Nga Shpendi Topollaj
Pjesa e shtatë
Memorie.al / Kur simbolet e komunizmit, pas gjysmë shekulli kapardisje, u shembën, u bë një zhurmë aq e madhe, sa ne u zgjuam nga gjumi i thellë. Hapëm sytë, por jo të gjithë e besuam atë që kish ndodhur: shpesh njeriu, siç sheh disa ëndrra që i merr për të vërteta, ashtu sheh edhe disa të vërteta, që i merr për ëndrra. Për më tepër, nuk qenë të paktë ata që iu kundërvunë kësaj përmbysjeje historike, me demonstrime e, deri kërcënime. Për të kapërcyer këtë situatë, duhej durim e mençuri. Ishim vëllezër. E si të tillë e kishim detyrë intelektuale, morale e shpirtërore, që të denonconim demagogjinë e komunizmit dhe krimet e përbindshme të inkuizicionit të kuq. Natyrisht, që më të besueshëm ishin ata që kishin lënguar e vuajtur, burgjeve e internimeve. Heshtja, do të qe me të vërtetë, një mëkat i madh i tyre…!
PAQJA ËSHTË VIRTYT I CIVILIZIMIT
-Libri “Rilindja e shpirtit” i Hysen Haxhiajt –
Krimi më i mjerueshëm i diktaturës, pa dyshim është rrënimi i mendjeve fisnike. Ky krim bëhet akoma më i dukshëm, kur rrënohet vetë ngrehina e shëmtuar e diktaturës dhe këto mendje fisnike, edhe pse në kushte haptazi më të favorshme, i përgjigjen asaj njerëzisht: vetëm duke shkruar poezi. E në qoftë se inteligjenca disi naive e njerëzve në lashtësi, kur krijoi ferrin, e vendosi atë ose nën tokë ose, në një ishull të largët, mat`anë Oqeanit, në një rajon që nuk e zinin kurrë rrezet e diellit dhe si i tillë atij, s` kish arsye pse të mos i kushtoheshin vargje, qoftë dhe për të keq, se fundja qe veç një përfytyrim, a meriton diktatura komuniste, që e bëri ferr tërë Shqipërinë, që t`i përgjigjesh njerëzisht me poezi?
Mesa duket, kjo pyetje i mundon edhe ata që u burgosën e vuajtën padrejtësisht dhe tani në demokraci, botojnë libra, siç bën edhe miku ynë i respektuar, Hysen Haxhiaj, i cili në librin e parë të tij, titulluar “Rilindja e shpirtit” thotë:
“Ku ka penë t`i rezistojë
Botës ku kemi jetuar,
Ku ka mendje t`i gjykojë,
Dramat që kemi kaluar”.
Duke vepruar kështu, pra duke preferuar vetëm penën, mendjet fisnike dëshmojnë edhe një herë se në subkonshiencën e tyre, ka mbetur e pa prekur ajo, që Viktor Hygoi, e ka përcaktuar aq bukur: “Paqja është virtyti i civilizimit, lufta është krimi i tij”. Hysen Haxhiaj – n, e kam njohur dymbëdhjetë vjet më parë, kur përmbysja e sistemit despotik, kishte krijuar një atmosferë në të cilën, shërbëtorët e zellshëm të enverizmit, duke ditur se mbi ta rëndonin krime të panumërta, nuk gjenin vrimë ku të futeshin.
Por ai dhe shokët e tij, për asnjë çast, nuk i lejuan vetes humbjen e kontrollit. Burgjet dhe mundimet, i kishin afruar edhe më shumë me vlerat universale të humanizmit dhe me parimet e demokracisë, e si demokratë, dinin të falnin, paçka se askush nuk e shkoi ndonjëherë ndërmend, t`u kërkonte falje. Më qartë, qëndrimin dinjitoz të këtyre njerëzve, e ka shprehur vetë Hyseni kur, duke ju referuar poezisë së famshme, të Kiplingut, thotë:
“Dhe në mundsh
të bësh çdo trill,
që unë të të urrej,
unë përsëri,
do të mëshiroj”.
