Nga Eugen Shehu
Memorie.al / Resnja! Sjell ndërmend ata vende të bukura, ato male me erë lirie e, natyrisht do të ndjehesh krenar. Por krenarinë më të madhe ta falin njerëzit e atyre anëve, ata që u falën atyre viseve, jo vetëm punën, rininë, përpjekjet, por edhe vetë jetën e shtrenjtë, atë që Zoti ta fal veç një herë. Padyshim ndër këta burra të rrallë e fisnikë, Ahmet Nijazi Beu, ka vendin e vet të veçantë. U lind në Resnjën e bukur, në vitin e largët 1865. Ish djali i parë i Nijazi Beut dhe do të trashëgonte kurdoherë emrin e të atit. Por me një ndryshim.
Atë emër të të atit, nuk do ta mbante si relikë por si dëshmi e një trimërie që përcillte nga viti në vit,nga brezi në brez. Brenda atij vizioni përcjellës, janë me dhjetëra e qindra ngjarje që ndonëse personale, fitojnë vlera të mëdha, ngase pushka ka shkrepur kurdoherë në të mirë të fatit të popullit. Si të gjithë banorët e atyre trevave, në fillim shkon të studiojë në një shkollë fetare në Resnjë. Gjuha turke i pëlqen, por i ati Nijaziut, me mësues privat, nis t’i mësojë edhe shqipen. Beu i Resnjës, kërkon kurdoherë që i biri të mësojë në shkollë, por të ndjejë edhe përgjegjësinë e të qenurit shqiptar.
Kjo frymë do ta shoqëronte Ahmedin e vogël deri në fund, ai do të përshkruante kilometra të tërë udhe, do të vraponte ashtu si ai zogu, vetëm e vetëm për të qenë sa ma pranë Resnjës së tij. Ngase familja është në gjendje shumë të mirë ekonomike, ngase Nijazi beu zotëronte toka të mëdha, deri në Strugë, Ahmedi niset për studime në Stamboll. Fytyrëqeshur, me vështrim të thellë si deti, ndërsa vazhdonte shkollën në Stamboll, ai kurdoherë do të jetonte me kujtimet e bukura të vendlindjes. Në Stamboll, shumë miq të Nijaziut, donin ta merrnin në shtëpitë e tyre, për dreka e darka, por djali i Resnjës, kishte dëshirë librat, më shumë se sa pushimet e sulltanatet.
Në vitet 1886-1889, ndjek akademinë e lartë ushtarake në Stamboll. Tashmë, në vend të atij djalit të vogël, që e merrte malli për Resnjën, po rritej një burrë i hijshëm, tepër serioz e korrekt në studime. Kishte qejf t’i thërrasin; Ahmed Nijaziu, duke kuptuar kështu babanë dhe fjalët e tij, sa herë ai e përcillte nga Resnja, për në Shkup e Selanik; “Oficer mundet me t’ba shkolla. Por shqiptar, nana mund veç me t’lind e, mandej burri e ka vetë në dorë, mbetet shqiptar apo, ka frigë me qenë i tillë“. E vërtetë është se djemtë e bejlerëve të asaj kohe dikur, i kryenin pushimet e shkollës, në vendet më të bukura të Evropës. Edhe Ahmed Nijaziu, nuk mund të përjashtohej nga kjo modë. Por nëse të tjerët miq të tij, e kalonin kohën në dëfrime, djali i Resnjës, kudo ku shkonte në Evropë, ai hulumtonte mbi artin ushtarak të kohës.
Njohës i disa gjuhëve të huaja, Ahmedi kishte nisur shoqëri me oficerë të tjerë madhorë dhe kurdoherë, në qendër të vëmendjes, në biseda me ta, ishte organizimi i betejave luftarake të mëparshme, pavarësisht nëse këto i pat kryer Porta e Lartë, apo jo. Me mbarimin e shkollës së lartë ushtarake të Stambollit, për Ahmed Nijaziun, do hapeshin kanat më kanat, dyert e karrierës së luftës. Intuitiv, vizionar dhe me një vullnet të hekurt, djali i Resnjës, komandon për pak vite, disa reparte të ushtrisë osmane, në Turqinë aziatike. Emri i mirë si edhe përkrahja që gëzonte, e ndihmojnë mjaftë, por në mënyrë tepër të beftë, një ditë, në fillim të shekullit që lamë pas, ai kërkoi të shërbente në çfarëdo detyre, me kusht që të ishte në Vilajetin e Manastirit. Pati shqiptarë (në radhët e miqve të vet), që e quajtën të nxituar këtë veprim!
Pati që e “këshilluan” se; nuk mund të bëhesh i madh në karrierë, kur shërben në atdheun tënd. Por Ahmed Nijaziu, serioz, i prerë, ushtarak gati i lindur, sigurisht edhe u largua prej tyre. Kësisoj në fillim të viteve 1900, Ahmedi vjen pranë vendlindjes, me detyrën e rreshterit në korpusin e dytë të Manastirit. Duke qenë pranë familjes, ai jo vetëm ishte në gjendje t’i ndihmojë asaj, por sigurisht kishte nisur të ndjekë edhe fatin e turbullt të Shqipërisë. Nuk është e tepërt ta quajmë të turbullt këtë fat, ngase shpërbërja e Perandorisë Osmane, me ato zhvillime tronditëse, pat për-shtjelluar fatin e krejt popujve të Ballkanit, historia e të cilit ishte e ngjizur përmes tragjedive. Tashmë kanë dalë në dritë mjaft dokumenta, që provojnë lakminë e fqinjëve, ndaj trojeve tona autoktone.
Në shkurt të vitit 1903, ishte arritur një marrëveshje austro-ruse, për reformat në të ashtuquajturit Vilajete të Maqedonisë. Mënyra se si marrëveshja ish arritur, të jepte të kuptoje se pas rënies së Perandorisë Osmane, do të ishin të tjera perandori që kërkonin të ngriheshin, duke rindarë zonat e gjahut që do gëlltisnin. Po me 1903, në Romë u zhvilluan bisedime kokë më kokë, midis Mbretit të Italisë dhe atij të Greqisë, ku tema kryesore ishte copëtimi i trojeve shqiptare, sipas orekseve helene dhe romane. Ajo çka e bënte butaforike këtë marrëveshje, ishte pikërisht ideja e shpalosur se; donin t’i binin Shqipërisë, në emër të luftës kundër turqve…! Sipas kësaj marrëveshjeje, grekët vendosnin të shkonin deri në Tepelenë e Pogradec dhe aty kufiri do të vendosej midis grekëve dhe malazezëve, që pasi të pushtonin Shkodrën, të merrnin edhe Dibrën.
Ndërsa mbreti Italian “më modest”, pat kërkuar qytetin e Durrësit dhe të Vlorës. Ahmed Nijaziu, kishte nisur tashmë të ndjeje se diçka po lëvizte në kahjen e kërkimit të të drejtave për autonomi të bashkëkombësve të vet. Idetë e Komitetit për Mbrojtjen e të Drejtave të shqiptarëve, të cilën e udhëhiqte në Stamboll Sami Frashëri, radhë pas radhe, po hynin edhe në vilajetin e Manastirit. Kishte patur disa konflikte të vogla (të armatosura), midis kaçakëve të Ohrit, Dibrës e Prizrenit, me disa reparte turke, të cilat shërbyen më pas si prelud i krejt ngjarjeve. Ndërsa krejt hapur në kërkesat e tyre, atdhetarët shqiptarë në Sofje e Bukuresht, u kërkuan Fuqive të Mëdha: Të lejohen shkollat shqipe dhe kisha shqiptare. Të falen të gjithë shqiptarët e internuar e të burgosur për çështje politike, ose pse kanë kërkuar ushtrimin e lirë të gjuhës së tyre. Të emërohej një shqiptar në komisionin e Reformave në Manastir“. (Arkivi Qendror i Shtetit, Fond. 19, Viti 1903, Dosja. 79, fl. 3).
