Nga Namik Mehmeti
Memorie.al / Një familje me një kalvar vuajtjesh, persekutimesh, dhe burgosjes, një familje qytetare që rrezatonte një kulturë europiane, ku ndërtimi i saj ishte kombinuar aq natyrshëm dhe me një ndjenjë dashurie. Familja Karafili, ku Niko Karafili nga Korça kishte preferuar të kombinonte martesën duke hedhur grepat nga Veriu i Shqipërisë, e pikërisht nga Shkodra, me Marije Mirashin, u bë e njohur jo vetëm nga traditat qytetare që ato trashëgonin, nga etja për t’u arsimuar me një kulturë europiane, por edhe me një ndjenjë të theksuar nacionaliste, me dëshirën dhe sakrificat për të pa një Shqipëri europiane.
Familja Karafili, që në Shkodër njihej pas vendosjes së diktaturës komuniste në vitin 1944, nëpërmjet trashëgimtareve të saj, si: Franko, Nini dhe Dodona, një brez trashëgimtaresh të lindur për t’u marrë me sportin. Emri i kësaj familje fisnike nacionaliste, ishte më parë i njohur, i respektuar dhe i nderuar në qytetin tjetër, në skajin tjetër të Shqipërisë, në juglindje të saj, në Korçë.
Niko Karafili, që nisi rrugëtimin e tij për të justifikuar emrin e të parëve të tij, të cilët për pavarësinë e Shqipërisë, për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga pushtimet ziliqare të grekëve e serbëve, kishin dhënë një kontribut të çmuar, duke marrë rrugët e Europës për t’u arsimuar, duke i vënë dijet e kulturën e tij në shërbim të kombit.
Niko, studioi në Universitetet më të njohura të Europës, në Montepelljer të Francës dhe në Liezh të Belgjikës. Ka mbrojtur diplomat me rezultate të shkëlqyera, në degët shkenca tregtare, financiare e konsullore. Asokohe ai kishte një njohje të sipërfaqshme, me studentin e Shkencave te Natyrës në Montepelljer, diktatorin e ardhshëm të Shqipërisë, Enver Hoxha.
Niko, ju shmang takimeve me studentin e përfolur në rrethet e shqiptarëve, për qëndrimet e tij jo serioze dhe për më tepër, për simpatinë që tregonte diktatori i ardhshëm komunist për, grupet marksiste e komuniste në Perëndim. U kthye në vendlindje, në Shqipëri, në vitin 1934, për të vënë në jetë bagazhin e diturive që kishte, në profesionin e tij si ekspert financiar.
Për këtë, me dekretin e Mbretit Zog I-rë, filloi punën në Tiranë, më parë si nëpunës financiar dhe më pas, duke treguar aftësitë e tij në profesionin si financier, u emrue Shef i Gjërave me Vlerë, në Ministrinë e Financave, deri në vitin 1945. Rikthehet më pas në qytetin e tij, në Korçë, ku në një ndërmarrje shtetërore, punon si financier dhe gëzon simpatinë e punëtorëve e të drejtorisë, por është gjithnjë në survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit.
Takimi në Tiranë me diktatorin Enver Hoxha i cili, shfrytëzoj një afrim të Niko Karafilit, pranë dyqanit “Flora”, të ushtronte veprimtarinë e tij, për të bëre privatisht kontabilitetin, kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, e kishte vënë në listën e intelektualëve perëndimor që, do te pësonin ndëshkimin e tij.
Aty, Niko Karafili, do të ishte dëshmitar e do të mësonte disa sekrete që afronin Shqipërisë një të ardhme ogurzezë. Ai u vu në listën e intelektualëve që, ishin shkolluar në Perëndim dhe zotëronte pesë gjuhë të huaja, ku gjuha angleze, kishte depërtuar edhe në familje.
Kjo dhe inskenimi që i’u kurdis në Korçë, gjoja për humbje të disa vlerave monetare në këtë ndërmarrje, diktatura komuniste, realizoi arrestimin e Nikos, së bashku me drejtorin ku, pas shtatë muaj hetimesh dhe torturash, gjykata vendosi dënimin me pushkatim që, u ekzekutua me 17 maj 1952.
Ajo ngjarje asokohe, tronditi qytetin e kulturës europiane, Korçën, ngjarje që paralajmëronte një furtunë reprezaljesh tragjike, për shtresat intelektuale që jetonin e punonin në atë qytet që, njihej që nga periudha e Mbretërisë së Zogut, si “Parisi i vogël”.
