Memorie.al publikon një dokument arkivor të nxjerrë nga fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së me fjalën e Enver Hoxhës të mbajtur në Plenumin e 8-të të Komitetit Qendror që zhvilloi punimet në datat 12-12 tetor të vitit 1975-së, ku ai ngriti akuza të rënda ndaj Ministrit të Tregtisë, Kiço Ngjelës, zv/ministrit të Tregtisë së jashtme, Vasil Katit, dy anëtarëve të Byrosë Politike dhe zv/kryeministrave, Abdyl Këllezi dhe Koço Theodhosi, të cilët prej vitesh kishin mbajtur postet kryesore ministeriale të drejtimit të Ekonomisë shqiptare, duke i quajtur ata “Grupi armiqësor sabotatorë në ekonomi”!
Akuzat e Enver Hoxhës për Kiço Ngjelën, Vasil Katin, Abdyl Këllezin dhe Koço Theodhosin
Fjala në Plenumin e 8-të të KQ të PPSH
11-12 tetor 1975
Kisha për të thënë edhe unë disa fjalë për veprimtarinë armiqësore, diversioniste e sabotuese të Kiço Ngjelës. Këto çështje ky armik i popullit dhe i Partisë i ka pas dëgjuar me qindra herë, por nuk i kanë shërbyer, prandaj ato që kërkoja të vija në dukje roj t’ia them tash Plenumit. Nga analizat që bëri Komiteti Qendror i Partisë dhe nga kontrolli shtetëror, vërtetohet katërcipërisht se edhe në dikasterin e Tregtisë është zhvilluar veprimtari armiqësore, diversioniste dhe sabotuese nga spiunë dhe elementë në shërbim të të huajve.
Ky sabotim në fushën e Tregtisë është i koordinuar me ish-drejtuesit e Komisionit të Planit të Shtetit dhe të Ministrisë së Industrisë e të Minierave, Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi, si edhe me sektorin e rëndësishëm të naftës, që u sabotua nga një grup spiunësh e diversantësh në shërbim të fuqive të huaja armike. Në parantezë dëshiroj t’i them Plenumit se hetuesia gati e ka mbaruar punën me tradhtarët Beqir Balluku me shokë, të cilët, së shpejti, do t’i kalojnë gjyqit ushtarak për gjykim.
Kiço Ngjela, ish-ministër i Tregtisë, dhe Vasil Kati, ish-zëvendësministër i po këtij dikasteri, janë përgjegjësit kryesorë të kësaj pune armiqësore, diversioniste e sabotuese. Prandaj ne morëm vendim këtu për Kiço Ngjelën që ky të përjashtohet nga Komiteti Qendror dhe nga Partia. Faktet që zbuluam duhet ta bëjnë Partinë të ndërgjegjshme se armiku i klasës, i brendshmi dhe i jashtmi, po na luftojnë egërsisht. Ata po na futin spiunë dhe diversantë jo vetëm në organizatat-bazë, por deri edhe në instancat e larta të Partisë dhe të shtetit.
Si qe e mundur që ngjau kjo? Nuk është hera e parë që ne ndeshemi me veprimtari të tilla. Edhe herë tjetër ka ndodhur që disa anëtarë partie të dehen nga sukseset e brendshme e të jashtme dhe të humbin vigjilencën. Edhe kësaj here mjaft anëtarëve të Partisë iu rrit mendja sa arritën të thonë: “Titizmin jugosllav e shtypëm tok me agjenturën e tij; revizionistët Hrushovianë i dërrmuam e i demaskuam; ata s’mundën të kishin asnjë rezultat te ne”!.
Pra, te këta shokë u ngjall e u zhvillua megalomania, u nënvlerësua armiku. Flitej për vigjilencën, për luftën e klasave, për rrethimin e egër kapitalisto-revizionist, por arrihej në konkluzionin e gabuar: “Armiku s’ka ç’na bën, ne jemi të forte”! Armiku u fsheh prapa këtyre sloganeve; ai iu adaptua ekzaltacioneve, psikologjisë së sëmurë e dobësive të tjera të një sërë anëtarësh të Partisë e funksionarësh të shtetit dhe arriti të zhvillojë kështu punën minuese. Thuhej: “Të kemi besim te shokët dhe t’i kontrollojmë”. Mirëpo puna e gjithsecilit nuk kontrollohej si duhej dhe harrohej se të vetmin vlerësim të drejtë të njërit ose të tjetrit e bën kontrolli i punës. Shkohej më shumë nga parimi “Ky është shok i vjetër, ministër, anëtar i Komitetit Qendror apo i Byrosë Politike, prandaj është i imunizuar nga gabimet”.
