Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike, i mbajtur më 8 dhjetor të vitit 1970, ku sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe njëkohësisht komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxha, në diskutimin e tij, morri në analizë punën që ishte bërë deri atëhere në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në të gjithë Ushtrinë Shqiptare. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje të Byrosë Politike, e cila si çështje kryesore, kishte mosmarrëveshjet, grindjet dhe konfliktet që ekzistonin ndërmjet ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht anëtarit të Byrosë Politike, Beqir Balluku, me shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes, Petrit Dume dhe Drejtorin e Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, Hito Çako. Akuzat që hodhi në atë mbledhje Enver Hoxha ndaj tre drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me kontradiktat e thella që ekzistonin mes tyre, ku ai midis të tjerash u shpreh: “Po ta marrim çështjen nga ana e pozitës, qoftë në Parti, qoftë në komandë, është e qartë për të gjithë se nga kjo pikëpamje në ministri, Beqiri është përgjegjësi kryesor. Tek ai duhet të ketë pasur njëfarë pre dispozicioni joshoqëror ndaj kritikave që i janë bërë herë pas here për mjaft probleme. Beqirit mund t’i jetë dukur sikur ndonjëri përpiqet të tregohet se është më specialist, se ai në çështjet ushtarake dhe, me prepotencën e me të gjitha veprimet e tij, duhet të ketë dashur jo vetëm t’ia ulë pak hundën, për shembull, Petritit, po sikur të kishte mundësi, në qoftë se nuk gabohem edhe ta mënjanonte apo ta largonte fare nga Shtatmadhoria, sepse detyra e shefit të Shtatmadhorisë në Ushtri, është një funksion kyç me shumë rëndësi, ai është dora e djathtë e ministrit të Mbrojtjes”.
Diskutimi Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së
“DREJTUESIT E MINISTRISË SE MBROJTJES JANË PËRGJEGJËS DIREKT PËR GJENDJEN NE USHTRI DHE DUHET TE PËRGJIGJEN PARA PARTISË”
8 dhjetor 1970
Ushtria kurdoherë ka pasur dhe ka për ne një rëndësi të jashtëzakonshme. Partia jonë, që po udhëheq me sukses ndërtimin e socializmit, ka shtruar detyrën e madhe që në ushtri të stërvitet, të edukohet politikisht, ideologjikisht dhe teknikisht, i gjithë populli-ushtar, në mënyrë që në çdo moment ai të jetë i gatshëm për të mbrojtur fitoret e socializmit dhe të fitojë. Prandaj nuk mund të ketë detyrë më të lartë se kjo. Që nga fillimi dhe vazhdimisht, Partia nuk ka kursyer asgjë për Ushtrinë, për forcimin dhe për modernizimin e saj dhe mund të themi se në sajë të këtij kujdesi, kemi arritur rezultate të kënaqshme.
Siç na rezulton nga të gjitha analizat që kemi bërë dhe siç na e vërteton realiteti, Ushtria jonë është e përgatitur dhe vazhdon të përgatitet me ritme të kënaqshme për plotësimin e detyrës së saj të madhe. Kjo do të thotë se Partia në Ushtri, kuadrot, i gjithë efektivi, qoftë ai aktiv, qofshin kuadrot rezervë, vullnetarët dhe mbarë populli, rëndësinë e Ushtrisë e kanë kuptuar drejt, e duan atë dhe bëjnë përpjekje ta forcojnë gjithnjë e më shumë.
Por një përgatitje më e mirë, që vjen duke u përsosur vazhdimisht, e, në radhë të parë, një përgatitje shpirtërore, politike dhe ideologjike më e shëndoshë e Ushtrisë (siç e vunë në dukje gjithë shokët), varet kryesisht nga ne. Të tërë kemi përgjegjësi përpara Partisë për këtë problem të madh.
Në radhë të parë kemi përgjegjësi ne, Byroja Politike, përpara Komitetit Qendror dhe dëshiroj të theksoj këtu me këtë rast, se ne kemi shumë kohë që nuk kemi raportuar para tij për punët në Ushtri, si e në ç’gjendje është Ushtria jonë. Prandaj. është mirë që këtë ta bëjmë sa më parë.