Ahmed Nijaziu, tashmë, ani-pse është në radhët e ushtrisë osmane, e kuptonte se atdheu i tij, do të mund të dalë prej natës së gjatë osmane, vetëm nëpërmjet një lufte të pa kompromis me absolutizmin e Sulltan Hamidit. Duke paraparë rënien e shpejtë të Perandorisë dhe orekset sllavo-helene, intuitivisht ai ndjente së afërmi shpërthimin e skajshëm të mërive ballkanike. Tashmë, sarajet e larta e të bukura të tij (janë cilësuar si vepër e rrallë arti në krejt Maqedoninë), mbusheshin plot njerëz. Në biseda me ta, Ahmed Nijaziu, rrekej t’u shpjegonte fjalëpakë situatat dhe sigurisht, kërkonte besën e parisë së Resnjës, Strugës, Ohrit dhe Manastirit, për të ndërmarrë aksione të përbashkëta, nëse lypte nevoja e Shqipërisë. Jo rrallë, në sarajet e tij bujtën edhe trima nga Prespa, Kërçova, Gostivari e Tetova, duke dashur të dëgjojnë tek Ahmed Nijaziu fjalën e atdhetarit e të ushtarakut së bashku.
Mendoj se është me vlerë të rikujtojmë, se në vitet 1904-1907, Ahmed Nijaziu ishte bërë i njohur, jo vetëm në radhët e burrave të këtyre trevave, por edhe në radhët e çetave të komitëve bullgare. Ky bir i Resnjës, natyrisht e kish të qartë se këto çeta kaçakësh, mbronin idealet e tyre, por ai parashihte një bashkëpunim të ditës, për të flakur tutje sundimin osman e më tutje, rrjedhat historike natyrisht do të shiheshin përmes vizioneve e qëndrimeve të reja, në interes të kombit dhe atdheut të shqiptarëve. Në emër gjoja të Reformës Maqedone, Fuqitë e Mëdha, po gatuanin në vitin 1904, një copëtim të Shqipërisë me ç’rast, do të përfitonte sidomos ortodoksizmi i përfaqësuar prej Serbisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Greqisë. Planet po drejtoheshin me hollësi të tilla, me ç’rast nuk mund të kalonin pa u vënë re prej atdhetarëve shqiptarë.
Krahas protestave të shqiptarëve në Stamboll, u shtua ndjeshëm edhe fryma nacionale e cila, lidhej sidomos me kërkesat për gjuhën shqipe e krijimin e komiteteve të fshehta. Ahmed Nijazi Resnjën, do të mobilizohej në këtë periudhë, duke bërë propagandë, sidomos në radhët e ushtrisë osmane. E vërteta është se asaj kohe, në Vilajetin e Manastirit, kish ushtarë me kombësi gjithfarëllojshëm. Por biri i Resnjës, me atë respekt të jashtëzakonshëm, deri për ushtarin më të fundit, pat fituar admirim e krejt efektivave të Garnizonit osman të Manastirit. Jo rrallë, në këtë propagandë për autonominë e Shqipërisë, Ahmed Nijaziu kishte pranë Tajar Tetovën, ushtarak, edhe ky me shpirt të vendosur atdhetari, për të çuar deri në fund amanetin e madh të Atdheut.
Ndërkaq, një komitet i disa burrave shqiptarë, me në krye Ibrahim Temon, (Dervish Hima), i dërgojnë Sulltan Hamidit një promemorie, duke i paraqitur si në dritë të diellit, rreziqet që i kanoseshin Shqipërisë prej fqinjëve. Në mënyrë shumë të hollësishme, në atë promemorie, shtjellohen ngjarjet në Vilajetin e Manastirit dhe kërkohen masa konkrete për të shmangur dramën shqiptare. Pos të tjerave, në këtë promemorie kërkohej:
1- Meqë krahina e imagjinuar sot si “Maqedoni” (vilajeti i Selanikut, i Manastirit dhe i Kosovës), nuk përbëhet vetëm nga popullsia sllave-maqedone, por nga popuj të ndryshëm, të mos pranohet projekti bullgar i formimit të një province të veçantë maqedonase, në të cilën do të përfshiheshin edhe territoret shqiptare të vilajeteve të Manastirit dhe të Kosovës. Të zbatohen reforma të përgjithshme për të gjitha vilajetet e Turqisë evropiane.
