Nga Ahmet Bushati
Pjesa e njëzetenjë
Memorie.al / Pas ndryshimit të flamurit në 1944 me shtimin e yllit komunist, Shkodra u transformua në një qendër rezistence kundër regjimit, duke paguar një çmim të lirë për traditën e saj të lirisë. Në prill të 1945, studentët e liceut, tashmë të ndjerë të tradhëtuar nga premtimet e luftës, u mblodhën për të kundërshtuar terrorin e ri që burgoste dhe vriste njerëz të pafajshëm. Komunizmi e shndërroi Kosovën në një provincë të Jugosllavisë, ndërsa Shkodrën e dënoi për “fajin” e saj historik – qëndrimin e saj kundër pushtuesve. “Lëvizja e Postribës” u bë mjet për të shtypur çdo kundërshtim, duke e çuar qytetin në një spirale vuajtjesh të papara: burgje, ekzekutime dhe shkatërrim i familjeve. Studentët e liceut, bashkë me qytetarë, u bënë simbol të rezistencës, ndërsa disa “të rinj komunistë” u shndërruan në vegla të Sigurimit të Shtetit, duke shkaktuar përjashtime nga shkollat dhe burgosje e internime.
Katër herë, Shkodra u ngrit në kryengritje të armatosura, por historia i harroi këto beteja. Libri shkruhet për të kujtuar të burgosurit e panumërt, të torturuarit dhe të vrarët, si dhe prindët që vuajtën në heshtje. Është një paralajmërim kundër diktaturës dhe një kërkesë që brezat e ardhshëm të mos harrojnë sakrificat e bëra për lirinë.
Në Gjurmët e një ditari
Shkodra në vitet e para nën komunizëm
Mund të jenë të shumtë ata qytetarë shkodranë, apo edhe familje të veçanta, që nga pushteti komunist do t’u ndiqshin e burgosshin, apo edhe t’u vritshin, edhe pse në atë kohë nuk ishin me punë, ose edhe me banim në Shkodër. Kështu p.sh., unë do të kujtojsha me atë rast dy familje shkodrane të mirënjohuna, Gera e Rasha, me banim në Tiranë në atë kohë, me të cilat komunizmi do t’u tregonte shumë mizor.
Nga familja Gera, do t’u futshin në burg të tre vëllaznit: Rroku që dikur kishte qenë ministër financash e, që si i tillë kishte qenë dënue prej gjyqit special; Laca dhe Tefa që ishte pasë marrë me tregti, edhe këta të dënue. Dënue ishte edhe djali i tij, Zefi, që kishte mbarue për inxhinieri kimike. Familjes Rasha, do t’iu arrestojshin të pestë meshkujt që kishte pasë.
Lorenci, që në Itali kishte marrë titullin “Doktor në Letërsi”, do t’u pushkatonte. Vllaznit Pjetri e Gjoni, vërtetë nuk do t’u dënojshin me vdekje, por dënimet e tyne gjithsesi do të ishin aq të randa, sa asnjeni nuk do të dilte ma i gjallë prej burgut, kurse Cini, që në rininë e tij kishte qenë aktor i teatrit “Bogdani” në Shkodër e, që përgjithësisht kishte interpretue role femnash për nji za të përshtatshëm që kishte pasë, po edhe për nji pamje të tij plastike.
Në Itali ai kishte ndjekë edhe nji kurs kinematografie e veç sa ma sipër, tue pasë kenë edhe nji ndër veteranët e çiklizmit shqiptar, kishte pasë tentue të realizonte me biçikletë edhe xhiron e Europës. Së fundi, këtë Cin simpatik, me prirje arti e sporti, komunizmi do ta dënonte me dhjetë vet burg. Gaspri që kishte mbarue ‘Normalen’ e Elbasanit e, mbrapa i veshur oficer, do të vuente katër vjet burg.
Po në Tiranë ishte arrestue patrioti e intelektuali tjetër shkodran, Izet Bebeziqi, që mësimet e mesme e të nalta i kishte ndjekë e krye në Austri, tue pasë qenë edhe nxanës i albanalogut të shquem Norbert Jokli, e ma vonë edhe mik i tij. Do të ishte nji ndër shqiptarët e rrallë që të dinte dhjetë – njimbëdhjetë gjuhë të hueja. Ai do t’u ndodhte në krah të rinisë vlonjate, në demonstratat e saj të 7 prillit 1939. Si ish-pjesëmarrës në demonstratat e Tiranës, si edhe pse në Korçë u kishte pri studentëve për grisjen e flamurit italian, ai do t’u internonte në Itali, për periudhën 1940-‘43.
