Nga Lek Pervizi
Memorie.al / Mbrëmje fund maji, e ëmbël dhe e qetë. Një mbrëmje e ngjashme me të tjerat për banalitetin e saj, ku jeta ndjek kursin e saj të pandryshueshëm dhe asgjë nuk të bënte me mendue në një çrregullim të proçesit jetësor tё asaj dite. Natyra nuk tregonte asnjë shenjë se, mund të parandihej ndonjë ngjarje jashtë rrjedhёs jetёsore, të zakonshme të sektorit ku jetonim. Dukej sikur ajo ndiqte atё ritmin e saj e pashqetësueme, dhe as donte me ia ditë, për njerëzit që mendonin veç s’i me i bë keq njeni tjetrit.
Sania u ngrit si kundër dëshirës së vet. Ajo ndeji pak në heshtje si e ndrojtur. Një nga shoqet e kishte goditë në këmbë, dhe ajo mori kurajo dhe foli.
-Shokë, e kam për detyrë të tregoj të vërtetën, ashtu siç na ka mësuar Partia. Beba, për sa i përket kësaj çështje, nuk ka thënë gjë tjetër, nga ato që foli këtu para nesh. Unë nuk e di kush ka informuar ndryshe. Pasi foli, Sanija u ul në vendin e saj. Salla mbeti pak e qetë. Ç’hynte kjo? Pse na qenka krim, tё thuash se fshatarёt hanё buk misri ?
Filip Boçi u detyrua tё fliste:
-E falënderoj shoqen Sanie, që na tha të vërtetën për këtë punë. Ne do ta kemi parasysh dëshminë e saj. Po le të vazhdojmë. Juliana ka bërë edhe një gabim më të rëndë. Ajo ka lavdëruar të atin, duke treguar fotografinë e tij, e duke thënë se ai jetonte i pasur e i lumtur, në zemër të Nju Jorkut. Kështu ajo, ka lavdëruar sistemin kapitalist e imperialist. Ky është agjitacion e propagandë e hapur, kundër sistemit tonë socialist. A e di ti se duhet të japësh llogari për këto gjëra, para drejtësisë popullore dhe se mund të dënohesh? Ç’ke për të thënë?
Beba nuk e përmbajti dot veten ndaj atyre absurditeteve.
-Unë s’e kam njohur kurrë babën tim, as në një fotografi. Sa qё i kisha zili fёmijёt e tjerё, qё kishin nёna e baballarё. Kam jetue 33 vjet, pa ditë gjësendi për të. Më kanë internue bashkë me nanën, në moshën katër muajshe. Kam qenë vetëm një bebe. Prandaj ma ka mbetur emri Beba. Kohët e fundit, mora një fotografi të tij, dhe nga malli, ua tregova shoqeve, për me iu tregue se edhe unë e kisha një prind, si ato.
Në qoftë se unë jam sjellë ashtu, nuk e kam bë për me denigrue sistemin dhe askёnd. Nuk pranoj kurrë që, të akuzohem për punë të qëllimshme, që kurrë nuk me ka shkue nëpër mend. E pranoj se, ua kam tregue foton shoqёve qё, ta merrnin vesh se edhe unё kam njё babё si ato. Por s’jam lavdërue se babai im, jetonte i pasur e i lumtur midis New Yorkut. Po të kem thanë një gjë të tillë, në këtë sallё janё shoqet e punёs, lё tё flasin.
-Pa shiko sa e zonja na qenka kjo! Shiko shiko, sa bukur flet, e sa mirë mbrohet. Sidoqoftë, ne e njohim qëndrimin e saj armiqësor kundër shoqërisë sonë socialiste. Ne e dimë se ajo flet poshtë e lart e, mbjell propagandë revizioniste e imperialiste, drejtpërsëdrejti dhe tërthorazi.
A ka në sallë ndonjë që mund të vërtetojë thëniet e saj?
Asnjeri nuk lëvizi vendit. Papritur, nga fundi i sallës, një traktorist i njohur si komunist fanatik e injorant, që quhej Ismail, nisi të bërtasë:
-Përse kjo mbledhje e kotë? Kjo Juliana, e fshehur nën emrin Beba, të arrestohet e të nxirret të japë llogari para gjyqit e, të dënohet siç e meriton. Apo s’na qenka edhe mbesё e princeshё e Kral Nikollёs. Tё pёrjashtohet nga sektori e, tё degdiset, ja nё burg, ja nё njё fshat tё humbur malor. Nga ana tjetër, unë u kërkoj autoriteteve që, ta pastrojnë sektorin tonë, nga armiqtë e popullit, që janë të internuar këtu. Shtoj se, ajo është e martuar me një njeri të internuar, tё birin e Gjeneral Prenk Pervizit, këtij armiku të përbetuar të popullit dhe të partisë.
