Nga Odile Daniel
Pjesa e dytë
Memorie.al / Isha në Paris, kur, në maj 1992, mora një thirrje telefonike nga një shqiptar nga Uashingtoni, që dëshironte të më takonte. Ishte një profesor në pension i gjuhës dhe letërsisë shqipe dhe italiane, që quhej Arshi Pipa. Kishte lexuar disa nga punimet e mia mbi Shqipërinë dhe kishim nisur të bashkëpunonim me korrespondencë, veçanërisht me krijimin e një reviste të titulluar ‘Albanica’ që ai e kishte botuar në SHBA. I lashë takim në një kafene pranë kishës Saint-Sulpice, sepse po qëndronte në një hotel të Quartier Latin. E njihja vlerën e këtij profesori nga emri i tij i madh, sepse ai kishte botuar më 1978 në anglisht në koleksionin ‘Albanisce Forschungen’ (Kërkime shqiptare) të Universitetit të Munihut, tri vëllime mbi letërsinë shqiptare. Kishte botuar po ashtu, gjithmonë në anglisht, katër vëllime të tjera në SHBA-ës, në koleksionin ‘East European monographs’ në botimet e Universitetit Columbia të Nju Jorkut; vëllimi i parë, i botuar më 1984, i hartuar nga një grup autorësh nën drejtimin e tij, kishte të bënte me Kosovën. I dyti, i botuar më 1989, titullohej ‘The Politics of Language in Socialist Albania’. I treti, ‘Albanian stalinism, ideo-political aspects’, botuar më 1990, ishte pasuar më 1991 nga ‘Contemporary Albanian Literature’. Nuk e njihja rrugëtimin intelektual të këtij shqiptari, por më kishin mahnitur njohuritë dhe finesa e analizave të tij. Ai kishte marrë drejtimin e revistës “Dielli”, të bashkësisë së shqiptarëve të SHBA-ës.
U takuam sërish me profesor Arshi Pipën, me rastin e një konference që ai dha në një institut kërkimor dhe, gjatë një darke në fund të mbledhjes, ku ai u zbraz disi, kur e pyeta për familjen, sepse e kisha ndier që për këtë temë fliste me lehtësi. Ndihej shumë i hidhëruar për fatkeqësitë që ajo kishte pësuar për shkak të tij, më tepër se për vuajtjet e veta.
– “Komunistët, më tha, ma përzunë familjen nga kryeqyteti. Ata e detyruan të shpërngulej tri here, brenda gjashtë muajve, atë familje ku jetonin së bashku prindërit dhe tri motrat e mia, Nedret, Fehime dhe Bukurush, si dhe dy jetimet e motrës Bedi, që kish vdekur nga tuberkulozi. Kur munda të flas së fundmi me njërën nga motrat e mia, pas gati pesëdhjetë vitesh heshtje, ajo më tregoi se një fqinj, djalë i ri, që banonte në njërën nga banesat e vogla, ku kishte jetuar familja ime në Durrës dhe që kishte qenë nxënësi im, ishte dërguar nga Partia të më vizitonte në burg, për të parë nëse “isha zbutur”. Iu përgjigja se nuk kisha bërë asnjë gabim, pra, nuk kisha asnjë arsye për t’u penduar.
Kur isha i burgosur në Durrës, familjarët nuk më treguan që vëllai im kishte vdekur nën tortura dhe, herët e pakta kur vinin të më vizitonin, nuk i vishnin rrobat e zisë. Megjithatë, e mora vesh lajmin nga një burim tjetër. Humba edhe njërën nga motrat e tjera të mia, pastaj babai im u sëmur. Kishte thyer ijën. Mbeti invalid. Vdiq, i goditur nga një krizë zemre, gjatë një shpërnguljeje me qerre. Ime më nuk arriti as të merrte ambulancë për ta transportuar. Në pak kohë humba tre anëtarë të familjes sime”.