(Edhe pse kanë kaluar plot 32 vjet nga shembja e regjimit komunist, edhe sot e kësaj dite, trashëgimtarët e Niko Karafilit, nuk kanë gjetur mbështetjen e organeve kompetente në Korçë e në Tiranë, për gjetjen e eshtrave të njeriut të tyre të dashur).
Vëllai i Nikos, Lluka Karafili, që kishte për grua Angjelina Mirashin, motër me Marijen, (gruan e Nikos), duke parë se e ardhmja e tyre ishte e zymtë dhe vazhdimisht nën survejimin e ndjekjes nga Sigurimi i Shtetit, vendosi të sistemohej në Shkodër, pranë të afërmve të grave të familjes Mirashi.
Marija me dy djemtë e saj, Zefin dhe Frankon 9 vjeçar, gjetën mbështetjen tek fisi i saj, ku nga babai i saj, Ndoc Mirashi, një tregtar jorganësh dhe pronar i një hoteli në Lezhë, nuk kishin trashëguar ndonjë pasuri të madhe për të përballuar jetesën.
Për dy motrat, Marijen e Angjelinën, pas vdekjes së Nikos dhe keq trajtimit të vëllait të tij Llukes, nga shteti diktatorial i Enver Hoxhës, filloi një jetë e vështirë që kërkonte sakrifica për t’u përballur nga ana ekonomike.
Lluka, që kishte kontribuar me një ndërgjegje e përkushtim në zhvillimin e arsimimit në Shqipëri, duke punuar nga Korça e deri në Shkodër, nga Vlora deri Lushnje, nga Delvina në Konispol, duke dhënë një ndihmesë ne botimin e abetares në gjuhen shqipe, duke u prezantuar si, një nxënës i denjë shkollës Serveriane Jezuite dhe si anëtar i Institutit Albanogjik të At Zef Valentinit, ku i’u besue edhe drejtimi i ‘Strehës Varfënores’ të Kryqit Kuq në Tiranë. Sapo komunistet hynë në Tiranë, e arrestojnë atë, duke dyshuar se ai, kishte lidhje pune shkencore si albanolog, me shumë emra të njohur, akademikë e shkencëtarë në Shqipëri e në Europë, e nisur nga kjo, sipas tyre, ai do të inskenonte rrjete spiunazhi në dëm të vendit të tij!
U mbajt në një nga hetuesit e qytetit të Shkodrës, por pas gjashtë muaj torturash e provokimeve, u la i lirë, duke sfiduar inskenimet e neveritshme hetuesve të pa arsimuar që, kishin zbritur nga malet me opingat e partizanit.
Lluka Karafili, deri sa ndërroi jetë në moshë të thyer, nuk u bë urë e pazarllëqeve e respiracioneve të komunistëve, duke ruajtur me fanatizëm idealet e një familje antikomuniste. Edhe në qytetin verior, Shkodër, ku reprezaljet ndaj familjeve intelektuale dhe antikomuniste ishin po aq të tmerrshme, familja Karafili, nuk mundi t’i shpëtoj luftës së klasave dhe diktaturës së proletariatit.
Ne epiqendër të kësaj goditje, ishin dy djemtë e Nikos, Zefi dhe Franko. Zefi, kishte arritur te realizonte dëshirën e babait të tij, për t’u shkolluar dhe arriti të punonte si revizor në një ndërmarrje shtetërore në Shkodër, por nuk do t’i gëzonte frytet e diplomës pasi, ishte gjithnjë nën survejimin Sigurimit të Shtetit. Ndonëse kishte treguar aftësitë në profesionin i fituar me meritë, u pushua nga puna, duke i hyrë zanatit të bojaxhiut në ndërmarrjen e Shërbimeve Komunale. Nga jeta e nëpërkëmbur që i bëhej kësaj familje qytetare, Zef, kaloi në depresion, dhe vdiq në moshën 57 vjeçare
Ndërsa Franko përjetonte këto dhimbje që në fëmijëri, hyri me shumë vullnet për të marrë me shokët, maturën në gjimnazin e Shkodrës. Pasioni për sportin, shpejtë do ta afirmonte si një talent i lindur, për volejbollin e gjimnastikën. Trup elegant, me parametrat fizike për t’u pasur zili, nga ajo fushë volejbolli e improvizuar, në oborrin e një familje të njohur shkodrane, profesoreshës së pianos Ilda Melgushi, ku me shokët e tij, Ndoc Pistullin, Viktor Jubanin, Filip Guraziun, Gjon Çobën etj., do të hidhte hapin për të kaluar në ekipin e të rinjve të “Vllaznisë”, me trajnerin e njohur në sportin e volejbollit Tonin Bjanku dhe së bashku me të rinjtë, si: Xhelal Haxhi, Ndok Pistulli, Viktor Jubani etj., do të shpalleshin kampion të Shqipërisë. Sportdashësit e shumë shkodranë të asaj kohe, e mbajnë mënd Frankon, në pozicionin e shuterit, ku ai ishte i papërmbajtur përballë bllokut kundërshtar.
