Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike i mbajtur më 8 dhjetor të vitit 1970, ku sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe njëkohësisht komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës Popullore të Shqipërisë, Enver Hoxha, në diskutimin e tij, morri në analizë punën që ishte bërë deri atëhere në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në të gjithë Ushtrinë Shqiptare. Fjala e plotë e Enver Hoxhës në atë mbledhje të Byrosë Politike, e cila si çështje kryesore, kishte mosmarrëveshjet, grindjet dhe konfliktet që ekzistonin ndërmjet ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe njëkohësisht anëtarit të Byrosë Politike, Beqir Balluku, me shefin e Shtatmadhorisë së Ushtrisë Shqiptare në Ministrinë e Mbrojtjes, Petrit Dume dhe Drejtorin e Drejtorisë Politike në Ministrinë e Mbrojtjes, Hito Çako. Të gjitha akuzat që hodhi në atë mbledhje Enver Hoxha ndaj tre drejtuesve më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, lidhur me kontradiktat e thella që ekzistonin mes tyre, ku ai midis të tjerash u shpreh: “Po ta marrim çështjen nga ana e pozitës, qoftë në Parti, qoftë në komandë, është e qartë për të gjithë se nga kjo pikëpamje në ministri, Beqiri është përgjegjësi kryesor. Tek ai duhet të ketë pasur njëfarë pre dispozicioni joshoqëror ndaj kritikave që i janë bërë herë pas here për mjaft probleme. Beqirit mund t’i jetë dukur sikur ndonjëri përpiqet të tregohet se është më specialist se ai në çështjet ushtarake dhe, me prepotencën e me të gjitha veprimet e tij, duhet të ketë dashur jo vetëm t’ia ulë pak hundën, për shembull, Petritit, po sikur të kishte mundësi, në qoftë se nuk gabohem, edhe ta mënjanonte apo ta largonte fare nga Shtatmadhoria, sepse detyra e shefit të Shtatmadhorisë në Ushtri, është një funksion kyç me shumë rëndësi, ai është dora e djathtë e ministrit të Mbrojtjes”.
Diskutim i Enver Hoxhës në mbledhjen e Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së
“DREJTUESIT E MINISTRISË SE MBROJTJES JANË PËRGJEGJËS DIREKT PËR GJENDJEN NE USHTRI DHE DUHET TE PËRGJIGJEN PARA PARTISË”
8 dhjetor 1970
Unë mendoj se ne duhet të reflektojmë edhe për një çështje tjetër, për të cilën fola pak më parë, çështjen e mendjemadhësisë, e veshur kjo me petkat e thjeshtësisë, që shfaqet edhe në metodën e stilin e punës së këtyre shokëve. Mos ka influencuar vallë kjo gjendje edhe poshtë në reparte, në shtabe e në komanda? Për sa u përket mbledhjeve të Këshillit të Mbrojtjes, këto janë bërë kryesisht me shtytjen tonë, asnjëherë ato nuk janë bërë me iniciativën e Beqirit ose të shokëve të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes.
Dhe kuptohet: Si është e mundur t’i paraqiten të tilla probleme Këshillit të Mbrojtjes nga ministri i Mbrojtjes, kur vetë ky, që është njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike, nuk vjen herë pas here te Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë dhe t’i shtrojë atij probleme? E kam fjalën këtu për zgjidhjen e problemeve të rëndësishme të Ushtrisë dhe jo për gjëra të vogla e të shkëputura, se për këto, natyrisht, është biseduar. Probleme kyç të Ushtrisë, pra, nuk na janë servirur dhe të tilla probleme ka plot, juve ju dalin atje vazhdimisht përpara.
Në qoftë se, çështje të kësaj natyre do të na shtroheshin për diskutim, qoftë ballë për ballë, ose nga dy e tre veta, ne do të nxirrnim medoemos probleme për t’ia paraqitur Këshillit të Mbrojtjes. Mirëpo të tilla nuk na vijnë. Kush e ka fajin për këtë? Mund të marrim edhe ne ca faj, në kuptimin që Beqirit t’ia vinim të dyja këmbët në një këpucë, pavarësisht se disa herë nuk kemi mbetur pa thënë të bëjmë këtë ose atë.
