Nga Shpendi Topallaj
Memorie.al / Është në nderin e çdo vendi, dhe cilido popull ndodhet tërësisht në paqe me ndërgjegjen e vet, sa herë kujton heronjtë e tij të rënë në luftë me armikun. Por, sepse të mundon një brengë, kur të duhet të evokosh veprën e atyre që dhanë jetën për liri dhe që i vrau dora e pabesë e shokëve të tij. Kodi i njëjtë moral i të gjithë dinakëve, në rrugëtimin e tij ndër shekuj, edhe pse ka shkelur në hapësira kohore mijëra vjeçare, përsëri ka bërë që të përsëritet pareshtur ajo historia e Palamedit, djalit të mbretit të Tebës, i cili edhe pse falë virtyteve të pashoqe kishte fituar dashurinë dhe respektin e të gjithë grekëve, përsëri, ngaqë demaskonte veprimet djallëzore të Odiseut për të mos marrë pjesë në Luftën e Trojës, fitoi urrejtjen e tij dhe pas shpifjeve që ai i bëri për tradhti, për mbajtje korrespondence dhe marrje parash nga trojanët, u vra me gurë.
E njëjta gjë ndodhi edhe me njërin nga luftëtarët më trima, organizatorët e pashembullt, inteligjentët e rrallë, atdhetarët e flaktë dhe udhëheqësit e talentuar dhe të kulturuar, birit të shquar të Peqinit, Mustafa Gjinishi, i cili duke qenë veçanërisht i drejtë, ishte më shumë se një hero, pasi ashtu sikurse vëren nobelisti Luixhi Pirandelo, hero mund të jesh një herë, kurse i drejtë duhet të jesh gjithmonë. Në veprën e tij monumentale “Arkipelagu Gulag” Sollzhenjicini shprehet se “Është e pa mendueshme që në shekullin e XX-të, të mos arrish të dallosh se çfarë përbën një barbari të urryer …, dhe çfarë përbën atë të “kaluar” që nuk duhet të trazohet”!
Duke mos e vënë aspak në dyshim, Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, madje duke u ndierë krenar për të, nuk ka sesi të heshtim për pabesitë dhe mizoritë e Enver Hoxhës, ku vrasja prapa shpine e Mustafa Gjinishit, jo vetëm shënon së bashku me eliminime të tjera, fillimin e asaj që do të ndodhte dhe realisht ndodhi me shqiptarët, por është dhe referenca ndofta më kokëfortë për të treguar fytyrën e vërtetë të komunizmit.
Është gjithashtu e vërtetë se, djali i patriotit Adem Gjinishi, ish-kryetarit të Bashkisë, i cili kishte shoqëruar karvanin e Ismail Qemalit, dhe qe zgjedhur delegat në Kongresin e Lushnjes, pasi kishte shpëtuar njëherë nga varja pas dështimit të Kryengritjes së Fierit (dënim që i qe të konvertuar me burg), i kishte përqafuar idetë komuniste.
Por atë askush nuk mund ta akuzojë për zgjedhje të gabuar, përderisa ato ideale identifikoheshin me çlirimin e atdheut
dhe ndërtimin e një jete të re. Mustafanë, qysh të vogël dikush e quante zheni, pasi ai ishte tejet i zgjuar dhe i etur për dije; ai lexonte libra pafund dhe mësonte gjuhë të huaja. Kjo ra
në sy edhe kur pas vrasjes së babait, i vëllai Rexhepi e dërgoi në Shkollën Teknike (Amerikane) në Tiranë, ku ky nxënës i shkëlqyer që studionte Volterin dhe Rusonë, fitoi gjithë simpatinë e vetë Harri Fultzit i cili, kur e shihte sesi e adhuronin edhe pedagogët, jo vetëm i besoi drejtimin e gazetës “Laboremus”, por edhe teksa e shihte të disiplinonte dhe udhëzonte gjithë shkollën, thosh: “Zot! Fale këtë njeri”.
Sot njihen meritat e Mustafa Gjinishit, të konfirmuara edhe nga Petro Marko dhe kushdo që e njohu, jo vetëm si atdhetar, erudit e tolerant, por edhe si demokrat i kulluar. Atë e tregojnë edhe arkivat e asaj kohe, ku teksa kërkojnë vigjilencën e duhur për motrën e tij Xhemilen, autoritetet pushtuese e quajnë atë, një anti-italian të rreptë (Molto pericoloso).
Duke folur një herë për Mustafanë, me mikun tim, Ernest Jakova, gjeneral në pension, sot i larguar nga jeta, më tha se duket e çuditshme, por edhe pse e kisha komisar në Çetën e Pezës, pak gjëra mbaj mend, pasi ai sa vinte, largohej përsëri në detyra shumë më të vështira e të rrezikshme, pasi një kuadër energjik dhe orator si ai, i përkiste të gjithë Shqipërisë. Madhështia dhe largpamësia e Mustafa Gjinishit, spikati veçanërisht në verën e vitit 1943, në Konferencën e Mukjes, ku ai u përpoq me të gjitha forcat e arsyes të sheshonte mosmarrëveshjet midis Partisë Komuniste, Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, pra të shmangte luftën vëllavrasëse, pavarësisht se ky burrë që e dinte mirë se ku janë kufijtë natyrorë të Shqipërisë, mori mbi vete mallkimin e emisarëve jugosllavë dhe të ndjekësit të tyre të zellshëm, Enver Hoxhës.
Kosova dhe Çamëria për të ishin të shenjta, ndaj dhe u cilësua përgjegjës për “Tradhtinë e Mukjes” nga ai që, pasi e quante me ironi “zog të bukur”, në telegramet dhe letrat që i dërgonte të deleguarës fuqiplotë në Dibër, i kërkonte eliminimin e tij. Dhe 16 gushti i vitit 1944, kur këtë zog realisht të bukur që po fluturonte aq energjikisht dhe me besim drejt qiellit të lirisë, e shtriu përdhe një dorë e zezë e një mendje të kuqe, edhe sot e kësaj dite akuzon. Paradoksalisht, Komandanti i asaj ushtrie partizane dhe Miladini që vetë Mustafai e kishte shpëtuar nga burgu, duke vënë në rrezik jetën e tij, u hodhën përpjetë nga lumturia.
Enveri, po largonte rivalët nga rruga e karrierës, se vetëm kështu mund të hynte në Tiranë si Mesia. Vrasja e një njeriu dhe udhëheqësi si ai dhe me ato vlera të jashtëzakonshme intelektuale e morale, qe një humbje e madhe, por edhe sikur na kujton atë thënien e Senekës se “Jeta është si një anekdotë; s`ka rëndësi sa e gjatë është: por sa është e vlefshme.” Dhe këtë jetë e ka rindërtuar mjaft mirë në një libër të tijin, i nderuari Astrit Kaziu, për të cilin dikur kam shkruar:
“E kam ndjekur me shumë interes jetën shumë tërheqëse dhe fatkeqe njëkohësisht të Mustafa Gjinishit. Më kanë lindur shumë pyetje dhe dyshime rreth trajtimit zyrtar që i është bërë atij. Libri i Astritit më dha shumë përgjigje dhe më sqaroi në mënyrë të pakundërshtueshme shumë paqartësi.
Ky njeri me vlera dhe kontribute të mëdha, veç epiteteve të tjera të merituara, është quajtur dhe Leonida, i cili tregoi një trimëri të pashoqe atje në Termopile, duke mbetur në histori, kur persët i kërkuan të dorëzonte armët, me atë përgjigjen e famshme “Molon lave”, pra “Ec e merri”! Edhe pse atë, për drejtësinë dhe ndershmërinë që kish, fare mirë mund ta quanin edhe Aristidh, i cili u dënua me ostracizëm, që u jepej sipas Demetrit nga Faleri, atyre që ishin nga një derë e madhe dhe që me shkëlqimin e tyre ngjallnin smirën e të tjerëve.
Plutarku, pasi e konfirmon këtë, e portretizon këtë burrë shteti të lashtësisë me këto fjalë që do t`i shkonin për mrekulli Mustafait: “Kurrë nuk u fry nga nderet që i bëheshin, me qetësi e gjakftohtësi përballoi dhe ditët e vështira, i bindur se duhej t`i shërbente atdheut pa pritur shpërblime as në para, as në ndere”. Por ashtu si për këtë njeri me moral të shëndoshë, doli në skenë dinaku Temistokli, që s`la gurë pa lëvizur për t`i vrarë atij reputacionin edhe për Mustafa Gjinishin (Ras Tafarin!!!), qe e mjaftueshme dinakëria e “Tarasit”, për ta vrarë edhe fizikisht dhe për ta lënë pa varr, në moshën 32 vjeçare.
Tinzar, hileqar dhe i pabesë siç qe Enver Hoxha, me intrigat e tij shkonte përtej fantazisë shekspiriane. Edhe kur pas përbetimit të Kilonit, u dënua familja e Megakliut dhe atyre që kishin vdekur ju hapën varret dhe ju flakën eshtrat jashtë kufijve të vendit, të paktën u bë një gjyq i rregullt dhe e dha verdiktin një trupë e përbërë nga 300 veta të zgjedhur nga paria. Shfletoni fjalorët dhe mos u çudisni kur të shihni se, Gjinish, quhet ai zdrukthi me thikë të ngushtë, që hap në dërrasa vija bashkimi.
Çudia duhet kërkuar te fakti se ai që kërkonte dhe gjente vija bashkimi mes shqiptarëve, si shumë të tjerë, u gropos tinëzisht, me qëllimin që t`i harrohej edhe emri, kurse kriminelit, ende i spërdridhen disa nga ata që Drymondi i quan fanatikë, të marrë ose skllevër të të tjerëve që respektivisht, nuk duan, nuk dinë apo nuk guxojnë të arsyetojnë, por mbrohen me logjikën e urryer se nuk duhet trazuar e “kaluara”. Këta janë nga ajo lloj race, për të cilët e ndjera Xhemile, qysh në gjallje pyeste: “Akoma e kanë frikë Enverin”?
Nderim veprës së pavdekshme të atdhetarit Mustafa Gjinishi dhe mirënjohje të gjithë atyre që duke kujtuar atë, korrigjojnë historinë tonë qëllimisht të ngatërruar. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016