Nga Afrim Imaj
Memorie.al / Kryente shërbimin ushtarak, kur i kërkuan një shërbim tjetër. Urdhri i papritur, erdhi nga autoritetet e larta. Ushtari nga Lezha, nuk mund t’i thoshte “Jo”. Betimi ushtarak, parakuptonte zbatimin pa kushte. Ca më tepër, detyrimi si anëtar i partisë. I zgjedhur për integritetin moral të familjes, për sjelljet shembullore dhe rezultatet e larta në repart, Lirim Gjeta, u bë pjesë e trupit gjykues, në procesin e Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë, të kryqëzuar për “tradhti të lartë dhe veprimtari armiqësore”. Ishte vetëm 20 vjeç, kur i besuan këtë detyrë, rëndësia e së cilës, e kapërcente seriozitetin e moshës. Gjithsesi, ushtari i Zall-Herrit, u mundua ta kompensojë këtë disavantazh, me armën e heshtjes dhe praninë rutinë në seancat maratonë, përballë të pandehurve, ish-krerëve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes Popullore e Ushtrisë Shqiptare.
Po si është fiksuar në kujtesën e tij, drama e atyre ditëve, kush ishin “regjisorët” e përballjes monstruoze, cilat ishin reagimet e gjeneralëve para çasteve fatale, çfarë mendonte ai për mënyrën si është zbardhur deri tani procesi i bujshëm i gjeneralëve, të ashtuquajtur “puçistë”, etj. Në një intervistë për ne, Lirim Gjeta, rrëfente për herë të pare, mbresat nga procesi i Beqir Ballukut, Petrit Dumes, Hito Çakos e Rrahman Perllakut, duke zbardhur një pjesë të mistereve nga pozicioni i një dëshmitari okular, i thirrur aty për të plotësuar “dekorin” zyrtar të trupit gjykues…!
Zoti Lirim! Në dosjen e procesit gjyqësor të Beqir Ballukut, Petrit Dumes dhe Hito Çakos, rezulton se, keni qenë pjesëtar i trupit gjykues. Në cilat kushte jeni thirrur, për të bërë gjyqtarin e gjeneralëve?
Nuk e di kush e inicioi emrin tim, për të qenë pjesë e atij procesi të bujshëm. Isha i ri, fare i ri atëherë. Sa kisha mbushur 20 vjeç. Gjithçka ishte e papritur. Një thirrje nga lart dhe çdo gjë pastaj shkoi ashtu siç ishte parashikuar. As sot pas gati 30 vitesh, nuk i kam të qarta rrethanat në të cilat u zgjodha për të bërë këtë detyrë. Ishin kohë të tjera dhe gjërat funksiononin krejtësisht ndryshe…!
Padyshim, çdo njëri prej gjyqtarëve në atë kohë, do t’i bindej urdhrit për t’u bërë pjesë e një procesi të tillë…! Megjithatë, në rastin tim, është diçka krejt e veçantë. Unë u bëra pjesë e atij procesi gjyqësor, pa pasur asnjë lidhje me organet e drejtësisë. Të isha jurist, gjyqtar apo hetues, do të ishte normale, pavarësisht emrave të të pandehurve dhe përmbajtjes së legjislacionit në fuqi. Ndërkohë, nuk kisha lidhje as me organet e Sigurimit e të Policisë Sekrete, të cilat bëheshin katalizatorë, të goditjeve të kësaj natyre…!
Pse, nuk ishit diplomuar për drejtësi në atë periudhë?
Jo vetëm nuk isha diplomuar, por as më shkonte në mëndje shkollimi në këtë degë. Asokohe, Juridiku rezervohej kryesisht për fëmijët e funksionarëve të lartë dhe miqve të tyre. Unë, pas rezultateve të larta në gjimnaz, me vështirësi fitova një bursë në Institutin dyvjeçar të Shkodrës, për Mësuesi. Fill pas diplomimit pastaj…!
Një mësues u thirr kështu për të bërë gjykatësin e Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë të ushtrisë…?!
