Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon dosjen gjyqësore me vendimin e Gjykatës Popullore të Tiranës të datës 31 janar të vitit 1977, me kryetar Aleks Varfi, për ngjarjen e shumëpërfolur të “helmimit të lopëve të Baldushkut”, të cilat “hëngrën” katër koka njerëzish dhe dërguan prapa hekurave të burgut shumë të tjerë të pafajshëm. Si u inskenua dhe u montua akuza nga Sigurimi i Shtetit në bashkëpunim me Hetuesinë, Prokurorinë dhe Gjykatën, duke krijuar të ashtuquajturin “Grup kriminal sabotator” prej shtatë personash, ku bënin pjesë: Refat Daja, Nuri Allmuça, Selman Balla, Agim Akcani, Bashkim Allmuça, Emine Shima dhe Nadire Shimta, të cilët u akuzuan edhe si “përkrahës të Grupit të Beqir Ballukut dhe që kishin kërcënuar udhëheqjen e lartë të PPSH-së me anë të një letre anonime….”?!
Vendimi i Gjykatës Popullore të Tiranës për “Grupin armiqësor sabotator” të Baldushkut
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE
GJYKATA POPULLORE E RRETHIT TIRANE
Nr. 35 Aktit
Nr. 39 Vendimit
Dt. 31. I. 1977
Vendim: “Në emër të Popullit”
Si ngordhën nga helmimi 98 lopë të racës
Për pasojë, 98 lopë të racës ngordhën si pasojë e këtij helmimi. Fajësinë si më sipër u provua me pohimin e hollësishëm të të pandehurve: Refat Daja, Nuri Allmuça, Agim Akçani, Bashkim Allmuça, Nadire dhe Aishe Shima. Të gjithë këta si gjatë hetimit ashtu dhe gjatë gjykimit, pranuan në mënyrë të qartë se helmimi i lopëve është kryer prej tyre. Përsa i përket të pandehurit Selman Balla, vihet re se ai ka mbajtur një qëndrim mohues. Ndërsa të gjithë të tjerët, dhanë shpjegime se Selmani ka marrë pjesë në krim, duke e detyruar të pandehurin të pranonte fajësinë e tij. Pretendimet e këtij të fundit gjoja mbi mosmarrëveshjet me të pandehurit e tjerë, u hodhën poshtë nga të gjithë këta, duke pranuar kështu bashkëfajësinë në këtë veprim kundër-revolucionar. I pandehuri Selman, për të shpëtuar përgjegjësinë e tij, u mundua të ngrinte alibinë se gjoja natën e krimit, ka qenë në një darkë në shtëpinë e tij me disa persona, pra në pamundësi të ndodhej në vendin e ngjarjes. Dëshmitarët e pyetur për këtë fakt, të quajtur Sherif Ibrahimi dhe Dalip Ismaili, dëshmuan se ndonëse kishin qenë për darkë në shtëpinë e Selmanit, nuk u kujtohej data dhe sipas mendimit të tyre, kjo ka ndodhur shumë ditë përpara helmimit të lopëve. Të gjitha këto tregojnë se edhe Selman Balla pavarësisht nga qëndrimi mohues që mban, është pjesëtar i grupit që ka helmuar lopët e Baldushkut. Provat e tjera që vërtetojnë fajësinë e tyre janë: Ekspertiza grafike e datës 17 Nëntor 1975, e cila vërteton letrën anonime drejtuar udhëheqësit kryesor të Partisë, shkruar nga Nuri Allmuça.
