Nga Tanush MULLETI
Pjesa e tretë
Refleksione: “Si e pashë, e dëgjova dhe e preka 2 prillin ’91 e, si e dëgjoj sot”!
Memorie.al / 2 Prilli i 1991, ka hyrë në historinë e Shqipërisë dhe e pranuar edhe sot nga të gjithë krahët e politikës, si një krim monstruoz e makabër, ku u vranë 4 djem të rinj dhe u plagosën mbi 97 vetë, disa prej të cilëve mbetën invalidë të gjithë jetën, të gjithë të rinj e të reja (siç thotë Umberto Eço: “E vërteta dhe vetëm e vërteta do të na shpëtoi”). Shkaku për të shkruar këto refleksione është se, po dëgjojmë dhe lexojmë të deformuar me dashje ose pa dashje, historinë e ngjarjes së 2 prillit 1991. Për këto shënime, nuk më shtynë as urrejtja, as hakmarrja, as ambicia, as interesi, por vetëm ndërgjegjja për të thënë të vërtetën, publikisht, ashtu siç ka ndodhur.
Vijon nga numri i kaluar
Më pas, Shaqir Vukaj thotë se: “Protestuesit u qetësuan nga disa intelektualë dhe Bibliotekën e shpëtoi policia”. Kjo nuk është aspak e vërtetë. E përmenda më sipër se, Bibliotekën e qytetit e shpëtuan disa intelektualë dhe drejtori i Bibliotekës së asaj kohe, Skënder Beci, njeri liberal, i cili kishte një reputacion të mirë në qytetin e Shkodrës dhe nxori dy-tre karroca me veprat e Enver Hoxhës, të cilat u dogjën nga protestuesit dhe situata u qetësua. Nuk ka patur asnjë polic në objekte pasi, ata e braktisën detyrën, me urdhër pas djegies së Komitetit të Partisë.
Po kështu Radio-Shkodrën, nuk e kanë shpëtuar Policia dhe Drejtori i saj Gëzim Podgorica, pasi, kur Besniku dhe unë kemi shkuar tek Radio-Shkodra, pas djegies së Komitetit të Partisë, nuk kishte më policë nëpër Shkodër. Radio-Shkodrën, e kemi shpëtuar unë dhe Besnik Komi, në emër të Sindikatës së Pavarur.
Drejtori i Radios-Shkodrës, sipas Shaqir Vukës, ka bërë një vepër të mire, se fuqinë e antenës, nga 24 KW, e uli në 1 KW.
Në Radio, ishin shumë punonjës dhe jo katër vetë, siç shkruan në libër. Sekretarin e Komitetit të Partisë Xh. G, e shpëtoi herën e pare, mësuesi i fizkulturës, Ll.V., ndërsa herën e dytë, ndërhynë civilë të armatosur (të policisë).
Drejtori, sipas kësaj, ka shkelur ligjin për informimin publik (ishim në pluralizëm), dhe po ashtu për këtë ngjarje, fajësojnë Azem Hajdarin. Por Azemi, nuk ndodhej fare në Shkodër. E bëri vetë populli i Shkodrës, e bënë krismat e armëve që u dëgjuan dhe mblodhën popullin. Parullat, sipas Shaqir Vukës, ishin: “Poshtë komunizmi”! “O, Ramiz, o zagar”! “Shkodra Republikë”! Unë nuk e kam dëgjuar: O, Ramiz, o zagar! Përse?! Sepse një pjesë e popullit, kishte përsëri besim tek Ramiz Alia.
Unë kam dëgjuar dhe më keq, një vjershë që thoshte: “Sllobodan, o Sllobodan, mësy në Tiranë, se na ke të gjithëve në kamb”. Populli ishte i lodhur moralisht dhe ekonomikisht. Dreqi të vinte, vetëm komunizmi e stalinizmi, të hiqej nga Shqipëria.
