Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e pestë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al.
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË
KOMITETI QENDROR Sekret
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
Rendi i ditës: Analiza e gabimit të rëndë të kryer nga anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike.
Në këtë mbledhje marrin pjesë gjithë anëtarët e Byrosë Politike, me përjashtim të shokut Hekuran Isai, që nuk erdhi për arsye se mbrëmë natën, i vdiq e ëma.
SHOKU MANUSH MYFTIU: Lexova me shumë kujdes autokritikën e shokut Mehmet, në të cilën ai pranon që ka bërë gabim politik, të cilin e korrigjoi, sapo i’a tha shoku Enver. Aty ai paraqet edhe disa arsye që, sipas tij, e çuan në këtë gabim. Natyrisht është mirë që e pranoi dhe e korrigjoi gabimin, po çështja nuk mund të mbarojë me kaq, për arsye të vetë natyrës së gabimit, të dëmit që i solli me të Partisë, pavarësisht se u korrigjua, por edhe për arsye se, për mendimin tim, autokritika e tij nuk është e kënaqshme, mbasi nuk analizon drejt, deri në fund shkaqet që e çuan shokun Mehmet, të gabojë kaq rëndë.
Në radhë të parë, duhet të përcaktohet me qartësi natyra e gabimit, të gjenden shkaqet dhe pastaj të gjenden rrugët e ndreqjes. Shoku Mehmet ka bërë një gabim të rëndë politik, që bie në kundërshtim të plotë me vijën e Partisë, me vijën e luftës së klasës, çështje esenciale e vijës së përgjithshme të Partisë. Fejesa e djalit të tij me vajzën e një familjeje me përbërje të keqe politike, është në fakt një zbutje e luftës së klasës, gjë që lidhet ose me gjykim e qëndrim tjetër, që nuk janë të Partisë, me një mendim që ka evoluar drejt liberalizmit dhe oportunizmit, ose me një konsideratë krejtësisht të veçantë, me një pozitë të privilegjuar, që ka ai për veten e tij, gjë që çon objektivisht në shkeljen e normave të Partisë e në vënien e vetes mbi Partinë. Edhe kjo është shkelje e rëndë e vijës së Partisë.
Autokritika e shokut Mehmet është e mangët dhe e sipërfaqshme. Megjithëse shtrihet në konsiderata të ndryshme, ajo u kalon anash çështjeve kryesore politike dhe ideologjike. Aty flitet për sentimentalizëm, për imunitet ndaj ndikimit të armikut.
Ai thotë se ka patur mendimin që është i paprekshëm nga ndikimi i armikut. E thotë këtë në një kohë kur Partia gjithmonë ka theksuar të kundërtën dhe veç të tjerave, ka 10 vjet rresht që po përsërit, natë e ditë, të jemi vigjilentë në kulm. Mua më duket se nuk është kjo një nga arsyet. Një nga arsyet e vërteta që ra në këtë gabim, është se mendon që vetëm ai e di ç’është liberale dhe ç’është oportuniste, çfarë duhet lejuar e çfarë nuk duhet lejuar. Për më tepër, mendon se atij mund t’i lejohet çdo gjë, mjaft që ai ta quaj të arsyeshme.
Më poshtë ai thotë në autokritikë se nuk pyeta njeri, mbasi mendova që si një çështje familjare që ishte, duhej ta zgjidhja vetë. Unë mendoj se kjo nuk qëndron as për shokun Mehmet, as për një nga ne, kur ka të bëjë me raste të tilla. Të jesh plotësisht në dijeni se vajza ka dy xhaxhallarë dhe dajot të arratisur e armiq të Partisë dhe ta bësh atë pjesëtarë të familjes dhe ky veprim të quhet “çështje personale” është tepër e rëndë.