Jeta na ka vërtetuar se konsiderata të tilla, që dalin jashtë normave të Partisë, janë të gabuara dhe mund të shkaktojnë dëme të mëdha për atdheun tonë socialist. Sa herë na e ka theksuar Komiteti Qendror detyrën për rritjen e vigjilencës revolucionare?! Sa herë na është theksuar të forcojmë punën organizative të Partisë dhe të shtetit?! Sa herë na është folur për edukimin tonë me teorinë e Partisë?! Por përvoja tregon se ka pasur shokë, organizata-bazë, komitete partie dhe organizma shtetërorë që nuk i kanë zbatuar si duhet këto detyra. Faktet dëshmojnë se pikërisht në këto dobësi e të çara ka mundur të depërtojë edhe armiku.
Në Ministrinë e Tregtisë armiku ishte në kokë të saj. Elementë spiunë mbanin atje lidhje me agjentura armike, jepnin informata dhe sabotonin ekonominë. Ndërkohë, ç’bënte organizata-bazë e Partisë e këtij dikasteri? Gjumë të rëndë! Atë e kishte nënshtruar arroganca e Kiço Ngjelës dhe e shokëve të tij sabotatorë e spiunë. Shumë komunistë të këtij dikasteri filluan të hapnin gojën kur iu zbulua peta lakrorit. Po ku e kishin gojën më parë? Ku i kishin kurajën dhe guximin që ata s’ka në munguar të flasin për to? Kjo organizatë-bazë dhe këta komunistë që bëjnë pjesë në të, a nuk duhej të ishin në gjendje më parë nga të gjithë për ta zbuluar diversionin që zhvillohej nën mjekrën e tyre?
Raporti që dërgoi Kryesia e Këshillit të Ministrave nëpërmjet Inspektimit të Shtetit, të jep një ide të qartë se sa fajtorë janë komunistët dhe punonjësit e paorganizuar në Parti të këtij dikasteri që i lanë të livadhisnin këta banditë. Kuadrot e punonjësit e Ministrisë së Tregtisë flisnin për rrethimin kapitalisto-revizionist, po harronin se shumë prej tyre jo vetëm punonin e jetonin në botën kapitaliste e revizioniste, por kishin edhe marrëdhënie e allishverishe me armiq kapitalistë e revizionistë. Këta njerëz jo vetëm nuk mbaheshin nën kontroll të rreptë, por mbroheshin, ndihmoheshin e lavdëroheshin nga Kiço Ngjela, Vasil Kati e të tjerë. Vallë në këtë mënyrë luftohet rrethimi kapitalisto-revizionist? Kur ngjasin gjëra të tilla, a mund të thuhet se pësimet na janë bërë mësime? A mund të thuhet, atëherë, se mbahen parasysh mësimet dhe gjithë eksperienca e luftës së Partisë kundër armiqve?
Puna armiqësore nuk duhet konsideruar si një fatalitet, në rast se Partia lufton dhe u mbyll kështu rrugët armiqve. Puna e armiqve lë shenja, ajo të jep sinjale. Në qoftë se je vigjilent, atë mund ta diktosh menjëherë dhe ta godasësh. Në rast se për shumë arsye e humbet vigjilencën, puna e armiqve trashet, gjë që Partia vazhdimisht na e ka vënë në dukje. Zhvillimi i tregtisë së jashtme me shtetet revizioniste dhe kapitaliste ishte shumë i dyshimtë; ai duhej të ndiqej me vigjilencë dhe sidomos kur dihet se këto shtete kërkojnë t’i bëjnë varrin socializmit në vendin tonë.
Në zhvillimin e tregtisë së jashtme shkohej me mendimin se “Tregtia është tregti, më jep të të jap”. “Ç’hyn këtu politika”?, predikonte Kiço Ngjela. Kjo është një pikëpamje reaksionare, pse në tregti ka politikë dhe kjo politikë varet nga fakti se si e bën dhe ç’objektiva ndjek ti e partneri yt në këtë tregti. Kiço Ngjela përhapte përshtypjen dhe euforinë (gjë që u përpoq ta bënte edhe këtu) se me vendet revizioniste tregtia jonë është e stabilizuar; se ato kanë nevojë për mallrat tona; se ishte një fitore që me dikë nga këto shtete kjo tregti po rritej çdo vit; se po futeshim në vendet kapitaliste, mirëpo nuk shikohej se, bashkë me këto, po na futeshin edhe shërbimet e agjenturës kapitalisto-revizioniste.