E vërteta është se, në atë kohë, nuk punoja mësues. Pas diplomimit në Shkodër, sipas rregullit, isha thirrur të kryeja shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Shkollën e Instruksionit në Zall-Herr. Pikërisht aty, më urdhëruan për t’u bërë pjesë e trupit gjykues të Beqir Ballukut. Ishte diçka e papritur dhe më erdhi si rrufe në qiell të pastër. Të them të drejtën, asnjëherë nuk i mora vesh rrethanat si më besuan këtë detyrë delikate…!
Pra, ishit ushtar, madje ushtar i thjeshtë kur ju besuan detyrën e gjykatësit për gjeneralët. A nuk ju duk si paradoksale diçka e tillë?
Mbi të gjitha, ishte një urdhër ushtarak që do të thoshte se, duhej zbatuar me domosdo. Së paku mua, kështu ma prezantuan. Pra, nuk bëhej fjalë për ta kundërshtuar, për aq kohë sa përmbajtja e tij, nuk binte në kundërshtim me Kushtetutën e kohës. Kjo, për një ushtarak, ishte ABC-ja e detyrës dhe misionit. Pastaj gjërat duhen vlerësuar në kontekstin e kohës…!
Ju kujtohet si ua komunikuan urdhrin për të marrë pjesë në trupin gjykues të Beqir Ballukut…?!
Kisha disa muaj, që kryeja shërbimin ushtarak në Zall-Herr. Në repart, isha ndër të pakët ushtarë me shkollë të lartë dhe me teserën e partisë në xhep. Kjo, si të thuash më jepte një status disi të veçantë, në krahasim me të tjerët, por asnjëherë, nuk e mora për privilegj. Të gjitha detyrat e stërvitjes dhe shërbimit, i kryeja me përgjegjësi. Bile, isha ndër ushtarët e dalluar në repart.
Mbaj mënd që, pikërisht për këtë, dy nga instruktorët e repartit, Zeno Jahaj dhe Tafan Tafani, më trajtonin si kolegët e tyre, oficerë. Në këtë rrjedhë, një ditë të bukur, krejt papritur, më thirrën në komandën e shkollës dhe më thane, të paraqitesha në Ministrinë e Mbrojtjes, për tu takuar me zëvendësministrin, Nazar Berberi. Të nesërmen aty më komunikuan urdhrin, për t’u bërë pjesë e procesit të Beqir Ballukut…!
Kush ua komunikoi këtë urdhër?
Urdhrin ma komunikoi Nazar Berberi, në zyrën e tij, në Ministrinë e Mbrojtjes. Shkova aty në orën e caktuar. Te postblloku, më priti oficeri i rojës, i cili me sa dukej, ishte porositur më pare, si duhej të vepronte. Ai më pajisi me fletë- hyrje dhe më shoqëroi te zyra e zëvendësministrit. Të them të drejtën, për herë të pare, futesha në atë godinë dhe pamja hijerëndë e korridoreve dhe mjediseve të saj, më futën në një lloj ankthi. Nazar Berberi, që e kuptonte gjendjen time, më priti me dashamirësi.
Pasi më pyeti për shëndetin, familjen dhe situatën në repart, më tha se, partia më besonte një detyrë të rëndësishme. Unë jam ushtar i partisë, i thashë aty për aty. Sakaq zoti Berberi, me një ton të qetë e solemn, nisi të tregojë për përmbajtjen dhe rëndësinë e detyrës që më ishte besuar: “Ju jeni komunist dhe besoj se jeni në dijeni për grupin armiqësor që ka zbuluar Partia dhe shoku Enver në Ushtri. Tashmë puçistët, janë në bangën e të akuzuarve dhe do të dalin në gjyq. Është vendosur që, në grupin e caktuar për dënimin e tyre, të merrni pjesë edhe juve…”! Vetëm kaq ishte ligjërata e tij.
Për momentin, nuk isha në gjendje ta kuptoja se, cili do të ishte pozicioni im në grupin që ishte caktuar, për të bërë dënimin e puçistëve. Madje, nuk kisha ndonjë ide as për natyrën e tij. Aty për aty, mendoja ndonjë grup njerëzish, që do të merrej me denoncimin e veprimtarisë armiqësore, të krerëve të Ushtrisë që ishin arrestuar më parë. Sa për pjesëmarrjen në trupin gjykues, as që e mendoja kurrë. Si mund të më shkonte në mëndje që, unë një ushtar i thjeshtë, të bëja gjyqtarin e këtyre gjeneralëve, që akuzoheshin për tradhti…!