Unë nuk jam dakord me atë që thotë shoku Mehmet se, po të kishte qenë gjithnjë mendjemadh, Partia do t’ia kishte vënë në dukje etj. Këtu në të vërtetë ka diçka që nuk ka ecur siç duhet, për të cilën ne kemi përgjegjësi dhe për këtë do të flas më poshtë, po dua të theksoj se nuk i lejohet askujt, asnjërit nga ne që gabimet tona t’ia veshim Partisë, qoftë edhe për ndonjë rast të veçantë, kur ajo nuk paska ndërhyrë siç duhet e me forcën që duhet.
Një fejesë e tillë është në kundërshtim me vijën e Partisë, e po të realizohej deri në fund, do të shënonte një ndryshim në vijën e Partisë, do të ishte fillimi i pranimit të një vije liberale, oportuniste e pajtuese me armikun e klasës, e që domosdo do të çonte në rrjedhime të tjera liberale. Ajo në këtë rast do të çonte edhe në çarjen e Partisë.
Pra çështja s’është personale, as sentimentale, por një çështje parimore dhe politike, është një lëkundje në vijën e Partisë, një lëkundje nga e djathta, pikërisht nga ajo anë ku shoku Mehmet, ka menduar se nuk mund të gabonte kurrë. Mirëpo qëndrimet sektare jo vetëm që nuk janë garanci për qëndrime të drejta dhe nuk janë kurrë të qëndrueshme, por nga ato kalohet pa vështirësi në anën e kundërt.
Partia ka dënuar anëtarë të saj të thjeshtë, kur këta kanë bërë krushqi me kulakët. Po nëse ata kanë bërë gabim politik, duke qenë fshatarë të thjeshtë, shoku Mehmet si kuadër i lartë i Partisë, ka bërë një qind herë më shumë gabim dhe e ka bërë këtë gabim, se ka mbivlerësuar veten.
Në Këshillin e Ministrave ka patur edhe reagime ndaj qëndrimeve tuaja të padrejta, por shokët e tjerë nuk i kanë përkrahur, ju kanë përkrahur juve që keni bërë gabim, në vend që t’ju kritikonin me rreptësi dhe drejt. Ju keni fyer atje njerëz me fjalë të rënda, keni lënë mbledhjen e Kryesisë, sepse zgjati diskutimi i shokut Prokop.
Unë nuk dua në asnjë mënyrë të përfitoj nga rasti, se nuk do të ishte e partishme një gjë e tillë, por duhen vënë në dukje disa gjëra që janë të papranueshme, e që nuk duhen të lejohen më tej. Dhe në të vërtetë pas gjithë këtyre qëndrimeve, a mund të pritet që ministrat të kenë guxim të flasin, e them të flasin e jo më të shprehin mendime që nuk pajtohen me mendimin tuaj?
Ne, kush më shumë e kush më pak, jemi fajtorë për këtë situatë, por secili nga ne duhet të zbulojë të metat dhe t’i zbulojë deri në fund, edhe në qoftë se na shket ca goja, Byroja Politike le të na korrigjojë, por qëllimi është i mirë, për t’i shërbyer forcimit të punës së Partisë. Duhet t’i jepet fund një mënyre të gjykuari që ka fituar të drejtën e qytetarisë në Këshillin e Ministrave, “kështu e ka shoku Mehmet”, “kështu tha shoku Mehmet”, duhet t’i jepet fund arrogancës suaj.
Shoku Mehmet duhet të mbajë parasysh se ai nuk mund të veprojë si të dojë dhe po bëri gabim, mund ta korrigjojë këtë kur të dojë dhe si të dojë. I hodhët një lumë me fyerje kryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të rrethit të Tiranës, derisa e quajtët antiparti, se nuk shiste zarzavate të cilësive të ndryshme në të njëjtin dyqan, pastaj në autokritikën tuaj, pak më pas njohët se nuk bëtë mirë, se Nesipi nuk është element antiparti, po nuk zbaton vijën e Partisë.