2- Çdo komb të ketë në territoret e banuara prej tij, nëpunësit e vet, të vegjël e të mëdhenj, të cilët duhet të njohin edhe gjuhën zyrtare turke. Valiu mysliman ose, i krishterë qoftë, do të caktohet apo dhe emërohet nga Sulltani.
3- Çdo nën punës do të përgjigjet për detyrën që ka marrë përsipër. Të thjeshtësohet aparati i nëpunësve, duke larguar ata që janë të tepërt dhe të mos lejohet shtimi i vendeve të reja. Xhandarmëria, që është brumi i arbitrariteteve, të vihet nën-kontrollin e prefektëve, ndërsa gjatë fushatave ajo të shoqërohet nga oficerët rezervistë dhe nga nënprefekti. Kjo masë do të forconte mbikëqyren mbi veprimet e xhandarmërisë dhe do të shmangte shpërdorimet e dhunimet. Po këtu, përfshihej edhe pagesa e rregullt e rrogave mujore të nëpunësve.
4- Të hiqen nga duart e klerit shkollat e huaja, që janë burim i përçarjes midis popujve dhe vihen nën kontrollin e shtetit. Këto do të kthehen në shkolla të përziera, ndërsa mësimi në to do të jetë i detyruar. Kjo masë do të jetë e pranueshme edhe për grekët e bullgarët që i kontrollojnë këto shkolla“. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 19, dosja 18, fletët 92-93).
Në janarin e vitit 1908, u duk se fitorja e Turqve të Rinj, do të ishte mjaft e shpejtë. Kudo nëpër vendet ballkanike, po përgatiteshin kryengritje kundër absolutizmit të Sulltan Hamidit dhe njerëzit besonin se me rrëzimin e tij, për ta do të niste një jetë tjetër. Ishte kjo arsyeja që në përkrahje të politikës së turqve të rinj, ishin tashmë shqiptarët që luanin një rol të rëndësishëm. Ahmed Nijazi Resnja, tashmë kishte dalë hapur në krye të trimave shqiptarë të Strugës, Ohrit, Manastirit, Resnjës e Prespës. Mandej burra të armatosur prej Kërçove, Tetove e Shkupi, ishin futur nën urdhrat e tij, duke paraparë ushtarakun e talentuar e, prijësin trim të popullit.
Ai kishte bashkëpunuar ilegalisht në Komitetet e Fshehtë të Shpëtimit Kombëtar, duke ndihmuar jo vetëm me eksperiencën, por sidomos me reputacionin e madh që gëzonte në krejt trevat e Maqedonisë Shqiptare. Fehmi bej Zavallani, Shahin Kolonja dhe Tajar Tetova, do të ishin ndër bashkëpunëtorët e ngushtë të birit të Resnjës, në pranverën e vitit 1908. Vlen të përmendet fakti që në mjaft tubime, Ahmed Nijazi Resnja, u shpreh haptas se ishte kundër taksave të rënda që popullsia e këtyre trevave (ashtu sikundër e gjithë Shqipëria), duhej t’i paguanin Portës së Lartë. Edhe pse ai kish ardhur nga një familje e pasur, edhe pse zotëronte toka të mëdha, e vërteta është se Ahmed Nijaziu, jetoi kurdoherë me shqetësimet dhe varfërinë e kombit të vet.
Ngase ishte kundër politikës turke të taksave, natyrisht,në krah të tij u radhitën qindra fshatarë të atyre trevave, të gatshëm për të luftuar nën urdhrat e birit të tyre. Ndërkaq, në viset e Maqedonisë Shqiptare, kishin filluar të ngriheshin me shpejtësi të madhe komitetet “Bashkim e Përparim“. Në to u rreshtuan jo vetëm fshatarët, por sidomos punonjësit e administratës e sidomos ushtarakët e garnizoneve osmane. Ahmed Nijaziu, duke ndjekur me vëmendje situatën, përkrahu fuqimisht komitetin “Bashkim e Përparim“ (Xhemijetin) të Manastirit dhe rrekej të propagandojë se vetëm në radhët e këtyre organizatave, të bashkuar e të udhëhequr prej nacionalizmit të ndershëm, shqiptarët do të mund t’u bëjnë ballë lakmive të monarkive ballkanike.
Rrjedha e vrullshme e ngjarjeve në Vilajetin e Manastirit, natyrisht do të ndikohej së tepërmi edhe prej kuvendit të Ferizajit. I përgatitur prej atdhetarëve e burrave të Kosovës, ky kuvend, do të shënonte të parën besëlidhje shumëdimensionale të shqiptarëve, si ai i Dibrës. Në këto momente të mbarsura me ngjarje kaq të mëdha, shkëlqeu edhe një herë mendimi vizionar i Ahmed Nijazi Resnjës. Edhe pse ai, mbante gradën e majorit në ushtrinë osmane, edhe pse e dinte se pat filluar të ndiqej prej hafijeve të Portës së Lartë, ky komandant i sprovuar e atdhetar i vendosur, do të çonte peshë zemrat e bashkëkombësve të vet, me jetën, veprën dhe fjalën e tij. Ndofta është me vend këtu të përmendim midis fjalëve të shumta, të atyre tubimeve luftarake, atë të mbajtur në Llabunishte të Strugës, në pranin të mijëra shqiptarëve.
Duke folur mbi ato tmerre që Shqipëria kish hequr në pesë shekuj sundimi, biri i Resnjës, pa asnjë dyshim, pohonte se; vetëm kryengritja e armatosur, do të ishte ajo që do të mund të flakte tutje robërinë. Pos të tjerave, në këtë fjalë Ahmed Nijazi Resnja, do të kumtonte; “Bullgarët kërkojnë Ohrin, Dibrën, Shkupin, Selanikun. Grekët duan Manastirin, Prilepin dhe Stambollin, gjer në Ankara. Ne duhet të zgjohemi patjetër sepse përndryshe, atdheun tonë, do ta copëtojnë armiqtë dhe do të hakmerren keq me ne. Do të zhdukin çdo gjë që është e shëndoshë. Do të na vënë në kokë kësula serbe… do të na i dhunojnë gratë dhe motrat tona. Neve do të fitojmë, nëse i japim besën se do të luftojmë gjer në pikën e fundit të gjakut…! Më mirë të vdekur me nder, se sa të gjallë e me turp”. (Dr. Reshat Nexhipi, “Shtypja e Rezistencës shqiptare në Maqedoni” faqe 177).
Ndikimi i fjalës së Ahmed Nijazi Resnjës, ishte tepër i madh në krejt banorët e Vilajetit të Manastirit. Për më tej, ky ndikim u shtri edhe në repartet e ushtrisë turke të këtij vilajeti, të cilët kryesisht përbëheshin prej shqiptarëve. Aq i madh ishte ky ndikim, aq e madhe ishte simpatia e ushtarëve për majorin e Resnjës, saqë, në fillim të muajit qershor 1908, me qindra ushtarë të reparteve turke në Tetovë, Gostivar dhe Velezh, nuk pranuan t’u binden urdhrave të eprorëve të tyre osman. Pas kësaj, edhe në garnizonin e madh të Shkupit, ushtarët me kombësi shqiptare, hodhën armët dhe kërkuan të kthehen një orë e më parë në shtëpitë e tyre. Ngjarjet në repartet e ushtrisë, të cilat deri në atë kohë mbaheshin si të vetmet shtylla të Perandorisë, rezonuan edhe në shpërthimin e revoltave të tjera të banorëve të këtyre trevave, sidomos në pikëpamje të arsimimit në gjuhën shqipe.
Kësisoj për të ardhur deri në datën 3 korrik 1908. Pikërisht në këtë datë, në krye të batalionit që komandonte, Ahmed Nijazi Resnja, la garnizonin, duke dalur hapur si kundërshtar absolutizmi gjakatar të Sulltan Hamidit. E vërteta është se u desh vetëm një fjalë e tij, nga ato fjalë që ngrenë peshë zemrat, dhe krejt batalioni me brohoritje gjëmoi njëzëri. “Na prij Nijazi Bej”. Ushtaraku i sprovuar e kuptoi se pas këtij rebelimi, do të merreshin masa të rrepta e shtrëngueses të Portës së Lartë, ngase këtu kish ngjarje me rebelime të tjera, në të tjera vende. Për këtë, ai që në fillim e trajtoi efektivin e batalionit ushtarak, jo si mjet mbrojtëse për sarajet e veta, por së pari për të mbrojtur popullin e atyre viseve, ndaj dhunës së pushtetit vendor turk. Kjo i frymëzonte ushtarët e tij, të vraponin në çdo vis të Vilajetit të Manastirit, për të përmbushur detyrat e për të ngritur në këmbë popullin që goditej për furtunat që e prisnin.
Ngase veprimet e batalionit të Ahmed Nijaziut, ishin në sinkron të plotë me idealet e popullit tonë të shtypur, brenda pak ditëve, ishin rreth 3000 vetë të armatosur, që prisnin veç një fjalë të birit të Resnjës, për t’u hedhur në luftë. Kështu, në ditët e para të korrikut, në Vilajetin e Manastirit, garnizoni osman thuajse u shpërbë. Armët kaluan të gjitha në duart e kryengritësve dhe pushteti vendas po ashtu. Orë pas ore, me qindra kryengritës, regjistroheshin në çetat vullnetare duke dashur të jepnin edhe jetën për pavarësinë e trojeve amtare. Por jo vetëm në Vilajetin e Manastirit. Edhe në Kolonjë, Korçë e Starovë, çetat kryengritëse, të udhëhequra prej Shahin Kolonjës, Çerçiz Topullit e Mihal Gramenos, patën shkaktuar rebelime të mëdha madje ishin në pozita lufte me forcat e garnizonit osmane.
Ndërsa në malësitë e Dibrës, çeta e trimave të Elez Isufit përgatitej të sulmonte ushtrinë e Portës së Lartë. Ngase armata e III-të e Manastirit, pothuajse e humbi misionin e saj, ngase garnizoni i Shkupit, kish rënë pothuaj në dorë të kryengritësve shqiptarë, ngase Tetova, Kumanova, Struga, Gostivari e Kërçova, po mbushnin radhët e çetave të vetëmbrojtjes popullore nën komandën e Nijazi Resnjës, Ministri i Luftës i Stambollit, nisi urgjentisht për aty, gjeneralin Shemsi Pasha. Pa dashur të mohojmë të vërtetën, Shemsi Pasha, ishte në fakt një gjeneral karriere dhe pat fituar shumë luftëra, në disa vende ku pat sunduar perandoria Osmane. Por lavdia e tij, humbi aq papritur në tokën arbërore. Me të mbërritur në Manastir, ai u vra nga Atif Beu, miku i ngushtë i Ahmed Resnjës, me ç’rast kur e goditi i tha se; ishte vendimi i shtabit të kryengritjes.
Atentati shërbeu si një përgatitje dhe drejt vilajetit të Manastirit, tashmë u nisën forca të mëdha osmane. Sidoqoftë, ende pa mbërritur aty makina luftarake osmane, për të marrë sadopak në duar situatën, ministri turk i luftës, dërgoi në Manastir marrëshallin Osman Pasha. Ky njihej si “dorë e hekurt” e ushtrisë, ngase kudo ku pat sunduar, pat bërë krime të panumërta. Por edhe shkëlqimi e lavdia e këtij marëshalli, u tretën e venitën përpara zemërimit të kryengritësve. Me vendim të Komitetit të Fshehtë të Manastirit, Osman Pasha u kap në befasi dhe duarlidhur u mbajt peng për disa ditë. “Këtë atentat, e kreu çeta e Ahmet Nijazi Beut, që e çoi atë në pyje”. (Arkivi Qendror i Shtetit, fondi 19, dosja 21, fleta 7).
Lëvizja e madhe e korrikut 1908, e cila përfshiu në vetvete dhjetëra mijëra shqiptarë, çoi tek e mbrëmja në dorëzimin e Portës së Lartë. Sultani u detyrua që në ag të datës 24 korrik, të shpallte kushtetutën rreth së cilës, merrnin udhë shpresat e mijëra shqiptarëve. Në këtë akt madhor të popullit tonë, i cili u ngrit për të luftuar absolutizmin e kalbur e, për të fituar pavarësinë e tij, roli i Ahmed Nijazi Beut, është padyshim i madh. Në këto ngjarje epokale, sigurisht, atdhetari nga Resnja, mbetet protagonist i shpirtit të revoltës, mbetet klithma e parë e lirisë, e dalë prej gjoksit të tokës arbërore, pas pesë shekujsh sundimi. Kur disa mijëra shqiptarë shkuan në Shkup, kur rrugët e këtij qyteti i mbushën prej thirrjeve të gëzuara, natyrisht edhe fortesat e fundme të garnizonit Osman, ranë.
Nijazi Resnja, së bashku me çetën e tij, iu drejtuan burgut të Shkupit, ku ndodheshin të burgosur qindra shqiptarë, për bindjet e tyre politike. Të burgosurit dilnin në liri, ndërsa turmat entuziaste thërrisnin për birin e Resnjës. Jehona e ngjarjeve të korrikut, përshkroi tej e më tej viset shqiptare. Ajo ishte jo vetëm jehonë por edhe shpresë që kërkonte ringjalljen. Shtypi shqiptar i kohës, lidhur me ngjarjet e korrikut, e veçmas me rolin e ushtarakëve shqiptarë shkruante: “Taboret që u ngritën, ishin tabore prej shqiptarësh, krerët kryengritjes, Enver beu dhe Nijazi beu, ishin shqiptarë dhe telegramin që e dërguan prej Shkupit dhe e bindi Sulltanin ta apë konstitucien, u dërgua prej shqiptarësh”. (Gazeta “Dielli” Boston, gusht 1908).
Menjëherë pas kthimit nga Shkupi, Ahmed Nijazi Resnja, organizoi formacionet vullnetare shqiptare, me ç’rast vetëm në Manastir arrin 7 mijë burra. Më tej, këto formacione vullnetare u organizuan edhe në Dibër, Gostivar, Tetovë e Kaçanik, duke marrë emrin “Legioni Kombëtar”. Në krye të këtij legjioni, shkëlqeu guximi, trimëria dhe besnikëria e birit të Resnjës. Në krye të këtij legjioni, Ahmed Nijazi Resnja, do të vihej disa javë më pas, në mbarëvajtjen e Kongresit të Manastirit. Pa hyrë në detaje të këtij Kongresi, duhet thënë se ai shënoi startin e parë prej nga muarrën fluturimin e tyre dallëndyshet, shkollat e para shqipe. Duke e vënë armën e tij, në shërbim të diturisë së kombit, tek e mbrëmja, biri i Resnjës, tregonte tejpamësin e idealeve të veta.
Ndërsa një vit më pas, në Kongresin e Dibrës, më 24 korrik të vitit 1909, ai patriot që pat shkrehur pushkën e parë kundër Sulltanit (një vit më parë), tashmë ulej në karrigen e delegatit të këtij kongresi. Biri i Resnjës, në këtë kuvend të gjuhës dhe ardhmërisë sonë kombëtare, përfaqësonte komitetin “Bashkim e Përparim”, të vilajetit të Manastirit. Fjala e tij në këtë kuvend, peshonte mjaft ngase brenda saj, ishin ende të gjalla emocionet e kryengritjes madhore shqiptare. Ç’prej kësaj ngjarjeje, e derisa mbylli sytë, Ahmed Nijazi Resnja, mbeti komandant i parë i Legjionit Kombëtar. Memorie.al
Bern-Zvicër