Vitin e ardhshëm, mendoj unë, ne duhet t’i paraqesim Komitetit Qendror një raport për gjendjen ushtarake i dhe ta plotësojmë kështu këtë mungesë, jo se Komiteti Qendror nuk është në korrent për gjendjen e përparimet që janë arritur në Ushtri, sepse anëtarët e Plenumit, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë marrë pjesë në zhvillimin e në ndërtimin e Ushtrisë, në stërvitjet e saj etj., po çështja është t’i raportojmë si udhëheqje në tërësi.
Por shokët që janë ngarkuar nga Komiteti Qendror të punojnë në Ushtri, janë drejtpërdrejt në mënyrë të veçantë përgjegjës për mbarëvajtjen e saj dhe duhet të përgjigjen para Partisë, ashtu siç përgjigjen të gjithë shokët në sektorët e tjerë ku janë ngarkuar të punojnë, për të metat, për gabimet e boshllëqet që vërtetohen në punë, dhe këtë ata ta bëjnë mirë, ashtu siç e kanë zakon ta bëjnë komunistët. Shokët e ngarkuar me funksione të rëndësishme në Ushtri, kanë pasur mjaft gabime e të meta, të cilat na janë bërë të njohura, herë aty për aty, herë me zor.
Udhëheqja, Byroja Politike, në rrugë partie, ka mundur t’i zbulojë këto të meta e gabime dhe në interes të Partisë e të Ushtrisë, ka folur haptas me kuadrot ushtarakë, i ka kritikuar dhe do të vazhdojë të kritikojë hapur cilindo qoftë, kur në punën e njërit apo të tjetrit zbulohen të meta ose gabime.
Kjo është bërë dhe bëhet me qëllim që t’i korrigjojmë kuadrot. E para e punës, është e domosdoshme që gabimet e të metat të mos lihen të trashen, përkundrazi, duhen bërë përpjekje që ato të zhduken, porsa nxjerrin majën e veshit dhe në asnjë mënyrë të mos lejohet të majisen, të fshihen dhe të përsëriten.
Ka shokë komunistë që, me gjithë anët e mira që kanë, me gjithë vendosmërinë që kanë për Partinë, kanë edhe disa mbeturina në ndërgjegjen e tyre, të cilat i pengojnë të veprojnë si duhet, bëjnë gabime e i thellojnë ato, pa parë rrezikshmërinë e tyre në platformën e interesit të madh të Partisë dhe të popullit. Po ta kishin parasysh këtë, unë mendoj se shokët, natyrisht, do të tërhiqeshin përnjëherësh nga pozitat e gabuara.
Shfaqje të kësaj natyre, që nisin në fillim si shfaqje të sferës individuale, personale, po të qëndrojnë pa u spastruar, me dashje ose pa dashje, kalojnë në platforma politike. Nga ana tjetër, kur analizojmë çështje të kësaj natyre dhe kritikojmë shokët, ose kur ata kritikojnë të tjerë në punë e sipër, duhet pasur parasysh dhe duhen bërë përpjekje për të qenë të thjeshtë, jo në shfaqje, po në jetën dhe në shpirtin e secilit, domethënë, të luftojë secili në vetvete ambicien, megalomaninë, prirjen për t’u dukur, mbeturina këto që nganjëherë i mbulojnë shfaqjet e jashtme.
Prandaj, në qoftë se çdo shok lufton në veten e tij për t’i zhdukur ato dhe bën përpjekje të ruajë me të vërtetë thjeshtësinë e komunistit, ai, kur bën gabime duhet t’i presë me zemër të hapët, e jo të ndrydhur kritikat nga shokët, t’i presë me bindjen e plotë se me to po shërohet, se shokët po bëjnë përpjekje ta shërojnë dhe jo ta godasin apo ta ulin.
Dua të them që i kritikuari të mos dalë i vrarë dhe i tkurrur në një rast të tillë, po të dalë si një njeri i kritikuar, të cilin shokët përpiqen ta ndihmojnë të ndreqet. Tashti le të vijmë konkretisht në çështjen për të cilën jemi mbledhur. Shokët e Ushtrisë, të komandës, e kam fjalën për ata të Ministrisë së Mbrojtjes, mendoj se kanë gabuar në punën e tyre të drejtimit. Drejtimi në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, nuk ka qenë në nivelin që kërkohet.
