Nga Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Që nga fundi i nëntorit të vitit 1944 kur erdhi zyrtarisht në pushtet, e deri sa vdiq në vitin 1985, diktatori komunist Enver Hoxha, duke dashur që t’i ngjante idhullit të tij, Josif Visaranoviç Stalinit dhe duke ndjekur “rrugën” e tij, hera herës ndërmerrte spastrime në udhëheqjen e lartë të PPSH-së, gjë të cilën praktikisht e kishte filluar që nga viti 1941, me Anastas Lulën e Sadik Premten, e vazhdoi me Koci Xoxen (dhe grupin e tij) në vitin 1948-’49 dhe e mbaroi në vitin 1981-’82, me të ashtuquajturin “Grupi armiqësor i Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut”. Në këtë interval kohor prej më se katër dekadash, siç dihet tashmë, ai eliminoi pothuaj të gjithë themeluesit e Partisë Komuniste Shqiptare, anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së dhe drejtuesit kryesorë të ashtuquajturës “Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare”, aq sa nga viti 1960 e, deri në shembjen e regjimit komunist në 1990-ën, vetëm Pilo Peristeri kishte shpëtuar nga burgu apo internimi, duke iu gëzuar privilegjeve si kandidat i përjetshëm i Byrosë Politike dhe funksionit të drejtorit të Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”!
Por, ndryshe sa kishte bërë deri në fillimin e viteve ’70-të, ku “shpata” e Enver Hoxhës kishte rënë kryesisht mbi udhëheqjen e lartë të PKSH-së, (Koci Xoxe, Kristo Themelko, Sotir Vullkanim Ramadan Çitaku, Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Liri Gega, Gjin Marku, Koço Tashko, Liri Belishova, etj.), të cilët ai i kishte akuzuar për “devijatorë të vijës së Partisë” dhe i kishte dënuar si “tradhtar dhe armiq të popullit”, në mesin e viteve ’70-të, diktatori Enver Hoxha filloi goditjen edhe ndaj disa anëtarëve të Byrosë Politike, që mbanin edhe poste ministrore, si Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, duke i akuzuar ata edhe si “sabotatorë” të Ekonomisë Socialiste”!
Dhe ashtu siç kishte bërë me Beqir Ballukun, Petrit Dumen e Hito Çakon, (të cilët u dënuan me vdekje dhe u pushkatuan), ku për të vërtetuar “veprimtarinë e tyre armiqësore”, Enver Hoxha dënoi me burgje dhe internime edhe një grup të madh oficerësh madhorë, edhe me të ashtuquajturin “Grupi sabotator i Ekonomisë”, ku përveç Këllezit dhe Theodhosit, bënin pjesë edhe dy ministrat Kiço Ngjela e Vasil Kati, u akuzuan dhe u dënuan edhe disa funksionarë të lartë të sektorit të Tregtisë, drejtorë e specialist të njohur, siç ishin Andrea Manço, Ahmet Jegeni, Bardhyl Frashëri etj., si dhe të sektorit të Naftës, si; drejtues, inxhinierë e specialist të njohur, si; Filip Nashi, Beqir Alija, Koço Plaku, Milto Gjikopulli, Protoko Murati, Dhimitër Stefa, Jani Konomi, Nuredin Skrapari, etj.
Siç do të shohim edhe në dokumentet në fjalë, procesin hetimor ndaj ndaj të ashtuquajturit “Grupi armiqësor e sabotator i Ekonomisë”, që kishte realizuar Ministria e Brendshme dhe Sigurimi i Shtetit, me akuza të montuara dhe dëshmi të rreme apo të marra nën torturë, etj., e vazhdoi edhe Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë me në krye Aranit Çelën, duke i “kanalizuar” akuzat edhe nga ana “juridike”, për të “vërtetuar” ato që kishte thënë Enver Hoxha në Plenumet e Komitetit Qendror të PPSH-së, ndaj Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit, Kiço Ngjelës, Vasil Katit etj.