“Shkodra Republikë”, përdoret si shprehje në Shkodër, për një njëri që është i veçantë, që është në punë të tij. Por duhet të shtojmë se, në raport me qytetet e tjera, Shkodra është e veçantë, jo vetëm në art dhe kulturë, por dhe në jetën politike, historike, ekonomike, etj. Rastësia e bëri 2 Prillin. Ndryshimi do ndodhte (dominoja e fundit do të rrëzohej), dhe është e kuptueshme që, qendra kryesore, do ishte Shkodra. Me të drejtë, filozofi, Monteskje, thotë: “Tek rastësia është Perëndia”. Aty nisi, aty krisi; aty filloi dhe aty mbaroi, terrori stalinist e enverist, mbi popullsinë e rrethit Shkodër.
Aredin Shyti, (Libri i tij, faqe 126), bën pyetje: “As unë nga Tirana dhe as Çapajevi e Dilaveri, që ishin në Shkodër, nuk i jepnim dot përgjigje pyetjes: nga vinte kjo zemëratë”?
Zemërata dhe mosbesimi ndaj Partisë së Punës dhe Degës së Brendshme, ishte e hershme. Nga viti 1945 – ’90-të, janë mbi 600 vetë të pushkatuar me gjyq e pa gjyq, terrori ka qenë shumë i fortë, janë djegur shtëpi, janë burgosur e internuar familjarisht shume persona. Nuk ka rrugicë në Shkodër që, mos të ketë një të internuar ose të burgosur. Po marrim vetëm dy vitet e fundit, të regjimit komunist, të tregojmë çfarë ka ndodhur në Shkodër:
Më 24 gusht 1989, Gjon Mark Kumbullaku (25 vjeç) e Dod Fran Gjerkaj (22 vjeç), në tentativë për të kaluar kufirin në vendin e quajtur Suka-Dajç, janë kapur nga forcat e kufirit dhe janë dorëzuar me duart lart. Janë vrarë nga trupa e Njësitit Kufitar. Për me terrorizu popullin, janë lidh me tela me gjemba, mbrapa spondës së makinës, gjysëm të zhveshur, e shëtit nëpër Shkodër e fshatra, etj. Kjo është një përdhosje e kufomës, e dënuar me Kodin Penal të asaj kohe.
Në faqen 41-43 të librit të Aredin Shytit, ai tregon ngjarjen që po e citojmë integralisht: “Gjykata e Lartë, ishte lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Ministri tha se, Presidiumi i Kuvendit Popullor, nuk e kishte pranuar kërkesën e tyre për falje. prandaj, tha ai, të pushkatohen sonte, në zonën e Kombinatit (Shënim T.M.: Kombinati Tekstil “Stalin” Tiranë) dhe kufomat të lihen në vend, që t’i shohin qytetarët në mëngjes. Më falni, – i thashë ministrit, – por kjo nuk mund të bëhet”…
…Sapo i thashë se, veprime të tilla janë në kundërshtim me funksionet e shtetit, zemërimi ia tjetërsoi fytyrën. Ishte reagimi i njeriut të pushtetshëm që, i vlerëson dijet e tij në të njëjtën lartësi, me poltronin ku është ulur. Por, mbase më shumë sesa nga etika çalamane e përgjigjes time, se funksionet e shtetit ishin të renditura në tekstin e lëndës: Teoria e Shtetit dhe e së Drejtës… tregoi se, vazhdohej të besohej se demonstrimet me kufoma të njerëzve të pushkatuar me vendime gjyqësore, do sillnin suksese në luftën për parandalimin e kriminalitetit…!
