacionaliste, janë zhvilluar luftime jo të pakta. E çfarë emri mund t’i vihet kësaj lufte që u zhvillua midis vetë shqiptarëve, e cila shkaktoi shumë viktima? Për të ardhur në rastin konkret, pothuaj i gjithë krahu i nacionalistëve shqiptarë, si rrezik kryesor shihte atë sllavo-komunist.
Dhe siç e provoi më pas historia e dhimbshme e popullit shqiptar, komunizmi në Shqipëri triumfoi. Pasojat e tij i ka vuajtur dhe po i vuan edhe sot populli dhe rinia jonë, e cila është e detyruar të lërë vendin e saj të dashur, për të mbijetuar. Në një sistem demokratik, të projektuar nga ‘Balli Kombëtar’ e ideatorët intelektualë të tij, si Mit’hat Frashëri, Abaz Ermenji etj., gjithçka do të ishte ndryshe. Me pasuritë e shumta dhe resurset e mëdha të vendit tonë, nuk justifikohet gjendja në të cilën ndodhemi. Kjo gjendje, nuk ka shpjegim tjetër, veçse në sistemin socialist që u praktikua për 45 vite në Shqipërinë e pasluftës.
Megjithatë duke folur për rastin konkret, mund të themi se gjermanët nuk mundën ta përdorin Azis Biçakun, për ta hedhur kundër forcave të Brigadës së Parë. Bashkëkohësit tregojnë, se është dëgjuar disa herë në atë kohë, të thotë Azisi për Brigadën e Parë, se; “ato janë bij nënash, janë ushtarë të thjeshtë e se fajtore është udhëheqja e tyre”. Në një tubim të organizuar në Rrapun, në kohën e luftës, ku mund të ishin afro 500 burra, mes tyre edhe bashkëfshatarë të mi, pjesëmarrës aty, kujtojnë fjalët e Azis Biçakut.
Ai u drejtohet të pranishmëve, se; “pushtuesin nuk e duam, edhe do ta luftojmë, por udhëheqësit e partizanëve janë të lidhur me Serbinë e Moskovin (Rusinë). Ata janë të pafe, e do të na marrin tokë e bagëti. Ne, nuk mund të bashkohemi me ta”. Dhe fakti është se edhe ata krerë nacionalistë që u bashkuan me të, u eliminuan një e nga një, nëpërmjet vrasjeve pa gjyq, burgosjeve e internimeve të gjata.
Kapet rob gjenerali anglez Deivis!
Në lidhje me figurën e Azis Biçakut, është përmendur dhe përmendet kapja rob e gjeneralit anglez. Kjo është e vërtetë. Në kulmin e përplasjeve mes forcave të Frontit dhe atyre të ‘Ballit’ ka ndodhur edhe kjo ngjarje. Forcat nacionaliste kishin informacion se në fshatin Kostenjë ndodhej Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë partizane. Atje shkuan jo vetëm Azis Biçaku e Isak Alla me çetat e tyre, por edhe krerë të tjerë nacionalistë të zonës.
Në përpjekje me forcat e batalionit të Baba Fajës, me të cilat ishte edhe gjenerali anglez, Deivis, ky i fundit plagoset dhe dorëzohet. Azis Biçaku e merr dhe i shërben, duke marrë një mjek nga Elbasani. Është thënë se forcat balliste mbështeteshin nga një togë gjermane, por kjo nuk ka gjasa të jetë e vërtetë, mbasi, në qoftë se aty do të ishin forcat gjermane, ata do ta merrnin në moment gjeneralin anglez.
Fakti është se gjenerali është dorëzuar nga Azis Biçaku, mbas disa ditësh te gjermanët, mbasi këtë e ka kërkuar vetë gjenerali. Ne jemi të njohur me divergjencat që ka patur misioni anglez dhe pikërisht vetë Deivisi, me Enver Hoxhën, për të cilat ka shkruar ky i fundit, në librin “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”. Në këto shënime, Enver Hoxha ka folur gjatë për kontradiktat e tij me gjeneralin në lidhje me qëndrimet e ndryshme që ata ndanin.
