Dr. Pullumb Bulku
Pjesa e dytë
Memorie.al/ Të dashur lexues, shok, miq, pacientë të mi, që më uroni dhe më falënderoni në çdo orë të ditës dhe të natës, për punën e bërë dhe që vazhdoj ta bëj. Meqenëse disa kolegë të mi mjekë, e dashamirës të shumtë, kërkojnë me urtësi dhe dashamirësi të dinë diçka më shumë mbi veprimtarinë e karrierës time 60 vjeçare, po mundohem që të përshkruaj sadopak punën time si mjek, që është një rrugëtim i gjatë, i vështirë, me shumë pengesa, që duhej vullnet, forcë, përkushtim, me përballu e kapërcy këtë ngarkesë.
Në këtë shkrim modest, unë po j’u tregoj disa copëza historie nga jeta e puna ime, në fillim si mjek popullor, të cilin e nisa në muajin shtator të vitit 1961, kur isha vetëm 14 vjeç, fillova të bëjë vizita mjekësore, ku e mbaj mënd dhe vizitën e parë të një pacienti që vinte nga qyteti i Fierit që quhej Mina Pano dhe të një fëmije të vogël nga N.I.Sh. Tulla Shkozet, që quhej Ajet Cakranji, i cili sot punon e jeton në Francë. Këto janë dy vizitat e para të miat, të bëra ditën e tretë të fillimit të shkollës, në Teknikumin Mekanik në Shkozet të Durrësit, vizita të bërë këto, pa ndihmën e babait tim, Cen Bulku.
Në shkollën e mesme të Fizkulturës në Durrës, pas kërkesës së drejtorit, Vehbi Oketa
Mbas këtyre tre vjetëve, në vitin 1981, mua më transferuan në Shkollën e Mesme të Fizkulturës në Durrës, duke u motivuar, që në atë shkollë, ishte e nevojshme ndihma ime, si mjek i sportit, kërkesë që u bë nga drejtori i asaj shkolle, Vehbi Oketa. Në këtë shkollë, krahas punës sime si mjek Ortoped, m’u dha mundësia të merrem e të kontribuoj në rritjen time profesionale, në drejtim të Mjekësisë Sportive. Duke parë se në atë shkollë kishin ardhur dhe shumë mësues të Edukimit Fizik, të zgjedhur nga të gjitha shkollat e rrethit dhe nga Tirana, u krijua një lidhje e trefishtë: ‘Mjek – Mësues – Sportist’, ku nga kjo shkollë, që më pas u bë kombëtare, dolën nxënës dhe sportist kampion për moshat e reja, si dhe në drejtim të ngritjes profesionale u realizuan shumë tema shkencore nga ana ime, siç mund të përmend:
- Traumat e fshehta që ndodhin në të gjitha llojet e sportit, por në veçanti në sportin e gjimnastikës.
- Seriozitet post-ngarkesave të mëdha fizike.
- Kontuzionet (shembjet) luxacionet (daljet), dhe frakturat (thyerjet).
- Njohuri mbi drogën.
- Higjiena shëndetësore, rëndësia.
- Vitamina – terapia, para dhe pas ngarkesave sportive.
- Emocionet në sport, rëndësia.
- Djeta ushqimore për secilin sport, rëndësia.
Krahas këtyre, unë jepja dhe mësim në lëndët ‘Anatomi Sportive’, ‘Fiziologji Sportive’, ‘Higjiena Sportive’, ku dhe kontribuova në recensën e këtyre librave, të botuara nga Prof. Dr. Lluka Heqimi.
Gjithashtu në atë shkollë, në mbrëmje (shkolla e natës pa shkëputje nga puna), unë jepja mësim për kualifikimin e infermierëve në lëndët: ‘Sëmundje të brendshme’, ‘Fiziologjia normale’ dhe ‘Anatomia normale’. Punë të cilën e bëja me orar të zgjatur dhe ju përgjigjesha gjithashtu edhe vizitave e urgjencave ortopedike që vinin nga i gjithë vendi jonë. Nuk e ndjeja lodhjen, kënaqesha me punën që bëja, por ajo që më gëzonte më shumë, ishte sadisfaksioni që më krijonin pacientët me fjalët e tyre të ngrohta, të cilat më dukeshin hyjnore, pasi ajo punë mua më ishte kthyer në edukatë, që e kishte marrë më parë ai njeri që ishte idhulli im, babai im, Bab Cen Bulku.
Nderimi për Bab Cenin si: “Doktori i vegjëlisë”, dhe “Simbol të Qytetarisë së Durrësit”
Dhe në këto ditë pune në qytetin tim, ku nga shumë biseda nga shumë shok e miq, të cilët më japin kënaqësi duke më vlerësuar për punën që vazhdoj të bëj edhe tani në këtë moshë, ku duhet forca, vullneti, qëndrueshmëria, përgjegjësia dhe humanizmi, për të treguar atë tek pacientët.
Lidhur me ata që e kanë kujtuar punën e kontributin e madh të Bab Cenit në shërbim të pacientëve, është rasti këtu të përmend gazetarin e njohur, z. Bujar Qesja, që me penën e tij të artë, ka shkruar dhe ka skalitur emrin e Cen Bulkut, duke e quajtur atë: “Doktorin e vegjëlisë”, “Simbol të Qytetarisë së Durrësit”, e me shumë tituj të tjerë, të botuara këto në gazetën “Teuta Sport”, me rastin e dhënies së titullit nga Bashkia e Shoqata “Durrësi”, ku z. Qesja ai ishte vetë prezent.
Gjithashtu sot që po shkruaj këto radhë, duke treguar sadopak rrugëtimin tim të gjatë të punës sime si mjek, nuk mund të rri pa përmendur edhe studiuesin e historianin e njohur, Mësuesin e ndritur, të pasionuarin pas punës së babait tim, Cen Bulku dhe timen si mjek human, Mjeshtrin e Madh, z. Nikolla Sudar, i cili e ka konsideruar babain tim, “Nënë Tereza e Shijakut”.
Vlerësimi i kolegëve të mi mjekë, për Bab Cenin
“Po ti Pullumb’, – më thoshte Dr. Petrit Kokalari, – ke Babë Cenin profesor, ai tek ty zbuloi një ‘minierë’ që mbante brenda ‘metalin më të çmuar’, atë ‘floririn’ që do ta dëshironte çdo mjek. Ai për ty, – i dashuri miku im – ishte Hipokrati, që ti po e zbaton me rigorozitet dhe këtu në Spaç ku po punon, duke vënë në krye të punës e jetës tënde, vullnetin, durimin, sakrificën e humanizmin të dhënë prej Babë Cenit, qysh kur ishte 14 vjeç,kur pranove nga pacienti yt i parë, fjalën e artë, ‘Faleminderit’, fjalë të cilën edhe Babë Ceni e kishte marrë gjithashtu që në moshën 14 vjeçare, duke e pasur si yll ndriçues gjatë gjithë jetës së tij, deri sa mbylli sytë përgjithmonë, më 27 dhjetor të vitit 1988, kur ai iku qetë qetë, nga kjo botë”.
Disa ditë më parë, (tetor-nëntor 1988), teksa Bab Ceni rrinte i ulur dhe i heshtur në karrigen e tij të punës, ndoshta duke parë ndonjë ëndërr të bukur, pasi pasionin e tij, ma kishte trashëguar mua, si mjek kuptova diçka……më shumë nga frymëmarrja e vështirë dhe e zhurmshme, e zgjova duke e prekur dhe e putha në ballë…!
“Ah Pullumb, pse më zgjove, s’më le me vdek. Sa bukur ishte. Aman Pullumb, herë tjetër, mos më zgjo, se dua ta përjetoj atë bukuri…”! Ua thoshte ai me humor miqve dhe shokëve të tij që vinin për ta parë. “Jo, jo, Babë Ceni, tashti ti duhet të rrosh, t’i shijosh përqafimet e nipave e mbesave, nipërve: Cena, Nori, Beti e Ina, që u mbytën në lot sipër teje atë ditë duke të hapur sytë dhe me forcë thonin vetëm këto fjalë: Mos vdis gjyshi jonë, se ne të duam shumë”, i thoshim ne! Gëzim i paparë, Babë Ceni u ngjall.
“Atë kujtohet Babë Ceni”, i thoshin ata shpesh. “Më kujtohet shumë mirë dhe këto s’më lënë më vdek, i dua shumë…”, përgjigjej ai. Mbas tre muajve, Babë Ceni më tha: “Pullumb, më duket se po bie dera, dil e shiko kush është, shko e shërbeju njerëzve, se ata kanë halle e dhimbje…”! Këto ishin fjalët e fundit të tij…! Megjithëse atë ditë ishim katër mjekë në shtëpi (unë, bashkëshortja ime, Bajamja, pediatre, Dr. Dafina Bici, dhe Dr. Sotiraq Petro nga Vlora, i cili kishte ardhur se atë dite kishte ndeshje futbolli, (luante Vlora me Durrësin) dhe ne po gëzonim e dreka po shkonte mirë, erdhi momenti, që askush nuk do e dëshironte…!
“Hajde Pullumb e shikoje Babë Cenin”, – më thërriti bashkëshortja, Bajamja, – ‘s’më duket mirë, se si e ka frymëmarrjen…”?! Unë u ngrita shpejt dhe pas meje edhe dy mjekët, kolegë e miq të mi. Pikërisht në këtë moment, troket dera fort, ne, të katër mjekët po qëndronim përpara Babë Cenit, të heshtur, nuk po kuptonim gjë, a po flinte, apo ndoshta shikonte ëndërr, shpresonim të ishte ashtu, të ishte ëndërr, ndërsa dera po trokiste më fort, ne në mëdyshje, ta zgjonim apo jo…?! Heshtja jonë nuk zgjati më shumë se një minut dhe s’mbaj mënd se kush e hapi derën.
Hyri brenda Prof. Dr. Petrit Kokalari, çfarë dhimbje mes nesh, vetëm lot, vetëm lot…! “Ah Babë Ceni, erdha sot të jap lajmin, por që ti nuk e doje, që ne kemi vendosur, që Institutit tonë, t’i vëmë emrin tënd. Ti je një engjëll, s’ka vdekje për ty, ti po shkon në parajsë, në atë kopsht të bukur plot me trëndafila e karafila, që ti i doje aq shumë, që Zoti i Madh t’i ka afruar. Në duart e mija dhe të djalit tënd, sa të kam dashur, e do të dua, sa të kem jetë, o shoku dhe miku ynë i shtrenjtë…! Të takon ty Pullumb, të vazhdosh punën që la Babë Ceni…”!
Ata fjalë të arta që po i uronin në ato momente Babë Cenit, jo vetëm që atë e kënaqnin, por edhe zëmrën time e gëzonin. Ai urim dhe ato fjalë, më motivonin, më forconin, më shtonin vullnetin e besimin, për t’i ngjarë babait, me punën që bëja me aq dashuri, ta merrja dhe unë nga pacientët e mi, sa herë që ata mund të ishin në gjendje të rëndë, pikërisht në ato momente, më dilte përpara syve të mij Babë Ceni hyjnor dhe unë filloja punën me fjalët lutëse të tij: O Zot i madh, më ndihmo ta shëroj, lutje që edhe sot që po shkruaj këto radhë, në këtë mëngjes të ftohtë, me pacientin e parë, Xha Likun nga Golemi (rreth 80-vjeçar, që kishte nxjerrë krahun dhe që s’kishte fjetur gjithë natën nga dhimbjet e që s’po mundej t’i duronte, shoqëruara ato dhe me tension të lartë), të cilit edhe pse i kishin thënë disa herë për ta dërguar në spital, nuk kishte pranuar…! “Shkoni e merrni Doktor Pullumbin, se ai është për këtë punë”, u kishte thënë familjarëve të tij.
Vlerësimi dhe mirënjohja e pacientëve për punën time
Po, Xha Liku kishte shumë besim te duart e mija. Ndërsa e kisha përballë, ju hapën sytë, ju çel fytyra, ju shtua besimi, ja ula tensionin që e kishte të lartë dhe ja ripunova kyçin (Luxacionin) me kujdes. “Faleminderit Doktor Pullumbi”, – dëgjova fjalët e Xha Likut – të lumshin duart, të rrojnë fëmijët”. Faleminderit, i thashë unë, se edhe unë sot kam festë, mbush plot 75 vjeç. “175 vjeç, të uroj të bëhesh doktor”, tha Xha Liku, me fjalët që i dolën nga zemra.
Kanë kaluar katër muaj që nga ajo ditë dhe këtë shkrim, apo më saktë këto shënime që unë e mbaja në sirtar të tavolinës sime të punës, t’i kisha thjesht për veten time, m’i pa një shoku im dhe më tha se përse nuk e dërgoja për botim, pasi sipas tij, ajo është një copëz e vogël e jetës sime…?! Ndërsa tani, të dashur e shokë e miq, pacientë e kolegë të mi, po ju tregoj pacientin tim të parë q ëmë ka mbetur në kujtesën time, si një thesar, sikur të më ketë ndodhur sot. Sapo kisha mbushur moshën 14 vjeç, moshë që koncidon edhe me fillimin e punës së Babë Cenit dhe akoma kjo koncidoi edhe me fillimin e punës si mjeke popullore të vajzës sime, Betiola, në vizitën e një fëmije që kishte thyer dorën te kyçi dhe ajo ja rregulloi kyçin e bërrylin, para se ta vizitoja unë. “Bravo të keqen babi, ja paske rregulluar shumë mirë”, u shpreha unë gjithë kënaqësi.
Kisha tre ditë që kisha filluar shkollën e mesme në Teknikumin Mekanik në Shkozet të Durrësit, pasi isha larguar nga Shijaku dhe gjithashtu edhe nga puna ku ndihmoja Babë Cenin, ku ai mjekonte dhe shëronte pacientë që i vinin nga e gjithë Shqipëria. Nga mesi i orës së mësimit, (me pedagogun, ing. Angjelin Marku), futet në klasën tonë drejtori i shkollës, ing. Odise Neço, i cili më njihte mirë që isha djali i Babë Cenit dhe që gjithashtu e dinte që unë isha aftësuar në mjekimin e pacientëve që u kishin ndodhur trauma me fraktura të ndryshme, e i thotë prof. Angjelinit: Lejoje Dr. Pullumbin të dale, se i ka ardhur një pacient që ka thyer këmbën.
Në atë moment, të gjithë shokët e klasës ja dhanë të qeshuri. Mua m’u duk sikur më ra tavani në kokë. “Mjaft’ – tha drejtori me ton të prerë, – ai po qan e ulurin nga dhimbjet, ju qeshni…! Hajde doktor se këta shokët e t’u, do të njohin më vonë”, tha drejtori, duke i’u drejtuar të gjithë nxënësve të klasës, të cilët vinin nga i gjithë vendi dhe ne kishim vetëm tre ditë që kishim filluar vitin e parë të shkollës, e nuk njiheshim me njëri tjetrin.
Shkova te salla e mësuesve ku ‘pacientin’ e kishin shtrirë mbi tavolinë dhe i përshëndeta të gjithë e në veçanti ‘pacientin’, të cilin duhet ta ndihmoja, pasi nuk e kisha Babë Cenin. Fillova menjëherë nga puna dhe fillimisht arrita ta qetësoja atë nga dhimbjet që kishte pasur. Ja rregullova këmbën që e kishte thyer, pasi i kishte rënë mbi të një tub i madh betoni. I vendosa një fashaturë bezeje rreth kërcirit të këmbës, mbi të vendosa një karton dy spresorësh cilindrik, që mori formën e kërcirit. Kartonin ma dha drejtori i shkollës që grisi një bllok regjistri të vjetër dhe që mua më bëri punë.
Kur unë ngrita kokën dhe po ndihmoja pacientin që të ngrihej, vura re se rreth meje ishin grumbulluar të gjithë shokët e klasës sime, të cilët vështronin në heshtje dhe ishin gati të më përqafonin, e të më kërkonin falje që, kishin qeshur kur drejtori më thirri “Doktor’. Vështrimi im dashamirës ndaj tyre, tregonte më së miri se “u’a kisha falur” atë mosbesim që kishin treguar ndaj meje duke qeshur dhe që nga ajo kohë, edhe shokët e klasës filluan të më thërrisnin ‘Doktor’.
Ky pacient quhej Mina Pano dhe ishte nga qyteti i Fierit. Ai më shtrëngoi fort dorën dhe më uroi duke më thënë: “Faleminderit doktor, qenke vërtet Pullumb paqeje, bravo. Bravo Babë Ceni, që ja paska lënë trashëgim zanatin e tij të birit, qenkësha vërtet doktor i shkëlqyer”. Sapo ai mbaroi ato fjalë që dukej që i dolën nga shpirti, të gjithë shokët e klasës sime e duartrokitën. Ato urime dhe përshëndetje të qindra e qindra pacientëve e familjarëve të tyre, më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës sime, ku për një muaj e pak ditë, unë mbush plot 60 vite pune dhe që koncidon me ditëlindjen time, 17 janar 1947.
Ajo që më gëzon dhe më shumë, është fakti se këtë vit ka përvjetorin e ditëlindjes, edhe idhulli im, Babë Ceni, i cili do ishte 110 vjeç. Ai që me duart e tij të arta shëroi rreth gjysëm milioni pacientë nga i gjithë vendi ynë. Dhe të dy ne, babë e bir, morëm prej këtyre pacientëve, fjalën e ëmbël dhe të artë: “Faleminderit Doktor”./Memorie.al
Me nderime dhe respekt
Pullumb Bulku
Durrës, më 10.XI.2022
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016