Pra, në takimin me Nazar Berberin, kujtuat se do të ishit pjesë e grupit, që kishte ngritur udhëheqja e ministrisë, për të denoncuar veprimtarinë armiqësore të gjeneralëve…?!
Të them të drejtën, ato momente kështu e vlerësova. Duke qenë anëtar i Partisë, mendova se isha zgjedhur nga radhët e ushtarëve, për të bërë sqarimin e njerëzve, për aktivitetin armiqësor të gjeneralëve. Në atë kohë, praktikohej masivisht organizimi i grupeve të ndryshëm, për sqarimin e opinionit, rreth problemeve që ngrinte Partia. Në rastin konkret, detyra kishte tjetër qëllim. Isha përzgjedhur për të qenë pjesë e trupit gjykues të Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë. Këtë e mora vesh më vonë…!
Dëshmia e rrallë nga procesi gjyqësor i puçistëve
“Jo gjithçka është zbardhur ashtu si ka rrjedhur në të vërtetë”. Me këtë bindje, njëri nga pjesëtarët e trupit gjykues, që dënoi grupin e gjeneralëve në vitin ‘75, shfaq rezervat e veta për mënyrën se si, është zbuluar deri tani procesi i bujshëm. Me shumë vështirësi ish-gjyqtari 20-vjeçar, Lirim Gjeta, kapërcen hezitimin tundues dhe fillon të tregojë për seancat torturuese në përballjen me shtat-madhorët që kaluan në gijotinë. Rrëfimi i tij, është dëshmia e pare, që vjen pas gati pesë dekadash, nga salla e gjyqit, të së ashtuquajturve, puçistë.
Natyrisht që rrjedhën e zhvillimeve gjyqësore, nuk mund ta mbajë mënd me detaje, por ish-gjyqtari, ka fiksuar në kujtesë “palcën” e tyre. Ka qenë kjo për të, një nga ngjarjet më të tmerrshme me makth e mistere, që e kanë shoqëruar tërë jetës. Ca më tepër, kur detyra ia donte, ta ruante në vetvete, çdo gjë që kishte parë e dëgjuar në atë sallë ogurzezë. Për të, nuk duhej të fliste me askënd, madje as me prindërit e vëllezërit. Kjo e bënte dyfish tundues Lirim Gjetajn. Një tundim që e shoqëroi, vite e dekada me radhë. Gjithsesi, dëshmia e tij është sa interesante aq dhe dramatike.
Drilon ‘71, ditët, kur u ngjiz ideja e puçit ushtarak!
Enver Hoxha, pushonte në Drilon, kur i shkrepi ideja e puçit të tmerrshëm. Ishte vera e nxehtë e vitit ‘71. Më herët, në acarin e dimrit të atij viti, Partia, kishte mbledhur një kuvend të rëndësishëm. I ashtuquajturi Plenumi i 12-të i Komitetit Qendror, ishte identifikuar me sfidën e bunkerizimit dhe hartimin e Artit Ushtarak Popullor. Përmbushja e tyre, parakuptonte garanci, nga çdo agresion i jashtëm. I vëmendshëm ndaj rrjedhës së situatave, Enver Hoxha, që besonte sfidantin përballë rrethimit të shumëfishtë, nuk harronte rrezikun e brendshëm. Ca më tepër, e kaplonte ky makth, kur largohej nga Tirana.
Aty ku ishte, kujtohej për goditjet e rastit. Nga Driloni, këtë radhë i shkoi mëndja te Beqir Balluku. Mjaftoi një telefonatë dhe vetëm në pak orë, kreu i Ministrisë së Mbrojtjes, do dëgjonte nga afër shqetësimet e Komandantit. Porositë e tij për ri formatimin e Ushtrisë në kushtet e Luftës Popullore, për përballimin e një koalicioni armiqsh dhe për ndërtimin e një strategjie të re, në përshtatje me zhvillimet e kohës, për Beqir Ballukun, mbeteshin kryefjala e prioriteteve. Aty për aty, garantoi Enver Hoxhën dhe nxitoi për te Korpusi i vartësve, për t’u dhënë porositë të tij.