Ndërkohë, ai aty thotë, se i është kërkuar komandës gjermane të shkëmbehej gjeneral Deivisi, me dy gra spiune gjermane të kapura nga forcat partizane në Kukës. Dhe përgjigja e tyre ishte se gjenerali e ka refuzuar këtë. Pra, gjeneral Deivisi, siç duket pranoi më mirë robërinë gjermane, se sa bashkëpunimin e mëtejshëm me komunistët shqiptare. Ai jetoi edhe mbas Luftës së Dytë Botërore. Nuk më ka rënë në dorë libri i tij “Aventura ilire”, por, atij, natyrshëm, nuk i intereson të pranojë faktin se ka kërkuar vetë të dorëzohet te gjermanët.
Duke dalë te çështja që po trajtojmë, mund të them se, forcat e Ballit nuk vajtën në Kostenjë për të zënë rob gjeneralin. Ky i fundit u ndodh atje. Nuk mund të paragjykojmë, për rrethanat në të cilat Enver Hoxha me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm largohen, ndërsa gjenerali mbeti aty, apo u la aty, i braktisur nga Enver Hoxha.
Në lidhje me qëndrimin e Azis Biçakut gjatë luftës, kemi dy panorama, që të dyja reale. Në këtë rast Azis Biçaku shkon në ndjekje të Shtabit të Përgjithshëm, ndërsa në rastin tjetër ai, lejon dhe mundëson kalimin e partizanëve të Brigadës së Parë, nëpër territoret e fshatit Letëm. Në rastin e fundit, kishte shumë mundësi që partizanët të asgjësoheshin nga forcat e ‘Ballit’. Territori ku ato kaluan, qe tepër i vështirë. Rrugëkalimi ishte i ngushtë, e vendi qe i mbuluar nga bora. Nga vendasit njiheshin mjaft mirë shtigjet, ku kishte avantazh për prita.
Pra, është fakt i padiskutueshëm se Azis Biçaku, siç e përshkruajnë vendasit, ishte burrë fisnik, e i matur. Ai nuk ka ndërmarrë veprime ndaj ushtarëve të thjeshtë dhe nuk përfitoi nga rasti që t’i godiste ata në rrethana tepër të favorshme për të. Kalimi i Brigadës së Parë, ka ndodhur pas ngjarjes së Kostenjës. Pra ai nuk mundi të kapë kokën e udhëheqjes atje, mbasi ato duke e ndjerë rrezikun u larguan, ndërkohë që nuk veproi ndaj ushtrisë partizane.
Është shumë e thjeshtë të kuptohet, se po të ish kapur Enver Hoxha, kreu i PKSh-së, ngjarjet mund të kishin rrjedhur ndryshe. Azis Biçaku do të njihej si simbol i shpëtimit të kombit nga murtaja komuniste. Kjo, sepse, në radhët e PKSh-së, kishte personalitete me prirje të moderuara, që mund të kishin ndalur luftën vëllavrasëse, duke bashkëpunuar me krerët nacionalistë.
Këta persona, Enver Hoxha i likuidoi një e nga një, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj. Shqipëria nuk do të kish qenë, kjo që është sot. Ajo besoj se do të kishte një ekonomi të stabilizuar dhe e barabartë me vendet e tjera europiane. Por, fatkeqësisht nuk e patëm këtë fat, sepse mbijetoi diktatori, që instaloi me dhunë regjimin komunist në Shqipëri.
Për të mbyllur kapitullin në lidhje me atë, që thuhet se; “Azis Biçaku ka bashkëpunuar me gjermanët”, mund të them me plot bindje, se ndonëse është takuar me ta, ai nuk ka qenë bashkëpunëtor i tyre. Ai asnjëherë nuk ka kërkuar mbështetje prej tyre, sepse nuk i duhej. Ai me përjashtim të rastit të Kostenjës, nuk ka ndërmarrë veprime të armatosura kundër forcave partizane.
