Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Shemsi Totozanit me origjinë nga Delvina, i shkolluar fillimisht në Liceun Francez të Korçës dhe më pas në Universitetin e Strasburgut në Francë, ku ai studioi për disa vite për Letërsi, por pa mundur që t’i përfundonte dot ato, pasi u detyrua që të kthehej në Shqipëri, për arsye shëndetësore, dhe të fillonte punë si mësues në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Tregtaren e Vlorës, ku ai pati nxënës Hysni Kapon dhe ra në kontakt për herë të parë me idetë komuniste, duke u aktivizuar me “Grupin e të Rinjve” që kryesohej nga Sadik Premtja. Historia e Totozanit sipas autobiografisë që ai ka lënë të shkruar, si dhe dëshmive të djalit të tij, që nga: angazhimi në Lëvizjen Antifashiste si një nga kuadrot kryesorë të Luftës në Jugun e Shqipërisë, konfliktet me Miladin Popoviçin, arrestimi nga italianët dhe mbajtja në burgun e Tiranës, misioni në Greqi i dërguar nga Partia Komuniste, caktimi pranë Shtabit të Përgjithshëm të Enver Hoxhës, emërimi pas mbarimit të Luftës, si Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, konfliktet dhe goditja nga Koci Xoxe, si “armik”, rehabilitimi dhe dërgimi në vitin 1953 si ambasador i Shqipërisë në Paris, transferimi në Sofje dhe kthimi në Shqipëri, për shkak të goditjes dhe dënimit të baxhanakut të tij, Bedri Spahiut, emërimi dhe puna si Drejtor në Bibliotekën Kombëtare, ku përgjohej nga Sigurimi me aparate përkatëse, bisedat me miqtë e tij të ngushtë kundër Enver Hoxhës, e deri tek arrestimi i tij dhe dënimi si “armik i popullit”, me dhjetë vite burg, e internimi më pas në Belsh të Elbasanit, nga ku ai u lirua vetëm në vitin 1990, kur dhe ndërroi jetë pa e parë shëmbjen e regjimit komunist.
Kush ishte Shemsi Totozani?
Shemsi Totozani u lind në 30 dhjetor të vitit 1911 në qytezën e vogël të Delvinës, ku asokohe babai i tij Xhemali, shërbente si nëpunës në organet gjyqësore të administratës lokale. Origjina e familjes Totozani, është nga qyteti i Gjirokastrës dhe të parët e saj, kanë banuar në lagjen Dunavat, që përpara se babai i Shemsiut, Xhemali, të shkonte për studime në Turqi, ku dhe u diplomua në Jurisprudencë. Pas kthimit nga studimet e deri sa vdiq në maj të vitit 1924, Xhemal Totozani shërbeu për disa vjet si hetues, komisar policie dhe nënprefekt në disa rrethe të vendit. Djali i tij, Shemsiu, pasi mbaroi arsimin fillor në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, shkoi në qytetin e Korçës ku ndoqi Liceun Francez, të cilin e përfundoi në vitin 1931. Lidhur me periudhën që Shemsiu ishte në qytetin e Gjirokastrës dhe më pas në Liceun e Korçës, në kujtimet e tija midis të tjerash ai ka shkruar: “Më 1928-ën bashkë me disa shokë kundërshtuam, që të merrnim pjesë në Entin Kombëtar në Gjirokastër dhe u mundova që ta sabotoj. Për këtë u rrezikova që të dilja përpara gjyqit. Në vitin 1931 u arrestova për tre javë, për disa shkrime të Fan Nolit dhe Halim Xhelos. Po kështu në vitin 1932, u arrestova për pak ditë i akuzuar si antizogist dhe ajo kishte lidhje me organizatën e Vlorës”. Pas mbarimit të liceut francez të Korçës, nisur dhe nga rezultatet që arriti në mësime, Shemsiu përfitoi një bursë shtetërore për të ndjekur studimet e larta në Francë.
Student i Letërsisë në Strasburg
Pas marrjes së bursës nga qeveria e Mbretit Zog, Shemsi Totozani së bashku me shokun e tij të ngushtë, Sulo Klosin (i pushkatuar nga komunistët në vitin 1946) shkoi në Francë dhe filloi studimet pranë Fakultetit të Letërsisë në Universitetin e Strasburgut, të cilin nuk arriti ta përfundonte, e ndërpreu dy herë në vitin 1935 dhe në vitin 1937. Arsyeja e ndërprerjes së studimeve në Fakultetin e Strasburgut, ishte për shkak të një operacioni tepër të vështirë, që ai kreu në syrin e djathtë. Gjatë asaj kohe që Shemsiu i ndërpreu studimet dhe u kthye në Shqipëri, ai punoi si mësues në qytetin e Gjirokastrës, ku banonte familja e tij. Lidhur me periudhën e studimeve në Francë, kontaktet me grupet komuniste franceze dhe kthimet në Shqipëri për shkak të gjendjes shëndetësore, në kujtimet e tij midis të tjerash Shemsi Totozani ka shkruar: “Gjatë periudhës që isha në Francë, kam qenë shumë i entuziazmuar për krijimin e Frontit Popullor dhe kam qenë vazhdimisht një simpatizonjës i mirë i komunistëve. Po vetëm kaq. Ditët që m’u dha mundësia, që të njihesha me një grup komunistësh t’organizuar, m’u desht të kthehesha në Shqipëri. Në vitin 1935, kam marrë pjesë aktive në “Lëvizjen e Fierit” dhe kam qenë një nga organizatorët kryesor, për përgatitjen e kryengritjes në qytetin e Gjirokastrës”.
Njohja me Qemal Stafën e idetë komuniste
Pas ndërprerjes së parë të studimeve në Francë në vitin 1935, Shemsiu u kthye në Gjirokastër dhe menjëherë filloi të krijonte lidhjet me komunistët e pakët që ishin asokohe në Shqipëri. Këto lidhje ai i krijoi kryesisht në Institutin Tregtar të Vlorës, ku u caktua si pedagog që në vitin 1937. Lidhur me këtë, në kujtimet e tij midis të tjerash Shemsiu ka shkruar: “Kur u ktheva në Shqipëri, fillova t’interesohesha për çështjet komuniste dhe kontaktin e parë e kam pasur me Aristidh Qëndron, në vitin 1938, nëpërmjet shokut tim Shemso Çelo, i cili më premtoi se do të më lidhte me shokët e tjerë në Vlorë. Nga dëshira për punë m’u duk sikur një botë e tërë hapej para meje, aq sa nuk ua vura veshin fjalëve të Qemal Stafës, i cili u përpoq të më tërhiqte në grupin e tij. Kjo kuptohet për shkak të konspiracionit të kalbët që ekzistonte atëherë. Meqenëse nuk më erdhi asnjë lidhje nga Aristidhi, i’a nisa punës vetë, me dy nxënësit e mi të Institutit Tregtar, Hysni Kapo dhe Sinan Gjonin, gjersa më në fund u lidha në Vlorë me “Grupin e të Rinjve” që drejtohesh nga Sadik Premtja. Në atë grup ku gjeta një punë të shëndoshë, bashkëpunova ngushtë me Sadik Premten e Sinan Gjoni dhe gjatë gjithë asaj kohe, unë diskutoja dhe isha për bashkimin e grupeve komuniste, por s’ma vuri veshin njeri nga shokët e Vlorës. Në pragun e formimit të Partisë Komuniste, përveç punës politike që bëja në shkollë, bashkë me nxënësit e mi, mora pjesë dhe në demonstratë e madhe të 28 nëntorit të vitit 1941. Me formimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, unë u shkëputa nga Grupi i Vlorës dhe ditën e organizimit të Partisë në Vlorë, konstatova se po i hynim një punë me të vërtetë serioze. Nuk e di sepse atëherë Dushani (Mugosha) dhe një shok tjetër, që ishte në krye të Partisë, nuk i shihnin me sy të mirë intelektualët në Parti. Një gjë të tillë ata ma kanë shprehur gojarisht kur ishim në Gjirokastër”. Lidhur me periudhën që Shemsiu ishte në Vlorë, një nga njerëzit e afërm të tij, shkrimtari e kritiku i njohur Dalan Shapllo, dëshmonte: “Në vitin 1941, pasi Shemsiu u martua me Sido Puton, e mori atë nga Gjirokastra në Vlorë dhe të dy banonin në një shtëpi me qera, ku unë veja shpesh për t’i takuar. Në atë kohë Shemsiu njihesh me pseudonimin “Profesori” dhe atë shtëpi ai e ktheu në një bazë kryesore të Lëvizjes Antifashiste, ku mblidheshin të gjithë krerët komunistë të Qarkorit të Vlorës si: Hysni Kapo, Sadik Premtja, Fejzo Gjomema, Sinan Gjoni, Mynir Xhindi etj., të cilëve Sido i’u bënte për të ngrënë dhe i’u lante rrobat. Kur ata kishin ndonjë mbledhje, unë së bashku me Vlash Arapin, dilnim nga shtëpia dhe bënim xhiro në bregun e detit”, kujtonte shkrimtari dhe kritiku i njohur letrar, Dalan Shapllo, atë kohë, kur ai shkonte në Vlorë tek kushëriri i tij Totozani.