Por, Beqiri, që është i ngarkuar apostafat për çështjet e Ushtrisë, që duhet të dijë ku i dhemb e ku i ther, çfarë duhet bërë e çfarë nuk duhet bërë, duhej të na shtronte probleme, kurse ai s’ka ardhur te ne as edhe për ato që i janë thënë. Kisha shkruar një herë një punim të vogël për disa çështje të ushtrisë dhe ia dhashë Beqirit t’i lexonte e t’i shikonte me syrin se ç’mund të bënim me to. Këtë shkrim unë s’e bëra kot dhe shoku Beqir e mori atë përnjëherësh, e këndoi, “e studio” dhe më tha se aty nga gushti ose shtatori, do të vinte të më raportonte, mbasi, sipas tij, gjer në atë kohë diçka do të kishte realizuar.
Unë e kam pritur të vinte, sipas fjalës së dhënë, po akoma nuk më ka ardhur për këtë problem, për të cilin mendoj se po punohet, sepse në atë material flitet për çështjet e Ushtrisë dhe të popullit-ushtar. Kur në raportet që na jepen, pavarësisht nga sukseset e mëdha që kemi në Ushtri, shikojmë të meta, siç është, për shembull, ajo që përgatitja taktike, teknike dhe fizike në reparte, që duhet të konsiderohet treguesi kryesor i Ushtrisë sonë, nuk bëhet në nivelin e duhur, atëherë kemi të drejtën të mendojmë, përse e kemi ushtrinë, cili është qëllimi i saj?
Në qoftë se në raportet si ky që na bën Rrahmani i thuhet që Ushtria çalon në këto drejtime, atëherë na shkon përnjëherësh mendja se ajo çalon në çështjet themelore. I gjithë qëllimi i punës sonë në Ushtri është përgatitja e trupës sa më afër kushteve të luftimit. Ju e ngrini këtë çështje dhe në këtë drejtim punohet. Për këtë qëllim kanë dalë edhe projekt-tezat e Këshillit të Mbrojtjes. Megjithatë ushtarëve nuk u mësohen sa duhet parimet, normat, rregullat bazë të luftimit etj.
Në Ushtri nuk shohim të zbatohen me rreptësi rregulloret, urdhrat dhe detyrat; te mjaft kuadro ekzistojnë akoma koncepte të gabuara, siç është, për shembull, ideja e gabuar se “vetëm ushtria e grumbulluar në kazerma ka disiplinë”, ose ideja tjetër e sëmurë, liberale e likuidatorë, sipas së cilës “Ushtria mund të bëjë edhe pa rregullore”. Unë edhe më parë kam reflektuar për problemin rreth të cilit do të flas, por tani po e konkretizoj dhe mendoj se duhet ta shohim akoma më mirë dhe të nxjerrim përse i kemi këto dobësi.
Mos vallë jeni larguar nga baza? Ose me organizimin aktual, duke krijuar gjithë këto njësi të mëdha ushtarake mos jeni larguar nga trupa? Natyrisht, këto duhen, sepse Ushtria është ndërtuar në një mënyrë të tillë që të hapet në kohë lufte, se ushtarët duhet të përgatiten mirë etj., por në qoftë se do t’i lëmë gjithë këta kuadro, që kemi grumbulluar në to, t’u marrin frymën shokëve poshtë, duke kaluar nëpër repartet si era apo duke ardhur rreth e rrotull shtabeve duke u krekosur, në vend që të venë e të ngulen për të mësuar konkretisht shtabet e reparteve e të nënreparteve, të punojnë e të jetojnë me ta, kështu bëjmë gabim.
Gjersa konstatojmë që shtabet e disa reparteve nuk janë në rregull, se kanë mjaft dobësi, pa folur për komandat e nënreparteve, duhen gjetur shkaqet përse këto komanda nuk janë në rregull. Nuk keni menduar ju për këtë, që është një problem me shumë rëndësi? Këta njerëz që kemi vënë atje nuk janë aq të rinj, ata kanë mbaruar Shkollën e Bashkuar të Oficerëve, kanë vite që po shërbejnë në Ushtri, atëherë si nuk qenkan ata në gjendje të drejtojnë si duhet një nënrepart, kur ne, gjatë luftës partizane, pa e njohur fare artin e luftës, kemi drejtuar batalione, brigada etj.?