Sa më sipër për të gjithë këta, pas viteve ’90-të, është folur dhe shkruar shumë, si nga pjesëtarë të atyre “grupeve”, familjarë të tyre, etj., etj., Memorie.al ka siguruar dokumentet arkivore të Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë të asaj kohe dhe ish-Presidiumit të Kuvendit Popullor, ku është marrë në shqyrtim “Grupi armiqësor i Ekonomisë”, “Tregtia” dhe “Nafta”, të cilat shohin dritën e botimit për herë të parë, dokumente të cilat po i publikojmë në disa numra, bashkë me fotot e faksimilet përkatëse.
Në pjesën e parë dhe të dytë të këtij cikli shkrimesh, po publikojmë dokumentet ku bëhet fjalë për ish-drejtorit të Makinaimportit, Andrea Manço me origjinë nga fshati Boboshticë e Korçës,, vëllai i të cilit Todo Manço, për vite me radhë kishte shërbyer si kryeinxhinier dhe drejtor i minierës së kromit të Bulqizës, e gjithashtu për disa legjislatura me radhë edhe deputet i Kuvendit Popullor, i cili kur u nda nga jeta më 6 nëntor 1974, iu bë një ceremoni madhështore mortore, me homazhe në qendër të kryeqytetit, ku përveç Enver Hoxhës, mori pjesë e gjithë udhëheqja e lartë e PPSH-së, me në krye kryeministrin Mehmet Shehu. Ndërsa Todo Manços, (“Hero i Punës Socialiste”) do t’i bëheshin gjithë këto nderime, vëllai i tij, Andrea, afro dy vjet më pas, do të torturohej në qelitë e Sigurimit të Shtetit dhe do të dënohej me vdekje, me pushkatim, si “armik i popullit” dhe “agjent i agjenturave të huaja”, e varri i tij, ende nuk është gjetur!
AKT- AKUZA E GJYKATËS SË LARTË TË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË DHE VENDIMI PËR DËNIMIN ME VDEKJE, ME PUSHKATIM, TË DREJTORIT TË MAKINA-IMPORTIT, ANDREA MANÇO
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 11. Regj. Themeltar.
Nr.11 i Vendimit
VENDIM
NË EMËR TË POPULLIT
Gjykata e Lartë e Republikës Popullore të Shqipërisë, përbërë prej:
Lumturi Resnja, Anëtare e Gjykatës së Lartë
Mit’hat Goskova, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Fehmi Lagreta, Nd. Gjyqtar i Gjykatës së Lartë
Të asistuar prej sekretarit Sadik Mema, me pjesëmarrjen e Prokurorit Edmond Sanxhaktari, sot në datën 20.5.1976, mora në shqyrtim në seancë gjyqësore me dyer të mbyllura, çështjen penale Nr.11 që i përket të pandehurit. Duke vepruar në këtë mënyrë, i pandehuri Andrea Manço përpiqej të realizonte synimet e tij prej armiku, të sabotonte ndërtimin ekonomik të vendit dhe të hapte dyert e këtij sektori, për imperializmin dhe social imperializmin, i cili të kishte mundësi të fuste në Shqipëri sa më shumë spiunë.
Administrimi i provave në seancë gjyqësore vërtetoj, se kjo makinë elektronike llogaritëse me një vlerë 500.000 dollarë edhe sot nuk e kryen funksionin për të cilën është blerë plotësisht, sepse paraqet shumë defekte teknike. Duke dhënë shpjegime rreth këtij fakti, i gjykuari Andrea Manço ka pohuar se makinës elektronike i mungonin disa programe dhe stacioni fushor, të nevojshme këto për studime të plotë gjeofizike.
Me qëllime armiqësore dhe sabotuese dhe me qëllim që t’i lihej rrugë e lirë ardhjes në Shqipëri të sa më shumë agjentëve amerikanë, në akt-marrëveshjen e blerjes së makinës, nuk është përcaktuar kushti i domosdoshëm se, nuk i lejohet ardhja në Shqipëri e specialistëve me shtetësi amerikane. Kjo ka bërë që gjoja për të rregulluar defektet që paraqet makina, të lejuara nga vetë firma, janë dërguar prej tyre “specialistë” të ndryshëm, të cilët i kanë shtuar defektet e saj.