Hysen Haxhiaj dhe shokët e tij s`duhen keqkuptuar: ata veprojnë njerëzisht, jo se i tremben kujt. Për më tepër, ata e dinë si nga kultura që kanë, e si nga përvoja se “të jesh skllav i frikës është lloji më i keq i skllavërisë”. Për t`u mëshiruar janë vetë ata që këtë qëndrim e marrin për dobësi. Prandaj ai vazhdon: “Ti nuk mund ta kuptosh, por edhe jo më ta ndjesh që unë qesh dhe shkrydhem në vijueshmërinë tënde, kur ti përsëri “vijon”. Persekutorët e djeshëm “vijojnë” edhe për faktin se ashtu si shumë gjëra të tjera edhe në këtë fushë, Shqipëria është vendi i paradokseve:
“Dola nga ferri me shpresë
për të parë demokracinë
ngela shumë i zhgënjyer
saqë luta Perëndinë”.
Po cila qe rruga që e çoi Hysenin deri te “paraqitja për të shmangur rastësinë në këtë pështjellim”, me këtë libër?
“Që të vogël më kanosën
Në mes ëndrrat m`i kanë prerë
Babanë ma syrgjynosën
më lanë me nënën e mjerë”.
Në Çorrush të Mallakastrës, familjen Haxhiaj, e njeh gjithkush. E njohin si shtëpi që e mbante gjithmonë derën e hapur, e sidomos për kontributin që pjesëtarët e saj, kanë dhënë për lirinë e Atdheut. Babai i tij Ismaili, ka qenë nënkomandant i çetës territoriale të Mallakastrës, që kishte komandant Baba Fejzon e, komisar, dajon e Hysenit, Qamil Hamzon.
Ai qe nipi i patriotit Bektash Haxhiaj, deputet i dy legjislaturave të Parlamentit të Mbretit Zog, i cili kish qenë delegate, si në Kongresin e Lushnjes, ashtu edhe më parë, në shpalljen e Pavarësisë, ku qe takuar me atë i cili kishte flakur spaletat dhe privilegjet e gjeneralit të perandorisë osmane, e kish shoqëruar Ismail Qemalin, në ngritjen e Flamurit. Djali tjetër i tij, Qazimi, qe shquar si një nga organizatorët dhe drejtuesit e Luftës së Vlorës.
“Shqipëri o jeta ime
Ta dish ti sa fort të dua
Historia i mbushi faqet
Me trimëritë e tua”.
Haxhiajt ishin të pasur. Gjithçka e kishin vënë me djersën e ballit e me ndershmëri. Për lirinë e Atdheut, ata asgjë nuk kursyen. Ata nuk kursyen edhe gjakun për Atdhe. Kështu, Xhevdeti, vëllai i Hysenit u rreshtua me armë në dorë në radhët e Brigadës së 11 Sulmuese.
“Qeshë i vogël kur ti vije
Gjerdani të kishte hije”.
Në vitin 1945, duke qenë oficer, në një përpjekje, ai u vra në Gomsiqe të Pukës, duke marrë me vete, në lulen e rinisë edhe pengun e një dashurie të parealizuar. Vetë Hyseni ka lindur më 1 mars të vitit 1941. Kur qe vetëm 4 – 5 vjeç i arrestuan babanë, të cilin pa asnjë shkak, e dënuan me 25 vjet, nga të cilat bëri plot 10 vjet burg. Hyseni, ende i parritur, do ta mbante mend atë, pas telave me gjemba, që rrethonin kampin e të burgosurve në Lekaj të Kavajës, ku punonin në kushte mjaft të vështira, për ndërtimin me krahë të kanalit që niste nga Peqini. Në vitin 1947, Hyseni vjen pas të vëllait në Durrës, ku kreu shkollën unike te “10 Korriku” e më pas te “24 Maj”, kurse gjimnazin e përfundoi në vitin 1961 në shkollën “16 Shtatori”.
Dëshira për të mësuar e çoi në Institutin e Shkodrës, në degën Matematikë – Fizikë, ku dhe kish prirje, por që shpejt e ndërpret, për arsye biografie dhe dërgohet për të kryer shërbimin ushtarak, jo si gjithë të tjerët, por në Brigadë pune. Rridhte nga një shtëpi pushke, por pushka s`mund t`i besohej. Në vitin 1968, ai përfundon shkollë mekanike natën dhe me këmbëngulje në vitin 1970, vazhdon shkollën e mesme dega Elektrike, gjithmonë me synimin, për të gjetur mundësinë që të studionte për inxhinieri elektrike. Regjistrohet më së fundi në këtë degë në Filialin e Durrësit, por përsëri s`i shpëton famëkeqes vigjilencë e partisë dhe për biografi përjashtohet, duke qenë në vitin e dytë.
