Pjesa e dytë
Memorie.al. / Liri Belishova, ish-funksionarja e lartë e Rinisë dhe Partisë Komuniste Shqiptare, që nga mbarimi i Luftës, anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, deri në vitin 1961, e cila më pas u godit dhe u dënua nga Enver Hoxha, duke përfunduar familjarisht internimeve për tre dekada me radhë, në një intervistë të saj para se të ndahej nga jeta, do të rrëfente shumë episode që lidhen me jetën e saj, por edhe të gjitha privacionet që e ndoqën atë familjarisht, deri në shembjen e regjimit komunist, në fundin e vitin 1990. Në këtë intervistë të gjatë, ajo tregon edhe shumë episode të tjera që lidhen me vdekjen e ish-të fejuarit të saj, Nako Spiru, por edhe shumëvrasje, burgosje, internime, e tëtjera persekucione, që Enver Hoxha dhe Partia Komuniste Shqiptare, ndërmorën ndaj shokëve dhe bashkëluftëtarëve të tyre, njerëz dhe personalitete me shumë kontribut gjatë Luftës dhe pas saj.
Znj. Belishova, si kanë qenë raportet midis Enver Hoxhës dhe Nako Spiros gjatë Luftës?
Nuk mund t’ju them asgjë për këtë, sepse atëherë ishte kohë lufte. Këto gjëra nuk fliteshin dhe unë nuk kam qenë një nga udhëheqëset kryesore në Komitetin Qendror. Ju thashë, kam qenë një nga udhëheqëset e rinisë në Tiranë.
A është e vërtetë që Nako Spiro, në bashkëpunim me jugosllavët, ka dashur ta shmangë Enver Hoxhën në plenumin e Beratit nga drejtimi Partisë Komuniste?
Unë nuk kam qenë në Plenumin e dytë të Beratit dhe bile, nga Nakua, kam marrë vesh shumë pak gjëra. Ai që më ka folur më shumë, ka qenë Kiço Ngjela, po edhe ai shumë pak. Më shumë për plenumin e dytë, jam informuar tani duke lexuar proces-verbalet të mbajtura atëherë, jo me stenogramë as të regjistruara, por sidoqoftë, mendoj të mbajtura pak a shumë mirë. Nga ky plenum, del që Nakua, ka qenë shumë kritik ndaj mënyrës se si ka udhëhequr Enver Hoxha dhe Miladin Popoviçi.
Kritikat e tij janë shumë të ashpra plenumin e dytë, por është edhe një dokument që e ka botuar jugosllavi Vladimir Dedier që, është një monografi e shkurtër e Enver Hoxhës. Nuk mendoj që kjo është biografi e shkruar nga Nako Spiro për Titon, siç është thënë sepse, një njeri intelektual si Nako Spiro, nuk mund t’i drejtohej një partie tjetër, në një fletë blloku, pa titull, pa firmë dhe duke bërë zhargavina! Mendoj që mos është fletë nga ditari i tij sepse, ai mbante një ditar dhe e mbante në italisht, bile edhe pas çlirimit, vazhdoi të shkruajë diçka.
Po ku përfundoi ky ditar?
Sot e kësaj dite, nuk jam në gjendje ta di, sepse kur ndodhi gjëma, në 20 nëntor 1947, gjitha zyra e Nako Spiros dhe zyra ime që ishte ngjitur me të, në shtëpinë tonë, gjithë dokumentet i bllokuan dhe u morën… dhe unë nuk i pashë më me sy.
Meqenëse jemi këtu, ju keni qenë dëshmitare. Cila është data reale e çlirimit të Shqipërisë, 28 apo 29 nëntori?
Ne shqiptarët, jemi të vetmit për të krijuar telashe dhe probleme të kota, kur kemi kaq shumë halle. Për mua, është 28 nëntori dhe pse e them këtë: Më 28 nëntor, ka hyrë qeveria në Tiranë dhe shumë mirë mund të ishte shpallur kjo si ditë e çlirimit të Shqipërisë. Mirëpo u shpall si ditë e çlirimit, dita e çlirimit të Shkodrës.
Atëherë, kur është çliruar Shkodra?
Të gjithë thonë që Shkodra është çliruar natën, ose më mirë gjermanët kanë ikur natën. Pra, në qoftë se flasim se është çliruar më 29, atëherë Shkodra është çliruar natën e 29 nëntorit. Ka qenë nata 28 për 29 nëntor. Kishte kaluar ora 12 apo s’kishte kaluar, kush e pa të shkretën. Fakti është që ne, bënim një miting të rinisë në sheshin para Universitetit të sotëm dhe atje na ka ardhur lajmi.