Drejtues i Qarkorit të Gjirokastrës
Aty nga fillimi i vitit 1942, sipas udhëzimeve të krerëve të Partisë Komuniste të Shqipërisë, Shemsi Totozani iku nga Vlora dhe u vendos në qytetin e tij Gjirokastrës. Lidhur me aktivitetin e tij gjatë asaj periudhe, në kujtimet e tija midis të tjerash ai ka shkruar: “Si rrjedhim i demonstratës së 28-nëntorit, më 26 shkurt të vitit 1942, më arrestuan dhe më mbajtën një javë në burgun e Tiranës, ku me shokët Fejzo Gjomema, Gaqo Nasto etj., formuam kolektivin e parë dhe organizuam konferenca. Me iniciativën e tij, drejtori italian i Institutit Tregtar të Vlorës, Gennaro Lionetti (që mua dhe shokëve na ishte dukur si element antifashist) u interesua dhe më nxori nga burgu. Më 9 mars, kur u ktheva në Vlorë, po përgatitesh greva e “Bukës” dhe Mynyr Xhindi (anëtar i Komitetit Qarkor), më porositi që të mos merrja pjesë në atë grevë, pasi sapo kisha dalë nga burgu. Të nesërmen, së bashku me shokët e tjerë: Hysni Kapo, Naum Hondro, Mynyr Xhindi, etj., u hodha në ilegalitet në zonën e Mesaplikut. Nuk më pëlqeu shumë ai ilegalitet i shokëve më të mirë, pasi atëherë ne ishim në fillimin e punës sonë. Dy javë më pas me interesimin e disa shokëve të mi nacionalistë dhe me pëlqimin e Hysni Kapos e Mynyr Xhindit, zbrita përsëri në Vlorë, për të punuar si ilegal me nacionalistët. Në atë kohë Ministri i Arsimit, Xhevat Korça më thirri në Tiranë dhe unë kërkova tre herë rresht, mbledhjen e Komitetit Qarkor, për të vendosur në duhej të shkoja apo jo. Më në fund sekretari organizativ, Sinan Gjoni më njoftoi me një biletë se mund të nisesha për në Tiranë. Kur erdha në Tiranë, kërkova që të transferohesha për në Gjirokastër, ose të jepja dorëheqjen, sepse po të rrija lirisht në Vlorë, do të bija në duart e fashistëve. Atë çështje i’a referova shokut Shule (Kristo Themelkos) i cili m’u përgjigj se: atë çështje duhej ta zgjidhte Vlora. Në Vlorë gjeta vetëm shokun Manush Myftiu, sepse anëtarët e tjerë të Qarkorit, ndodheshin jashtë qytetit. Të dy ramë dakord, që unë të shkoja në Gjirokastër. Në prillin e vitit 1942, hyra në organizatën e Gjirokastrës, në fillim si anëtar i thjeshtë dhe më pas u zgjodha anëtar i Komitetit Qarkor, i ngarkuar për punën me nacionalistët. Aty në Gjirokastër kam bërë punë politike sidomos në shkollë, deri në mbylljen e saj në majin e vitit 1942. Jashtë shkollës, sipas udhëzimeve të Partisë, kam mbajtur lidhje me nacionalistët si: Faik Quku, Koço Muka etj. Po kështu në atë kohë kam punuar me shtresa të ndryshme dhe kam sabotuar rekrutimin e ushtarëve milicë. Në atë kohë kam kundërshtuar në organizatën bazë vendimin e Partisë për një demonstratë, që më dukej e parakohshme, gjë të cilën më vonë e anuloi vetë Komiteti Qarkor. Më 16 korrik të vitit 1942, për shkak të një dokumenti të organizatës së Vlorës, që kishte rënë në duart e armikut, u hodha në ilegalitet, ku qëndrova edhe në ditët më të vështira të reaksionit, duke u strehuar si në familjet e varfra, ashtu dhe tek ato të agallarëve të pasur. Gjatë asaj kohe unë kam mbajtur një qëndrim të drejtë karshi elementëve nacionalistë dhe më vonë edhe karshi Ballit Kombëtar. Më 6 prill të vitit 1943, Komiteti Qarkor vendosi që shokët ilegalë të linin qytetin dhe pas një kohe të shkurtër, që qëndrova në Libohovë dhe Labovë, shkova në Poliçan që u bë për një kohë të gjatë, qendra e gjithë veprimtarisë sonë”.
Konflikti me Miladin Popoviçin
Aty nga viti 1943 kur Shemsi Totozani ndodhej ende në Qarkorin e Gjirokastrës, ku së bashku me Bedri Spahiun ishin dy nga drejtuesit kryesorë të tij, ai pati disa konflikte me emisarin jugosllav Miladin Popoviç, i cili shfrytëzoi autoritetin e tij dhe i anulloi Shemsiut detyrën e anëtarit të Seksionit Politik në Brigadën e VI-të partizane që sapo i’a kishte ngarkuar. Lidhur me këtë dhe veprimtarinë e tij të më vonshme, midis të tjerash në kujtimet e tij Shemsiu ka shkruar: “Pas kapitullimit të Italisë, forcat tona hynë në Gjirokastër dhe në atë kohë që hynë gjermanët, unë ndodhesha në Greqi për t’i lidhur me Partinë Komuniste Greke dhe me E.A.M.-in pranë Regjimentit të 15-të. Kur po formohesh Brigada e VI-të, Dushani më caktoi si anëtar të Seksionit Politik, por pas operacionit të parë, ky vendim u anullua dhe unë u caktova si përgjegjës i Agjit-propit, (agjitacionit e propagandës) pranë kësaj Brigade. Arsyet që m’u dhanë për këtë ulje, nuk ishin aspak me vend. Kuptohet se nuk isha i kënaqur dhe rendimenti im për ato dy-tre muaj që qëndrova në Brigadë, s’ka qenë i mirë. Më 2 maj 1944, me urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë, shkova pranë Shtabit të Përgjithshëm në Helmës, si përgjegjës i Agjit-Propit. Vetëm pas Kongresit të Partisë të Përmetit, kur më sqaroi për çdo gjë shoku Enver, unë i ndryshova kryekëput mendimet që kisha lidhur me arsyet e uljes në atë detyrë që m’u ngarkua në fillim. Më pas në funksionin e përgjegjësit të organizatës së Partisë, mora pjesë në konferencat e kuadrove që u zhvilluan në Helmës, Odriçan, Berat, etj.,”, kujton në shënimet e tij Shemsi Totozani, lidhur me konfliktin që pati me emisarin jugosllav Miladin Popoviç dhe takimin me Enver Hoxhën, por pa i shpjeguar arsyet e vërteta që ata nuk e lanë në detyrën e anëtarit të Seksionit Politik të Brigadës së VI-të ku e caktuan në fillim. Pas mbarimit të Luftës, Shemsi Totozanin e caktuan me detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë Arsimit në Tiranë, ku njëkohësisht ai ishte dhe me detyrën e Sekretarit të Partisë të celulës së atij dikasteri. Që me fillimin e punës në atë Ministri, Shemsiu u ndesh me probleme të shumta dhe padrejtësi që u bëheshin anëtarëve të thjeshtë të Partisë të cilët nuk e ngrinin dot zërin nga frika se do të kishin konsekuenca.
Duke qenë një komunist idealist, i formuar me idealet e social-demokracisë perëndimore që nga koha që kishte studiuar në Francë, Shemsiu nuk i duronte dot ato metoda brutale në të cilët u ndeshën anëtarët e Partisë asokohe. Nisur nga ajo gjë, Shemsiu ngriti problemin e qëndrimit që u mbajt ndaj deputetëve Riza Dani e Selaudin Toto, gjë e cila në atë kohë përbënte një problem shumë delikat dhe për të cilat ai pati konsekuenca duke u shkarkuar nga detyra e duke shpallur element anti-parti./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016