Si e pa që çdo përpjekje e tij qe e kotë, fillon punën në ORMN, ku gjen drejtor një njeri të mirë, të quajtur Stefan Stavri, i cili e ndihmon të aktivizohet në festivalin e teatrove amatore. Dallohet për talent në këtë fushë, por përsëri s`qe e thënë: krejt pa pritur më 12 dhjetor të vitit 1976, vetëm pse kish riprodhuar ç`kish dëgjuar nga i ati, rreth qëndrimit mizor të një udhëheqësi të asaj kohe, ndaj robërve italianë, arrestohet me të ashtuquajturin “Grup të art – kulturës”, që sipas mjeshtërve të këtyre skenarëve, drejtohej nga Everst Kërliu.
E vërteta qe se ai, falë formimit të tij dhe trajtimit që i bëhej, qe i orientuar të bisedonte fshehtas me shokët e tij të ngushtë, si Namik Mane, Musa Verzivolli, Veip Bakiri, Irakli Sopi, Merushe Myshketa, Mehmet Bylykbashi, etj., por prej tyre, kurrë nuk doli një fjalë. Gjetë hetuesisë, provon tmerret e birucës nr. 1:
“Kërbaç i jetës qëlloj
Pa mëshirë e pa kufi
Unë ç`hoqa s`i harroj
As tani në pleqëri”.
Ky “Grup i rrezikshëm armiqësor”, për fatet e Shqipërisë, ku qenë përfshirë dhe të rinj, si; Astrit Qorri, Mit`hat Turkeshi e të tjerë, mes një solemniteti tragjik, që në histori, për fat të keq përsëritet shpesh, mori një dënim shembullor: vetë Hyseni u dënua me 10 vjet burg. Pas ardhjes së demokracisë, na ka qëlluar të flasim shpesh për llahtaret e burgjeve të diktaturës. Ato janë pasqyruar me vërtetësi të madhe, nga pena e shumë prej atyre që i provuan ato, si; Arshi Pipa, Visar Zhiti, Pjetër Arbnori, Uran Kalakulla, Agim Musta, At Zef Pllumi, Gëzim Medolli, Dhora Leka, Gjergj Titani, Zyhdi Morava, Beqir Ajazi, Fatos Lubonja dhe unë në këtë shkrim, nuk do të ndalem posaçërisht në këtë aspekt.
Kjo është e kushtëzuar edhe nga vetë Hysen Haxhiaj; në librin e tij nuk ka pasur këtë synim, gjë që bije në sy që te titulli që i ka vënë atij; “Rilindja e shpirtit”, paçka se sikur të mos mjaftonin 10 vjet, ai në vitin 1981, ridënohet edhe me 10 vjet të tjera, çka tregon karakterin e pamposhtur të tij. Në librin që botoi para se të ndërronte jetë, miku im i dashur Uran Kalakulla, thotë se; “askush nuk është hero, kur bije në burg, por mund të bëhet atje… – dhe vazhdon – Burgu komunist, kishte dy detyra: së pari sfilitjen fizike deri në skajshmëri, nëpërmjet të punës së rëndë të skllavit, ushqimit të keq, birucave të rrahjes, përveç ridënimeve dhe deri eliminimit fizik dhe së dyti, deformimin e personalitetit, deri në çmenduri mundësisht, si dhe degjenerimin moral të individit të dhënë.
Kush mundi t`u rezistojë këtyre dy kurtheve, këtyre dy kuçedrave dinake, ai doli nga burgu, më njeri se ç`kishte qenë më parë, më i fortë, më i kalitur, më i kulturuar me dijen e jetës, në mos edhe të librave, i aftë dhe i gatshëm, për punë të mëdha në lëmin shoqëror. Nuk ka asnjë dyshim, se pjesa më e madhe e brezave të ish-të burgosurve politikë, dolën nga burgu të tillë”.