Duke manifestuar një përgatitje të lartë teknike, kjo dhe fal dhuntive të tij, për të qenë një sportist i gjithanshëm, pra i lindur për talentin që manifestonte, jo vetëm në volejboll, por edhe në basketboll, futboll dhe atletikë. Dhe jo rastësisht, Franko do të tërhiqte vëmendjen e trajnerit të gjimnastikës, tek “Vllaznia”, mjeshtrit Mustafa Smaja, një personalitet i njohur i sportit shkodran.
Dhe në fotografinë si kapiten i ekipit të gjimnastikës, Franko të le përshtypjen e një sportisti elegant që, do t’i manifestonte ushtrimet në paralele, në unaza, në hekur, etj., duke shpalosur një art të vërtetë.
Por ëndrra e dëshira e tij, ishte të bënte karrierë në sportin e volejbollit. Dhe për këtë ëndërr, ai kishte dhe mbështetjen e nxitjen e trajnerëve e specialistëve të këtij sporti, te Klubit “Vllaznia”, si: Dan Doçit, Franc Jakovës dhe Mark Grimcit.
Një nxitje e frymëzim për të bë karrierë sportive, ishte dhe fakti se në familjen Karafili, ishin afirmuar dy simotrat, Nini e Dodona, në atletikë dhe volejboll të cilat, dhanë nja kontribut të çmuar tek “Vllaznia” për disa vite me radhë.
Nini, që në moshën 13 vjeçare, konkurroi në kampionatin kombëtar të atletikës, duke zënë vendin e tretë në garat 100 m. e 200 m. si dhe në stafetën 4×100 m.
Ajo fitoi shpejte besueshmërinë e trajnerit të mirënjohur, Fehti Dizdari i cili, përveç garave të shpejtësisë, e aktivizoi edhe në garën e 800 m. Nini, e justifikoi më së miri këtë besim të trajnerit, jo vetëm duke u shpallur kampione, por përmirësoj edhe rekordin kombëtar, të mbajtur nga atletja e njohur, Myzafere Sajli.
Në gjirin e ekipit të atletikes shkodrane, në vitet e para të pasluftës, bënin pjesë një grup vajzash të talentuara, të cilat më pas do të bënin emër të madh dhe një pjesë e tyre do të shpalleshin ‘Mjeshtre të Merituara të Sportit’, si: Marije Rranzi, Gjystina Paloka, Pina Vuka, Lajde Banushi, Asime Pipa, Pina Thani, Kjara Paci, Aneta Baba etj.
Këto vajza, do t’i hapnin rrugën më pas një brezi tjetër vajzash të talentuara që, për 17 vite radhazi, “Vllaznia” me Feti Dizdarin në krye, do të ishte kampione kombëtare. Po kështu motra tjetër, Dodona, përveçse atletikes, do të përfaqësonte, “Vllazninë” në volejboll, ku në vitin 1947, ai ekip do te shpallej kampione e Shqipërisë.
Por për Frankon, sportistin me të një ardhme premtuese në volejboll, basketboll, gjimnastike etj., nuk që e thënë të vazhdonte atë prezantim dinjitoz që, bëri tek ekipet e të rinjve, duke u shpall kampion kombëtar, me shokët e tij, si: Jubani, Haxhi, Pistulli, Çapaliku, Gjergji, Peja etj., në volejboll, dhe shokët e tij në gjimnastikë, si: Paçrami, Çuni, Pali, Sopi, etj,.