Firma Amerikane duke lidhur këtë akt-marrëveshje ka menduar se tani e çeli një derë për të futur në Shqipëri agjentët e saj lirisht. Kështu, në një përgjigje të një kërkese drejtuar asaj nga ana e “Makina-importit”, për të dërguar në Shqipëri specialistë me shtetësi kanadeze për rregullimin e makinës, ajo, bëri presion se specialistët me shtetësi të tillë, nuk ka dhe prandaj gjoja është detyruar t’i dërgojë ata me shtetësi amerikane. Po në këtë mënyrë në akt-marrëveshje nuk përcaktohet qëllimisht edhe mundësia e tërheqjes së pjesëve të këmbimit, kur kjo të bëhet e nevojshme.
Në këtë mënyrë, si për specialistët ashtu edhe për pjesët e këmbimit të kësaj makinerie, firmës amerikane me dorën e tradhtarit dhe sabotatorët Andrea Manço, është përpjekur të na diktojë kushtet e saj sipas të cilave, o të detyrohemi ne të pranojmë “specialistë” (spiunë) amerikanë ose, defektet bëhen të pa riparueshme, o të detyrohemi ne të pranojmë, që për të marrë pjesë këmbimi, të kërkojmë leje sa herë shihet kjo e nevojshme, Departamentit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ose kjo makineri elektronike, do të dalë jashtë funksionimit dhe sipas tyre studime në këtë fushë të rëndësishme të ekonomisë, nuk do të ketë.
Koto llogari ka bërë Departamenti i Shtetit dhe CIA e saj, së bashku me armikun Andrea Manço, kur lidhën këtë akt-marrëveshje. Por llogaritë e tyre ata i bën gabim, pasi ata nuk llogaritën forcën e Partisë sonë, zgjuarsinë dhe patriotizmin e popullit, të klasës tonë punëtore dhe të inteligjencës tonë popullore, për të çarë çdo bllokadë të armiqve, për të zbatuar deri në një porosinë e Partisë për ndërtimin e socializmit me forcat tona.
I pandehuri Andrea Manço, konsekuent në veprimtarinë e tij armiqësore, duke shfrytëzuar postin e drejtorit të “Makina-importit”, ka lejuar lidhjen e marrëveshjeve me firma të tjera Amerikane, si p.sh. “Ampeks”, “Welleylob Colorado Usa”, me të cilët është kontraktuar në një shumë 1.420.000 dollarë.
Në vijim të kësaj veprimtarie sabotuese, i pandehuri Andrea Monço, me ndihmën dhe nën ndikimin e drejtpërdrejt të tradhtarëve Kiço Ngjela e Koço Theodhosi, ka lejuar kontraktimin për blerjen e 18 makinave vet-shkarkuese “Dumper”, me një firmë angleze, për hidrocentralin e Fierzës. Duke mos llogaritur zvarritjen e zgjidhjes të këtij problemi, mënyra e lidhjes së kësaj marrëveshje i ka kushtuar ekonomisë tonë, 1.300.000 dollarë, pasi të 18 makinat vet-shkarkuese “Dumper”, kanë qenë me defekte serioze.
Për shkak të këtyre defekteve, ato mbetën për një kohë relativisht të gjatë pa u vënë në funksionim, duke penguar seriozisht punët në këtë hidrocentral. Veç kësaj me pretekstin e riparimit të tyre, i pandehuri ka lejuar ardhjen në Shqipëri të 27 “specialistëve” (spiunëve) anglezë. Këtë e vërteton fakti që edhe ato pak makina prej tyre, të vëna në përdorim u riparuan me forcat e specialistëve tonë. “Lidhur me këtë marrëveshje pohoj gjatë gjykimit i pandehuri Andrea Manço, unë i kam drejtuar një letër anonime qeverisë, dhe këtë veprim e kam quajtur sabotim. – Por, – vazhdon ai, sabotuesi jam unë”.