E të tillë burra, Hysen Haxhiaj, njohu plot. Ai, si në poezitë e shkruara, ashtu dhe në biseda të lira, kujton me nderim e respekt të thellë, kolonelin e kohës së Mbretërisë Zogut, Shyqyri Selamin (Pepe), që kish qenë në burg edhe me babanë e Hysenit, kolonelin e ndershëm e të talentuar, Andon Shetin. Ai përmend Luan Myftiun, Qazim Toron, Agron Hadrin, Adem Allçin, Gëzim Çelën, Gëzim Pilkatin, Ylvi Toron, Sander Sokolin, që thoshte se kish parë një ëndërr, që për pesë vjet, o lirohej o vdiste dhe ëndrra i doli, pasi me të mbaruar ky afat, ky oficer i mrekullueshëm, që kishte qenë skënderbegas, pa asnjë motiv, u vra poshtërsisht.
Hysen kujton burra patriotë, si Shik Stërmasi e Burhan Kalaja, që derdhnin lot keqardhjeje, sa herë shihnin gra të ngarkuara si kafshët, përtej telave me gjemba të Spaçit. Ai sjell ndërmend trima, si; Fadil Kokomani, Vangjel Lezho, Xhelal Koprencka, që e paguan me jetë trimërinë e idealizmit të tyre. Kurrë s`e harron Hyseni, korçarin Koço Veterniku, këtë artist që zotëronte shtatë gjuhë të huaja dhe që vdiq për turpin e diktaturës, nga sëmundja e urisë.
Hysen Haxhiaj, nuk harron Kasem Trebeshinën, që bëri 23 vjet burg e internim, e sidomos Sami Dangëllinë, që sikur të mos mjaftonin 43 vitet e burgut që kish bërë, e lanë të vdiste nga apendisiti, duke mos e dërguar në spital, kur po e transferonin në burgun me emrin tallës; “Përparim” në rrethin e Sarandës. Mirënjohjen për të gjithë këta burra, Hyseni e ka shprehur te poezia; “Kombi ynë, kurrë s`do të vdesë”, kushtuar figurës qëndrestare të Osman Kazazit:
“Njeri linde, njeri ike,
Promete mbete për ne,
Barbarisë kurrë nuk iu përkule,
Jetën mit, mbrapa e le”.
Të shkruash për jetën e Hysen Haxhiajt apo, diçka nga ajo që ai ka hequr, duhet ditur se vetë ai, në të 33 poezitë e këtij vëllimi, thuajse vetëm sa i cek ato. Më shumë, ai duket se ka dashur të shpalosë ndjenjat e tij, të cilat kishin pushtuar shpirtin e tij, që në rininë e hershme, dhe mundimet e burgut, vetëm i forcuan akoma më shumë. Hyseni, duket më i preokupuar për fatet e Atdheut, demokracisë dhe të ardhmes. Ai më së pari, ndien detyrim të shkruaj për prindërit, vëllanë, motrën, gruan e virtytshme, të të nderuarit Haki Koka. Ai u drejtohet shokëve, me të cilët kaloi prova të rënda, vajzës së tij, Belinës:
“Nga torurat nuk lotova,
Nga kriminelët pa emër,
Veç se Ju, kur u kujtoja,
Oh se çfarë ndjeja në zemër”.
Ai thotë: “Ju kujtoja”, pasi është dhe një njeri tjetër i shtrenjtë për të, e shoqja Fadile, nga fisi i Agallinjve, e cila i qëndroi besnike atij, pa ju sosur durimi, duke gëlltitur lotët e nxehtë, që derdhte në vetminë e saj:
“Lule e bukur më s`ke erë,
Kaq shumë na mundoi ferra,
Mblidhi forcat dhe një here,
Se tani erdhi pranvera”.
Por sido që të jetë, poezia e Hysen Haxhiajt në vetvete, nuk mund ta fshehë shijen e hidhur të dhimbjes. Në ç`do varg të saj, ka brengë që të vë në mendime dhe mendimi i parë shkon pa dyshim, tek ajo thënia përherë aktuale e Çernishevskit, se: “Në regjimet diktatoriale, përzierja në politikë, nuk është një shëtitje e këndshme në prospektin ‘Nevski’, por është burg, tortura, plumbi e litari”. E për të mos u përsëritur më kurrë në Shqipëri, burgu, tortura, plumbi dhe litari, poezitë e Hysenit, duket se janë dhe një thirrje për bashkëvuajtësit e tjerë:
Në emër të sakrificave të pa numërta, në emër të idealeve që mbrojtëm, në emër të vuajtjeve të familjeve tona, në emër të atyre që vdiqën burgjeve dhe s`u dihet varri, në emër të Shqipërisë tonë të shtrenjtë, le të bashkohemi, duke lënë mënjanë vogëlsirat e parëndësishme dhe me qëndrimin tonë të ndershëm dhe të sprovuar në ditë të vështira, t`i tregojmë popullit që na beson, rrugën për të shkuar si vëllezër, drejt përparimit. Duke qenë se Hysen Haxhiaj, në fillim të librit i referohet vargjeve brilante të Kiplingut dhe meqenëse poezia e pavdekshme e tij, u drejtohet të gjithëve, po i mbyll këto radhë me një strofë të poezisë; “Në mundç”, të zgjedhur nga përkthimi i paqortueshëm i Fan Nolit të madh:
“Në mundç të mbash në kokë terezinë,
Kur shokët çmenden dhe fajtorë të nxijnë,
Në mundç të kesh besim, kur të dyshon
Kushdo, dhe s`ka njeri që të beson,
Në mundç të preç, dhe pritjen se kursen,
Në të gënjefshin, ti nuk i gënjen,
Në të urrefshin, ti si çan me brirë,
Dhe s`hiqesh, as i mençur, as më i mirë”!
NGA PARATHËNIA E LIBRIT “TË BURGOSUR NË LIRI”, TË HYSEN HAXHIAJT
…Ja dhe Spaçi, ferri i vërtetë dhe që ai, pasi e kishte lexuar te përkthimi mjeshtëror i Pashko Gjeçit, kishte besuar se; qe vetëm pjellë e imagjinatës gjeniale e fiorentinasit të madh. Çdo bënte në këtë humbëtirë?! Mendja e turbulluar i thoshte se; “do mbushte fuçinë e Danaidave”. Por jo. Ishte më keq akoma. Do futej së bashku me shokët, deri 2500 metra thellë, nën tokë. As ferri, nuk ishte më shumë! Dhe atje, nën një temperaturë të padurueshme prej 43 gradësh, çka të merrte frymën dhe nën një shi acidi, që në lakuriqësinë që ajo impononte, të linte njolla të mëdha djegieje në lëkurë, duhej të realizonte normën herkuliane, për të gërmuar dhe nxjerrë vagonë të tërë me mineral bakri e piriti.
Me disiplinë kërbaçi, njësoj si skllevërit dikur, punonin të burgosurit, djem nënash shqiptare, pa asnjë garanci për jetën e tyre. Kishin parë gjymtime dhe vdekje, por atje, jeta ishte zhvleftësuar. Ajo e kishte humbur kuptimin. Të burgosurve s`u mbetej tjetër, veçse të numëronin orët, ditët, javët, muajt, vitet, por ato ishin kthyer respektivisht në ditë, javë, muaj, vite, dhe shekuj. Dhe kjo punë vazhdonte e vazhdonte…! Dhe përsëri, ky nuk ishte fundi. Në vitin 1981, vjen nga Dega e Punëve të Brendshme, oficeri nazist F. S. vet` i dytë dhe takon Hysenin, të cilit me premtime, i kërkon të dëshmojë për dikë që e kishin arrestuar. E si mund ta bënte ai, nipi i Bektash Çorrushit këtë?! Kurën e kurës! “Do ta pësosh më keq” – i thanë. “Le ta pësoj! Veç ndërgjegjen ta kem pa njolla”.
Ishte qershor. Në 7 korrik, e ridënojnë me dhjetë vjet të tjera. O Zot! Më ruaj mend e kokës. Por tani ai e dinte, se e keqja nuk kishte kufi…! Qëndroi burgjeve, deri në 13 qershor, kur komunizmi ra në varrin që kishte hapur vetë. Kishin kaluar 15 vjet llahtari, nga mosha e tij më e bukur. Ja tani, ajri i lirisë. Ajri që do mbushte me oksigjenin e tij, mushkëritë e atrofizuara të të gjithë shqiptarëve. Dhe ai do t`i përkushtohet ndershmërisht asaj. Pa hakmarrje. Ndaj nisi punën me Shoqatën e ish-të Përndjekurve Politikë. I nxitur nga thënia e Lamartinit, se; “Libri më i madh, është libri i jetës, të cilin nuk mund ta hapësh, as ta mbyllësh sipas qejfit”, vendosi të shkruaj. Të shkruante për të treguar…!
I kujtohej ajo sentence, se; “hidhërimi më frymëzon vargun” dhe filloi të thurë dhe botojë poezi. Predikonte paqe mes shqiptarëve. Thoshte: “Nuk kërkojmë shpagë”. Dhe shpresonte shumë, sikurse del te libri i tij “Rilindja e shpirtit”. Por fatkeqësisht edhe vërente, se tani po shfaqeshin fenomene të reja, po lulëzonte babëzia për pushtet e pasuri. Madje, kishte nga ata që ai i kishte gjykuar, si; njerëz me dinjitet. Por qenka e çuditshme; paska pasur shumë të drejtë ai latini i vjetër, që kish thënë: “Corruptio optima pessima”, që donte kuptuar se; “Kur korruptohen të mirët, bëhen më të këqij”.
Kjo jo vetëm e mërziti, por dhe e detyroi ta merrte sërish penën për të shkruar. Dhe ja tani, ku kemi librin e tij; “Të burgosur në liri”, ku ndoqi dëshirën e muzave për këngë të alternuara dhe krahas poezive, vendosi edhe prozë. Edhe proza e Hysen Haxhiajt, brenda saj ka intervista, artikuj problematikë, publicistikë, replika e tregime. Të gjitha ato, kanë të përbashkët bindjet e vetë këtij autori i cili, nuk mund të harrojë se ç`hoqi ai dhe shokët e tij, nga diktatura komuniste apo, ku u gremis i gjithë atdheu, nga kapriçot arriviste të satanait Enver Hoxha, që nuk ngopej me pushtet e gjak shqiptarësh.
Ai, kujton shokët që pushuan së jetuari, brenda rrethimit të burgjeve dhe kampeve, si rezultat i dëshpërimit, torturave dhe punëve të rënda. Nuk lë pa përmendur, edhe rastin kur kishte humbur çdo shpresë dhe vendosi të hidhet drejt telave me gjemba, ku vdekja ishte më e sigurt, nga mitralozi i ushtarit që qëndronte syhapur dhe plot urrejtje, sipër kullës së vrojtimit. Por, shoku nuk e lejon, ta bëjë këtë veprim të pakuptimtë. Ne duhet të rrojmë, për të folur. Pra, Rrno, për me tregue. Dhe ai mbijetoi, por shpirti i tij i di brengat që hoqi. Kishte parë llahtare të padëgjuara. Dhe kishte bindjen, se tani e tutje, gjithçka do merrte një tjetër drejtim.
Vendi do shkonte në rrugën e demokracisë, ku përpjekjet për të vënë ndershmërisht në jetë idealet e atyre që luftuan dhe vdiqën, të atyre që ua vranë rininë dhe që i ndanë nga nëna e babai, nga gratë e fëmijët, do e çonte popullin, drejt lumturisë. Por nuk paskej qenë aq e kollajtë; lloj – lloj pengesash dhe fenomenesh të paparashikuara, dilnin. E shkuara, nuk ndahej si një mallkim. Ajo ishte si një oktapod i stërmadh, që me tentakulat e veta, nuk shqitej aq lehtë. Tani dhe ai vetë, kishte këndvështrimet e tij për jetën, për lirinë, për ndershmërinë e, kështu me radhë. Vitet e burgut i kishin mprehur një shqisë tëre, të panjohur më parë.
Ai nuk ishte si gjithë të tjerët, pasi vinte nga skëterra. Dhe atë, vetëm Orfeu mund ta sqaronte, se dhe ai nuk i shpëtoi dot tundimit, për të mos e kthyer kokën pas. Dhe kur të mos i pëlqente diçka, nuk do ngurronte të revoltohej, dhe të ngrinte zërin e tij. Sepse edhe demokracia, paska kusuret e veta. Se nga dolën karrieristët, hakmarrësit, hajdutët me maska politikanësh. Dikush hiqte për bukën e gojës dhe ata u pasuruan në mënyrë marramendëse. Dhe ligji si ligji: një rrjetë merimange që kap mushkonjat, kurse çakejtë çajnë e ikin. Jo, nuk e mendonte kështu: varfëri, padrejtësi, sherre pa fund dhe drogë, prostitucion, trafiqe gjithfarësh… dhe më e rënda; për interesa partish, shiten ato të Atdheut.
E si mund të heshtëte, ai që ende e ndiente veten nxënës të bindjes, burrërisë, mençurisë dhe atdhedashurisë së Osman Kazazit me shokë, të cilin e kishte quajtur; Promete. Kritikon pa qenë kritizer. Godet, pa denigruar. Shpreh mos-aprovim, por gjithmonë duke theksuar, se jemi vëllezër. Ashtu si zhvillohen ngjarjet në Shqipëri, ai edhe vetë e di, se diku mund të mos jetë deri në fund i saktë. Por, rëndësi ka që ai nuk e mbyll gojën dhe nuk qëndron sehirxhi. Madje edhe kur dikush me një primitivizëm gjykimi e kulture, e fyen gjyshin e tij atdhetar, ai i përgjigjet me logjikë e, pa sharje e inate. Jep kështu Hyseni, një shembull shumë të vyer edhe për politikanët edhe për analistët edhe për intelektualët, sesi duhet bërë polemika. Para dymijë vjetësh, historiani nga Padova, Tit Livi, bënte shumë kujdes për këtë, ndaj dhe thoshte: “Absit iniurio verbo”! (Qoftë thënë pa fyerje). Ai, kundërshtinë e tij, shpesh e vesh me nota humori:
“Psherëtin mbi avuj loti,
Nuk heq dorë kollaj nga huqet,
Bëmë luftë si Don Kishoti,
Sanço pançot, zunë kolltuqet”.
A nuk thoshte Pitagora, se; jeta është si një shfaqje, ku njerëzit e liq, zënë vendet më të mira? Dhe me gjithë zhgënjimin që ka, Hyseni, në tërësinë e poezive të tij, përpiqet të mbetet njerëzor. Ai, si për të dëshmuar se ka ndjenja fisnike, përfshin këtu poezi, që i thurin himne të bukurës, nënës, motrës apo vajzës së dashur:
“Dashuria punë e madh
S`kisha faj dhe unë i shkreti
Herë më ngjaje si sorkadhe
Herë si pulëbardhë deti”.
Mjaftojnë këto vargje, për të dëshmuar se shpirti i Hysenit, nuk u tha si lulet e vjeshtës. Ai mbeti përherë i freskët dhe i bukur. Ai mbeti një ëndërrimtar romantik: pra mbeti njeri. Njeri që është mirënjohës për këdo që i ndenji pranë, në ato kohë të vështira. Janë domethënëse vargjet kushtuar burrit të motrës, njeriut të mirë e kurajoz, Haki Kokës, i cili jo vetëm e ndihmoi sa mundi, por dhe e ruajti të shenjtë familjen e tij, pa dashur t`ia dijë, nga presionet që i bëheshin, çka u pa gjatë këtyre viteve, ku fëmijët, tani të rritur, fituan respektin e kujtdo që i njohu:
“Unë të desha ty si jetën
Aq sa s`desha veten time
Te ty sytë përherë më mbetën
Si një diell plot ëndërrime.
Këtë mall dhe dashuri ai e ka dhe për vëllanë e tij dëshmor:
Babait ju tha loti
Në terr vdiq ideali
Mbi plagë ngjyrë baroti
Po klithin sorra mali”.
Në gjithë ato që thotë në këtë libër, si në prozë ashtu dhe në poezi, Hysen Haxhiaj, nuk kërkon tjetër, veçse të mos zhgënjehet më, por për idealet e atyre që kaluan nga llahtaret e ferrit komunist, të punohet e luftohet po me idealizëm. Dhe këtë ta bëjnë së pari politikanët. Në të kundërtën, sikurse porosiste Montenji, ai shpirti që nuk u tha viteve të gjata të burgut, po nuk pati një qëllim të caktuar, mund të humbasë fare lehtë, tani në liri. Dhe vetë liria mund të shndërrohet përsëri në burg. /Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016