– Ç’vuajtje të tmerrshme!
– “Kam parë shumë njerëz të vuanin rreth meje; intelektualë, inxhinierë, klerikë, por dhe fshatarë e punëtorë. Gjyqet ishin vetëm farsa të poshtra, sepse vendimet ishin vendosur shumë kohë më parë nga ministri i brendshëm. Vinçenc Prendushi, françeskan, poet i madh, që ishte kreu i Kishës Katolike, u arrestua në moshën 86 vjeç dhe u akuzua se ishte pjesë e “Klerit reaksionar” se, ishte “armik i popullit”, “bashkëpunëtor”, “fashist”, “agjent i Vatikanit” dhe se kishte bërë përpjekje për të përmbysur qeverinë. U dënua me njëzet vjet burg dhe me punë të detyruar. Iu përgjigj gjykatës, se nuk kishte vepruar kurrë keq në jetën e tij, se nuk kishte ushtruar asnjë diskriminim.
E mbaj mend mirë, sepse me të ndaja të njëjtën qeli të vogël, së bashku me nja tridhjetë burra të tjerë. Rrinim të ngjeshur në më pak se 40 metra katror, por linim hapësirë rreth Argjipeshkvit në shenjë respekti ndaj tij. Për më tepër, mes nesh, të burgosurve, s’kishte më dallime: pak rëndësi kishte pozita jonë shoqërore apo edukimi ynë intelektual. Qëllova pranë tij dhe u bëmë miq pa dallim përkatësie fetare, sepse unë jam mysliman. Qëndruam bashkë deri ditën e vdekjes së tij, më 1948. Biseda jonë kishte të bënte sidomos me letërsinë dhe, veçanërisht, poezinë.
Shtova:
– Imzot Prendushi ka marrë pjesë në mbledhjen e thesareve të poezisë gojore shqiptare. Ai ka shkruar edhe poezi shumë të bukura si ‘Gjethë dhe Lule’ dhe ka përkthyer në shqip kryevepra të letërsisë evropiane. Argjipeshkvi i Shkodrës ka vepruar gjithashtu dhe si ndërmjetës në kohët shumë të vështira që jetonte Shqipëria në fillimet e periudhës së fitores së pavarësisë më 1912. Si ka mundësi që u trajtua si armik të popullit?
– Vuaja shumë për të, më tha Arshi Pipa, kur tregonte se e kishin torturuar. Policët e kishin goditur plakun me shkopinj. I kishin lidhur duart dhe këmbët dhe e kishin varur në tavanin e një dhome ku kishte vuajtur, deri sa kishte humbur ndjenjat. Imzot Prendushi, iu nënshtrua punës së detyruar. I duhej të shkarkonte kërcunj druri, nga një karrocë që ndodhej në rrëzë të kodrës, mbi të cilën ndodhej burgu dhe t’i sillte deri te ndërtesat. Ishte punë e rëndë për të, që vuante nga një hernie. Rojet nuk pushonin së talluri me të, duke e fyer me tonin e zërit të tyre, kur shqiptonin vetëm fjalën “Prift”! Talleshin me të, duke i thënë: “S’ke punuar kurrë në jetën tënde”?! dhe përfitonin nga kjo, për ta rrahur dhe për t’i ngarkuar drurë të mëdhenj të shpinë.
– Vdiq nga torturat? thashë.