Edhe gjermanët do ta burgosshin Izet Bebeziqin, po që nji personalitet e patriot të tillë, ta dënojshin me shtatë vjet burg, do të ishin, natyrisht, komunistët. Pak a shumë rreth kësaj kohe ishin arrestue në Durrës edhe katër qytetarë shkodranë e, personalitete të kulturës, tre prej të cilëve relativisht me moshë te re. Kështu atje ishte burgosë prifti At’ Vinçens Prendushi dhe profesorët Preng Kaçinari, Simon Deda e Arshi Pipa, në kohë që jepnin mësim në gjimnazin e atij qyteti. At’ Vinçens Prendushin, – me emnin e të cilit lidhen ato vjersha të kandshme që na i kishim mësue përmendësh kur ishim fëmijë, e kishin pasë vendosë në nji kaushë me Arshi Pipën e Myftiun e Durrësit, Mustafa Varoshin. Nji ditë prej ditësh atë Vinçensin do ta gjejshin të varun në nji WC të Degës së Punëve të Brendshme, sytë e t’cilit mandej do t’i mbyllte Arshi Pipa.
Po në mënyrë tragjike, do të vdiste në moshën tridhjetetetë vjeçare edhe profesor Simon Deda, që në Firence kishte mbarue për agronomi pyjore e, që u njihte për horizont të gjanë kulture që kishte. Mbasi ta kishin torturue për vdekje në hetuesi, nji ditë kriminelët e Sigurimit, profesor Simon Dedën, do ta hidhshin të masakruem prej dritares së nji kati të sipërm të ndërtesës e poshtë në trotuar e, si zakonisht në raste të tilla, të thojshin se; “ishte hedhë vetë”!
Në burgun e Durrësit u ndodhte edhe profesori tjetër i nderuem e tuberkuloz, Preng Kaçinari, që në Montpellier të Francës, kishte mbarue për filozofi e, që ma s’parit kishte dhanë mësim në liceun e Shkodrës. Si patriot e nacionalist që ishte, në verë të vitit 1943, pat dalë edhe në mal me armë në dorë, tue pasë qenë edhe nji prej anëtarëve të “Qarkorit të Ballit’ për Shkodrën.
Mbas dy-tri vitesh që kishte dalë prej burgut, i lodhun e i dëshpruem siç do t’u ndjente, sa prej persekucionit të vazhdueshëm, aq edhe prej sëmundjes së vjetër të tuberkulozit, e ndoshta ma fort prej nji papunësie të tejzgjatun, – sa ai disa herë t’mos kishte sigurue as kafshatën e gojës – shtue ktyne edhe natyrën e tij të ndjeshme e karakterin e fortë, të gjitha së bashku do të bajshin që ai nji ditë të vdiste në mënyrë tragjike, tue u vetëvra diku brenda vorrezave të Tiranës.
Nji përfundim si i profesor Prengë Kaçinarit, nuk i përket vetëm të rinjve sentimentalë në gjendje të thellë dëshpërimi, por edhe të fortëve, për të cilët s’ka kuptim jeta, kur ajo t’mos mundet ma me pasë dinjitet. Nji grup tjetër qytetarësh që do t’u arrestojshin rreth kësaj kohe, ishte edhe ai ish-nxanësve të shkollës prestigjioze amerikane, me drejtor Harry Fultz-in, siç do të ishin Qazim Dervishi, Ruzhdi Baja, Lec Barbullushi e Xheladin Baci, kur secili prej tyne me atë rast do të kishte lanë në shtëpi nga nji grue të re me fëmijë të vegjël e, që njenit prej tyne, Xhelës, mbas dy vjetësh burgu, do t’i vdiste Mentori nandë vjeçar, djali i tij i vetëm, të cilin ai do ta qante edhe me nji poezi shumë prekëse, që vetëm nji herë na e pat recitue në burg, tue u dridhë e me lot për faqe.
Ndërkohë në Gjinokastër ishin pushkatue m’kot Paulin Shestani e, Xhelë Kamata, tek shërbejshin në ushtri, i pari si veteriner e, tjetri si ushtar:
Ndër tre vëllazënt “Thani”, dy prej tyne, Marku e Deda, detyrimin e tyne ndaj Kosovës martire do ta paguejshin, i pari me jetë, kurse Deda, me 14 vjet burg. Të dy vëllaznit, Pali e Marku, kishin krye akademi ushtarake në Itali. Pali tue pasë kenë specializue edhe në financë, kurse Marku edhe në atë të “Arteve të Bukura” në Fierencë. Kapiteni Pal Thani, edhe pse i dorëzuem në bazë të amnistisë, do të torturohej nga Sigurimi, deri sa të vdiste në duart e xhelatit Fadil Kapizyzi, kurse Marku, aq i repsektuem prej të gjithëve, do të pushkatohej në Prizren prej kriminelit Shefqet Peçi, bashkë me 11 oficerë të tjerë nacionalistë të pafajshëm, mes të cilëve edhe nji tjetër oficer nga Shkodra, Ndoc Paci, që atje në Kosovën e çlirueme prej serbëve, kishin pasë shërbye në ushtri, me të cilët Shefqet Peçi, si ish edhe vetë oficer karriere, kishte kenë koleg:
Krimineli Shefqet Peçi, në krye të Brigadës së V-të Sulmuese, në rrugën e saj drejt Kosovës, kishte kenë ndalue në katundin Buzëmadh të Lumës, dhe mbasi t’u kishte ngrënë edhe bukën, në të nesërmen, në shenj hakmarrjet për nji nip që i ishte pasë vra para pak ditësh, diku ndër ato anë, do t’u vriste me të pabesë, 21 burra të pafajshëm.
Viktimë e komunizmit do të binte edhe profesori tjetër i nderuem, Kolë Margjini, i ardhun në Shkodër prej Kosovet, ku do të kalonte pjesën ma të madhe të jetës e, ku ma s’parit kishte pasë krye shkëlqyeshëm shkollat fillore e gjimnaz e përfitue bursë për në Austri, Vjenë, ku ishte diplomue për pedagogji e ku gjithashtu kishte pasë ndjekë edhe nji institut të gjuhëve orientale.
I kthyem në Shqipni qysh në vitin 1913, ai fillimisht kishte dhanë mësim në shkollat e ulta të qytetit, e me ngritjen e shkollave të mesme, kishte dhanë pedagogji në shkollën me të njajtin emën e matematike e gjuhë gjermane në gjimnaz.
Kishte qenë pjesëmarrës në Kongresin Arsimor në Lushnjë me 1920 e mbrapa inspektor pranë Ministrisë së Arsimit. Në vitin 1941, me dëshirën e tij të zjarrtë, ai do të shkonte në Kosovën e tij të çlirueme prej thundrës serbe, e në Prizren t’u emnonte drejtor i të parit gjimnaz të tij, e për ma tepër, t’ishte edhe njeni ndër organizatorët kryesorë të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”
Kur brigadat partizane serbe, do të ripushtojshin Kosovën, Kolë Margjini, për të shmangë çdo keqtrajtim të mundshëm nga ana e tyne, do t’u kthente në Shkodër, me ç’rast komunistët shqiptarë, me ligësinë e të paatdheve e të servilëve ndaj jugosllavëve, Kolë Margjinin e nderuem e patriot, do t’ua dorëzojshin këtyne të fundit si trofe lufte, të cilët nga ana e tyne, do ta dënojshin me burg, prej kah ai ma nuk do të dilte i gjallë.
Në nji punim si ky, relativisht i kufizuem, – si e kemi përsëritë edhe disa herë të tjera – nuk qe e mundun që shumë familjeve t’u përfshinte burgosjet apo edhe vrasjet e njerëzve të tyne. Kështu p.sh. familjes Myftia, nji ndër ma të nderuemet e të persekutuemet e Shkodrës. I pari i saj, Sali efendia, myfti i Shkodrës e presonalitet i Legalitetit, sa pa hye komunistët, do të detyrohej që të merrte rrugët e mërgimit bashkë me djalin ma të madh, Fuatin, si dhe me Zijanë, të nipin, e familja e tij qysh në ditët ma të para të internohej me të madh e të vogël. E mbas disa vitesh të para, do të internohej edhe për herë të dytë, për të vuejtë përsëri vite të tjerë internimi. Njeni djalë i tij, Feridi, kur t’ishte student, do të vuente vite burgu si ish pjesëtar i organizatës “Përpjekja Shqiptare”, e kohë ma vonë, Mit’hati, që vinte mbas tij, prej dëshprimit, nji mbramje do të hidhej nën rrotat e nji makine të madhe tue i dhanë fund nji jete që ma s’e duronte.