Një tjetër individ, shoku i tij, u çue midis publikut, duke vikatë si i marrë: “Rroftë Partia! Rroftë udhëheqësi ynë i madh e i dashur, shoku Enver Hoxha, që na ndrit rrugën drejt komunizmit!”
E gjithë salla brofi në këmbë, duke duartrokitë e bërtitë: “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”! Kurse ai personi, vazhdonte të ulërinte: “Vdekje armiqve të popullit e të Partisë! Poshtë kapitalizmi dhe imperializmi”! Salla u trondit nga përplasja e këmbëve, në dyshemenë e çimentos, sikur po binte tërmet.
-Ta heqim prej sektorit Julianën me gjithë familje dhe t’i degdisim në një kooperativë të humbur, ku të ngordhin për kotheren e bukës.
Atmosfera qe ndezë ashpërsisht. I kishte ardhë radha shefit të kuadrit, Rexhep Gugës, ta merrte fjalën. Dihej se shefat i kuadrit bashkëpunonin me Sigurimin e Shtetit.
-Popull i sektorit Pluk. Duhet t’ju kujtoj se kjo mbledhje, është organizuar për të shqyrtuar çështjen e Julianës, për ta demaskuar e kritikuar, për ndonjë gabim rastësor. Shkurt, pёr llapёn e saj. Por, pёrsa i përket të shoqit, ne s’kemi gjë në dorë, sepse, ai varet drejt nga Ministria e Brendshme, pra është shteti që merret me të dhe familjen e tij.
Ne do të përqendrohemi vetëm mbi Julianën. Kemi marrë disa informata negative rreth saj. Disa sjellje e shprehje armiqësore, ndaj shoqërisë sonë socialiste. Këto informata nuk janë të bazuara mbi prova faktike. Por, në çdo rast, ne do ta kthejmë në rrugë të drejtë, këtë grua, nënë fëmijësh dhe punëtore të fermës sonë. Pastaj, ju e njihni mirë të gjithë, sepse ajo është banore e Plukut që në moshën e fëmijërisë.
Ajo është rritur, e ka jetuar e punuar prej 33 vjetësh në këtë sektor. Ku ka qenë dhe është një punëtore e dalluar. Prandaj kjo mbledhje, i vlen asaj që të kthehet në rrugë të mbarë e, tё ketё kujdes kur flet. Sepse siç thonё, plaga e fjalёs, s’ka mjekim. Prandaj ta keni tё qartё, pёr tё internuarit, pёrgjigjet shteti. Ne si shoqëri, civile e punёtore, kёrkojmё, nё rastin tonё, qё populli i Plugut, tё mos lejojё qё tё hapёn fjalё tё dëmshme, pёr shtetin e partinë tonё.
Kёtё grua, qё ju e njihni si Beba, dhe qё siç kemi informatat, sillet e shkon shumё mirё me ju, tё ketё kujdes kur flet, me qёllim ose pa qёllim, gjera qё marrin kuptimin e agjitacionit e propagandёs. Pra ne, si parti e pushtet, duam ta sjellim nё rrugё tё mbarё.
Sa mbaroj fjalën shefi, sekretari e mori përsëri drejtimin e mbledhjes.
-Një problem tjetër e përfshin Julianën ose Bebën, siç e thërrisni ju. Ajo i ka shkruar një letër nënës saj në Belgjikë, se vëllezërit tani, s’kishin pse të gjuanin zhabka, për t’i ngrënë, ose për t’i shitur. Edhe kjo është një mënyrë për të denigruar vendin tonë. Cila është arsyeja që të ka shtyrë të shkruash kështu?
Beba mbeti si e mpime. Pra, ata kontrollonin edhe postën e familjes. E tronditur, megjithatë ajo vendosi të përgjigjet.
-Ju mundeni me i dhanë çdo kuptim letrave të mija, për derisa i kontrolloni. Pse kam shkrue ashtu, asht për arsye se kur ishin fëmijë, vëllaznit e mi, shkonin me kapë bretkoca bashkë me shokët e tyre, me të cilët rrinin e luanin. Disa prej tyre, janë këtu në sallë. Asgjë tjetër.