Reflektimi ndaj tyre, kërkonte rishikimin e dokumenteve të mbrojtjes, të rregulloreve ushtarake, të Artit të Luftës Popullore etj. Reagimi ishte i menjëhershëm. Me plane masash, programe veprimi, grupe pune, angazhim ekspertësh etj. Lidershipi ushtarak, tashmë kishte përpara provën e madhe, ndryshe: “provën e zjarrit”, sipas zhargonit të tij. Për javë e muaj të tërë, u punua me zell të jashtëzakonshëm, për t’u dhënë jetë “tezave të mbrojtjes”, siç kishte porositur Enveri. Po gjërat, nuk do shkonin për mbarë.
“Produkti” i kristalizuar, hap pas hapi, do t’i nënshtrohej metamorfozës fatale. E papritura, ndodhi dy vjet më vonë, në kohën kur “Komandanti”, dukej se i kishte harruar porositë e Drilonit. Oborrtarët e tij, një ditë të bukur, do të jepnin alarmin rrëqethës: “Çfarë ndodhi me porositë e shokut Enver”? “Kush i sabotoi tezat e mbrojtjes”?! “Pse u tjetërsuan kërkesat e tyre”? “Kush fshihet pas strategjisë disfatiste”?!
Tashmë, merrte rrugë një histori tjetër. Odiseja e “Tezave” të famshme, po shkonte tek epilogu vrastar. Drama që pasonte, mori emrin e tyre. “Tezat e mbrojtjes”, tashmë lakoheshin me emërtime të tjera, “Tezat e zeza”, “Tezat e puçit” “Tezat e komplotistëve” etj. Një stuhi përbindëshe, do t’i paraprinte kryqëzatës së tmerrshme. Në kurthin e saj, do të binin një nga një protagonistët e tyre. Suita e shtat madhorëve, tanimë u vunë përballë akuzave rrëqethëse. Mbledhje partie, plenume, arrestime, hetime e në fund gjyqi.
Gjyqi, që urdhëroi pushkatimin e Beqir Ballukut dhe gjeneralëve të tjerë…!
‘Beqiri sabotoi rregulloret ushtarake’! “Vërtetë që ka pasur probleme me rregulloret ushtarake, por në asnjë rast, të qëllimshme, së paku nga ana ime, si ministër i Mbrojtjes”.
I kryqëzuar përballë akuzave për tradhti dhe veprimtari armiqësore, Beqir Balluku, detyrohet të pohojë se ka gabuar, po në asnjë rast, nuk pranon rolin e opozitarit ndaj Partisë së Punës.
Më dukshëm, u shfaq ky qëndrim, gjatë ballafaqimit për çështjen e sabotimit të rregulloreve ushtarake. Nga fillimi në fund, ish-ministri i Mbrojtjes, u mundua të mbrohet, me idenë e veprimeve të pandërgjegjshme, duke u fokusuar te përgjegjësitë morale e politike. Gjatë dialogëve me trupin gjykues, këmbëngul për t’u përjashtuar nga përgjegjësia penale, pavarësisht pasojave që ka sjellë sipas akuzës, veprimtaria e tij në fushën e mbrojtjes. Po si ka vijoi ballafaqimi midis tyre…!
GJYKATËSI: I pandehur Beqir Balluku. Jepni sqarime lidhur me sabotimin në fushën e rregulloreve ushtarake. Si janë zbatuar porositë e Komitetit Qendror e të Këshillit të Mbrojtjes, që rregulloret e Ushtrisë, t’i përgjigjen kërkesave të politikës të Partisë, të Tezave të Këshillit të Mbrojtjes.
BEQIR BALLUKU: Lidhur me rregulloret. Në vitin 1963, ne kemi nxjerrë udhëzime, janë marrë disa masa për të futur në ushtri disa forma, për të mënjanuar gjithë ato eksperienca dhe metoda të huajtura, që ishin rregullore të përkthyera identike nga Ushtria Sovjetike. Në këtë drejtim, u bë një farë pune, lidhur me disa koncepte ose metoda të reja, që mund të futeshin në fushën e artit tonë taktik operativ, u bënë disa referate, u hodhën disa ide. Këto kërkonin edhe korrigjimin e rregulloreve. Në këtë drejtim, është bërë një farë pune, por kjo punë nuk ka shkuar në rrugën e drejtë.