Po kështu familjes Toni s’iu fol veç për Injacin, që në Itali kishte pasë ba ndonji vit universitet për shkenca politike e s’u përmend burgosja e Luigjit aq të talentuem, që edhe ai, njikohsisht me Injacin, studionte në Itali për matematikë e që nji ditë do të vuente edhe burg, sikurse s’u përmend as vëllau i tyne ma i vogël, Kola, që fshehtas kishte ndjekë mësimet për klerik e vuejte dymbëdhjetë vjet burg.
Nuk u tregue gjithashtu se nga familja Boriçi, ndërkohë që njeni bir i saj, Fejzia, t’u ndodhte në burg të Burrelit, vllau i tij ma i vogël, Nexhati, po provonte aventurën ma të vështirë, tue qendrue gjatë tre vjetëve i mshehun në thellësi të nji shpelle në mal të Repishtit, e tue pasë qenë ushqye prej nji shtëpie malsore, mike e besnike e shtëpisë së tyne. E po ashtu, s’u fol as për internimin e Vllaut të tyne ma të madh, Hajrisë.
I burgosun i asaj kohe ishte edhe farmacisti simpatik, Alfred Ashiku, biliardisti i pa rival në Shkodër e që për nga fiziku e sidomos për nga pamja, “zor me i u gjetë shoqi edhe ndër artistët e filmave” siç thuhej për të atëherë në Shkodër. Lidhun me të, po tregojmë vetëm nji episod të vogël, përzie vuejtjet e humorit:
Si i burgut të Tiranës që ishte, në verën e vitit 1948 kishte dalë edhe ai në kamp të Vloçishtit. Nji ditë, ndërsa ktheheshin prej pune për në kamp, i unshëm për vdekje siç ishte, këputë nji panxhar në nji arë që binte brij rrugës kah ata po kalojshin. Diktohet prej policëve, të cilët për ndëshkim, e detyrojnë qe ai gjatë gjithë rrugës të ecte me panxhar në gojë. Me panxhar në gojë do t’ishte i detyruem të qëndronte edhe brenda nji grope kur atë, mbasi ta kthejshin në kamp, ta varrosshin për së gjalli, tue i lanë përjashta vetëm kryet, e natyrisht, gjithnji me panxhar në gojë.
Myfit Myrto Bushati, i nji burgu e kampi me të, do të tregonte si i foli për atë rast Alfredit, e ç’përgjigje mori prej tij: “Mor Alfred, si s’tu mor fryma prej atij “alamet” panxhari në gojë, si gjatë rrugës, ashtu edhe kur mbrapa të mbluan me dhe? “Dhe Alfredi: “Myfit, n’daç me e ditë tamam – tamam, unë po të diftoj se gjat gjithë asaj kohe, s’mendojshe për tjetër, veç i thojsha vedit:” a thue tash po ma lajnë me e hangër panxharin”
Nuk u fol për shkodranët në burg të Burrelit, mes të cilëve numrohen disa që atje edhe të kenë vdekë, e nuk u fol gjithashtu fare për familjet e shumta shkodrane të internueme, qoftë edhe të periudhës që unë pasqyroj, tue provue se përmasat e persekucionit të Shkodrës, janë mjaft ma të mëdha nga sa u paraqit deri këtu.
Tue mos u largue përfundimisht prej periudhës për të cilën vazhdojmë të flasim e tue mos përfshi shumë njerëz e ngjarje që do t’i përkitshin asaj, për aq sa u fol deri këtu, a nuk do të mjaftonte për të provue se komunizmi, Shqipninë në përgjithësi, por Shkodrën në veçanti, po e luftonte ma me tërbim e fare pa mëshirë pikërisht për çfarë ajo kishte pasë e për ç’do të kishte në të ardhmen? Se po e luftonte në rranjë e në esencë?