Unë do të flas pak edhe për rezervistët, po çështjen e kam këtu që, si është e mundur t’i konsiderojmë ne gjithë këta kuadro si njerëz fare pa vlerë dhe, për arsye se një pjesë prej tyre kanë arritur moshën rreth 40 vjeç, t’i skartojmë nga komanda e nënrepartit? Unë mendoj se edhe në rast lufte, këta njerëz mund ta bëjnë detyrën e komandantit. Organizimin ekzistues ne e kemi vendosur me plot bindje, mirëpo këtij organizimi duhet t’i përgjigjemi edhe me një metodë të re pune dhe jo të vazhdojmë me metodën e vjetër të kazermës.
Përveç kësaj, ne hoqëm edhe gradat për arsyet që dihen. Mirëpo, ka nga ata që thonë “Meqenëse tani u bëmë komandantë njësie ose punojmë pranë shtabit të njësisë, nuk e bëjmë më kabull të vemi të shohim si punon trupa poshtë”. Dhe po të shohim, shokë, ç’kemi grumbulluar në njësitë e mëdha, na del se atje kemi një mori kuadrosh me eksperiencë, të cilët, në rast se nuk ndërrojnë metodën dhe stilin e punës, në rast se nuk e kuptojnë si duhet heqjen e gradave, thjeshtësinë e kuadrove dhe demokratizimin e ushtrisë, duke i ruajtur format organizative që kemi, ata do t’u qepen më shumë zyrave të shtabeve dhe do të merren me shkresa, në vend që të venë tek trupa. Nuk e them dot saktësisht sa venë e si venë tek trupa shokët e njësive më të larta, por në qoftë se venë dhe punojnë mirë, atëherë nuk ka përse të jenë të dobëta shumë nga shtabet e reparteve ose të nënreparteve.
Është e qartë, pra, se në këtë drejtim nuk po punohet si duhet. Duke ruajtur në ushtri organizimin aktual, që u përgjigjet nevojave dhe kushteve të një ushtrie popullore, siç është kjo jona dhe, duke marrë parasysh dobësitë që u konstatuan veçanërisht në përgatitjen luftarake, në stërvitjen e trupës, mendoj se ne duhet të rishikojmë çështjen e komandave dhe të shtabeve të njësive të larta, si edhe organikat ekzistuese të vetë Ministrisë së Mbrojtjes Popullore. Këtë rishikim mendoj ta bëjmë me synimin që kuadrot të vendosen në një mënyrë të tillë që të mobilizohen totalisht në kryerjen e detyrave të caktuara dhe, sa të jetë e mundur, në asnjë rast të mos lëmë shteg pa arsye për një shpërndarje të panevojshme. Qëllimi i kësaj pune duhet të jetë, pra, që kuadrot që kemi t’i bëjmë shumë më rentabël, sepse nuk janë të gjithë kështu sot, kur shtrohet detyra për të përgatitur gjithë këtë masë të madhe të popullit-ushtar.
Bashkë me këtë organizim më të drejtë të Ushtrisë, natyrisht, duhej ndërruar edhe metoda e stili i punës nga ana e kuadrove të Ushtrisë, mbasi edukimi i saj nuk është dhe nuk mund të bëhet më në format dhe në gjendjen që ishin para organizimit. Ishte e domosdoshme të vendosej një metodë dhe një stil pune krejt i ndryshëm nga i pari që t’i përgjigjet hapjes aktuale të Ushtrisë. Natyrisht, përpjekje në këtë drejtim janë bërë dhe mund të themi se ka suksese, por mendoj se komandat e njësive të larta ushtarake që kemi krijuar na kanë absorbuar shumë veta dhe nga kuadrot më të mirë të Ushtrisë. Ka, gjithashtu, mundësi që në organikat e komandave e të shtabeve të kemi qenë ca dorëlirë dhe të mos kemi pasur parasysh nevojat e mëdha që na dilnin përpara. Në këto çështje, natyrisht, ne jemi udhëhequr kurdoherë nga qëllimi i mirë që të krijonim komanda me kuadro të përgatitur, me eksperiencë, të aftë dhe pak a shumë të kompletuar.
Kështu mund të kemi bërë, gjer në njëfarë shkalle, edhe në komandat e në shtabet e njësive më të ulëta. Në analizën që u bë ka dalë qartë se ka shtabe të reparteve, komanda të nënreparteve, siç e thashë edhe më parë, që janë shumë të dobëta, prandaj na vihet detyrë e madhe që tani të gjitha këto t’i ngremë. Natyrisht, edukimi dhe plotësimi i tyre duhet bërë në mënyrë revolucionare, duke u përpjekur për të gjetur shumë forma, disa prej •ë cilave i kemi gjetur, i kemi diskutuar dhe po i diskutojmë, por kjo kërkon, mendoj unë, që nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes Popullore të bëhet, së pari, thjeshtimi i vetë aparatit të saj, ashtu siç po veprohet edhe në dikasteret e tjera, me qëllim që në ministri të lëmë në numrin e nevojshëm, kuadro të zotë për drejtim, për studim e për operativitet dhe të heqim andej të gjithë ata që kanë zënë poste të panevojshme e paralele dhe t’i çojmë në bazë. Po ku të çohen? Me kohë është krijuar mentaliteti se kuadrot që kanë punuar në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Shtatmadhori, që edhe nga mosha janë të kaluar, nuk janë të rinj, “janë të kalibrit të lartë”.
Kështu që, në qoftë se vjen puna ta marrim këtë masë, mendja na shkon menjëherë që këta të futen nëpër shtabet e njësive të larta të ushtrisë. Mirëpo një gjë e tillë do të sillte fryrjen e organikave të tyre edhe më shumë nga sa i kanë sot. Prandaj, edhe për komandat e shtabet e këtyre njësive Ministria e Mbrojtjes Popullore mendoj të bëjë një studim për të parë nëse duhet të vazhdojnë të ekzistojnë ato realisht në këtë periudhë, apo t’i ruajmë si forma nga më të përshtatshmet, që e kanë dhënë provën e drejtimit të nevojshëm dhe të domosdoshëm për kohën e emergjencës. Çështja duhet të vihet kështu: Këto komanda e shtabe dhe gjithë këta kuadro të kualifikuar që kemi lart, janë rentabël të qëndrojnë aty në këto situata, kur kemi nevoja të mëdha për të ngritur dhe për të forcuar bazën? Këta kuadro, duke punuar në këto funksione, a e japin në të vërtetë atë ndihmë reale që mund të jepnin, po të shkonin të punonin në bazë, në komandat apo në shtabet e njësive?
Kështu mund të themi me radhë për komandantët e për anëtarët e shtabeve të njësive dhe për kuadrot e tepërt që mund të kemi në këto njësi, duke i parë edhe nga mosha e tyre, të cilët mund të zbritnin në komandat dhe në shtabet e reparteve, kurse kuadrot e këtyre të fundit në komandat dhe në shtabet e nënreparteve. Me një shtytje të tillë, natyrisht jo automatike, por të studiuar me kujdes, ne do t’i forconim akoma më shumë nga sa i kemi sot komandat e shtabet e njësive, por njëkohësisht do të forconim sidomos komandat e reparteve ku jemi më dobët. Me këtë ne do të kemi bërë edhe një gjë tjetër, që kuadrot, në fakt, t’i afrojmë me bazën, me ushtarët, me stërvitjen konkrete, me zbatimin konkret të detyrave. Kështu do t’i ndihmojmë e do t’i stërvitim më mirë edhe kuadrot e rinj dhe, brenda një periudhe të shkurtër shërbimi, të ngremë më lart nivelin dhe aftësitë e tyre.