Nuk janë lidhur me realitetin tonë rregulloret, tentativat për të përshtatur rregulloret, kanë vuajtur shumë. Nuk janë lidhur me format e mësimit, ose përvetësimit në fushën e taktikës tonë të artit operativ etj., por, është filluar të formulohen rregullore dhe këto rregullore, janë prirë kurdoherë nga rregullore të vjetra. D.m.th., që janë trashëguar jo vetëm në botën e konceptet e njerëzve që janë marrë me këto, por janë marrë ekstrakte, nga këto rregullore, e janë futur ose janë bërë mballoma, arna të qepura me pe të bardhë…!
GJYKATËSI: Pas daljes së Tezave të Këshillit të Mbrojtjes, çfarë u bë me rregulloret ushtarake?
BEQIR BALLUKU: Janë bërë tentativa për të bërë rregullore, por ato kanë druajtur, siç e thashë, edhe pas vitit 1963 dhe veçanërisht, pas daljes së Tezave, çdo drejtori, është ngarkuar që të përpunojë rregullore.
GJYKATËSI: Kush i hoqi rregulloret e disiplinës së garnizonit?
BEQIR BALLUKU: Rregulloren e disiplinës, në vitin 1966, kur doli Letra e Hapur, unë e kam hequr, me urdhrin tim është hequr.
GJYKATËSI: E vure në dijeni Komitetin Qendror dhe Këshillin e Mbrojtjes, për këtë masë të rëndësishme në jetën e Ushtrisë?!
BEQIR BALLUKU: Unë nuk kam vënë në dijeni, por në biseda që kam bërë, kam thënë se, rregulloret lidhur me këto masa revolucionarizuese, me këtë stil e metodë, ose edhe me këto forma që kërkojnë Tezat e Këshillit të Mbrojtjes, rregulloret, patjetër ishin në kundërshtim flagrant, me të gjitha normat, me të gjithë kërkesat, qoftë në rrugë të disiplinës, rregullit të brendshëm etj…!
GJYKATËSI: Pse nuk punuat rregulloret e reja dhe pastaj të hiqnit të vjetrat. Nuk do vinit rregullore ju, pa rregullore do punonit?
BEQIR BALLUKU: Duke hequr këto rregullore, tashti Ushtria do të ecte pa rregullore, d.m.th., gjithçka do ta bëjë masa, vija e masës. Nuk mundet një ushtri, siç është ushtria e Republikës Popullore të Shqipërisë, të rregullohet në një mënyrë kot, pa rregullore.
GJYKATËSI: Po pse nuk punuat rregulloret e reja e të hiqnit të vjetrat?
BEQIR BALLUKU: Unë këtu kam gabuar dhe është liberalizëm nga ana ime dhe e kam pranuar plotësisht. Rregullorja e disiplinës, mund të rregullohej ai kapitull që fliste për masa, dënime, burg etj., ndërsa në ‘Letrën e Hapur’, ajo vendosej me bindje politike, kishte disa norma të tjera. Unë nuk isha që rregulloret të mos zëvendësoheshin, por unë isha që të hiqen, e të bëhen sa më parë.
GJYKATËSI: Para se t’i hiqnit këto, kishit marrë masa për të bërë rregullore të reja?
BEQIR BALLUKU: Atë kohë, nuk ishte bërë gjë fare për këtë punë.
GJYKATËSI: Çfarë pasoja solli heqja e rregulloreve?
BEQIR BALLUKU: Kjo ka përhapur in-disiplinimin, por me ndërhyrjen e udhëheqjes, këto u rregulluan. Nuk shkuan shumë muaj dhe ato u zëvendësuan, me rregulloren e disiplinës.
GJYKATËSI: Çfarë pasoja pati, u krijua anarki, u çoroditën njerëzit, liberalizmin e krijoi?
BEQIR BALLUKU: Kjo i hapi shteg liberalizmit. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016