Një specialisti i’u vërsulët me fjalë fyese, sepse tha që nuk bëhet dot koksi i naftës për t’u djegur në furrnaltë, në bazë të propozimit të një shoferi. Këtë unë i’a kisha thënë edhe shokut Enver dhe ai nuk mbajti një qëndrim të tillë, po më porositi të shihej çështja nga shumë anë dhe nuk e quajti të ulët qëndrimin e specialistit, që nuk ishte dakord me propozimin e koksifikimit të koksit të naftës, bile më tha se ti ke për detyrë të na japësh informacione të tilla.
Më keni detyruar të shkëmbej fjalë për këtë në Këshillin e Ministrave dhe ju keni bërë autokritikë. Unë kam qenë dakord me atë autokritikë, po dua të theksoj se ndërsa zhurmën e madhe dhe pa të drejtë, e bëtë në Këshillin e Ministrave, në prezencë të të gjithë shtypit të Republikës, autokritikën e bëtë mbasi dëbuat edhe sekretarët dhe mbetëm vetëm ne, katër zëvendëskryeministrat me ju.
Unë jam dakord me mendimin që shfaqi shoku Mehmet, po natyrisht rezervohem për ta dëgjuar dhe mendimin e fundit të shokut Mehmet, për këto çështje.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Ne u njohëm me autokritikën e shokut Mehmet. Dua të theksoj që në fillim se autokritika e tij, megjithëse është 39 faqe, nuk nxjerr në pah ato shkaqe ose më mirë të them atë element negative të karakterit të tij, që është kryesori dhe më i rëndësishmi. Për mendimin tim, shkaku kryesor dhe burimi i vetëm i të gjitha këtyre momenteve negative, që shoku Mehmet përmend në autokritikë, është se ai ka mbivlerësuar mbi masën veten e tij ndaj të tjerëve, e ka vënë veten mbi të tjerët e në kushte të privilegjuara.
Është e vërtetë që shoku Mehmet ka aftësi, njohuri dhe horizont të gjerë në të gjitha fushat, është e vërtetë që ai ka akumuluar nga jeta një bagazh të madh eksperience dhe shprehi të thella drejtimi e organizimi, të cilat Partia dhe shoku Enver nuk janë rezervuar asnjëherë t’ia vlerësojnë dhe t’ia vënë në dukje, ashtu sikurse i’a kanë vënë në dukje edhe të metat e dobësitë në rastet konkrete. Megjithatë ai nuk duhet kurrsesi të vazhdonte t’i përsëriste të metat e dobësitë, të mbivlerësonte veten dhe të harrojë parimin e ekuivalencës me shokët e tij, duke vënë veten mbi të tjerët, sepse vuan, siç u tha këtu edhe nga sëmundja e mendjemadhësisë!
Është njëkohësisht arsyeja që shoku Enver ju ndihmoi mjaft me këshillat e tij të vlefshme, të shkundi ty, siç thua edhe vetë duke të thënë: “Ku vete kështu Mehmet”!? Pikërisht se ju duam aq tepër edhe ne shokët tuaj mendohemi t’ju ndihmojmë, aq më shumë, duke ju vënë në dukje ato të meta e dobësi që shohim tek ty. Po kjo është njëra anë e rëndësishme e problemit.
Ana tjetër, që është akoma më e rëndësishme se e para, është që shoku Mehmet duhet të thellohet vetë sa më shumë në të metat e dobësitë e punës dhe të veprimtarisë së tij si komunist e kuadër, pastaj të reflektojë e të reagojë drejt si ndaj gabimeve e të metave të tij, ashtu edhe ndaj kritikave dhe porosive që na dha shoku Enver, të gjithëve në mbledhjen e fundit të Byrosë Politike.