… Në dy a tre raste, njëri prej tyre në Shkodër, kufomat e njerëzve të vrarë, në tentativë për të kaluar kufirin, u ekspozuan të shikoheshin, nga sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Sa i rëndë është gabimi që kryhet, përcaktohet nga pasojat qe sjell. Dhe pasojat ishin shumë të rënda. Njerëzit kishin të drejtë të përbuznin veprimin dhe zbatuesit e tij. Valët e urrejtjes për Çapajev Taçin (pasi ishte marrë i pandehur për ngjarjen e 2 Prillit 1991), i ushqente pikërisht rasti i përmendur…! Çdo procedurë tjetër jashtë normave për çfarëdo qëllimi do të duhej të vlerësohej ligjërisht dhunim i kufomës…”!
Më 20 prill 1990, dy të rinj, Dhurata Sokoli (25 vjeçe) dhe Elez Kraja (26 vjeç) janë kapur shumë larg kufirit nga njësiti i Kufirit. Komandanti, i ka zhveshur lakuriq dhe ka urdhëruar ushtarët të abuzojnë seksualisht me to dhe më pas t’i ekzekutonin. Regjimi e dekoroi dhe e ngriti në detyrë, duke e bërë komandant të Kufirit, të Portit të Durrësit. Në vitin 1993, u arrestua komandanti dhe u dënua 17 vjet. Ushtarët pranuan krimin. Në vitin 1997, u largua nga Shqipëria.
Më 18 maj 1990, dy vëllezërit 25 dhe 27 vjeçar, velipojakë Gjekë dhe Vatë Beqi, tentojnë të kalojnë kufirin me not. Qëllohen me automatik në ujë, nga njësiti kufitar dhe njëri plagoset rëndë. I nxjerrin në breg dhe komandanti i Pikës Kufitare, Bino Binaj, (nga Vlora), në kundërshtim me lutjet e ushtarëve të tij, si dhe ligjin që kishte dal më 8 Maj 1990 (Kalimi i Kufirit, nuk konsiderohet më tradhti e lartë ndaj atdheut, por thjesht si kundra vajtje penale), e qëllon me automatikun e tij dhe vret Vatën në breg. Pas disa kohësh, komandanti, u dënua në mungesë me burgim të përjetshëm. Por dhe ky u largua nga Shqipëria në drejtim të paditur.
Më 13 Dhjetor 1990, djaloshi 16 vjeçar, Olsi Lorja, i cili thërrmoi me çekiç pjesën e kokës së bustit të Enver Hoxhës, për t’i shpëtuar arrestimit’ i’u drejtua kufirit dhe u vra nga njësiti kufitar, më 20 Dhjetor ‘90.
Më 16 Qershor 1990, u vra në kufi, djaloshi 16 vjeçar Pllumb Pllumbi.
Më 12 Qershor 1990, u vra në Zogaj, Nini Rrok Hoti.
Më 7 Tetor 1990, u vra Agron Ismail Hoxha në kufi.
Më 2 Dhjetor 1990, u vra Ndue Luk Markaj. Shtojmë këtu edhe arrestimet dhe dënimet e 14 Janarit (për tentativën e heqjes së bustit të Stalinit) si dhe të 13 Dhjetorit (për heqjen e bustit të Enver Hoxhës).
Të gjitha këto vrasje, janë kryer nga Reparti 299 (i Kufirit), në kundërshti me ligjin. Hetuesia, pasi ka bërë hetimet, çështja penale është pushuar në bazë të nenit 18/11 i Kodit Penal, Kryetar i Hetuesisë së Rrethit, Kosta Karanxha.
Aredin Shyti, (në librin e tij, faqe 151-152), paraqet bisedën telefonike me Ramiz Alinë:
“I kishin thënë se, unë kisha pranuar në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Shkodrës, se; policia ishte përgjegjëse për vrasjet, se ajo kishte kaluar kompetencat…!
