Nga Petro Marko
Memorie.al / Petro Marko lindi në Dhërmi në vitin 1913. Ai filloi të shkruante në moshë fare të re dhe më 1936-ën filloi botimin e revistës “ABC”, që u mbyll pas pak kohësh nga autoritetet e Monarkisë Zogut. Në atë kohë ai largohet nga Shqipëria dhe shkon vullnetarisht në Luftën e Spanjës, ku u inkuadrua në Brigadat Internacionale. Gjatë kësaj periudhe, kur ishte në Madrid, ai punoi gjithashtu për nxjerrjen e revistës “Vullnetari i lirisë”. Më 1940-ën u kthye në atdhe, por më 1941-in, gjatë pushtimit Italian, e arrestojnë për veprimtari antifashiste dhe e internojnë, në ishullin Ustika të Italisë. Rikthehet përsëri në Shqipëri më 1944-ën dhe në muajt e fundit të luftës, mori pjesë në formacionet partizane. Mbas luftës punoi si kryeredaktor në gazetën “Bashkimi”. Më 1947-ën, arrestohet dhe burgoset, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve”, për arsye se kishte shërbyer për disa kohë si përkthyes pranë UNRRA-s. U lirua nga burgu në vitin 1949 pas dënimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Koçi Xoxes, por edhe pas kësaj persekucioni ndaj tij, vazhdoi përsëri dhe për tetë vjet iu ndalua e drejta e botimit. Edhe kur kjo e drejtë iu rikthye, “syri vigjilent” i censurës, do të ishte tejet i vëmendshëm ndaj veprës së tij letrare. Si një prej figurave më të rëndësishme të letërsisë shqipe, vepra e tij është shumë njohur jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë e më gjerë. Petro Marko ndërroi jetë në Tiranë më 1991-in. Shkrimi që po publikojmë më poshtë, është marrë nga kujtimet e Petro Markos të shkruara pas shembjes së regjimit komunist në vitin 1990-’91 dhe aty bëhet fjalë për periudhën kur ai ishte i arrestuar dhe mbahej i izoluar në burgun e Tiranës në vitin 1947.
KRIM KUNDËR KULTURËS UNIVERSALE
– Kujtimet e shkrimtarit Petro Marko –
Jam i varur nga duart, lidhur me zinxhirë të rëndë që më rëndojnë mbi supe dhe qëndroj në majë të gishtërinjve të këmbës. Një torturë e panjohur për trupin tim as në burgun e regjimit të Mbretit Zog, as në atë të okupatorit fashist. Kjo ishte një torturë që më bëhej në pranverën e ‘47-s në Shqipërinë time, për çlirimin e së cilës kisha kushtuar tërë ëndrrat e rinisë sime. Në haluçinacionet e mia gjatë torturës, për çudi shkruaja një roman që titullohej “Universi im”.
Zakonisht dera e birucës hapej dhe hetuesit kërkonin me këmbëngulje të njëjtën gjë: të pranoja dhe të firmosja “veprimet” e mia dhe të shokëve, të paqena. Ata përsërisnin: Ky është interesi i Partisë!
Në një ditë të tillë u hap dera dhe rojet shtynë brutalisht në birucënn time një plak si Ghandi. Ai nuk ishte leckë, ai ishte njeri. Ngriti kryet ashtu siç ishte përdhe i shtrirë, më pa dhe shqiptoi:
– “Petro Marko këtu? Unë shpresoja te ju. Kam dashur t’ju drejtohem me një letër, që të sqaroni lart pozitën time. Jam i pafajshëm”.
E pyeta: – Kush jeni ju?
Ai e fliste shqipen me theks të huaj.
– “Jam profesor Zuberi…”!
Si e njoha profesor Zuberin, gjeologun me famë botërore…!
Një ekip i përbërë nga Nako Spiro, gjeologu ynë i shquar Andrea Xega, unë gazetari dhe i madhi Zuber, që asokohe ishte këshilltar për gjeologjinë pranë qeverisë, shkuam në Shkodër, për të kërkuar në Kopklik, nëse kishte burime uji të pijshëm. Andrea Xega më foli gjatë dhe me shumë respekt për personalitetin e madh e me famë botërore të gjeologjisë, Zuberin.
“Lenini, me sa më kujtohet sot, – tha Andrea, e mori Zuberin në Baku për studimin e vendburimeve të naftës”. Në birucën e përbashkët vetë Zuberi më tregoi sesi në Baku i kishin ngritur një bust në shenjë mirënjohjeje.
