Nga Luan Rama
Pjesa e dytë
Memorie.al / Në dialogun e tij me poetin e madh francez Alain Bosquet, Jashar Qemali kujtonte në Paris rininë e tij dhe miqësinë me dy vëllezërit shqiptaro-turq, Arif dhe Abedin Dino, nipat e Abedin Pashë Dinos, një prej figurave të shquara të lëvizjes kombëtare të kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe djemtë e Rasih Dinos, një nga firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë shqiptare, por dhe emisar besnik që Qemal bej Vlora, e dërgoi pranë kancelarive europiane, për njohjen e shtetit të ri shqiptar…! Arifin, Jashar Qemali e cilësonte si frymëzuesin e tij shpirtëror, që siç shkruante ai; “përmes tij unë zbulova rrugët që të çonin te njeriu. Që para se Dinot të vinin në Adana, unë e njihja emrin e tyre dhe kisha dëgjuar për ta. Kisha lexuar poezitë e Arifit dhe kisha parë vizatimet e Abedinit. Në fillim u njoha me Arifin dhe i dëgjoja shumë këshillat e tij. Arifi ishte një admirues i Rimbaud (Rembosë), madje e dinte përmendësh.
Në Greqi, grekët e njihnin për një mjeshtër të madh të vizatimit, siç e pikasën në tablotë e ekspozuara në Athinë apo dhe në afishen e Festivalit të Delfit të pikturuar nga ai, në maj të vitit 1930. Arifit i pëlqente shumë dhe Apollinaire, miku i shqiptarit të madh Faik Konica. Madje dhe në revistën Albania të Faikut, ai kishte botuar shkrime në mbrojtje të Shqipërisë. Shkruante vargje nën frymëzimin e Apollnaire:
Në orën blu,
Lëngu njitet nga dega
Drejt mollës,
Eva e kafshon,
Lëngu kërcen
hyn dhe lag
buzë zjarri,
që gjithnjë kanë etje”!
Ja dhe një tjetër poezi dashurie, kushtuar “princeshës F.S.”, siç shkruan ai në frëngjisht, me titullin Lettre d’amour (Letër dashurie):
“Dora tënde e bardhë
mund të më shpëtojë
Nëse je
ajo që adhuroj
Eja.
Ndryshe
fshije këtë letër,
varrose këtë letër,
në kriptin
e dashurive të tua
të vdekura”.
Shpesh, poezia e tij është dhe enigmatike, si në poezinë Gota e thyer, e shkruar në frëngjisht me titullin Verre brisé.
“Në tarracën me pllaka mermeri,
dymbëdhjetë gota u thyen,
kaskadë e qeshure kristaline
në copëza të vogla… fine…,
Mbrëmje mermeri të përgjakur,
natë varreze
në mëngjes qelqi i thyer,
rimerr të qeshurën e tij prej drite”.
Poezia e tij e frymëzonte gjithnjë Jashar Qemalin, ashtu si dhe linja poetike e vizatimit të tij. “Ditët që nuk shkoja në punë rrija me Arifin, nga mëngjesi në mbrëmje. Bisedonim për teatrin antik, Homerin, epopenë hitite të Kumarbi, Gilgameshin, dhe si gjithnjë për pikturën. Arif Dino ishte një piktor i madh. Ai nuk ekspozonte dhe nuk ua tregonte pikturat e tij veçse miqve. Shkruante poezi në turqisht dhe në frëngjisht”.
Padyshim që Dino ishte një nga poetët më imagjinues të Turqisë së asaj kohe dhe nga më modernët, por që mbeti i panjohur, pasi ai shkroi pak, ndryshe nga itinerari i gjatë letrar i Nazim Hikmetit, një poet po aq modern për kohën. Arifi shkruante:
“Shikim i dyfishtë.
Çfarë sheh
në zemrën time?
– Shoh
shkallë të rrënuara.
Asnjë aktor.
Asnjë spektator.
Dhe në skenën
e hijes,
heshtja që
ngashëren,
dramë e përjetshme
në zemër të përjetshme!”
Përmes poezisë së tij, Arifi kështu na çon në të tjera botë:
“I lodhur, dielli ulet mbi një çati.
E dëshpëruar hëna e rrëmbeu rrufepritësin
dhe bukuroshja këndoi:
Ti më do sepse unë të largohem
por unë i fshihem vetes
Dhe jehona e rizgjuar, duke u shtiqur do murmurisë
Heshtje”.