…Vazhdova të mbrohesha nga informacioni i pasaktë dhe i shpjegova se, nuk mund të thosha, as para shokëve të mi dhe askujt, se policia apo dikush tjetër, vrau njerëzit. Do ta thosha po të kisha prova. Debati ndezur se, në informacionin e Degës së Brendshme, ishte ndryshuar radha e episodeve të ngjarjes. Ai informacion, ishte pasqyruar fjalë për fjalë në komunikatën e Ministrisë. Për këtë, mora përgjegjësi. Ramiz Alia, ndërhyri. Më kërkoi shpjegim dhe unë i thashë, afërsisht se, përmendja e episodeve në atë renditje, qe e gabuar dhe duhet të kishte ardhur nga pakujdesia, e ndikuar nga perceptimi që ka pasur konceptuesi i informacionit, për rëndësinë e ngjarjeve të ndodhura në 2 prill. “E po mbaje me shëndet”, më tha Presidenti. “Të lutem, shoku Ramiz…”! Nuk e mbarova fjalën se ai bëri një “korrigjim”, të asaj që tha. Pakënaqësinë, e shprehu me fjalët “nuk duhet të kishte ndodhur kështu”!
…Atë pasdite, më telefonoi Ramiz Alia dhe më pyeti: “Si e the atë fjalën ti, për kompetencat”?! “Nuk e kujtoj, për kur është fjala”, e pyeta. Ai ishte me të tjerët në zyrë dhe për diçka i pyeti që të ndihmonte kujtesën time. U kujtova dhe i thashë: “Mos është fjala për kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme ose, nevojën ekstreme”? Ai tha se, pikërisht për atë po pyeste dhe biseda midis nesh mbaroi…”!
Teksti i deklaratës, u transmetua nga masmedia në mbrëmjen e asaj dite dhe cilësohej se: ishte “komunikatë e Hetuesisë së Përgjithshme”. Pas dy tre ditësh, erdhën vendimet e arrestit të nënshkruara nga: Prokurori i Përgjithshëm, Rrapi Mino për Çapajev Taçin, Dilaver Paparen dhe Gjek Çelajn. Aredini dhe ministri, Gramoz Ruçi, nuk janë pajtuar me vendimet e arrestit dhe i kthyen mbrapsht.
Aredin Shyti, faqe 196: “Në datën 25 Korrik 1992, u arrestova në vendin e punës, te Akademia e Rendit. Në mbrëmje, lajmi që u dha në TVSH, ishte ndërtuar për të përcjellë kumtin se, vrasësi i 2 Prillit, u zbulua. Ishte zgjedhur koha, të nesërmen në 26 korrik mbaheshin zgjedhjet për pushtetin vendor”.
Ja si shkruan Gjek Çelaj, për ngjarjet e 2 Prillit, faqe 28-29:
“Në verën e vitit 1990, u njoftova se Ministria e Punëve të Brendshme, kishte vendosur që unë të transferohesha nga Puka në Shkodër, me detyrën e zëvendësshefit të Policisë së rrethit…!
…Ashtu si dhjetë vjet më parë, kur kisha shkuar në Tiranë për të vazhduar Akademinë e Rendit Publik, pa ndonjë dëshirë të madhe…!
… Policia e rrethit, kishte në krye një shef, që nuk ishte kuadër i mirëfilltë policie, por që, pas fakultetit Ekonomik, kishte mbaruar me korrespondencë, Akademinë e Rendit, që në atë kohë, quhej Shkolla e Lartë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ishte njeri serioz dhe me dëshirë për punë, ishte i ndershëm, i zgjuar dhe i pa kompromentuar, por jo shumë i prerë dhe me vendosmëri për të drejtuar Policinë e një rrethi si Shkodra. Gjithsesi, Dilaver Papare, mbeti një kuadër i mirë policie…!
…Kur u transferova në Shkodër, në krye të Degës së Punëve të Brendshme, ndodhej Çapajev Taçi nga Gjirokastra, një kuadër me eksperiencë, i Sigurimit të Shtetit dhe si drejtues, por me aftësi të kufizuara, për të drejtuar me operativitet punët. Ai ishte një kuadër korrekt e serioz dhe i prirur drejt shablloneve e llafollogjisë boshe. Ai rrinte deri në 15 orë në ditë në punë, por pa bërë asgjë konkrete dhe efektive. Ai u përkiste atyre lloj kuadrove drejtuese që, u përsërisin shpesh vartësve se, duhet punuar më shumë, pa u thënë asnjëherë se çfarë duhet bërë konkretisht…!
