Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al/publikon disa dokumente arkivore të cilat janë pjesë e një dosje voluminoze të nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH), ku bëhet fjalë për Bujar Muharrem Dokun, ish-punonjës i Ndërmarrjes Komunale të qytetit të Burrelit me profesion radio-teknik në repartin e Riparim-Shërbimeve, ku ai shërbeu nga viti 1964 deri në vitin 1977, kur u arrestua nga Sigurimi i Shtetit dhe u dënua me 7 vite heqje lirie, për “veprimtari armiqësore”, me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. Dosja hetimore dhe gjyqësore e Bujar Dokut, me akuzat ndaj tij, si dhe me emrat e Punëtorëve Operativë, drejtuesve të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Matit, hetuesve, prokurorëve, gjyqtarëve, dëshmitarëve, e deri tek punonjësit e ndërmarrjes ku ai punonte, të cilët dëshmuan në hetuesi dhe në gjyqin kundër tij.
“I pandehuri Bujar Doku, duke qenë një element i degjeneruar, si dhe duke bërë një jetë të ç’thurur, i predispozuar për t’ju kundërvënë vijës politike dhe praktikës revolucionare të partisë dhe shtetit tonë, i zhytur fizikisht dhe ndërgjegjshmit në propagandën e fëlliqur të armiqve të jashtëm të RPS të Shqipërisë, të social-imperialistëve sovjetikë, është futur prej kohësh në rrugë koshiente, në veprimtari armiqësore prej disa vitesh, dhe në takime me njerëz të kallëpit të tij, ka zhvilluar një aktivitet të vazhdueshëm agjitacioni dhe propagande kundër pushtetit popullor, kundër vijës politike të partisë sonë, me qëllimin direkt që të minojë dhe shkatërrojë pushtetin e klasës, dhe diktaturën e proletariatit në vendin tonë. Ndryshe nga i gjithë populli, ky i pandehur mendonte se prishja e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, ishte për fajin e Partisë sonë. Këto mendime ia ka shprehur dëshmitarit J.P. duke i thënë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të drejtë, ndërsa ajo shqiptare është në rrugë të gabuar dhe këto nuk ndjekin një politikë të pavarur. Ai e shtrin aktivitetin e tij armiqësor, më thellë duke thënë se qeveria shqiptare
Qeveria shqiptare njëherë deklaron se jemi me jugosllavët, pastaj me sovjetikët, ndërsa tani është prishur me të dyja këto vende. I pandehuri në bisedat që ka zhvilluar me këtë dëshmitar, ka mburrur muzikën e huaj, sidomos atë italiane dhe jugosllave, duke i krahasuar ato me atë shqiptare. Ai ka thënë se muzika jonë, nuk është gjë në krahasim me këto të dyja. Po kështu i pandehuri Bujar Doku, duke rënë në prehrin borgjezo-revizionist të armikut të brendshëm, është bërë tellalli i zakonshëm, i tyre. Ai, injoron muzikën tonë të bukur që pëlqehet nga njerëzit, sepse është e bazuar në tabanin popullor dhe ajo i këndohet punonjësve tanë dhe veprave madhështore, që ja ndryshuan pamjen atdheut….”!
Kështu thuhet në mes të tjerash në dosjen hetimore dhe gjyqësore të Bujar Dokut, ish-punonjës në Ndërmarrjen Komunale të qytetit të Burrelit, me profesion radio-teknik në Repartin e Riparim Shërbimeve, i cili u arrestua nga Sigurimi i Shtetit në qershorin e vitit 1977 dhe u dënua me shtatë vjet, heqje lirie “për veprimtari armiqësore” me akuzën e “agjitacion-propagandës”, etj. Lidhur me këtë, Memorie.al disponon dosjen në ngarkim të Bujar Dokut, e cila është nxjerrë nga Autoriteti për Informim i Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit (A.I.D.S.SH.) dhe do ta publikojë në disa numra, së bashku dhe me një intervistë të djalit të tij, Muharrem Dokut, me profesion jurist dhe me banim në qytetin e Durrësit.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
PROKURORIA E RRETHIT MAT
Burrel më 28.9.1977
GJYKATËS POPULLORE TË RRETHIT MAT
BURREL
Bashkëngjitur po ju dërgojmë për gjykim, dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Bujar Doku, i akuzuar në bazë të nenit 73/1 për agjitacion e propagandë, kundër Partisë dhe Pushtetit Popullor.
PROKURORI I RRETHIT
(REXH META)
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E RRETHIT MAT
VENDIM NË EMËR TË POPULLIT
GJYKATA E RRETHIT TË MATIT E FORMUAR PREJ :
Sotiraq Qafëzezi, kryetar seance, Liman Çollaku dhe Dish Pjetri, anëtarë.
