Memorie.al / Është folur dhe shkruar shumë për Mbretin karizmatik të shqiptarëve, Ahmet Zogu, por ekzistojnë ende mistere të pazbuluara mbi jetën e tij. Gjashtë vitet e jetesës në Angli, janë anashkaluar deri më tani thjeshtë, duke e përmendur si fakt, por kjo nuk ka për të zgjatur shumë. Një anglez i pasionuar pas historisë së shqiptarëve, Neil Rees, ka ndërmarrë një mision “zbulimi” mbi jetën e Mbretit Zog në Angli. Së shpejti, ithtarët modernë të Mbretit dhe kundërshtarët e tij, do të kenë shumë më tepër “municione”, për të ndezur debate të vjetra.
“Unë kam konsultuar të gjitha dokumentet arkivore, dosjet sekrete të shërbimeve informative, por të gjitha këto do të jenë në plan të dytë. Ajo që më intereson më shumë janë vetë dëshmitarët; ata që jetuan në atë kohë dhe qenë pranë Mbretit. Për fatin tim, disa prej tyre janë ende gjallë dhe përbëjnë një thesar që duhet të shfrytëzohet tani. Koha nuk pret”, – thotë Neil Rees.
Në dhomën e tij të pritjes, ai tashmë ka varur një flamur kuq e zi, dhuratë nga studiuesi Bejtullah Destani. Në zonën e Buckinghamshire, ku ai jeton, një “ushtri” e vogël është mobilizuar për ta ndihmuar në projektin e tij, për të hedhur në libër atë pjesë të historisë së Ahmet Zogut në Angli.
Bucks dhe Mbreti
Ahmet Zogu me rrethin e tij mbërriti në tokën britanike më 26 qershor të vitit 1940. Greqia e përzuri me shpresë se do të shmangte sulmin e Italisë fashiste, ndërsa Franca nuk garantonte sigurinë e tij në prag të Luftës së Dytë Botërore. Ai që mori përsipër lëvizjen e Mbretit nga Franca drejt Anglisë, ishte vetë Ian Flemming, agjenti i famshëm britanik dhe autori i librave mbi James Bond. Ai u vendos fillimisht në hotel “Ritz” të Londrës, së bashku me familjen dhe eskortën e tij prej 35 personash.
Për sigurinë e familjes së vet, në prag të bombardimit të Londrës nga nazistët gjermanë, Ahmet Zogu mori me qira një shtëpi të madhe lordësh në fshatin e vogël Frieth, në zonën e Buckinghamshire (shkurt “Bucks”), e cila sot njihet si një ndër zonat më të pasura të Mbretërisë së Bashkuar, diku mes Londrës dhe Oksfordit. Shtëpia është e Lordit Parmoor, ish-deputet i Parlamentit britanik të kohës, i cili sapo ishte ndarë nga jeta.
Shtëpia “Parmoor” kishte 40 dhoma gjumi dhe disa sallone e banja, një kopsht gjigant me dekor ekstravagant. Përveç kësaj, truprojat e Mbretit jetonin në një tjetër shtëpi, jo shumë larg të parës. Kurse në hotelin “Ritz”, Ahmet Zogu mbajti të bllokuar një dhomë me sallon për takime zyrtare, të cilën nipërit e tij e përdornin shpesh edhe për zbavitje personale me vajzat lokale. Në të gjitha librat e shkruara për jetën e Zogut, nuk përmendet askund fakti se ai dhe familja e tij, jetoi në “Bucks” dhe jo në Londër.
Ekstravaganca
Mbreti jetonte në një shtëpi me 40 dhoma së bashku me të shoqen, Mbretëreshën Geraldinë dhe Princin Leka. Në rrethin e tij të ngushtë familjar, ishin edhe pesë motrat princesha, katër nipa e mbesa, princ Tati (Esad Murad Kryeziu – djali i motrës së Mbretit) i Kosovës, tre qen dhe një dhi. Në personelin e shërbimit kishte kuzhinierë, dy infermiere zvicerane, sekretar dhe këshilltarë politikë. Tetë truproje i mbante pranë në çdo moment, por ata jetonin në një shtëpi më vete.
Në Parmmor House mobiliet që përdori Mbreti, ruhen ende sot e kësaj dite, përveç perdeve e mbulesave të tavolinës që i copëtonte rregullisht dhia. Sipas dëshmitarëve vendas, askush prej personelit nuk guxonte ta përzinte dhinë nga shtëpia dhe ajo do të ishte pranë Mbretit edhe në takime zyrtare. Në një nga dëshmitë që nga mbledhur Rees, thuhet se dhia e Mbretit kishte përmbysur në një rast tryezën e ngrënies, tek përtypte mbulesën e saj.
Mbreti Zog kishte urdhëruar mobilimin e banjave dhe ndërtimin e një banje speciale për qentë e tij dhe dhinë. Ende sot, në Parmoor House, në një banjë të madhe është vaska e qenve të Mbretit Zog. Një rinovim i tillë, në atë kohë ishte tepër i kushtueshëm. Disa gra tashmë të moshuara vendase, kujtojnë vizitat në dhomën e Hotel “Ritz”, si të ftuara speciale të nipërve të Mbretit. Por, detajet do të jenë më të qarta në libër, i cili pritet të jetë gati nga fundi i këtij viti.
Dhurata e padëshirueshme
Neil Rees thotë se shumë veta e mbajnë mend ose kanë dëgjuar për kohën e Zogut në “Bucks”. “Disa e kujtojnë me adhurim dhe respekt, shumë të tjerë nuk e donin fare. Ai me eskortën e tij bridhte rrugëve dhe fshatrave të “Bucks” me një makinë “Mercedes” scarlet (Kabriolet) dhe në sytë e vendasve shihej si bashkëpunëtor i Hitlerit. Në fakt, nuk ka asnjë provë që Ahmet Zogu të ketë bashkëpunuar me Hitlerin. Përkundrazi, ai shkëmbeu korrespondencë me Curçillin dhe personalitete të Rezistencës”, – rrëfen Rees.
Makina i ishte dhuruar Mbretit Zog nga vetë Hitleri, me rastin e martesës. Ai ishte i njëjti tip “Mercedesi”, të cilin përdorte edhe vetë diktatori nazist. Ndër të tjera, Rees ka zbuluar sesi Ahmet Zogu u shmangej taksave të shtetit anglez dhe marrëveshjen e tij të heshtur me autoritetet britanike.
“Nëse shteti britanik do të kërkonte me forcën e ligjit vjeljen e taksave, atëherë Mbreti mund të ngrite zërin në media, për shtetin që bënte shurdh-memecin në rastin e Shqipërisë. Shteti britanik ishte i dërrmuar nga lufta dhe nuk kishte më as burime as dëshirë, për t`u angazhuar në një tjetër luftë kundër komunizmit në Shqipëri”, – ka zbuluar Neil Rees, në arkivat sekrete të MI-5.
Sipas tij, absolutisht të gjitha korrespondencat e Mbretit dhe njerëzve të tij të afërm me botën e jashtme, perceptoheshin rregullisht. Kjo “marrëveshje e heshtur” e dëmtoi rëndë Mbretin dhe kauzën e tij. Më 1946, qeveria britanike njohu zyrtarisht regjimin komunist të Tiranës dhe shtetin e Enver Hoxhës. Shpresat e Zogut shteruan dhe ai vendosi të zhvendosej drejt Egjiptit, pas ftesës së vetë mbretit Faruk.
Rees dhe dashuria për shqiptarët
Neil Rees është një autor i ri, amator. Historia është një pasion i tij, por jo profesion. Libri i tij i parë është botuar para dy vitesh dhe ka të bëjë me kryeministrin e parë të Çekosllovakisë dhe luftëtarët çekë, të cilët jetuan në zonën e Bucks gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rees ka udhëtuar për herë të parë në Ballkan, në vitin 1998 dhe kontaktin e parë me shqiptarët e ka pasur në Maqedoni. Gjatë kërkimeve për të shkruar një histori lokale mbi “Bucks”, Neil gjeti edhe materiale mbi jetën e Ahmet Zogut në atë zonë. Ai u tërhoq nga projekti i parë dhe filloi të merrej me projektin e dytë; “Historia e Mbretit të shqiptarëve në Angli”.
“U çudita nga interesi i vendasve për këtë projekt. Pasi mësuan mbi këtë, një mini ushtri u mblodh rreth meje dhe tani nuk jam vetëm. Përditë më marrin njerëz në telefon dhe më japin informacione të reja. Kam mbledhur mjaft kujtime, fotografi, madje kam gjetur edhe pasardhësit e atyre njerëzve që Zogu la pas”, – thotë Rees.
Sipas tij, në atë kohë, në Angli kanë mbetur rreth 40 shqiptarë, nga ata që erdhën së bashku me Zogun, personeli i ambasadës shqiptare të kohës dhe të tjerë që erdhën më pas nga Evropa. Pothuajse të gjithë janë asimiluar dhe humbur me turmën, por gjurmët janë ende të pastra./ Memorie.al













