Nga Indrit Qehajaj
Pjesa e dytë
-Arshi Pipa, profili i një studiuesi të padëshiruar –
Memorie.al / Ndër tiparet më themelore të modelit totalitar, sidomos atij shqiptar, mbeten dhuna e ashpër dhe eliminimi i individëve dhe grupeve që konsiderohen si kundërshtarë të regjimit. I tillë ishte edhe rasti i profesor Arshi Pipës i cili, ndonëse nuk kishte asnjë përgjegjësi penale të faktuar, u dënua dy herë, duke qëndruar për rreth 11 vjet në burgje e kampe pune. Vitet 1945-1954, që janë kufijtë kohorë të këtij prezantimi, përkojnë pikërisht me vitet e burgosjes dhe vuajtjeve të pafundme të Pipës dhe të familjes së tij. Në mënyrë kronologjike do të përpiqemi të hedhim dritë, mbi këtë personazh të rëndësishëm të kulturës shqiptare, duke u përpjekur të kuptojmë më mirë njeriun dhe studiuesin, arsyet e burgosjes së tij dhe për balljen e tij me dënimin.
Formulimi i akuzës ndaj Arshi Pipës, vazhdon akoma më tej, duke e akuzuar se ai; “kishte drejtuar revista me ideologji fashiste për të mashtruar popullin dhe për të maskuar okupacionin e fashizmit në vendin tonë. Mbas çlirimit të Shqipërisë, duke qenë profesor në Liceun e Tiranës, ishte lidhur me grupin Social-Demokrat dhe zhvillonte një aktivitet të gjerë, në favor të kësaj organizate. Ai e vazhdon aktivitetin e tij me studentë dhe elementë të pakënaqur, duke predikuar mbi demokracitë Perëndimore, për të treguar se në vendin tonë nuk kishte liri demokratike dhe e konsideronte pushtetin, si një pushtet terrorist”.
Sipas akt-akuzës, “aktiviteti i tij ishte provuar plotësisht nga atribuimet që i bëri Sulo Konjari në gjyqin e Tiranës, Selim Kokalari dhe Ramazan Tabaku, nga proces-verbali i tij para hetuesisë dhe nga gjithë përmbajtja e dosjes. Për ta thelluar akoma më shumë akuzën ndaj Arshi Pipës, shkruhet se: “I pandehuri, ka bërë mbledhje të rregullta me Preng Kaçinarin, Stavro Frashërin, Isa Podgoricën, Simon Dedën, Hysen Ballhysën, Sabri Tucin e Rifat Dervishin, dhe se këto mbledhje, janë bërë në Liceun e Qytetit”.
Për të mbështetur akuzën e ngritur, prokuroria mbështetej te dëshmia para gjyqit, e të dënuarit Sulo Konjari, i cili shprehej se: “Arshi Pipa, ka bërë pjesë në grupin e social-demokratëve dhe ka qenë elementi më aktiv i këtij grupi, me Isa Podgoricën, Hysen Bellhysën dhe Skënder Çelën”. Të njëjtat deklarime bënin edhe dy të dënuarit, Salim Kokalari dhe Skëndër Çela.
Arshi Pipa mbajti një qëndrim dinjitoz dhe u përpoq të mbrohej, pasi nuk i pranonte këto akuza. Madje, ai tha që as nuk ka qenë në dijeni të një organizate të tillë. Ai shprehej se deklarimet e Salim Kokalarit, Sulo Konjarit e Ramazan Tabakut, janë të pavërteta dhe se nuk kishte qenë pjesë e asnjë organizate. Ai vazhdon akoma më tej, kur thotë që; “duke qenë se pakënaqësitë e mia ndaj pushtetit popullor, unë i kam shprehur dhe janë të njohura, i ka bërë ata që kanë deklaruar kundër meje, të më hedhin edhe mua në faj, ashtu siç mund të kenë hedhur, edhe të tjerë”!