Të asistuar prej sekretares së seancës, Vjollca Barhani, dhe me pjesëmarrjen e Prokurorit, Preng Lleshi, sot më datë 14 tetor 1977, në seancën gjyqësore me dyer të hapura në Burrel, shqyrtoi çështjen penale nr 80, në ngarkim të aktit që i përket,
Të pandehurit, Bujar Doku, i biri i Muharremit, dhe i Azijes, i datëlindjes në vitin 1939, lindur në Krujë dhe banues në Burrel, me kombësi e shtetësi shqiptare, me origjinë qytetar i varfër, i martuar me dy fëmijë, i padënuar më parë, pa parti, dhe i pa dekoruar, i arrestuar në 28.6.1977.
AKUZUAR:
Se ka zhvilluar agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor në bazë të nenit 73/1, të Kodit Penal.
Gjykata, pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, provat e marra gjatë zhvillimit të gjykimit, si dhe pasi dëgjoi prokurorin i cili, kërkoi që i pandehuri të deklarohet fajtor për krimin që akuzohet, dhe të dënohet me 7 vjet heqje lirie, mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit që kërkoi mëshirë.
Vëren, se i pandehuri Bujar Doku, duke qenë një element i degjeneruar, si dhe duke bërë një jetë të ç’thurur, i predispozuar për t’ju kundërvënë vijës politike, dhe praktikës revolucionare të partisë dhe shtetit tonë, i zhytur fizikisht dhe ndërgjegjshmërisht në propagandën e fëlliqur të armiqve të jashtëm të Republikë Popullore të Shqipërisë, të social-imperialistëve sovjetikë, është futur prej kohësh në rrugë koshiente, në veprimtari armiqësore prej disa vitesh, dhe në takime me njerëz të kallëpit të tij, ka zhvilluar një aktivitet të vazhdueshëm agjitacioni dhe propagande kundër pushtetit popullor, kundër vijës politike të partisë sonë, me qëllimin direkt që të minojë dhe shkatërrojë pushtetin e klasës, dhe diktaturën e proletariatit në vendin tonë.
I pandehuri, ndonëse me përbërje të mirë politike, duke qenë një person i predispozuar për një aktivitet armiqësor, që nga viti 1963, e deri kur u arrestua, në mënyrë të vazhdueshme dhe sa herë që i është dhënë rasti, ka shprehur aktivitetin e tij armiqësor nëpërmjet bisedave, që ai ka bërë me persona të tjerë.
Këtë agjitacion të shfrenuar e shumë të mprehtë, e ka intensifikuar nga viti në vit, dhe sidomos këto vitet e fundit. Aktivitetin e tij armiqësor ai e ka vazhduar në kohën kur uniteti i partisë dhe popullit, është rritur nga dita në ditë.
Në një kohë kur populli dhe partia jonë janë përfshirë në një luftë për, zbulimin, denoncimin, dhe shpartallimin, dhe grupeve puçiste në ideologji, ushtri, dhe ekonomi.
Gjatë zhvillimit të gjykimit, nga pohimet e vetë të pandehurit, dhe nga deponimet e qarta të dëshmitarëve, dëgjuar para kësaj gjykate, si dhe me provat e tjera, u provua plotësisht se i pandehuri, në mënyrë sistematike ka zhvilluar agjitacion e propagandë me qëllim që të ngjallë pakënaqësi ideologjike për t’ju kundërvënë vijës që ndjek sot partia dhe populli ynë.
Kështu i pandehuri Bujar Doku, që nga viti 1963 është hedhur në rrugë kriminale, në atë kohë kur partia jonë kishte dënuar social-imperializmin sovjetik, sepse këta të fundit, tradhtuan marksizëm leninizmin. Në atë kohë kur i gjithë populli ynë ishte solidarizuar, me qëndrimin e drejtë që kishte mbajtur partia për këtë çështje parimore.
Ndryshe nga i gjithë populli, ky i pandehur mendonte se prishja e marrëdhënieve ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë ishte për fajin e partisë sonë. Këto mendime i’a ka shprehur dëshmitarit F.J. duke i thënë se udhëheqja sovjetike është në rrugë të drejtë, ndërsa ajo shqiptare është në rrugë të gabuar, dhe këto nuk ndjekin një politikë të pavarur.
Ai e shtrin aktivitetin e tij armiqësor më thellë duke thënë se qeveria shqiptare njëherë deklaron se jemi me jugosllavët, pastaj me sovjetikët, ndërsa tani është prishur me të dyja këto vende.
I pandehuri Bujar Doku është munduar që të shtrembërojë, vijën e drejtë të Partisë sonë, kur në këtë kohë e tërë bota e ka të qartë se Bashkimi Sovjetik, është kthyer në një superfuqi, dhe nuk ndryshon aspak nga vendet kapitaliste.
I pandehuri në bisedat që ka zhvilluar me këtë dëshmitar, ka mburrur muzikën e huaj, sidomos atë italiane dhe jugosllave, duke i krahasuar ato me atë shqiptare. Ai ka thënë se muzika jonë, nuk është gjë në krahasim me këto të dyja.
Po kështu i pandehuri Bujar Doku duke rënë në prehrin borgjezo-revizionist të armikut të brendshëm, është bërë tellalli i zakonshëm, i tyre. Ai, injoron muzikën tonë të bukur që pëlqehet nga njerëzit, sepse është e bazuar në tabanin popullor, dhe ajo i këndohet punonjësve tanë dhe veprave madhështore, që ja ndryshuan pamjen atdheut.
Nga bisedat që ka zhvilluar i pandehuri Bujar Doku me, dëshmitarin (I.R., M.S., dhe F.P.,), i ka mburrur këtij të fundit teknikën dhe muzikën e huaj, e cila në krahasim me këtë tonën qenka shumë më lart, se teknika jonë është e prapambetur, dhe se ne në raport me shtetet e tjera nuk mund të bëjmë dot asgjë.
I pandehuri, ishte me detyrën e teknikut të radio-televizorit në Burrel, dhe në laboratorin që ai punonte, vinin njerëz të ndryshëm. Atyre, në vend që t’ju mburrte prodhimet e radiove që bëheshin në Durrës, i ngrinte lart prodhimet e teknologjisë së huaj, dhe se radiot tona në botë i bëjnë thjesht transistorë. Ka harruar i pandehuri se para çlirimit në vendin tonë, numëroheshin me gishta, ato familje që kishin radio, ndërsa sot radio ka anekënd vendit ku populli, dëgjon zërin e partisë dhe muzikën tonë të bukur.
Një aspekt tjetër i bisedave të tij armiqësore, siç pohoi dhe vetë i pandehuri, ka qenë synimi për të shtrembëruar goditjen që partia dhe populli i dhanë grupit puçist të Beqir Ballukut, me qëllimin e përmbysjes së pushtetit popullor dhe kthimit të vendit në revizionizëm.
Një pikësynim tjetër armiqësor që ka ndjekur i pandehuri, kanë qenë kundër aksioneve të ndërmarra nga Partia në drejtim të bujqësisë dhe ndërtimeve në rrethin e Matit. Ai është shprehur se “po na marrin shpirtin me këto aksione të kota”. Kuptohet se synimet e tij armiqësore tentojnë të ndalin hovin revolucionar të rinisë e cila, po ndërton në qytetin e Burrelit, Uzinën e Ferro Kromit dhe ujësjellësin e ri.
I pandehuri Bujar Doku, si vegël e armiqve të vendit tonë, me veprimtarinë e tij kundërrevolucionare, nuk ka lënë rast pa shtrembëruar realitetin e vendit tonë, dhe ka mburrur emisionet televizive të vendeve borgjezo revizioniste, që vjellin vrer kundër lëvizjeve revolucionare në botë, dhe që degjenerojnë rininë e vendeve të tyre.
Dëshmitarët (I.R., M.S., F.P.), sidomos ky i fundit, me dëshminë e dhëna në hetuesi dhe të lexuara para kësaj gjykate, vërtetuan në mënyrë të plotë faktet dhe rrethanat e thëna më lart. Vetë i pandehuri i pranoi ato në mënyrë të plotë.
Këto rrethana e futën të pandehurin në rrugë kriminale dhe e çuan atë drejt një jete të ç’thurur, e cila e dërgoi në prehrin e armiqve. Duke qëndruar çështja që në të tilla rrethana, të përmendura më sipër në veprën e të pandehurit, si elementë të agjitacionit e propagandës të parashtruara në nenin 73/1 të Kodit Penal.
Në lidhje me caktimin e masës së dënimit, gjykata ka marrë parasysh rrezikshmërinë e veprës sepse ajo prek pjesë të rëndësishme shoqërore.
Ai ka dëshiruar dhe lejuar minimin e pushtetit tonë popullor, dhe paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, sepse nga një periudhë në tjetrën ka kryer aktivitetin e tij armiqësor. Por në vend që të braktiste këtë rrugë, ai është hedhur kokë e këmbë në veprimtarinë e tij armiqësore.
Gjykata ka parasysh përbërjen e mirë politike të rrethit të tij familjar, dhe qëndrimin e tij pendues përpara kësaj gjykate.
Për këto arsye, trupi gjykues në bazë të nenin 278 dhe 279 të Kodit të Procedurës Penale, vendosi:
Të deklarojë fajtor të pandehurin Bujar Doku, për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor, dhe në bazë të nenit 73/1 të Kodit Penal dhe sipas nenit 28 të po këtij kodi, e dënon me 7 vjet heqje lirie duke i’u llogaritur nga dita e arrestimit në 28.6.1977, si dhe me humbjen e të drejtës elektorale për tre vjet kohë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim ose protestë në Gjykatën e Lartë në Tiranë, brenda 5 ditëve që nga shpallja e tij./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016