Gjithmonë e them, me aq sa më kujtohet sot, e angazhoi këtë gjeolog me aftësi të jashtëzakonshme Shoqata e Madhe e Naftës Anglo-Persiane, për të studiuar në Lindjen e Mesme vendburimet e naftës. Ai punoi, zbuloi në zonat naftë-mbajtëse më të pasura në botë. Bëri hartën gjeologjike. Këto m’i tregonte ai vetë në ditët e netët e rënda të birucës, ku flisnim me një fije zëri. Ai herë pas herë murmuriste me vete diçka, i shtrirë në çimento, gati i zhveshur. Më thoshte:
– “Jam duke dhënë leksion në auditor”!
Anglo-Persiania, pasi përfundoi Zuberi hartën për Lindjen e Mesme, e dërgoi në Shqipëri, në kohën e Zogut. Zuberi studioi terrenin shqiptar pëllëmbë për pëllëmbë dhe bëri hartën e parë gjeologjike të Shqipërisë. Zbuloi ekzistencën e naftës në nëntokën e Kuçovës dhe të Patosit. Nën mbikëqyrjen e tij puset e parë dhanë naftë. Pasi nafta e Kuçovës përmbante në një përqindje të madhe squfur, siç më tregonte vetë Zuberi, anglo-persianët ia shitën Musolinit.
Zuberi krijoi Muzeun e parë gjeologjik në Kuçovë. Habitesha me kulturën e gjerë të këtij njeriu të madh, katandisur sa një grusht. Ja dita e tij në birucë: Orë të tëra ai fliste pa mbarim për probleme të specialitetit të tij. Orë të tëra ai i lutej Zotit si katolik polak që ishte. Ai lutej në polonisht. “Më vjen keq, – më tha një ditë, – që nuk arrita të mbaroja një studim, që do të më vërtetonte nëse puset vajgurore të Transilvanisë rumune kanë lidhje me puset e Kuçovës”.
Burgu natën gjëmonte nga klithmat therëse të atyre që torturoheshin. Thonë se aso kohe banorët e asaj zone braktisën shtëpitë.
Zuberi mendonte. Ai më tha: “Këto krime që kanë përfshirë njerëzit e kulturës e të shkencës, njerëz të pafajshëm (ishte fjala për Andrea Xegën, Mirash Ivanajn, Dhimitër Paskon, Dhimitër Dhespotin, Dr. Irfan Pustinën, Arshi Pipën, Dr. Kadri Kërçikun e shumë e shumë të tjerë, një listë e gjatë e inteligjencës shqiptare) mendoj, kanë një qëllim: të mbetet në pushtet injoranca. Unë mendoj edhe më larg. Unë besoj se një nga udhëheqësit është agjent që vepron kundër Shqipërisë”!
Një tjetër ditë nga të panumërtat, të gjatat ditë të birucës, Zuberi pasi u kthye nga hetuesia në një gjendje sa nuk e mbanin këmbët, më tha: “Më torturojnë, duan me çdo kusht të pranoj se jam agjent. Duan medoemos të them qëllimin tim, se pse nuk kam shënuar në hartën gjeologjike të Shqipërisë vendburimet e floririt. Unë them: ka pak flori, por duhen njëzet herë më shumë vlera në ar për të nxjerrë atë sasi minimale që ekziston nën tokë. Për cilin shtet, zoti gazetar me pranga, mund ta kem ruajtur unë atë sasi qesharake floriri”?!
Ishte tepër e dhimbshme të shikoje atë burrë të moshuar, katandisur në skelet. I binte gjoksit të tij të thatë me pëllëmbë dhe thoshte: – “Dua të jetoj, dua të kthehem në Poloninë time…”!
Edhe pse vuaja në tortura, ndjeja një përgjegjësi morale si shqiptar, për këtë shtetas polak me vlera kulturore universale, që trajtohej barbarisht. Akoma sot e kam tronditjen që pata për fundin e tij tragjik. Profesori i shtrirë në çimenton e ftohtë, murmuriste, ose lutej e jepte leksion…! Hapet dera dhe hyn një roje trupmadh. Pyet:
– “Ç’është ky, ç’është kjo paçavure”?
I them:
– Është gjeolog.
– “Ç’është gjeologu”?
U përgjigj vetë Zuberi, thuajse pa zë.
– “Është njeriu që merret me zbulimin e pasurive të nëntokës”. Roja qeshi me të madhe, iu afrua, i këputi një shkelm në qafë me këpucën e rëndë ushtarake dhe po duke u zgërdhirë i tha:
– “Shko nën tokë dhe na gjej ca pasuri”!