Drejtimi tjetër i sabotimit ekonomik të kryer nga i pandehuri, është shkelja e orientimit të dhënë nga Partia, sipas të cilit vendi i jonë ka zhvilluar dhe do të zhvillojë marrëdhënie tregtare me shtetet kapitaliste dhe revizioniste, në bazë të parimeve të bashkë-ekzistencës paqësore, të barazisë, të respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial dhe mos ndërhyrjes në punët e brendshme të njeri tjetrit dhe leverdisë reciproke.
Kështu i pandehuri Andrea Manço, në shtator të vitit 1974, ka lidhur një marrëveshje me firmën Çeke “Kerementall”, në të cilën parashikohej blerja nga ana e jonë e 60 copë automjeteve “Tatra”, kundrejt këmbimit me 24.550 ton krom. Lidhja e kësaj kontrate, me të drejtë ri eksporti për firmën Çeke “Karamentall”, i ka sjellë një dëm të rëndësishëm ekonomisë tonë popullore.
Provat e administruara në seancën gjyqësore dhe në veçanti pohimet e të pandehurit, vërtetuan se sasia e mësipërme e këtij kromi e dhënë mbi kufijtë e protokoll marrëveshjes së vitit 1974, me çmimin “Stop”. Është lejuar në një periudhë kur koniunktura e çmimeve të kromit në tregun botëror vinte duke u rritur. I pyetur rreth këtij fakti, dëshmitari Vasil Lato, deklaroi gjatë gjykimit se ai është thirrur për këtë problem nga armiku Kiço Ngjela, ish ministër i Tregtisë në atë periudhë.
“Në mbledhjen ku merrte pjese dhe i pandehuri, i cili është kontraktuesi i kësaj marrëveshje, – thotë dëshmitar Vasil Lato, – unë kam insistuar që ajo të mos lidhej, pasi në atë periudhë kromi kërkohej shumë në tregun botëror dhe çmimi i tij rritej çdo ditë. Lidhja e një marrëveshjeje të tillë nuk ishte me leverdi për ne. Kështu unë propozova që makinat “Tatra” të bliheshin me devizë të lirë. Mirëpo ky propozim nuk u pranua. Kështu që ne u detyruam të lidhnim një marrëveshje e cila, i ka sjellë ekonomisë tonë një dëm prej 833.000 dollarë”.
Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm për veprën e tij sabotuese, ky i pandehur, nuk mori, asnjë masë për denoncimin e kësaj marrëveshjeje qoftë edhe pjesërisht edhe atëherë kur dukej qartë humbja që do ti shkaktonte ekonomisë tonë nga lidhja e kësaj kontrate. Në vazhdim të veprimtarisë armiqësore, në vitin 1973, me aprovimin e të pandehurit, është lidhur një marrëveshje me firmën rumune “Uzina Eksport Import”, për blerjen e një drage me vleftë 2.003.000 rubla, nga të cilat 83.000 rubla 20 të paguheshin me devizë, të lirë, kurse diferenca prej 2.000.000, do të paguhej me rubla të transferueshme (rubla të lira).
Në këtë marrëveshje i pandehuri ka synuar të futë vendin tonë në zonën e “rublës së lirë”, e cila e ka qendrën në bankën ndërkombëtare të KNER-it në Moskë, dhe në këtë mënyrë sipas tij, vendi jonë bëhej zyrtarisht anëtar i kësaj organizate kapitalisto-revizioniste, të cilën Partia dhe shteti jonë, e kanë denoncuar dhe demaskuar prej kohësh, si një organizatë me karakter skllavërues.