Ju, shoku Mehmet, thoni në autokritikë se mbyllja në vetvete, kur është rasti për çështjen familjare, është një faktor tjetër negative tek ju. Unë, besoj se edhe shokët e tjerë, nuk arrijmë ta kuptojmë këtë mbyllje kaq hermetike qoftë edhe për çështje familjare tuajat. Si shpjegohet që për një problem të ndërlikuar, siç qe rasti i fejesës së djalit tuaj me një vajzë me qëndrim të keq politik, të mos konsultoheshe me shokun Enver, apo me shokët e tjerë të tu, me të cilët takohesh pothuajse çdo ditë?! Si shpjegohet që ju harroni parimin e luftës së klasave, duke lidhur krushqi me njerëz të deklasuar?!
Nuk ka si shpjegohet që ju asnjë masë dënimi nuk morët për Skënderin, në rastin konkret edhe për të mirën e djalit, që ai duhej të kthehesh nga studimet pasuniversitare, që po i vazhdon në Suedi e të dërgohesh qoftë edhe si inxhinier në një nga uzinat e vendit tonë, bile jashtë Tiranës. Në autokritikën tuaj, gjithë zjarrin e tërhiqni mbi vete dhe as në një masë të vogël nuk ngarkoni me përgjegjësi as djalin, as shoqen Fiqret. Ky moment shpreh atë të vërtetë që ju akoma nuk jeni çliruar plotësisht nga prangat e sentimentalizmit mikroborgjez dhe që për të mirën e Partisë dhe tuajën, duhet t’i këputni ato sa më parë.
Marrëdhëniet e Skënderit me vajzën e Qazim Turdiut, patjetër që njiheshin, bile para se të bëhesh fejesa nga shumë persona të tjerë, të afërt ose të largët, po ata nuk kanë patur kurajën komuniste të të japin këshilla dhe të të kritikonin ty, sepse, ashtu siç e thoni vetë, bile sa më shumë ju i keni ndrydhur ata me sjelljet dhe qëndrimet tuaja pa takt dhe jo rrallë tepër të ashpra. Duke përfunduar, shpreh bindjen e plotë se shoku Mehmet, me mendje të ftohtë, me gjykim të thellë prej revolucionari, do të kuptojë drejtë kritikat që i bëhen e do të reagojë drejt ndaj tyre.
SHOKU ENVER HOXHA: E mbyllim këtë seancë dhe vijmë pas dite në ora 5. Drekën e mirë.
SEANCA E TRETË
SHOKU ENVER HOXHA: Vazhdojmë, shokë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Edhe unë si shokët e tjerë, jam preokupuar seriozisht, sidomos që kur mësova për fejesën e djalit të shokut Mehmet në rrethana që dihen. Kam reflektuar sa kam mundur për të shpjeguar drejt përse të ndodhte kështu në jetën e qëndrimin e një shoku udhëheqës në Partinë tone, e konkretisht të shokut Mehmet, po ashtu edhe të shoqes Fiqret, të dy komunistë të vjetër, të cilët siç dihet, prej një kohe të gjatë kanë mbuluar e mbulojnë funksione me rëndësi në udhëheqjen e Partisë?
Ky gabim i rëndë, megjithëse u korrigjua pas ndërhyrjes së shokut Enver në mbrojtje të Partisë e të vetë shokut Mehmet, ka dhënë megjithatë efekte negative. Shumë komente janë bërë e bëhen akoma në Parti dhe nga njerëz të ndershëm pa parti. Në këto biseda e komente nga një anë shprehet besimi në drejtësinë e Partisë dhe në këtë rast edhe mbrojtja e vijës nga shoku Enver posaçërisht, si dhe gëzimi që ky gabim u korrigjua shpejt. Por, nga ana tjetër, del në pah shqetësimi i këtyre njerëzve, shqetësimi i komunistëve, për atë se si mund të bëhen gabime të tilla në vijë e për çështje kaq esenciale nga komunistë, që Partia i ka zgjedhur në udhëheqje.