Ai ka çaluar mjaft dhe kjo, në radhë të parë, për faj të Beqirit dhe të Petritit, por edhe të drejtorit të Drejtorisë Politike, Hito Çakos. Sidoqoftë, përgjegjësit kryesorë janë dy të parët. Unë mendoj se në punën e tyre, siç e vunë në dukje edhe shokët që folën, ka pasur prirje të theksuara kapadaillëku, në kuptimin e përpjekjeve për të vënë në dukje veten se kush është më i zoti, njëri apo tjetri, kush është më i aftë nga ana ushtarake etj.
Po ta marrim çështjen nga ana e pozitës, qoftë në Parti, qoftë në komandë, është e qartë për të gjithë se nga kjo pikëpamje në ministri, Beqiri është përgjegjësi kryesor. Tek ai duhet të ketë pasur njëfarë pre-dispozicioni joshoqëror ndaj kritikave që i janë bërë herë pas here për mjaft probleme. Beqirit mund t’i jetë dukur sikur ndonjëri përpiqet të tregohet se është më specialist se ai në çështjet ushtarake.
Me prepotencën e me të gjitha veprimet e tij, duhet të ketë dashur jo vetëm t’ia ulë pak hundën, për shembull, Petritit, po sikur të kishte mundësi, në qoftë se nuk gabohem, edhe ta mënjanonte apo ta largonte fare nga Shtatmadhoria, sepse detyra e shefit të Shtatmadhorisë në Ushtri, është një funksion kyç me shumë rëndësi, ai është dora e djathtë e ministrit të Mbrojtjes.
Për këtë arsye, bashkëpunimi më i ngushtë i ministrit, është domosdoshëm të realizohet në radhë të parë me shefin e Shtatmadhorisë, me të cilin ai duhet të bëjë konsultime për të gjitha çështjet. Sigurisht, ministri mund të ketë dhe ka lidhje edhe me zëvendësministrat e Mbrojtjes, por shefi i Shtatmadhorisë, që ka në dorë të gjitha drejtimet, është atje vartësi kryesor i ministrit.
Beqiri, ashtu sikurse cilido shok tjetër, ka pasur edhe ai të drejtë t’ia vinte në dukje të metat Petritit, për arsye se edhe ky ka mjaft të tilla, siç janë ato që kanë të bëjnë me karakterin e tij, të meta në punë, në planëzimet, në metodën e punës, në mënyrat subjektive dhe në influencimet individuale dhe gjëra të tjera të kësaj natyre, siç ia vunë në dukje shokët. Në rrugë partie dhe në rrugë shtetërore, individualisht dhe në mënyrë kolegjiale, Beqiri e kishte për detyrë t’ia vinte këto në dukje Petritit dhe, në qoftë se ky nuk i ndreqte, çështja mund të sillej fundi i fundit edhe më lart.
Ne shohim se në Ushtri, përveç që bëhen lëvizje të mëdha kuadrosh në përgjithësi, atje lëvizen shpesh edhe kuadro kryesorë. Një punë e tillë tani është prerë, se i kemi theksuar Beqir Ballukut që t’u jepen fund lëvizjeve të pajustifikuara, por ajo që dua të vë në dukje dhe që ka lidhje me këtë problem, është çështja se pikëpamjet e Beqirit për kuadrin, shpeshherë janë kontradiktore dhe shumë të lëkundshme. Përse vjen kjo? Për shumë arsye, po vjen edhe sepse Beqiri, mendoj unë, e nënvleftëson kapacitetin e kuadrit.
Por, duke nënvleftësuar të tjerët, ai mbivlerëson veten, abuzon kështu deri në njëfarë shkalle me autoritetin e tij. Mendimet e Beqirit për kuadrin, në mjaft raste janë të cekëta, të sipërfaqshme dhe këto raste jo vetëm përsëriten, po janë të theksuara në karakterin e tij, prandaj në këtë çështje ai duhet të bëjë një kthesë të fortë. Unë e dëgjova me kujdes të madh diskutimin që bëri sot këtu Beqiri. U duk sikur ai i shtron dhe i mbron problemet në mënyrë parimore e energjike. Por në realitet, në punën e tij nuk është vërtetuar plotësisht dhe kurdoherë një gjë e tillë.