Por “kleçkat në biografi”, ku herë pas here i përmendej emri i atit, (Niko Karafili, i pushkatuar nga regjimi komunist), ngrinin krye sa herë që bëhej fjalë për të ardhmen e tij, në gjirin e ekipeve të rriturve, pasi trajnerët as, që e diskutonin kalimin e Frankos, në ekipet e volejbollit, gjimnastikës dhe atletikës, për të rriturit, pavarësisht moshës 18 vjeçare.
Nëse ëndërronte të merrte maturën në gjimnazin “28 Nëntori” të Shkodrës ku, ashtu siç shkëlqente në sport, edhe në mësime ishte po aq i shkëlqyer. Kishte ndikuar shumë në prezantimin e Frankos, si një pinjoll i familjeve qytetare me kulturën europiane, trashëgimia, qoftë nga nëna shkodrane e, babai korçar. Ndaj dhe nga mësuesit e shokët në shkollë dhe nga trajnerët në sport, Franko gëzonte respekt e simpati, me atë prezantim prej një fiziku, sikur e kishte gdhendur një skulptor.
Nuk mjaftuan edhe mbështetja që i afruan drejtuesit e Klubit Sportiv “Vllaznia”, pasi Dega e Punëve të Brendshme, Komiteti i Partisë dhe Këshilli i Lagjes, kishin dhënë ndëshkimin, në emër të luftës së klasave. Largimi nga sporti, ndikoi shumë në të ardhmen e djaloshit 18 vjeçar, i cili, për t’i ardhur në ndihmë nënës, të lodhur nga vuajtjet e jetës, u detyrua dhe hyri në punë.
Nuk i afronin asnjë favor, për ta sistemuar në një profesion, por, ashtu si të gjithë familjeve me “biografi te keqe”, edhe Frankos, i treguan Fabrikën e Tullave, pra në një punë krahu nga më të rëndat. Por edhe në atë kushte, ai gjeti forca dhe i hyri një shkollë profesionale të mbrëmjes, (në degën e Ndërtimit) ku shkëlqeu si gjithnjë në mësime dhe mori zanatin e muratorit, duke punuar në vepra dhe objekte të ndryshme që asokohe ndërtoheshin në Kukës, Elbasan dhe në qytetin tij.
Në të gjitha këto objekte dhe ndërmarrje ku e dërguan, ai punoi me një korrektesë të jashtëzakonshme, duke mos i’u nënshtruar për asnjë moment provokimeve që i bëheshin herë pas here nga njerëzit e future nga ana e Sigurimit të Shtetit. Kur ishte në objektet e ndërmarrjet e rrethit të Shkodrës, pas një dite të lodhshme pune, ai do të gjente kohën për një shëtitje, në xhiron tradicionale në Piace, me atë ecjen e tij elegante dhe kryelartë.
Franko krijoj familje, duke e lidhur jetën me një vajzë të shkëlqyer, pinjollë e një fisi po të persekutuar, Gjystinën, vajzën e Mirosh Mirashaj, i cili ishte shpallur kulak dhe i dëbuar nga pronat e trashëguara brez pas brezi, të cilat shtriheshin nga Ishmi, e deri në në Milot të Kurbinit, që asokohe ishin nën juridiksionin e rrethit të Krujës.
Me rrëzimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, në fillimin e viteve ’90-të, Franko ishte nga të parët që u afrua ne Partinë Demokratike ku, kartën e anëtarësisë, ia dorëzoi Arben Broci (“Pishtari i Demokracisë”), ndërsa ai vazhdonte të punonte në Fabrikën e Tullave.
Më pas, për 13 vite me radhë, Franko shërbeu me zell dhe përkushtim të rrallë, si inspektor në Bashkinë e qytetit të Shkodrës, (kryetar i degës së seksionit të pestë) ku kryente dhe detyrën e kryeplakut, për lagjet “Serreq”, “Arra e Madhe” dhe “Tre Heronjtë”.
Atë që nuk arriti ta realizonte në moshën e rinisë, pra ndjekjen e studimeve universitare, e përjetoi me sakrificën për të arsimuar tri vajzat e tij, të cilat zgjodhën fakultetet e tyre te preferuara në Milano të Italisë.
Kështu, Niko e përjetoi me sakrificën për të arsimuar tri vajzat e tij, Merin, Renatën dhe Stelën të cilat zgjodhën fakultetet e tyre të preferuara në Milano të Italisë./Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016