Pa përfshi të burgosunit e arrestuem para kryengritjes së Postrribës dhe as të tjerët mbas saj, me gjithë këta të burgosun për të cilët u fol deri këtu, që, gjithsesi, janë vetëm nji pjesë e atyne që qenë burgosë me atë rast, të gjithë ata njerëz të pushkatuem, të mbytun ndër tortura a të vdekun ndër burgje, që gjithashtu përsëri janë nji pjesë prej numrit të tyne të përgjithshëm, a nuk provojnë se komunistët, tue i pasë besue aksiomës së formulueme prej tyne “se si proletariati që ishte varrmihës i borgjezisë”, ashtu edhe patriotët e intelektualët shqiptarë, të klasifikuem “borgjezë”, nji ditë mund t’u bajshin vorrmihës të proletariatit”? Asht kjo arsyeja që ata i pat shtye të ndërtojshin atë strategji të zhdukjes fizike dhe të nënështrimit shpirtnor të pjesës ma vitale e të kultivueme të Kombit tonë, kudo ku ajo t’u ndodhte, në Shqipni, e Kosovë.
Kështu pra, gjithë këta njerëz të vlefshëm që komunizmi ia masakroi me atë rast Shkodrës, gjithë ato diploma që ia dogji, shtëpi të mira e n’za që rrënoi përgjithnji, jetë të shumta njerëzish të pafajshëm që para kohe futi nën dhe, dhe gazin e sa e sa familjeve që ktheu në lot, mirëqenien në mjerim e mbi të gjitha, vëllaznimin në dasi, të giitha së bashku, a s’janë nji vepër e pandigjueme barbarie, nji kob i vërtetë e nji gjenocid i mirëfilltë i ushtruem mbi popull nga disa bij të tij të katandisun në komunistë?
Megjithatë, në kohën kur Shkodra lëngonte nën peshën e nji terrori të përditshëm e të nji mjerimi ma të thellë të jetesës, tue pasë për frymë vetëm si bukë misri nji racion që fillimisht do të varjonte nga 250-400 gr. për frymë e ma vonë nga 400-500 gr.; e kur në qinda do të numëroheshin familjet që kishin nji a ma shumë njerëz të tyne ndër burgje, megjithatë, ai pushtet komunist, s’do ta kishte fare për turp që t’u mburrte për të gjitha sa ma sipër, e t’i quante fitore mbi armiq e tradhtarë.
Në vazhdën e ndryshimeve të mëdha edhe festat do të ishin të reja, të rinj dhe jubiletë. Kështu, pikërisht në ditët ma të zymta të atij nandori të 1946-ës, në koincidencë me përvjetorin e njizetenandë të revolucionit bolshevik, – që në vendin tonë ishte parashikue t’u festonte me sa ma shumë madhështi – qysh disa ditë ma parë, artikuj të bujshëm shtypi e nën tituj të pështirë, do t’i paraprijshin atij përvjetori, tue vue në dukje se të mirat që na po gëzojshim e kishin amën e tyne te njaj revolucion, që si mbas atij shtypi, po “shndriste përditë e ma tepër në të katër anët e globit.”etj. Gjatë muajit dhjetor të atij vjeti do të binte gjashtdhet-vjetori i lindjes së Stalinit, me ç’rast artikujshkruesit e randomtë do t’u sforcojshin të gjejshin epitete nga ma të paarritshmit për nga superlativiteti, si p.sh: “Rroftë sa malet gjeneralissimi Stalin, njeriu ma gjenial i kohëve, udhëheqësi i miliona punëtorëve në të gjithë botën!”
Koha, siç e kemi thanë edhe ma nalt, kishte sjellë nevojën e aparencës e të lustrës edhe për vetë komunistët e bindun në moralin e vijës, për të cilët kishte nisë t’u bante e qartë se ndërgjegja e ndershmënia nuk po vlejshin ma, se elementët bazë të moralit njerëzor po u konsiderojshin tashma të pamjaftueshëm e fare të panevojshëm për politikën e pushtetit të diktaturës.
U kërkojshin, me nji fjalë, mbështetës të dukshëm të politikës së partisë, palaço të ovacioneve, servilë e spiunë. Psikoza e frikës dhe e pasigurisë, u donte futë thellë te çdo qytetar, përfshi edhe komunistët./Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016