…Më 14 Janar 1990, në qytetin e Shkodrës ishte organizuar një demonstratë, për rrëzimin e bustit të J.V.Stalinit. Meqenëse Dega e Punëve të Brendshme, i kishte arrestuar një natë më parë organizatorët, demonstrata kishte dështuar, por autoritetet partiake e shtetërore të asaj kohe, ishin detyruar të hiqnin vetë natën bustin e diktatorit sovjetik…! Pakënaqësia kishte plasur kudo…
(Shënim T.M.: Në të vërtetë, u arrestuan rreth 400 vetë dhe u torturuan gjatë hetuesisë, si në Shkodër, e në Tiranë. Rin Monajka u godit në kokë, e në vitin ’93, vdiq në spital në qytetin Villach, në Austri; T. Curani, nga torturat, u hodh nga dritarja e katit të dytë duke thyer duar e këmbë; Viktor Martini, në librin e tij, dëshmon torturat që i kanë bërë, kur i kanë çuar në Spitalit Psikiatrik të Elbasanit. Po kështu, Dom Simon Jubani, në librin e tij: “Burgjet e mia”, shkruan mbi arrestimet e torturat e 14 Janarit; P. Veli tregon për injeksionet që i kanë bërë në Spitalin Psikiatrik në Elbasan. Çudia ndodh, vetë Partia e Punës, e hoqi bustin Stalinit në Shkodër, të arrestuarit vazhdonin t’i mbanin në Spitalin Psikiatrik të Elbasanit. Gjithashtu, Partia e Punës hoqi dhe monumentin e fundit në Europë të Stalinit, që ishte në Tiranë ndërkohë, të dënuar të tjerë vazhdonin të ishin në burgje të akuzuar për tentativë në heqjen e bustit të Stalinit dhe janë liruar vetëm më 30 Mars të vitit ‘90, dy ditë para votimeve).
Aredin Shyti, në librin e tij, vazhdon: “…Organet e Punëve të Brendshme, me sa duket, me diktim nga lart, kishin bërë një akt sa të turpshëm aq dhe të dënueshëm. Pasi kishin vrarë dy të rinj duke kapërcyer kufirin, i kishin vendosur të dy kufomat në një makinë të hapur ushtarake dhe i kishin shëtitur nëpër fshatra, për të frikësuar e terrorizuar këdo, që mund të mendonte të largohej në atë rrugë nga vendi…!
…Më 11 shtator 1990, disa persona rrëmbyen anijen e forcave të kufirit aty ku del lumi i Bunës nga Liqeni i Shkodrës dhe kaluan në Jugosllavi. Forcat e kufirit, s’kishin qenë fare në gatishmëri, por disa fshatarë të fshatit Zogaj, kishin qëlluar me pushkë drejt anijes, që lundronte në liqen, dhe, siç u mor vesh më vonë, fatkeqësisht, kishin vrarë një fëmijë 5 vjeç.
…Gjatë kohës që do të vuaja dënimin me heqje lirie në Tiranë, Bënçë e Lezhë, do të më jepej rasti të takoja e të rrija me më shumë se gjysmën e ish-Byrosë Politike të PPSH-së. Fatkeqësisht, shumica prej tyre, nuk rrezatonin as kulturë të gjerë dhe as karakter të fortë.
Me disa përjashtime, ata nuk kalonin nivelin mesatar kulturor të çdo diplomati të lartë dhe kishin deficite të mëdha në karakter. Jam bindur se, një pjesë e tyre nuk kishin kurrfarë ideali dhe se, në hierarkinë e lartë partiake e shtetërore, i kishte çuar vetëm bindja e verbër ndaj çdo gjëje që thoshte dhe bënte “I madhi”. Vetëm po të njiheshe nga afër me ta, atëherë do të kuptoje më qartë se, pse vitet ’90-të e gjetën Shqipërinë të katandisur ashtu ekonomikisht dhe moralisht…?!