Siç e tregoi edhe konsulta që u bë në aparatin e Komitetit Qendror, siç e analizoi çështjen kolegjiumi i ministrisë dhe siç e thanë edhe të gjithë të tjerët me radhë, Beqiri vuan nga shumë të meta në organizimin dhe në kontrollin e zbatimit me rreptësi të detyrave. Ne që kemi kontakte dhe një kohë të gjatë pune me të, e kemi konstatuar këtë të metë të tij. Unë kam mendimin se Beqiri, pasi merr detyrën që i jepet dhe duket sikur e vë në lëvizje, më tej, në shtytjen e saj përpara, në kontrollin e zbatimit të saj, në zbërthimin dhe në çuarjen e saj gjer në fund, pikërisht këtu çalon ai.
Me këto dhe me shumë të meta serioze në karakterin e tij, Beqiri ka krijuar një situatë të vështirë në udhëheqjen e Ministrisë së Mbrojtjes. Në këtë ka ndikuar edhe një gjë tjetër negative, qëndrimi i Petritit, fakti që edhe ky ka të meta serioze në personin e vet, pse është ca si “kavalier” dhe jo shumë i thellë në problemet, me sa më duket mua. Petriti ka vënë në dukje probleme, por duke i parë në një prizëm të sëmurë.
Ai thotë se Beqiri e ka parë atë në të gjitha çështjet si një njeri krejt pa vlerë dhe se nuk ka fare konsideratë për zotësinë e tij. Pra Beqiri nuk e konsideron Petritin në atë shkallë si veten e tij, se zotësinë e këtij ai nuk e vlerëson në atë nivel që mund dhe duhet të ketë shefi i Shtatmadhorisë. Kështu, kur vjen puna për të menduar, kush mund të jetë shef i Shtatmadhorisë, Beqiri lehtë mund të propozojë një kandidaturë që t’u afrohet karakteristikave të natyrës së tij, domethënë, një njeri që as të mos kërkojë dhe as të mos përplaset me të. Por ajo që është e rrezikshme në këtë punë dhe jo në rrugë partie nga ana juaj, Beqir e Petrit, është çështja se gabimet tuaja po përsëriten.
Gabime mund të bëhen, po për Ushtrinë dhe për Partinë, ato janë fort të rrezikshme kur përsëriten. Kjo tregon se ju, jo se nuk i kuptuat kur i shtruam edhe i diskutuam në Byronë Politike 4-5 vjet më parë te gabimet dhe pikëpamjet tuaja të gabuara për sa u përket marrëdhënieve në mes jush, pse fakt është që atëherë ju i pranuat ato, por jeta provoi se nuk ishit të bindur, ose nuk ishit gjendje, nuk kishit atë forcë komunisti t’i mposhtnit mbeturinat që ju shtynë në gabimet ku ratë më parë dhe ato nxorën kokën përsëri te ju.
Për këtë arsye kritika ndaj jush nga ana e Byrosë Politike kësaj here duhet të jetë, sipas mendimit tim, shumë më e rreptë, pse tani ju keni bërë faj shumë herë më të rëndë nga i pari, prandaj edhe dënimin e meritoni ta merrni shumë më të rëndë se atëherë. Në atë kohë ne nuk morëm ndonjë masë ndëshkimore ndaj jush, por tashti mendoj që Byroja Politike t’u japë që të dyve një dënim dhe të reflektoni thellë, se është e dyta herë që po përsëritni të njëjtin gabim, duke i shkaktuar dëme çështjes së Partisë dhe të ushtrisë.
Natyrisht, ne kemi bindje, dhe kurdoherë e kemi pasur këtë bindje dhe besim te shokët, se ju do t’i ndreqni gabimet tuaja, po kjo masë të kuptohet se është për të mirën e Partisë, të Ushtrisë dhe tuajën dhe ajo do t’ju ndihmojë t’i korrigjoni gabimet, në rast se do të reflektoni dhe do të përpiqeni të mos i përsëritni më. Po të na vijë më një gjë e tillë për të tretën herë në Byronë Politike, po të përsëritet prapë, është e kuptueshme dhe bashkohem plotësisht me mendimin e shokëve, se atëherë do të marrim masa shumë më të rënda.