Karakteristike është se disa drejtues kryesorë të dikastereve merren me çikërrima që u përkasin të tjerëve dhe harrojnë çështjet më të rëndësishme. Këto i harrojnë në kuptimin që nuk kontrollojnë dhe nuk retifikojnë vijën kryesore të problemeve; nuk organizojnë skeletin e shëndoshë të punës organizative dhe nuk insistojnë në edukimin politik e ideologjik të vartësve; nuk luftojnë për të arritur objektivat që kanë caktuar Komiteti Qendror dhe Qeveria. Komiteti Qendror i Partisë dhe Qeveria kanë dhënë kurdoherë orientime, direktiva e udhëzime të drejta, në bazë të të cilave do të ecet. Ç’ngjau në praktikë gjatë zbatimit të tyre?
Orientimet dhe direktivat e drejta në këta sektorë u shtrembëruan dhe u deformuan. Armiqtë fshiheshin prapa këtyre orientimeve të drejta dhe i zhvillonin ato në drejtimin e vet-administrimit titist, në sabotimin e planeve, në zhvillimin e burokratizmit, në fryrjen e aparateve dhe në krijimin e teknokratëve. Të gjitha këto shtrembërime e sabotime i mbulonin me zhurmën e sukseseve. Ata përpiqeshin dhe shumë herë arrinin që sukseset t’ua atribuonin personave të tyre dhe sistemit revizionist që orvateshin të vendosnin te ne nën maskën e socializmit. Këtu qëndron gabimi i komunistëve, i organizatave-bazë dhe i komiteteve të Partisë që nuk shihnin veprimet sabotuese në vijë, të këtyre armiqve; nuk ballafaqonin direktivat e drejta me zbërthimin e zbatimin e tyre në praktikë, por merreshin vetëm me gjëra të dorës së dytë e të tretë dhe shumë herë ecnin, pa u qederosur fare, në një rrugë të gabuar e plot rreziqe.
Kësaj pune armiqësore, këtij indiferentizmi, kësaj plogështie në punë dhe në luftë organizatat-bazë e komitetet e Partisë, ndërmarrjet, kooperativat dhe dikasteret duhet t’i bëjnë një analizë të thellë politike, ideologjike, ekonomike dhe organizative. Partia, në të gjitha instancat e saj dhe në çdo kohë, duhet të analizojë gjendjen ndërkombëtare, forcat që ndeshen në botën e jashtme, situatën te fqinjët kapitalisto-revizionistë etj. Kjo është absolutisht e domosdoshme të bëhet, përndryshe vetëm flasim për rrethimin kapitalisto-revizionist, por nuk dimë ç’është e si vepron ky rrethim; ku dhe si i drejton ai sulmet në botë, në përgjithësi, dhe kundër vendit tonë, në veçanti. Këtë gjë duhet ta njohim dhe ta riparojmë sa më shpejt. Partia dhe populli vërtet do të interesohen shumë për problemet ekonomike, por kjo nuk do të thotë të harrojnë problemet politike që ziejnë në botë dhe sidomos rreth nesh. Pra, a mund të lejohet që organizata-bazë e Partisë të merret me çikërrima, të bëjë llafe e pallavra pa mbarim dhe të lërë disa njerëz të veprojnë si të duan?!
Gjithmonë thuhet: “Nën udhëheqjen ‘e organizatës-bazë të Partisë”. Por a është vallë kurdoherë kështu? Jo! Po të dalë mirë puna, thuhet: “Rroftë organizata- -bazë”!, po të dalë keq, atëherë “Fajin e ka pushteti që s’mori masa, që nuk organizoi…”, etj. Po kush është pushteti te ne? Diktatura e proletariatit. Kush e udhëheq këtë diktaturë? Partia. Atëherë a mjafton vetëm afirmojmë me qindra herë këto parime dhe t’i zbatojmë dobët ose edhe t’i harrojmë fare? Shokët duhet ta kenë të qartë se e para për çdo gjë është përgjegjëse Partia. Ata të kuptojnë se puna e pushtetit asnjëherë nuk është e shkëputur nga puna e Partisë, se puna për zhvillimin e ekonomisë është e lidhur ngushtë me punën politike, ideologjike dhe organizative të Partisë.
Pa i kuptuar kështu dhe pa i lidhur ngushtë këto çështje kardinale, asgjë nuk mund të shkojë mirë. Të gjithë anëtarët e Partisë, kuadrot dhe punonjësit duhet ta kenë kokën të ftohtë dhe zemrën të zjarrtë. Komunistët nuk duhet të marrin zjarr me një sukses, aq më tepër që ne s’kemi korrur një, por me mijëra suksese. Por në asnjë rast nuk duhet të na rrijë mendja sikur kemi arritur perfeksionin; nuk duhet të mendojmë se u arrit një sukses në një zë të planit dhe në këtë realizim nuk ka të meta, nuk ka defekte, nuk ka rezerva që janë lënë apostafat “për të qenë brenda” dhe për të dalë kështu mbi ujë, për t’u mburrur ‘e për të ngjitur shkallët. Suksese ne kemi e do të kemi vazhdimisht, po këto kurrë të mos na dehin dhe të mos na bëjnë të harrojmë rrethimin kapitalisto-revizionist. Ky rrethim ekziston, është real dhe vepron.
Beqir Balluku ishte agjent i vjetër i jugosllavëve dhe i sovjetikëve; Hito Çakoja e Petrit Dumja po kështu; Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kiço Ngjela dhe të tjerë armiq e sabotatorë ishin në shërbim të të huajve. Pra, këta njerëz nuk ishin prej atyre që mund të bënin ndonjë gabim padashur. Jo! Këta ishin komplotistë, revizionistë, spiunë. Partia jonë është një Parti e fortë dhe e kalitur, por armikun e brendshëm dhe të jashtëm nuk duhet ta nënvlerësojë. Nënvlerësimi i armikut është baras me shuarjen e luftës së klasave, që është burim i gjithë të këqijave dhe katastrofave. Eksperienca e Partisë sonë është e madhe, politike dhe ideologjike. Ajo duhet të përvetësohet e të studiohet thellë nga komunistët, të vjetër e të rinj, nga klasa punëtore e nga rinia, se pa një ngritje të vazhdueshme ideologjike dhe politike të komunistëve e të punonjësve, punët nuk mund të na ecin mirë.
Aktualisht me dhjetëra mijë veta te ne zotërojnë shkencën dhe teknikën, po këto nuk mund të vihen në shërbim si duhet në rast se njerëzit që i zotërojnë nuk janë të edukuar edhe me marksizëm-leninizmin. Ne flasim për teknokracinë, por jemi akoma larg kuptimit të thellë të rrezikut që sjell ajo. Shihni Beqir Ballukun, Hito Çakon dhe Petrit Dumen: ata hiqeshin si ekspertë dhe teknikë ushtarakë. Edhe Abdyl Këllezi e Koço Theodhosi hiqeshin si specialistë, si teknikë e si ekonomistë. Sabotatorët e naftës ishin gjeologë, inxhinierë. Kiço Ngjela dhe Vasil Kati hiqeshin, gjithashtu, teknikë e specialistë të tregtisë. Mirëpo, ç’ngjau me ta? Ata ishin antimarksistë, kundër mësimeve të Partisë sonë dhe eksperiencës së saj, ishin antisocialist. Por a flisnin, a lëshonin ata slogane për Partinë? Sa të duash! Po çfarë fshihnin prapa këtyre parullave? Helmin dhe thikën!
Prandaj vigjilencë, shokë, vigjilencë revolucionare! Edukim, edukim me marksizëm-leninizmin dhe me eksperiencën e Partisë sonë! Zbatim të plotë të detyrave, besim te shokët, por edhe kontroll të vazhdueshëm mbi ta! Kontroll s’do të thotë “dyshim, zënie me presh në duar”, por luftë kundër degjenerimit, kalbëzimit, sabotimit, diversionit dhe shumë të këqijave të tjera. Përpara interesit të madh të Partisë, të popullit, të socializmit nuk duhet të vihet asgjë, as edhe jeta. Shokët që gabojnë duhet t’i korrigjojmë, kurse armiqve t’u shtypim kokën pa mëshirë!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016