…Mungonin të gjitha mjetet për të përballuar një situatë të tillë, por, mbi të gjitha, mungonin njerëzit e aftë për këtë punë. As efektivi i policisë dhe as kuadrot, nuk ishin të përgatitur për këtë lloj veprimtarie. Përse? Se askujt në Shqipëri, s’i kishte shkuar ndër mend se do të ndodhnin ndonjëherë akte të tilla në këtë vend, madje, ato deri atëherë, konsideroheshin nga propaganda zyrtare, si: “fenomene të botës borgjeze dhe të kapitalizmit”. Asnjëherë nuk ishte trajtuar një temë e tillë, me kuadrot e ardhshëm në Akademinë e Rendit dhe askush, s’dinte si veprohet konkretisht…!
(Shënim T.M.: Çapajev Taçi, ka qenë me kartelë shëndetësore, për probleme me shëndetin mendor (A. Shyti, faqe 277).
…Pak kohë më pare, na ishte kaluar në dispozicion një repart ushtarak i Ministrisë së Mbrojtjes, për ta përdorur në këto raste, por ai përbëhej nga kuadro dhe ushtarë krejtësisht të papërgatitur, për këtë fushë të veprimtarisë policore. E vetmja përshtatje që ishte bërë me ta, ishte ndryshimi i uniformës, nga kaki në blu dhe dhënia e nga një shkopi gome në dorë…!
…Në mbrëmjen e 13 dhjetorit, erdhën nga Tirana disa forca speciale me detyrë që, të ndihmonim policinë e Shkodrës, për të arrestuar pjesëmarrësit aktivë në akte terroriste. Mbasi u morën të dhënat nga punonjësit e policisë që, kishin mundur të identifikonin pjesëmarrësit aktivë në akte kriminale, u hartua një listë, me rreth 80 emra dhe mbas orës 24.00, filloi gjetja dhe ndalimi i tyre në Degën e Punëve të Brendshme.
Atë natë dhe dy ditët pasardhëse, u gjetën shumica e të dyshuarve dhe u ndaluan. Por, pas hetimeve intensive, vetëm 30 prej tyre u arrestuan. Të akuzuarve, do t’u bëhej një gjyq i shpejtë, brenda muajit, dhe do të dënoheshin nga gjykata e rrethit, me heqje lirie, me masa që varionin, nga 1 vit, deri 25 vjet. Akuzat ishin për terror, diversion, sjellje e padenjë në shoqëri, grumbullim i paligjshëm etj. Është e çuditshme se, si shteti miop dhe i kalbur i Ramiz Alisë, edhe pasi kishte shpallur pluralizmin politik, i dënonte autorët e shkatërrimeve me nene politike, siç ishte diversioni, kur ata kishin shkelur shumë nene të tjerë… (faqe 46 Gj. Çela)
(Shënim im, T.M.: Më 13 dhjetor 1990, është folur për akte vandaliste, si: thyerja e disa vitrinave të disa dyqaneve në lagjen “Parrucë” në Shkodër. Duhet të kujtojmë se, Forcat Speciale që erdhën nga Tirana dhe tanket që erdhën nga Melgusha, e morën situatën nën kontroll. Thyerja e vitrinave të dyqaneve, është bërë për t’i dhënë protestës nota vandaliste e ordinere, ndërkohë, është folur që ato akte, janë ndërmarrë nga vetë Sigurimi i Shtetit. Të nesërmen, më 14 dhjetor, Arben Imami, përfaqësues i Partisë Demokratike të asaj kohe, doli në deklaratë, se; Partia Demokratike distancohet nga aktet vandaliste, pa bërë hetim, për të zbuluar të vërtetën).
…Pasi e njoftova për situatën, i thashë (Shënim T.M.: Kryetarit të Degës Çapajev Taçi) do të ishte mirë të na dërgonte disa policë me një megafon dhe 10 krehra fishekë automatiku…!
…U kërkova 3-4 policëve, të shkonin tek vend-ndodhja e megafonit dhe municionit, por ata ngrinin supet të hutuar dhe nuk folën…!
…Mendova se do të ishin vrarë policët apo ushtarët. Plaka e asaj shtëpie, më përcolli deri tek porta e oborrit dhe, pasi u përshëndeta me të, më tha: “Kjo është shtëpia e Tahir Kastratit” … (faqe 87m Gjek Çela)
… “Ky krim është i organizuar, është krim shtetëror”, kërkonte llogari dhe bënte presion mbi drejtësinë: “Përse nuk veprohet ndaj organeve të dhunës, që kanë qenë të ngujuar në zyrat e Komitetit të PPSH-së në Shkodër”?!…(faqe 100 Gjek Çela, për Neshat Tozaj)
…Ndoshta kjo ishte arsyeja që, unë e prita me indiferencë këshillën e një shokut dhe kolegut tim, oficerit të policisë R.K., i cili, në datën 18 prill, më tha: “Gjek, unë jam krejt i bindur se ti, je i pafajshëm, por mos i’u zër shumë besë këtyre, sepse, mund të bëjnë edhe veprime të kundërligjshme ndaj teje, pasi kanë si qëllim, të qetësojnë opozitën që s’pranon të shkojë në parlament”… (faqe 101, Gjek Çela).
…Kur e kaluam portën e atij institucioni, takova një hetues tjetër të asaj hetuesie, N.T. Ai ishte nga Puka dhe njihja prej disa vitesh. Më pyeti se, ku po shkoja dhe pastaj më tërhoqi veçmas e më tha: “Mos u zër shumë besë, por gjej një avokat dhe mos prano të pyetesh pa praninë e tij”… (faqe 103 Gj. Çela).
…Ndërkohë, hetuesi Bejko, hapi çantën, me duart që po i dridheshin, nxori prej asaj një dokument që ma zgjati përpara në tryezë. I hodha një vështrim dhe pashë se ishte vendimi i arrestimit tim, i firmosur në fund nga Bejko dhe i miratuar në krye, nga Prokurori i Përgjithshëm i shtetit, Rrapi Mino. Ishte një gjë e papritur dhe tronditëse për mua.
U ngrita menjëherë në këmbë dhe, duke i’u drejtuar hetuesit e prokurorit, iu thashë: “Ju, Rrapi Mino dhe Ramiz Alia, jeni kriminelë që kërkoni të burgosni njerëz të pafajshëm, për të qetësuar situatën politike, por, po ju them se, kështu s’do të arrini asgjë dhe do të dështoni me turp, sepse unë, do të jem në gjendje të vërtetoj pafajësinë time, në çdo kohë”. Hetuesi rrinte ulur dhe nuk fliste fare, ndërsa prokurori, m’u afrua me kujdes, gjoja për të më qetësuar, dhe me duart rreth belit tim, më afroi afër vetes, duke më thënë: “Qetësohu, nuk besoj të qëndrosh shumë, sa të kalojë kjo situatë”!
(Shënim T.M.: Më 26 Prill ’91, u realizua arrestimi i Gjek Çelaj. Më vonë, u arrestua dhe Xhemal Demylja, sekretar i parë i Komitetit të Partisë Shkodër, me cilësinë e Komandantit të Shtabit të Mbrojtjes së rrethit. Kjo akuzë, është absurde pasi, ishim në Pluralizëm dhe këto tituj, kishin rënë automatikisht. Në këtë kohë. në Shkodër me humor u tha: “I gjetën dy malokë nga Veriu, për t’i fajësuar, megjithëse Shkodra është 15 m. mbi nivelin e detit). Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016