Vihet pyetja: Gjersa ju e dini mirë se Partia ka zgjidhur çështje akoma më të vështira se kjo juaja, përse ju e latë këtë çështje të trashej kaq shumë? Kanë të drejtë shokët kur thonë se ju të dy, Beqir dhe Petrit, u përpoqët këtu të linit përshtypjen se nuk erdhët tek unë për sheshimin e këtyre mosmarrëveshjeve, për arsye se, sipas jush, këto qenkëshin për gjëra kornete, por edhe ju vetë e kuptoni se këto s’ishin të tilla.
S’ka dyshim se mendime të kundërta për çështje kornete mund të ketë dhe duhet të ketë medoemos gjatë përpjekjeve që bëjmë për zgjidhjen e drejtë të problemeve, po këto tuajat nuk kishin karakterin e diskutimeve që bëjmë ne ngaherë me njëri-tjetrin. Karakteri i kundërshtimeve tuaja, sidomos i ju të dyve, nuk ka të bëjë me shfaqje mendimesh, ai është krejt i ndryshëm prej këtyre. Ju i keni thënë njëri-tjetrit pikëpamjet: Jo “ma bën apostafat këtë”, jo “kërkon të më s’kartosh mua” etj., dhe këto i’a thoni jo në kohën e duhur, por tani në fund. Nëse nuk i’a thoshit dot njëri- -tjetrit, përse nuk erdhët që të dy tek unë dhe ta zgjidhnim këtë çështje?
Për ne është e qartë, more shokë, përse ju nuk erdhët, sepse, po të vinit tek unë, do të dilte pikërisht për të dytën herë se midis jush, dy shokëve kryesorë të Komandës së Përgjithshme, ka mosmarrëveshje e grindje joparimore për çështje pune, por që kanë degjeneruar.
Të dy këta shokë, duke e ditur se kjo gjendje nuk është në rrugë të drejtë, kanë menduar “ta rregullojmë në mes nesh këtë çështje”, pra, ta mbajnë të mbyllur. Një metodë pune e tillë është e shtrembër, prandaj duhet të braktiset menjëherë dhe në asnjë mënyrë të mos përsëritet. Ajo nuk do të përsëritet vetëm në qoftë se ecet në rrugën e drejtë të Partisë. Ne nuk jemi dakord me vlerësimin që Petriti i bëri Ushtrisë në mbledhjen e kaluar.
Atëherë ai na e bëri të zezë gjendjen, kurse sot, në fillim të diskutimit, na e bëri shesh me lule, por në pjesën e më pasme të diskutimit ai filloi edhe nga kritikat. Kundërshtimet në pikëpamjet e shokëve ushtarakë në mbledhjen e Byrosë Politike, u paraqitën në këto tri drejtime: Në fushën e përgatitjes ushtarake dhe të gatishmërisë së Ushtrisë. Në efektivitetin e komiteteve të Partisë në Ushtri dhe të marrëdhënieve të tyre me shtabet, komandantët e komisarët.
3) Në kuptimin dhe në zbatimin e rregulloreve, të urdhrave etj. Natyrisht, Byronë Politike e shqetësoi shumë kjo gjendje e punëve në Ushtri, prandaj ajo e bëri me të drejtë problem. Nga analiza që iu bë kësaj çështjeje, doli se në ministri ekziston një situatë jo e shëndoshë, që ne duhej ta sqaronim dhe e sqaruam.
Shokët ushtarakë, që morën pjesë në konsultën e organizuar për këtë qëllim, me diskutimet e tyre, në vija të përgjithshme, u treguan optimistë në çdo gjë në lidhje me kundërshtimet e përmendura më lart, ata vunë në dukje anët pozitive të punës, vunë në dukje, gjithashtu, edhe anët negative.
Tashti ne duhet të mendojmë akoma më thellë për këtë çështje, sepse puna juaj në Ushtri ka lënë gjurmë, ajo nuk është aq e thjeshtë, ju vetë e thatë se atje po flitet për marrëdhëniet tuaja. Kjo është shumë e rrezikshme, sepse nuk është çështja se në Shtatmadhori, sikurse në Qeveri ose në Byronë Politike, bëhen diskutime të frytshme e të zjarrta për problemet dhe nëpërmjet tyre dilet me të vërtetë në konkluzione të drejta, po është shumë shqetësuese kur në ministri dhe poshtë në reparte, të gjithë thonë se Beqiri me Petritin s’janë në rregull, kanë mosmarrëveshje. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016