Akt-ekspertiza: lopët janë helmuar me zhivë
Akt-ekspertiza toksikologjike Nr.365, përgatitur nga ekspertët Nexhmedin Misiri, Raqi Qirici, Thoma Nano, Napoleon Shomo dhe Afrim Tabaku, ku tregohet prania e preparateve të zhivës, fosforit, nitratit, dhe nitratit si në urinën e lopëve ashtu dhe në ujin e pijshëm. Ekspertët shpjeguan se në kovën ku pretendohet të jenë përzier helmet nga të pandehurit, u gjend zhivë super fosfati, dhe nitrat. Nga shpjegimet e dhëna prej ekspertëve para gjykatës, u përjashtua mundësia që helmimi i tyre të ketë ndodhur nga vetë organizmi i tyre, pasi nuk ekziston ndonjë analizë e veçantë që e vërteton këtë gjë. Po kështu, përjashtohet mundësia e helmatisjes nga ushqimi. Ekspertët treguan se kombinimi i helmeve, në ushqim nuk mund të bëhej vetëm me praninë e një personi të vetëm. Gjithashtu u provua se depoja e ushqimit ka tre porta, ku çelësin e njërës prej tyre e mbante Agim Akçani, ndërsa dy të tjerave, krye stallieri Hazis Balla. Kjo vërteton se të gjithë këta persona kanë hyrë në këtë stallë, vetëm me ndihmën e personave si Hazisi dhe Agimi. Një seri provash të tjera në mënyrë indirekte, provojnë se Nuri Allmuça, disa ditë para ngjarjes në mënyrë të tërthortë, ka shfaqur pikëpamjet e tij rreth dëmit që mund t’i bëhej kooperativës. Kështu dëshmitari Nuri Allmuça, deklaroi se 10 ditë para kësaj ngjarjeje, i pandehuri Nuri ka folur se do të dërgonte një letër në adresë të K.Q. të P.P.SH.-së, anonime, se nuk e përkrahnin në Baldushk. Kooperativa jonë në këtë rast, do të dëmtohej rëndë. Zyber Allmuça deklaroi si më sipër, se Nuriu ka treguar se lopët janë helmuar me zhivë të zezë. Lutfi Allmuça në dëshminë e tij ka treguar se Nuriu i kishte thënë atij të largohej nga stalla, pasi mund t’i ndodhte një gjë e rëndë. Këto shprehje i ka dëshmuar edhe dëshmitari Petrit Allmuça. Është vërtetuar se në Kooperativën Bujqësore në Baldushk, është mbajtur një qëndrim i pakujdesshëm përsa i përket ruajtjes së helmeve.
Helmimi i lopëve, vepër dhe krim diversionit
Vepra e kryer nga të pandehurit formon krimin e diversionit gjë që solli si pasojë dëmtimin e rëndë të pasurisë së kooperativës, nisur me qëllime të posaçme kundër-revolucionare. Kjo ndodhi, për të krijuar në popull ndjenjë e frikës dhe të pasigurisë, krim ky i parashikuar në nenin 70 të Kodit Penal. Në akuzë bëhet fjalë se të pandehurit për të realizuar qëllimet e tyre kundër-revolucionare, kanë krijuar një organizatë kriminale. Ky konkluzion i akuzës mbi ekzistencën e organizatës kriminale është i pabazuar për këto arsye: Për të pasur një organizatë kriminale është e domosdoshme të ekzistojnë këto kushte: Në të marrin pjesë më tepër se dy persona. Të jetë i organizuar. Të jetë i qëndrueshëm për të kryer veprimtari të vazhdueshme kundër pushtetit në një formë të lartë organizimi. Në rastin konkret, mungon qëndrueshmëria dhe një organizim i lartë, sepse të pandehurit kanë pasur për qëllim të kryejnë vetëm atë vepër kundër-revolucionare të helmimit të lopëve, dhe për këtë qëllim janë bashkuar brenda një kohe të shkurtër, duke bërë vetëm një mbledhje aty nga fundi i Tetorit, ku për të gjithë është bërë e qartë se do të vepronin në helmimin e lopëve me datën 7 Nëntor 1975 dhe pas kësaj veprimtaria e tyre merrte fund. Pra nuk del që ata të kenë patur qëllime të tjera. Përsa i përket krimit të agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, ky prej disave prej tyre është kryer para se të binin dakord në helmimin e lopëve dhe është kryer me persona të veçantë dhe as që ka qenë në programin e punës së tyre. Organizata kriminale është forma më e lartë e organizimit për të kryer krime të ndryshme, pra në rastin konkret mungojnë këto element, dhe për pasojë vepra është kryer nga një grup i organizuar personash. Me veprat e tyre të pandehurit kanë dëmtuar kooperativën bujqësore në lekë 350.000 për të cilën duhet të përgjigjen solidarisht.
Letra kërcënuese ndaj udhëheqjes: Do hani kokat tuaja!
Të pandehurit kanë kryer edhe krimin e agjitacionit dhe propagandës dhe konkretisht si vijon: Të pandehurit Rifat Daja dhe Nuri Allmuça, bashkërisht kanë përgatitur një letër anonime drejtuar udhëheqjes së Partisë, plot me shpifje dhe trillime për komunistët e Baldushkut, dhe njëkohësisht në këtë letër shprehen edhe fjalë armiqësore kundër udhëheqjes së Partisë. “Në rast se nuk do të zgjidhni këto probleme, do të hani kokat tuaja”. Kjo provohet me letrën si objekt krimi si dhe me pohimet e tyre. Veç kësaj të pandehurit kanë shprehur pakënaqësi ndaj masave që partia ka marrë ndaj Beqir Ballukut, duke i quajtur ato të padrejta. I pandehuri Nuri Allmuça veç tyre fakteve, ka agjituar kundër kolektivizimit dhe luftës kundër fesë. Edhe ky fakt provohet nga pohimet e të pandehurve të tjerë. Gjithashtu edhe të pandehurat Emine dhe Nadire Shima, kanë agjituar kundër kooperativave bujqësore, kanë përkrahur fenë, si dhe në bisedat që kanë zhvilluar me shumë persona të tjerë në Baldushk, janë shprehur se: niveli i përgjithshëm i jetës dhe i ekonomisë shqiptare, është në nivel katastrofik, pasi kjo punë nuk e kishte të gjatë.
Dy motrat e pandehura, kanë përkrahur Beqir Ballukun!
Po kështu të pandehurat në fjalë kanë përkrahur Beqir Ballukun. Edhe ky fakt është i provuar. Edhe i pandehuri Agim Akçani, gjithashtu është përgjegjës për krimin e agjitacionit dhe propagandës, pasi ka pohuar me gojën e tij për nivelin e ulët të kooperativave dhe ekonomisë shqiptare. Kjo është vërtetuar nga pohimet e tij gjatë hetuesisë. Vepra këto të dënuara sipas nenit 73/1 të K.P. Të pandehurit Bashkim Allmuça dhe Selman Balla, gjithashtu janë akuzuar për agjitacion dhe propagandë, por vazhdimisht e kanë mohuar këtë. Akuza fajësinë e tyre e bazon kryesisht në atribuimet e të pandehurës Nadire Shima, të cilat janë të zbehta, prandaj është e pamjaftueshme që këto dy të pandehur të shpallen të pafajshëm për këtë fakt. Këto vepra të kryera nga të pandehurit, kanë paraqitur një rrezikshmëri të madhe. Për masën e dënimit, gjykata ka parasysh shkallën e pjesëmarrjes të çdo të pandehuri në kryerjen e këtij krimi. Iniciatorët e kësaj vepre kriminale, janë Refat Daja dhe Nuri Allmuça, të cilët qysh në fillim kanë shkruar letrën anonime, dhe duke e parë që kjo gjë nuk solli ndonjë sukses, kanë marrë përsipër kryerjen e aktit të helmimit të lopëve. Për këtë fillimisht, ata tërhoqën në grupin e tyre Emine Shimën dhe pastaj morën vendimin për zgjerimin dhe konsolidimin e këtij grupi. Këto gjëra u bënë duke shfrytëzuar pakënaqësitë e tyre. Të dy këta janë krerët kryesorë të grupit të helmimit të lopëve. Si të tillë paraqesin rrezikshmëri më të lartë nga të pandehurit e tjerë. I pandehuri Agim Akçani, duke shfrytëzuar postin e tij si brigadier, ka ndikuar qëllimisht në zbatimin e ekzekutimit të këtij krimi. Përsa i përket të pandehurit Bashkim Allmuça, paraqet një rrezikshmëri më të vogël se të tjerët, pasi qysh në fillim ka pohuar pjesëmarrjen në krim. Gjithashtu edhe të pandehurat Nadire dhe Emine Shima, kanë pohuar pjesëmarrjen në krim. Por gjykata duke marrë parasysh moshën e re, e ka gjykuar si më pak të rrezikshme karakterin e tyre.
Vendimi: Dy me vdekje, të tjerët me burgime të gjata
Për këtë arsye: Në bazë të nenit 78 të K. Pr. Penale, Gjykata:
VENDOSI
- Të deklaroj fajtor të pandehurin Refat Daja për krimin e diversionit dhe në bazë të nenit 70, 12, dhe 8 të K.P. e dënon me VDEKJE me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Në bazë të nenit 73/1 të K.P. e dënon me 8 vjet heqje të lirisë. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. e dënon me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.
- Deklaron fajtor të pandehurin Nuri Allmuça për krimin e diversionit kryer në bashkëpunim në bazë të nenit 70,12 dhe 73/1 të K.P. e dënon me VDEKJE me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet. Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. e dënon me pushkatim si dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 5 vjet.
- Deklaron fajtor të pandehurin Selman Balla për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim në bazë të nenit 70, 12, të K.P. e dënon me 22 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.
- Deklaron fajtor të pandehurin Agim Akçani për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 20 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Përfundimisht e deklaron fajtor për nenin 73/1 të K.P. dhe e dënon me 21 vjet heqje të lirisë lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.
- Deklaron fajtor të pandehurin Bashkim Allmuça për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 16 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së tij me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.
- Deklaron fajtore të pandehurën Emine Shima për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 14 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Përfundimisht e deklaron fajtore për nenin 73/1 të K.P. dhe e dënon me 15 vjet heqje të lirisë lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.
- Deklaron fajtore të pandehurën Nadire Shima për krimin e diversionit të kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 70,12 dhe 28 të K.P. e dënon me 13 vjet heqje të lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet. Përfundimisht e deklaron fajtore për nenin 73/1 të K.P. dhe e dënon me 14 vjet heqje të lirisë lirisë dhe me konfiskim të pasurisë së saj me humbjen e të drejtës elektorale për 4 vjet.
Detyrimin e të gjithë të pandehurve për të paguar dëmin e shkaktuar ndaj Kooperativës Bujqësore Baldushk prej 350.000.000 lekë. Vuajtja e dënimit për të pandehurit Selman Balla fillon nga data 10.11.1975, për Agim Akçanin nga data 10.11.1975, Bashkim Allmuçën nga data 17.6.1976, Emine Shima nga data 9.12.1975, dhe Nadire Shima nga data 9.12.1975. Shpenzimet gjyqësore i ngarkohen të pandehurve. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve nga e nesërmja e shpalljes.
U shpall sot me dt. 31.1.1977
KRYETARI Aleks Varfi
Kundër këtij vendimi është bërë ankim nga të gjithë të pandehurit dhe aktet ju dërguan për shqyrtim Gjykatës së Lartë.
SHËNIM: Gjykata e Lartë në shkallë të dytë me vendimin Nr.51 datë 19.2.1977 ka vendosur: Lënien në fuqi të këtij vendimi. Ky vendim për të gjykuarit Refat Daja dhe Nuri Allmuça nuk do të vihet në ekzekutim para shqyrtimit nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të kërkesës së tyre për falje, që ata kanë të drejtë ti dërgojnë atij në bazë të nenit 349 të K. Pr. P. Tiranë më 28.2.1977. /Memorie.al
K/Sekretare e Gjykatës
(Ruko Sako)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016