Shumica e poezive të Arifit, të shkruara drejtpërdrejt në frëngjisht, kanë humbur apo janë grisur nga vetë ai. Poezia “Triptik hebre” mund të cilësohet si një poezi e nivelit të lartë, e po të njëjtit nivel me poetët e mëdhenj modernë të asaj kohe, në metropolet e Europës:
“Nga më e bukura e sulamitëve
lulet e pemës së shenjtë të judesë,
nga parfumi yt buron dhe rilind
tempulli burimi dhe dafina
dhe nga ty tek unë zgjohet
ritmi vallja dhe volupteti yt,
pasi buza tënde është refleks
i pjatës së artë e
të përgjakur të Salomesë…”!
… Kështu shkruante poeti. Në këtë poezi është jo vetëm forca e fjalës dhe e figurës, por edhe kultura e tij mbi historinë biblike dhe judaizmin. Historia e kokës së prerë të Jean-Baptiste, rivjen dhe ulet në poezinë e tij, midis ngazëllimit dashuror dhe përgjakjes së një pjate të artë.
Kur vdes nëna e tij, më 27 nëntor të vitit 1930, Arifi shkruan poezinë, De Profundis:
“Të qeshura, gëzim
të qara, dhimbje
dhe vdekja që vjen pas
nëna ime ka vdekur”.
Edhe kinemaja ishte gjithashtu një nga pasionet e tij: amerikani Grifith, sovjetiku Eizenshtein, si dhe gjermani revolucionar Piscator. Siç shkruan studiuesi Nikos Stillos, i cili u është referuar kujtimeve të Ilia Vasilas, mik i Arifit në Greqi, “Arifi u shpërngul në Athinë, ku ishte bashkëpunëtor dhe aksioner i DAG Film A.E., e cila ishte firma e parë kinematografike e Greqisë, e themeluar në vitin 1920, prej vëllezërve Gaziadhi, me prejardhje prej Stambollit.
Në Athinë punoi si piktor, por edhe si aktor dhe një prej filmave më të njohur prej meje, të kinematografisë pa zë, ku ka luajtur ai, është: Porti i lotëve, i DAG Film, i xhiruar në vitin 1928, me protagonistë Athanasia Mustakën dhe Emilio Veaqin. Pas shfaqjes së parë të këtij filmi, e cila u bë në janar të vitit 1929, u rikthye në Stamboll dhe filloi të shkruajë kritikë arti në revistën Yeni Adam.
Me kthimin e tij në Stamboll, në vitin 1929, sipas shkrimeve të Osman Kurrizit, të cilat janë ende të pabotuara në një libër, ai solli me vete edhe muzikantin nga Preveza, klarinetistin e njohur, Niko Xharën, për të vazhduar më tej studimet e tij, gjë që ia siguroi ai, duke i dhuruar edhe një klarinetë turke, e cila sot gjendet në koleksionin e të birit të Niko Xharës, Dhimitrit.
Në vitet 1939-1942, duke botuar poezi në revistën përparimtare Yeniler, ai hyri në lëvizjen kundër pushtimit fashist dhe për pasojë u internua në qytetin e vogël Mecitozu të krahinës Çorum të Turqisë, kurse më vonë në Adana, së bashku me të vëllain e vet, Abedinin. Në vitin 1951 u rikthye në Stamboll, në shtëpinë e vogël që mori në lagjen “Kuzguncuk”, në pjesën aziatike Uskudar të atij qyteti, ku jetoi i vetmuar vitet e fundit të jetës së tij, pasi nuk ishte i martuar, ku edhe vdiq më 30 mars 1957”.
Kështu, tek Arifi pikëtakoheshin të tria llojet e artit: piktura, poezia dhe filmi. Dhe çdo krijim i tij ishte shprehje e filozofisë së tij humaniste, ishte një dëshirë për përsosjen shpirtërore të njeriu.
“Do të isha vetë Zoti
nëse do të isha tërësisht Njeri
i lirë.
Po Zoti (nëse ekziston)
a është vërtet
i lirë?”
Dhe në një tjetër poezi ai shtonte:
“S’dua të jem zero
të shtoj pas njëshit
vlerat e tij.
S’dua të jem zero
para njëshit të zhbëj
vlerat e tij.
Unë jam baras me njëshin”.
Entretiens avec Bosquet, botimet “Gallimard”. / Memorie.al