Ka qenë paraditja e 29 nëntorit, që Shkodra u çlirua. Nako Spiru, bile i revoltuar, sepse ai ishte një tip shumë emocional, më ka thënë që; i thamë Enverit, dhe nuk e di kush ishte tjetër, që si ditë të çlirimit, të lëmë 28 nëntorin, se ky muhabet, se kush duhet të ishte “Dita e Çlirimit”, është diskutuar pas çlirimit në Parlament. Por, është diskutuar edhe jashtë Parlamentit dhe pse 28 nëntori është folur tani. Sepse, është një koincidencë shumë fatlume për një komb.
28 nëntori kur u ngrit flamuri i Skënderbeut në Krujë dhe filloi epopeja e madhe 25 vjeçare; 28 nëntori, kur u ngrit flamuri nga Ismail Qemali dhe patriotët e tjerë, si rezultat i asaj lufte titanike shumë vjeçare në Vlorë; 28 nëntori, kur hyri dhe qeveria partizane në Tiranë. Kuptohet se do të ishte shumë e mirë kjo.
Mirëpo, Enveri si i tha? “Jo, jo, se 28 nëntori, do t’ja mbulojë ditën e çlirimit nga partia, ai do të mbulojë rolin e partisë”. Dhe ju e dini që, historiografia shqiptare, e komanduar nga Partia Komuniste, Luftën Nacionalçlirimtare, Partinë, por efektivisht më shumë Enver Hoxhën, e ngritën si personalitetin më të madh të gjithë Historisë së Shqipërisë.
T’ju bëjmë edhe një pyetje, që lidhet me një moment të dhimbshëm të jetës suaj. Nako Spiron, e vranë apo ka vrarë veten?
Kam menduar dhe mendoj që ka vrarë veten. Por, dua t’ju them që ka të drejtë poeti Jevtushenko, kur thotë: “Në këtë botë nuk ka vetëvrasje, ka vetëm vrasje”. Dhe pavarësisht kush e ka hequr këmbëzën, që në fund e fundit është shumë shumë e vështirë pas kaq vjetësh, janë afro 65 vjetësh ta vërtetosh.
Nako Spiru, ishte viktimë e shovinistëve jugosllavë, me në krye Titon dhe bashkëpunëtorët e tyre, Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes, që e vunë në ato pozita, duke akuzuar agjent të imperializmit, armik të miqësisë me Jugosllavinë. Me të drejtë, atëherë, ai më ka thënë: “Nuk kërkojnë autokritikë, kërkojnë kokën time; nuk flitet për gabime, por flitet për armik”.
Ju prej sa kohësh ishit martuar me Nako Spiron?
Unë jam martuar me Nakon, në janar të 1946, kështu që nuk mbushëm bashkë as dy vjet.
Si e mbani mend ditën e tij të fundit kur ai vrau veten?
Dita e fundit, ka qenë më e vështira nga të gjitha. Ai shkoi në Ambasadën Sovjetike dhe ato ditë që ka kërkuar të shtyhet mbledhja që të përgatitej, patjetër që kanë pasur dhe qëllim që të përgatitej se, nuk ishte aq kollaj, kanë pasur edhe qëllimin që t’i informonte Ambasadën Sovjetike, duke shpresuar që, ndërhyrja e udhëheqjes sovjetike, do të mund ta shpëtonte nga ky kurth. I dërguari me punë i Ambasadës Sovjetike, që quhej Gagarinov, nuk e pranoi në takim.
E kishte pranuar ditët e tjera, por atë ditë jo. Tani unë e kam të qartë pse nuk e ka pranuar, sepse në mëngjesin e asaj dite, në bazë të dokumenteve që kanë botuar tani arkivat sovjetike, Enver Hoxha, e ka thirrur Gagarinovin, dhe i ka thënë që; ne konstatojmë që janë bërë gabime shumë të rënda në politikën e miqësisë ndaj Jugosllavisë dhe për këtë, është përgjegjës Nako Spiro.
Jemi duke analizuar në Byro dhe ai, po mban një qëndrim të padrejtë, nuk po jep llogari, po kërkon shtyrje, por ne do të marrim masa shumë serioze, për t’i ndrequr këto gabime dhe për të forcuar miqësinë me Jugosllavinë. Atëherë, del këtu çështja:
Që ky ka qenë pozicioni i Enver Hoxhës, pozicion pro akuzës që bënte Titua dhe shovinistët jugosllavë, atë akuzë që e mbështeti Koçi Xoxe. Kurse, në qoftë se Enver Hoxha do të ishte në pozita të drejta, atëherë ai, duhet t’i kërkonte ndihmë të ngarkuarit sovjetik me punë, duke thënë që; jugosllavët po na bëjnë akuza të padrejta.
Një qëndrim të tillë, Enver Hoxha e mbajti në të vërtetë, në fillim të korrikut të 1947, kur ishin akuzat e para të jugosllavëve dhe atëherë e ngarkoi Nako Spiron, të grumbullonte materiale dhe i ktheu përgjigje jugosllavëve, duke i thënë: “Ju s’keni të drejtë”.