– Vdiq në spitalin e Durrësit ku ndodhesha i shtruar dhe unë, në të njëjtën kohë me të. Vuante nga një sëmundje zemre dhe kriza astme. Mjekët ishin shumë të përkushtuar, për t’ia lehtësuar dhimbjet. Mendova se në çastin e prishjes me Jugosllavinë, mund të përfitonte nga ndonjë amnisti, por nuk ndodhi kështu. I qëndroja shpesh te koka natën dhe dëgjoja me dhimbje të madhe rënkimet e tij, për shkak të astmës. U përpoqa t’i bëja masazh te këmbët, siç bënim shpesh me të burgosurit e sëmurë. Problemi ishte se bënte shumë ftohtë. S’kishim dru mjaftueshëm, për ta mbajtur zjarrin të ndezur gjithë natën. Dhe ishim gjithë kohës në errësirë. Peshkopi më kujtonte fjalët e Gëtes: “Dritë, më shumë dritë”! Ai përsëriste fjalët e proverbit shqiptar “T’u bëfshin sytë dritë, për botën”! Ishte një thirrje për një mendim të ndriçuar, por edhe për spiritualitet dhe misticizëm. Vinçenc Prendushi, pati fatin e zi që njohën shumë shqiptarë të tjerë, duke pranuar të vdesin, pa i tradhtuar bindjet e tyre. Vdiq në shkurt 1949. Ia mbylla unë sytë. Gjeti paqen. Vdiq për idealin e tij.
– Kur mendoni të ktheheni në Shqipëri për t’u takuar me të afërmit, me të cilët jeni ndarë prej kaq shumë kohe dhe s’keni mundur as të mbani korrespondencë?
– Do të kthehem në Shqipëri pas disa muajsh, kur procesi demokratik të ketë nisur mirë; do të shkoj pas mbi tridhjetë vitesh mungesë. Ç’lumturi të shoh tokën time të lindjes dhe familjen time, pas një mungese kaq të gjatë, si një natë e përjetshme heshtjeje!
Arshi Pipa s’reshti së luftuar me pendë që kultura e vendit të tij të mos zhdukej. Përmes diskutimeve që patëm, dukej se nuk kishte synim të angazhohej politikisht, por si demokrat i sinqertë, donte të mbështeste ecjen e shqiptarëve, drejt demokracisë. Kishte shpirt mjaft liberal.
Profesor Arshi Pipa e vlerësonte shumë që zëri i tij të mund të dëgjohej në konferenca në Evropë, në një periudhë kur mediat interesoheshin për përmbysjet në ish-vendet e Lindjes. Në ndërhyrjet e tij publike, ai nuk e paraqiste veten si viktimë, duke qëndruar i rezervuar, lidhur me rrugëtim e tij personal. Fliste më shumë si njeri i letrave dhe filozof dhe i analizonte zhvillimet politike, në një kontekst të zgjeruar. Në bisedat private, kishte humor si gjithë banorët e Shkodrës. Më fliste shumë për letërsinë, sidomos për letërsinë italiane, me të cilën ishte shumë i lidhur. I pëlqente të tregonte anekdota, të nxjerra nga tregimet e Dekameronit të Bokaçios, që ia kishin ushqyer imagjinatën në burg. Një ditë, më foli duke qeshur për periudhën që kishte jetuar në Shqipëri, pas daljes nga burgu:
– Pas dorëheqjes sime, familja ime u ndodh në mjerim. Unë dhe motra, jetuam duke shitur kopsa, që i prodhonim vetë me argjilë që e nxehnim dhe e thanim. Pastaj prisnim rrotullame, ku bënim vrima për të kaluar fillin dhe i lyenim këto kopsa me ngjyra të ndryshme. Ime motër, që ishte e detyruar të punonte në një fabrikë tullash, ishte shumë e zonja për këtë. Çfarë s’na është dashur të bëjmë, për një garuzhde me supë!
– Çfarë pune e bukur për një intelektual! thashë, ndërkohë që mund t’i kishit përdorur dijet tuaja, për të arsimuar rininë. Shqipëria u privua nga intelektualët më të mirë duke i shfarosur, duke i burgosur ose duke i degdisur nëpër fshatra për të punuar tokën. Çfarë shpërdorimi! Përveç disa njerëzve me integritet, pseudo-shkencëtarët dhe pseudo-studiuesit, që përbënin elitën e re intelektuale, nuk reshtën së kënduari refrenin e këngëve të Partisë dhe së mburruri mendimtarët Marks, Engels, Lenin dhe Hoxha. Më kujtohet një profesor letërsie, ithtar i realizmit socialist, shkrimet e të cilit kritikonin letërsinë klasike, që më shihte me sy të egërsuar kur kryqëzohesha me të në korridoret e Bibliotekës Kombëtare.