Në bazë, tani na mungojnë kuadro, se shumë nga ata kanë vajtur lart në majën e «piramidës-, sepse nuk është menduar aq thellë për repartet e nënrepartet, ku kuadrot kanë një barrë të rëndë, për arsye se stërvitin jo vetëm ushtrinë aktive, por edhe rezervistët, edhe pjesën tjetër të popullit-ushtar. Në këto kushte, na lejohet neve një luks i tillë? Na lejohet që kuadro me vlerë të vazhdojnë të qëndrojnë në krye të “piramidës”? Këtë e them jo se ata nuk kryejnë detyrën dhe kompetencat që u janë dhënë, po sidoqoftë janë larg bazës, prandaj mendoj se rentabiliteti i tyre nuk është ai që do të ishte nëse ata do të lidheshin konkretisht e më shumë me trupën, duke zbritur në bazën e “piramidës”. Këtej del edhe çështja e zhvillimit të lojërave me pjesëmarrje të madhe, të cilat janë të nevojshme, pse janë një pjesë përbërëse e gjithë veprimtarisë së Ushtrisë.
Vërtet këta kuadro dhe shtabet, që janë krijuar për të drejtuar njësi të larta të ushtrisë sonë, në planet e punës së tyre duhet të parashikojnë edhe stërvitje të tilla, mirëpo neve na vihet detyra që stërvitjet taktike, stërvitjet e zjarrit etj., me një fjalë, gjithë edukimi i Ushtrisë, të përsoset në bazë, në nënreparte e në reparte, që të dalim pastaj edhe në manovra të mëdha. Por, siç po na raportohet, kuadrot dhe shtabet në bazë në disa raste janë të dobëta. Konstatohet, gjithashtu, që në stërvitje të trupës shpesh mungojnë kuadrot drejtues të njësive të larta, shumë herë edhe të njësive më të ulëta, pa lëre pastaj të ministrisë. Një çështje e tillë meriton ta studiojmë, pse mund të jetë një masë plus dhe më konkrete që i shtohet dhe fuqizon masat e tjera konkrete që duhet të marrim për edukimin e kuadrove drejtues të njësive ushtarake, si për ushtrinë aktive, edhe për atë rezervë. Në qoftë se ne i ruajmë siç i kemi komandat e njësive të larta, t’i thjeshtojmë ato, në qoftë se jo, duhet të mendojmë për krijimin e njësive të tjera më efikaset.
Ushtrinë aktuale aktive, për arsyet që thashë, ne duhet ta konsiderojmë jo një Ushtri kazerme, por një shkollë, nga e cila ushtari i thjeshtë, pasi kryen shërbimin ushtarak, të dalë një kuadër i përgatitur, të paktën komandant skuadre apo toge. Natyrisht, gjatë kohës në rezervë, ai do të vazhdojë të stërvitet e të perfeksionohet më tej, por ushtari, me të mbaruar ushtrinë, duhet të dalë i përgatitur për qëllimin që thashë. Që t’i arrihet këtij qëllimi është e domosdoshme që rendimenti i kuadrove që kemi aktualisht në ushtri, të rritet dhe njëkohësisht të mendohet për të bërë një rishpërndarje më të drejtë të tyre. Kjo çështje, mendoj unë, nuk duhet të bëhet duke krijuar perturbacione organizative, siç është bërë zakon në ushtri. Një herë ky studim të bëhet së pari vetëm nga tre-katër kuadro të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët të na e paraqesin, duke na nxjerrë çfarë del prej tij, është i drejtë apo nuk është, do të kemi përfitime prej tij apo nuk do të kemi, duhet t’i mbajmë këto komanda dhe shtabe ekzistuese të njësive të larta apo nuk duhet t’i mbajmë.
Nëse del e nevojshme t’i mbajmë, të na thuhet si duhet t’i mbajmë, në rast se i prishim dhe i mbajmë në organikë rezervë, të jepen mendime si t’i gjallërojmë ato, me qëllim që gjithë këtë eksperiencë të madhe të fituar jo vetëm ta mbajmë në nivelin që është arritur, po ta përmirësojmë më tej me kurse, me stërvitje komando-shtabi që kuadrot, të cilët, në kohë të caktuara, do të marrin komandën e njësisë, të mos shkëputen nga praktika dhe nga teoria e drejtimit të këtyre njësive të larta. Këtë mendim unë e nxjerr jo vetëm nga sa thashë më lart, po, siç e theksova, ai del edhe nga metoda jo e përshtatshme e punës që ka Ministria e Mbrojtjes, metodë që është reflektuar edhe te kuadrot e njësive ushtarake e kështu me radhë më poshtë. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016