Me Sulo Konjarin dhe Salim Kokalarin nuk kishte pasur ndonjë miqësi dhe as nuk i njihte. “Sulo Konjari, – thoshte ai, – mund të thotë shumë gjëra, por unë kërkoj të ballafaqohem”. Ndërsa me Hysen Podgoricën, kishte njohje, kjo për faktin se të dy ishin profesorë. Në deklarimet e tij, Arshi Pipa shprehej se; me Hysen Podgoricën kishte pasur kontakte dhe biseda. Kishte biseduar për çështje letrare dhe jo për çështje politike, sepse për këtë të fundit, nuk kishte kohë të merrej. Kohën e kishte vetëm për studime!
Ndërsa me Hysen Bellhysën njihej, por nuk kishte kontakte miqësie. Ishte takuar disa herë, por asnjëherë nuk e kishte vizituar në shtëpi. Ndërsa Skënder Çelën, nuk e njihte, por shprehej se ky i fundit, mund ta kishte dëgjuar emrin e tij, ngaqë ishte profesor. Për sa i përket deklarimit të Hysen Bellhysës, ai e përmend Arshi Pipën, por shprehet se, e njihte thjesht si person dhe se nuk ishte e vërtetë, që të kishte biseduar ndonjëherë me të, për Partinë Social-Demokrate.
Në një akuzë tjetër thuhej se; “i pandehuri Arshi Pipa, mblidhte studentët në shtëpinë e tij, për t’u bërë propagandë kundër pushtetit popullor, u fliste për Partinë Social-Demokrate dhe kundër udhëheqësve”. Akuza faktohej nga deklarimet e disa studentëve, si Alfred Kazanxhiu, Thomas Goxhaj dhe Sotiraq Manushi, të cilët u shprehën se Arshi Pipa, u fliste për parimet e Partisë Social-Demokrate. Në deklaratën e Sotiraq Manushit thuhej se; “Arshi Pipa, kishte folur keq edhe për pushtetin popullor, duke thënë se pushteti shqiptar është shtypës, se reformat që bënë këta po shkatërrojnë vendin dhe po varfërojnë mbarë popullin. Gjithashtu, ata që janë vendosur në krye janë njerëz të paftë”.
Studenti Thomas Goxhaj shprehet se; Arshi Pipa kishte folur edhe për Bashkimin Sovjetik, duke thënë se është vendi ku shkelen më shumë të drejtat e njeriut. Deklarimi i Thomas Goxhaj, është i njëjtë me atë të Sotiraq Manushit, sepse edhe ky flet për varfërinë që ka kapur popullin, drejtuesit e paftë, etj. Për sa u përket deklarimeve të studentëve, Arshi Pipa thotë: “Unë këtyre u jepja mësim privat dhe ata nuk i kanë kuptuar mirë fjalët e mia. Ata nuk kishin ndonjë simpati ndaj meje, por unë jepja mësim, që të më paguanin, ndërsa ata kishin interes që të mësonin”.
Pas seancave gjyqësore, ku u morën në pyetje shumë persona, duke u bazuar në të gjitha këto dëshmi, për Arshi Pipën kërkohej dënim maksimal, si një njeri që kishte qenë pjesë e grupit social-demokrat dhe që kishte propaganduar kundër pushtetit. Kështu, më 20 dhjetor 1947, Arshi Pipa do të dënohej rishtazi nga Gjykata, me 20 vjet burg dhe për të do të riniste kalvari i vuajtjeve e mundimeve.
Përveç kushteve të këqija të burgut, atë e mundonte edhe sëmundja e tij, për të cilën shprehej se vuante nga një inflacion në mushkëri. Ky proces i ashpër dhe i padrejtë ndaj Pipës, ishte një tregues i qartë i dhunës tipike staliniste, në sistemin gjyqësor, një drejtësi e paprinciptë, pasi bazohej te nënshtrimi me anë të eliminimit, torturave e dhunës psikologjike, ndaj kundërshtarëve më të ekspozuar.
Jeta në burgjet e diktaturës
Në gjyqin e parë u dënua me dy vjet burg dhe fillimisht u dërgua në burgun e Durrësit. Pas qëndrimit në burgun e Durrësit dhe dënimit të dytë, ai së bashku me një grup të burgosurish, u dërguan në kampin e Vloçishtit, në korrik të vitit 1948. Pjesa më e madhe e të burgosurve aty, kishin shkuar tre muaj para tij, siç shkruan Arshiu; nuk i njihje dot, si ishin bërë prej urisë dhe mundimeve të mëdha. Në kampin e Vloçishtit, Arshiu u sëmur dhe qëndroi disa kohë në spitalin e Korçës.
Në atë kohë në kampin e Vloçishtit, kishte rreth 1300-1600 veta, sipas periudhave që grumbulloheshin, dhe flinin nëpër tri Baraka, të mbuluara me mushama, që në shumë vende ishte e shpuar. Të burgosurit flinin në një krevat me tri dërrasa dhe sapo hyje brenda në barakë, qelbeshe erë. Nuk kishin mundësi të laheshin dhe të pastroheshin. Uji mund të sigurohej, vetëm prej disa puseve. Ndërsa ujë të pijshëm, kishte fare pak, në hyrje të kampit. Nëpër baraka qëndronin të gjithë bashkë, të dënuar politike dhe “ordinerë”.
Rastet e vjedhjeve ishin të shumta. Shpeshherë këta ordinerë, nxiteshin nga rojat të vidhnin të dënuarit politikë, apo intelektualë të tjerë. Në rast se ankoheshe, faji nuk u ngelej vjedhësve, por personit që ankohej. Rojat kishin një mentalitet, i cili ishte: “Politikanët janë përfaqësues të klasës kapitaliste-borgjeze, kurse ordinerët, janë proletarë, dhe si të tillë, kanë të drejtë të plaçkitin të parët”. Ushqimi në kamp, ishte shumë i paktë dhe njerëzit ishin të uritur. Kishte raste kur të burgosurit, shkonin për të punuar në distanca të largëta nga kampi dhe gjatë rrugës, shikonin parcela toke të mbjella më misër ose panxhar.
Ata ishin aq të uritur, saqë ndonjëri prej tyre, hidhej me shpejtësi për të marrë diçka nga të mbjellat dhe nuk e lëshonte, edhe pse rojat e godisnin me shkelma, ose dru kokës. Burgu ishte më i ashpër, për të dënuarit politikë, sesa për fshatarët. Fshatarët e thjeshtë, shikoheshin më me pak përçmim. Kishte raste kur të dënuarit politikë, visheshin si fshatarët e thjeshtë, vetëm për t’i shpëtuar dhunës.
Punët që të burgosurit bënin, ishin hapja e kanaleve të mëdha, ku gjatësia shkonte me kilometra, gjerësia 10 m. dhe lartësia 3 metra. Kur ktheheshin nga puna, ata kishin rrugë të gjatë për të bërë. Të lodhur e të rraskapitur, ata torturoheshin edhe nga rojat rrugës.
U ënjteshin këmbët nga puna e rëndë, lodhja dhe kushtet e këqija. Mungesa e çizmeve, këpucëve, ecja këmbëzbathur dhe punët e mundimshme, bënë që shumë të burgosur të vdisnin para kohe, në kushte çnjerëzore. Për kampi i Vloçishtit, Arshi Pipa shprehet se; qe si një kamp shfarosjeje!
Në vitin 1949, pas Kongresit të Parë të PKSH-së, dënimit të Koçi Xoxes dhe orientimit krejtësisht në Bashkimin Sovjetik, Enver Hoxha, bëri një amnisti, ku përfitoi edhe Arshiu, sepse iu ulën 10 vjet dënim. Vitet e mbetura të dënimit, ai i bëri në burgje të ndryshme. Pas qëndrimit në kampin e Vloçishtit, Arshiu u shtrua në spitalin e burgut të Durrësit, deri në janar të vitit 1950. Më vonë, e dërguan në burgun e Gjirokastrës, deri në qershor të vitit 1952. Pastaj transferohet në burgun e Tiranës dhe shtrohet në spitalin e burgut përsëri.
Pas disa kohësh, e dërgojnë në burgun e Burrelit, deri në prill të vitit 1956, ku edhe do të mbarojë dënimin e tij. Arshiu do të lëvizte nga një kamp në tjetrin dhe kësisoj nuk mundi t’i shpëtonte as burgut famëkeq të Burrelit. Në këtë burg, gjetën vdekjen qindra të burgosur. Disa nga sëmundjet e, disa nga torturat e mëdha, nga uria, etj. Në nga problemet më të mëdha të të burgosurve, në burgun e Burrelit, ishte çështja e ujit. Gjatë kohës që Arshiu qëndroi në këtë burg, ai thotë se uji merrej në një pus, diku mes oborrit, por që nuk kishte as grykë.
Për ta vështirësuar akoma më shumë punën, të burgosurve nuk u ishte dhënë asnjë mjet lehtësues, për ta nxjerrë ujin. Madje, as një kovë apo litar. Për nxjerrjen e ujit, përdoreshin mjete rrethanore. Për të mos mjaftuar kjo, uji i pusit ishte shumë i ndotur dhe po kthehej në sëmundje, për të gjithë. Mjaft njerëz kishin gjetur vdekjen, nga ky ujë i ndotur. Shpeshherë në ujin që të burgosurit nxirrnin, kishte krimba. Arshiu kishte një fizik të dobët dhe ishte i sëmurë, kështu që dalja gjallë nga kampi i Burrelit, ishte veçse fat për të.
Ndër veprat më të mira të Pipës, ‘Libri i burgut’, është një dokument autentik i vuajtjeve nëpër burgjet dhe kampet e internimit të Shqipërisë komuniste, duke e sjellë nëpërmjet vargjeve poetike. Ky libër, siç do të shprehet edhe vetë autori, u shkrua gjatë periudhës së burgimit (1946-1956), por nuk u shkrua në ndonjë bllok shënimesh apo, në ndonjë fletë letre të pastër dhe pa frikën e ndokujt. Libri u nxor fizikisht nga burgu, i shkruar nëpër letra cigaresh. Do të rishkruhej përsëri nëpër letra cigareje, para se Arshiu të arratisej nga atdheu, së bashku me motrën e tij, Fehime Pipa.
E motra do t’i qepte këto fletë, nëpër rrobat e saj. Pasi të kalonin kufirin, të arratiseshin edhe nga autoritetet jugosllave, gjatë periudhës shtator-nëntor 1957, ata do të arrinin në Sarajevë. Gjatë qëndrimit në Sarajevë, do t’i rendisnin fletët e librit, të shkruar në letër cigareje dhe më vonë do të përgatiteshin në Detroid dhe do të botoheshin në Romë, në vitin 1959.
‘Libri i burgut’, na njeh edhe me jetën e vetë autorit, rininë e tij, por gjithashtu na sjell vuajtjet dhe torturat që pësonte një grup njerëzish, nga më të diturit, e Shqipërisë së asaj kohe. Një grup njerëzish, që kishte mundësi të kontribuonte në zhvillimin e Shqipërisë. Është ky grup njerëzish, që i ishte mohuar e drejta e të qenit njeri.
Pas daljes nga burgu, më 26 prill 1956, Arshiu do të qëndronte disa kohë, të shijonte jetën përtej vuajtjeve dhe terrorit të kampeve të internimit. Jashtë do ta prisnin motrat dhe e ëma. Edhe pse u duk që vuajtjet mbaruan, kjo nuk ishte e vërtetë. Për ish-të burgosurit, ishte shumë e vështirë të gjejë një punë. Të vetmet punë që mund të të caktoheshin, ishin ato më të rëndomtat dhe të vështirat fizike, që për Arshiun, ishte shumë e vështirë. Puna që ai dinte të bënte më mirë, ishte ajo e penës.
Pas shumë mundimesh, caktohet mësues në një shkollë shtatëvjeçare në Shkodër, por kjo punë nuk e kënaqte atë. Ai ishte mësuar me nxënës të një niveli më të lartë, të merrej me kritikë, etj. Kështu që Pipa, kërkoi të shkëputet nga puna në arsim që i ishte ofruar, me pretekstin se ishte i sëmurë.
Pas zhvillimeve politike në Shqipërinë e vitit 1956, ku u forcua më shumë rruga e stalinizmit, Arshiu filloi të mendojë arratisjen. Bazuar më së shumti në dorëshkrimet e Fehime Pipës, motrës së Arshiut, të mbledhura dhe të botuara nga Uran Kalakulla, në librin e tij, Arshiu vendosi të arratiset, së bashku me të motrën, Fehimen, i ndihmuar nga një fshatar, që kishte shtëpinë pranë kufirit.
Atij iu desh ta kalonte lumin e Bunës me not, ku matanë bregut, e priste e motra. Më pas arritën pranë fshatit Muriqan dhe arritën të kalonin kufirin. Pasi kaluan kufirin, ata u paraqitën pranë postës jugosllave, ku qëndruan disa kohë në hetuesi, në Tivar. Pasi u liruan, shkuan në Sarajevë, ku ndodhej edhe i fejuari i Fehimes, me familjen e tij. Por qëndrimin atje nuk do të ishte i gjatë dhe ai do të largohet për në Romë, ku synimi ishte Amerika. Për vajtjen në Amerikë, do ta ndihmonin dy kushërinjtë e tij, duke i sjellë një garanci. Atje do të fillojë të mësojë edhe gjuhën angleze.
Pas shumë peripecish, do të fillojë të ngjisë shkallët e karrierës në universitet. Atë që shteti shqiptar ia mohoi, e gjeti në një vend tjetër. Si fillim do të jepte lëndën e filozofisë dhe filozofinë e fesë së krishterë. Për sa i përket fesë, nuk kishte njohuritë e duhura. Madje, në një dokumentar të TVSH në vitet ’90-të, Arshiu shprehet se njohuritë e tij, për sa i përket fees, ishin të pakta, vetëm disa gjëra që mbante mend nga Kolegji i Jezuitëve. Arshiu u bë një pedagog mysliman, që jepte filozofi të krishterë.
Përfundime
Arshi Pipa ishte një intelektual i rrallë dhe si i tillë, kontributi që ai dha, por edhe do të mund të jepte në arsimimin e vendit, ishte i vyer. I rritur në një familje arsim-e-kulturëdashëse, i pajisur me një arsimim solid dhe të plotë, i edukuar me parimet bazë të demokracisë, ai kishte potencialin e nevojshëm, për të qenë një nga intelektualët më në zë të kohës. Përfshirja e tij në jetën intelektuale të kryeqytetit, që në moshë të re dhe dëshira e tij për të kontribuar në kulturën shqiptare, janë një dëshmi e qartë e aftësive të tij.
Arshi Pipa ishte një armik suigeneris i diktaturës dhe si i tillë, ishte në thelb antifashist i lindur. Nëse ai nuk u përfshi në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, të drejtuar nga Partia Komuniste Shqiptare, ndodhi sepse nuk e pëlqente ideologjinë komuniste, që i vishej lëvizjes çlirimtare.
Burgosja e tij pas Luftës, së bashku me shumë intelektualë të tjerë, ishte një humbje e madhe për vendin. Njerëz të një kalibri të tillë, të cilët nuk e pranuan sistemin që po instalohej në Shqipëri, u dënuan ashpër, duke përfunduar nëpër kampet famëkeqe, ku një pjesë e tyre gjetën edhe vdekjen. Por përsëri ishin njerëz si Arshi Pipa që, edhe pse prapa hekurave, nuk u dorëzuan. Çdokush nga ata, u mundua që ta luftojë komunizmin me armën më të mirë që zotëronte.
Arma më e mirë e Arshi Pipës, ishte pena. Ai në fshehtësi të plotë, vazhdoi të shkruajë, jo letra, por një libër të plotë, si ‘Libri i burgut’. Me ‘Librin e burgut’, ai na solli të gjithëve ne, jo vetëm një vepër letrare, por një dokumentim të të gjithë asaj çfarë ndodhte në kampet e internimit të Shqipërisë, për mënyrën se si trajtohej elita intelektuale e vendit, etj.
Rasti i profesor Arshi Pipës, është rasti tipik i intelektualit që, siç thotë vetë Pipa, i kanë treguar komunizmit një fytyrë të ftohtë, duke i provokuar deri në tërbim. Shumë prej tyre humbën jetën, ose e kaluan atë burgjeve. Duke qenë se Shqipëria ishte një komb i vogël, historia e zhdukjes së tyre, është një nga anët më të shëmtuara të regjimit. Memorie.al