I mbylla sytë. Dera u përplas dhe u mbyll përsëri me lloz. Nuk guxoja të hapja sytë. I varur siç isha, lidhur me zinxhirë, nuk bëja dot asnjë lëvizje në ndihmë të profesorit. Kur hapa sytë pashë se ai qëndronte i palëvizur me duar dhe këmbë të ndera dhe një curril i hollë gjaku i rridhte nga buzët. Zuberi i madh kishte dhënë shpirt.
M’u kujtua vjersha “Diamant” e Antonio Maçados kushtuar poetit të madh spanjoll Federiko Garsia Lorka, të cilin e vranë fashistët. Titulli i vjershës është “Krim në Granadë”. Lotët më rrodhën mbi fytyrën e tharë. Mendova t’i kushtoja Zyberit një vjershë me titull: “Krim në Tiranën e tiranëve”. Një vjershë që s’e shkrova kurrë, një vjershë që s’do të botohej kurrë. Një vjershë që mbeti e shkruar në shpirtin tim.
Pas shumë vitesh, nga studentët tanë që ktheheshin nga Polonia mora vesh se qeveria polake ishte interesuar për fundin e Zuberit. Nuk e di se ç’përgjigje ka marrë. Studentët më thanë se në Bratislavë, fakulteti mban emrin e birit të shquar të Polonisë, “Zuber”.
NE “AGJENTËT”
Në kujtim të Hasan Reçit
Jetova 22 qershorin dhe m’u duk sikur në krahun tim kisha Hasan Reçin dhe qindra shokë të tjerë që s’kanë as varr, sepse diktatura e Enver Hoxhës, i eliminoi njërin pas tjetrit në mënyrën më kriminale, duke i damkosur me epitetin më poshtërues “agjentë”. Entuziazmi i masave që nga Rinasi e gjer në sheshin “Skënderbej”, ku simbolikisht u ngrit edhe tribuna, përpara monumentit të Heroit tonë legjendar Skënderbeut, për Sekretarin e Shtetit Amerikan Xhejms Bejker, më kujtoi entuziazmin e kryeqytetasve ditën e 28 nëntorit 1944, ditën e çlirimit, kur partizanët fitimtarë sollën lirinë dhe demokracinë, për të cilën kishin luftuar.
I emocionuar edhe me lot në sy, m’u shfaqën të ringjallur, “agjentët” në ballë të manifestimit, viktimat e viteve të para pas çlirimit. Persekutime të pashembullta vuajtën familjet, fëmijët dhe deri nipërit e tyre për katër dekada me luftën çnjerëzore të klasave. Unë flas sot vetëm me ty, i dashur vëlla Hasan. Duke parë ata qindra mijëra manifestues, ty të vendosja në imagjinatë në ballë të tyre, hero i demokracisë.
Cili është Hasan Reçi?
Është luftëtari i radhëve të para midis plejadës së shquar antifashiste: e njoha në vitet ’30-të me Mustafa Gjinishin, Demir Godellin, Bedri Pejanin, Bedri Spahiun, Muharrem Pirdenin, Zef Malën, Vasil Shanton, Tajar Zavalanin, Riza Cerovën, Asim Vokshin, Hamit Shijakun, Sinan Gjonin, Uan Filipin, e shumë të tjerë që diktatura në përgjithësi i eliminoi, por ideali i tyre shpërthen sot me demokracinë. Hasan Reçi u dënua me vdekje në vitin 1935 në Lëvizjen e Fierit.
Nga Parisi, Seksioni Ballkanik i Kominternit, në grupin shqiptar të të cilit bënin pjesë Llazar Fundo, Halim Xhelo, Koço Tashko, Omer Nishani etj., me anën e shtypit trumbetuan në Evropë dënimet e rënda që dha regjimi për Lëvizjen e Fierit. U detyrua ajka e kulturës evropiane si: Anri Barbys, Romen Roland etj., të ndërhyjnë për të shpëtuar nga pushkatimi dhjetëra pjesëtarë të kryengritjes. Regjimi e ndjeu këtë presion, u fali jetën të dënuarve me vdekje, duke u shndërruar dënimin me burgim të përjetshëm, përveç 11 xhandarëve që u pushkatuan dhe për të cilët Halim Xhelo revolucionar i kushtoi një vjershë, botuar në “Liria Kombëtare”, në Gjenevë, organ i KONARE-së.
Kominterni botoi një kartë-postale për Riza Cerovën, i cili u arratis dhe u vra nga ndjekësit. Gjithashtu një e tillë (kartëpostale), u vu në qarkullim nga Kominterni me portretin e Hasan Reçit. Në Spanjë vullnetarët shqiptarë në revistën e tyre “Vullnetari i lirisë”, botuan një fotografi të baterisë që komandonte Hulusi Spahiu dhe që e emëroi “Bateria Hasan Reçi”.
Me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste, gjithë revolucionarët shtrënguan radhët për të krijuar rezistencën. Ishin hedhur hapat për krijimin e Çetës së Pezës. Në kohën kur në Mal të Zi plasi kryengritja kundër okupacionit fashist italian, aeroplanët luftarakë ngarkoheshin me bomba në depot e fushës së aviacionit tonë. Hasan Reçi, si një nga udhëheqësit e rezistencës, bashkë me të riun revolucionar Hamit Shijaku, menduan të zbulonin depot e obuseve për t’i asgjësuar, në ndihmë të popullit malazez në kryengritje.
Aksioni u zbulua dhe ata u arrestuan. Isha në burgun e Tiranës, kur sollën të lidhur Hasanin dhe Hamitin. U bë një gjyq i shpejtë. Të dy u dënuan me vdekje. Për Hasanin ky ishte dënimi i dytë me vdekje. Si figurë shumë e njohur, personalitet i rezistencës, nuk u ekzekutua, për të mos revoltuar masat, por dënimi iu kthye në burgim të përjetshëm. Ishim të lidhur me pranga këmbë e duar në vaporin që na shpinte drejt ishujve dhe burgjeve të Italisë. Në Bari, Hasanin ata e ndanë nga ne dhe e çuan në segregacion në burgun “Santo Stefano”, burg nga i cili askush nuk kthehej i gjallë. Hamit Shijaku u var.
Hamit Shijakun shteti diktatorial e bëri dëshmor, por kurrë “Hero të Popullit” siç e meritonte. Unë mendoj se arsyeja është te Hasan Reçi, me të cilin kreu aksionin: Hasan Reçi për diktaturën u cilësua “agjent”.
Kur Italia e Jugut u çlirua nga armata e VIII-të aleate e Mesdheut, u çliruan dhe gjithë të burgosurit politikë, italianë dhe me kombësi të huaj. Aleatët i grumbulluan në një kamp afër Barit të gjithë shqiptarët e çliruar. Komanda aleate mësoi se midis të çliruarve ishte dhe luftëtari i dëgjuar Hasan Reçi. Ai fliste mirë anglisht sepse kishte kryer shkollën Teknike amerikane të Tiranës. Hasani mori kontakt me komandën e lartë aleate anglo-amerikane, me qëllim që ajo të ndihmonte Luftën Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Marrëveshja u bë dhe Hasani me një përfaqësues amerikan dhe një anglez u nisën me nëndetëse për Shqipëri. Ata dolën në Karaburun. (Këto pas çlirimit, kur u takuam, m’i tregonte vetë Hasani). Ranë në kontakt me partizanët e parë.
Zhgënjimi i tij i parë: Komandant ishte një ish-toger i Mbretërisë, i cili në Lëvizjen e Fierit kishte torturuar kryengritësit. Më së fundi grupi arriti shtabin në Odriçan. Nga koalicioni antifashist anglo-ruso-amerikan, në shtab ishte vetëm i dërguari sovjetik, majori Ivanov. Hasani paraqiti të dërguarit e Shtabit të Mesdheut, komunikuan me qendrën me anë të radio-transmetuesve, duke informuar se Shtabi i Luftës Nacionalçlirimtare, po priste me gëzim misionet anglo-amerikane, të cilat nuk vonuan – siç e dimë – të vijnë. Për popullin shqiptar, i cili dha gjithçka për luftën çlirimtare dhe për një pushtet demokratik me koalicionin anglo-ruso-amerikan qe garancia e fitores.
Misioni ushtarak shqiptar u vendos në Bari të Italisë. Filluan ndihmat aleate në armë dhe veshmbathje. Të plagosurit partizanë mjekoheshin në Bari. Midis tyre edhe “Heroi i Popullit”, Zylyftar Veleshnja, partizania Liri Belishova etj.
Hasan Reçi u inkuadrua në brigadat partizane, nuk më kujtohet në cilën. Shtabi i Luftës Nacionalçlirimtare dërgoi Bedri Spahiun, Ramadan Çitakun dhe Frederik Nosin në Kazerta të Italisë, pranë Shtabit të Mesdheut. Në marrëveshjet që u arritën ishte dhe riatdhesimi i të gjithë shqiptarëve, dorëzimi i gjithë bashkëpunëtorëve me okupatorin.
Kur u ktheva nga Italia në tetorin e 44-ës me 200 vullnetarë, midis të cilëve edhe piktori i talentuar, patrioti dhe miku im i dashur Nexhmedin Zajmi, në Tiranë u takova shumë i përmalluar me Hasanin, i cili më vinte shpesh në zyrat e gazetës “Bashkimi”, ku unë isha kryeredaktor. Ai, “gjiganti”, siç e quanim ne, shokët, u caktua me një përgjegjësi qesharake: përgjegjës i konvikteve pranë Ministrisë së Arsimit. Me mua fliste lirisht me një revoltë që rritej nga dita në ditë: “Më thuaj çfarë po ndodh kështu, kush është ky Enver Hoxhë, kush e ngriti, kush e mban dhe për ç’qëllime?! Ç’është ky Tito për Shqipërinë, që hyn në jetën tonë pas luftës së popullit njëlloj si Musolini?! Portreti i tij dhe i Enverit në çdo zyrë! Kam përshtypje se në udhëheqje ka tradhti. Kjo nuk është “qeveri demokratike”, por sistem terrorist skllav, totalitar. Ti kupton gjë? Unë jam i revoltuar. Më vjen keq se vijnë te unë qindra fshatarë të Tiranës dhe më thonë: “Hasan, na ndihmo. Kemi ardhur me torba bosh. Ty të besojmë”. Ç’t’u them?
Edhe unë diçka po kuptoja se shumë luftëtarë, komunistë e demokratë, ata që populli i deshi se kishin dhënë prova, ata pikërisht po skartoheshin një e nga një, po goditeshin e po ekzekutoheshin, kjo duke filluar që me themelimin e Partisë me “krahët” dhe urdhrat “sllave” të Titos nëpërmjet Popoviçit dhe Dushan Mugoshës, miq dhe mbështetës të Enver Hoxhës. Na hëngri sinqeriteti: ne vetëm dyshonim, po kurrë nuk arrinim të besonim se vërtet në udhëheqje ekzistonte “një njeri”, i cili po tradhtonte luftën dhe besimin e popullit, duke arritur të copëtojë Shqipërinë për interesa personale, për pushtet vetjak pa mëdyshje. Ndarja e egër me aleatët perëndimorë qe krim historik.
E tërë kjo ishte makiavelike (dyshimet tona i vërtetoi e sotmja). Eliminimi fizik i qindra shokëve të ndershëm e me vlera mori proporcione të pabesueshme. Maji i ‘47-ës ishte kulmi i represionit gjakatar. Arrestoheshin komunistët e grupeve, të vjetrit, intelektualë e patriotë. Më kujtohet thënia e një të njohurit tim që kishte studiuar në Francë, i cili u takua me mikun e vjetër, Enver Hoxhën në dyqanin “Flora”. “Ç’kërkon ti këtu, me komunistët”? e pyeti. Enveri iu përgjigj: “Jam futur mes tyre, do t’ju bëj… nënën”!
Dhe kështu ka ndodhur. Hasani dhe tërë ata që përmenda më lart e shumë të tjerë, midis tyre edhe unë, mbushëm burgjet në vitin 1947. Hasan Reçi u dënua me vdekje për të tretën herë. Por kësaj radhe “e treta e vërteta”. I tërë aktiviteti i tij patriotik e revolucionar lidhur me ëndrrën e popullit për një Shqipëri demokratike e një çlirim kombëtar, të lidhur e të mbështetur në aleancën jo vetëm me lindjen, por edhe me aleatët anglo-amerikanë, u quajt tradhti e lartë.
Në katin e parë të Burgut të Ri, karshi birucës sime ishte në izolim edhe Hasani. Para ekzekutimit shkëmbyem dy fjalë: “Amanet vajzën, është 7-muajshe, po dole i gjallë këtej”!
Bashkëkohës, ju drejtohem dhe ju pyes: Kush është mendja djallëzore, e përbindshme që shtypi pa mëshirë popullin shqiptar, që e izoloi nga bota, nga jeta, që poshtëroi dhe zhduku bijtë e tij më të mirë dhe mbi këto gërmadha ngriti për gjysmë shekulli lavdinë e tij personale? Dosja e “autorit” të tragjedisë gjysmëshekullore është e “hapur”. Unë shoh se së shpejti dielli i lirisë do t’u ndrijë në ballë atyre, mbi të cilët në këtë gjysmë shekulli u hodh vetëm baltë, siç u hodh baltë mbi të gjithë popullin shqiptar.
Hasan Reçi, vëlla, dhe tërë ju shokë pa varre! Ti Galip, Uan, Sinan, Spiro, Kolë e ju të tërë me radhë, më besoni, shpirti m’u lehtësua sot, që erdhi dita të mund të shkruaj për ju këto radhë, falë demokracisë dhe lirisë së vërtetë që po agon!
Brezi i ri do të shkruajë “historinë e vërtetë”! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016