Së pari, qëndrimet e shokut Enver në trajtimin e problemeve e në marrëdhëniet e tij me mjaft shokë, në shumë raste, nuk janë aspak korrekte. Pavarësisht nga qëndrimi ynë jo gjithnjë luftarak ndaj këtyre shfaqeve të dëmshme, ato janë të palejueshme për një udhëheqës si shoku Mehmet dhe kanë patur pasoja, sidomos në punën e Qeverisë, për ç’ka mendoj se atje mund të bëhet edhe ndonjë analizë e veçantë.
Shokët që i kanë ditur këto, i kanë miratuar dhe nuk ia kanë kundërshtuar, e pakta që mund të thuhet, janë treguar indiferent dhe konformistë. Unë e ndjej se më shumë mund e duhet të kisha bërë për ato pak gjëra që kam ditur dhe më kanë mbetur pa ia thënë. Po pavarësisht nga këto, shoku Mehmet duhet të rishikojë qëndrimet e tij.
Në mjaft raste e qëndrime të gabuara ai, Mehmeti ka vazhdimësi. Kjo është shqetësuese. Mua më kujtohen disa raste në të cilat është shprehur qartë zbutja nga ana e tij e luftës së klasave, të cilat, shokut Mehmet, i janë vënë në dukje. Kështu, për shembull, me iniciativën e tij ai ka thyer regjimin e Sigurimit në Plazhin e Durrësit…!
SHOKU ENVER HOXHA: Si e theu?
SHOKU KADRI HAZBIU: Kjo ka ndodhur kështu, shoku Enver: Dihet regjimi që është miratuar e vendosur atje për zbatim. Shoku Mehmet, nuk më kujtohet viti, duke lexuar në një azhans një reportazh të një gazetari perëndimor, që thoshte se në Shqipëri ka një ‘Pankov’ të dytë, me sa më kujtohet, jo vetëm në Tiranë, po edhe në Plazhin e Durrësit, ku më tepër se gjysma e Plazhit është e destinuar për udhëheqjen etj. etj., urdhëron rojet e Gardës, që të largohen dhe Fiqreti e fëmijët e tij i thonë…!
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo ushtarët, po civilët.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, jo, shoku Mehmet, t’i themi gjërat siç janë. Ju urdhëruat menjëherë të hiqeshin rojet e Gardës të vendosura rreth e rreth shtëpisë suaj. Mua më lajmëruan se kështu po ndodh me rojet dhe gjithë njerëzit, siç ishin në plazh, janë futur menjëherë brenda deri tek ura përpara stabilimentit. E kam thirrur Feti Smokthinën, që ka qenë komandant i Gardës, është gjallë akoma edhe sot ai, shoku Mehmet dhe e kam urdhëruar, të shkonte e të vendoste rojet në vend dhe të vinte t’ju thoshte juve, shoku Mehmet, që po të kishit një mendim të tillë, të më urdhëronit më parë mua, si Ministër i Brendshëm që isha, pastaj të veprohej.
Shoku Mehmet, ç’është e vërteta, e ka mirëpritur këtë ndërhyrje të Fetiut dhe ka lejuar pastaj që të rivendosej rregulli, si dhe më parë. Në darkë kam vajtur vetë, i’a kam vënë në dukje rëndësinë e kësaj çështjeje shokut Mehmet, se masa që kish marrë, i thashë se ishte gabim. Për këtë çështje kemi biseduar, në mos gabohem në Shtëpinë e Partisë këtu, duke qenë të pranishëm edhe shoku Ramiz, me shokun Manush. Unë u nisa të vija te ju që ishit në Pogradec shoku Enver, se shoku Hysni ka qenë në Vlorë në atë kohë, por kur vajta pasdreke, shoku Mehmet njohu që kish gabuar për këtë dhe çështja u vu në vend, se duhej pasur kujdes që të mos liberalizohej regjimi i sigurimit…!
SHOKU MEHMET SHEHU: Jo, unë mbaj mend për rojet ushtarake që ishin në plazh…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016