Në kuadrin e vetëmbrojtjes dhe të bashkëpunimit me çetat e tjera të ‘Ballit’, forcat e tij dhe të Isak Allës, kanë lëvizur në zona të ndryshme të rrethit, duke biseduar për problemet që kishin lindur gjatë luftës. Mund të ketë ndonjë rast, që aty të kenë ardhur gjermanë, por nuk ka asnjë të dhënë, që Azis Biçaku të ketë hyrë në luftime përkrah gjermanëve, ndërkohë, që as nuk ka luftuar kundër tyre.
Në historinë e viteve të diktaturës është shkruar shpesh, dhe jo vetëm atëherë, por ka edhe sot, që flasin për plaçkitjet që bënin çetat e ‘Ballit’. Kjo nuk duhet marrë në formë shabllone. Jo vetëm forcat e ‘Ballit’, por edhe ato partizane, që kishin një organizim më të mirë, kur lëviznin, nuk është se kishin prapavijë ushqimore të rregullt. Ata strehoheshin dhe furnizoheshin atje ku shkonin. Lind pyetja: A ka ndodhur të merret mall me forcë në qendrat e banuara ku shkonin, me ose pa dijeninë e drejtuesve?
Kjo ka ndodhur nga të dy palët, por me një ndryshim. Nga ana e ballistëve mund të themi se ata kanë kryer veprime të tilla, edhe pa dijeninë e drejtuesve të tyre. Ndërsa partizanët kishin një disiplinë të fortë. Veprime të tilla janë kryer edhe nga këta, por me urdhër të drejtuesve të tyre. Shembull konkret është Polis Vilani, ku partizanët, jo vetëm dëmtuan të mbjellat e fshatarëve me mushkat e kuajt që kishin me vete, por kanë marrë me forcë bagëti e kanë plaçkitur shtëpitë.
Këto dëshmi i kam marrë nga dëshmitarë të gjallë që i kanë përjetuar në fëmijëri ndodhi të tilla. Megjithatë, nga cilido krah i luftës të kenë ndodhur veprime të tilla ndaj popullsisë civile, janë të gabuara e të dënueshme.
Azis Biçaku nuk do të dorëzohet, por vazhdon luftën duke qëndruar tre vite në arrati
Në fund të vitit 1944, Azis Biçaku, ndahet me anëtarët e çetës së tij, të cilët ishin të gjithë nga fshati Letëm, duke u thënë: “Ju shkoni nëpër shtëpitë tuaja. Luftën e fituan komunistët. Unë nuk dorëzohem i gjallë në duart e tyre. Ma boni hallall”. Mbasi u nda me duar në qafë me çdonjërin prej tyre, filloi jetën kaçake të malit, bashkë me djalin e tij të madh, Isufin. Tashmë ai ishte 64 vjeç.
Në fund të vitit 1944, mundet në fillim të muajit dhjetor, forcat partizane hynë në fshatin Letëm dhe djegin shtëpitë e tij, si dhe të Tahirit që ishin të ngjitura me të, duke i nxjerrë gra e fëmijë në qiell të hapur, në mes të dimrit. Shtëpitë e tyre ishin dykatëshe, me dy hyrje e me 18 dhoma. Familjarët shumë pak mall mundën të nxjerrin nga shtëpitë, mbasi veprohej me egërsi e dhunë të paparë. Ndërkohë i konfiskuan bagëtitë e mall me vlerë.
Familjarët e tij strehohen fillimisht në shtëpinë e Ahmet Hoxhës. Ky i fundit, më vonë u pushkatua pa gjyq. Familja e Tahirit u strehua duke ndenjur për dy vjet në shtëpinë e Azis Lalës dhe dy vjet të tjera në shtëpinë e Ramazan Dobrës. Tahiri së bashku me vëllanë e tij Shebritin, mbas katër vitesh rindërtuan shtëpinë e tyre, duke u spostuar pak nga gërmadhat e shtëpisë së djegur. Azisi, në arrati u bashkua me tre vëllezërit Alla, Isakun, Halilin e Kamberin. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm