Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatëmbëdhjeti
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti ‘Tepër sekret’ me autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me fejesën e djalit të tij, Skënderit, me “një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”!
Tepër sekret
“Projekt-autokritikë” (“Autokritika e parë”) që Mehmet Shehu i ka dërguar shokut Enver Hoxha dhe “Autokritika” (Variant i dytë) drejtuar shokut Enver Hoxha dhe shokëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror si dhe proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, datë 17 – 18 dhjetor 1981: Për analizën e gabimit të rëndë të kryer nga ish-anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike. (Dt. 17-18. XII. 1981)
Së pari, është sentimentalizmi im i theksuar për djalin e dytë, Skënderin. Kushdo ka sentimentalizmin e vet për fëmijët e tij. Por këtu është fjala për një sentimentalizëm tej çdo norme, për një sentimentalizëm të veçantë, të jashtëzakonshëm. Përse ky sentimentalizëm i veçantë tek unë për Skënderin, sentimentalizëm që nuk është tek unë edhe për dy djemtë e tjerë, Për Vladimirin dhe Bashkimin?
Kjo ndodh sepse me këtë djalë unë kam pasur për një kohë të gjatë shqetësime shpirtërore të theksuara, ngaqë ai ka vuajtur nga faktorë psikologjikë. Ai ka qenë tepër i ndrydhur në veten e tij dhe i vrarë brendapërbrenda shpirtërisht për një kohë të gjatë. Dhe nga sa kam dëgjuar e studiuar, në raste të këtilla, personat me traumë të tillë psikologjike, arrijnë relativisht lehtë edhe në vetëvrasje. Kjo ka qenë çështja që më mbërtheu fort ne sentimentalizmin tim, më ka bërë që të vuaj shpirtërisht për çështjen e tij, saqë, më në fund edhe të gaboj, siç gabova.
Preokupimi im dhe shqetësimi për vonesën e martesës së djalit u kthye në padurim tek unë. Kjo tregon edhe temperamentin tim të rrëmbyer, rënien në subjektivizëm që, në moment të caktuara, të çon gjer në atë që të mos e vesh në balancë sa duhet parimin, siç më ndodhi mua në rastin e fejesës së Skënderit. Dhe kur djali më bëri propozimin që të fejohej me këtë vajzë edhe pse ai më informoi drejtë, për aq sa dinte, mbi rrethin familjar të saj, unë i nisur edhe nga dëshira për ta vënë atë sa më parë në rrugën bashkëshortore, por edhe nga frika se mos i shkaktoj ndonjë trauma, po të mos i jepja pëlqimin, vendosa t’ia aprovoja fejesën.
Këtu unë rashë në mbivlerësimin e anës subjektive, u nisa nga ajo që të ndihmoja djalin dhe s’u thellova e s’vura në balancë sa duhet anën tjetër, faktorin ideologjik, gjë që është e palejueshme dhe e dëmshme dhe që më çoi mua në gabimin që bëra, gabim që është edhe në dëm të Partisë edhe në dëm të familjes time dhe të vetë djalit tim.
Unë nuk duhej ta bëja këtë gabim, qoftë edhe sikur të bëhej realitet dyshimi dhe frika ime për jetën e djalit. Por unë këtë e realizova vetëm atëhere kur më kapi për dore shoku Enver, e më tha: “Ç’po bën kështu Mehmet”! Atëhere, po e mblodha veten menjëherë dhe i thashë shoku Enver, që gabimi do të ndreqej me çdo kusht dhe me këtë fjalë: “me çdo kusht”, kisha parasysh edhe mundësinë që djali të më thoshte:
“Unë ta parashtrova çështjen dhe aprovimin vetë ma dhe, unë të thashë që po të mos aprovohej propozimi im, mund edhe të mos i futesha kësaj pune, se akoma s’kisha marrë kontakt për bisedime për fejesën me vajzën dhe fundi i fundit, martesa për mua mund edhe të mos bëhet fare problem”, e pastaj djali të kalonte në gabim akoma më të rëndë, në dëshpërim ekstrem, ndoshta gjer në vetëvrasje, siç edhe ka ndodhur në ndonjë rast të tillë.
Kështu mendoja unë, i nisur gjithmonë nga ato konsideracione që thashë. Por Skënderi, megjithëse bëri faj që nuk zgjodhi ndonjë vajzë sipas kritereve që i kisha rekomanduar unë, por vajti e ra në vajzën që thashë, ai ruajti gjakftohtësinë dhe reagoi drejt, siç e parashikoi shoku Enver dhe jo siç mendohej edhe një mundësi ekstreme e këtillë, me sponsorizimin tim jo realist, sentimentalist dhe subjektivist.
Së dyti, në gjykimin e çështjes unë rashë në një anshmëri, me vështrim metafizik të çështjes. Pikësëpari morra në konsideracion se vajza kishte karakteristika të mira moralo-politike dhe në shqyrtimin e familjes së saj, u kufizova vetëm në rrethin e ngushtë të familjes (të babait, nëna, vëllai), duke mos e lidhur familjen e ngushtë të vajzës edhe me rrethin armiqësor të kësaj familje.
Në këtë rast, gjykova në mënyrë sempliste: “Vajza, siç më thonë, ka qëndrim të mirë moralo-politik, i ati është profesor, i dërguar për specializim dy herë nga ne, në Bashkimin Sovjetik, dhe i dekoruar, e ëma, është nëpunëse llogarie, familja e ngushtë e vajzës, nuk mban lidhje me njerëzit e farefisin e arratisur dhe armiq”.
Ky shikim i njëanshëm i çështjes nga ana ime e ka pikënisjen, pikërisht në atë që thashë më parë, në sentimentalizmin e veçantë për djalin, i nisur nga ato arsyetime që përmenda më lart.
Së treti, mendoj se sfondi ideologjik i sentimentalizmit të veçantë për djalin dhe shikimi i njëanshëm të fejesës, ndoshta e kanë burimin edhe në ndjenjën se “unë kam imunitet”, ndaj influencës së ideologjisë armike dhe të armikut të klasës. Dhe kjo mendoj se e kam burimin tek ajo që gjatë jetës sime si komunist, në përgjithësi unë kam qenë kritikuar për gabime të karakterit oportunist në luftën e klasave të kësaj shkalle dhe të kësaj natyre, siç është ky gabim i mi, e tashmë në lidhje me fejesën e djalit të dytë.
Dhe kjo, në një mënyrë ose në një tjetër, ndoshta thellë në brendësinë time, ka pas krijuar edhe një farë mendimi e ndjenje, se “unë kam imunitet”, ndaj influencës së armikut të klasës, ndjenjë që nuk mund të them se ka qenë e kristalizuar dhe në mënyrë të ndërgjegjshme tek unë, por diçka, siç duket, ka ekzistuar, qoftë dhe në mënyrë inkoshiente.
Prandaj edhe në rastin e fejesës së Skënderit, unë e humba gjykimin e drejtë dhe rashë në gabimin e rëndë për të cilin po flas, gabim të cilin, kam bindje, se në asnjë rast tjetër nuk do ta kisha bërë, përveçse në rastin e djalit tim të dytë, Skënderit, i nisur nga këto konsideracione dhe arsyetime të shtrembëta, subjektiviste.
Duhet të jetë kjo ndjenjë imuniteti, si dhe sentimentalizmi ndaj fëmijëve, që kanë shkaktuar tek unë atë qëndrim që, ndërsa jashtë familjes të jem zakonisht i rreptë në luftën e kasave, në familje të jem edhe i butë, tolerant. Nuk them se nuk e kam zhvilluar luftën e klasave edhe brenda në familje, por, siç duket, këtu brenda familjes ajo nuk ka qenë në shkallën dhe në masën e duhur, që të jepte edhe efektin e duhur.
Vetë ndjenjë e imunitetit, në këtë rast, është edhe një shfaqje mendjemadhësie. Unë nuk besoj se mendjemadhësia është tipar karakteristik tek unë, d.m.th., që të karakterizojë gjithë veprimtarinë edhe jetën time, por edhe unë nuk jam i imunizuar nga shfaqja e mendjemadhësisë, e cila në këtë rast u manifestua në gjykimin e gabuar timin, për fejesën e djalit me një vajzë nga një rreth familjar i këtillë duke menduar se gjykimi im është i drejtë, kur në fakt është i gabuar.
Ky gabim mund të ishte evituar me siguri, po të isha këshilluar me shokun Enver, ose po të isha këshilluar qoftë dhe me ndonjë shok tjetër, para se të vendosja. Thashë me vete “të mos e shqetësoj shokun Enver”, duke u nisur edhe nga ndjenja se gjithë vlerësimi im i mësipërm, m’u duk i drejtë, duke u nisur unë nga ai këndvështrim i gabuar që thashë, – metafizik, subjektivist, sentimentalist. Vërtet hezitova në fillim, por pastaj ky hezitim u zbut, sa arrita që morra vendimin e gabuar.
Dhe duke u nisur po nga ky gabim, u arrit në thellimin e mëtejshëm të tij nga ana ime, sa që shoku Enver dhe shoku Ramiz, pa ditur gjë fare mbi rrethin e keq familjar të Qazim Turdit e të së shoqes, duke mos u shkuar kurrë ndërmend që unë do të kisha lidhur fejesën e djalit me një familje me një përbërje politiko-shoqërore të keqe, erdhën si shokë e vëllezër e më uruan për fejesën, ndaj të cilëve unë jam fajtor dhe u kërkoj ndjesë me sinqeritet komunist e ndërgjegje të vrarë.
Së katërti, në qoftë se në këtë rast nuk do të isha nxituar që të shpejtoja fejesën, sigurisht që shokët do ta kishin marrë vesh dhe jo vetëm shoku Enver, por kushdo nga shokët e tjerë që do të më kishte kapur “për cepin e palltos”, dhe të më thoshte: “Se ke mirë shoku Mehmet”!, unë ju siguroj shokë, se do ta mblidhja veten dhe do ta ndreqja gabimin menjëherë, e fejesa nuk do të ishte bërë. Por unë u nxitova. U nxitova nga temperamenti im i rrëmbyer, që hera herës më çon edhe në teprime.
Nga ndonjëherë, ky impulsivitet është shfaqur gjatë punës tek unë edhe gjerë në atë shkallë, sa që të kenë ndodhur që shokë të veçantë, të preken nga teprimi në mënyrën e kërkuarjes së llogarisë nga ana ime, për zbatimin e detyrave, teprime në kuptimin e taktit, të mënyrës së kërkuarjes së llogarisë.
Natyrisht, këtyre shokëve, kur ka qenë rasti, unë u kam kërkuar ndjesë, me sinqeritet të lartë. Dhe është në natyrën time që shumë shpejt pendohem kur arrij në një teprim të tillë, pendohem saqë, ndodh që edhe gjumi s’më zë, gjer sa t’i kërkojë ndjesë shokut të prekur.
Shoku Enver dhe shokët e tjerë, nga koha në kohë, më kanë kritikuar për temperamentin impulsiv në punë dhe në jetë. Unë jam përpjekur, që të ndreqem në këtë drejtim dhe ndonjë përmirësim, edhe kam pasur, por kjo e metë nuk është zhdukur akoma tek unë edhe tashti në këtë moshë që kam. Megjithatë, kjo nuk më çon në heqjen dorë nga përpjekjet që duhet të bëj vazhdimisht, për ndreqjen.
Vetëm them, me sinqeritetin më të plotë, se teprimet në shkaqet e impulsivitetit tek unë, nuk kanë qenë kurrë për çështje të interesit personal, por për çështjet e interesit të përgjithshëm. Me këtë nuk dua aspak që të shfajësohem. Me këtë rast, unë ju siguroj edhe njëherë se do të luftoj që të ndreqem.
Kështu, i shtyrë nga temperamenti im i rrëmbyer, unë shpejtova, precipitova: meqenëse djali do të nisej ato ditë për në Suedi, për të vazhduar studimet, thashë së do të ishte mirë që fejesa të bëhej para se ai të largohej. Dhe kështu nga shpejtimi, precipitimi nga e keqja, u konkretizua.
Po të mos isha shpejtuar në kët rast, por ta kisha lënë fejesën për më tutje, të paktën gjer nga fundi i vitit, me siguri, që ose vetë do të isha thelluar, do kisha reflektuar e do të tërhiqesha nga vendimi për fejesën. Ose do të më detyronte vetë logjika që të këshillohesha me shokët, ose vetë shokët do ta kishin marrë vesh e do të më sinjalizonin, atëhere, gabimi do të qe evituar.
Në qoftë se fejesa nuk do të prishej, atëhere do të ishte dëmtuar vija e Partisë, veçanërisht në lidhje me luftën e klasave dhe me unitetin e mendimit e të veprimit, sepse normat dhe kriteret e luftës së klasave, janë dhe duhet të jenë njësoj për të gjithë, si për anëtarët e thjeshtë të partisë, ashtu dhe për udhëheqësit e saj. Por Partia nuk lejon kërkënd ti prek këto norma e kritere të luftës së klasave, siç veproi dhe me mua, kur gabova në këtë drejtim.
Unë e kuptoj rëndësinë e gabimit tim. Hapi i gabuar u ndreq. Për këtë, një ndihmë të madhe, jashtëzakonisht të madhe, më ka dhënë shoku Enver. Por faji mua më rëndon në ndërgjegje dhe kjo vrasje ndërgjegje do të më ndjekë si hije sa të jem gjallë. Jo për të më demoralizuar e për të kapitulluar në dinamikën e punës, por do të më rëndojë në kuptimin se pse e lashë unë veten të gaboj, sepse kisha të gjitha mundësitë që të mos gaboja, po të gjykoja shtruar e jo në mënyrë të njëanshme në kuptimin që të punoj më shumë e më mirë, që të jem më tepër vigjilent, në çdo rast e në drejtim, që të mos bëj më kurrë gabime të kësaj natyre. Do të më duhet të punoj me tërë forcat dhe energjitë, gjer sa të mbyll sytë, për t’ja larë Partisë këtë faj.
Unë i jam mirënjohës përjetë shokut Enver, i cili sa e mori vesh çështjen, menjëherë veproi siç duhej vepruar, në interesin e Partisë, por edhe në interesin e vetë familjes sime, e cila ka lidhur jetën e saj me Partinë. Shoku Enver ka bërë aq shumë edhe për familjen time, jo vetëm sot, por gjithmonë, duke u nisur kurdoherë vetëm nga interesat e Partisë, se tek ne s’ka e s’duhet të ketë, as lidhje e dashuri familjare, ose personale jashtë vijës dhe interesave të Partisë. Shoku Enver më ndihmoi si shok e vëlla dhe për këtë, unë e gjithë familja ime i jemi atij mirënjohës. Të gjithë e kemi për detyrë të ndihmojmë njëri-tjetrin.
Unë e ndjej thellë gabimin edhe në drejtim të djalit. Ai ka gabimin e vet, që u kap pas kësaj vajze dhe më bëri mua propozimin që thashë. Por ai do të hiqte dorë po t’i thoja unë “jo”!
Aprovimi im e futi më thellë djalin në gabim. Kjo vrasje ndërgjegje, në lidhje me fajin tim ndaj djalit, do të më hiqet vetëm kur ai të martohet. Dhe unë do ta ndihmoj që ai të martohet sa më parë që të jetë e mundur, me një vajzë të përshtatshme dhe nga një familje e përshtatshme, me qëndrim të mirë politiko-shoqëror dhe klasor. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016