Tashti ata janë rritur e punojnë e nuk kanë nevojë me mbledhë zhabka, lene që në Belgjikë, nuk ka fare të tilla. Ishte ma tepër për me bë shaka, që i kam përmendë, dhe për asnjë arsye tjetër. E pranoj vërejtjen se kam bë një shkelje. Ç’më duhej me tregue tё tilla pralla, por pa asnjë qëllim keqdashës.
-Po, po, kjo di të mbrohet mirë. Por, le ta marri vesh se, në shoqërinë tonë socialiste, duhet t’i masë mirë fjalët. Askush nuk mund të flasësh sipas qejfit. Çdo fjalë mund të dalë e rrezikshme ndaj Shtetit dhe Partisë sonë. Në duam t’i besojmë sinqeritetit tënd, por ki kujdes se, fjalë të tilla mund të të çojnë para gjyqit dhe të dënohesh. Kjo do t’ishte shumë e rëndë për një nënë me fëmijë. Sa ke tre, apo jo?
Salla dëgjonte në heshtje të plotë. Njerӫzit donin tӫ dinin, pse gjithë ky skenar, për një grua të re, të cilën të gjithë ata që mbushnin sallën, e njihnin e çuditeshin pse e kishin kthye këtë sallë kinemaje, në një gjyq të popullit, me vendim të partisë. Ajo konsiderohej si një grua e bukur dhe krenare.
Por edhe nanё e kujdesshme e punёtore e mirё. Megjithëse e internueme, nuk kishte pasë kurrë ndonjë problem, sado të vogël. Ajo ishte martue qysh 17 vjeçe, me një të interrnuem, si Lek Pervizin, mbasi të internuemit, mund të martoheshin veç mes tyre, sepse askush i lirë s’guxonte me u lidhë me ta.
Në sallë, vazhdonte të mbretëronte një pritje e ethshme, se si do të përfundonte ajo histori. Mes publikut, kishte edhe njerëz të porositur nga partia që, ta turbullonin mbledhjen. Njeni prej tyre, që punonte në sektorin e blegtorisë, e që quhej Nazmi, ngriti dorën, për të marrë fjalën.
-Ç’presim këtu? Kemi dy orë që diskutojmë dhe dëgjojmë. Hajde, ja vini prangat kësaj princeshe malazeze e, armike të popullit. Të gjykohet e të dënohet për fajet që ka bërë. Për ato faje meriton burgun. Pushteti ynë popullor, partia dhe qeveria jonë, nuk lejojnë që të mashtrohen nga të tillë armiq, që fshihen nën një paraqitje të bukur e, fjalë të mira.
Shoku Ismail, ka shumë të drejtë: Kjo familje duhet degdisur në një kooperative malore, prej ku mos të dalë më kurrë. Grushti i hekurt i diktaturës së proletariatit, le të bjerë pamëshirë mbi ta. Ne do të ndjekim gjithmonë direktivat e porositë e partisë e, të shokut Enver. Rroftë Partia! Rroftë udhëheqësi ynë shoku Enver Hoxha!
Salla u ngrit përsëri në këmbë edhe një herë krejt e ekzaltueme, me të njëjtat ovacione, Parti – Enver! Parti – Enver! Parti – Enver! Shoqnue me duartrokitjet e zakonshme ritmike.
Beba, e përmblodhi veten të mos qeshte prej asaj farse teatrale e qesharake, që po përjetonte. Asaj i vinin në mendje pjesët tragjiko-komike që, kishte lexue e pa ndër filma, por tash i duhej ta përjetonte një të tillë, në kurriz të saj. Aty e kuptoi se si ai sistem, i kishte marrosë njerëzit deri thellӫ nӫ tru. Askush nuk mund t’i shpëtonte propagandës që partia, ua kishte ngulë në kokё njerëzve, duke i kthye në robotё. Ndërkohë, agronomi, Murat Mullaj, që ishte ma afër saj, i shushuriti:
-Kërko të falur, nëse do të shpëtosh.
-Çfarëëëë? Të kërkoj të falur për gjëra që as i kam bërë as i kam thënë? Jo kurrë, me e ditë edhe se më varin!
Murati kishte tundë kokën se, ia njihte mirë karakterin krenar që, nuk mund të pranonte të përulesh. Murati ishte vetëm agronom, por jo komunist. Filip Boçi, u ngrit përsëri.
-E vlerësoj ndërhyrjen e shokëve Ismail e Nazmi, ashtu edhe entuziazmin e popullit të Plukut, të mbledhur në këtë sallë. Ne e dimë se sa shumë ju e doni Partinë e shokun Enver. Po t’ishte një çështje për faje të rënda, kjo grua e re që ju e njihni mirë, do të kishte dalë para gjyqit, për të dhënë llogari e për t’u dënuar.
Por është vetëm një problem i ngritur nga Partia, sepse ne duam ta edukojmë atë dhe ta nxisim që të heqë dorë nga sjellja saj armiqësore. Pastaj, po qe se kjo Beba, ose Juliana, do të vazhdojë avazin e saj, atëherë diktatura e proletariatit, do ta godasë me grushtin e saj të hekurt, pamëshirë. Ne mendojmë se ajo, e ka kuptuar mësimin.
Ai u ul dhe e mori fjalën sekretari i partisë, i sektorit të Plukut, Fadil Kiptiu.
-Të dashur shokë, dhe popull i Plukut, ju falënderoj për dashurinë e pakufishme tuaj ndaj partisë, qeverisë e shokut Enver, udhëheqësit tonë të ndritur që ju, e keni treguar edhe në këtë mbledhje. Unë uroj që kjo Juliana, që ne e njohim si Beba, të ketë përfituar nga sa u fol e tha këtu. Kjo të shërbejë si shembull dhe si këshillë ndaj gjithë atyre, që nuk na duan dhe që mundohen të na denigrojnë e të na kritikojnë sistemin tonë socialist, më i miri në botë, në sajë të të cilit pushteti është i gjithi në duart e popullit.
Një popull njëkohësisht vigjilent dhe besnik ndaj partisë dhe udhëheqësit të madh tonin, shokut Enver Hoxha. E deklaroj këtë mbledhje të mbyllur, duke shpresuar se ka shërbyer, për të sjellë në rrugë të mbarë një grua, një nënë dhe një punëtore të sektorit tonë.
Sa u përmend emri i udhëheqësit, plasën edhe një herë tjetër thirrjet ulëritëse, për partinë e shokun Enver, ovacione e duartrokitje frenetike. Pastaj njerëzit filluan me dalë nga kinemaja…!
Sekretari i Partisë, Filip Boçi, po mblidhte shkresurinat, duke shkëmbye ndonjë fjalë me shokët e tjerë të podiumit, në pritje që salla të boshatisej. Beba, e shqetësueme se çdo bëhej me të, po priste mos e merrnin dhe e arrestonin. Por, faktikisht, ajo kishte vu re se aty në sallë, nuk ishin të pranishëm, as oficeri operativ i Sigurimit, as i plotfuqishmi, një marshall i policisë, as këmbë polici, dhe kur salla u lirue, e Beba nuk luajti vendit. Sekretari e pa dhe i hodhi një vështrim pyetës.
-Ç’më rri këtu?
-Po ja, mos vijnë të më arrestojnë…!
-Dëgjo ti Beba, – i tha, – ik shpejt në shtëpi, ku të presin fëmijët. Dhe kujdes, mbylle atë të shkretën gojë tash e mbrapa, e kuptove? Hajt, zhduku!
Kёshtu Beba, vrapoi në shtëpi ashtu e tronditur dhe e emocionueme. Krejt e shqetsueme se, do t’i hiqnin prej Plukut. Prandaj duhej me i mbledhë plaçkat. Siç e treguem, kur hyni në kuzhinë, fëmijët i kishin kërcye në qafë ta përqafonin, por kur e panë ashtu me lot ndër sy, shtangën. Unë u mërzita gjithashtu, kur e pashë në at gjendje. Ajo vazhdoi të fliste mekanikisht mes lotëve: -Të mbledhim plaçkat. Kanë për të na degdisë kushedi se ku.
Kur ajo u qetësue pakëz, e morёm vesh prej saj gjithё historinё, qё treguem më sipёr. Sigurisht se u çuditëm kur e morëm vesh, si kishte shkue puna. Ne kishim kujtue se ishte një mbledhje e brigadave, për çështje të organizimit të punës. Askush s’na kishte tregue pse bëhej ajo mbledhje…!
Aq sa paskej qene afishue njё karton te tabela e fletё-rrufeve, ku lajmërohej mbledhja nё sallёn e kinemasё, pёr demaskimin e armikes sё popullit e, agjentёs sё imperializmit, Juiana Malaj, e tjera fjalё. Këtё e morёm vesh ma vonё. E qetsova qё të mos bëhej merak, se nuk na lëvizte kush prej aty, ashtu si kujtonte ajo.
-Ne varemi prej Ministrisë së Brendshme. Vetëm ajo mund të marri masa ndaj nesh! Shefi kuadrit, Rexhep Guga, e paska thanё aty. Ai asht i lidhur me Sigurimin dhe i di punёt.
Këto forma demaskimi para popullit, ishin bë tashmë modë. Para dy muajve, kishin demaskue kunatën e saj, në sektorin e Gradishtës?! Në Savër, kushërirën, Kristina Gjonin, e plot të tjerë? Prandaj, edhe me të ishte përdorë e njëjta metodë, me bë presion mbi ne burrat e tyre, dhe të internuemit e tjerë. Por dhe mbi popullin.
Ishte fjala për me bë shembull. Kjo politikë e frikës, shërbente me tregue forcën e pushtetit popullor. Një formë demonstrative, me tregue se partia nuk hezitonte me marrë edhe masa drastike, ndaj gjithë atyre që konsideroheshin kundërshtarë dhe armiqtë e saj. Të internuarit, hynin n’at kategori. Kjo s’ishte asgjë ndaj masave ma tё rënda, siç ishin arrestimet e dёnimet me nga 10 burg tё disa tё internuarve, kryesisht burra.
Kjo fushatё zgjati deri nё vdekjёn e diktatorit. Sigurimi Shtetit nga ana e tij, nëpërmjet të tilla mbledhjesh e inskenimesh, tregonte, se atij nuk i ikte as i shpëtonte gjë. Ai ishte kurdoherë vigjilent, me zbulue çdo lloj komploti kundër regjimit. Deri dhe thashethemet e fjalёt kote. Qё nё disa raste, ishin bë plotë e i kishin çue njerёzit nё burg. Jo mё kot ishte hap thanja e Siguimsave, se: ne e dimё se ç’ka nёn kapakun e vorbёs tё çdo familje.
Biseduem se si duhej me u sjellë të nesërmen. Beba, e cila mori kurajo, tregoi gjithë krenarinë e saj, ndaj fyemjes që i kishin kurdisë n’at mbledhje, e që tash, po i dukej krejt qesharake, taman si një farsë teatrale. Ma e bukura ishte se, nga gjithё ajo shfaqje tragjiko-komike, e kishte fitue titullin princeshё e mbesё e Kral Nikollёs, qё ia kishin pёrmendun nё mbledhjen. Jo çdo e keqe vjen pёr keq!
Të nesërmen, ajo vendosi me dalë në punë si gjithë ditët e tjera me shoqet e saj. E sigurt në vetvete, ajo u paraqit në brigadë, u takue me shoqet dhe brigadierin, si të mos kishte ndodhë asgjë. Të befasuem, po edhe admirues ndaj guximit të saj, shoqёt e punёs e banorët e Plukut, u treguan zemërmirё, sepse ajo mbledhja, kishte qenë veç një komedi, e luajtur në kurriz të një gruaje të pafajshme.
Në ditët mbas, punë të tjera ndodhën. Duke u përshëndet me gruan e fëmijët, unë i porosita të mos hapnin gojë për asgjë, në shkollë me shokët e tyre. Shkova në punë si përditë, në barakën aty pranë, ku punoja si disenjator i fermës. Në ora tetë, isha aty. Mbas një gjysmë ore, veç kur vijnë gjithë paria e Plukut: përgjegjësi i sektorit, sekretari i partisë, kryetari i Frontit, agronomi, dhe posaçërisht, Operativi i zonës, kapiten i Degës Brendshme të Lushnjës.
Unë mendova mos kishin ardhë vallë se, mund të protestoja për çka i kishte ndodhë gruas sime, e të më shihnin mos isha i mërzitun. U qëndrova stoik e, nuk u dhashë shkas me fol për atё ngjarje. Nuk u thashë asnjë fjalë, duke i detyrue edhe ata, të mos e hapnin gojë. Nuk më provokuan. Folën për disa punë që unë duhet t’i bëja, si; përfundimin e kabinetit agroteknik, për të cilin ata ishin zotue ta ngrinin. Kjo, për të justifikue ardhjen e tyre. Ata u larguan ashtu siç kishin ardhё, pa nxjerrë gjë prej meje.
Kjo histori u përhap në krejt kampet e tjerë të internimit dhe banorët e qytetit të Lushnjës. Të gjithë e dinin se familja jonë, i përkiste atyre ma të rëndësishme të veriut, e njoftun për krenari e qëndrim të pamposhtur. Ngjarja cilësohej si një farsë tragjiko-komike që, u luajt mbi kurrizin e Bebës dhe për një periudhë kjo ngjarje, u bë objekt bisedash për me kalue kohën. Kjo ishte e gjitha. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016