– Duhet të ketë qenë Koço Bihiku. E kam vuajtur edhe unë armiqësinë e tij. Ka qenë nxënësi im në Durrës. Mori pjesë në dënimin tim.
– Po, pikërisht për të e kam fjalën. Arshi Pipa kishte qëndruar gjithmonë i rezervuar, për sa i përket persekutuesve të tij. Kur e takova profesorin një herë tjetër, isha kureshtare të mësoja opinionin e tij, në lidhje me atë që shqiptarët e quanin “gjuha e unifikuar”, gjuha zyrtare e Shqipërisë, e përpunuar me kujdes në fillimet e sistemit komunist; ndaj e pyeta për këtë çështje:
– Në kohën e qeverisjes së Enver Hoxhës, kam vënë re shpesh një varfërim të gjuhës shqipe, duke lexuar shtypin dhe dokumentet e propagandës si dhe botimet universitare. Në to shpaloset një gjuhë e ngurtë, uniforme, e varfëruar nga pasuria e fjalorit të saj. Ishte si e filtruar, e mbrujtur me vetëpërmbajtje, e zbutur, puritane, e mbajtur në kontrollin e Sigurimit. Përmes shprehjes gjuhësore, mund të dalloje lehtë studiuesit cilësorë që dëshmonin një penë novatore dhe që shpalosnin një gjuhë jashtë kornizave.
– Po, e kam vënë re, por dua të kujtoj një prej betejave të mia, atë kundër vendosjes së asaj, që quhet gjuha e unifikuar, m’u përgjigj Arshi Pipa. Duhet folur për turpin e reformës që nisi që prej vitit 1972, për të krijuar një gjuhë të re letrare.
E ndërpreva profesorin:
– E di që shqipja është një gjuhë me dy dialekte, e përbërë nga toskërishtja në Jug, që flitet në fushën e Myzeqesë dhe midis Beratit dhe Korçës, me disa variante krahinore, dhe gegërishtja, e folur në Veri, deri në Elbasan edhe ajo me variantet e saj krahinore, si dhe në Kosovë e Maqedoni. Përveç dallimeve të tjera, toskërishtja përdor ë-në e pazëshme dhe pengesën në përdorimin e r-së, gegërishtja dallohet nga përdorimi i hundoreve. Ju keni shkruar mjaft vepra në anglisht, por librat e parë dhe kujtimet tuaja, janë shkruar në dialektin gegë. Tani, shqipja që mësohet dhe të gjitha shkrimet që kam lexuar, që mbulojnë periudhën pas viteve pesëdhjetë, janë hartuar në dialektin toskë.
– Format gjuhësore që gjeni janë ato që i përkasin asaj që e quaj ULLA, shkurtim i termave anglisht Unified Literary Language of Albania. Politika gjuhësore e qeverisë komuniste ishte të sheshonte dallimet dhe të krijonte një mënyrë të shprehuri të përbashkët.
Pata dëshirë të qeshja duke dëgjuar termin ULLA, sepse, ato vite, shiheshin shpesh në mure reklama erotike mbi të cilat shkruhej me shkronja të mëdha emri ULLA, përkrah një fytyre gruaje të tipit nordik, e shoqëruar me një numër telefoni të Minitelit rozë. Por ruajta seriozitetin dhe vazhdova të dëgjoj profesorin.