Kur e morët vesh lajmit e vetëvrasjes dhe si?
Ah! Unë lajmin e vrasjes së Nako Spiros, e kam marrë në shtëpinë e Mehmet Shehut, sepse Nakua, para se të shkonte në Komisionin e Planit, ishte shumë i dëshpëruar dhe më tha: “Nuk më mbetet asnjë rrugë shpëtimi. Ma mbylli derën Ambasada Sovjetike, ma mbylli derën dhe Enver Hoxha”, sepse kishte vajtur dhe tek Enver Hoxha, duke dashur që të bisedojë me të, por ai i kishte thënë: “Atje, në Byro të japësh llogari” dhe kjo e kishte dëshpëruar shumë.
Edhe Enver Hoxha ishte bashkuar më jugosllavët dhe me Koçi Xoxen. Nisur nga ky fakt, Nako më tha: “Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse t’ja mbaj vetes”. Unë qava dhe atëherë ai erdhi dhe më tha: “Si e besove, ishte një shprehje”. Dhe në të vërtetë, shqiptarët e thonë që jam bërë për të vrarë veten.
Mirëpo, pasi iku Nakua dhe duke menduar gjithë ato që më kishte thënë asaj pasdite, unë fillova të shqetësohem dhe vendosa që të shkoj tek Fiqreti, se ajo ishte anëtare e Komisionit të Planit, që ishte në shtëpi apo jo.
Që nëse Fiqireti do të ishte në shtëpi, të kërkoja ndihmën e saj, duke i thënë për këtë tragjedi të Nakos. Fiqretin në të vërtetë e gjeta dhe kjo më alarmoi më shumë. Dhe, kur Fiqreti iku në Komision të Planit për të kërkuar Nakon, unë qëndrova në shtëpinë e Mehmetit dhe Fiqreti lajmëroi që Nakua ka vrarë veten dhe e kanë çuar në spital. Unë u nisa nga shtëpia e Mehmetit, direkt për në spital.
Dhe…e gjetët ende gjallë?
Po, ai ishte gjallë, por mua nuk më lanë ta shoh. Kam qëndruar deri në orën 10 e 5, kur ai dha frymë.
Pse nuk ju lejuan ta shihnit?!
Kjo është pikëpyetje e madhe. Përse nuk më lejuan kur ai ishte gjallë. Mehmet Shehun në të vërtetë, e lejuan, Mehmeti ishte brenda, por mua nuk më lanë. Para sesa të më thoshin se ka vdekur, unë dëgjova klithmën e tij që bërtiti “Ooohh”, sa kishte në kokë.
U turra tek dera, mirëpo dera nuk më hapej. Pas disa sekondash, doli Mehmeti dhe më tha: “Është e kotë Liri, vdiq, prit sa ta rregullojnë”. Dhe, pas disa çastesh, më futën brenda. Ai tashmë kishte vdekur.
Si vijoi jeta juaj, pas vetëvrasjes së Nako Spiros?
Shumë pak kohë pas vrasjes së Nakos, unë u përjashtova nga të gjitha përgjegjësitë që kisha. Edhe si kandidate e Komitetit Qendror edhe si presidente e Rinisë dhe nga partia. Për të m’i komunikuar këto më thirrën në aparatin e Komitetit Qendror …. Një person që ishte patjetër i ngarkuar për këtë gjë, më tha vetëm kaq, dorëzo teserën e partisë se je e përjashtuar nga të gjitha funksionet dhe nga Partia. Përse u thashë, unë. “Edhe pyet”, më tha, “nuk e di”?!
As më thirrën në mbledhje, as më pyeti njeri, as më dëgjuan dhe prandaj është shumë e dhimbshme kur, shumë vjet pas këtij plenumi të tetë të famshëm, “Gazeta Shqiptare”, botoi çfarë është thënë atëherë në diskutime, kundra meje dhe të njoh gjëra të përbindshme, pa asnjë bazë dhe pa asnjë shpjegim.
Këtë e botoi “Gazeta Shqiptare”. Të paktën të thoshte, që këto gjëra janë thënë në një moment, kur është zhvilluar Plenumi i tetë, që dhe vetë Enver Hoxha, e quante njolla më e zezë në historinë e Partisë tonë dhe pa qenë prezent këta njerëz, që të paktën të mbroheshin.
Si shpjegohet që disa here, pas vdekjes, Nako Spiro, u dënua dhe u rehabilitua si figurë?
