Nga Hyqmet Zane
-Dëshmia e rrallë e Shkëlqim Shaban Ademit: “Asgjë nuk kërkojmë, vetëm duam një varr për babain tim të vrarë nga Sigurimi i Shtetit”!-
Memorie.al / Shkëlqim Ademi, djali i Shabanit që u vra nga Sigurimi i Shtetit në hetuesinë e të ashtuquajturit “Grupi armiqësor i Teme Sejkos”, ndjehet i pa qetësuar për çka drejtësia shqiptare, nuk ka rikthyer në vend atë masakër që iu bë djemve të Çamërisë që, erdhën në Shqipëri që para Luftës II-të Botërore dhe u shkolluan këtu, luftuan për atdheun si antifashistë këtu dhe një ditë të bukur, u cilësuan “armiq të popullit”, se kështu i tha mendja e mbrapsht një njeriu si Enver Hoxha, që mori damkën zezë të diktatorit gjakatar.
Edhe pse kanë kaluar gati 65 vjet nga fillimi i një tragjedie tjetër për popullsinë çame, pas gjenocidit të Napoleon Zervës më 1944 në Çamëri, këtij komuniteti iu desh të përjetonte një tragjedi edhe në Shqipëri. Sikur të mos mjaftonte ai gjenocid antishqiptar i grekëve, ky i ndodhur në Shqipëri, ishte më tragjiku, sepse bëhej nga vetë qeveritarët e shtetit të diktaturës komuniste, me pjesëtarë shqiptarë.
Ja si tregon për këtë të ashtuquajtur “grup armiqësor”, djali i Shaban Ademit, një burri trim që, nuk do të jetonte gjatë pas arrestimit të sajuar. “Babanë tim, Shaban Ademin, në moshën 38 vjeçare, e arrestuan së bashku me mbi rreth 200 shqiptarë çamë të tjerë, si pjesëtar i ‘Grupit komplotist’ të Teme Sejkos.
Babai im, kishte luftuar që në moshë të re me armë në dorë në çetën ‘Çamëria’ kundër pushtuesve italo-gjermanë, për çlirimin e vendit dhe si shpërblim, e fusin në burg dhe e pushkatojnë. Por sistemi nuk kurseu as edhe xhaxhanë e tij 65 vjeçar, bariun me dele, Adem Osmanin”.
Me banim në SHBA-ës, ku ka gjetur pak qetësi në këtë moshë jo të vogël me familjen e tij, Shkëlqimi shprehet: “Unë, djali i tij, e kujtoj me pikëllim të thellë atë ditë të enjte të zezë të 28 korrikut 1960. Nuk kisha mbushur as 9 vjeç, kur vajta në shtëpi dhe pashë një grup të madh policësh me dhe pa uniformë, që u turrën si bisha të tërbuar në shtëpinë tonë, duke thyer dyert e dritaret e dhomave, me një egërsi të paparë dhe duke shtyrë me forcë gjyshin tim të moshuar, Refatin.
Ata bastisën të gjitha dhomat për të gjetur, sipas tyre, materiale komprometuese dhe morën çdo gjë. Babanë tim, e futën me forcë në “Xhip”-in (makinën) e Punëve të Brendshme, por ai kundërshtoi, duke i thënë kryetarit të Degës, Shim Kollit, ‘Hyj vet në ‘Xhip’-s mor qen, se nuk kam bërë gjë’.
Këto janë fjalët e një qytetari çam që rastësisht ndodhej atje pranë. Babanë tim e futin në qeli dhe e mbajtën një vit duke i bërë torturat më çnjerëzore mbi trupin e tij dhe ku i’u përfshinë provokatorë të çdo lloji. Sipas avokatit të tij mbrojtës, nga goja e tij dilnin vetëm këto fjalë, duke i thënë hetuesve: ‘Nuk kam bërë asgjë të keqe ndaj popullit dhe atdheut’. Kjo ishte e vërteta pasi ai luftoi që në moshë të vogël si partizan, dhe më vonë shërbeu si nëpunës publik i palodhshëm, në Qarkun e Elbasanit”.
Është i njohur fakti që pas një viti torturash, kriminelët e dënojnë Shaban Ademin në një gjykatë ushtarake me dyer të mbyllura, se ata e dinin se ai do t’i diskreditonte vampirët e ideologjisë sllavo-komuniste, për planin ogurzi që kishin organizuar. Ndryshe nga disa të arrestuar të tjerë që pranuan akuzat e rreme dhe u gjykuan publikisht, Shabani mohoi secilën akuzë.
Me një jetesë prej shumë vjetësh në Çikago të SHBA-së, Shkëlqim Ademi, ishte njeri nga pesë fëmijët e Shaban Ademit, i cili kujton: “Në muajin maj të vitit 1992, takoj në Tiranë Ihsan Budon, një burrë trim, inteligjent e kurajoz. Ai ishte një nga krerët kryesorë të Luftës Antifashiste, gjatë kapitullimit të Italisë fashiste, në qytetin e Sarandës, me të cilin ishim bashkëvuajtës në internim në Kurbnesh të Mirditës.
Ai më tha se; Mexhit Kokalari, kishte bërë mbrojtjen e babait në gjyqin e tij në korrik të vitit 1961. Të nesërmen shkova tek shtëpia e tij; avokati më hapi derën dhe pasi i thashë se kush isha, ai më shëmbëlleu me babanë dhe filloi të lotojë. Menjëherë i foli gruas së tij, duke i thënë: ‘Shiko se kush ka ardhur, djali i Shaban Ademit, për të cilin të kam folur për guximin që tregoi kur unë isha avokat mbrojtës i tij, në verën e vitit 1961’.
Ne të dy hymë tek dhoma e tij dhe ai filloi të më rrëfejë me mallëngjim historinë e babait. – ‘Babai juaj ishte një burrë i gjatë, syshqiponjë, etj’. Mexhit Kokalari kishte një kujtesë të jashtëzakonshme dhe fliste sikur e kishte pasur para sysh babain. – ‘Babai juaj, megjithëse ish i lidhur me duart mbrapa dhe ish i shoqëruar nga 5-6 policë, tregoi një guxim legjendar që unë si avokat mbrojtës, për shumë vite në seancat gjyqësore s’kisha parë.
Përpara se kryetari i gjyqit ushtarak, Mit’hat Goskova, deklaroi akt-akuzën, Shabani tregoi fabulën e La Fontenit, ‘Qengji dhe Ujku’, me një qetësi të madhe. Unë si avokat i tij, mbeta i habitur nga gjakftohtësia e tij dhe recitimi i përpiktë i fabulës. Gjatë gjithë procesit gjyqësor, i pandehuri Shaban Ademi, duke kundërshtuar, nuk pranoi asnjë akuzë.
Por edhe pasi gjyqtari deklaroi dënimin me vdekje, ai më pyet: “Avokat, ku e lamë bisedën?- dhe vazhdoi të tregojë bisedën e lënë përgjysëm. Mexhiti vazhdoi të flasë më tej, duke më thënë që akoma nuk i kish dalë nga mendja, edhe pas 31 vjetësh, guximi dhe gjakftohtësia e tij që, nuk kish parë ndonjëherë në karrierën e tij. Ndërkohë avokati me sy të përlotur, mbaroi bisedën mbi gjyqin monstruoz të babait tim. Akuzat e rreme ishin se; në bashkëpunim me zbulimin grek dhe me Flotën e VI-të amerikane, çamët donin të shkatërronin atdheun etj., si dhe trillime e sajesa nga Sigurimi i Shtetit, pjesë një pushteti anti-shqiptar afro 50 vjeçar”!
Duhet pranuar se kalvari i vuajtjeve të familjes Ademi, si dhe të familjeve të tjera, nuk mbaron me pushkatimin e Shaban Ademit e të tjerëve, si Taho Sejko që e zhdukën që në hetuesi se, nuk pranuan këta të dy që të bëheshin bashkëpunëtorë në skenarin e Sigurimit të Shtetit, nuk mbaroi as me pushkatimin e Teme Sejkos dhe Tahir Demit, si dhe 11 të akuzuarve të atij grupi apo, me burgosjen e dhjetëra të tjerëve, por vazhdon me mos denoncimin e autorëve të skenarit, si dhe me vuajtjet e familjeve çame, kudo ku jetonin.
Vuajtjet dhe persekutimet e komunitetit çam, morën një trajtë të re tipike, sipas skenarit grek të ofruar nga grekofilët brenda Byrosë Politike të kohës që, Enver Hoxha i dëgjonte me shumë vëmendje dhe i zbatonte me shumë përpikëri. Nëse Shaban Ademi ishte njeriu i guximshëm e i papërkulshëm, që ishte aq i ri në atë kohë, nuk mund të harrohet ai gjesti prej trimi besnik, që ai kreu në kohën kur i vendosin prangat Tahir Demit, kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Elbasanit në atë kohë prej 8 vitesh dhe ai nxori revolverin të qëllonte, Shim Kollën, kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme, por që u kap shpejt nga shoqëruesit e kryetarit.
Lidhur me këtë ngjarje, Shkëlqimi më tej kujton: “Menjëherë pas pushkatimit të babait, më 21 tetor 1961, shteti na hoqi nga shtëpia ekzistuese dhe na ‘çojnë për klimë’ në Kurbnesh të Mirditës, në temperaturën minus 20 gradë Celsius, në një barake me dërrasa e llamarina, ku flinim 8 vetë. 5 fëmijë (tri motra e dy vëllezër), nëna, gjyshi Refat, dhe gjyshja Fatime.
Nga kjo kasolle, hiqnim çdo mëngjes nga një govatë me borë, ku edhe Migjeni do mbetej i habitur. Në një ditë acari të dhjetorit të atij viti, vjen Kryetari i Degës së Brendshme të Rrëshenit, lart në Minierë (siç quhej vendi) dhe në sytë tanë, me egërsi e kërcënon gjyshin tim plak, Refatin zemërplagosur, duke i thënë: “Ti je babai i tradhtarit”?!
Nuk kaloi shumë kohë, gjyshi i nderuar, Refati, vdiq nga hidhërimi i humbjes së djalit të tij të vetëm. E varrosëm në fshatin Zajs, të Kurbneshit, ku dhe varri i tij ende nuk është gjetur. Vuanim nga uria. Një racion të vogël djathi të bardhë, e ndanim në 9 vetë, pasi mbaheshim vetëm me rrogën e vëllait tim të madh, 14 vjeçar, që punonte në minierën e bakrit”.
Ndoshta ka edhe më shumë se kaq, por shkatërrimi që u bëri familjeve çame diktatori Enver Hoxha, gjatë gjithë periudhës së sundimit të tij prej afro gjysëm shekulli, është më e madhja dhe më e papërgjegjshmja që meriton kujtim dhe ndëshkim. Pas disa vitesh internimi në skëterrën e Mirditës, familja Ademi, vjen përsëri në Elbasan në 1 dhomë (2 m. me 2 m.). Edhe këtu u vdiq gjyshja nga hidhërimi i humbjes së djalit të saj.
Këtë fat, pati si shumë çamër të tjerë, edhe familja e Shaban Ademit, në burgje dhe internime, diskriminime të llojit “çam i pabesë” e, të tjera si këto, për 30 vjet me radhë. Të gjitha këto vuajtje i kaluam. Por edhe pas rënies së diktaturës së vjetër, frenat e pushtetit në Shqipëri i morën bijtë e ish-anëtarëve komunistë të Byrosë Politike, Gramoz Ruçi, Skënder Gjinush dhe pinjollë të tjerë etj.
Me gjithë hidhërimin që ndjen për shumë humbje jetë njerëzish në atë periudhë, Shkëlqimi shpjegon: “Edhe pas 55 vjetësh, e përfytyroj dhe e kujtoj gjithmonë dhe jam krenar për sakrificën sublime që babi ynë, bëri për të mirën e Shqipërisë.
Ai ishte një prind shembullor, një burrë që donte dhe respektonte prindërit e tij të moshuar, një qytetar i ndershëm, një nëpunës që nuk la njeri pa ndihmuar, një njeri i rrallë altruist, si dhe shumë tipare të tjera pozitive që kishte, për të cilat duheshin njerëz të tjerë të flisnin për të, dhe jo unë, larg modestisë time.
Ne fëmijët e këtij prindi pa fat, kemi kërkuar dhe kërkojmë vazhdimisht eshtrat e babait, deri në organet më të larta, por më kot. Dosjet ende janë të mbyllura. Na thonë, do t’i gjejmë, do t’jua japim e të tjera gjepura si këto”.
Sot, vetëm grupit “komplotist çam” nuk i është bërë rehabilitimi e shfajësimi i plotë nga organet gjyqësore dhe ekzekutive. “Ne, – shprehet Shkëlqimi, – nuk po kërkojmë favore, dekorata e pasuri, por eshtrat e babait tonë të nderuar, pasi e kemi dashur dhe neve na mungon edhe pas kaq vitesh. Por jemi të pafuqishëm për ta mbrojtur. Deri kur do të vazhdojë kjo lojë me popullatën tonë, me krahinën tonë Çamërinë”?! – është pyetja që bën djali i mbetur i Shaban Ademit.
“Ne, – shton ai, – i kemi trojet tona të mira ende të pushtuara, ne i shohim nëpërmjet dokumentarëve televizivë por, nuk i shkelim dot, nuk i prekim dot të ndjejmë erën e luleve të qershive…! Ku duhet ta kërkojmë drejtësinë tonë”?! – është pyetja pa përgjigje që bën Shkëlqim Ademi, djali i të ndjerit Shaban Ademi, që vetë ka vuajtur sa nuk mund të rrëfehet, edhe sot larg Shqipërisë dhe me ëndrra të mbetura jetim. Memorie.al