– Para luftës, në vitin 1917, në Shkodër u krijua një komision letrar. Ai mendoi për konvergjencën e dy dialekteve duke zgjedhur dialektin gegë të Shqipërisë së Mesme, atë të krahinës së Elbasanit me qëllimin që të mbërrihej në një gjuhë letrare të përbashkët. Kjo zgjedhje ishte propozuar nga gjuhëtari i madh Gustav Weigand, që kishte botuar në Lajpcig, më 1913, një gramatikë të shqipes në dialektin e jugut të Gegërisë. Ai merrte parasysh të folurat e krahinave të Durrësit, të Tiranës dhe të Elbasanit. Pas vitit 1950, mbizotëroi vija ideologjike e Partisë Komuniste Shqiptare. Ajo u frymëzua nga një shkrim i Stalinit, ‘Marksizmi dhe gjuhësia’, botuar më 1950, që thotë se; kur dy gjuhë janë në konflikt, njëra prej tyre fiton dhe tjetra vdes.
Ai i referohej teorisë së N. Marr, një gjuhëtar gjeorgjian, që mbështeste idenë se fjalori i një gjuhe, duhet ta dominojë tjetrin. Në fakt, midis dy dialekteve të shqipes, nuk kishte konflikt. Ime më ishte një gege dhe im atë ishte toskë. Kurrë nuk kemi pasur mosmarrëveshje në të shprehur, as në të shkruar. Me vendosjen e komunizmit, me të shpejtë u ndalua që të flitej gegërisht në shkolla, zyra dhe në radio. Një dhjetë vjet, iu dha fund një bashkëjetese shekullore të të dy dialekteve. Gegërishtja u zhduk nga librat shkollorë. Qeveria kërkonte një reformë të shpejtë. Megjithatë, një gjuhëtar i madh shqiptar, Eqrem Çabej, thoshte se; studimet nuk kishin përparuar mjaftueshëm dhe se duhej një përafrim i vazhdueshëm në kohë. Edhe ky gjuhëtar ka vuajtur; ai u izolua për “pikëpamje të huaja”. Më 1954, fjalori i shqipes, drejtuar nga Androkli Kostallari, drejtori i Institutit të Gjuhësisë në Tiranë, vulosi hegjemoninë e toskërishtes.
Nuk duhet harruar se shumica e drejtuesve komunistë, ishin toskë. U krijuar një gegofobi e vërtetë, ndërkohë që gegërishtja, dëshmonte për një pasuri shumë të madhe fonetike, të ilustruar nga autorët tanë më të vjetër. Për qeverinë komuniste, kjo çështje e përqafimit të një gjuhe letrare të përbashkët, duhej zgjidhur detyrimisht sa më shpejt. Meqë autorët e parë shqiptarë dhe shkrimtarët më të mëdhenj të shekujve XVI-të dhe XVII-të, ishin produkt i gegërishtes dhe, njëkohësisht, i priftërinjve katolikë, Partia rekomandoi hedhjen poshtë të dialektit gegë.
– Ju përmendni Androkli Kostallarin. Më kujtohet ajo që nxori nga goja kur erdhi të mbante një kumtesë në Institutin e Gjuhëve orientale në kuadrin e shkëmbimeve kulturore me Francën. Ai e paraqiti shkencën gjuhësore shqiptare, sikur të ishte krijuar e gjitha që prej vitit 1945, nga hiçi. Ai deklaroi se para Çlirimit, s’ishte bërë asgjë: as fjalorë, as gramatika. Pohimet e tij ishin madje qesharake. Me gojën e tij u shpreh mendimi i Partisë Komuniste Shqiptare, që kishte shtënë në dorë të gjithë prodhimin shkencor shqiptar dhe që zbatonte një nacionalizëm të dhunshëm. Mund të shfajësohej, duke menduar se në sallë, duhet të ishin disa bashkëpunëtorë të vendit të tij, të ngarkuar të mbikëqyrnin fjalën e tij? Megjithatë, shkrimet e tij përforconin ato që thoshte. Si mundej ky gjuhëtar, t’u vinte fshesën autorëve të gramatikave dhe fjalorëve, si Frang Bardhi që kishte botuar një fjalor latinisht-epirot më 1635, Gaspër Jakova, autor i një gramatike, Pjetër Mazreku nga Prizreni, autor i një fjalorthi, pa harruar fjalorin shqip-greqisht të Kostandin Kristoforidhit në shekullin XIX-të dhe fjalorët e Nikollë Gazullit, të vrarë më 1946?!