Nuk janë kështu siç thoni ju, në mënyrë kaotike. Kanë arsyen e tyre. Nako Spiro, në Plenumin e Tetë, u quajt armik dhe u dënua. Mirëpo shumë shpejt, erdhën letrat e Stalinit që i drejtoheshin Titos. Megjithatë, Enveri e kishte shumë të vështirë, për shkak të komprometimit të tij, por dhe për shkak të prezencës së jugosllavëve, por jo vetëm të jugosllavëve, po edhe të njerëzve e bashkëpunëtorëve të tij, Koci Xoxes etj.
Kështu që nga këto letra, kaluan disa muaj, bile u bë edhe mbledhja e Byrosë Politike që e dënoi haptas, publikisht atë. Dhe vetëm në shtator të vitit 1948, u bë Plenumi i 11-të, që e rehabilitoi Nako Spiron.
Dhe prapë u dënua…?!
Dhe Kongresi i Parë, ishte ai që e shpalli më pas hero, Nako Spiron dhe me insistimin e Mehmet Shehut, është thënë që Byroja politike e asaj kohe, ka përgjegjësi për likuidimin tragjik të Nako Spiros. Dhe nuk i erdhi hiç mirë Enver Hoxhës, sepse dilte përgjegjësia e tij, që është e pamohueshme.
Po më pas, pse u godit dhe u rehabilitua, disa herë?
Pas Kongresit të Parë, Enver Hoxha, e la në heshtje Nako Spiron, as e shante as e mburrte. Ishte një periudhë heshtjeje. Dhe kështu vazhdoi, pak a shumë deri tek libri ‘Titistët’, domethënë, deri sa ai likuidoi edhe Mehmet Shehun. Mendoj se, deri sa ishte gjallë Mehmet Shehu, ai nuk e kishte të lehtë që ta ri dënonte Nako Spiron dhe me ‘Titistët’ është ri dënimi i Nako Spiros.
Në vitin 1945, menjëherë pas fitores dhe ardhjes në pushtet të komunistëve, disa nga figurat nacionaliste, që kishin një kontribut në historinë e Shqipërisë, por në disa drejtime kishin punuar direkt apo indirekt me okupatoret, u dënuan dhe një pjesë e pushkatuan. Kemi parasysh, Bahri Omarin, Kol Tromarën etj. Si e gjykoni dënimin e tyre, tashmë pas pothuajse 60 vjetësh?
Duhet të kemi këtë gjë parasysh, që ne komunistët idealistë, kemi dashur me gjithë zemër një Shqipëri demokratike, të qytetëruar etj., por kemi qenë shumë të indoktrinuar. U fut në mes urrejtja, për ata që ishin bashkëpunëtorë të fashizmit, pasi në të vërtetë, nuk ishin. U fut urrejtja klasore.
Tani, unë edhe duke e gjykuar, që klasa drejtuese e Shqipërisë, para komunistëve, pra ata që ishin në të vërtetë klasa pasunore, që kishin pasuritë në duar; ata që kishin kulturën, që ishin më të arsimuarit; ata që ishin dhe klasa politike, sepse ata në një mënyrë ose në një tjetër, kishin marrë pjesë në betejat për pavarësinë e Shqipërisë në luftën e Vlorës, në Kongresin e Lushnjës, me Fan Nolin ose, në krijimin e shtetit shqiptar; nuk u treguan të aftë në kushtet që u krijuan pas agresionit fashist.
Dhe një pjesë e tyre, e bëri gabimin e madh, që bashkëpunoi me Italinë fashiste. Unë e kuptoj që këta njerëz kanë qenë të dëshpëruar sepse, edhe ajo pjesa antizogiste, që ishte pjesa më intelektuale, më demokrate, nuk pati përkrahjen e Francës ose, të Anglisë, para Luftës së Dytë Botërore, se Shqipëria u sulmua më 1939-ën.
Kështu, që këta thanë, dhe ishte një fatalitet mendoj unë, që neve, s’kemi ç’bëjmë, ne do të na okupojë Italia fashiste dhe pranuan bashkëpunimin me të.
Por, ishte një gabim shumë fatal. Tani, Enver Hoxha nuk ka goditur më ashpër ata që meritonin të goditeshin si, kriminelë të luftës, ata që meritonin të goditeshin pa qenë kriminelë, por si bashkëpunëtorë. Ai ka pasur më tepër interesin e pushtetit që të godiste ata, që mund të ishin pengesë për marrjen e pushtetit sepse, Bahri Omari, nuk ka qenë fashist, por e gjykoi shumë gabim nevojën që, të bashkëpunonte me gjermanin.
Nuk e meritonte, mendoj unë, që të pushkatohej, sepse kishte kriminelë që e meritonin, por mund të dënohej me burg. Po u pushkatua Patër Anton Arapi, që ishte një fetar, u pushkatuan edhe shumë të tjerë, që nuk meritonin të pushkatoheshin, por aman për çështjet kombëtare, duhet të jetë e qartë: Tradhtia kombëtare duhej të dënohej. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm