Nga Dr. Luigj Martini
Pjesa e parë
Memorie.al / Për t’ia bërë të njohur fuqive të mëdha kërkesat e kryengritjes së fiseve katolike të Shqipërisë Veriore dhe për të bashkërenduar më pas përpjekjet me vendet fqinje për çështjen shqiptare, kuvendi ngarkoi Prend Doçin. Është përpjekja e parë me theks të mirëfilltë diplomatik që edhe pse ishte i mirë-studiuar, për fat të keq mbeti në kuadrin e një misioni të pamundur. Rrugëtimi i këtij misioni nisi direkt nga kuvendi i fundit që u mbajt në Breshtë të Oroshit në fillim të majit të atij viti. Me qëllimin për t’u vet-akredituar jashtë territorit të perandorisë osmane dhe pastaj nëpërmjet Malit të Zi, Prend Doçi do të udhëtonte për në Vjenë, Romë, Paris dhe Londër. Të njëjtin itinerar dhe pak a shumë me të njëjtin qëllim do të ndjekë 35 vjet më vonë edhe plaku i Vlorës.
Ëndrra zgjati pak, bile shumë pak. Brenda disa ditësh gjithçka u përmbys. Abati u arrestua brenda territorit të perandorisë Osmane në fshatin Vuthaj në afërsi të Gucisë. Rastësi? Apo diçka tjetër? Askush nuk e di të vërtetën. Dekonspirimi që në nisje i këtij misioni që ndryshoi kryekëput jetën e famullitarit të Kalivares ngacmon akoma sot mendjet e studiuesve të ndryshëm. Në letrën e datës 7 maj 1877 që Kalona Çekaldi, konsulli i Francës në Shkodër i dërgon Dukës Dëkaz në mes të tjerash shkruhet…!
“Abat Don Primoja dhe kapedan Gjon Doda, një kushëri i Preng Bibdodës, po shkojnë nëpërmjet shtigjeve malore në Cetinë për të bashkërenduar me Malin e Zi kryengritjen e mirditorëve. 81 Pra, konsullata e Francës në Shkodër ishte në dijeni të plotë të lëvizjeve të Prend Doçit ndoshta edhe të misionit të tij! Jo vetëm kaq, por nga mënyra se si komunikon në këtë letër konsulli me shefin e tij, ministrin e jashtëm (nënvizojmë “abat don Primoja”) kuptohet qartë që Prend Doçi ishte në fokus të diplomacisë së heshtur franceze si nxitës jo i kontrollueshëm i qëndresës anti-osmane në Shqipërinë e Epërme.
Vetëm një javë më vonë, po ky diplomat me një gjuhë krejt tjetër do të jetë i pari që do të njoftojë telegrafisht departamentin përkatës të M.P.J. për arrestimin e Prend Doçit dhe të personave që e shoqëronin. Misioni për abat Doçin mbeti për shumë vite një vegim tronditës plot ngjarje të papritura sa të vështira dhe të hidhura po aq të këndshme dhe shpresëdhënëse që e mbajtën përherë të lidhur me atdheun e tij.
Arrestimi
Për arrestimin e Prend Doçit dhe ngjarjet që e pasuan atë, kanë shkruar shumë autorë shqiptarë dhe të huaj, ku lexuesi i interesuar mund të shuaj këndshëm kureshtjen e vet. Duke qenë sa dashamirës po aq edhe selektiv në vlerësimin e kontributit të tyre, nuk mund të mos deklarohem që në fillim që, për shumë arsye jam i prirur të anoj nga dëshmitë që na kanë lënë At Pashk Bardhi dhe Dom Prend Suli. … “Ikjen, kapjen, burgosjen dhe pushtimin e tij unë këtu jam duke i shkruar ashtu si m’i ka treguar ai vetë me gojën e vet…” – shkruan At Pashk Bardhi.
Si me e ditë që pasardhësit do të ndeshen edhe me variante të tjera, më tej autori vazhdon: … “Me qëllim kam pyetur edhe Fort të Nderuarin Dom Ndoc Nikaj, që ka qenë mik intim i tij, e ai më ka vërtetuar se si më ka treguar mua ashtu i ka treguar edhe atij. Prej kësi kallëzimi duket se t’Imzot Doçit në këto rrethana i ka ecur fati mirë, ose, si thotë populli jonë, ka qenë njeri me orë. E ka pasë gjithmonë orën çuet”, – përfundon autori.
Nga një tjetër letër të Kalona Çekaldit konsulli i Francës në Shkodër dërguar Dukës Dëkaz që mban datën 22 maj 1877 mësojmë që Prend Doçi dhe gjashtë nga organizatorët e rezistencës së malësorëve të Gomsiqes në qafë të Gurit të Prerë të Shënpalit dhe kapedan Gjon Marku, të burgosur, pas një qëndrimi prej 4 ditësh në burgun e Prishtinës janë në udhëtim për në Stamboll. Gjë që do të thotë se arrestimi i tyre të ketë ndodhur rreth datave 16 dhe 17 maj.