– Për mendimin tim, u përgjigj Arshi Pipa, autoritetet donin të hidhnin poshtë ndikimin e botës latine, atë të Perëndimit. Ata donin gjithashtu, dhe sidomos, të zhduknin elitën intelektuale të Veriut, që nuk kishte qenë vazhdimisht aktive gjatë shekujve dhe që kërcënonte të krijonte një lëvizje opozite, në mendjet e njerëzve. Për këtë qëllim, të gjitha dokumentet e Partisë, që në fillim, u hartuan në toskërisht. Shtyp, radio, teatër, kinema, të gjithë sektorët e jetës kulturore, u desh të binden. Në dhjetë vjet, iu dha fund bashkëjetesës shekullore të dialekteve. Gegërishtja u ndalua, por gjuhëtarët, të ngarkuar të sajonin ULLA-n, u detyruan të merrnin fjalë specifike të gegërishtes, që nuk gjendeshin në toskërisht dhe t’i toskëzonin.
Thellë-thellë mendova: “është tamam ULLA, një lloj prostitucioni i gegërishtes”, por e lashë Arshi Pipën të flasë:
– Gjuha shqipe është damkosur nga ai shtet totalitar, që ishte Shqipëria në periudhën e pushtetit stalinist. Qeveria donte të formësonte një shtet homogjen, nën flamurin e komunizmit. Ajo zbatoi sloganin; “një komb, një gjuhë”, duke imponuar në të gjithë territorin “gjuhën e unifikuar”, që nuk ishte rezultat i një përafrimi gradual, konvergjenca e natyrshme e dy dialekteve të shqipes; me vendime të shpejta dhe të befta, ajo sanksiononte zgjedhjen e toskërishtes, dialektit jugor, në dëm të veçantive të gegërishtes, dialektit verior. Kështu mund të realizohej hegjemonia e Jugut mbi Veriun. Rasti shqiptar ilustron qartë, se si një pushtet politik arbitrar, mundet të manipulojë armën gjuhësore, për t’u imponuar në të gjithë territorin. Tash e tutje, gjuha e unifikuar, mund të propagandonte ideologjinë.
– Mendoj se këto ndryshime të befta, duhet të jenë pritur keq në Veri!
– Po, por gegërishtja u ruajt në familje. Dijeni se gramatikat e botuara jashtë shtetit, ajo e Namik Resulit, botuar më 1985, në Padova, ajo e Oda Buchholz dhe ajo e Wilfried Fiedler, në Lajpcig më 1987, si dhe ajo e Martin Camajt, botuar në Wiesbaden më 1984, respektojnë elementet përbërës dhe zhvillimin e gjuhës shqipe. Ajo që do të ndodhë në lëvizjen aktuale, është një rilindje e gegërishtes, veçanërisht në bisedat midis njerëzve të Gegërisë; do të ketë debate, por gjuha letrare e unifikuar, do të mbijetojë. Është tepër vonë për një ndryshim.
Duke menduar për ligjërimin që profesor Pipa, kishte mbështetur në disa botime, i bëra pyetjen:
– Çfarë mendonin për ju në Shqipëri, sepse të gjitha demonstrimet tuaja, të gjitha të vërtetat që mbronit në shkrimet tuaja, edhe pse nuk mund të lexoheshin në vend, duhet të kenë shkuar në veshët e drejtuesve shqiptarë dhe të elitave komuniste?
M’u përgjigj:
– Isha në dijeni të gjithçkaje shkruhej për mua, të të gjitha fjalëve poshtëruese që thuheshin për mua. Kjo nuk më frikësoi dhe nuk më bëri të ndryshoj mendim.
– Por u prek nderi juaj?!
– Po, por s’kam urrejtje. Ky ishte një qëndrim tipik komunist. Nuk e di nëse kritikët e mi, e mendonin vërtet atë që thoshin apo shkruanin?! Më kritikonin, që të shiheshin me sy të mirë nga regjimi. Nxiteshin ta bënin këtë, në klimën e frikës që mbretëronte, për të treguar se nuk ishin kundërshtarë dhe se nuk i miratonin idetë e intelektualëve shqiptarë, të mërguar. I trembeshin burgut.
Përmenda opinionet që ishin lëshuar kundër profesorit:
– Kam gjetur shumë herë, formulat e zakonshme të fjalimeve për të luftuar kundërshtarët, jo vetëm në shkrimet e Enver Hoxhës, që kishte shkruar dhjetëra vepra, por edhe në ato të shkrimtarëve dhe studiuesve shqiptarë, si në Shqipëri dhe në Francë. Opozitarët shqiptarë, trajtoheshin si agjentë të CIA-s, agjentë si UDB-së (shërbimet sekrete jugosllave), si revizionistë dhe social-imperialistë, etj.
Arshi Pipa, pa iu dridhur qerpiku dhe pa mëri, m’u përgjigj qetësisht:
– Po, më quanin agjent të CIA-s. Kritikat kundër meje, shkonin deri në paranojë.
– Në fakt, në veprën e tij ‘Titistët’, Enver Hoxha e bëri këtë akuzë kundër jush, një akuzë krejt klasike!
– Madje shkroi se isha arratisur nga vendi im, me shpresën se do të fitoja lavdi në Perëndim dhe se isha shkrimtar mediokër, pa lavdi dhe xheloz për shkrimtarët shqiptarë, të realizmit socialist. U akuzova si denoncues. Madje më kritikonte se isha plak dhe i sëmurë.
– Ndërkohë që dhjetë vitet e burgut që keni kaluar, duhet të ngjallin respekt. Në të njëjtën kohë me kritikat që synonin që ju të konsideroheshit si spiun, si një nga armiqtë më të frikshëm të regjimit, kundër jush qarkullonin lajme të rreme, si ato që thoshin se ishit arratisur në BRSS dhe kishit shkruar një biografi të Enver Hoxhës. Kjo s’kishte kuptim?!
Mendova se kishte ardhur koha të mbrohej nderi i profesor Pipës, një nga viktimat e shumta të komunizmit shqiptar dhe e vërteta të dilte në shesh.
Profesor Arshi Pipa nuk ishte hakmarrës dhe nuk donte të hynte në polemikë. Shqetësimi i tij kishte qenë, lufta kundër një ideologjie shkatërrimtare. Ai s’kishte urrejtje personale, kundër kritikëve të tij.
Arshi Pipa vdiq më 20 korrik 1997, në SHBA-ës. Guximi dhe vlerat intelektuale të këtij humanisti, u shpërblyen. Ai u shpall ‘Qytetar Nderi’ i Shkodrës. Aktualisht, kujtimi i tij përjetësohet dhe nderohet nga Shtëpia Botuese “Camaj-Pipa”, që mban emrin e tij, krahas atij të një shqiptari tjetër, shkrimtar i emigracionit: Martin Camaj. Ka gjithashtu dhe një çmim letrar “Arshi Pipa”.
Si patriot besnik, profesor Pipa, ruajti dhe mbrojti kujtesën kulturore të vendit të tij. Shqipëria i dha më në fund vendin që meritonte këtij dijetari të madh, mbi të cilin ishte hedhur baltë dhe i ngriti një bust ashtu si vëllait të tij, edhe ai patriot i madh i martirizuar. Memorie.al
Përktheu: Tomi Nakuçi
Marrë nga exlibris.al