Veç sa sipër, i pandehuri Andrea Manço, në kundërshtim flagrant me orientimet e Partisë tonë, po me qëllim sabotimi, për periudhën 1971-1975, ka rritur në mënyrë të ndjeshme kontraktimet me vendet kapitaliste – revizioniste, në mënyrë të veçantë me Jugosllavinë titiste dhe i ka ulur ato në mënyrë të konsiderueshme me R.P. të Kinës. Në këtë mënyrë, ai synonte të krijonte terren për depërtimin e ekonomisë kapitaliste në Shqipëri dhe për të dobësuar marrëdhëniet me Republikën Popullore të Kinës.
Këto fakte, të pohuara plotësisht prej të pandehurit dhe të vërtetuara me dëshmitarë dhe me një sërë dokumentesh, provojnë se Andrea Manço, duke shfrytëzuar pozitën e tij si drejtor i “Makina-importit” në sektorin e Tregtisë së Jashtme, ka konsumuar figurën e krimit të sabotimit, parashikuar nga neni 72 të Kodit Penal.
Konsekuent në veprimtarinë e tij armiqësore i pandehuri Andrea Manço, ka vjellur vrer kundër vijës politike ekonomike dhe ideologjike të Partisë sonë, dhe kundër Udhëheqësit kryesor të saj. Nga provat e administruara u vërtetua, se i pandehuri në shkurt të vitit 1975, ka shkruar disa letra anonime udhëheqësve të Partisë dhe të shtetit tonë, me përmbajte të thellë armiqësore.
Në këto letra ai flet me urrejtje ndaj Partisë dhe Udhëheqësit të saj, akuzon dhe shpif si një kundërrevolucionarë. Ai shprehet kundër vijës politike dhe masave revolucionare, që janë marrë nga Partia kundër komplotistëve dhe armiqve të tjerë, të cilët ai i merr dhe në mbrojtje. I pandehuri Andrea Manço, ka zhvilluar një veprimtari të gjerë armiqësore, me qëllim rrëzimi dhe minimi të pushtetit popullor, duke dashur të bëjë sa më shumë elementë të pakënaqur.
Kështu ai ka biseduar me persona të ndryshëm, si Bardhyl Frashëri, Filip Nasho, Vasil Katin e të tjerë, për kundër vijës politike dhe ekonomike që ndjek Partia e jonë, duke komentuar me ta; “superioritetin” e vendeve revizioniste e kapitaliste, ka lavdëruar sistemin e vet-administrimit ekonomik jugosllav, duke u përpjekur me veprimet e tij sabotuese, ta zbatojë atë edhe në vendin tonë dhe ka propaganduar se në këto vende ka “liri mendimi dhe veprimi”, se atje mund të bëhet më shumë “qejf”, kurse sipas tij në vendin tonë, ka prapambetje, mungesë lirie, mendimi dhe se kjo gjendje duhet ndryshuar.
I pyetur rreth kësaj akuze në seancë gjyqësore, ai veç të tjerave pohoj se; “mua më ka pëlqyer një sistem shoqëror dhe shtetërore i tillë, ku të sundojnë shumë Parti politike, për të qenë më shumë liberal dhe për të bërë më shumë qejfe”. Duke u nisur nga këto koncepte armiqësore, të një liberali borgjez, të cilat Partia jonë i ka goditur me forcë në plenumin e IV-të të Komitetit Qendror të Partisë, i pandehuri ka propaganduar mënyrën borgjezo-revizioniste të jetesës, mënyrë jetese, të cilën ai e kishte bërë prej kohësh të vetën.
Me prepotencën dhe arrogancën e tij, karakteristikë kjo e komplotistëve dhe armiqve të Partisë dhe të shtetit, goditur në plenumet IV, V, VI e VII-të të Komitetit Qendror të Partisë, ai është përpjekur ta kthejë ndërmarrjen ku punonte, në një ndërmarrje të vet-administrimit kapitalist, është përpjekur të shuajë luftën e klasave në sektorin e Tregtisë Jashtme, të minojë rolin udhëheqës të organizatës bazë të Partisë. Ai, ka shkelur të gjithë normat e Partisë në politikën e kuadrit, duke mbledhur rreth vetes njerëz me personalitet të dyshimtë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016