Ndalesa e parë e skalionit që shoqëronte të burgosurit është në burgun e garnizonit ushtarak në afërsi të portit në Selanik. Këtë e vërteton dëshmia e vetë Prend Doçit që na vjen nëpërmjet bashkëkohësit dhe mikut të tij të afërt At’ Pashk Bardhit. Autori këtu nuk i përmend dukagjinasit që kapedan Gjon Doda synonte t’i merrte me vete në Mal të Zi. Nuk përmend as Kolë Marçunin që u arrestua së bashku me abatin.
Nuk dihet asgjë për fatin e tij. Ishte më i moshuar, dhe gëzonte besimin e abatit. Pasi i kishin ngjeshur në një dhomë fare të vogël, pas 37 orësh u kishin sjellë një legen me çorbë dhe 4 lugë me të cilat shtatë vetë duhet të shuanin urinë dhe lodhjen e një udhëtimi të gjatë me duar dhe këmbë të lidhura. … “Porsa hañgernë at çorbë, ra nji buri, e me njiherë u çil dera e burgut, e nji oficer turk u tha me za të mekët: – Arnaut, jashtë!
Në oborrin e madh para sarajit, mjegulla e dendur e mëngjesit ndrydhte horizontin e detit përballë. Ajri i freskët sikur u lehtësoi frymëmarrjen dhe u kthjelloi pamjen. Përgjatë murit që shërbente ndoshta si pritë dalluan një radhë ushtarësh me armë në dorë. Iu duk se po përjetonin çastet e fundit. – Shpresë në Zotin patër, se janë tuej na çue me na gri pëshpëriti kapiten Gjoni. – Përse në dasht! Iu përgjigj me gjakftohtësi abati.
Veç të ketë me më marrë plumbi në planc, pse deri më sot nuk kam hangër kurrë gjanë e Dauletit. Veç qiket çorbë, edhe këtë po due me ia lanë këtu”. Por asqeri ishte në punë të vet dhe nuk kishte pas punë me ta. I futën në vapor dhe i nisën për në Stamboll. Në vapor, po sipas At Pashk Bardhit, ato u takuan me Pashko Vasën i cili e kishte ndërmarrë atë udhëtim qëllimisht për t’u takuar me to.
Mësohet t’u ketë folur, pse nuk kishin qëndruar deri në vdekje, sepse zor se mund t’i shpëtojnë hujit të Dervish Pashës. Sipas Nopces ata kanë rezistuar! Mbas një udhëtimi teje të vështirë, në orët e vona të një nate pus të errët me rrebeshe shiu të një pranvere të vonuar, vapori u ankorua në skelën e Stambollit. Ishin të fundit që lanë anijen.
Ndryshe nga pasagjerët e tjerë, ata nuk zbritën në tokë, por në barkun e errët e një tjetër anije rrangallë që ngjante më shumë me një thark lundrues që mezi mori udhë nën peshën e rojeve të dyfishuara për në “Stacionin e fundit”. Kështu quhej në zhargonin e vendasve burgu i të huajve (jo osman) ndërtuar rrëzë një masivi shkëmbor, në një grykë të vetmuar, jo larg portit.
Jeta “Lojë shansi”
Arrestimi i papritur i Prend Doçit dhe dërgimi inkonjito në Stamboll pati një jehonë të dhimbshme jo vetëm tek mirditorët por edhe në të gjitha fiset katolike të Shqipërisë së Epërme. Në krye të përpjekjeve për shpëtimin e jetës së Prend Doçit u vunë menjëherë krerët më të lartë të hierarkisë kishtare.
Ipeshkvi i dioqezës së Sapës Giulio Marsili dhe eprori i françeskanëve, të cilët në emër të të gjithë anëtarëve të tjerë të klerit katolik, nëpërmjet konsullit francez në Shkodër i kërkuan qeverisë franceze të ndërhyjë sa më shpejt pranë Portës së Lartë për shpëtimin e jetës së abat Prend Doçit.
Jo vetëm qëndrimi personal i konsullit ndaj kërkesës së Imz. Marsilit por edhe predispozita e qeverisë franceze shprehet qartë në letrën e tij nr. 165 dërguar Dukës Dëkaz me datë 22 maj 1877.
… “Nuk ua fsheha lutësve që mënyra se si ky prift, interesant si nga mosha e re, nga mençuria dhe nga patriotizmi, ishte përzier në turbullirat e Mirditës, e bënte mjaft të vështirë ndërhyrjen tonë në dobi të tij, aq më tepër që qeveria franceze, me ndërmjetësinë time nuk kishte pushuar së paralajmëruari Preng Dodën dhe përkrahësit e tij mbi rreziqet në të cilët e vinin edhe veten e tyre…”.
Jo vetëm kaq, por konsulli francez në Shkodër si njohës dhe përçues i mirë i politikës, për mendimin tim jo dashamirëse shkon edhe më tej, dhe me një gjuhë diplomatike të kujdesshme guxon të këshillojë shefin e vet më të lartë të veprojë, nëse e gjykon të domosdoshme, pa ndërhyrë drejtpërdrejtë duke mos kaluar kufirin e duhur.
…“Ndoshta, Shkëlqesia Juaj do të gjykojë, pa ndërhyrë drejtpërdrejtë në këtë çështje, se këshillat që mund t’i japë i Ngarkuari ynë me punë Safet Pashës*, nuk do ta kalonin kufirin e duhur dhe do t’i përgjigjeshin kujdesit tanë të vazhdueshëm për malësitë e krishtera të Shqipërisë…” përfundon konsulli në letrën e tij të cituar më lart.
Nga një letër përgjigje e arqipeshkvit të Tivarit dhe të Shkodrës Imz. Karl Pooten dërguar kardinal Alessandro Franchit, prefekt i propagandës Fide me datë 25 qershor 187785 mësojmë se për fatin e famullitarit të Kalivares është i shqetësuar edhe vikari i Kostandinopojës Mgr. Hassun i cili i ka shkruar që me datën 18 maj, pra ndoshta që në ditët e para të arrestimit të tij.
Në këtë letër të bën përshtypje qëndrimi i ekuilibruar i gjermanit Karl Pooten. … “Për fat të keq, është prift, një student i Propagandës Fide. Don Primo Dochi i ri, i arsimuar mirë, por që i ka përdorë për keq njohuritë e tija”, – i shkruan Pootem kardinalit. Ndërsa vikarit Armen Mgr. Hassun, Pootem i lutet që të ndërhyjë që Prend Doçi të mos mbahej në të njëjtin burg me të arrestuarit tjerë dhe të respektohet statusi i tij fetar.
Përjashtim në këtë çështje bën vetëm ipeshkvi i Lezhës, Imzot Francesko Malcinski i cili Prend Doçin e cilëson si organizatorin kryesor të kryengritjes, i cili shkoi tek princi i Malit të zi me cilësinë e një agjenti politik.
Të kthehemi përsëri në Stamboll, aty ku e lamë. Nofkën “Stacioni i fundit” burgu e kish marrë në vite, sepse kush hynte atje, rrallë ndodhte të dilte i gjallë prej andej.
I ndërtuar në faqen e pjerrët të një shkëmbi që zbriste thike mbi det. Së largu dukej si një trung piramide trapezoidale që fundosej gradualisht nën ujë. Nga dëshmi të pakta gojore të vetë abatit, të përcjellura nga bashkëpunëtorët e tij françeskanë mësohet të ketë përballuar një hetim torturues.
… “Ma zi m’a ka ba istintaku se burgu…” – thoshte abati edhe pas shumë vitesh, tek e kujtonte atë qenie të akullt, me fytyrë të vrarë lije, të pajisur me një vështrim zhbirues dhe plot dashakeqësi që tregonte se jo vetëm e njihte mirë por edhe i shërbente në mënyrë të përkryer Perandorisë duke përligjë gjithë të këqijat e funksionit që kryente.
Ndjente dukshëm një gricje, një rendim në shpirt. I përftonte një tkurrje rrëshqitëse që e bënte të heshtë me dhimbje dhe keqardhje sepse ai, hetuesi, nëpunësi që ia kishte pru aq ngushtë, gjithë ato ditë për ironi të fatit kishte qenë shqiptar, bashkëkombës!…
Arnaut i çoroditur deri në atë masë sa kur nuk arriti të provojë fajësinë e Preng Bib Dodës si organizatori kryesor i kryengritjes nëpërmjet deponimeve të Abatit duke mbyllë dosjet e hetimeve, i kthen kurrizin dhe me cinizëm i belbëzon në shqip: Paç veten në qafë!
Tingëllime paralajmëruese për botën tjetër. Por, Zoti, për hir të tokës që e lindi i kishte rezervuar një tjetër fat. Burgu i Stambollit ishte i një lloji të veçantë. I konceptuar në përshtatje me kërkesat e urrejtjes patologjike që ushqente Porta e Lartë për të pabindurit e shtetasve jo osmane anë e kënd Perandorisë. Një bodrum, konturet e të cilit nuk mund të përcaktoheshin lehtë. I shtruar me pllaka të rënda guri, ndahesh për së gjati nga një korridor hekurash të dyfishtë, brenda të cilit lëviznin lart e poshtë punëtorët e shërbimit, ujë mbajtësi nën vështrimin e rreptë të rojeve të brendshme me kamxhik në dorë në të dy anët e këtij korridori që ishte edhe i vetmi burim drite, të burgosur të ndryshëm. Ermen, grekë, rumun, bullgarë, vlleh, hungarez, moldavë, shqiptarë etj., shfrynin zhurmshëm dufin e shpirtit nëpërmjet komunikimit të përditshëm në gjuhën e tyre. Ishin ditët e para të pranverës… lagështia me të cilën Abati nuk ishte mësuar e kishte rënduar gjendjen e tij shëndetësore. / Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm













